Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim / Politikë

SHIHMËNI MUA

Për të kuptuar çfarë nuk shkon me ligjërimin politik sot në Shqipëri, nuk është e thënë të analizosh vetëm shembujt e gjuhës së keqe, ose të retorikës “hostile”, e cila mbizotëron debatet dhe konflikteve në kontekste pseudo-pluraliste. Shenja alarmante të distancimit të këtij ligjërimi nga e vërteta i gjen edhe në shembujt më të pafajshëm të ligjëratave ceremoniale, me të cilat liderët politikë nuk e humbin rastin për t’iu imponuar publikut si personalitete.

Për ilustrim, po sjell këtu më poshtë analizën informale të një fjalimi të mbajtur nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, për të përshëndetur krijimin e Universitetit të Sporteve të Tiranës. Gjatë këtij fjalimi të shkurtër, me rreth 560 fjalë, kryeministri përshëndet dhe falënderon funksionarë të universiteteve të huaja që e kanë mbështetur këtë universitet; si dhe përmend disa nga aspektet kryesore të misionit të këtij institucioni.

Çfarë mund të thotë një kryetar qeverie në rrethana të tilla formale/ceremoniale? Jo shumë, natyrisht; përveç disa vlerësimeve të përgjithshme dhe zotimeve nga ana e kabinetit të tij për ta ndihmuar universitetin e ri, ose për t’ia lehtësuar zbatimin e programit.

Megjithatë, edhe në këtë tekst të parëndësishëm, gjurma individuale e kryeministrit Berisha tërheq vëmendjen më shumë se përmbajtja e fjalimit.

Numërova rreth 18 instanca foljesh në vetën e parë njëjës; të cilave u bashkëlidhen pesë përdorime eksplicite të përemrit unë; këtyre u duhen shtuar katër instanca të përemrit ne, i cili i referohet pas gjase qeverisë; dhe po kaq të foljeve në vetën e parë shumës, të cilat i përgjigjen këtij përemri. Këto shifra, duhen krahasuar me 12 instanca të përemrit vetor ju (së bashku me trajtën e shkurtër ju dhe pronorin juaj) dhe nëntë instanca foljesh në vetën e dytë shumës.

Edhe pse të kufizuara nga vetë gjatësia e tekstit, të dhëna të tilla përvijojnë një ligjërim dukshëm të zhbalancuar në favor të subjektit folës; aq më tepër që veta e dytë shumës sundohet nga përemrat kundrina (ju përgëzoj, ju falënderoj, nderimi im për ju, do të investojmë tek ju, etj.), të cilat vetvetiu i atribuojnë rol pasiv palës përballë, ose publikut.

Siç mund të pritej, fjalimi është i pasur me forma vetë-referuese (metaligjërimore), të tipit:

unë shfrytëzoj rastin t’ju përshëndes…

unë vij sot këtu për t’ju garantuar…

gjej rastin të falënderoj edhe një herë…

unë ju garantoj se…

dua t’ju përgëzoj…

shpreh nderimin tim më të madh për ju…

jam shumë i sigurt se…

ne mbetemi të vendosur…

ne jemi të vendosur…

Si dhe disa forma të tjera, të cilat përcjellin, në mënyrë krejt të formalizuar dhe simbolike, ngazëllimin e folësit:

ju përshëndes shumë përzemërsisht…

unë me shumë kënaqësi kam pritur vendimin…

duke ju falënderuar shumë përzemërsisht…

Edhe një herë, në raport me gjatësinë e kufizuar të tekstit, denduria e këtyre formave duket tepër e lartë.

Kryeministrit Berisha ia kanë vënë re edhe të tjerë vesin e formave metaligjërimore, të cilat herë-herë marrin funksion performativ: unë ju garantoj, dua t’ju përgëzoj, shpreh nderimin tim më të madh, vij sot këtu për t’ju garantuar, gjej rastin të falënderoj… etj. Atij i pëlqen t’i eksplicitojë në ligjërim aktet e veta ligjërimore, thuase ka frikë mos publikut i shpëton se çfarë është ai duke kryer, teksa flet.

Por është gabim që forma të tilla të merren vetëm si klishé të pafajshme; një kryeministër që thotë “unë ju garantoj” normalisht duhet vërtet të garantojë; një kryeministër që thotë “ne jemi të vendosur të mbështetim elitën sportive” normalisht shpreh vullnetin e qeverisë së vet, për të mbështetur elitën sportive (çfarëdo që të jetë kjo). Për fat të keq, me shprehje të tilla si unë ju garantoj e unë ju siguroj po abuzohet kaq shpesh në ligjërimin politik të sotëm në Shqipëri, sa vlera e tyre performative është praktikisht zero; çka do të thotë edhe se shprehjet në fjalë janë kthyer në tregues eksplicitë të bullshit-it në ligjërim.

Në përshëndetje rutinë si kjo që po shqyrtojmë, është vështirë të shmanget retorika dhe klishetë gjithfarësh– por edhe këtu ka njëfarë mase, e cila mirë është të mos tejkalohet; sepse kur tejkalohet, atëherë efekti bullshit kërcënohet sërish.

Nga kjo pikëpamje, gjithnjë duhet pasur parasysh raporti i fjalës me vërtetësinë – sepse në momentin që ky raport përçudnohet, atëherë ligjërimi e braktis realitetin, për t’u shndërruar në një kornizë vetë-referenciale të subjektit folës.

Ja disa shembuj nga fjalimi:

Universiteti juaj vjen si rezultat i kontributeve madhore, i lumenjve të djersës, përkushtimit dhe dashurisë së gjeneratave të tëra, plejadave të tëra studentësh, pedagogësh dhe sportistësh që përfaqësuan me aq dinjitet vendin, Shqipërinë, në rajon dhe në botë.

Po a është vërtet kështu? Sporti në Shqipëri i ka pasur disa kontribute modeste, por të pamjaftueshme për të folur për “plejada të tëra” dhe “gjenerata të tëra”; veçanërisht fjala plejadë është për t’u përdorur me kujdes në kontekste të tilla; pa folur pastaj për lumenjtë e djersës dhe kontributet madhore. Po të më fliste mua kështu kryeministri im, do të mendoja se kam përpara një prestidigjator që po kërkon ta zhvendosë vëmendjen e publikut nga tema te vetja; por ndoshta kjo nuk vlen për një pjesë të mirë të publikut, që mund të jetë mësuar me këtë farë retorike, deri në atë shkallë sa t’ia kërkojë politikanit si kartë identiteti ligjërimor.

Ne inauguruam sot një sallë lojërash madhështore…

Vërtet madhështore? Nuk e di se ç’sallë është kjo dhe sa e madhe është, por di që madhështore nuk është nga ata mbiemra që mund të lëshohen si pa të keq, me funksione të sheqerosjes.

Ju do mund të përmbushni misionin e madh, për të edukuar jo vetëm studentët, por në radhë të parë shqiptarët, sepse misioni juaj i parë është misioni i edukimit sportiv…

Pak si tepër, për t’iu kërkuar një universiteti sportesh?

Në zhvillimin e harmonishëm të një kombi, asgjë nuk ka më të rëndësishme sesa edukimi sportiv i individit.

Të jetë vërtet kështu? Të jetë edukimi sportiv i individit aspekti më i rëndësishëm i zhvillimit të harmonishëm të një kombi? Natyrisht jo. Të besojë vërtet kryeministri Berisha se edukimi sportiv i individit është aspekti më i rëndësishëm i zhvillimit të harmonishëm të një kombi? Përsëri jo. Edhe një herë, këtu kemi të bëjmë një ligjërim me auto-pilot, ku klisheja përfton klishenë, dhe e vërteta shpërfillet, në emër të atmosferës, të raportit folës-dëgjues, dhe riprodhimit të roleve ligjërimore.

[S]hpreh nderimin tim më të madh për ju dhe për paraardhësit tuaj, të cilët me përkushtimin, me dashurinë, me sinqeritetin dhe me ndershmërinë e tyre ia dolën që sporti shqiptar të kapë gjithnjë e më shumë horizonte të reja…

Po çfarë janë këto horizonte të reja? Sporti në Shqipëri sot është në gjendje të mjerueshme, për çka mban përgjegjësi edhe qeveria. Stadiumet mbeten të zbrazura, programet sportive shkollore dhe masive as kanë të krahasuar me çfarë bëhej këtu e 30 vjet të shkuara, ndeshjet në kampionatet kombëtare shiten dhe blihen, terrenet sportive anembanë vendit janë shkatërruar, rezultatet ndërkombëtare të sportistëve tanë janë rregullisht shumë më të ulëta se para viteve 1990. Nga ana tjetër, vetë interesimi i publikut për sportin gjithnjë e më tepër identifikohet me aspektet komerciale në kontekstin e ekonomisë së tregut: sponsorizimi, televizioni, bastet, tregu i lojëtarëve, tregu i klubeve… Në këtë perspektivë, ci vuole culo, siç thonë italianët, që të flasësh për “mision të madh”, “elitë sportive”, “rëndësi parësore kombëtare”, “shtrirje të edukimit sportiv të qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit”… në një kohë që në këto katër anë të vendit deri edhe shkollat dhe spitalet po mbyllen…

Ne do të investojmë tek ju për të gjitha lehtësirat, instalimet që juve ju nevojiten, me qëllim që të përmbushni një detyrë të madhe kombëtare.

Këtu është kryeministri i Shqipërisë që po flet; madje po zotohet të investojë “për të gjitha lehtësirat, instalimet që juve ju nevojiten…”; po a është vërtet në gjendje qeveria e Shqipërisë të përballojë zotime të tilla, në një kohë që, siç del tërthorazi edhe nga fjalimi, investitorët dhe donatorët e huaj kanë luajtur rol parësor në krijimin e këtij universiteti të ri?

Edhe një herë, përroi i klisheve shërben për ta maskuar të vërtetën, duke e ngjyrosur ligjërimin me subjektin e këtij ligjërimi.

Siç shihet, ky fjalim rutinë i kryeministrit Berisha nyjëtohet si kombinim i referimeve të shumta në tekst ndaj personit të vetë kryeministrit me një mori klishesh me doza inflacionare madje edhe për këtë lloj diskursi, të cilat e maskojnë raportin e tekstit me të vërtetën, për ta zëvendësuar me raportin e tekstit me subjektin e ligjërimit, ose vetë kryeministrin. Ka diçka autokratike, pothuaj mussoliniane në këtë mes, ose një orvatje për të krijuar imazhin e plotfuqisë autoritare nëpërmjet plotfuqisë ligjërimore; por gjithnjë me mjete mekanike, jo organike. Në thelb, denduria e klisheve në tekst dhe sidomos prania e instancave performative dhe pseudo-performative (unë ju siguroj, unë ju garantoj, etj.) tradhtojnë vështirësitë e subjektit Berisha për ta mbajtur nën kontroll ligjërimin e vet; në kuptimin që, në momentet më kritike të këtij ligjërimi, nuk është Berisha që e kontrollon fjalën, por fjala që kontrollon Berishën.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin