Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media / Sociologji

POLANSKI SHEMBULLOR

Shpresoj që t’i keni ndjekur, sado përciptazi, peripecitë e tanishme të regjisorit Roman Polanski me ligjin.

I kërkuar nga drejtësia e SHBA për përdhunim të një vajze të mitur në 1977 dhe i arrestuar në shtator të vitit 2009 nga policia zvicerane në zbatim të urdhër-arrestit amerikan, Polanski u lirua nga arresti shtëpiak këto ditë, pasi autoritetet zvicerane deklaruan se nuk do ta ekstradojnë personalitetin e njohur, për arsye teknike.

Polanski ishte arratisur nga SHBA që në shkurt të vitit 1978, për t’i shpëtuar dënimit të sigurt.

Siç dihet, në mars të vitit 1977, Polanski kishte ftuar, në shtëpinë e një miku (Jack Nicholson), një vajzë 13-vjeçare, për ta nxjerrë në fotografi; por atje i ofroi shampanjë dhe quaalude (një bar hipnotik), pastaj konsumoi me të seks oral, vaginal dhe anal, megjithë kundërshtimet e saj të përsëritura.

Pas arrestimit, Polanskin e dënuan paraprakisht me tre muaj paraburgim me qëllim që ky t’i nënshtrohej atje ekspertizës psikiatrike; por tre muajt zgjatën vetëm 42 ditë dhe Polanski, tashmë në pritje të gjyqit, kur mori vesh se gjyqtari që merrej me çështjen e tij kishte vendosur që t’i jepte dënim me heqje lirie, vendosi të largohej nga SHBA.

Në 1988, viktima Samantha Geimer ngriti ndaj agresorit të vet padi civile për dëme të ndryshme; për çka Polanski pranoi, pas disa vjetësh, që t’i paguante asaj të paktën US$500 000.

Gjatë gjithë këtyre vjetëve, opinioni publik në SHBA dhe në Perëndim ka mbetur i ndarë në reagimet e veta ndaj mënyrës si duhej trajtuar Polanski – edhe artist i madh, edhe përdhunues fëmijësh.

Për një palë, Polanski meriton të dënohet për aktin e rëndë ndaj një vajze të mitur, pavarësisht nga emri, prestigji dhe statusi i tij. Për një palë tjetër, zhurma e mass mediave rreth këtij skandali dhe incidenti të mbajtur artificialisht gjallë nuk është veçse një mënyrë për t’ua hedhur regjisorin e madh luanëve.

Që Polanski i shpëtoi, në fakt, ekstradimit dhe dënimit në SHBA, të bën të mendosh se, edhe këtë herë, fituan të gjithë ata që besojnë se elitat, dhe veçanërisht elitat e establishmentit, meritojnë trajtim të privilegjiuar, madje edhe kur ndyhen në krime të pafalshme.

Mirëpo, për opinionin publik në përgjithësi, ideja se një personalitet i artit dhe të kulturës mund të drogojë dhe të përdhunojë një vajzë të mitur duke shfrytëzuar, në thelb, statusin e tij të posaçëm dhe karizmën; ta pranojë krimin e kryer, dhe megjithatë të shpëtojë pa u dënuar me burg, nuk mund të gëlltitet dot.

Imazhi i njeriut me pushtet që shtie në dorë përdhunshëm një vajzë të pafajshme ka fuqi të veçantë, në përfytyrimin kolektiv.

Më pak dëgjon të rrëfehet, në mediat, se si viktimën Samantha Geimer e çoi te regjisori hollywoodian nëna e vet, me shpresë se sesionet private të fotografimit do t’ia jepnin një shtysë vendimtare karrierës së të bijës në fotomodelim.

Nuk ishte hera e parë që Polanski e fotografonte vajzën; dy javë më parë, në shtëpinë e saj, i kishte kërkuar edhe të pozonte e zhveshur lakuriq përpara kamerës.

Këmbëngulja, në thelb e drejtë, që regjisorit të madh t’i jepet dënimi që meriton, nuk e bën më pak shqetësues qëndrimin e nënës së viktimës; as qëndrimin e të gjithë atyre prindërve të tjerë që eksitohen pa masë, kur fëmijëve të tyre u krijohen mundësi karriere të hershme, nëpërmjet kontaktesh të privilegjiuara me VIP-a të kalibrit të lartë.

Në një kuptim, Samantha 13-vjeçare ra viktimë sa e grykësisë predatore të një satrapi seksual që nuk ia dinte kuptimin fjalës “jo”, aq edhe e një sistemi në thelb pornografik, që i shtyn vajzat e reja, të pashme drejt prostitucionit për karrierë, shpesh në bashkëfajësi të heshtur me prindër ambiciozë.

A duhet të paguajë Polanski për këtë? Unë besoj se po, duhet të paguajë deri në fund. Vërtet i ka dhënë kinemasë vepra të shquara dhe publikut kënaqësi artistike të paçmuara, por kjo nuk përbën ndonjë arsye për ta trajtuar ndryshe nga një zezak “monstruoz” që dënohet me 20 vjet burg për të njëjtin lloj krimi.

Vështirë të përfytyrohet, pastaj, si mund të kish rënë në kontakt kaq intim një burrë 44-vjeçar me një vajzë 13-vjeçare, sikur i pari të mos kish qenë gjysmë-perëndi në Hollywood dhe e dyta fëmijë e një nëne egërsisht ambicioze.

Përdhunimi nuk mund të ndodhte, veçse në kontekstin e një sistemi të karrierës në show business që jo vetëm e përfton, por edhe e kërkon prostitucionin nga femra.

Nga kjo pikëpamje, ekspozimi i Polanski-t do parë vetëm si një gjethe fiku tashmë e vyshkur, ose një orvatje për t’ia faturuar mëkatet e sistemit një individi kinse pervers, një të çekuilibruari, një neurotiku, një të traumatizuari; dhe jo vetë privilegjeve të shëmtuara të statusit.

Në Mesjetë, aktorët deri edhe nuk pranonin t’i varrosnin në oborrin e Kishës, sepse i kujtonin si shoqëri të padenjë për të vdekurit e tjerë. Sot, përkundrazi, aktori mishëron në vetvete virtytin esencial për të dalë në krye të sistemit: karizmën fotozhenike, aftësinë për të ndarë fjalën nga vepra, manipulimin e publikut.

Diku midis këtyre dy skajeve, duhet të ekzistojë edhe arsyeja për t’ia dhënë Polanski-t dënimin që duhet; jo për t’u shpëtuar shpirtin kolegëve të vet celebrities dhe/ose pedofilë dhe/ose përdhunues; por vetëm për hir të tmerrit që ka përjetuar ai fëmijë, në kthetrat e maestros, atë ditë që nuk bëhet kurrë e largët.

Pa Komente

  1. “Vështirë të përfytyrohet, pastaj, si mund të kish rënë në kontakt kaq intim një burrë 44-vjeçar me një vajzë 13-vjeçare, sikur i pari të mos kish qenë gjysmë-perëndi në Hollywood dhe e dyta fëmijë e një nëne egërsisht ambicioze.”

    Duken te barabarte ne akt Mama & Polanski, por mama i dha mundesi atij vesi aq te pameshirshem, e me te drejte te denueshem, te Polanskit.
    Ironia e ngjarjes eshte kur sheh se as nji ligj nuk shkon pas mamas se viktimes duke lene shpresen e zhdukjes/permiresimit te ketyre krimeve vetem duke perndjekur pasojen-kriminelin, por duke mos ber sherbim te ardhmes, ku te zvogelohet ky lloj krimi pa patur rrol te qart mamate e femijveve.

    “Në Mesjetë, aktorët deri edhe nuk pranonin t’i varrosnin në oborrin e Kishës, sepse i kujtonin si shoqëri të padenjë për të vdekurit e tjerë. Sot, përkundrazi, aktori mishëron në vetvete virtytin esencial për të dalë në krye të sistemit: karizmën fotozhenike, aftësinë për të ndarë fjalën nga vepra, manipulimin e publikut.”

    Nuk di si ta lexoj sa me siper shkruan, Xha!

    1- Benin mire ne Mesjete? Na mungon Mesjetarizimi sot?
    Te dyja keto pyetje, lindur nga leximi qe te bej, me duken vezhgime te rrevoltuara.

    2- Aktori – jashte sistemit dhe fjales dhe vepres (pergjithesues).: eshte prap nje vezhgim i rrevoltuar, pasi jo cdo aktor eshte pa fjale dhe vepra te cilat dashurojne dhe mbeshtesin sistemin dhe drejtesine ne fuqi.
    Cdo njeri eshte nje aktor, dhe jo vetem ai qe punesohet si aktor. Aktore eshte dhe Mamaja (jo profesonialisht) dhe cdo njeri jashte ngjarjes cfardo. Aktori eshte jo fajtor. Polanski eshte fajtor, Ai qelloj qe eshte aktor.

    1. Doja vetëm të them se njerëzit e artit – sidomos celebrities – nuk mund të përjashtohen nga rregullat sociale, duke përfshirë ligjet. Dhe nuk mund të përjashtohen as duke i denigruar (si në Mesjetë) as duke i privilegjiuar (si sot).

  2. Jo vetem qe ligji s’ka ndonje dispozite per te ndeshkuar mamin, por ironia shkon edhe me tutje. Pikerisht ata persona apo grupe (psh e djathta fetare ne Amerike) qe ja mbajne shume per te madhe Polanskit aktin e tij dhe kerkojne denim shembullor te perversit duke shfrytezuar cdo mikrofon apo podium te mundshem, nga ana tjeter mbajne nje heshtje shungulluese kur vjen puna per te analizuar shkaqet me te thella te dukurise. Askush prej tyre nuk flet per grykesine e ngritur ne sistem, egzibicionizmin, e sidomos rolin e parase qe moleps krejt shoqerine nga kreu ne fund.
    Gardianet e moralit jane shume te zene per te tilla vogelsira, tha.

  3. ne rastin e “zezakut te perbindshem”, kemi te bejme me dhune ndaj sistemit……….
    Ai maskarai ne vend te ule koken dhe te punoje ose me mire akoma te behet marins dhe te vrase dhe te perdhunoje ne te mire te sistemit, gjetke, vete dhe i bie ne qafe nje vajze te pafajshme te shtreses se mesme.

    Ne rastet e Polanskerve, kemi te bejme me nje aksident te sistemit………..
    Me mijera vajza qe duan karriere artistike kalojne ne filtrat seksuale te vleresuesve vip dhe ky eshte rregull. Ajo ” budallacka” qe shkoi ne krahet e polanskit te madh direkt nga krahet e nenes se vet, normalisht nuk duhet te rezistonte apo te denonconte. Thjesht duhej te ecte perpara
    Dhe polanskit iu krijuan te gjitha mundesite qe t’i shmangej denimit se ne fund te fundit brenda llojit te vet ishte “i pafajshem”.

  4. Desha te ve ne dukje se ne kete rast nuk eshte drejtesia amerikane ajo qe deshton. Ne fakt megjithe trysnine e vazhdueshme te intelektualeve e politikaneve europiane qe perfshin deri edhe ministrin aktual te jashtem francez, drejtesia amerikane nuk ka bere kompromis derimesot. E kunderta mund te thuhet per sistemet e drejtesise europiane, te cilat pranojne qe nje njeri i denuar ( me vendim gjykate) te jetoje i lire, te mos ekstradohet dhe te vazhdoje aktivitetin e vet i pastigmatizuar nga shoqeria. Sigurisht qe drejtesia amerikane e shfaq anen tjeter te medaljes kur nuk denon Simpson apo lejon Michael Jackson-in ti shpetoje padise penale me nje pagese viktimes.

  5. Ndoshta duhet pasur kujdes për të mos rrëshqitur në një lloj populizmi, i cili fatkeqësisht e ka shoqëruar se fundmi gjykimin e rastit të sipërpërmendur.

    Unë nuk i njoh detajet se si është zhvilluar ngjarja, por kam pasur lebetitisht kujdes që ta informoj veten vetëm nga shtypi serioz duke mbajtur një distancë të shëndetshme për mendjen nga shtypi bulevardesk. Natyrisht që nuk kam lexuar gjithçka, por ajo që kam mësuar është pak a shumë kjo:

    – Marrëdhënia seksuale midis Polanskit dhe viktimës së tij është cilësuar zakonisht si “përdhunim” pasi legjislacioni lokal i klasifikonte të gjitha marrëdhëniet seksuale midis të rriturve dhe fëmijëve papërjashtimisht si të tilla. Nëse është vërtetë kjo, atëherë gjatë përkthimit ndodh një gabim konceptual që në fillim të diskutimit të rastit dhe hyhet në qorrsokak. Pra ajo, çka në aktakuzën kundër autorit të veprës në origjinal është klasifikuar si “përdhunim”, ka shumë mundësi që në gjuhët evropiane që ne vazhdojmë diskutimin e rastit të jetë vetëm “marrëdhënie seksuale me të mitur”, vepër penale kjo e një rrezikshmërie tjetër shoqërore; shumë më të të vogël.

    – Mendja ma do, që një përdhunues i një të miture në kuptimin e mirëfilltë të fjalës nuk gjykohet në gjendje të lirë edhe në Kaliforninë e viteve ’70 edhe sikur t’i ketë pranuar akuzat kundër tij, pasi masa e arrestit jepet mbarëbotërisht për tre arsye: rrezikshmëria e veprës penale, rreziku i arratisjes dhe rreziku i ndikimit të vijimit të hetimeve nga ana të dyshuarit. Përdhunimi i të miturve është një vepër penale shumë e rëndë, e cila kur ndodh jashtë Kishës Katolike ndëshkohet vetëm me heqje lirie disavjeçare. Kur priten dënime të tilla është e pazakonshme që të pezullohet masa e arrestit gjatë hetimeve, pavarësisht nëse pranohet vepra penale dhe jepen garancitë e nevojshme, që nuk do të ndikohen hetimet apo do të merret arratia.

    – Autori i veprës arriti gjatë gjykimit një kompromis me gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes për një dënim të caktuar, i cili mbaronte brenda kufijve kohorë të periudhës së paraburgimit; diçka si 42 ditë me duket. Kompromise të tilla nuk janë pjesë e sistemit normal të vijimit të një gjykimi dhe këtu mund të diskutohet pafundësisht për këtë, megjithatë praktika gjyqësore ju është qasur këtyre zgjidhjeve me një farë pragmatizmi edhe për të shkurtuar nga pikëpamja procedurale stërzgjatje të proceseve. 42 ditë (jashtëzakonisht shumë pak edhe për “marrëdhënie seksuale me të mitur”) ma përforcojnë bindjen e lajthimit të sipërpërmendur në përkthim.

    – Për arsye që dihen botërisht vetëm pjesërisht gjyqtari u tërhoq nga marrëveshja e palëve për dënimin vetëm me afatin e paraburgimit duke shtyrë autorin të ndërmerrte edhe arratinë.

    – Gjuhët e këqija thonë se borgjezia reaksionare (pak a shumë në formatin si e modelon Hamza) në kohën e vet nuk ja kishte falur Polanskit filmin “China Town”, film ky i jashtëzakonshëm, që nxirrte lakuriq moralin e korruptuar të borgjezisë të infiltruar ilegalisht e aq fatalisht në jetën publike, gërshetuar kjo edhe me dhunën seksuale në familjet e kamura, të sërës dhe të fuqishme të kohës dhe pa në rastin konkret mundësinë për revansh. Nuk di ç’të them, por mund ta përfytyroj dot. Gjithsesi një film i jashtëzakonshëm, ku vetëm leokoplasti mbi hundën e Jack Nocholson meriton një Oscar.

    – Megjithatë në ditët tona rasti Polanski është një tjetër. Ne nuk mund të gjykojmë veprën e kryer nga autori disa dhjetëvjeçarë më herët njëkohësisht me kërkesën për ekstradimin e tij nga Zvicra, pasi janë dy gjëra të ndryshme. Vepra penale e autorit gjykohet nga e drejta materiale, pra nga ajo penale. Këtu shikohet fajësia e autorit nga ana subjektive e saj e saj, analizohen ana objektive, gjithçka është fokusuar mbi veprimin e autorit dhe pasojën mbi viktimën. Në rastin e ndalimit të Polanskit nga autoritetet zvicerane gjatë qëndrimit të tij në atë vend me ftese të autoriteteve të tjera të barasvlershme zvicerane kemi të bëjmë me elementë formalë, të karakterit procedural, të cilët luajnë rolin primar duke spostuar në një plan të dytë apo të tretë ato të të të drejtës materiale.

    – Zvicra dhe të gjithë ne të tjerët u ftuam në vitin 2009 në një diskutim jo mbi fajin e Polanskit përpara disa dhjetëvjeçarëve por për nevojën për ekstradimit të tij sot nga ai vend për në SHBA. Gjykimi që ne japim (dot) sot për veprën e tij të atëhershme është vetëm, se si vepra e tij atëhershme ishte si e tille penale, por edhe kjo vetëm atëherë. Ne nuk mund të gjykojmë dot sot se sa e dënueshme mund të jetë një vepër e cila ka ndodhur në një të kaluar aq të largët, pasi edhe këtu dalin të paktën dy probleme, të cilat shoqëritë e civilizuara i kanë evidentuar me kohë. Ne nuk jemi në gjendje që objektivisht të gjykojmë diçka që shtrihet mbrapsht shumë larg në kohë kur duam të gjejmë fajësinë në kuptimin penal të fjalës, pasi perceptimet shtrihen aq mbrapsht në kohë, saqë kujtesa personale dhe ajo kolektive nuk i përkon dot më të vërtetës së atëhershme. Kështu jemi të rrezikuar të gjykojmë gabim.

    Këtu mund të diskutohet nëse ka edhe dy apo më tepër të vërteta; pra ajo e atëhershme dhe ajo e tanishme. E vërteta, në soliditetin e saj, është faktor kujtesës dhe kujtesa është faktor i “masës së të drejtës së cenuar”. Sa më e madhe të jetë e drejta e cenuar (vrasja, përvetësimi i pronës së palëvizshme) aq me thelle shtyhen nga përpara në kohë kufijtë proceduralë të cilët i lejojnë një relevancë juridike faktit edhe në të ardhmen, pasi kë janë gjëra që nuk harrohen shpejt. Ky është thelbi i institutit juridik të parashkrimit, ndoshta më i rëndësishmi ndër ata formalë të shoqërive të civilizuara.

    Për të evituar pasigurinë në marrëdhëniet juridike parashikohen afate, ku fakte juridike humbasin domethënien e tyre. Cila shoqëri do t’i lejonte dot vetes instrumentet burokratikë të hetonte edhe pas 30 vitesh një evazion fiskal, një hajdut të zakonshëm, në ngacmues seksual të një të miture, qoftë edhe sikur ky të kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, ndërkohë që viktima vetë ka arritur të krijojë aq distancë nga dhuna që i është shkaktuar, sa nuk i mat më asaj ndonjë domethënie vendimtare personale. Duam vërtetë të jetojmë në një shoqëri të tille, e cila personalen e shoqërizon dot aq shumë duke e dhunuar kështu në një formë tjetër rishtazi? Sa është e garantuar paqja sociale, kur ajo juridike është e rrezikuar në mënyrë të vazhdueshme nga ndërhyrje burokratike, të cilat burimin e tyre e gjejnë të shtrirë thelle në kohë përtej kujtesës kolektive?

    Një vështrim esëll i çështjes tregoi që në fillim, se kishte një kontradiktë të pakapërcyeshme midis ndjekësve në SHBA dhe organeve ekzekutive të kësaj ndjekjeje, që për koincidencë të të rrethanave u bënë ato të drejtësisë në Zvicër. Të dyja shtetet kishin një marrëveshje të ndihmës reciproke për çështje të drejtësisë, e cila në fund të fundit nuk mund të detyrojë asnjë nga palët të ndërmarrë veprime për interes të tjetrës, kur nëpërmjet tyre është rrezikuar paqja juridike (Rechtsfrieden) e vetja. Ekzekutimi i vendimeve të gjykatave të huaja është për sa kohë i mundshëm, sa nëpërmjet tij nuk prishet një ekuilibër juridik kombëtar (ordre public).

    Vepra për të cilën akuzohej Polanski sikur të kish ndodhur në Zvicër do të ishte parashkruar prej kohësh dhe në këto rrethana SHBA nuk mund të kërkonin dot më ekzekutimin e një urdhër-arresti pa e trazuar këtë paqe juridike në atë shtet.

  6. Pifto,

    Zvicres nuk ju kerkua te gjykonte a beri e cfare beri Polanski, a duhej parashkruar apo jo juridikisht dhe ne opinionin publik ajo qe beri (s’po i ve emer qe te mos me akuzosh per paragjykime.)

    Fakti mbetet qe Polanski, pavarsisht gjithe te tjerave, u arratis nga SHBA pa pritur perfundimin e gjykimit. Ky eshte thelbi i kerkeses per ekstradim. Sfida eshte mosbesimi tek sistemi amerikan i drejtesise, jo fajesia/pafajesia e Polanskit.

    1. LG

      Natyrisht që kjo ju kërkua Zvicrës, pasi është në natyrën e gjësë vetë. Zvicra nuk mund të japë ndihmë juridike, nëse nëpërmjet kësaj trazohet paqja juridike e Zvicrës vetë; dhe kjo paqe cenohet në rast se Zvicra ekzekuton për llogari të një shteti tjetër një akt juridik të atij shteti, i cili për nga natyra e përmbajtjes së tij do ta kishte humbur përmbajtjen sikur vepra të kishte ndodhur në Zvicër. Në marrëdhëniet e ndihmës juridike midis shteteve gjithnjë kryhet një provim i të drejtës materiale të shtetit të huaj i cili kërkon zbatimin e një vendimi duke bërë një të krahasim analog me të drejtën lokale (zvicerane) në mënyrë që të evitohen paradokse juridike. Paradoksi në rastin e Polanskit ishte se vepra e tij sipas të drejtës zvicerane do të ishte parashkruar sikur të kishte ndodhur në Zvicër. Unë përmendja institutin e “ordre public” que është shumë kompleks dhe fondamental. kush do mund t’i hedhë një sy këtu:

      http://en.wikipedia.org/wiki/Public_policy_%28law%29

      Pronblemi i thjeshtësuar shumë do të tingëllonte kështu:

      Unë të ndihmoj nëse ti ke një hall, zgjidhje e të cilit është në shtëpinë time, por sipas rregullave të shtëpisë time.

      Dhe për ta thjeshtuar fare:

      Ne kemi një marrëveshje kosi. Kur më mbaron mua, vij dhe e lyp tek ty dhe anasjelltas. Ti troket tek unë, kërkon kos për të ngrëne dhe unë kam të tillë prej një viti në frigorifer, por i cili ka skaduar përpara një jave. Ti më thua, se tek ty kosi thartohet pas dy vitesh, pra që kosi im tek ty mund të konsiderohet si i ngrënshëm edhe për 51 javë të tjera. Natyrisht që unë nuk mund të ta jap, pasi sipas meje ai nuk hahet më. Ti nuk mund të ndërhysh nga jashtë në frigoriferin tim dhe të zhvendosesh afatet e thartimit të kosit sepse kështu më merr në qafë mua vetë, gruan, fëmijën, të cilët janë mësuar të hanë kos me afat vetëm njëvjeçar skadimi, ndryshe nga ty, ku ky afat është dyvjeçar.

  7. Nëse Polanski ka përdorur bar hipnotik, atëherë është e qartë se kemi të bëjmë me përdhunim të një të miture, e jo vetëm marrëdhënie seksuale me një të mitur. Nejse.
    Mua më duket se kam lexuar diku, se qëndrimi i Zvicrës ndaj rastit “Polanski” është i ndikuar edhe nga një problem tjetër. ShBA ka bërë presion mbi Zvicrën, që kjo ta ndryshojë ligjin ku u lejohet bankave zvicerane që t’i mbajnë sekrete të dhënat për identitetin e klientëve të vet. E ka arritur pjesërisht këtë qëllim, por tash ka presion prej vendeve tjera europiane, sidomos prej Gjermanisë. Kjo e fundit ka përdorur metoda agjenturore për t’i futur në dorë këto të dhëna, çka ka ndikuar në tensionimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

    1. Zgjim,

      Kusht të tha ty se Polanski e ka përdorur barin hipnotik për të arritur më mirë qëllimin e tij për të kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në fjalë dhe nuk ka qenë duke tymosur për qef të vet, ku i është afruar viktima dhe ja ka marrë nga dora joint-in?

      Nuk dua të tingëlloj arrogant, por kam frikë se një vepre penale i duhet qasur me ekspertizën e nevojshme profesionale juridike për të hetuar dot fajin e autorit të saj.

      Ana subjektive e veprës penale…
      Nëse kjo nuk të thotë asgjë, e leme këtu më mirë…

  8. Pifto: Unë nuk i njoh detajet se si është zhvilluar ngjarja, por kam pasur lebetitisht kujdes që ta informoj veten vetëm nga shtypi serioz duke mbajtur një distancë të shëndetshme për mendjen nga shtypi bulevardesk. ….

    Perseri Pifto:….Gjuhët e këqija thonë se borgjezia reaksionare (pak a shumë në formatin si e modelon Hamza) në kohën e vet nuk ja kishte falur Polanskit filmin “China Town”, film ky i jashtëzakonshëm, që nxirrte lakuriq moralin e korruptuar të borgjezisë të infiltruar ilegalisht e aq fatalisht në jetën publike, gërshetuar kjo edhe me dhunën seksuale në familjet e kamura, të sërës dhe të fuqishme të kohës dhe pa në rastin konkret mundësinë për revansh.

    Really? Duhet patjeter te jete shtyp serioz ai qe ka burim “gjuhet e liga”. Patjeter.

    1. Politikus,

      gjyq po më bën ti?

      Lidhja midis “China Town” dhe rastit Polanski natyrisht që nuk mund të bëhet nga shtypi bulevardesk, ngaqë ky është i fokusuar kryesisht tek lexuesi mikrocefal vojer, që është i interesuar për hollësi të tjera. Shtypi bulevardesk natyrisht që nuk i ka kapacitetet intelektuale të bëjë analiza të pozicioneve të borgjezisë reaksionare. Kujt i interesojnë këto gjëra i gjen ndër të tjera në analiza dhe komente të gazetave serioze, madje edhe të pozicionuara relativisht në anën konservatore si Neue Zürcher Zeitung. Edhe unë atje e gjeta.

      Gjuhët e liga njihen në të gjitha sferat sociale.

      Edhe me më pak me laps të kuq mundësisht…

      1. Pifto,

        Nuk ka ndermend te te beje njeri gjyq, mos u frikeso. Ama, kur shkruan duhet pak koherence per respekt ndaj atyre qe marrin mundimin e lexojne shkrime te gjata. Kur keto percapje per te shpjeguar nje fenomen marrin formen e kapitullit te pare te dispenses Filozofia e Ligjit per fillestare, atehere na lejo qe te ndjehemi sikur autori po tall trapin (ate qe lundron) me intelektin tone apo qe eshte jo serioz e jo koherent. Pergjigja e vetme ndaj kesaj humbje kohe (i.e. leximi i permbledhjes se kapitullit te pare te dispenses i shtuar me copeza opinionesh me burim “gojet e liga”) eshte venia ne dukje e kesaj sharade fjalesh. Ne mos per gje tjeter, per te pluskuar edhe ne pak kaiken (perseri ate qe lundron) ne ujerat e turbullta qe na paraqiten.

        Per t’ju kthyer informacionit qe na paraqet e ke te manget ne nje pike. Gjykatesi- i cili ka te drejten fundore per te vendosur mbi denimin,edhe nese palet ne kete sistemin amerikan adversarial ( spo di ta perkthej llafin) kane rene dakord paraprakisht- nuk dukej i bindur nga marreveshja dhe do ti jepte nje denim me te madh Polanskit. Se dyti, ti na flet per parashkrim-prescription, po Polanski nuk ka mbetur ne limbo juridike (i.e. i pagjykuar) por eshte larguar pas denimit (me sa me kujtohet me 9 vjet po sjam fort i sigurte). E kjo do te thote qe nuk ka prescription qe i ben fajde juridikisht. Vetem falja jo vetem nga guvernatori per krimin ne shkalle shteti por edhe nga Presidenti per ikjen te cilen e ndjek departamenti federal i drejtesise, ose zhberja e gjyqit nga ndonje gjykate apeli mund ti zgjidhte problemin e burgut. Nese apeli i jep te drejte per krimin e kryer, ka gjase qe departamenti te gjeje nje zgjidhje ku ai te mos denohet per te qenit ikanak nga drejtesia. Mirepo, gjykatat e apelit derimetani nuk kane pranuar arsyetimet e mbrojtjes.
        Pra, e gjithe ceshtja mund te perkufizohet ( sic besoj e beri Xhaxhai) ne drejtesia vs. fama dhe ne kete perballje nuk mund te kete medyshje se kush eshte paresor, perndryshe nuk ka me drejtesi. Te gjitha te tjerat, jane pallavra justifikuese. Krimi i pershkruar ne letrat e gjyqit eshte jo vetem i denueshem per moshen (ne gjykimin tim) e mitur te vajzes, por edhe per dhunen e ushtruar ( seksi anal sic mund ta dish nuk eshte pune mekanikisht fort e thjeshte, sidomos per nje femije). Gojet e liga le te thone cte duan, ne fakt nuk e mohoi njeri qe egzistojne ne te gjithe spektrin, vetem qe nuk mund te merren per baze ne arsyetime per etiken e ceshtjes. Une mund te te them edhe se gojet e liga nuk jane pa agjende ne kete mes, e pastaj i hyjme nje diskutimi qe nuk ka vend ketu.

        1. Politikus,

          nuk kam se ç’të mësoj prej teje dhe mos e humb kohën me mua.

        2. Me gjithe c’kam thene me poshte, ceshtja nuk mund te reduktohet ne drejtesia vs. fama (sic edhe evidenton Xhaxhai, ndryshe nga c’beson ti). Ne fakt, pare ne prizmin e nje shoqerie qe nuk konsumon gje tjeter pervec spektaklit, qe nga Big Mac e deri tek Big Polansky, ceshtja eshte shkaku i krimit, crrenjosja e te cilit shkak do te ishte edhe drejtesia e vertete, dhe jo ndeshkimi spektakolar i nje perdhunuesi.

          p.s. Politicus, thua: “seksi anal sic mund ta dish nuk eshte pune mekanikisht fort e thjeshte, sidomos per nje femije.” Kjo lloj retorike eshte “wrong in so many levels,” sa qe habitem se me sa mend i ke gjetur vend ne debat ne rradhe te pare, dhe ne rradhe te dyte cuditem se si moderatoret e kane lene te kaloje.

          1. Lulian, mos mbaj inate te vjetra, i dashur. Une e kuptoj qe ti mezi pret Pifton te te mesoje ndryshimin midis ligjit dhe procedures se ligjit po nuk e dija qe ndaje te njejtin mendim “kristian” me te per perdhunuesit e femijeve. Ndoshta une keto punet e procedures penale nuk i rrok se duhet bari per ti hyre ne thellesi. Por ne sensin e ngushte etik nuk kam kurrfare mirekuptimi per perdhunuesin edhe pse me ligj “duhet provuar ne se ja ka dhene barin per ta perdhunuar apo per ta ledhatuar”. Nuk u mora me Pifton se ai ndoshta ka arsye personale qe mbron interesat e perdhunuesve, apo ka ndonje afinitet tjeter te cilin nuk mund ta percaktoj, por te siguroj mik qe kam njohje te mjaftueshme te rastit ne fjale per te dhene nje gjykim. Dhe pergjithesimet mbi “fenomenin”( cilin fenomen perdhunimin e femijeve nga regjisore filmash?), mundimi qe behet nganjehere per te “shpjeguar” kafsheri te tilla me duket shterp dhe i peshtire. Qe te mos ngelem i pakuptueshem, perdorimi i trocit eshte i nevojshem per te rizgjuar vatrat normale te trurit. Pra, ti me konfirmon qe ka funksionuar sepse te ka bere pershtypje.
            Per punen e retorikes, as prudizmi per ta thene a la amerikance per mua nuk ka vend ketu, po ja qe te qenkerka lejuar edhe ty. Pastaj ti sikur je revolucionar, pra lerua konservatoreve te ankohen.

  9. Pifto,

    Xha Xhai shkruan në tekstin që po e komentojmë:

    ” …; por atje i ofroi shampanjë dhe quaalude (një bar hipnotik), …”

    Përndryshe jam i vetëdijshëm se në këso rastesh është e vështirë për gjykatësit që të vijnë tek e vërteta. Kemi lexuar për raste ku janë dënuar edhe të pafajshmit.

    1. Zgjim

      Qëllimi se pse ja ofroi është përcaktues.

      Kjo është vendimtare.

  10. 1. E interesuara e ka terhequr padine, nderkohe qe gabimet ne proçesin gjyqesor amerikan jane tashme te pranuara juridikisht.

    2. Nag shikimi i dokumentarit “Roman Polanski: Wanted and Desired” i Marina Zenovich-it (2008) kuptohet se : mungesa e dhunimit eshte e pranuar nga pothuaj te gjitha palet. Dhe zigzaket e asokohe te drejtesise amerikane, zigzake here qorre, here te qellimshme, jane me se evidente.

    3. Polanski asokohe ka pranuar te beje burgun, me kusht qe te vertetohet zelli i gjykateses Laurence Rittenband per ta trajtuar si “pervers seksual” e per ta kthyer në “shembull te nje njeriu me famë”.

    4. Nese per disa Polanski shihet si i famshem (shpesh me thekse cmire), ne kesi rastesh eshte mire te kujtohet se regjizori, ne moshen 10 vjeçare provoi geton e Varshaves, ndersa gruan – aktoren Sharon Tate, ne muajin e tete te shtatzanise – 30 vite me vone ja vrau ne menyre te llahtarshme vrasesi ne seri Charles Manson (jo rastesisht, krejt vepra e Polanskit eshte e pershkruar nga tema e paranojes).

    5. Shkurt, behet fjale per bon-sens. Drejtesia zvicerane kaq me ne fund e kuptoi.

  11. Ceshtja nuk eshte thjesht drejtesi vs. fame. Eshte edhe ceshtje proceduriale. Pala amerikane kishte nje afat te caktuar kohor per te bindur palen zvicerane, me fakte dhe argumenta, per ekstradimin e Polanskit, fakte dhe argumenta qe pala amerikane nuk i prodhoi. Ne fund te fundit, ekstradimi eshte nje ceshtje proceduriale, dhe kete procedure disa vende e kane ndryshe me disa vende, ndryshe me te tjera, e me te tjera nuk e kane fare. Ceshtje kosi, sic thote Pfito. Procedura e ekstradimit mes Amerikes dhe Frances, psh, eshte inekzistente, prandaj edhe ne France, Polanski mund te jetoje i lire. Interesant eshte debati qe mund te hapet ne Britanine e Madhe pas vendimit te zviceraneve, sepse nderkohe qe amerikanet kane te drejte te kerkojne kedo te dyshuar per terrorizem nga Britania e Madhe, “no questions asked,” britaniket nga ana e tyre duhet te prodhojne fakte dhe argumenta per te marre nje te dyshuar nga Amerika. Ne fund te fundit, keto jane procedura te percaktuara me kontrate, dhe si te tilla varen nga perpilimi i kontrates. Zviceranet, me sa di une ne lidhje me kete ceshtje, kane argumentuar se amerikanet nuk i jane permbajtur procedurave te percaktuara ne kontraten mes dy vendeve. Rrjedhimisht kane vendosur se nuk kane te drejte ta mbajne Polanskin ne gjendje arresti.

    Fama eshte thike me dy presa. Te njejtin argument te ndertuar mbi aspektin publik te personit, Xhaxhai dhe shume prej jush ketu, e shperfillen ne rastin e vendimit te Bendos ne favor te Pangos, duke argumentuar ne baze te te drejtave themelore te njeriut, se ishte shkelur privatesia e baneses, pavaresisht ne ishte kjo shkelje ne dem te nje zyrtari te shtetit, Adrian Krastes apo Aqif Kopertonit. Mirepo, po ne baze te te drejtave themelore te njeriut, ne mungese te provave te fajesise liria e personit nuk mund te cenohet, qofte ky person Polanski i famshem, apo Aqif Kopertoni. Ne mugese te provave nga pala akuzuese amerikane, vendimi i zviceraneve per te mos ia cenuar me Polanskit lirine e per ta lene te lire, eshte vendim i drejte.

  12. Çfarë lloj drejtësie është ajo që nuk mund të zgjidhi një çështje per 33 vjetë me radhë?
    Vetë viktima deklaron:
    “Mjaft(stop).Kjo ngjarje duhej të ishte zgjidhur 33 vjet më parë…
    Ngjarja është e qarte.Ngrihet padia 33 vjet më parë.Proçedurë e tejgjatë e Gjykatës Amerikane dhe tani,kur Agresori është pothuaj 80 vjeç, çështja varet nga drejtësia e drejtësisë zviceriane.Polanski gëzon jetën pa shpagim ligjor nga 40-80 vjeç,pagon vetëm nje faturë financiare,pjesën pothuajse të parëndësishme;sidomos për kuletën e tij ,dhe në fund del i palagur në brigjet e liqeneve malore të kulluar të Zvicrës pas jetesës së lirë në Francë.
    Ne mund të shikojmë lehtësisht që nga njëra anë qëndron një grua e shëndoshë tashmë,reth 46 vjeç,e tejlodhur nga pritja e dënimit dhe e kënaqur pjesërisht nga shuma jo e vogël e 720 mijë dollarëve;edhe pse tashme shpenzuar ,pjesën më te madheve te saj,në banaket e marketeve gjigante dhe nga ana tjetër qëndron Polanski duke mbartur në shpirtin e tij dhimbjen e vrasjes së gruas së tij prej një paranojaku serial, përdhunimin e një të mitureje prej tij dhe kenaqesine e pamase te te qenit nje artist i njohur ne botë.
    Ne mund të kuptojmë lehtësisht që :Shtypi bën kritika të tepruara ndaj palëve,ndaj gjykatës,ndaj Zvicrës ndaj kujtdo qe bën bujë.Shtypi priret ndaj çdo gjëje qe do prodhonte bujë dhe për këtë arsye shtypi ndonjëhere formon lajmin e ri ose sterzmadhon lajmin ekzistues.Shtypi ndonjëhere e deformon lajmin në përshtatje me fitimin e vet,kohën dhe shijet e publikut që ndryshojne. Lajmet janë bërë si veshjet e modës dhe shtypi sot ngjan me shumë me një market mallrash.Shtypi flet për komplot gjyqtarësh për ta futur në çmëndime Polanskin dhe komplot avokatësh për të tejzgjatur gjyqin..Nëse pyet një amerikan të thjeshtë se çfarë ka bërë dhe kush është Polanski,ai ose ajo, do të përgjigjen ”ka përdhunuar një të mitur 13 vjeçare”.
    Problem me i rëndësishëm se vëte ngjarja është se asnjëhere dhe asgjëkundi mun të gjesh e lexosh ndonji kritikë ndaj bazave katalizatore të ngjarjeve të kësaj natyre.Bile me shumë mund të gjesh e të lexosh teori,libra,artikuj,komente dhe arsyetime të gjata justifikuese të veprimit.
    Shtypi ,si gjithmone ,zhurmon me tërë fuqinë në elementët më të parëndësishëm. E vërteta dhe drejtësia nuk prodhojnë bujë,para.E vërteta dhe drejtësia nuk janë interesante dhe nuk tërheqin vëmendjen e konsumatorit.Ndonjëhere ato janë shumë të rezikshme edhe për vetë sistemin.Ato gjithmonë kanë tentuar dhe tentojnë ta rrezojnë sistemin e gabuar dhe te padrejtë.
    Problem tjetër është që nëse Polanski i shpëton drejtësisë.Lënia e kesaj njolle në murin e gjykatës Amerikane është një mesazh shumë i keq për të ardhmen e mijerave të miturava nën rrezikun e polanskeve të mundshëm.Nëse nuk mund të shkatërrohet fabrika prodhuese e fenomenit të paktën duhet të jetë i dënuar detali me difekt të dukshëm,njeriu përvert Polanski.

  13. Per te qene sa me korrekt i informuar duhet tentuar nganjehere te degjosh intervistat apo konferencat qe jep minsitr-i/ja i drejtesise. L.Kodra permbledh pak a shume se c’u tha direkt nga ministrja zvicerane, e cila pyetjes se perse kjo ceshtje zgjati kaq shume iu pergjigj se nderhyrjet e shumta te avokateve te Polanskit pezullonin punen e zvicres per t’i dhene fund sa me shpejt ceshtjes ne fjale.
    Pa u futur ne detajet e drejtesise mua si qytetare kjo ceshtje nuk me la pershtypjen se Zvicra nuk kupton mire se c’eshte drejtesia e e zbaton ate pa bon sens. Zvicra tregoi per te dyten here brenda 2 e pak vjetesh se ka nje sistem juridik qe mbetet akoma (mbase jo gjithnje) i pavarur nga politika e ekonomia dhe kjo me gezon pa mase. Kujtoj ketu se ceshtja e djalit te Kadafit ngriti pak a shume te njejtin diskutim : a duhet sjelle me autoritetet njelloj si me qytetare te thjeshte ? Po ta shikojme nga ana politike dhe ekonomike (Tamoil qe ka nje pjese te mire te pompave te benzines ne Zvicer eshte libian) JO. Marrja ne mbrojtje nga shteti i Gjeneves i dy sherbetoreve te keqtrajtuar nga cifti Kadafi ishte nje donkishotizem, por sa dinjitoze, e drejte moralisht e jurdikisht, per nje Gjeneve qe bujt selite e Kombeve te Bashkuara, apo Kryqin e Kuq, etj. etj. Evropa heshti dhe une u ndjeva mire jashte saj.
    Ne rastin e Polanskit une besoj se zbatimi i ligjit , egzistonte nje mandat arresti per te, u be me te njejtin naivitet politik dhe e pershendes. Preferoj naivitetin politik se sa politicall correct.
    Ajo qe me shqeteson keto dite eshte cfaqja e Polanskit ne media, qendrimi qe mban ai vete. Sado te kesh shlyer denime, sado kohe te kete kaluar, per mua eshte e veshtire te gelltit rolin e viktimes se drejtesise amerikane qe luan Polanski ne llozhen private te Montreux Jazz Festival duke degjuar gruan e tij 30 vjec me te re tek kendon. Do te ishte me pak politikisht korrekt por me pak hipokrite te peshtynte mbi gjithe viktimat e marredhenieve seksuale me te miturit. Me kujtohet rrefimi i nje djali qe 30 vjet me pas, pas gjyqeve te fituara, vendos te fale perdhunuesin, ish mesuesin e tij ne kamp veror. Pas pershendetje shume te tendosur, me ne fund hyn ne teme. Ish-abuzuesi pak nga pak qetesohet dhe fillon me dashamiresi t’ rrefeje se sa kenaqesi kishte pasur femija gjate mardhenieve seksuale dhe sa me deshire ai vete ia kishte dhene kete kenaqesi. Tronditese, viktima priste pendim, vrarje ndergjegjeje. Ne vend te faljes kuptoi qe ish-perdhunuesi e kishte te pamundur te kuptonte qe kishte bere keq, shume shume keq. Nje pjese e 68-areve (revolucinareve te ’68-es), perfshi ketu dhe Bernard-Henri Lévy-ne, deklaruan, ne mbrojtje te Polanskit, pa kurrfare ngurrimi e sikleti se ne vitet ’70 nuk kishte kurrfare tabush e limitesh.
    Te jete dhimbja, fizike apo shpirerore, tabu? limit per t’u shperthyer nga revolucionaret e kundershtaret e normave borgjeze, apo Amerikes lufteberese?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin