Kudo, në sheshet, rrugët, kolonat, pallatet e Tiranës, mesazhet e celularëve, xhamat e makinave, xhamat e dyqaneve, vizatime nën këmbë e sipër kokës, të zë syri vetëm një fjalë. Jo “grevë”, “punë”, “para”, “duhan”, “makina” apo “seks”, porse “Universiteti Vitrinat”.
“Kush sjell një student, merr një lavatriçe”; “Kush … dy studentë… dy celularë”; “Regjistro dy… paguaj një”; “… merr një televizor”; “… përfito një javë pushime”.
“Vitrinat” Universitet… “Vitrinat” shkollë e mesme… “Vitrinat” shkollë profesionale… ekonomike…. elektronike… shërbime sociale… hoteli-turizëm.”Vitrinat” kurse… gjuhe… tantra… kuzhine… anglisht… armenisht…. swahili… dreqi ta hajë.
Shkurt, në këtë periudhë papunësie, pasigurie e të pamjaftueshmërisë së profesioneve e aftësive, VITRINAT të ofron një tjetër aftësi a profesion.
Mirë e bukur! Tre muaj pa punë. Më nxorën me sebepin se nuk isha i kualifikuar për detyrën e re. Vendin ia lëshova ish-korrierit të ministrisë. Më duhet të filloj trajnimet, kualifikimet e mëtejshme. “Të nxënit gjatë gjithë jetës, Vanxho!” – .. ku dreqin e dëgjova?
Universiteti “Vitrinat”, me emrin që dëshmon një mungesë të theksuar fantazie, i përket Shoqërisë të karakterizuar po nga e njëjta mungesë fantazie, të cilësuar “Shoqëria 100% Shqip”, me drejtor e pronar E. V. Me siguri dashamirës i soap operës italiane Centovetrine.
Godina ndodhet përbri një qendre tregtare, një tjetër zë reklamash, buzë autostradës Tiranë-Durrës, e arritshme me autobusin e saj. Në periudhën socialiste kompleksi ka funksionuar si stallë lopësh, të cilat më pas janë përshtatur si kazerma ushtarake të NATO-s. Përshtypja militariste e ambientit duket se do të rrijë për një kohë të gjatë, ajo baritore e stallave të lopëve, edhe ca më gjatë.
Në hyrje ndodhet një postbllok e ca më tej një tjetër; pranë secilit postbllok rrinë tre roje me radio-marrëse. Duken banorë të fshatrave përreth Vorës. Vështrimet e tyre më inspektojnë hapat. Mundohen të më lexojnë drejtimin edhe pse po u drejtohem atyre. U kërkoj një takim me administratorin. Kam dëshirë për një këshillë. Dua të bëj kurs, studioj diçka a ku di unë. Asnjë përgjigje mua. Flasin në radio-marrëse dhe rrinë në vend të shushatur.
Në vend mbërrijnë dy roje të tjera, me radio-marrëse. Ma bëjnë me shenjë t’i ndjek. Në oborr shoh një godinë të madhe trekatëshe të verdhë, disa të vogla dykatëshe dhe nja katër të gjata njëkatëshe, me siguri ish-stallat e lopëve. Në gjithë këtë hapësirë zhvillohen mbi 20 kurse, 10 programe studimi universitare dhe rreth 5 shkolla parauniversitare. Një tjetër postbllok. Rreth e qark, sipër godinave postërojat e dikurshme të zëna me roje, veshur civilë. Gjithë ky shpenzim për një mulli (diplomash).
Gjithkund mbizotëron heshtja. Rojet e shumta nuk flasin. Kursantët apo studentët e rrallë nuk flasin. Rregull – mendova. Duhet. Kontributi për t’u lavdëruar në civilizimin e atyre zonave, e jo vetëm të largimit të horrave.
V. vjen me një shpurë tjetër rojesh shtatlarta. Edhe radiot i kanë më të mëdha. Pasi më heton me sy nga lart poshtë, më pyet: çfarë do? Nga pasiguria që më ngjall prania e kudogjendshme e rojeve belbëzoj …
Oferta është: certifikatë kursi, diplomë e shkollës së mesme (ca më shtrenjtë) dhe diplomë e shkollës së lartë (shumë më shtrenjtë).
Por vallë me çfarë e mori punën Xhemali, ish-postieri? Më duhet! Patjetër. Llogaris. Për një vit pune i bëj të gjitha. Do të më ndihmojë edhe Gimi. Ec!
Superprodhimi i universiteteve është ndër “fitorjet” më të mëdha tê Shqipërisë Berishiane.
Rritjes së cilësisë së unversiteteve shtetërore Berisha iu përgjigj apo e zëvendësoi me hapjen e kanateve për këdo që mund të futet, d.m.th masivizim.
Hapi i dytë ishte mbjellja si kërpurdhat pas shiut e universiteteve “private” anembanë vendit, njërin prej të cilëve autori e quan me të drejtë “mulli diplomash”.
Po kush nuk është i tillë?
Kristali?
I ashtuquajturi Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë?
UFO?
Universiteti Europian i Tiranës? (ky i fundit lajmëronte sot me bujë një konferencë shkencore për rolin global të SHBA në Shekullin e XXI….Hajde Sham, hajde Bagdad, tha).
Nurellari kishte një shkrim pardje ku kritkonte me të drejtë Berishën për vendimin për hapjen e 4 universiteteve të tjera si dhe të Shkollës së Administratës Publike apo diçka e tillë.
Fatekqësisht, arësimi në vendin e shqiponjave është kthyer në biznes, si çdo gjë tjetër, tha. Vaj vatani e mjer mileti për parinë që ka…
Nuk do të doja të bëja dy ndërhyrje të njëpasnjëshme, mirëpo gjetja fantastike e ofertave VITRINA mund t’i interesonte lexuesve në vazhdim… Ja lidhja:
http://www.njoftime.com/showthread.php?t=34143
Per te qare a per te qeshur? Kjo reklame/oferte te kujton ofertat e stadiumeve te baseball-it: “The first 5000 fans get e free hat and/or a free t-shirt.”
E bëj timin shqetësimin e autorit, por nuk më bind deri në fund shtjellimi, sepse i mungon, them unë, lidhja organike midis detajeve: reklamave, katundarisë dhe rojeve me walkie-talkie. Në një shkrim për universitetin Vitrinat unë dua të lexoj për universitetin Vitrinat: Çfarë produkti ofron ky universitet? Pse ruhet kaq shumë kompleksi i ndërtesave? Çfarë lidhje ka kjo me reklamën? Si duhet shpjegohet kontradikta midis një institucioni kaq të pranishëm në mediat dhe njëkohësisht kaq të tërhequr nga publiku? Këto janë pyetje që nuk i kisha para se të lexoja shkrimin, por që tani i kam. Në fund të fundit, një qendër arsimi privat nuk mbijeton dot veçse duke reklamuar veten, së paku në fillim, sa nuk është afirmuar nëpërmjet reputacionit. Te reklama nuk ka asgjë të keqe, ndoshta me përjashtim të shijes, por edhe kjo mund të falet, po t’i faturohet publikut të trashë që kërkon të bëjë për vete reklamuesi ose paguesi i reklamës. Edhe stallat e lopëve ndoshta i vlejnë autorit për metaforë dhe ironi, por nuk mund të skualifikohen vetvetiu, sepse gjetiu ngrenë galeri arti në fabrika të braktisura dhe pulari. Prandaj do të më pëlqente të lexoja diçka më tepër, në lidhje me këtë kundërvënie midis ubikuitetit të emrit dhe fshehtësisë së institucionit. Të jetë edhe kjo metaforë për arsimin privat në Shqipërinë e sotme?
dua te di me shume rreth se mesmes profesionale mjeksore te kesaj shkolle….degjova se eshte e pa akredituar…a njihet kjo shkolle ne shtet???vertete jam e interesuar sepse dua te filloj vitin e pare te mjeksorja….
Eni,
Një i njohuri im po bën një studim për çështjen e arsimit të lartë privat në Shqipëri dhe meqënëse njohuritë e tij në shqipe janë të limituara, më është dashur të fus hundën në dokumentacionin shqip për ta ndihmuar të orientohet.
Informacionet që kam parë rreth arsimit të lartë privat deri tani, janë qetë dhe thjesht lebetitëse.
Personalisht, edhe pse jo shumë larg nivelit qesharak në vetvete, të sugjeroj t’i drejtohesh shtetërorit.
Megjithatë, sipas informacioneve të mia, Universiteti Vitrinat nuk është i licensuar.
Nëse kërkon informacion për universitetet e licensuara mund t’i gjesh në faqjen e Ministrisë së Arsimit, më konkretisht:
http://www.mash.gov.al/arsimi_larte/home.html