Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Diaspora / Sociologji

NJERËZ NË QARKULLIM

Migracionet kanë zënë faqet e para të gazetave që nga rënia e Murit të Berlinit, duke elektrizuar mass mediat, ndezur opinionet publike në Evropë, e si rrjedhojë duke kushtëzuar vendimet politike të shteteve të ndryshme. Përveç këtyre, siç mund të parashikohej lehtë, çështja migratore hyri me të drejtë në politikën ndërkombëtare, duke vërshuar, shpesh me prepotencë, drejt shumë tryezave dypalëshe e shumëpalëshe. Me pak fjalë, migracioni zaptoi axhendën e politikës e të shoqërisë, duke kërkuar qeverisjen e lëndës dhe alternativa të qarta.

Dukuria migratore – e kujtojnë tashmë shumë burime – është e vjetër sa bota vetë. Moderniteti i kohës sonë ka futur në lojë ndryshore të reja, që i kanë kushtëzuar ndjeshëm migracionet. Qëkur transporti mori rrugën drejt zhvillimit të shpejtë, edhe gjeografia vetë nuk është ajo e dikurshmja. Një herë e një kohë, kryeqytete si Madridi, Roma, Praga, Varshava, ishin shumë më të largëta. Për të mos folur për Nju Jorkun e Moskën. Largësia ndjehej dhe prekej thuajse me dorë, nga pikëpamja e gjeografisë dhe e perceptimit. Pas hopit cilësor të transportit, falë edhe kolapsit të totalitarizmave përtej perdes së hekurt, pra të telave me gjemba dhe të hyrjedaljeve të hiperkontrolluara, këto metropole ngjajnë më afër. Madje, janë realisht më afër, ndonëse distanca është po ajo. Në epokën e web 2.0, ku çdo gjë mund të bëhet on line, nga bileta low cost tek check in, e deri tek rezervimi i taksisë së kthimit, mjaft ta vendosësh në mëngjes për të darkuar në sheshet e çfarëdo kryeqyteti evropian.

Natyrisht, lëvizjet janë të thjeshta vetëm për një pjesë të njerëzve, për ata që jetojnë pak a shumë brenda një hapësire të caktuar, që shumëkush e shikon si kështjellë të njëmendtë, me mure të larta e të trasha, për t’i mbrojtur ose për t’i kapërcyer, sipas rastit. Siç dihet, me ritmet e shpejtësisë, të mediave dhe të globalizimit u përshtatën edhe migracionet. Këto janë disa nga arsyet e “suksesit” të migracionit qarkullues, një kategori e mesme, brenda tipologjisë së pasur të migracioneve. Migracioni qarkullues bën pjesë në migracionet e përkohshme, meqenëse bëhet fjalë për migrantë që i futen aventurës migratore në mënyrë ciklike. Por në të njëjtën kohë, migracionet e përkufizuara si qarkulluese janë edhe të kthimit, meqë migrantët duhet gjithsesi të kthehen për t’u nisur sërish.

Tregu perëndimor i punës, që ka pësuar ndryshime rrënjësore dhjetëvjeçarët e fundit për shkak të segmentimit e të fleksibilizimit, ka luajtur rolin e magnetit kundrejt flukseve migratore. Punët e famshme 3D (dirty, dangerous, difficult – të pista, të rrezikshme, të rënda) u rezervohen vetëm migrantëve, të cilët rregullojnë mungesën e krahut të punës në vend – edhe për faj të plakjes demografike – në shumë sektorë të rëndësishëm. Tradicionalisht, edhe pse në masë më të vogël, migracioni qarkullues ka qenë lidhur me punët në bujqësi, një sektor “stinor” par excellence; por edhe ai ndërtimor, ku veprimtaria rritet me afrimin e motit të mirë. Sot vihen re gjithnjë e më shumë figura si tregtarët ambulantë, punonjësit në sektorin hoteleri-turizëm, ose punonjësit tejet të kualifikuar që punojnë vetëm për disa muaj në vende të tjera.

Po të shihen në kuadrin e një bote të zvogëluar për shkak të zhvillimit të komunikacionit, migracionet ndërkombëtare qarkulluese shfaqen si shtrirje e thjeshtë e migracioneve të vjetra të brendshme. Në fakt, vetë fjala “të brendshme”, mund të dëftonte fare mirë “kufijtë e BE-së”, “Evropën”, “Mesdheun”, duke e tradhtuar në thelb konvencionalitetin juridiko-gjeografik. Në këtë kuptim, migracionet qarkulluese përbëhen nga njerëz që zhvendosen periodikisht në vende të tjera për të punuar. Nëse do të funksiononin përsosmërish e në kuadrin e legalitetit, këto flukse do të ishin funksionale për ekonominë dhe do të zgjidhnin shumë probleme. Në këtë prizëm, veprimtaritë që e promovojnë këtë lloj migracioni marrin një kuptim vërtet pozitiv.

Në një shoqëri imagjinare, ku migrantët do të njiheshin kudo si pasuri, teknikët e një modelizmi social po aq imagjinar, mund të ndërtonin teorikisht një mekanizëm të përkryer, ku flukset migratore të niseshin mekanikisht në kohën e nevojshme, e të ktheheshin pasi të mbaronin punë, gjithnjë nëpërmjet tubave dhe kanaleve sociale, në vendlindje. Në këtë mënyrë, përveç shndërrimit të linearitetit të vjetër të migracioneve në qarkullueshmëri moderne, përveç zëvendësimit të palëvizshmërisë së dalëmode me lëvizshmërinë e efektshme, mund të shmangen dukuri negative, si papunësia, konfliktualiteti shoqëror, ikja e trurit, migracioni i parregullt, dumping-u social, etj. Mirëpo ky vizion kaq hidraulik i dukurive sociale, ndonëse i bukur e funksionues, nuk mban parasysh ndryshoret njerëzore, madje as armiqtë e migracionit qarkullues, i ligjshëm e i dobishëm si tipologjitë e tjera migratore.

Është e vërtetë se karakteri qarkullues i migracioneve është i shëndetshëm për ekonomitë e vendeve të interesuara, sepse nga një anë kompenson deficitin e krahut të punës e nga tjera ndihmon ekonomitë nëpërmjet dërgesave valutore. Gjithashtu, migrantët përfitojnë know how të vyer pasi kthehen në vendlindje, ku mund të krijojnë nisma ekonomike në trajtë rrjeti me vendet ku kishin emigruar dikur. Vlera e punës së tyre dallohet para së gjithash në kontributin e drejtpërdrejtë për dy ekonomitë, por posaçërisht në veprimin integrues ekonomik që veprimtaria e tyre çon përpara në mënyrë të natyrshme duke krijuar një rrjet marrëdhëniesh e shkëmbimesh të domosdoshme për zhvillimin e shumë rajoneve. Si të thuash, puna e migrantëve është shpeshherë mbështetëse, në mos pararendëse dhe endëse, e shumë projekteve politike, ekonomike, sociale me rëndësi parësore.

Pa dyshim, kontributi i migrantëve nuk është vetëm ekonomik, pasi kthimi i tyre, më i shpeshtë meqë qarkullues, ndikon me anë të sjelljeve dhe praktikave sociale, që janë plotësuese nga pikëpamja administrative e të rëndësishme kulturorisht. Në planin demografik nuk del në pah ndonjë kontribut konkret nga ana e migracioneve qarkulluese, kurse në atë të brain drain, vihet re një veprim pozitiv, nëpërmjet ruajtjes dhe vlerësimit të kapitalit njerëzor të vendeve në zhvillim.

Armiqtë e migracionit qarkullues janë të shumtë, duke filluar nga enfatizuesit me tituj të ndryshëm, që duan ta shesin si panacé të të gjitha problemeve të dukurisë migratore. Që ky lloj migracioni është pompuar më shumë seç duhej nuk ka pikë dyshimi; madje dallohen edhe shenja mitizimi, kryesisht nga ata që e kanë inflacionuar prej kohësh sloganin retorik “le t’i ndihmojmë në vendin e tyre”. Armiku tjetër është pështjellimi ekzistues në njohjen e dukurisë së migracionit, që nuk fillon e mbaron me konceptin, anipse të rëndësishëm, të qarkullimit. Nuk mund të mohohet se ky koncept, i keqkuptuar natyrisht, e lehtëson ankthin e atyre që duan t’i shohin migrantët nëpër fusha, kantiere e fabrika, por jo nëpër sheshe e në shkolla, pra të atyre që do të donin krahë pune e jo njerëz.

Nga ana tjetër, masat shtrënguese në lëmin e migracionit nuk është se e ndihmojnë karakterin qarkullues. Një migrant që sapo ka marrë dokumentet, me lejeqëndrime tashmë gjithnjë e më të shkurtra e/o vartëse nga kontratat e punës, do ta mendojë një mijë herë rrugën e kthimit, veçanërisht nëse ka bërë shpenzime të mëdha për të mbërritur në vendin e imigracionit. Shtimi i kontrolleve, sikurse skajëzimi i praktikave burokratike, ua heqin mendjen migrantëve nga projektet eksperimentale me rrezik të madh. Në këtë kuadër, krizat ekonomike nuk i ndihmojnë aspak, për arsyen se vendi i punës nuk gjendet lehtë në një situatë papunësie. Në fakt, edhe në migracionet e fundit brenda Evropës vihet re tendenca e qëndrimit dhe e stabilizimit (shiko studimin e fundit të Caritas/Migrantes “Rumunët në Itali midis refuzimit e pranimit”, Idos, Roma 2010), jo tendenca e qarkullimit dhe e fleksibilitetit.

Metafora e urës, për ta shpjeguar rolin e migrantëve në favor të shoqërisë së nisjes e asaj të mbërritjes, është e përsosur posaçërisht në rastin vendeve që kanë dalje në det. Metafora vlen më shumë për atë kategori migrantësh që duhet ta përshkojnë atë urë, d.m.th. të jenë urë, më shpesh se të tjerët. Por ura ka nevojë për mbështetje e këmbë të forta, çka do të thotë se migracioni qarkullues mund të funksionojë mirë në mjedis të qëndrueshëm e të respektueshëm nga pikëpamja e të drejtave dhe e shërbimeve. Për fat të keq, ndonjëherë migrantët qarkullues përbëjnë pikën e dobët, pikërisht për karakterin e tyre të përkohshëm e provizor. Fluksi i tyre është shpesh vetëm një rrymë në oqean, gati e padukshme. Edhe sindikatat hasin vështirësi për t’i mbrojtur këta punëtorë, që mund të mbahen peng edhe në fushën e të drejtave themelore si banesa e siguria në punë.

Së fundi, por jo nga rëndësia, qëndron aspekti subjektiv i migracionit. Në mekanizmin e mësipërm imagjinar të inxhinierisë sociale, subjektiviteti përbën pjesën munguese, edhe pse është ajo më e rëndësishmja. Është e vërtetë se migracioni qarkullues e realizon ciklikisht ëndrrën e përjetshme të migrantit, d.m.th. kthimin, është e vërtetë se i ledhaton krenarinë e vullnetin për t’i ndihmuar njerëzit e vet, është e vërtetë se e stimulon kulturorisht dhe e bën gjithnjë e më shumë dinamik e me hapin e kohës; por është po aq e vërtetë se ekziston një kosto njerëzore për t’u paguar, që mund të kapet vetëm duke folur me personat e jo në laboratorët e alkimistëve socialë ose iluzionistët e retorikës politike. Projekti migrator i bazuar tek qarkullimi mund të varet nga shumë faktorë: ekonomikë, formues, familjarë, breznorë, kulturorë, e kështu me radhë. Shpesh kemi të bëjmë me të panjohura, sikurse në jetë. Sepse lindja e fëmijës mund t’i kërkonte prindit stabilitet në projektin e vet migrator, sepse të jetosh gjithnjë në moskuptueshmëri kulturore mund të jetë sfilitëse, sepse ushtrimi i të drejtave në dy ose më shumë vende njëkohësisht mund të rezultojë i papërballueshëm.

Në një shoqëri të lëngshme si kjo e jona, e përmbytur vazhdimisht nga frika e lëngshme – për ta thënë me dy tituj të famshëm të sociologut Zygmunt Bauman mos vallë kemi nevojë për migracion të lëngshëm? Ka mundësi që po për arsye homogjenizimi, ndoshta edhe si refleks i vështrimit utilitarist të imigracionit, i llojit “njëpërdorimsh”, rritur në fidanishten e ekonomisë liberiste, po atje ku lulëzuan aksionet toksike të financës së papërgjegjshme. Sipas gjasës mund të shërbejë si qetësues për ankthet sociale spontane e/o të induktuara. Por nga pikëpamja etike, e jo vetëm, kjo lloj ideje është e papërballueshme, sepse pas migracioneve, lineare ose qarkulluese qofshin, qëndrojnë njerëz, jeta e të cilëve nuk mund të planifikohet, veçse nëpërmjet krijimit të kushteve të lirisë e të respektit për dinjitetin njerëzor: i vetmi terren pjellor për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët.

Pa Komente

  1. Eshte nga analizat me te mira, me te plota e më up to date qe kam lexuar ne tersi per kete problem.

    Megjithate edhe ketu ve re, dhe kjo nuk eshte negative, frymen e sociologjise te shkolles se Çikagos (madje me fort te asaj qe quhet shkolle e dyte dhe e trete e Çikagos, qe me punimet e Becket, Strauss etj, analizoi me metoda mjaft eficatese edhe çeshtjet e emigraciont), por qe gjithsesi flet shume per pershtatjen e shoqerive perendimore ndaj valeve te emigracionit.

    Por nuk duhet harruar se po kjo shkolle (nuk po gjykoj Pishakun nepermjet shkolles, por dua te dal gjetiu), nuk la menjane edhe deviacionet emigracionit.

    Para tyre, Durkheim studioi ndryshimin e habitatit te emigrantit. Me kujtohet se ne nje liber ka folur apo ka analizuar shkaqet perse nje numer emigrantesh i lejojne vetes qe ne vendin prites te bejne gjera qe nuk i benin ne vend lindje etj., por nuk kujtoj detaje.

    Me tej, ne fillim te shekullit te shkuar antare eminente te shkolles se Çikagos dolen me nje liber te njohur qe mban titullin Fshataret polake ne Amerike dhe Europe. Thomas shkoi deri aty sa ndoqi nje grup emigrantesh nga vendlindja e tyre e deri disa vite pas nguljes ne Amerike.

    Nderkohe, ne vitet e fundit verej nje lloj shmangjeje te vetedijeshme te analizes dhe detyrimee qe kane edhe emigrantet ndaj shoqerive ku shkojne, perpjekjeve te tyre per integrim. Levizjet e majta sindikaliste dhe politike nuk me duket se jane dorejashte ne kete pune. Ato, per kundervenie politike, kane si tendence ta shohin emigrantin vetem si viktime te shoqerive kapitaliste perendimore etj.

    Dihet se nje emigrant, qofte kur ky eshte edhe nje qytetar a fshatar shqiptar, ai nuk del jashte kufijve te tij krejt i vetem edhe kur fizikisht paraqitet i tille. Ai del pertej me te gjithe mjedisin e tij psikologjik, zakonor, moral, emocional etj., qe mund te perbeje burim konfliktesh me mjedisin social ku shkon.

    Ne keto kushte kuptohet se kerkohen perpjekje edhe nga ana e emigranteve qe t’u pershtaten zakoneve te shtepise ku kane trokitur, perpjekje per t’u integruar etj. Se emigracioni mund te jete ure midis dy vendeve, por mund te sherbeje edhe si keputje urash ekzistuese, siç tregoi rasti rumun ne Itali, kur per vellezerit dakë te latinëve nuk deshte te degjonte me njeri, madje pati edhe organizime qytetare per t’u mbrojtur kunder tyre.

    Perballe presioneve te ndryshme shume shoqeri pane nje zgjidhje te komunitarizmi, por ne dhjete vjetet e fundit shume vete kane filluar te ngrene supet per vlerat e tij.

    Pra, per mua, ndersa shoqerite perendimore jane gjithnje nen presion per te gjetur forma institucionele dhe ligjore per te krijuar hapsira jetike per emigrantet, problemi nuk duhet cilesuar inekzisten edhe per palen tjeter.

    Ekuilibrimi i te tilla punimeve duke u shtuar edhe analizen e perpunimit te aftesive pershtatese nga ana e emigrantit, me duket se do t’i bente ato edhe me interesante.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin