Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KORSAKOF

Nuk e kujtoj me saktësi arsyen përse drejtoresha më kishte thirrur në zyrë. Nganjëherë më thërret vetëm për të më thënë ato që kishte harruar t’i thoshte të shoqit. Mëngjesin e kaluar, kishte qenë fjala për karburantin e makinës.  Si i kishte kaluar një kuqëlim i rreptë që i ngjitej deri te rrënjët e flokëve, më shpjegoi se kishte ardhur me vonesë  ngaqë i shoqi kishte lënë në të thatë makinë e saj, që e përdorte kur harronte ku e kishte lënë të tijën. As nuk më njoftoi, foli duke u ngritur dhe qëndruar para meje, sikur desh të më thoshte: çfarë  jeni ju burrat që as të njoftoni nuk dini? E kishte aq të papërballueshme aftësinë transferuese, sa më bëri të ndjehem  fajtor dhe desh i kërkova falje.

Gjithsesi, kur të nesërmen hyra në zyrë, duke u përgatitur që të merrja vesh ndonjë mungesë tjetër delikatese të të shoqit,  dëgjova telefonin që tingëlloi mbi tavolinën e saj. Ajo dha emrin e qendrës sonë të vogël sociale dhe e mbylli paraqitjen me atë formulën tip që shprehte gatishmërinë për të dëgjuar bashkëbiseduesin. Një çast më pas e pashë tek u zmbraps në kolltukun e saj, duke bërë një lëvizje mosbesimi dhe kërkoi t’ia përsërisnin gjithçka nga e para. Së fundi uli telefonin duke thënë se vërtet disa njerëz po e tepronin duke na marrë për katedrale. Gjithsesi, më tha, shko e zbrit një herë poshtë te hyrja. Një grua thotë se ka gjetur në rrugë dikë dhe e ka lënë te dera institucionit tonë.

Zbrita shkallët me nga katër, por kur arrita poshtë, nuk pashë asgjë, veç një shtjelle ere të ftohte që ngrinte lart copa gazetash, qese plastike dhe ca gjethe të thata, që nuk merrej vesh ku i kishte gjetur në atë kohë. Kur shtjella në trajtë hinke shkoi tutje, gjithë gaz, mu aty përpara meje pashë një burrë trupvogël rreth të gjashtëdhjetave, i veshur me një kostum të lehtë të çelur, gjë që mu duk një zgjedhje fort e habitshme për atë ditë të ftohtë shkurti. Por pavarësisht nga portreti tij pak i lodhur, ai nuk mund të ishte personi i gjetur në rrugë. Isha i sigurt se telefonata bënte fjalë për ndonjë fëmijë të braktisur apo një handikapat, me qafë të shtrembër, që fliste me sytë e fiksuar nga qielli. Personi përpara meje dukej se i zotëronte të gjitha atributet e duhura fizike e mendore. Për më tepër, nga ana tjetër e syzeve të tij fare të vogla ai nuk mi ndante sytë mua, sikur donte të mësonte në më kishte parë gjëkundi. Unë e përshëndeta lehtë dhe vazhdova të kërkoj me sy për ndonjë personazh tjetër diku rrotull tij.

Mos ju ka lënë gjë im atë ca të holla për të më blerë një paketë cigare, e dëgjova të më flasë nga pas, kur kisha vendosur të kthehem në zyrë. Cili jeni ju, e pyeta. Jam Zherari, më tha menjëherë ai, jam Zherar Dypon. Ngrita supet për ti thënë se nuk po e kuptoja se përse ishte fjala. Mbase babai do të vijë më vonë, tha ai, por mos keni një cigare për mua ? Jo, i thashë, më vjen keq. Megjithatë, para se të futem brenda, krejt formalisht e pyeta nëse mund ta ndihmoja me gjësendi tjetër. Më jepni një cigare, më tha. I përsërita se nuk kisha. Përse nuk ma thatë që në fillim, u nxeh ai.

Mbeta gojëhapur dhe e ftova të hynte brenda. Dy orë më pas sekretarja jonë iu fut një kërkimi të thelluar duke pasur në dorë vetëm emrin dhe një përshkrim të portretit t të tij dhe nga mesdita mësuam se një Zherar ishte zhdukur nga një shtëpi pensionistësh në Normandi. Me një e-mail të shkurtër ata u kufizuan të na njoftojnë se do të dërgonin një infermier të vinte e ta merrte sepse Zherari në fjalë vuante nga sëmundja Korsakof dhe për të ishte e rrezikshme të lëvizte i pashoqëruar.

Ne i dhamë lajmin e mirë Zherarit dhe e vendosëm për tu shlodhur në një dhomë të vogël. Për të shmangur çdo problem që mund të lindte me publikun tonë në moshë më të re dhe përdorues të pasionuar e entuziast të drogës, porositëm Kristinën t’ia shpinte ushqimin në dhomë.

Të nesërmen, kur u ula të lexoj fletoren e shërbimit për të mësuar si kishte kaluar gjysma e dytë e ditës, asnjë nga kolegët e mi nuk e fshihte shqetësimin për problemet që po lindnin. Në mbrëmje Zherari kishte veshur kostumin e tij dhe ishte dukur te salla e bilardos. Priste me kujdes që secili të gjuante bilën e radhës dhe ndërsa përgatiste me shkumës majën e stekës për gjuajtjen pasardhëse, ai u afrohej dhe i pyeste me radhë nëse i ati tij u kishte lënë disa të holla për t’i blerë një paketë cigare.

Toksikomanët tanë kthenin kokën ta shihnin, por nuk i përgjigjeshin, madje as që e kuptonin përse ishte fjala. Kjo veçse i jepte zemër Zherarit të shpaloste pyetjen e tij të dytë, pra nëse atyre u kishte mbetur ndonjë cigare për të. Një orë më vonë djemtë tanë kishin filluar të thyenin stekat e bilardos mbi gjunjë e të krisnin e iknin përjashta që të qetësoheshin. Ata më të ndjeshmit fshiheshin diku dhe dozës së legale e të përditëshme të metadonit i shtonin pak nga ai pluhuri i bardhë që sublimonin mbi një fletë alumini dhe nisnin ta thithnin me frymëmarrje të rënduar, që dalëngadalë vinte e qetësohej. Kur vendosnin të ktheheshin, te deri i priste Zherari me kërkesën e tij të qetë e mjaft të sjellshme për një cigare. Nuk duhej më asgjë tjetër që ata të viheshin e të ulërinin. Pas kësaj, edukatorët e psikologët e mbas ditës kishin lënë zyrat dhe kishin zbritur në sallën e bilardos.

Ndërkohë, instinkti profesional i parandalimit, i kishte shtyrë që gjatë ngrënies së darkës, t’u shpjegonin të gjithëve me radhë se çfarë ishte sëmundja Korsakof. Por në këtë pikë dilte që më i vëmendshëm nga të gjithë ishte treguar Zherari, i cili nuk kishte munguar edhe të shprehte keqardhjen për personat që vuanin prej saj. Në mënyrën më të natyrshme që mund të bëhej, kolegët e mi vullnetmirë, nuk e kishin lanë me aq. Ishin ulur pranë djemve tanë më të ndjeshëm për t’u shpjeguar se personat e prekur prej asaj  e humbasin aftësinë për të mbajtur mend edhe gjërat që kishin ndodhur para pak minutave. Kjo ishte edhe arsyeja përse ai zotëria i sapo ardhur i taksonte pareshtur me cigare.

Sipas raportit vetëm nja dy prej tyre kishin pyetur nga se shkaktohej Korsakofi dhe kur kishin mësuar se përgjithësisht në origjinë të saj ishte pirja e pakontrolluar e alkoolit për një kohë të gjatë, ata kishin tundur kokën me neveri, sikur të mos kishin dyshuar për një gjë të tillë.

Kisha vërejtur prej kohësh se toksikomanët i shikojnë si qenie të dorës së dytë alkoolikët, por edhe këta të fundit nuk shprehnin ndonjë respekt të veçantë për përdoruesit e drogës. I vinin në një rresht me të sëmurët mendorë.

Nuk është se e ndiqja unë dosjen e Zherarit, madje ai nuk kishte asnjë dosje te ne, por meqë e kisha sjellë unë aty, ndjeva detyrimin ta thërres në zyrë e ta pyes si ndihej midis nesh. Në të vërtetë desha të di mendimin e tij pas gjithë asaj që kisha lexuar për të. Ai mu përgjigj se rrallë kishte njohur djem aq të sjellshëm dhe më kërkoi një cigare. Që biseda të mos ngecte në atë pikë, unë i zgjata menjëherë një cigare që e kisha marrë nga çanta e sime shoqeje. Do të ta kthej sapo im atë të më sjellë paratë, tha ai duke nxjerrë një çakmak. Pikërisht kur po përfitoja nga ajo atmosferë pothuaj miqësore për të mësuar diçka më shumë për të, pashë sekretaren që futi pak kokën te dera dhe më bëri shenjë të ngjitesha lart, në drejtori.

Ajo historia e të atit qenka më e thjeshtë, më tha drejtoresha, që kishte lënë hapur derën e zyrës. Miku ynë ka kaluar një pjesë të jetës së tij në burg dhe për vite të tëra me radhë ka qenë i ati që i dërgonte të holla për cigare. Pra, thashë menjëherë, ai mund t’ia sjellë edhe këtu. Nuk e besoj, tha ajo, ka nja tridhjetë vjet që ka vdekur. Po arsyeja e gjithë atyre viteve në burg, pyeta i zhgënjyer. Nuk na e tregojnë, tha ajo me një ton pakënaqësie. Na thonë se meqë nuk jemi ne ata që punojmë për integrimin e tij social, nuk kemi të drejtë ta dimë. Thonë vetëm e ka bërë rreth 22 vjet burg. Më shpëtoi një fërshëllimë. Sulm i armatosur në ndonjë bankë, ia bëra pothuaj i sigurt. Jo të gjitha njëherësh,tha ajo. Dilte nga burgu dhe hynte përsëri. Sulme të armatosura në disa banka, thashë unë. Ajo ngriti dorën si për të thënë se pak i interesonte ajo histori. Bëj diçka për të ma tha, duke u ngritur, punë ditësh sa të vijnë e ta marrin.

Ia mbatha pa i lënë kohë për ndonjë histori familiare. Zherari dilte jashtë të gjithë praktikave e terapive që ushtronim për të tjerët. Do të rrinte aq pak te ne sa nuk mund të ftoja as të ushtronte ndonjë sport e aq më pak për të provuar ndonjë terapi nëpërmjet teatrit, teknikë me të cilën kisha patur mjaft sukses kohët e fundit.

Aty poshtë në zyrë, ai kishte shkuar të ulej në karrigen time dhe me nja dy  dy lapsa nënvizues në dorë, po vizatonte në një nga faqet e hapura të bllokut tim të shënimeve.

Faleminderit, thashë i kënaqur, për idenë që më dha. E mora nga dora dhe nxituam në dyqanin më të afërt për të blerë disa komplete lapsash me ngjyra dhe një pako letër speciale për të vizatuar. Sapo u kthyem Zherari u mbyll në dhomën e tij dhe shumë shpejt unë u binda se ai nuk ishte krejt pa talent në pikturë. Vizatonte portrete grash që unë nuk e dija ku i kishte parë, por që kishte mundësi t’i kisha parë diku.

Gjithsesi në fletoret e shërbimit nuk u fol më për tensione midis Zherarit dhe rezidentëve të tjerë dhe unë do ta kisha harruar aty në dhomën e tij, po qe se një ditë Kristina nuk do të hynte në zyrën time, krejt e skuqur, për të më thënë se “ai Zherari yt” është me të vërtetë shumë i sjellshëm. Pa i thënë gjë fare asaj ai kishte filluar t’i bënte portretin, por një ditë kishte shkuar shumë larg: i kishte propozuar ta vizatonte nudo.

Mendova se do të qe ndonjë formë e libidos së tij që i jepte herë pas here shenja të ekzistencës së saj, por nuk i thashë gjë Kristinës. U ngjita lart, në zyrë dhe menjëherë i shpreha drejtores pakënaqësinë time për vonesën e atyre miqve të Normandisë. Pa u ulur fare, i deklarova se nuk dija ç’të bëja me të. Ajo më la të mbaroj dhe pastaj jo pa një farë serioziteti institucional më zgjati një faks ku jepej adresa e një azili pleqsh në Belgjikë. Një zyrë e Kryqit të Kuq kishte mundur të gjente të ëmën e Zherarit, zonjën Dypon. Gjërat lëvizin, më tha ajo.

Zbrita menjëherë poshtë në dhomën e tij dhe i thashë lajmin. Zherari ngriti pak kokën nga fletët e vizatimit, por nuk më tha asgjë. A të pëlqen të shkojmë ta shohim, e pyeta. Do të qe interesante, tha, këtë herë fare pa e ngritur kokën.

U nisëm diku nga fillimi i pasdites. Ndërsa unë ngisja makinën me një shpejtësi të moderuar, për të patur mundësi tu hidhja nga një sy kështjellave të fshehur midis gjelbërimit përgjatë luginës së Mëzës, Zherari kishte mbështetur gjunjët në pjesën e përparme të makinës dhe në letrën që kishte përpara, vazhdonte të pikturonte portrete grash. Isha shumë kureshtar të dija nëse ndonjë tipar të tyre do ta gjeja në fytyrën e së ëmës. Që prej dy ditësh, në analizën e mengjesit, kisha nisur të përpunoj teorinë se këmbëngulja tij për të bërë portrete grash mund të shpjegohej si një kërkim i vazhdueshëm i tipareve të së ëmës, që mbase nuk e kishte parë prej kushedi sa vjetësh. Në fakt këtë ide e kisha gjetur te një punim i Frojdit, ku ai përpiqej të shpjegonte pasionin e Da Vinçit për të pikturuar madona gjithë jetën . Sipas çifutit vjenez ai e bënte këtë sepse përpiqej të sillte ne kujtesë portretin e së ëmës, që kishte vdekur kur ai ishte vetëm tre vjeç. Pse jo edhe Zherari im?

Drejtoresha e shtëpisë së pleqve (në fakt duhet thënë të moshuar), kishte dala të na priste te dera. Duart i mbante të mbledhura para vetes. Me bluzën e saj të shtrënguar mbi gjoksin e ngushtë mua mu duk si një nga ato personazhet e Ligës Anti-seks, të një romani të Xh. Oruellit. Gjithçka është gati, tha ajo, me një theks të fortë flamand që të kujtonte një makinë që punonte me pjesë druri. U nisëm pas saj dhe gjatë gjithë kohës unë nuk ia ndaja sytë Zherarit, por nuk pikasa asnjë shenjë mbingarkese emocionale. Në të kundërt, do t’i kisha kërkuar drejtoreshës ta shtynim disa kohë takimin sa ta përgatisnim psikologjikisht.

Ajo na u lut të prisnim disa çaste në korridor dhe si u bind se gjithçka ishte në rregull, hapi derën e dhomës.

Zonja Dypon qëndronte gjysmë e shtrirë mbi një shtrat të pastër e të rregulluar mirë. Ishte mjaft e shtyrë në moshë, por kishte një fytyrë të ëmbël e gati të tejdukshme, që i rrethohej nga flokët e saj krejt të bardhë e të radhuar, sa i dukej edhe lëkura e kokës. Më tej ishte një grua tjetër që po flinte.

Ja, Zherar, i thashë, duke e inkurajuar me sy të shkonte e të përqafonte të ëmën . Ai buzëqeshi nga unë, pastaj u kthye nga e ëma. Gëzohem, zonjë i tha, pa luajtur nga vendi . Zotëri, tha ajo duke përkulur pak kokën me një fisnikëri që më mahniti.

Ah, harrova t’ju them se ajo shfaq turbullime të kujtesës, por nuk vuan nga asnjë sëmundje, më siguroi drejtoresha, ng apas. Pastaj u bë heshtje. Zherari vetëm se shihte rrotull nëpër dhomë, duke mbajtur nën krah fletët e tij të vizatimit, si një student i vonuar. Unë përfitova ta vëzhgoj mirë atë grua, por nuk gjeta gjësendi të saj që ta kisha parë në vizatimet e tij. Befas Zherari u përkul drejt Zonjës Dypon  dhe nisi t’i flasë me zë të ulët. Shpresova fort se nuk po i bënte atë pyetjen e famshme për të atin, gjë që do të më sikletoste së tepërmi. Por kur gruaja e moshuar iu përgjigj me zë të kthjellët se: Personi për të cilin më flisni ka më shumë se një orë që është larguar, unë nuk dyshova më.

Kështu ndodh gjithmonë, dëgjova drejtoreshën, që u zgjat nga veshi im, pa kuptuar asgjë përse isha prishur në fytyrë. Në fillim gjithçka duket protokollare. Bisedat e përmallshme dhe lotët vinin pak më vonë. Po ti lëmë vetëm dhe të vijmë pas disa çastesh, do t’i gjejmë të dy duke folur të përqafuar dhe me lot në sy.

Ajo doli dhe unë e ndoqa pas deri në zyrën e saj, ku një sekretare u kujdes menjëherë të na sjellë kafetë. Për tmerrin tim, edhe kur sekretarja na la vetëm për vetëm, drejtoresha erdhi pranë meje dhe duke lidhur pëllëmbët e saj para vetes, zgjati buzët drejt veshit tim dhe më shpjegoi se nga përvoja kishte kuptuar se midis dy njerëzve që nuk janë parë prej kohësh, vendoset së pari një komunikim në eter. Mos u habit,më tha pa i larguar buzët nga veshi im, si të qe relike e ndonjë orakulli. Te çdo njeri ka një qenie tjetër, një farë zëdhënësi shtypi, që del nga vetja e secilit dhe shkon e bisedon me zëdhënësin tjetër. Pastaj të dy kthehen atje ku kishin qenë dhe i lënë radhën kontaktit të përmallshëm të vetë personave.

Pa e humbur nga vështrimi veshin tim, ajo më pyeti nëse doja edhe një filxhan tjetër kafeje dhe kur unë e falënderova, më propozoi me një ton sekret të dilnim pak të shihnim kopshtin, për të cilin më tha se ishte krenaria saj dhe se ua tregonte një numri fare të vogël vizitorësh. Unë kuptova se bëja pjesë te ata fatlumët.

Sapo u gjendem midis një festivali të gazmor trëndafilash me ngjyra, që lulëzonin gjatë gjithë stinëve të vitit, ndjeva telefonin që tingëlloi mbytur në fund të xhepit të brendshëm të xhaketës sime. Ishte drejtoresha ime që pa më thënë fare “alo” më pyeti se nga e merrnin atë kurajë burrat që pa i pyetur gratë nëse kanë kohë apo jo, lënë porosi të shkojnë e të marrin fëmijët në shkollë? Hë, mo, nga e merri, mu duk sikur më tha mua personalisht dhe mua përsëri më erdhi inat me veten që për pak desh i kërkova falje. Më vjen keq, i thashë, por vetëm kaq. Për çfarë më pyeti ajo, me zë të lartë dhe e mbylli telefonin. Pikërisht në çastin që nuk po dija ç’të bëja me aparatin tim, që më kishte ngelur në dorë, zilja ra përsëri dhe përsëri ishte drejtoresha. Kemi lajme të tjera për “Zherarin tënd” tha ajo, me një ton krejt tjetër. Nga Normandia na këshillojnë të tregohemi syçelë në disa rrethana specifike me të. Vitet e fundit është dënuar tre herë si përdhunues në seri. Na informojnë se para se të kalojë në akt, ai vizaton portretin e viktimave të tij.

Mua mu duk sikur harrova të marr frymë. Hidhu një sy atyre fletëve që ka në dorë, më tha pastaj, ajo. Me shumë kujdes ama dhe më njofto po qe se sheh gjësendi të dyshimtë. Për një çast mu duk se asaj do t’i vinte keq, po që se do ti thoja se nuk kishte asnjë gjurmë të tipareve të saj në to. Në të vërtetë në atë kohë sapo isha njohur me përfundilmet e disa studimeve, ende jo publike, që tregonin se përgjithsisht te të gjitha gratë egziston një dëshirë e fshehtë për tu përdhunuar.

Por ndërsa mendoja aq ligësisht, ndjeva krahët të më ftohen. Mbylla menjëherë telefonin dhe i tmerruar u nisa me vrap në dhomën ku kisha lënë Zherarin. Drejtoresha që nuk kuptoi asgjë, më ndoqi e shqetësuar nga pas, por gjithnjë duke parë në drejtim të veshit tim.

Arrita deri në fund të korridorit vetëm me dy hapa të mëdhenj dhe shtyva fort derën. Ajo që pashë desh më shkaktoi një lloj të fikëti. Zonja Dypon si edhe ajo gruaja tjetër që kisha lënë duke fjetur, tani po qëndronin në këmbë mbi krevat, të mbështetura në një bastun të vetëm dhe… krejt, krejt lakuriq. Përballë tyre Zherari ishte ulur në një karrige dhe me letrat e tij mbi gjunjë po skiconte me shumë vemendje dy trupat që kishte përballë. Vështrimi i llahtarisur i dy grave të mjera, u drejtua menjëherë nga unë, si për të më kërkuar ndihmë.

Kur aty pas meje, drejtoresha u zgjat drejt veshit tim dhe ulëriu me sa kishte në kokë, unë shtrëngova me forcë krahun e Zherarit dhe pa i lënë kohë të mblidhte fletët e tij e tërhoqa drejt makinës, me shpresë se do të mund të kalonim kufirin belg diçka më pare se të kishte dalë ndonjë mandat arresti.

Pa Komente

  1. Thuhet me lart:

    “Në të vërtetë në atë kohë sapo isha njohur me përfundimet e disa studimeve, ende jo publike, që tregonin se përgjithsisht te të gjitha gratë egziston një dëshirë e fshehtë për tu përdhunuar”.

    Tema me intereson shume per nje punim ne te ardhmen a ka te me jepni nje indikacion me teper?

    1. Citimi i lartëshënuar ma përkujtoi një gazetare të së përjavshmes zagrebase “Danas”. Quhej Tanja Torbarina. Ajo kishte rubrikën e vet në këtë revistë, dhe trajtonte tema të ndryshme. Satira ishte arma e saj kryesore.
      Në një shkrim të saj trajton edhe “dëshirën e fshehtë të grave për tu përdhunuar”. Si një nga arsyet e kësaj dëshire, është zhvendosja e fajit nga ajo (ajo nuk do), dhe kalimi tek burri (dhunuesi). Pra gruaja lirohet nga ndjenja e fajit – sipas Torbarina-s. Pastaj ajo vazhdonte në mënyrën e saj: “meqenëse po të dhunojnë, lirohu e knaqu!” Etj.

      Meqë ra fjala për këtë gazetare po e përmendi edhe një rast. Ajo vënte në lojë më së shumti politikën e Millosheviçit, sepse dora e cenzurës serbe nuk arrinte në Zagreb. Për këtë arsye edhe intelektualët si Rexhep Qosja mund të shkruanin për këtë revistë.

      Kur dukej qartë se Jugosllavisë i kishte ardhur fundi, të gjithë besonin – kroatët edhe shpresonin – që pushka e parë kundër Millosheviçit do të kërcasë në Kosovë. Prit, prit, s’ka.
      Atëherë foli Tanja:
      “Të gjithë e kanë prejardhjen prej majmunit, veç shqiptarët prej lepurit!”

  2. Di qe punimi eshte botuar po nuk kujtoj me saktesi se ku.

    Gjithsesi ne rastin e me siperm citimi nuk ka aspak funksion sociologjik, pra qe te merret pike per pike, nderkohe qe menyra se si e ngre Zgjim, perdhunimi perben vertet nje teme me vete e mjaft interesant si fenomen, per te cilin nuk flitet shume, por qe egziston me shume se sa kujtojme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin