Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Totalitarizëm

TURPI I KOMBIT

Gazeta Shqip sot botonte një letër të Aranita Markos, bijës së shkrimtarit Petro Marko, e cila falënderonte njerëzit që ia kishin ndihmuar familjen, në këto ditë të vështira.

Nëna e Aranitës, piktorja dhe ilustratorja Safo Marko, është gjithashtu e sëmurë rëndë; edhe vëllai i saj, poeti Jamarbër, i njohur ndryshe si Madu, ka vite që vuan nga probleme të ndryshme.

Para disa kohësh, në shtyp ishte folur për gjendjen e rëndë të familjes Marko, e cila jetonte në varfëri të madhe megjithëse Petro Markoja ka qenë një nga shkrimtarët më të mëdhenj të viteve 1930-1990.

I përndjekur praktikisht nga të gjitha regjimet, i burgosur edhe nga fashistët italianë gjatë luftës, edhe nga shokët e vet komunistë të armëve gjatë viteve totalitare, Petroja  arriti megjithatë t’ia japë lexuesit romanet Hasta la vista dhe Qyteti i fundit, e më pas edhe Nata e Ustikës.  Cili prej nesh, fëmijëve të viteve 1960 dhe 1970, nuk është zbavitur me aventurat e heronjve të romanit Shpella e piratëve dhe mitikëve Gjonbaba, Gjonbiri dhe Gjonipi ?

Një roman tjetër, Një emër në katër rrugë, mund t’ia kishte garantuar shkrimtarit lavdinë si artist të prozës shqipe moderne e që duhej të ishte botuar në vitin 1972, u ndalua në momentin e fundit. Aso kohe, një fqinjë jona e paharrueshme, që punonte në stabilimentin “Mihal Duri” në Tiranë, na sillte libra që andej pa u botuar akoma; dhe pa kopertinë. Ashtu më ka mbërritur në shtëpi ky roman dhe ashtu e kam lexuar, me fashikujt gati për t’u shqepur. Më pas, dëgjuam që romani ishte ndaluar dhe dërguar për karton (Shqipëria do të ketë pasur kartonin më të kulturuar në Europë)… Po unë kujtova, atëherë, se e kishin fshirë nga ekzistenca ngaqë i bënte shumë vend ish mbretit Zog dhe aventurave të tij erotike!

Një emër në katër rrugë u shndërrua në çroman brenda natës.

Gjithsesi, edhe Qyteti i fundit ishte gjysmë i ndaluar; pa çka se disa prej nesh e konsideronin si kryevepër dhe e kishin lexuar disa herë. Lexuesit i duan fort ndonjëherë historitë e mëdha sentimentale, të cilat nuk i gjenin në veprat e best-sellerëve të letërsisë shqipe të realizmit socialist, Kadareja dhe Agolli.

Petro Markoja na ka dhënë shumë të gjithëve; ua ka zbukuruar jetën shqiptarëve që e kanë lexuar, ua ka nxitur imagjinatën, i ka bërë të ndihen më të mirë dhe më të plotë, ua ka mësuar historinë ndryshe nga tekstet zyrtare dhe propaganda. Është turp për shtetin shqiptar, i cili e ka dekoruar shkrimtarin me urdhrin “Nderi i kombit”, në 2003, që sot familja e shkrimtarit të detyrohet të bëjë thirrje publike për ndihmë. Është turp, dhe një provë tjetër që ky shtet karikaturë nuk e ka të drejtën morale të shpërndajë urdhra që interpretojnë nderin e kombit.

Sot gjithashtu lexoj në “Shekulli” se Galeria Kombëtare në Tiranë paska blerë veprën “Vajzat e Himarës” të piktores Safo Marko, me vendim të ministrit të Kulturës Ferdinand Xhaferaj.

Zyra e shtypit të kësaj ministrie njofton se një nga arsyet e blerjes qenka që shuma “t’i kalojë familjes Marko në ndihmë për zonjën Safo Marko, e cila po kalon një sëmundje të rëndë.”

Duke pasur parasysh se çfarë ruhet sot në Galerinë e Arteve, jam pothuajse i sigurt se kjo vepër e Safo Markos, së cilës nuk i është blerë asnjë punim nga GKA-ja deri më sot, nuk është aq e dobët sa ta përligjë një motivim të tillë; aq më tepër që në këtë galeri gjenden edhe vepra të tjera të saj, nga periudha e para viteve 1990.

Nëse ministria e Kulturës është shtyrë, në vendimin e vet, edhe nga dëshira për ta ndihmuar financiarisht familjen Marko, është mungesë fatale delikatese madje njerëzillëku që arsyeja e blerjes të shpallet kështu; sepse nuk e nderon as qeverinë, as shtetin shqiptar, përkundrazi.

Ato 300 000 lekë të reja që ka kushtuar vepra e Safo Markos, janë vetëm një përqindje e papërfillshme e borxhit që i ka publiku shqiptar dhe vetë shteti shqiptar asaj familjeje: Petros, Safos dhe Jamarbrit. Petro Markoja është pasuri kombëtare, madje Nder i Kombit me përkufizim të vetë institucioneve të këtij shteti; vlera e veprës së tij është integruar në indin kulturor të kombit; romanet e tij kanë shitur me qindra mijëra kopje. Në rrethana normale, vetëm Shpella e piratëve, që ka qenë libër i shtrenjtë në bibliotekën e çdo fëmije në Shqipëri, do të mjaftonte për t’i siguruar autorit dhe familjes së tij një jetë dinjitoze, në kushte financiare normale.

Petro Markon vërtet e përndoqi regjimi komunist dhe ia ndaloi librat dhe e futi në burg dhe ia shkatërroi karrierën dhe jetën, atij dhe familjes së tij; por shteti i sotëm nuk mund të hiqet si indiferent përballë kësaj katastrofe, as ta paraqitë blerjen e një pikture, për një shumë modeste, si vepër bamirësie.

Kjo është aq më e vërtetë, po të mendosh se persekutorët e djeshëm të Petro Markos sot mund t’i ndeshësh kudo: në qeveri dhe në parlament, në krye të shërbimeve të rendit, të gjykatave dhe të bizneseve private milionere; kudo, përveçse në birucë. Do të ishte ironia më e madhe, por edhe fyerja më e madhe për shkrimtarin, sikur ndonjë prej këtyre të ketë futur dorën në xhep, për t’iu përgjigjur apelit të Aranitës e për të hedhur një kacidhe në shportën e ndihmave.

Po si nuk ka një medalje Turpi i Kombit, që t’ua japim xhanëm?

Pa Komente

  1. Nuk ka nje medalje te tille dhe nuk duhet te kete se ne s’kemi turp. Ne mungese te saj, ndoshta atyre qe e meritojne u jepet ” nderi i kombit”. Fati i familjes se Markos eshte tregues i asaj qe eshte ne gjendje te te beje shoqeria shqiptare po nuk bere kompromis me legenllekun.

  2. Keta jane frikshmerisht te pacipe. Ose jane vertet kaq injorant e shpirtkeqinj ( por nuk ma ha mendja ), ose u flasin kohe e pakohe dhe vend e pavend turmave, cka i ben akoma edhe me injorant e shpirtkeqinj. Turp !!!

  3. Xha xha,

    si mund te ndihmohen qe nga jashte Shqiperise? Ka ndonje llogari bankare? Ka njeri info per kete?

    1. Këtë informacion kam gjetur te gazeta Shqip:

      Redaksia e gazetës “Shqip” fton individë, subjekte, institucione, shoqata e fondacione të shprehin një akt solidariteti jetik në numrat e llogarisë në Raiffeisen Bank Në lekë: 0000251473 Në euro: 0251473.

  4. XHa xha, para disa ditësh lexova tek La Repubblica një artikull që mund t’i përafrohet problemit të familjes Marko. Lino Banfi i shkruante Qeverisë italiane për rastin e Laura Antonelli-t që po kalonte një periudhë të vështirë me një pension 510 euro në muaj dhe me ndonjë ndimë nga kisha. Italianët kanë patur dhe raste të tjera, prandaj kanë dhe ligjin (la legge Bacchelli 1985) që mbron personalitetet e shquara në art, kulturë e sport dhe që kalojnë periudha të vështira mbijetese.
    Prandaj unë mendoj se këto gjëra nuk rregullohen me llogari bankare apo duke pritur ndonjë mrekulli që një milioner ta zgjidhi situatën. As dhe rasti tipik injorant i një ministri që s’di ç’është kultura e kombit dhe njerëzit që e nderojnë atë, por vetëm një ligj që i parashikon këto probleme të vështira dhe jep ndihmën e duhur në kohën e duhur.

  5. Edhe në një shtet të varfër si Shqipëria, shkrimtarët dhe artistët, nuk do të duhej t’a ndjenin varfërinë në pleqëri. Kjo për të mirën e të gjithëve.
    Kjo çështje do të duhej të rregullohej me ligj. A nuk ka sot në Shqipëri një ligj për “punë atësie” ? A nuk e merr shkrimtari një përqindje të caktuar nga shitja e romaneve të tij?

    Romanet ‘Hasta la vista’ dhe ‘Shpella e piratëve’ ishin dikur lektyrë e obliguar në shkollat shqipe të Kosovës. Besoj se ‘Shpella e piratëve’ edhe sot është lektyrë e obliguar për shkollat fillore. Kjo do të thotë se ky libër botohet herë pas here në tirazhe të mëdha. Po të kishte një ligj për të drejtat e autorit, apo po të zbatohej nëse ka, atëherë nuk do të kishte varfëri për autorët e suksesshëm.
    Momentalisht e kam mbi tavolinë romanin ‘Hasta la vista’, të botuar nga “OMSCA-1” e Tiranës, në vitin 2002. Përfundi titullit shkruan “Botim i plotë”, që nënkuptohet se dikur kemi lexuar një version të cenzuruar. Nuk ka as parathënje as pasthënje. Kopertina: Arianita Marko

    P.S. Laura Antonelli më kujtohet nga rinia e hershme, kur shikonim filmat e saj erotik, p.sh. filmi ‘Mëkati i vogël’

  6. nuk shrohet problemi tek “filantropia e shtetit” por tek detyrimet e medha financiare qe ai ka ndaj autorit te pavdekshem Petro Marko. Nuk po flas per ate dem moral dhe per ate detyrim shpirtror qe institucionet duhej t’i kishin ofruar familjes Marko, ajo nuk vlen tashme. Por vetem ne kete ceshtje “teknike” tek detyrimet financiare. Pse e them kete? Jo vetem per faktin qe eshte permendur me lart ne raport me vepren SHPELLA E PIRATEVE, e cila do te kishte mjaftuar vertet per familjen, por edhe per te drejtat e tjera te autorit, per vjedhjen e shemtuar te ketyre vlerave. Personat jane gjalle dhe gezojne respektin institucional dhe ate financiar , te grabitura ne menyren te keqe nga Petro Marko menjehere sapo ai vdiq. Ne kete rast behet fjale per te drejtat e autorit, per ligjin inekzistent qe e con ne deshperim shkrimtarin. Dhe rasti i Petros nuk eshte i vetmi ne Shqiperi. Gjithesesi eshte e turpshme thirrja per ndihme.Vetem duhet te kujtoj qe shtepite botuese te cilat kane botuar vepren e Petro mARKOS sigurisht qe kane fituar dhe mire madje.

  7. Faleminderit Xha Xhai per informacionin me numrat e llogarise se Arianita Markos…nje ndime e shpejte prej jush…

  8. une jam nje nga ato njerez qe mendova se Arianita, shoqja ime e klases duhej te ndihmohej ne nje rast te tille, edhe pse mendoj se kjo ndihme ka qene deri tani e paket ka qene per te nje mbeshtetje e madhe morale, besojeni kete, por jam plotesisht OK me ligjin qe propozon Asnjan`s, pasi sot ne radhe eshte Safo Marko, neser do te jete mbase nje artist, shkrimtar, sportist tjeter shqiptar ne keto kushte dhe atehere do te jete vetem ligji qe mund t`i mbroje e t`i mbeshtese….

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin