Shumëkujt prej nesh do t’i kujtohet Xha Gorioi, i Balzakut, lexim pothuajse i detyruar në bibliotekën e lejuar të regjimit të vjetër. Kjo kryevepër e letërsisë frënge dhe botërore, njihet ndër të tjera edhe si romani ku përmendet për herë të parë një prej karaktereve kyç të Komedisë njerëzore: arrivisti social Rastinjaku (Eugène de Rastignac).
Në fund të Xha Gorioit, Rastinjaku është nga të pakëtit që e përcjell plakun në varrezat e Père Lachaise, në Paris.
Shkruan Balzaku:
Rastignac, resté seul, fit quelques pas vers le haut du cimetière et vit Paris tortueusement couché le long des deux rives de la Seine, où commençaient à briller les lumières. Ses yeux s’attachèrent presque avidement entre la colonne de la place Vendôme et le dôme des Invalides, là où vivait ce beau monde dans lequel il avait voulu pénétrer. Il lança sur cette ruche bourdonnante un regard qui semblait par avance en pomper le miel, et dit ces mots grandioses:
— A nous deux maintenant!
Et, pour premier acte du défi qu’il portait à la Société, Rastignac alla dîner chez madame de Nucingen.
[I mbetur vetëm, Rastinjaku u çapit pak drejt pjesës më të ngritur të varrezës, dhe pa Parisin që shtrihej përgjatë dy brigjeve gjarpëruese të Senës. Sytë iu ndalën pothuajse me ëndje te hapësira midis kolonës të sheshit Vandomë dhe kupolës së Invalidëve; pikërisht atje ku jetonte ajo botë njerëzish të bukur, tek e cila kish dashur të futej. I hodhi një vështrim të tillë kësaj koshereje zukatëse, që dukej sikur do t’ia thithte mjaltin, pastaj bërtiti madhërisht: “Tash e tutje jemi në luftë, ne të dy!”
Dhe si akt të parë armiqësor ndaj Shoqërisë së lartë, Rastinjaku shkoi për darkë te zonja De Nysingen.
Përkthimi im, lutem mos e përdorni kundër meje; gjithashtu, emrat e personazheve i kam tejshkruar, për respekt të traditës së përkthimeve nga Balzaku në shqipe. 2Xh]
Çuditërisht, m’u kujtua Rastinjaku gjatë diskutimit të djeshëm me Vëmendjen për katundarin që i afrohet kryeqytetit; por më ishte kujtuar edhe kur lexoja një artikull të paradokohshëm të Sh. Ramës për elitat dhe katundarizmin në Tiranë, të cilin do të kisha dashur ta diskutoj më hollësisht.
Në universin paralel të Komedisë njerëzore, Rastinjaku ia del të kacavirret në hierarkitë e Parisit të atëhershëm, duke u pasuruar dhe duke u shfaqur në poste nga më të lartat të qeverive të kohës; deri aty sa të shpresojë edhe të bëhet kryeministër. Jo vetëm kaq: ai u gjen burra “të mirë” motrave dhe vëllanë ia bëjnë peshkop në moshën 27 vjeçe. Më në fund, mbreti ia blaton edhe titullin aristokratik aq të dëshiruar të kontit.
Më duket normale që çdo kryeqytet të ketë Rastinjakët e vet: njerëz të ardhur nga gjeografia më shumë se nga historia e tyre familjare; që kërkojnë me ngulm të ngjiten në podiumet e elitës. Në shoqëri të konsoliduara dhe ku ndërrimi i elitave nuk është aq traumatik sa ndër ne, arrivistë të tillë vërtet përleshen me qytetet dhe triumfojnë në fund, por edhe, në përleshje e sipër, pa e kuptuar as vetë, marrin shumëçka nga qyteti në vete.
Për ta thjeshtuar: në një botë ideale, provinciali ose katundari vjen në qytet i tërhequr prej shkëlqimit, pasurisë dhe pushtetit; por ngjitja e tij në hierarkitë sociale është edhe proces gjatë së cilës ai vetë bëhet qytetar.
Për fat të keq, kjo nuk ndodh në anët tona; ku i ardhuri jo vetëm e pushton kryeqendrën, por edhe kërkon pastaj ta shndërrojë sipas shëmbëllimit të vet.
Thelbi i katundarizmit do të ishte kështu këmbëngulja për të mos ndryshuar.
Pasazhi i mësipërm, nga Xha Gorioi, përmend kalimthi edhe çfarë është, për mua, një nga aspektet kyçe të ambicies së Rastinjakut: ngashënjimi i tij ose mahnitja (fascination) me shoqërinë ku kërkon të futet. Të shihet fjalia e fundit në roman: arrivisti i Balzakut e nis luftën me Parisin duke shkuar për darkë te zonja De Nysingen!
Ambicia për pushtet dhe pará nuk mjafton; duhet edhe ngashënjimi. Katundari, provinciali, parvenu-ja që u qaset elitave nga përtej dëshiron jo aq t’u zërë vendin duke i përmbysur, shpronësuar, marrë pronat dhe paratë (për ta thënë me fjalët e Maos: “borgjezia bëhet proletariat dhe proletariati borgjezi”); por për t’u bërë pjesë e tyre, për të jetuar me ta, për të fjetur me gratë dhe motrat dhe vajzat e tyre, për t’u imituar veshjet dhe theksin dhe shijet.
Katundari ynë, që zbret në Tiranë dhe e sheh veten në krye të punëve, nuk e ka këtë ngashënjim për botën që sapo ka hedhur në dorë; ose këtë tërheqje të parezistueshme ndaj shkëlqimit të elitës ekzistuese.
Ka shumë arsye për këtë mungesë; por kryesorja, më duket mua, është se elita ekzistuese, në Tiranë, nuk është lënë të shkëlqejë ndonjëherë.
Shembulli klasik, që sillet në raste të tilla, është ai i kryeministrit të tanishëm Berisha: për një palë mishërim i suksesit të njeriut të ardhur nga poshtë, falë këmbënguljes, inteligjencës dhe pasionit; për një palë tjetër, mishërim i katundarit récalcintrant në krye të punëve.
Në një kuptim, tranzicioni i pushtetit në fillim të viteve 1990 nuk mund të mos përfundonte në duart e një timonieri me karakteristikat e Berishës: parvenu dhe outsider vërtet, por gjithnjë në kontakt me kupolën e Bllokut; i jashtëm për nga prejardhja gjeografike, theksi i rëndë dhe mënyra e të ecurit – por i brendshëm për nga miqësitë, lidhjet dhe bashkëfajësitë.
Çfarë e bën groteske dukurinë Berisha, nuk është prejardhja e tij aq e përfolur nga Vuçidoli; por perceptimi, nga ana e opinionit, e një këmbënguljeje të këtij për të mos ndryshuar, për të mos u përshtatur, për të mos ndërruar lëkurë, madje për ta bartur të kaluarën me vete, si zhguallin e breshkës.
Kam dëgjuar, në fund të viteve 1980, se shoqëria “e lartë” e Moskës dhe e Leningradit nuk e honepste dot Gorbaçovin për shkak të theksit të tij provincial; aty ku ne të tjerët shihnim një figurë pak a shumë të qytetarizuar, sidomos në krahasim me Çernienkon dhe Andropovin që i kishin paraprirë, vendësit shihnin parvenu-në, arrivistin dhe snob-in e pakorrigjueshëm; dhe e gjithë kjo, për shkak të një theksi të keq dialektor, që tradhtonte mospërkitjen ose tjetërsinë gjeografike.
Shkrimtarët u kushtojnë vëmendje të veçantë tipave të tillë, sepse këta janë njëfarësoj katalizatorët e ngjarjeve, faktorët që i japin formën historisë. Ngashënjimin me shoqërinë e lartë e gjen, në mënyra të ndryshme, edhe në veprën e Kadaresë dhe interesin e tij ndonjëherë prej voyeur-i ndaj klasave të përmbysura në Shqipërinë totalitare, kulturës së tyre, frëngjishtes së tyre, peliçeve të tyre, mbiemrave të tyre. Te Dimri i madh gjen momente të shumta kur botët ballafaqohen; prej të cilëve më emblematiku është ai i Zanës, e cila i dorëzohet mësuesit të vet privat të frëngjishtes.
Ky i fundit, të cilin unë e mbaj mend si Mark (por Kadareja ka një zakon të keq që ua ndërron emrat personazheve nga edicioni në edicion, prandaj kushedi si do ta ketë marrë emrin më pas), me prejardhje nga një familje aristokratike e regjimit të Zogut, nuk është ndonjë farë arrivisti, përkundrazi; e vetmja fitore e tij, edhe pse e çmuar, është të hedhë në dorë objektin e ngashënjimit të tij – gruan që po e stërvit në një nga artet e holla të fisnikërisë: frëngjishten; pikërisht atë frëngjishte që do ta katapultonte edhe vetë Kadarenë nga gjeografia në histori, nga terri i provincës totalitare në shkëlqimin e metropoleve të kulturës globale…
Kjo do të ishte edhe një arsye më tepër për t’iu kthyer Balzakut.
Ia vlen te theksohet se pervec “ngashenjimit te arrivistit” Kadareja ilustron me se miri edhe maoizmin. Tek “darka e gabuar” ka nje episod kur zonjat e Gjirokastres rrezohen si miza nje e nga nje. Ato bien njera pas tjetres ne menyren me groteske. Thjesht, duke kaluar rrugen, nje vajze e re, kushdo, i pershendet me shprehjen “Si jeni, shoqja X.” Zonjave te renda te Gjirokastres pothuajse iu bie te fiket e desh plasin nga paturpesia e ketyre vajzave te reja qe i therrasin ne mes te pazarit, jo Zonja, por Shoqe.
Ia vlen qe ky diskutim te behet jo thjesht ne terma te karakteristikave te shqiptarit vucidolian, por edhe ne terma me te gjera globale. Ashtu si ne rastin e revolucionit te Shoqeve dhe rrezimit te Zonjave, edhe gjate revolucionit te ashtuquajtur “te kadifte,” Shqiperia dhe gjithe ish-kampi socialist iu nenshtrua nje regjimi pothuaj te njejte, ku ngashenjimi i arrivistit ishte pothuaj i pamundur ne terma lokale. Faza komuniste e filluar me nje revolucion ku proletari shnderrohet ne borgjez, nuk mund te mbyllej pervecse me nje revolucion ku populli shnderrohet ne nomenklature. Maoizmit, ku proletari rrezon borgjezine ne emer te domosdoshmerie historike si c’konsiderohej komunizmi, i pergjigjet pike per pike doktrina e shock-ut, ku prona e perbashket privatizohet nga populli, per te krijuar nje kaste ekonomiko-politike ne emer te nje domosdoshmerie historike si c’konsiderohet liberalizmi. Shnderrimi i popullit, i katundarit apo kooperativistit ne nomenklature te siguruar nepermjet te drejtes se prones private, eshte pothuajse total ne aspektin lokal te vendeve te ish-bllokut, nderkohe qe ne nje aspekt global, ngashenjimi i arrivistit vihet re ne menyren se si keta maoiste total te shock-ut privatizues iu vardisen elitave ekonomiko-politike perendimore.
Cuditërisht, edhe mua më shkoi mendja tek Gorbaçovi, para se ta lexoj pjesën ku e përmend Xha Xhai. Pastaj më shkoi mendja edhe tek të tjerët: Tito, Rugova, Berisha, Thaçi, etj. Të gjithë këta katundarë që kanë arritur të bëhen udhëheqësa të shteteve.
Rugova e kishte një theks të rëndë, që për veshët e një pejani ishte totalisht ‘i jashtëm’ , megjithë që shkollën e mesme e kreu në Pejë. Në një rast pat thëne se “Peja ishte qyteti i rinisë sime.”
Edhe herë të tjera e kam krahasuar Titon katundar (Jozha që mësonte duke i ruajtur lopët, por më shumë se filloren nuk kreu asgjë), me Enverin si qytetar.
Derisa Titon dhe Rugovën, qytetarët nuk i shikonin si ‘katundar’ , për shkak të karizmës së tyre; Berishën dhe Thaçin, qytetarët i shohin si ‘katundar’.
Nëse karizma është një ‘aureolë’ që e mbron një individ të suksesshëm nga provinca (katundi) që të perceptohet nga qytetarët si ‘katundar’ , çka mund të thuhet për ‘masat’ katundare që vendosen në (krye)qytete?
Për ata që duan të bëhen qytetar, snobizmi është i domosdoshëm. Kështu, një katundar mund të bëhet qytetar, duke u bërë snob. Por këtë e arrijnë vetëm pasardhësit e snobëve. Natyrisht, sipas mendimit tim.
P.S. Një roman interesant është edhe ‘Martin Eden’ i Xhek Londonit (Jack London). Unë e kam lexuar, por tash nuk jam i sigurt a e kam lexuar serbokroatisht apo shqip. A ishte ky roman i përkthyer në shqip në vitin 1989? Serbokroatisht i lexoja vetëm ato libra që nuk ishin përkthyer në shqip.
Romanin e Jack Londonit (“Martin Iden” në shqipe) e ka përkthyer Shaban Demiraj (yes) dikur në vitet 1950, por ndoshta është ribotuar në 1989. Unë kam pasur në shtëpi në Tiranë versionin e parë, të vjetrin.
Falemnderit Xha Xha!
Ky roman qenka botuar edhe në vitin 2002, nga Sh.B. Ombra GVG. E pashë tek Shtëpia e Librit.
Në garën e kacavarrjes drejt majave, i ardhuri dhe kryeqytetasi kanë secili avantazhet e veta; i ardhuri (parvenuja, provinciali, katundari) energjizohet nga ngashënjimi total ose magjepsja pas çfarë i mungon, por që mund ta bëjë të vetën një ditë; kryeqytetasi zakonisht nuk provon as ngashënjim as magjepsje, sepse me shumë gjëra është mësuar, si të thuash, që në djep; por në shoqëritë e qëndrueshme bën vetvetiu përpara, falë lidhjeve, statusit familjar dhe edukimit më të mirë që mund të sigurojë.
Mungesat, sidomos në fëmini, shpjegojnë shumë pasione dhe obsesione të mëvonshme, që përndryshe do të mbeteshin enigmatike. Për shembull, unë kam pasur dëshirë të madhe, i vogël, për të parë futboll; por këtë dëshirë e kam plotësuar lirisht, qoftë në stadium qoftë në televizor. Përkundrazi, dëshirën obsesive për të lexuar fantashkencë (në vitet e misionit Apollo dhe zbarkimit amerikan në Hënë) nuk e plotësoja dot, sepse librat fantashkencorë të përkthyer në shqip numëroheshin me gishta. Prandaj ndoshta edhe sot e kësaj dite më tërheq rafti i “science fiction” në librari, sadoqë jam krejt i vetëdijshëm se 90% e titujve atje janë thjesht pleh.
Ajo te çon tek nje fenomen qe une do ta quaja; Syndroma idiote “jo vendali”,nje problem qe une mendoj ende udheheq disa njerez,pervec te tjerave, te pretendojne qe disa njerez te tjere,ose grupe te tjere qeniesh njerezore jane nënnjerezor per shkak te asaj.
Ndonjihere ndodh qe gjuha shpjegon fenomenin.Mund te permend gjuhen italiane se si fundos pozicionin shoqeror te fshatarit.Gjuha italiane tregon qarte qe “Contadino” eshte pa pronesi sepse toka e gjithcka eshte e Kontit.Gjuha tregon mohimin e te drejtave njerezore ne nje periudhe kohe te caktuar.Njerezit qe punonin fushat,term I cili mendoj ka sjelle konceptin Fushatar,transformuar ne “fshatar” ne gjuhen e sotme shqipe,nuk kishin te drejten e prones,sepse kete te drejte e zoteronte KONTI,I cili sjell termin Cont-adino.Aspak e tille ne gjuhen shqipe dhe ne gjuhen franceze.Ne gjuhen franceze,prej “ pagys”,mendoj qe, ka ardhur dhe termi i vendit “pays” dhe prej nga ku rjedh emri i fshatarit “paysan”.E njejta gje positive ndodh edhe ne gjuhet Spanjolle dhe Portugeze.Gjuha spanjolle ka nje disa ndertime positive ,ku veçoj emrin malesor lidhet shume me konceptin Liri dhe pasterti racore dhe koncepti gjuhesor popull kupton njekohesisht dhe konceptin fshat,pueblo.
Sot,po te krahasojme vendet e ndryshme dhe rajonet e medha gjeografike ky fenomen eshte me i dukshem ne Europe dhe sidomos,teper fare, ne ballkan. Kemi nje demostrim te paste te nje deskrimini racial.Zhvilimi I larte ekonomik ne rajonet e tjera te botes ,sidomos ne Amerike,ka zhdukur me kohe optiken raciale “ i huaj,jo vendali,vendali dem baba dem,katundar” .Kriteret per ndarjen e popullsise bazohen kryesisht ne te ardhurat.Ishte nje here e nje kohe ne Amerike,kur nje Iralndez, i ardhur shpejt ne amerike, behej I tille kundrejt italianeve ose gjermaneve te huaj qe po vinin per nje prosperitet me te mire ekonomik.Ose ,me vone,nje Italian me sllavet,kinezet,indianet me te rinj ne ardhje.Kalimi i brezave,zhvillimi shume i shpejte ekonomik,mesimi i se njejtes gjuhe, standartizimi I sistemit arsimor;pamvaresisht nga kombesia e meparshme,ngjyra e lekures,origjina,gjuha,besimi fetar, solli kombesine e Amerikane.Ne kete shoqeri eshte pothuaj abstract koncepti katundar,bijte e xhep grisurve,vendali, etj.Nese ekziton nje fare ngjyrimi ndares,ekziston vetem Brenda klases se mbipasur;ne te mbipasurit e vjeter dhe atyre te rinj qe behen te tille duke u nisur nga niveli zero.Te paret s’para Ii kane qejf te dytet dhe nuk i fusin ne rethin e tyre.
Nje nga pikat me te forta te ketij ndertimi te ri eshte permiresimi I vazhdueshem ne te gjitha drejtimet dhe heqja dore pak nga pak nga syndromat idiote te shoqerive primitive,mentaliteteve ortodokse-lindore-aziatike, dhe te shoqerive te pazhvilluara ende ekonomikisht.Shikoni Afriken ,shembullin me te me mire se kush cilesohet i huaj,ku nder te tjera futet si kriter dhe ngjyrimi fetar.
Levizja e ngadalte dhe mospermiresimi eshte vdekja me e shpejte.