Në kontekstin e diskutimeve rreth çështjes Pango vs. Top Channel, m’u kujtua një rast i ndodhur në Suedi, për të cilin kam dëgjuar vite më parë (për fat të keq, nuk e gjej dot tani referencën).
Siç dihet, në Suedi dhe në përgjithësi në vendet skandinave, opinioni publik është veçanërisht i ndjeshëm ndaj rrezikut të ndotjes elektromagnetike – shtyllat e tensionit të lartë, telefonia celulare, etj.
Nga ana tjetër, nga vendet skandinave e kanë origjinën edhe dy nga markat më të fuqishme të telefonisë celulare sot në mbarë botën: Nokia dhe Ericsson (tani Sony-Ericsson).
Nëse shëndeti i të gjithë atyre që i ekspozohen radiovalëve të telefonisë celulare është apo jo në rrezik, për këtë nuk ka ndonjë konsensus deri më sot. Siç mund të pritet, grupet e konsumatorëve dhe ambientalistëve e amplifikojnë rrezikun, ndërsa grupet e interesit të industrisë telekom e minimizojnë.
Vitet e fundit, opinioni publik në Perëndim u ka ofruar mbështetje dhe simpati të madhe fushatave kundër antenave celulare (masts or towers); ndryshe nga telefoni celular, i cili për të shërbyer duhet mbajtur gjithnjë me vete, antenat celulare nuk është e thënë të ngrihen afër shtëpisë sime – mund të ngrihen gjetiu, p.sh. afër shtëpisë sate.
Dukuria njihet përndryshe si NIMBY (Not In My Back Yard, jo në oborrin tim).
Paradoksalisht, nivelet e ekspozimit individual ndaj radiovalëve me burim nga antenat celulare thuhet se janë shumë më të ulëta se ato që i detyrohen përdorimit të përditshëm të vetë telefonit celular.
Megjithatë, antenat celulare janë si oxhakët e kaldajave që vjellin tym të zi: diçka që na shkakton ankthin zemërak të rrezikut që na kanoset prej abuzimit të të tjerëve me mjedisin. Prandaj edhe fushatat për t’i zhvendosur këto antena kanë qenë ku e ku më të forta se fushatat, bie fjala, për të nxitur përdorimin e celularëve me kufje me kabllo; ose edhe për të ndaluar përdorimin e telefonit celular nga drejtuesit e automjeteve, megjithëse ky i fundit shkakton me mijëra herë më shumë viktima se efekti i supozuar kancerogjen i radiovalëve… Kompanitë e telekomit, nga ana e tyre, kanë reaguar ndaj këtyre fushatave, duke i maskuar antenat celulare, për t’i bërë të duken si pisha ose qiparise.
Kemi mbërritur kështu në nivelin e sorrave dhe të dordolecit (ose, më saktë, të kundër-dordolecit).
Gjithsesi, grupet ambientaliste në Suedi ishin ndër të parat që u ngritën në fushatë masive kundër antenave celulare, duke kërkuar që këto të largohen nga zonat urbane të banuara dendur – p.sh. nga tarracat e pallateve ose të shkollave, etj. Drejtuesit e telekomit, nga ana e tyre, refuzuan që t’i lëvizin antenat, duke shpjeguar se nuk ka asnjë provë që këto dëmtojnë shëndetin e banorëve në afërsi.
Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme – thjesht shembull i një konflikti të rëndomtë midis shoqërisë civile dhe kapitalit të madh, që dëshmon, në mos tjetër, shëndetin e debatit publik në shoqërinë përkatëse.
Hyn tani në skenë një televizion privat suedez, për të sajuar një provokim të vogël, por domethënës. Përgatitet një kamion me shenjat dhe logot e njërës prej kompanive të mëdha të telekomit në Suedi dhe dërgohet, me zhurmë dhe bujë, në një nga lagjet më ekskluzive të Stokholmit, për të instaluar një “antenë” të madhe mu përballë vilës ku banonte një prej bosëve të telefonisë celulare.
Gjithçka është organizuar në përsosmëri: montatorë me uniforma fosforeshente e kaska mbrojtëse, grupe elektrogjene shungulluese, pajisje “elektronike” llamburitëse, gjithfarë inxhinierësh e gjeometrash; teksa antena butaforike nis të hedhë shtat në zemër të oazit elitar, mú nën sytë e lebetitur të amvisave e të guvernanteve.
Kur Volvo-ja e bosit shfaqet në krye të rrugës, kamerat e televizionit janë gati për të filmuar – edhe pse haptazi jo fshehurazi. Bosi del nga makina, i afrohet me të shpejtë kantierit të antenës, kërkon të informohet; kur i thonë se aty po ngrihet një nga antenat më të fuqishme të telefonisë celulare në Stokholm, nis të protestojë me të madhe, të ulërijë, të kërkojë bllokimin e menjëhershëm të punimeve; matet t’u telefonojë autoriteve bashkiake, policisë qytetëse, ministrave të qeverisë…
E gjitha kjo filmohet hap pas hapi nga kamerat, për t’iu transmetuar publikut po atë mbrëmje.
Ideja këtu është se të fortët e telekomit, pikërisht këto shtylla të komunitetit që duan të sigurojnë opinionin se asnjë rrezik nuk vjen prej antenave celulare në mjedise të populluara dendur, nuk do të pranonin kurrsesi që këto antena t’u instalohen në mes të lagjeve dhe të komuniteteve të tyre – ergo… antenat celulare shkaktojnë kancer dhe kapitalistët mashtrojnë opinionin, sepse duan t’u rrjepin njerëzve lëkurën.
Nga pikëpamja thjesht mediatike, ky operacion rezultoi i përsosur: jo vetëm për të ekspozuar hipokrizinë e një kapitalisti, por edhe për ta bërë këtë nga pozitat e opinionit publik, ose të vegjëlve, të cilët me përkufizim nëpërkëmben prej të mëdhenjve.
Shto këtu edhe frymën komunitare barazimtare në vendet skandinave, për të kuptuar suksesin e një ndërmarrjeje që rreket t’i demaskojë e godasë kapitalistët dhe pushtetarët pikërisht si bartës privilegjesh ndonjëherë skandaloze.
Nuk mbaj mend çfarë efekti pati ky operacion i guerriljes mediatike në Suedi; ndoshta bosi i telekomit u zu aq ngushtë, sa e detyruan të japë dorëheqjen, siç ndodh rëndom në raste të ngjashme anembanë botës. Grupet mjedisore dhe të konsumatorëve që luftojnë për të zhvendosur antenat me siguri dolën të fituara dhe të forcuara; ndonjë antenë edhe do të ketë ndërruar vend; ndonjë tjetër do të jetë maskuar si obelisk egjiptian ose shtizë flamuri kombëtar ose kambanare ose kullë fortese vikinge në park tematik lojërash, në mos palmë tropikale e super-kaktus…
Nga ana tjetër, efekti i operacioneve të tilla ndaj boom-it të industrisë së telekomit anembanë botës është praktikisht zero, madje negativ, dhe ja pse.
Në qytete të mëdha, antenat celulare do të vendosen diku – në mos në oborrin tim, në tëndin ose të atyre të tjerëve; se ku do të vendosen pikërisht, kjo përcaktohet nga shpërndarja gjeografike e trafikut celular, jo nga të ardhurat ose statusi social i banorëve ose hapësirat e privilegjeve.
Bosi i telekomit viktimë e provokimit të kanalit televiziv u irritua për antenën njëlloj siç do të irritohej çdo qytetar standard i Stokholmit skandinav; shkalla e arrogancës, në këtë rast, nuk lidhet fare me ndonjë “të dhënë” sekrete që ai mund të ketë pasur për dëmin radiovalor të antenave; por vetëm me deformimin e tij profesional prej bosi.
Nga ana tjetër, vërtet kapitalistët e telekomit, në Suedi dhe kudo gjetiu në botë, janë pasuruar në mënyrë përrallore; por këtë e kanë arritur duke shfrytëzuar suksesin e teknologjisë që ofrojnë në treg, jo duke ngritur antena kancerogjene mbi shtëpi fëmijësh ose azile. Suksesi i telefonisë celulare i detyrohet para së gjithash publikut blerës, i cili e ka pëlqyer pa masë, si shërbim dhe si produkt.
Operacioni mediatik i mësipërm u mpiks i tëri rreth një skeme narrative elementare: të bosit kapitalist si vetvetiu “të keq”, “të pashpirt”, “hipokrit”, “dyfytyrësh”; dhe publikut viktimë si vetvetiu “të mirë”.
Brenda një skeme të tillë, mass media doemos kërkon të rreshtohet në anën e të dobëtit, ose të Davidit, kundër Goliathit; duke ndihmuar për të rrëzuar jo vetëm një antenë celulare, por edhe një individ të privilegjiuar dhe të suksesshëm.
Ky lloj operacioni, populist në mos për nga frymëzimi të paktën për efektet, dashur pa dashur e zhvendos hetimin dhe zgjidhjen e problemeve nga strukturat, te individët ose nga rolet, tek aktorët që i luajnë këto role; duke e kënaqur publikun jo pse këtij i ofrohet ndonjë zgjidhje çfarëdo, por vetëm pse i dhurohet për linçim një figurë e njohur.
Nëse këtij inkursioni televiziv është vështirë t’i gjendet ndonjë farë vlere ose dobie sociale, kjo nuk do të thotë se ideja e producentëve është vetvetiu e dështuar. Përkundrazi, emisioni i mbrëmjes e përligji vetveten për bukuri – duke i dëfryer pa masë teleshikuesit, në pajtim me funksionin kryesor të mediumit televiziv.
Vërtet, nga mizëria e suedezëve të zbavitur ndoshta duhet përjashtuar bosi i telekomit dhe familja e tij, ndoshta e dashura, shoferi dhe ndonjë ndihmës besnik; por ndryshe nga raste të tjera të ngjashme, bosit këtu nuk iu shkel ndonjë e drejtë, sa kohë që ndërveprimi i këtij me “ndërtuesit” e antenës ishte publik, në sytë e të gjithëve.
Dëfrimi nëpërmjet përqeshjes së të fortëve ka qenë gjithnjë pjesë e kulturave, anembanë botës; si formë e karnevalit, ose e shkëmbimit të përkohshëm të roleve, me qëllim terapeutik-social. Megjithatë, nuk duhet harruar se synimi, në këto rrethana, është të zbuten tensionet sociale, jo të zgjidhen problemet përkatëse; ngatërresa mes këtyre dy efekteve u shërben, në thelb, vetëm bosëve të të gjitha ngjyrave.
Për një moment mu duk sikur kishe shkruajtur ndonjë artikull për Saktivistën, por kur vajta deri në fund, pashë që s’ke lëvizur as një cantim nga qëndrimi yt.
Do citoj Gianfranco Fini-n; “Liria e shtypit nuk është asnjëherë e tepërt”, për t’bërë një pyetje: “Cili është kufiri, sipas jush, i asaj që duhet të informojë shtypi dhe asaj që nuk duhet të përmëndë?”… sepse duke lexuar shkrimin tuaj, më duket si ai që thoshte: “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”… a e di ti që, nëse do egzistonte ndonjë ligj si ai që uron ti (dhe që po shtrohet në parlamentin italian për aprovim), atëhere në shkrimet e tua nuk do të guxoje që të citoje me emrat e tyre as Pangon dhe as Topin (sepse n’emër t’ligjit tat, do t’kishin hudh n’gjyq 😛 )
‘shkalla e arrogancës, në këtë rast, nuk lidhet fare me ndonjë “të dhënë” sekrete që ai mund të ketë pasur për dëmin radiovalor të antenave; por vetëm me deformimin e tij profesional prej bosi.’
Ku e di ti kete Xha xha ?
Une them jo, ai ka ditur dicka. Ti ku e di qe nuk eshte keshtu por ashtu si ti thua ?
Historia ka disa vjet që ka ndodhur; që nga ajo kohë do të ishte marrë vesh diçka konkrete nga publiku, për dëmet e antenave. Edhe sot, zakonisht dëgjon të flitet më shumë për rreziqet e telefonit vetë.