Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

PATERNALIZËM DHE PARANOJË

Pikërisht kur po diskutonim këtu për letrën e akademikut Krasniqi, i cili ishte veshur me petka kosovari të kulluar për t’i rënë në kokë kreut të opozitës në Shqipëri, ndesha në një shkrim të Sokol Ballës në revistën Mapo me titullin ngacmues “Pavarësia, Kikja dhe Big Brother”.

E pranoj se, për një moment të vetëm, m’u duk sikur Mapo-ja kishte mbajtur qëndrim ndaj incidenteve të rënda në Mesdhe, me flotën e ndihmave për Rripin e Gazës – duke kujtuar se “pavarësia” i referohej Palestinës, Kikja një epiteti fyes (slur) për hebrenjtë në anglishte dhe Big Brother agjencive globale të lajmeve, që ia qanë hallet Izraelit edhe këtë herë. Epo më në fund një zë ndryshe në panoramën zakonisht të konformuar të medias shqiptare, thashë me vete; edhe pse ajo kikja nuk më tingëlloi mirë.

Por jo – ky paskësh qenë artikull për Big Brother-in shqiptar: një emision të kanalit televiziv Top Channel; në të cilin paska marrë pjesë edhe Kikja, një djalë nga Kosova. Sipas Ballës, Kikja paska sulmuar tash së fundi “indirect” (kështu e drejtshkruan Mapo-ja këtë fjalë) organizatorët e emisionit se i kishin manipuluar rezultatet, në mënyrë të tillë që t’ia mohonin djaloshit fitoren.

Artikulli nuk citon gjë se çfarë ka thënë akuzuesi pikërisht dhe ku e ka thënë, por nga sa arrij të kuptoj, Kikja e paska faktorizuar edhe Kosovën në këtë ekuacion konspirativ, duke përsiatur idenë se nuk ia dhanë fitoren sepse ishte nga Kosova, ose diçka e ngjashme.

Gjithsesi, Balla shkruan:

Kikja nuk fitoi se ishte nga Kosova, ose e thënë pak më ndryshe, Kikja nuk duhet të fitonte VETËM se ishte nga Kosova. Të jesh nga Kosova nuk është handicap, që njerëzit të të votojnë për keqardhje apo mëshirë. Të jesh nga Kosova, është nder dhe privilegj, por që të fitosh duhet të mbledhësh vota.

Implikimet këtu janë marramendëse.

Premisat e pamohueshme (a) Kikja nuk fitoi dhe (b) Kikja është nga Kosova, përftojnë kombinimet më poshtë:

  1. Kikja nuk fitoi, sepse është nga Kosova (media si kosovofobe).
  2. Kikja nuk fitoi, megjithëse është nga Kosova (media si kosovofile).

Këtu kombinimi 1 është i llojit paranoid, parakupton ekzistencën e një komploti anti-kosovar në Top Channel, për të penguar fitoren e një konkurrenti të meritueshëm; ndërsa kombinimi 2 është i llojit paternalist, meqë lë të kuptohet se mjafton që një konkurrues të jetë nga Kosova, për ta shndërruar në top seed.

Balla e vazhdon pastaj shkrimin në mënyrën e vet, e cila nuk më intereson këtu drejtpërdrejt; për të përfunduar se Kikja me të vetët le të shkojnë dhe ta fitojnë Big Brother-in në Kosovën e tyre të pavarur.

Për fat të keq, ky apelim ndaj së drejtës ndërkombëtare më duket se vjen një çikë i vonuar; unë Big Brother-in s’e kam ndjekur ndonjëherë, por ma do mendja se aty Kikja është prezantuar që në krye si “kosovar”, është identifikuar dhe trajtuar si i tillë, duke e shndërruar të qenët kosovar në formulën kyç të identitetit të tij si personazh të spektaklit. Problemi me këtë lloj identifikimi provincial (katundar) është, për mendimin tim, se kur Kikja humbet, mund të krijohet përshtypja se mbarë Kosova ka humbur; dhe kur Kikja humbet pa të drejtë, mund të krijohet njëlloj përshtypja se Kosova ka humbur pa të drejtë, madje deri edhe martirët i janë fyer.

Natyrisht, të gjitha këto janë budallallëqe; por jo vetëm nga ana e Kikes dhe dashamirësve të tij, në Kosovë dhe në Shqipëri. Top Channel është i interesuar t’i spërkatë spaghetti-t e veta me pak djathë të grirë nga Kosova, sepse ashtu i rritet audienca edhe përtej kufirit shtetëror të Shqipërisë; ky farë operacioni në thelb komercial mund të përjetohet sikur Kikja vërtet është thirrur në skenë si ambasador i shqiptarëve të Kosovës, ose hero që i ka mbijetuar dhunës serbomadhe, Milosheviçit, varreve masive etj.; dhe e gjitha kjo të përfundojë në farsë, sikurse edhe ka përfunduar.

Shkruan Balla (në dy vende të ndryshme të artikullit):

Të jesh nga Kosova, është nder dhe privilegj […]

Të jesh kosovar sot nuk është handikap, është obligim.

Pohimi i parë më duket si një dorë stuko që mëton t’ia zbukurojë pak fasadën shkrimit. Të jesh nga Kosova nuk është as nder as privilegj, sepse këto, së paku që prej shekullit XVIII, i njihen dikujt mbi bazë të virtyteve individuale, jo të viseve e të fiseve nga e ka gjyshin. Nëse në Shqipëri ende i trajtojnë të prejardhurit nga Kosova si bartës nderesh dhe privilegjesh, atëherë nuk ka gjë për t’u çuditur kur këta kërkojnë pastaj të fitojnë Big Brother dhe bërtasin për komplot, sa herë që kjo fitore nuk u mbërrin.

Pohimi i dytë është disi më i bindshëm; në kuptimin që qytetari i shtetit të Kosovës ka disa detyrime ndaj shtetit të vet dhe bashkëqytetarëve të vet (pjesëmarrja në konkurse televizive shqiptare nuk hyn në këto detyrime); por nëse Kosova shihet jo aq si shtet, sa një krahinë ose provincë e shqiptarisë, atëherë “obligimet” e Kikes ndaj Kosovës janë po aq të detyruara sa edhe ato të, bie fjala, Dritero Agollit ndaj Devollit: ose pa kurrfarë domethënieje.

Incidenti është trivial në vetvete, edhe pse tradhton një siklet të brendshëm në marrëdhëniet institucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës; duket, në vështrim të parë, sikur ky siklet ka lidhje me faktin që shteti kosovar, si i tillë, është artificial dhe se Kosova është në të vërtetë pjesë e Shqipërisë; por kam frikë se rrënjët dukuria i ka më tepër në falsifikimin e imazheve reciproke, ose në një përzierje toksike të paternalizmit me paranojën, ku të dyja palët veç përpiqen t’ia maskojnë komplekset përkatëse të superioritetit njëra-tjetrës.

Pa Komente

  1. Artikulli i komentuar me ngjason me muhabetet me mllef te shqiptareve nga Shqiperia ne USA per “nderet” qe u kane bere shqiptaret kosovareve gjate luftes: “Kosovaret s’na duan edhe pse i kemi prit ne shpi” ( “s’na duan”= s’na adhurojne). Shume bajat…

    Me ate qe kompania qe prodhon programin me buxhet aq te madh nuk do te lejonte kurre manipulim rezultatesh, shume e forte, me shkriu…

    Qe nga titulli ta fut friken!

  2. Për zgjedhjet e përgjithshme çfarë thotë Balla, janë të manipuluara apo jo?
    S’besoj që duhet mohuar mundësia e manipulimit. Atje ka kohë që ka probleme me manipulime të rezultateve. Pastaj drejtuesit e këtij ‘spektakli’, s’besoj të jenë më të ndershëm se drejtuesit e zgjedhjeve të përgjithshme.

  3. Perveç, ‘indirect’ gjenden edhe ‘process’, ‘handicap’ e ‘locale’.

    ””Kikja nuk fitoi se ishte nga Kosova, ose e thënë pak më ndryshe, Kikja nuk duhet të fitonte VETËM se ishte nga Kosova.””

    Teoria e Balles eshte se nje nga Kosova nuk mund te fitoje ne Shqiperi se shqiptaret votojne ata nga Shqiperia dhe po te fitonte Kikja kjo do ish shenje e manipulimit, se ja dhane per keqardhje apo meshire.

    Qe nje dallim i tille te behet neper emisione pacavure, kjo eshte vertet per tu shqetesuar.

  4. Sa me bejne per te qeshur keto komente, s’mund ta ndalem.Si duket ende nuk kuptuam se Kosova eshte vetem nje regjion shqiptare. Sa per kurreshtjen tuaj u a them se Kosova eshte nje regjion qe mban ne vete disa krahina qe ne shume raste kan dallime me te medha ne mes vete se sa me krahina tjera te Shqiperise. Keto dallime qofte gjuhesore apo te zakoneve jane shume evidente. Merr shembull nje gjakovare apo pejane dhe beje krahasimin me nje nga zona e Llapit, Drenices apo Rugoves (qe kufizon me qytetin e Pejes), do te shihesh gjithe ato dallime. Qe e bejne nje Gjakovare me te afert me nje Elbanas apo Cam, nje Pejan me nje Tiranas apo Shkodran si ne te folur po ashtu ne zakone dhe ne anen tjeter nje Rugovas me nje malesor.
    Eshte shume karakteristike psh: fjala Presh qe perdoret ne Shqiperi nuk perdoret ne pjesen me te madhe te Kosoves por perdoret ne Presheve dhe ne zonen e Kaqanikut.
    Andaj ne shqiptaret duhet te studijojme veten, se jemi nje komb i pasur si ne aspektin gjuhesor dhe kulturor.
    Per fund, mendoj se ne jemi lokalist; Nese vije ne shprehje lagja do mbaj krah lagjes sime: nese qyteti qytetit time, nese krahina krahines time ……

    1. Kam (n)dëgjuar nga një profesor, se sipas një studimi, pyetja e parë më e shpeshtë që i bën një shqiptar nji shqiptari tjetër është: “prej nga je?” / “prej kahit je?”.

      Këtë e kam ndëgjuar shumë më vonë se rasti që e kam përjetuar vet kur isha student:
      Ishte marsi dhe unë me shokët e mi mësonim deri vonë se ishte kohë para provimeve. Meqenëse na kapte uria, shkonim me radhë, herë njëri herë tjetri, për të blerë bukë të nxehtë në një furrë, pas orës 12 të natës. Një natë, kur shkova unë, ma ndërpreu rrugën një polic. Në atë kohë bënin roje se mos po shkruan kush parolla të tipit “Kosova Republikë” se ishte muaji kur shënohej përvjetori i demonstratave. Polici ishte shqiptar dhe duke mu afruar, nga 3-4 metra larg, më pyeti:
      – prej kahit je?
      – prej Peje.
      – ku po shkon?
      – me ble buk.
      – leternjoftimin!
      …………………

  5. Karakteristike për një njeri nuk është aksioni por reaksioni.
    Nuk na karakterizon aq veprimi, sa na karakterizon kundërveprimi. Me fjalë tjera, karakteri jonë zbulohet nga reagimi i jonë.
    Kikja e zbuloi karakterin e vet me reagimin e tij pas humbjes.
    U tregua humbës i keq.

    Në shkrimin e tij Sokol Balla thotë se në Prishtinë dhe Kosovë sot ka pak rrugë me emra personazhesh nga Shqipëria, ndryshe nga emërtimet e rrugëve me emra politikanësh amerikanë. Ky konstatim, thjeshtë, nuk është i vërtetë!
    Rrugët e emëruara me emra politikanësh amerikanë mund të numërohen me gishta të njërës dorë.
    Shumë emra rrugësh në Kosovë janë trashëguar nga e kaluara kur nuk janë emërtuar sipas dëshirës tonë. Mbas luftës administrata ndërkombëtare, UNMIK, nuk ka lejuar që shumë rrugë të emërohen sipas dëshirës tonë. Në Kosovë rëndom rrugët janë emëruar me emra të njerëzve që kanë vdekur. Megjithëkëtë, shumë rrugë emërtohen me emra që nga Mbretëresha Teuta, pastaj Skënderbeu, Bogdani, Buzuku, Kazazi, Sami e Naim Frashëri, Mjeda, Pashko Vasa, Cajupi, Asdreni, Noli, Fishta, e deri tek Eqrem Qabej. Natyrisht, edhe personalitete tjera të shumta nga historia si Ismail Qemali etj. Ka pasur edhe kërkesa për emërtimin e një rruge në Ferizaj me emrin e Enver Hoxhës.
    Të gjithë këta emra, por edhe më shumë , janë përdorur për emërimin edhe të shkollave.
    Rruga ku unë e kam shtëpinë në Pejë sot quhet Gjergj Fishta. Para lufte quhej Gjuro Gjakoviq, sipas një komunisti serb.
    Shkolla ku unë kam mësuar, sot quhet Asdreni. Atëherë quhej Ivo Lola Ribar, sipas një komunisti jugosllav.Etj.
    Le të dihet, tha.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin