Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Sociologji

THEKSI PËR TË TJERËT (I)

Kur shkrova për ngashënjimin e arrivistit, qëllimisht lashë pa përmendur një nga aspektet më delikate të ngjitjes drejt majave së shoqërisë: zbutjen, përshtatjen dhe përsosjen e theksit në të folur.

Për kë del në publik, flet në publik, e themelon personalitetin e vet në marrëdhëniet me publikun, theksi funksionon si veshja: është mjet komunikimi.

Mirëpo që ta përdorësh theksin për të komunikuar çfarë dëshiron ti, duhet ta kesh nën kontroll; ose të mundesh të zgjedhësh mes theksesh të ndryshme, siç zgjedh kravatën në mëngjes, ose atletet për vrapin e pasdites.

Po çfarë është theksi pikërisht?

Zakonisht është diçka më pak se dialekti; më tepër një ngjyrim ose trukim i të folurit sipas modelit të dialektit, ose një gjethe dafine e futur në gjellë. Nëse gjuha është anonime dhe i përket gjithnjë tjetrit, theksi thotë: ky jam unë.

Një shembull vetjak. E kam kaluar fëmininë në Tiranë, ku kam qenë menjëherë i detyruar të përvetësoj të paktën tre theksa të ndryshëm: të qytetit të Gjirokastrës, për të folur me gjyshërit që kalonin kohën me mua; të të folmes qytetare tiranase të rrugës për të komunikuar me shokët e lojërave; të shqipes standard, në shkollë dhe në mjedise formale.

T’i zotëroje këta tre theksa ishte minimumi, nëse doje të mbijetoje dhe të bëje përpara shoqërisht; dhe t’i zotëroje do të thotë jo vetëm t’i përdorje mirë dhe saktë, por edhe të dije kur të ndërroje marsh: po të flisje labërishten e Gjirokastrës në rrugë, do të haje dru herët a vonë; po të flisje “tironçe” në shkollë, nuk të vinin notë të mirë.

Nga të tre theksat, më i vështiri është ai neutrali ose i standardit; sepse mbetet artificial, i ka rrënjët në rërë. Mësuesja ime e fillores fliste në elbasanishte pa iu dridhur qerpiku; por unë dëgjoja edhe radion gjithë ditën (Ju flet Tirana), dhe më pas shihja RTSh-në.

Në shkollë pothuajse të gjithë ne, me kalimin e kohës, u mësuam të flasim në standard; me përjashtim të pak refraktarëve, zakonisht pa interes për të mësuar, ose me probleme të ndryshme psikologjike.

Standardi ishte zhargoni i elitës; dhe kjo megjithëse në majat e pushtetit, flitej ende me dialekt – mjaft të përmend Enver Hoxhën, i cili deri në fund s’u shkëput dot nga nuancat e forta të gjirokastrishtes.

Në shkollë të mesme – unë kam qenë i “Samiut” – flitej letrarishtja në orë të mësimit dhe tironçja e kulluar në oborr: po ta respektoje këtë kod, do të të respektonin. Kjo tironçe i ngjante të folmes qytetare të Tiranës, pa u njëjtësuar me të për nga forma dhe nga funksionet; meqë vinte duke u profilizuar si dialekt social, ose ngjyrim i informalitetit (e ruan këtë funksion sot e kësaj dite në ndonjë forum, si te PPU).

Gjithsesi, në mbarim të shkollës së mesme, ishim të gjithë pak a shumë në gjendje të zhonglonim me theksin sipas rrethanave; zotësi sociale e nevojshme, për këdo që kishte ndërmend të bënte karrierë publike të çdo lloji.

Në universitet u ndesha, përkundrazi, me moshatarë të mi të identifikuar përfundimisht me gjeografinë, dhe që jo vetëm nuk e ndërronin theksin, por edhe nuk e ndërronin dot; standardi për këta mbetej gjuhë e tjetrit, objekt njëkohësisht i lakmuar dhe i urryer.

Në vitet 1980, pamundësia për të zotëruar të paktën dy regjistra të ligjërimit të folur: dialektin dhe letrarishten, praktikisht t’i mbyllte dyert e së ardhmes. Në një kuptim, katundari i atëhershëm nuk ishte përdoruesi i një varianti jostandard të shqipes (sepse të gjithë ne ishim në gjendje ta bënim këtë), por folësi që e kishte tashmë të pamundur të përvetësonte aktivisht një regjistër tjetër.

Kjo pamundësi, e kthyer në sakatllëk social, kishte disa shkaqe: shkolla luante rol, por edhe mjedisi social homogjen gjatë fëminisë luante rol gjithashtu.

Ne të Tiranës ishim me fat, në krahasim me të tjerët: mes shokëve të mi të shkollës, tetëvjeçare dhe gjimnazit, kishte të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë. Për ne, edhe letrarishtja në nivelin formal, edhe tironçja në nivelin informal, ishin emëruesi i përbashkët në komunikim, që na vendoste në të njëjtin rrafsh, ballë për ballë e sy më sy me njëri-tjetrin: tiranas, dibranë, shkodranë, gjirokastritë, korçarë, fierakë, beratas, matjanë, elbasanllinj, përmetarë, krutanë, skraparllinj, kukësianë.

Nga pikëpamja gjuhësore, Tirana ishte, si të thuash, një melting pot, por që funksiononte mirë vetëm sa kohë që shprehitë gjuhësore të mira shërbenin për karrierë sociale të kënaqshme.

Aso kohe në Tiranë rregullisht zbrisnin, muajt e dimrit, fshatarë nga zonat malore të Veriut, të cilët i quanim drumepré; këta bënin ndonjë lek, duke u çarë e sharruar drutë e zjarrit qytetarëve. Drumepre-ja që vinte tek ne, e që e kishim “trashëguar” nga familja e prindërve të tim eti, ishte një Sabri, nga fshatrat e Kukësit; dhe që fliste dialektin e vet të kulluar të shqipes verilindore, pa u shqetësuar fare se kjo mund të krijonte probleme në komunikim. Për Sabriun ai dialekt ishte forma e vetme e qenies ose shtëpia e vetme; pa alternativë.

Tani, shumëkush nga ne të folmen e Sabriut të shkretë do ta cilësonte si “të trashë”; shqipja e përdor rëndom këtë mbiemër, për theksin e rëndë: flet trashë, flet me gjuhë të trashë, etj. Mbiemri këtu i referohet padijes ose analfabetizmit kulturor; dhe tërthorazi metaforës së shkollës si mprehëse, ose holluese e shprehive sociale.

Drumepre-të veç mund të vendosnin nëse do të flisnin apo do të rrinin të heshtur; nuk e kishin luksin që të zgjidhnin mes regjistrave; njëlloj si parvenutë me një kostum të vetëm në garderobë, e bartnin theksin e tyre në një portofol emrin, tiparet e fytyrës dhe profesionin. Gjuha vinte dhe u trashej në momentin që i kapërcenin kufijtë natyrorë të habitatit të tyre, për të zbritur në qytet; ose sapo fillonte të shndërrohej nga mjet komunikimi në tatuazh përkatësie.

Në vitet 1980 zuri të merrte trajtë edhe një përdorim tjetër i theksit, që unë sot do ta quaja subversiv; që kishte për qëllim të sfidonte rendin ekzistues të sendeve dhe hierarkitë kulturore. Kjo ishte formë proteste relativisht serioze; një folës publik që, me vetëdije, refuzonte standardin për të përdorur trajta të dialektit të vet, zakonisht gegërishtes, ia hidhte një sfidë të hapur rendit të sendeve, duke i thënë: unë nuk e gjej vetveten në hierarkitë e tua dhe nuk pajtohem me ty, sepse ti nuk je rendi im.

Siç mund të kuptohet, theksi subversiv kërkonte, të paktën, që përdoruesi të mund të zgjidhte mes opsionesh të ndryshme; ndryshe nga theksi pothuajse biologjik i Sabriut drumepre, ose i furrxhiut në mëhallën time.

(vijon)

Pa Komente

  1. Sikurse ti edhe per mua me origjine toske (nga gjuha) pervetesimi i tironçes ne klasen e pare ka qene sfide e vertete. Duke jetuar ne dy ambjente ku ne menyre dominuese mbizoteronte njera ose tjetra nga dialektet, fillimi ishte shume me i veshtire. Gjuhen tironçe ne media (nqs mund ta quaj ashtu per ate kohe) ne vitet ’60 e futi Skender Sallaku ne filmin Estrada ne ekran, te cilin fillova ta kuptej vetem pasi e pashe nja dy a tre here.
    Kur shkoja per pushimet e veres ne Berat domosdoshmerisht me duhej te nderroja dialekt, perndryshe isha ne qender te vemendjes per tu tallur, ndonese kisha shoqeri te gjere dhe te mire. Me pas shoket me kerkonin: hajde na flit pak si andej nga Tirana. Kur filloja “tironçen” gajaseshin, por duhet thene se kur vete keta shkonin ne Tirane gjendeshin ngushte se perballeshin me te foluren e atyshme e per me teper kishte raste qe se kuptonin fare. Ajo qe nuk kaperdinin dot ishte perdorimi i damotes ne vend te domates, apo gamori, nona, moma.
    Por mos te harrojme se gegerishtja ishte edhe me e veshtire per ne tosket. Shikimi i filmit Toka jone perbente rebus per tu kuptuar.
    Sidoqofte mendoj se problem ne radhe te pare e kishin vete geget per t’ju pershtatur gjuhes letrare, se ne tosket e kishim shume te afert me tonen.

  2. Inteligjenca njerezore nuk eshte eshte me “dit sesi te pershtatesh”,pamvaresiht se gjuha shqipe thote “sipas vendit behet kuvendi”.
    Gjuha, e cila deri me sot nuk eshte pare si i vetmi mjet qe na jep mundesine te jemi qenie njerez,permban ne nje pjese te saj nje experience njerezore,ne ndonjerast e fituar gjate nje kohe relativisht te gjate.Ne kundershti me ato cfare kemi mesuar ne shkolla dhe krijuar tashme si nje bindje kolektive, “te dish sesi te pershtatesh” nuk eshte forme e zgjuarsise,por eshte nje forme moderne e skllaverise.Nese une duhet te nderroj dialektin,ose gjuhen une “duhet” ta beje “detyrimisht” ate.Duhet,une mendoj se nuk vjen nga nje experience lirie,qofte kjo edhe procesi i ngrenies. Detyrimi i pershtatjes,ose adoptimi eshte njekohesisht nje “liri” , qe na rjedh nga e kaluara e jone, shkeputja e ngadalte nga bota shtazore,
    fatekeqesisht ende e pakuptuar mire nga humanet dhe nje forme e skllaverise.Eshte ,si
    te thuash njekohesisht edhe “po’ edhe “jo”,.Liri e pare ose skllaverim i ri.Ne kete dualitet gjuha shqipe zgjodhi “lirine e pare” duke mos u ndryshuar , edhe pse kushtet detyruese ishin me shkalle te larte shtypje perandorake-mbreterore dhe pushtuesish kalimtar ndryshem te here pas hershem. Aftesia jone per te ndryshuar dialektin,ose gjuhen mendoj se perben nje çeshjte nenshtrimi ,e lidhur for kjo me konceptin “duhet”.Shqiptaret e kane bere kete,por me versionin e kalit te trojes,ose me versionin e xha xhait.Piken e re te takimit dialekto-gjuhesor e kane kaluar duke mos fshire nga memoria e lirine e pare, gjuhen shqipe ose dialektin.Nje autor latin shkruan qe “ata,reth 800 mije kryengrites ilire,ishin zoterues te dy gjuheve”.Autori nuk jep sqarime te metejshme se per cilat gjuhe behej fjale.Ndoshta ato jane fshire sepse jane kopje te kopjeve.Mendoj qe njera nga gjuhet mund te kete qene gjuha e nenes,ndersa tjetra gjuha latine,ose greke e vjeter.Hipotezat e mia mund te behen cope e thrime nga ndonje kunderargument,por une mundohem te mendoj si nje mendimtar dhe shikoj qe Shqiptaret e sotem nuk kane shume ndryshim nga “iliret” e autorit romak.Ata vijne ne kohet moderne,ne me te shumtit e tyre, duke ditur te pakten dy gjuhe.Ata vijne edhe me “kokefortesine ” e tyre te zakonshme, shprehje e lirise se pare.Ndoshta kemi te bejme me nje trashegimni gjenetike qe ne nuk arrijme ta dallojme.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading