Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë / Sociologji

PROFILI I INTELEKTUALIT

Sot Shekulli Shinasi A. Rama, duke iu përgjigjur një kritike të Bledar H. Priftit, jep edhe disa mendime në lidhje me përkufizimin dhe rolin e intelektualit publik.

Meqë jam marrë edhe vetë me këtë çështje, madje më shumë se një herë, më duket me interes të komentoj disa pika të artikullit të Ramës të cilat lidhen drejtpërdrejt me të.

Shkruan Sh. Rama:

Si nje person qe merret me idete, d.m.th., me krijimin, shperndarjen e interpretimin e ideve, te mendesive, te botekuptimeve e te vlerave, me autoritet e me kompetence, shpesh te vertetueme me tituj e grada shkencore, intelektuali ka nje vend te vecante ne cdo shoqeri. Qofte si klerik, krijues artistik, studjues apo si profesor, detyra e tij eshte me mbajte gjithnje parasysh te miren e perbashket te grupit te cilit i perket dhe me ofrue zgjidhje profesionale.

Ky përkufizim i intelektualit, si “person që merret […] me krijimin, shpërndarjen dhe interpretimin e ideve, të mendësive, të botëkuptimeve e të vlerave” është korrekt, por ende tepër i gjerë, për të qenë i kënaqshëm. Nga ana tjetër, element kyç i përkufizimit të autorit është “detyra e [intelektualit] me mbajtë gjithnjë parasysh të mirën e përbashkët të grupit të cilit i përket dhe me ofrue zgjidhje profesionale.”

Vazhdon Sh. Rama:

Si ekspert i dijes per nje fushe te caktuar, intelektuali duhet me dhane analizen ma te paanshme, ma te drejte, te pandikueme nga interesi i momentit, as i tiji si individ e as i atyre qe kane pushtet. Ne kete drejtim, intelektuali duhet te flase me autoritetin e dijes, si zeri i se vertetes, dhe standarti i gjykimit te tij duhet te jete thelbesisht teknokratik, i paanshem dhe i pavarur nga opinioni sundues i kohes. Baza e gjykimit te tij eshte dija qe ai ka per nje fushe te caktuar.

Tani intelektuali përkufizohet si “ekspert i dijes për një fushë të caktuar”, çka i jep autoritet për të folur si “zëri i së vërtetës”; standardi i gjykimit të tij duhet të jetë më një anë “thelbësisht teknokratik”, më anë tjetër i paanshëm dhe i pavarur nga opinioni sundues i kohës. Duke e theksuar edhe një herë konceptin e vet përkufizues, Sh. Rama përfundon se “baza e gjykimit të intelektualit është dija që ai ka për një fushë të caktuar.”

Më në fund, autori përmend Myslym Pashajn, si intelektual që e përdor dijen e vet “për të bërë një shërbim të çmuar publik.”

Sh. Rama e përkufizon intelektualin brenda një artikulli polemizues, ku ndër të tjera kërkon edhe të kundërshtojë kritikat që i ka bërë B. Prifti në një artikull të mëparshëm; çka shpjegon deri diku mangësitë e pohimeve të mësipërme.

Megjithatë, ndoshta ky do të ishte edhe rasti për të sqaruar disa aspekte të figurës së intelektualit në shoqërinë e sotme, të paktën shqiptare, dhe të rolit të tij publik.

1. Në emër të kujt flet intelektuali?

Sh. Rama thotë, pak a shumë, se intelektuali mban parasysh të mirën “e grupit të cilit i përket.” Po cilit grup tamam? Individi në shoqëri u përket shumë grupeve njëkohësisht: fisit të vet, komunitetit të pallatit ose lagjes ku banon, institucionit ku punon, fshatit të gruas, sindikatës, një partie politike, një lozhe masonike, këshillit të koleksionistëve të fluturave, një komuniteti virtual në Internet, klubit të gjuetarëve, e kështu me radhë. Prandaj, për mendimin tim, intelektuali është i tillë vetëm kur i kapërcen interesat (ose “të mirën”) e grupit të cilit i përket, për të folur si tribun ose përfaqësues i interesit publik.

2. Intelektuali dhe eksperti

Sh. Rama nuk duket t’i japë ndonjë peshë dallimit të intelektualit nga eksperti; sa kohë që mjaftohet ta cilësojë të parin si “ekspert të dijes në një fushë të caktuar”, standardi i gjykimit të të cilit është “thelbësisht teknokratik”. Dëshira për të theksuar nevojën e pavarësisë së intelektualit nga partitë politike (që është temë kryesore në artikull), ndoshta e bën të harrojë se intelektuali dhe eksperti janë dy lloj kafshësh tepër të ndryshme mes tyre. Në diskutimet tona këtu në blog, kemi vënë në dukje se intelektuali zakonisht flet për një çështje të caktuar, ndërsa eksperti zakonisht merret me të; sikurse kemi sqaruar se shpesh intelektuali është ai që formulon pyetjet, ndërsa eksperti ai që ofron përgjigjet në lidhje me pyetjet. Gjithsesi, dhe pavarësisht nga objeksionet që i janë bërë këtij përkufizimi (timit dhe të Pishakut), nuk besoj se do të kundërshtojë kush faktin se dallimi mes intelektualit dhe ekspertit nuk ka të bëjë me shkallën e ekspertizës përkatëse, por me raportet e njërit dhe të tjetrit me interesin publik.

3. Shembulli i Myslym Pashajt

Myslym Pashaj, në përpjekjet e veta kundër marrëveshjes detare me Greqinë, veproi njëkohësisht si ekspert dhe si intelektual; ekspertiza që kishte në kartografi e lejoi të interpretonte aspektet teknike të marrëveshjes, por ishte zotimi publik që e vendosi në rolin e intelektualit. Një ekspert mund të ishte mjaftuar t’i dërgonte një promemorie institucionit përkatës; por një intelektual realizohet si i tillë jo falë parametrave të ekspertizës së vet, por në masën që komunikon publikisht, qoftë me institucionet qoftë me publikun vetë. Megjithatë, Myslym Pashajt nuk i mjafton një gjest i vetëm, sado i virtytshëm dhe i bujshëm, për t’u quajtur intelektual publik; tani për tani, ky atribut i takon vetëm gjestit vetë.

4. Ekspertiza e intelektualit

A duhet të jetë intelektuali doemos ekspert në fushën ku angazhohet publikisht? Sh. Rama beson se po; unë jam i mendimit të kundërt. Sa kohë që mbron interesat e publikut, intelektuali mund thjesht të mbështetet në opinionin e ekspertit, për të çuar përpara argumentin e vet. Këtu rolet janë të ndryshme dhe ndryshimi mes roleve ka rëndësi themelore për funksionimin e debatit publik. Siç e ceka pak më lart, roli i ekspertit zakonisht nuk është të flasë, as t’i flasë publikut; por të veprojë, duke ofruar zgjidhje të problemeve. Një ekspert që flet për fushën e vet nuk është intelektual, por popullarizator ose mësues; një fizikan që shpjegon në televizion se çfarë është radioaktiviteti, ose një inxhinier i punëve publike, që ilustron funksionimin e rrjetit të ujërave të zeza, nuk janë intelektualë – edhe pse kryejnë një shërbim publik të vyer dhe të domosdoshëm. Nga ana tjetër, çdo intelektual e ka një fushë ku është ekspert, por kjo ka të bëjë më shumë me aftësinë tonë, si qenie sociale, për të luajtur njëkohësisht role të ndryshme në shoqëri.

5. Horizonti i debateve

Me përkufizim, eksperti priret gjithnjë ta ngushtojë objektin e fushës së vet, sepse vetëm ashtu mund të thellohet në të dhe të kuptojë diçka më tepër, ose të marrë vesh çfarë ka që nuk shkon e të ofrojë zgjidhjen. Megjithë ekspertizën teorike që mund të ketë, sfidat me të cilat ndeshet zakonisht eksperti janë tepër konkrete dhe kërkojnë zgjidhje njëlloj konkrete, edhe pse kjo zgjidhje zakonisht do të arrihet përmes procesesh abstrakte të sofistikuara. Intelektuali, nga ana e vet, mund të sugjerojë edhe ai zgjidhje, nga pozitat e interesit publik; por roli i tij është më tepër të shërbejë si katalizator debatesh, rol të cilin e luan duke ndërmjetësuar midis fushave të ndryshme të ekspertizës. Kështu, le të përfytyrojmë një person që vuan nga veshkat por nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të paguar për shërbimin e dializës as për transplantimin e veshkës; njëkohësisht, ka të birin në universitet, por nuk arrin ta ndihmojë dot me shpenzimet përkatëse; dhe më në fund është në konflikt me bankën, në lidhje me këste të papaguara të huasë që ka marrë për të blerë shtëpinë ku banon. Ky person ka nevojë për ndihmën e mjekut ekspert urolog, të ekspertit të sigurimeve shëndetësore, të ekspertit të huave bankare dhe të një avokati ose financieri të specializuar në çështje të falimentimit; sikurse ka nevojë, sado të tërthortë, për një intelektual që të ngrejë zërin, në publik, për pafuqinë e individit përballë institucioneve, në shoqërinë përkatëse. Nga kjo pikëpamje, intelektuali merret me çështje gjithnjë më abstrakte sesa eksperti; duke manovruar në zonat “e hirta” mes fushave të ekspertizës dhe duke synuar një vizion më të larguar të çështjeve, por vetëm për t’i rrokur këto në tërësinë e tyre dhe në marrëdhëniet me çështje të tjera, të fushave të tjera.

6. Pavarësia e intelektualit

Këtij aspekti Sh. Rama i jep rëndësi të posaçme, në kontekstin e artikullit të vet; duke theksuar nevojën që intelektuali të jetë i pavarur nga partitë politike dhe interesat partiake. Megjithatë, e çuar në ekstrem, edhe kjo kërkesë nuk më duket se mund të përligjet, meqë pavarësia e plotë nuk mund të arrihet veçse me koston e irrelevancës, madje edhe po të realizohet ai “emigrim i vetimponuar” i intelektualit nga shoqëria, për të cilin flet autori. Edhe sikur intelektuali t’i shpërfillë konfliktet politike dhe të distancohet prej tyre, vetë roli i tij si zëdhënës ose tribun i publikut e bën palë të këtyre konflikteve; pikëpamjet e tij do të shfrytëzohen nga forcat politike, duke u amplifikuar ose hedhur poshtë, sipas rastit. E vërteta është që si e majta, ashtu edhe e djathta, normalisht kanë intelektualët e tyre; që kjo është vështirë të realizohet në Shqipëri, shpjegohet drejtpërdrejt me mungesën pothuajse totale të ideve në debatin politik të atjeshëm. Mirëpo, që politika shqiptare është primitive dhe konsiston kryesisht në veprime taktike për të siguruar, mbrojtur dhe përjetësuar pushtetin e disa individëve, kjo nuk do të thotë se intelektuali shqiptar duhet të jetë i pavarur prej politikës. Jam i sigurt se edhe Sh. Rama vetë nuk e kishte parasysh këtë implikim të tezës së tij; sepse edhe ai, si intelektual publik, është pozicionuar me qartësi të madhe në lidhje me disa probleme themelore të politikës në Shqipëri; probleme që edhe politika duhej t’i kishte vënë në fokus, por që nuk i ka vënë, për arsye burracakërie, ose ngaqë nuk u kanë shërbyer drejtpërdrejt interesave meskine të këtij ose të atij grupi.

7. Roli arketipal i intelektualit

Intelektualët vërtet kanë ardhur duke u bërë protagonistë të jetës publike gjatë shekullit XX, por roli që përmbushin në mekanizmat e komunikimit social nuk është i ri; sipas rastit, shoqëritë gjithnjë kanë pasur nevojë për zëdhënës, ndërmjetësues dhe lehtësues të marrëdhënieve midis palëve. Historikisht, këto funksione janë përmbushur nga priftërinjtë më parë, nga mësuesit më pas; me të dy palët përfaqësues të pushtetit alternativ soft të dijes dhe të fjalës, i cili i kundërvihet pushtetit të forcës, që buron nga shteti, krahu i armatosur, ose tradita patriarkale. Që sot kemi nevojë, para së gjithash, ta përkufizojmë intelektualin në mënyrë të tillë që ta dallojmë prej ekspertëve nga njëra anë dhe politikanëve nga ana tjetër, kjo ka të bëjë sidomos me fytyrën e shoqërive moderne, të kontrolluara nga politikanët dhe korporatat nëpërmjet kastave të ndryshme teknokratike: juristët, financierët, mjekët, siguruesit, përgjuesit, ekonomistët, programuesit, bombarduesit dhe administratorët e rrjeteve telematike.

Të interesuarit për debatin në fjalë, i ftoj t’u hedhin një sy shkrimeve të mëposhtme në blog:

PROFILE NË MJEGULL
RRETH DEBATIT TELEVIZIV
INTELEKTUALI NË PUSHTET
SHALLI SHUMËNGJYRËSH I ANALISTIT
FJALË APO VEPRA
ROLI I EKSPERTIT
ANALISTË KËRKOHEN

Pa Komente

  1. Duke te falenderuar per kete shkrim Xhaxha, kam nje pike ku ndihem i paqarte.

    Xhaxhai : “Megjithatë, Myslym Pashajt nuk i mjafton një gjest i vetëm, sado i virtytshëm dhe i bujshëm, për t’u quajtur intelektual publik; tani për tani, ky atribut i takon vetëm gjestit vetë.”

    Perse nuk mjafton nje gjest ? Po dy a mjaftojne ? Kush e percakton se sa mjaftojne dhe sa jo ? A eshte kjo e lidhur pashmangmerisht me sasine e gjesteve ? Po David Christopher Kelly ( http://en.wikipedia.org/wiki/Dr_David_Kelly) a mund te quhet intelektual pervecse eskpert ?

    1. Gjithashtu falemnderit për vlerësimin.
      Tani, në anglishte ka një shprehje, “one-trick pony”, e cila cilëson një person ose grup që njihet për një arritje ose karakteristikë të vetme. Myslym Pashaj, deri më sot, në rolin e ri të intelektualit, është one-trick pony; por kaq nuk mjafton, edhe pse gjesti i tij është, në vetvete, prej intelektuali. Kam përshtypjen se Sh. Rama mund të kishte sjellë shembuj të tjerë të intelektualit publik në Shqipëri, më të përshtatshëm sesa ky i kolonelit; i cili, për mendimin tim, më shumë ka treguar kurajo qytetare dhe këmbëngulje të admirueshme, sesa ka dhënë ndonjë kontribut intelektual të mirëfilltë. Në anglishte Pashaj do të quhej ndoshta whistle blower (duke e zgjeruar sado pak konceptin origjinal në bazë të faktit që Pashaj ishte “i brendshëm” si ekspert kartograf); rol gjithsesi i ndryshëm nga ai i intelektualit.

  2. Si rralle me ndodh, kete radhe ndjej te mos ndaj posacerisht qendrimin e xha xhai-t tone.
    Persosnalisht e gjej intelektualin si nje te mesme mes karakteristikave te listuara nga Sh.R dhe 2xh.
    Intelektuali nuk mund te jete vetem ai qe i jep ze interesave te publikut “që të ngrejë zërin, në publik, për pafuqinë e individit përballë institucioneve, në shoqërinë përkatëse”. Lubonja eshte nje shembull perfekt ne gjykimin tim sesi mungesa e njohjes (per te mos thene padija totale) ne disa fusha, nderkohe qe shkohet pertej (shpesh shume pertej) “ngritjes se zerit” (p.sh.kur ofron zgjidhje “autodidakte”) te ben qesharak, cka sjell per pasoje relativizimin e shqetesimit, madje edhe efekte te kunderta me ato qe shpresohej te arriheshin; derisa vjen nje dite e nuk te marrin me seriozisht (ndonese te marrin rregullisht ne nje emision te caktuar per te folur mbi cdo gje qe mund te perkufizohet si “e papercaktuar”).

    1. PNH, për të përkufizuar intelektualin janë shkruar libra (dy i kam unë në bibliotekë); çka tregon se nuk është e lehtë të arrish “konsensusin”. Edhe unë, më tepër se të korrigjoj Sh. Ramën, përpiqem ta përdor si platformë ose trampolinë për të artikuluar edhe një herë pozicionin tim.

      Nga ana tjetër, nuk ka dyshim se Lubonja është personazhi që u shkon në mend shumëve prej nesh, kur flasim për intelektualin. Meqë nuk jetoj në Shqipëri, nuk e ndjek shumë Lubonjën televiziv, edhe pse jam i bindur se televizioni dhe veçanërisht debati televiziv nuk është mediumi i përshtatshëm për të artikuluar mendimin intelektual.

      Lubonja ka arsyet e veta që merr pjesë rregullisht në debate të tilla, mes të cilave besoj do të jetë nevoja që ndien për t’ia përcjellë mendimin e vet një publiku sa më të gjerë. Nuk ka asgjë për t’u qortuar këtu, përveç zgjedhjes së mediumit, i cili vetvetiu e korrupton mendimin, debatin dhe krijimtarinë intelektuale.

      Nga ana tjetër, ti përmend “zgjidhjet” që ofron Lubonja, duke më dalë në shteg; sepse në shkrimin tim më lart, sikurse edhe në shumë shkrime të tjera, kam përsëritur me forcë se nuk është karakteristikë e intelektualit të ofrojë zgjidhje (zgjidhjet i japin ekspertët), por të formulojë çështje nga këndvështrime të reja, ose të vërë në diskutim dhe të kritikojë zgjidhjet ekzistuese, duke përfshirë edhe atë kryesoren, ose mënyrën si ushtrohet pushteti nga klasa ose kasta në fuqi.

      Lubonja këtë e ka bërë mirë. Për fat të keq, varfëria intelektuale e mediumit televiziv, por edhe një farë mefshtësie në debatin publik në Shqipëri, e kanë tunduar edhe t’u ofrojë shpesh përgjigje pyetjeve që ka bërë vetë. Por kjo flet shumë për truallin e mendimit intelektual atje, nuk e cenon pikëpamjen dhe kriterin tim.

  3. Sa here lexoj shkrimet e Bledarit me kujtohet shprehja; Shqiperi mos ki frike se i ke djemte ne Amerike.

    A duhet te perfshihet apo jo intelektuali ne dialektiken politike si pale ?
    Bledari thote se kur nje pale politike ka te drejte intelektual eshte ai qe mbeshtet ate pale, te tjeret jane ashtu e keshtu.
    Shinasiu thote se intelektuali nuk duhet te perfshihet ne dialektiken politike, por te merret me aspektet strategjike te politikes dhe mbi bazen e tyre te trajtoje edhe ceshtjet e dites.

    Tek pika 6 me duket se eshte keqkuptuar qendrimi i Shinasiut.
    Tek pika 1, se c’nenkuptohet me grup eshte e paqarte, nga konteksti kam pershtypjen se nenkuptohet populli, etnia, publiku.

    Dallimi mes ekspertit dhe intelektualit mendoj se eshte i nevojshem, meqe intelektuali eshte edhe ekspert ne nje lende te caktuar, por ka dicka me shume. Ne teresi
    intelektuali > eksperti, nderkaq ne ceshtje te caktuara sigurisht qe eksperti > intelektuali.

    Sh. Rama nuk e ben dallimin, ndoshta sepse vete koncepti i intelektualit ne dallim nga ai i ekspertit nuk ka nje perkufizim te gjithepranuar.
    Ceshtja e Kol. Pashaj, ku gjesti mund te quhet prej intelektuali publik, ndersa ai vete jo e shton paqartesine e konceptit te intelektualit.
    Ndoshta nese Kol. Pasha sdo ishte ekspert ne lenden e vet, por ta zeme prof. matematike ne universitet, atehere do mund te quhet intelektual publik.

    Ne kete rast intelektuali duhet te dallohet ne te pakten nje fushe tjeter nga ajo ku eshte ekspert apo ka titull shkencor.

    Sidoqofte, pavaresia prej partive politike e politikes se dites apo pavaresia taktike dhe ‘varesia’ strategjike, mendoj se jane te nevojshme nese intelektuali dhe e verteta jane mish e thua.
    Pervojat vetjake dhe interesat apo nevojat jetesore mund te akuzohen fare lehte se ushqejne paresisht subjektivitetin.
    E verteta qe bie pre e tyre anon nga te qenit subjektive, keshtu qe perfshirja ne politiken e dites si mbeshtetes i nje pale, ku mbeshtetja nuk vjen prej varesise strategjike, e largon intelektualin nga e verteta objektive.

    Edhe varesia strategjike (nacionalist, kozmopolit, liberal, konservator, filantrop, animalist, fashist, komunist etj) mund te akuzohet per subjektivizem, por ketu kemi pergjithesisht perplasje teorike parimesh te natyres metafizike, qe nuk para ngrene peshe ne dialektiken politike te dites e cila kushtezohet nga praktika e pragmatizmi.

    E verteta objektive eshte me e nevojshme ne problemet konkrete te dites sesa ne ceshtjet me natyre metafizike (ku objektiviteti eshte aksiomatik) .

    Po te marrim nje intelektual qe domosdoshmerisht e ka nje varesi strategjike dhe ti veshim edhe nje varesi taktike, mund te themi pa frike qe ky dhe e verteta puqen vetem ne subjektivizem.

    Ne Shqiperi here pas here del dikush dhe akuzon shtresen intelektuale, njeri i thote surrogat, nje tjeter pseudo, Pula u mor me analizen e analistit dhe i beri per dy leke, tani edhe Bledari i beri per dy leke ata qe jane kunder Edvinit.

    Rri e rri e ja fut ndonji – thote populli.

    Shtresa e njerezve te kenduar ne Shqiperi, zihet te pakten po aq sa populli i thjeshte kafeneve.
    Ai stan ate bulmet ka – do thosh ndonjeri.

    Mbase mund te thuhet se ne Shqiperi ska hyre ende cka Vattimo e quan ‘pensiero debole’.
    Populli eshte energjik e besimplote, kur vjen puna tek e verteta, po aq duket edhe shtresa e kenduar, po te gjykohet mbi bazen e sharjeve qe shoqerojne pergjithesist polemikat.

  4. Ne fakt intelektuali mund te ndryshoje nga eksperti pse ne fund te fundit ka te drejte te marre qendrime per ceshtje te ndryshme, ne emer te se drejtes qe perpiqet ti beje zedhenien. Eksperti mund te perfshihet ne diskutim vetem me provat materiale apo me certifikaten e firmes se tij, pasi edhe publiku kesaj te fundit i beson dhe nuk do e perfillte shume nje specialist qe deshiron te zgjerohet ne fusha ku kerkohet nje e drejte qyteatrie e fituar permes angazhimit. Ne Shqiperi raporti mes publikut dhe intelektualit, nis te caloje qe me vitet e para te pluralizmit. Vete ky i fundit, i formalizuar ne skenen shqiptare si nje akt me protagoniste disa intelektuale, vijon te ushqeje nje model sipas te cilit intelektualet jane shpresa e zgjidhjes se problemeve. Ne fakt eshte politika dhe vitaliteti i komuniteteve apo grupeve te interesit, te cilat jane ne kurthin e vazhdueshem te faktit se Politika eshte Punedhenesja e vetme ne Shqiperi. Intelektuali publikon problemin permes fjales dhe kurajos per te pohuar. Pertej ketij kuadri mund te kene mbetur zera te se vertetes, artikulues te mire, njerez te formuar dhe me deshira pozitive per vendin, por ketu jemi ne sferen e asaj qe u perkufizua ketu si irrelevance. Perpos kesaj ne ende jetojme fazen e ndertimit te dialogut publik, qe si i tille po cenohet shume rende nga televizioni, audienca e te cilit gjykon bruto mbi cdo debat dhe ceshtje. Ajo qe mendoj une se vret cdo vullnet per ndryshim eshte mbyllja e qarkut ne ligjerimin publik ne vend dhe nervi i mprehte kooptues i politikes shqiptare. Kur them kete kam parasysh faktin se ne syte e publikut shqiptar sot dominon nje ide teorikisht e mbrapshte, e ushqyer me kujdes nga ustallaret e partive sipas se ciles cdo angazhim politik eshte baraz me shprehjen: “E drodhi edhe ky”. Ne nje fare kuptimi ky konstatim i pergjigjet se vertetes, pasi ne kete vend shume pak njerez kane mbetur pa u bere pis. Te mbetesh ne hije me Drejtesine tende, eshte me keq akoma; do te thote te deshtosh.
    Rasti me elokuent eshte Prec Zogaj; E nis karrieren si themelues i PD, gazetar, edhe nga modeli i flokeve te nxit imagjinaten e nje revolucionari, largohet nga PD, shkon me PAD – parti intelektualesh kjo – themelues i Forumit per Demokraci ne vitin e lavdishem luftarak 1997, ne nje zyre me Presidentin socialist Meidani, deputet i PD e ne fund ne krah me opoziten e Edi Rames qe dikur nuk ia pertonte ta quante publikisht Perc. Ne te gjitha deklarimet dhe fjalimet, artikujt dhe librat e tij, eshte koherent dhe i sinqerte ne mase te madhe.

    Rasti i dyte ; antipatiku (sondazhet nuk e pergenjeshtrojne dot kete ide) Ardian Klosi. Politikisht aventurier dhe pa nuhatje, por edhe me vetedijen e nje ambicieje te kufizuar ne kete drejtim. Perkthyes, publicist, i angazhuar ne debate mbi historine, i akuzuar si ish-spiun, por me kurajo per te sulmuar Diktaturen. Askush nuk mund t’ia mohoje Klosit angazhimin e tij ne problemin e Petroliferes ne Vlore. Une kam besuar se e ka patur sinqerisht kete edhe pse ketu fantazia e akuzave nuk merret vesh nga ushqehet.

    Ne te dyja rastet, por edhe per te tjera, intelektuali ne Shqiperi edhe kur ka angazhim konstant, kur perfshihet ne ceshtjet publike nuk krijon reference per opinionin. Sesa e dukshme eshte kjo kete e verteton fakti se edhe pergjate greves se fundit te urise te PS, peticionisteve intelektuale kunder saj ne te vertete u beri nder dhe u dha statusin e intelektualit vete z. Rama. Me pergjigjen e vet, ky politikan u dha rendesi edhe pse formale, disa njerezve qe do mbeteshin anonime ne numrin e madhe te listes firmetare. Ndodh qe edhe cinizmi te gaboje duke falur respekt. Konteksti i problemit ne Shqiperi mbetet vetem shteteror, kombetar dhe per pasoje ekzistencial. Per pasoje pak vend ka per intereferenca dhe sterhollime; kur mungon besimi ne ceshtje dhe kur angazhimi i dorezohet koniunktures, atehere edhe intelektuali venitet pas notave te mira te diplomes, te cilat pastaj do duhet t’i ballafaqoje me ekspertin.

  5. http://www.shekulli.com.al/2010/06/12/nga-intelektuali-deshtak-tek-post-berishizmi.html

    Paska shkruar prape Bledari, mos ka ndonje kunje me Sh. Ramen. Kemi spektakel, pres cdo thote Myftaraj, ca agjenti do e beje Bledarin, te Sorrosit apo vete Mosadit.

    Pjesa me e bukur e shkrimit:
    – …. unë vendosa që të përdorja fjalë të vrazhda, jo sepse i konsideroja konvencionale në një debat publik, por sepse shpresoja që përmes tyre të bëja të mundur tërheqjen e vëmendjes dhe një diskutim të argumenteve.

    Ky rrezik ta hedh bomben berthamore, qe te terheqe vemendjen e OKB-se ndaj nje konflikti diplomatik.
    Nuk mbaj mend ne kjo taktike gjendet tek Shopenhaueri.

    Bej habi me Lubonjen, se ai s’ta perton shume kur vjen puna tek sharjet. O s’ja var Bledarit o s’honeps Sh. Ramen.

    Pas 11 muajsh, njeriu pret nje analize te matur e te thelle, se ceshtja eshte rrahur e bere pershesh e ne vend te saj gjen sherr, kush eshte me i mencmi i katundit.

    Thote Lubonja:
    ””nëse duam një Berishë dhe Ramë tjetërsoj, duhet të ndërtojmë një shqiptar tjetërsoj””

    Mos na duhet nje shqiptar tjetersoj nese duam analiste qe s’na ngopin me doping mediatik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin