Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

KANUNI SI ALIBI

Një film francez që pashë tani së fundi, Nid de guêpes, ku një bandë jashtëzakonisht e dhunshme kriminelësh shqiptarë pikturohej e themeluar e tëra mbi Kanunin dhe gjakmarrjen, më bëri të mendoj për stereotipizimin që po ia bëjnë dhe që po ia bëjmë shqiptarit të sotëm nëpërmjet këtij kodi zakonor arkaik.

Nuk është vetëm filmi në fjalë, pa ndonjë farë rëndësie në rrafshin ideologjik; por një prirje masive antropologjike dhe kulturore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që po i mëshon pikërisht Kanunit si kod gjenetik të kulturës dhe të etikës shqiptare etnike. Po sa bazë ka, vërtet, një stereotipizim i këtillë?

Në një artikull me titullin Albanians, Albanianism and the Strategic Subversion of Stereotypes, botuar në Anthropological Notebooks, XIV/2, 2008, f. 47-64, antropologia Stephanie Schwandner-Sievers, School of Slavonic and East European Studies, University College London, ka analizuar në mënyrë të shumanshme shkaqet e rigjallërimit të Kanunit si kod zakonor dhe rregullator social ndër shqiptarët në Ballkan dhe si artefakt interpretativ në Perëndim dhe gjetiu.

Këtu në vijim po përpiqem të jap një përmbledhje timen të këtij artikulli, duke ndjekur autoren ad literam, meqë tema më duket me interes për të hapur debat.

Stephanie Schwandner-Sievers vëren në krye marrëdhëniet perverse që janë vendosur mes krimit të organizuar të shqiptarëve në Perëndim dhe kanunit, si pikë referimi abstrakte ideale, shkurtore simbolike për ta shpjeguar dhunën e këtyre shqiptarëve kriminelë dhe parakriminelë, mes tyre dhe me të tjerë, me argumente të tipit determinist-kulturor, të tipit “e vrava për kanun”.

Autorja, që ka ndjekur nga afër si eksperte antropologe një numër çështjesh gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani që kanë pasur të bëjnë me krimin e organizuar shqiptar, vëren se “në të gjitha rastet, hetimet antropologjike kanë nxjerrë në pah faktin se, në kundërshtim me nocionin e predeterminizmit kulturor, dhuna [e shqiptarëve] zakonisht ushqehet nga interesi ekonomik informal, konkurrenca për pushtet dhe peer pressure brenda grupit, siç ndodh zakonisht me grupe të tjera etnike të margjinalizuara, që kanë formuar banda kriminelësh në metropolet perëndimore.”

Kanuni, si argument, është përdorur dhe vijon të përdoret nga shumë azil-kërkues të dëshpëruar, si “mbrojtje kulturore” në përpjekjet e tyre për të fituar lejen e qëndrimit në vendet perëndimore.

Në shumë raste, vëren Stephanie Schwandner-Sievers, viktimat ose kriminelët shqiptarë, në aleancë diskursive implicite me gjykatat e vendeve në Perëndim, kanë kërkuar shpjegime kulturore të dhunës në kanun.

Të dyja palëve u intereson t’i referohen kanunit si shkurtore kulturore; autoriteteve në Perëndim për t’iu shmangur analizës së thelluar të shkaqeve të kriminalitetit ose refleksionit për këto shkaqe; ndërsa kriminelëve shqiptarë për të marrë dënime më të lehta dhe për të forcuar pozitat e tyre në raport me konkurrencën, duke kultivuar një reputacion të posaçëm.

Ndërkohë, elitat kulturore shqiptare, vijon Stephanie Schwandner-Sievers, e kanë përdorur kulturën historike të kanunit për të themeluar një vijueshmëri etno-kulturore të mbështetur në supozimin se në thelb, ruajtja e ligjit zakonor ka qenë një nga elementet më të rëndësishme për të ndihmuar shqiptarët që të ruanin individualitetin e tyre nën sundimin osman.

Autorja vë në dukje se sot, në zonat e prapambetura veriore të Shqipërisë dhe në zona të ngjashme në Kosovë, të fortët lokalë i kanë rikthyer regjimet (modes) parakomuniste të orientimit social, duke përfshirë edhe kanunin, si pjesë e strategjive të tyre për të ruajtur pushtetin. Në këtë veprimtari, ata janë ndihmuar, dashur pa dashur, edhe nga dashamirës patriotë lokalë, zakonisht mësues, që kanë botuar kompilime të reja të kanunit, ndoshta me shpresë për të tërhequr vëmendjen e opinionit për krahinat dhe kulturat e tyre të braktisura.

Ka tri kontekste specifike, shpjegon Stephanie Schwandner-Sievers, ku shqiptarëve u pëlqen ta paraqitin veten në vijat e traditave patriarkale të nderit, mashkullorësisë dhe besës: së pari, kur mungojnë alternativat për të përftuar prestigj të grupit, të ardhura ekonomike dhe dinjitet personal; së dyti, atje ku kjo u shërben interesave politike lokale në kushte të varfërisë ekonomike, konkurrencës për burimet dhe shpërfilljes nga pushteti qendror; së treti, atje ku identiteti kombëtar i shqiptarit është përnjimend i kërcënuar.

Veçanërisht, në Shqipërinë e veriut kolapsi i regjimit komunist, sipas Stephanie Schwandner-Sievers, bëri që njerëzit t’u ktheheshin zakoneve parakomuniste në emër të vetërregullimit. Rigjallërimi i retorikës dhe ritualeve tradicionaliste ka ndihmuar për të mbajtur në këmbë një rend të brishtë, duke përfshirë negocimin e autoritetit lokal dhe rishpërndarjen e tokës.

Më në fund, thotë autorja, grupet kriminale dhe parakriminale, që shpesh vijnë nga pjesët më të varfra të Shqipërisë së veriut dhe të Kosovës e kanë përdorur traditën për të fshehur interesat e tyre informale dhe për të forcuar kohezionin e grupit nëpërmjet kërcënimit dhe përdorimit të dhunës ndaj “tradhtarëve”. Me një fjalë, retorika tradicionaliste ka fituar truall në jetën sociale dhe politike, dhe traditat shqiptare janë rishpikur dhe rigjallëruar në zona të veçuara (niches) jashtë kontrollit shtetëror, në lidhje me interesat ekonomike ose atje ku kanë munguar alternativa të tilla, që të mos e lejonin kanunin të bëhej burim identiteti.

Pas antropologjisë juridike në lidhje me çështje të kriminalitetit ndër shqiptarët e mërguar dhe kultivimit lokal të kanunit në zona të emargjinuara dhe të braktisura nga pushteti qendror në Shqipëri dhe në Kosovë, faktori i tretë që e mban gjallë kanunin si shkurtore shpjeguese diskursive ka të bëjë me mënyrën si i kanë paraqitur mediat perëndimore shqiptarët e rizbuluar, pas viteve 1990; të frymëzuara edhe nga ekspertët europianë të së drejtës të apasionuar pas “arkeologjisë kulturore” dhe kërkuesit që e kanë shndërruar ekzoticizimin dhe folklorizimin në praktika profesionale (këto karakterizime të fundit janë të studiueses Mariella Pandolfi, të cituar në artikull).

Këtu Stephanie Schwandner-Sievers përmend edhe rolin kushtëzues që kanë luajtur shënimet e udhëtimit, duke u ndalur në Accursed Mountains të Robert Carver (Abbeville Press, 1998), autor i cili e sheh të arsyeshme të thotë, ndër të tjera se “kanuni i Lekë Dukagjinit ofron një portret të thellë psikologjik të Shqipërisë bashkëkohore” ose që “kanuni përfaqëson çfarë shqiptarët, në esencën e tyre më të thellë, besojnë si të drejtë dhe të padrejtë…” duke sugjeruar pastaj se “asnjë funksionar nuk duhet të lejohet të negociojë me shqiptarët ose të vizitojë Shqipërinë, pa e zotëruar më parë këtë kod thelbësor, që nxjerr lakuriq shpirtin e vërtetë të një populli të lashtë, krenar dhe shumë të keqkuptuar.”

Efekti i veprimit sinergjik të gjithë këtyre faktorëve, përfundon Stephanie Schwandner-Sievers, bën që shqiptarëve t’u atribuohet, në mënyrë stereotipike, një kulturë e dhunshme me rrënjët në kanunin. Si shenjues diskursiv, thekson autorja, kanuni u ka shërbyer agjencive ndërkombëtare për ta paraqitur deviancën e imigrantëve si normë në rastin e shqiptarëve, në vend që të kërkojnë shkaqe të tjera më komplekse; dhe u ka shërbyer drejtpërdrejt supozimeve për mangësinë e aftësive vetëqeverisëse ndër shqiptarët.

Me përmbledhjen më lart u referohem, pak a shumë me besnikëri, vetëm disa pjesëve të artikullit të Stephanie Schwandner-Sievers; kam lënë jashtë analizat që u bën autorja lidhjeve midis stereotipizimit të shqiptarit të sotëm nëpërmjet kanunit dhe mënyrës romantike si iu qas kultura britanike dhe gjermanike Ballkanit shqiptar (dhe jo vetëm) gjatë shekullit XIX – edhe pse letërsinë bashkëkohore të udhëtimit, dokumentarët antropologjikë dhe stereotipizimet (orientalizimet) përkatëse nuk mund t’i kuptojmë deri në fund, pa iu referuar, bie fjala, traditës travelogjike të një Edith Durham-i, ose edhe veçanërisht një Karl May-i. Gjithsesi, shpresoj ta kem dhënë qartë idenë kryesore se kanuni (si i tillë, pra si kod zakonor tradicional, jo doemos Kanuni i Lekës në veçanti), me praninë e tij të sotme në mediat dhe në stereotipizimet perëndimore për shqiptarin, sikurse edhe në vetë përfytyrimin e identitetit kombëtar nga një pjesë shqiptarësh, është më tepër një konstrukt kulturor artificial, ose një artefakt pothuajse magjik që shërben para së gjithash si alibi ose justifikim/ngushëllim moral për krimin, paligjshmërinë, hierarkitë lokale të pushtetit, prapambetjen politike dhe kulturore, margjinalizimin, poshtërimin dhe varfërinë.

Dua të shtoj, gjithnjë në këtë kontekst, se edhe vëmendja që po i kushton kanunit dhe gjakmarrjes kultura shqiptare elitare bashkëkohore, duke filluar që me Prillin e thyer të Kadaresë e deri te filmi i tanishëm Gjallë! i A. Minarollit dhe filmat dokumentarë për “virgjineshat” dhe riciklimi i pafund i temës së shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës II për shkak të “besës shqiptare” kanë luajtur rolin e tyre të rëndësishëm, në ushqimin, analizën, zbërthimin, mitizimin ose dekonstruktimin e stereotipit përkatës; veçanërisht në raport me publikun e huaj kureshtar për shqiptarinë, shqiptarët dhe ekzotikën e tyre.

Pa Komente

  1. Artikullin e Stefanise e kam lexuar dhe perkrahur sigurisht. Filmi i Minarollit per mua ishte nje turp, kjo sepse e shoh jashte tempit te kohes dhe te ekzagjeruar, gjithashtu ne vazhden e filmave shqiptare ‘pa nje fraze qe te te mbese ne mendje’, pa perpunim skenari, hiq ndonje humor te palidhur me frymen e filmit, nga ish-aktoret e portokallise, qe e bente emocionin pergjate filmit te gjendej i corientuar. Kthimi i ekzotizimit te vetes ne kapital per disa eshte i turpshem. Ndersa per sa i perket artikullit te Stefanise, kthehem edhe njehere tek komenti juaj mbi trashegimin e kultures dhe ceshtjen e ‘gjeneve’. Ky artikull tregon se si ‘ringjallja’ e nje dukurie ne fakt nuk ka te beje aq me ‘njesite e percjelljes se informacionit kulturor’ se sa ka te beje me ‘rikrijimin’ e te njejtes dukuri, qe eshte e njejte vetem se terminologjikisht dhe siperfaqesisht, nderkohe qe kjo mund te kuptohet (ne disa raste) thjesht me nje kendveshtrim sinkronik funksionalist dhe jo si hije e pashlyeshme e se kaluares. Aplikojeni te njejten logjike tek tema mbi ‘njesite percjellese te shtyses per emigrim’.

  2. ””Ringjallja e nje dukurie …….. mund te kuptohet…… me nje kendveshtrim sinkronik funksionalist…….. Aplikojeni te njejten logjike””

    Me fal po c’lidhje ka nje koncept si ‘ringjallja’ me kendveshtrimin sinkronik ?

    Ringjallja e nje dukurie eshte dukuri qe ‘ngjan’, dmth kemi te njejten permbajtje/esence qe riparaqitet ne forme te perafert, te ngjashme.

    Dukurite qe sot i lidhin me kanunin (qe duhet te ngjajne), nuk kane ne esencen e tyre asgje kanunore, vetem formalisht mund te lidhen me kanunin. Kanuni ne esencen e vet ka ndryshueshmerine, e cila eshte e mundur vetem ne shtjellimin e dukurive me ane te nje mendesie te caktuar.

    Kur kjo mendesi , resht se perpunuari dukurite, atehere kanuni behet i pandryshueshem dmth behet i demshem.

    Mbijetesa e kanunit ne zonat malore te veriut dhe ne Laberi, i detyrohet lirise se mendimit qe keto zona kane ruajtur gjate pushtimit turk, nderkaq zonat e sunduara i jane nenshtruar nje procesi sh-kanunizimi, i cili larg se qeni i sosur vazhdon edhe sot.

    Sh-kanunizimi pardje behej ne emrin e Islamit, dje ne emrin e Komunizmit dhe sot ne emrin e Europes, kurse neser me fuqizimin e Kines ndoshta do te behet ne emrin e Saj.

    Por ky sh-kanunizim eshte i lidhur ngushte me metafizikat perkatese (ne rastin e komunizmin me ‘shkencen’ marksiste), dmth pa pervetesuar metafiziken lindore apo metafiziken perendimore nuk mund te funksionoje.

    Ngerci i europianizimit te shqiptareve, vjen si pasoje e zhdukjes nga qarkullimi te metafizikes perendimore e cila qysh me Platonin e Aristotelin per te vazhduar me ate hebraiko-kristiane e per te perfunduar me ate hajdegeriane, i ka dhene permasat etike dhe estetike Europes se sotme. Pra per mua sh-kanunizimi hecen mjaft ngadale, kap vetem nje pjese te parise qe perthith si te vetat permasat etike dhe estetike te Europes( duke u perpjekur te kape se prapthi edhe metafiziken perendimore). Kuptohet qe nuk ka asgje shqiptare ne esencen e kultures se pretenduar shqiptare te saj.

    Kadareja ne perpjekjen e famshme ‘kristianizuese’ deshmoi per nje shkeputje metafizike qe historia nuk do t’ia fale, nderkaq Ajo besoj se do ta fale Qosen, meqe do i dhuroje ndonje vend anesor.

    Autorja thote diku per Lubonjen ‘Albanian philosopher’. Pertej vertetesise se ketij percaktimi, autoritetit falas, me ben pershtypje domethenia e ketij percaktimi.
    Ndersa filozofia europiane eshte e lidhur ngushte me qyteterimin perendimor, pra ka rrenje greko-romako-hebraiko-kristiane, po ‘filozofia shqiptare’ c’kuptim e c’rrenje ka?

    Quo vadis shqiptaro ? – Ku vete, ne Rome po vete te kryqezohem prape. Sic e thote edhe post non modern; Ringjallja e nje dukurie …….. mund te kuptohet…… me nje kendveshtrim sinkronik funksionalist…….. Aplikojeni te njejten logjike…

  3. Duke lexuar komentet rreth kësaj teme në forumin Peshku pa ujë, ndesha në një diçka të jashtëzakonshme, të shkruar nga një komentues i njohur me emrin Hurbinek.

    Hurbinekun e ka shqetësuar, mes të tjerash, ky pasazh nga referimi që i bëj unë artikullit të Schwandner-Sievers:

    Më në fund, thotë autorja, grupet kriminale dhe parakriminale, që shpesh vijnë nga pjesët më të varfra të Shqipërisë së veriut dhe të Kosovës e kanë përdorur traditën për të fshehur interesat e tyre informale dhe për të forcuar kohezionin e grupit nëpërmjet kërcënimit dhe përdorimit të dhunës ndaj “tradhtarëve”.

    Pasazhi, thotë Hurbineku,

    … eshte per ne hale. Le te me sjelle shoqja nje studim a nje dreq raport çfaredo ku te thuhet lidhja mes vendit te origjines dhe krimit. Sepse, me sa di une, dhe me sa kam lexuar e degjuar e pare me syte e mi, pjese te varfra ka dhe ne Jugun e Shqiperise, dhe madje dhe grupe kriminale e parakriminale si t’i duash ti : i do per droge ? Aty i ke. I do per prostitucion ? Mbreter jane. I do per vjedhje ? Ekspert fare.
    Keshtu qe kesaj zonjes po i them : mos na çaj menderen fort por ul prapanicen aty ne karrike e futju letrave mire e pastaj hajde na llomotit ketu.

    Në origjinalin anglishte pasazhi tingëllon kështu:

    Lastly, criminal interest groups, often deriving from the most disadvantaged parts of northern Albania and Kosovo, have used ‘tradition’ to conceal their informal interests and to enforce group cohesion via the threat and usage of violence against those defined as ‘traitors’, both inside and outside the country.

    Për mua, reagimi Hurbinek është pa bazë (por simptomatik).

    Autorja qartazi nuk tenton të bëjë ndonjë analizë të prejardhjes së kriminalitetit shqiptar sipas zonave gjeografike nga vijnë pjesëtarët e bandave; por thjesht thotë se, mes grupeve kriminale shqiptare, ato që vijnë nga Shqipëria e Veriut dhe Kosova e përdorin “traditën” për të fshehur interesat e tyre informale dhe për të imponuar kohezionin e grupit nëpërmjet kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës ndaj atyre që përcaktohen si ‘tradhtarë’, brenda dhe jashtë vendit.

    Nuk thotë, as nuk ka arsye pse të thotë, se kriminaliteti shqiptar e ka prejardhjen kryesisht nga Shqipëria e veriut ose Kosova; artikulli nuk ka për qëllim të analizojë kriminalitetin shqiptar, as kriminalitetin shqiptaro-verior; por modifikimin e nocionit të kanunit, si mekanizëm referimi dhe rregullimi, brenda grupeve kriminale; dhe në këtë kuadër, autores i rezulton se, mes bandave kriminale shqiptare nga Shqipëria e Veriut dhe e Jugut, Kosova dhe Çamëria, Mali i Zi dhe Epiri (Novus dhe Vetus), janë pikërisht ato nga Veriu ose nga Kosova që e përdorin kanunin ose referimin ndaj kanunit në mënyrë oportuniste.

    Tani, për një lexues shqiptar kjo mund të tingëllojë si truizëm, sa kohë që ne kanunin zakonisht e shoqërojmë në mendje me Lekë Dukagjinin dhe malësinë e Veriut; edhe pse kanunet ekzistojnë edhe në Shqipërinë e Jugut, madje Kanuni i Labërisë është sistematizuar dhe botuar tani së voni nga Ismet Elezi (në mos gabohem). Megjithatë, faktet tregojnë se kanuni ende përdoret ose keqpërdoret në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë ose nga njerëz, grupe dhe komunitete me prejardhje nga këto krahina.

    Mirëpo artikulli në fjalë nuk u drejtohet shqiptarëve; as merr parasysh pritjet e tyre në lexim. Schwandner-Sievers i drejtohet një lexuesi jo doemos në korrent të shpërndarjes gjeografike të kanunit dhe të vrasjeve rituale në trevat shqiptare, prandaj edhe detyrohet të specifikojë se cilët shqiptarë pikërisht kanë gjasë të bashkëlidhin kanunin dhe krimin në perceptimet dhe shpjegimet e tyre. Hurbineku dhe shokët e tij nuk ka pse të shqetësohen; krimi në Jug të Shqipërisë dhe mes shqiptarëve me prejardhje nga Jugu është shëndoshë e mirë, nuk e ka hequr kush nga harta, qoftë edhe vetëm për të mirë të ekuilibrit ndërkrahinor dhe vëllazërisë ndërshqiptare.

  4. Autorja se c’te le me nje shije te cuditshme. E ka lidhur aq here fjalen ‘violent’ me kanun, saqe kur mbaron leximin, pavaresisht qellimit te saj te mbushet mendja per lidhjen thelbesore mes kanunit dhe dhunes.
    Ne fakt vete fjala ‘violent’ nuk merret vesh mire se cdo te percaktoje, krimin, rreptesine apo agresivitetin.

    Qe kanuni eshte i rrepte nuk perben ndonje sekret, qe lidhet me konceptin e gjakut(fisi, familja lidhen me gjakun) po ashtu nuk eshte sekret, qe gjaku si fjale perdoret gjeresisht ne Shqiperi dihet; gjaku s’behet uje, gjakprishur, gjaknxehte, gjakftohte, gjakmarrje, te rrjedh gjak apo uje ne vena, i hipi gjaku ne koke etj. Ndonje nga keto eshte ‘e paperkthyeshme’ si ndodh shpesh me shprehjet popullore.

    Por ka dicka qe duhet permendur, kanuni eshte/ka qene territorial dhe etnik.

    Territorial, ne kuptimin qe jurisdiksioni i tij, perfshinte nje zone te caktuar qarte, e cila patjeter duhet te ishte e vetqeverisur. Jashte kesaj zone vetqeverisje, vepronte me shume si zakon (mores) sesa si ligj (lex) . Brenda zones ishte edhe mores edhe lex.

    Etnik ne kuptimin qe vepronte vetem nder shqiptare, nuk pretendon qe ta zeme romet apo serbet apo greket ti nenshtrohen atij. Vetem ne rast se keta teorikisht do pranoheshin si shqiptare ( po s’bente vaki kurre jashte ndonje martese ‘allasoj’) atehere funksiononte.

    Raportin mes shqiptarit(etnia, bashkesia, krahina) dhe te huajit, kanuni nuk e rregullon ne shtepine e te huajit, por vetem kur i huaji vjen ne shtepine e shqiptarit.

    Nuk ka asnje pretendim te funksionoje ta zeme nese shqiptari shkon ne Itali apo Gjermani, sepse eshte i lidhur ngushte me territorin dhe etnine (bashkesine qe perkufizon).

    Nese nje qe zbaton kanunin shkon ne shtepine e italianit apo grekut, nuk mund te pretendoje kurrsesi qe italiani apo greku te sillen sipas kanunit dhe t’ja bejne nderet apo ti vene detyrimet sipas kanunit. Nese ky individ e pretendon kanunin aty, atehere ky s’ka marre vesh cfare eshte kanuni.

    Kur 2 kanunore le te themi, shkojne jashte e takohen, kanuni aty s’vepron fare si ‘lex’ por vetem si ‘mores’ mes te dyve. Ne nderveprimin e tyre, si lex funksionon ligji i vendit ku ndodhen.
    Mund te themi qe kur kanuni vepron si mores por jo si lex, atehere shqiptari nuk ndodhet ne ‘ligje shqiptare'(ose te shqiptarizuara), mund te jene ligje turke(pushtim), ligje italiane, greke, amerikane(kur je emigrant), ose ligjet e shtetit shqiptar, te cilat jodomosdoshmerisht mund te quhen ‘shqiptare’ apo te shqiptarizuara (zakonisht pertojne ti shqiptarizojne).

    Keta emigrantet qe e pretendojne kanunin si lex e jo si mores dhe ‘vrasin per kanun’, une i shikoj nder te tjera edhe si viktima te paqartesise dhe te krizes post-komuniste.
    Kanuni eshte thellesisht territorial dhe etnik (bashkesi), duhet te plotesohen te dyja kushtet qe te veproje me forcen e ligjes, perndryshe ka vetem keqkuptim.

    Por ashtu si kanuni nuk pretendon te beje ligjin tek toka e huaj apo mes te huajve, edhe i huaji duhet te mesoje kanunin kur hyn ne nje territor kanunor. Ne kete pike ka nje rreptesi tashme mitike. Turisti i huaj psh ne ca zona qe pretendojne ende kanunin, duhet ta mase mire bythen kur hyn, se jo per gje po te njejten gje bejme edhe ne te tjeret.

  5. Hyllin, me sa kuptoj unë, autorja ka mbledhur material nga gjyqet dhe proceset hetimore dhe çështjet gjyqësore që kanë të bëjnë me imigrantët shqiptarë dhe bandat kriminale të dominuara prej shqiptarëve; dhe ka vënë re se një pjesë e tyre priren t’i përligjin disa prej krimeve me anë të Kanunit.

    Për shembull, nëse vrasin një bashkatdhetar të tyre thjesht pse nuk ua ka kthyer borxhin dhe hetuesi kërkon të dijë arsyet pse e kanë vrarë, këta do të thonë: e vranë sepse ne kështu i vrasim ata që nuk na e kthejnë borxhin; sepse kanë shkelur fjalën ose besën, dhe kanuni kështu e dënon. Ose kur vrasin ndonjë koleg të tyrin, pasi e marrin vesh ose e dyshojnë se është informator i policisë, këta do të thonë: ky na preu në besë, dhe kanuni i jep ndëshkimin më të rëndë atij që i pret të vetët në besë.

    Natyrisht, shumë prej këtyre shqiptarëve kanë vetëm njohuri rudimentare, folklorike për kanunin; dhe e përmendin si motiv të sjelljes së tyre vetëm sepse ashtu e eksteriorizojnë përgjegjësinë për veprimet e tyre; duke ia lënë në dorë një agjencie të jashtme, supra-individuale, kolektive; çka u shkon për shtat edhe ekspertëve juristë multikulturalistë të imigracionit, në Europën Perëndimore, të cilët priren ta shohin kriminalitetin shqiptar si diçka që ka shtegtuar drejt Perëndimit së bashku me imigracionin shqiptar, jo si dukuri, tek e fundit, të vetë jetës perëndimore. Ky është një nga ato raste të shumta, për mendimin tim, ku multikulturalizmi fle në një shtrat me racizmin; meqë të pranosh, në nivel juridik, se këta njerëz i detyron “kanuni” që të bëjnë krime është t’i trajtosh këta si cilësisht të ndryshëm nga homo occidentalis, i cili është zot i fateve të veta dhe individualisht i përgjegjshëm për veprimet që bën.

    Në të vërtetë, i njëjti instrumentalizim po i bëhet kanunit edhe në Shqipëri e në Kosovë; ku, siç vë në dukje edhe autorja, të fortët dhe autoritetet lokale informale në skutat më të varfra dhe të prapambetura të malësisë, përpiqen t’ia faturojnë brutalitetin e tyre kodit zakonor, traditës dhe “shqyptarisë”. Në kronikat e zeza gjithnjë lexon për vrasje të kryera “për kanun”, të cilat me kanunin nuk kanë të bëjnë fare; në fakt, ka ardhur koha që vetë Kanunit të Lekës t’i shtohet një kapitull ose së paku një nen, ku të parashikohet ndëshkimi më i ashpër për abuzimin me kanunin.

    Unë ndonjë ekspert i të drejtës zakonore nuk jam, por kam lexuar që, edhe pse disa parashkrimet e kanunit për “gjakun” vijojnë të zbatohen, shpesh sipas interpretimesh ekstreme, të tjera parashkrime, që kanë të bëjnë me mbrojtjen, garancitë dhe vetë besën, në kuptimin e mirëfilltë të armëpushimit, nuk po i përfill më kush. Në pjesën më të madhe të rasteve të bëra publike, duket sikur kanunit nuk i ka mbetur veç emri ose zhgualli, ndërsa përmbajtja i është zbrazur nga çdo lloj fisnikërie dhe respekti për njeriun.

  6. “E urrej seksin qe nuk ofron lirim per te dy”,- shkruante Ovidi, ky “dandy in chef” i Romes se mermerte dhe te florinjte
    “Dhe kjo eshte arsyeja se pse te prekurit e djemve eshte me pak I deshirueshem,”
    E urrej vajzen qe jepet sepse I duhet,
    Dhe vete, si dru, e ka mendjen vetem tek te tjerrurit,
    Kenaqesia nuk eshte gezim per mua kur prej detyres vjen,
    Asnje vajze mos qofte e detyruar ndaj meje.
    Me pelqen te degjoj nje ze qe pohon ekstazen e kenaqesise se vet,
    Tek me lutet te mos prishem, dhe te vazhdoj akoma.
    I shoh gjate syte e turbulluar te se dashures sime ne ekstaze.
    Natyra nuk ia jep keto gezime rinise se eger,
    te cilat shpesh, kaq lehte vijne mbas te 35-ave…

    Keto fjale, e shume te tjera si keto mbushin vargjet e Ovidi ne Ars Amatoria.
    Me nje bukuri magjepse, e hap pas hapi, ai pershkruan te gjitha etapat e te dashuruarit apo te dashuruares: se si te fitoje ate per te cilen i pervelohet zemra, se ku ta gjeje ate, ku ta ndjeke, cfare te bej, cfare ti thote, si te sillet, si te vishet, kur ai ose ajo eshte e martuar apo e dashuruar me nje tjeter etj, etj. Ne fund te cdo seance, Ovidi iu thote pasueve te tij, se kur te arrinin ate cka kerkonin, ata mjaft te deklaronin : Ovidi ishte masteri im.
    Detajet e ofruara ne vargjet e Amores, Ars Amatoria dhe Remedia Amoris, jane aq te hollesishme ne peshkrim te situatave sa po te kish kerkuar Ovidi se bashku me Corinen e tij, te emigronte nga Italia ne Amerike, ne vitet 20-30 te shekullit te kaluar, ata me siguri do e kishin ndaluar ne kufi dhe do e kishin kthyer mbrapsh, si autor i librave qe korruptojne moralin e shoqerise (libri i tij u ndalua ne ato vite te hynte ne SHBA).
    I te njejtes mendje me censoret amerikan do te kete qene edhe August Oktaviani, 2000 vjet me heret. Por shqetesimin e pare per grate dhe vajzat e Romes dhe mungesen e patriotizmit te tyre ne mos berjen femije apo dhe evitimin komplet te marteses nga jeta e tyre, e pat ngritur ne Senat Q. Metellus Macedonians, nje prej censorve te hershem plebe te republikes, ne 131 pes, me nje diskutim te titulluar “ de prole augenda”. Detajet e ketij diskutimi nuk kane mbetur, por cfare ka mbetur eshte se ate e perdori August Oktaviani ne formulimin e ligjeve te tij te njohura si “ Lex Iulia”. Ishte perjekja e fundme e pushtetit per te censuruar sjelljen dhe influencuar kodin moral qe rregullonte jeten seksuale te nje shoqerie, e cila mbas luftes civile qe solli krijimin e perandorise romake, ngjante me nje feste gjigande Bacchanalesh te pafund . Ne baze te “Lex Iulia”, martesa ishte e rregulluar, numri i femijeve percaktonte shkallen e respektit qe shteti u ofronte nenave, adulterizmi denohesh deri dhe me vdekje etj, etj. Per te treguar se cfare predikonte per te tjeret, ai e zbatonte dhe vet, Augusti perzuri nga Roma vajzen e tij (femijen e vetme) Julia si dhe mbesen e tij te madhe Julia e Re. Vajza e Augustit, tejet e bukur, e emancipuar, e edukura, por libertine pa kufi, arriti sa te bente seks me te dashurit e saj edhe ne korridoret e Senatit. Princi nuk pranoi ta shihte me me sy, por e perzuri ne nje ishull te humbur, ku e beri te vdiste ne mjerim, ne mungese edhe te ujit e bukes se gojes.

    Personazhi tjeter i famshem qe ra nen tehun e shaptes se Lex Iulia, ishte edhe Ovidi, si autor i tre librave te perfshire ne Ars Amatoria. Ovidi qe s`kish prekur asnje pune me dore gjithe jeten e vet, per shkak te nje trashegimie jo te pakonsiderueshme, nje dite te bukur vere u urdherua qe te linte Romen dhe te nisesh drejt Tomis-it, nje qytet ne Geta – Thrake, ne brigjet e Detit te Zi. Tomis eshte Konstanca e sotme e Rumanise. Trauma e shkaktuar nga kapercimit prej te jetuarit ne mes te fames dhe te sofistikimit heleno-romak te kultures se Romes, ne ate te jetuarit ne mes barbarizmit te thrakasve, ku gjeja e vetme qe e lidhte dhe i kujtonte Romen, ishte nje garnizon ushtarak romak, i cili sa here qe qyteti sulmohesh nga barbaret, i bente banoret , nder ta edhe Ovidin, qe te merrnin shpate, mburoje dhe heshte e te zinin pozinionet ne mbrojtjen e mureve te drunjte, ndjehet ne thuajse cdo rrjesht te vargjeve te shkruara nga Ovid ne eksil. Mbasi la Romen ai shkruajti “Tristia” dhe “Epistulae ex Ponto”.
    Pervec pershkrimeve prej autorit per cka i ze syri, tema kryesore e shume prej pjeseve sillet rreth shfajsimit te vet, dhe lutjes per falje ne fillim ndaj Augustit, e me pas ndaj Tiberit. Ajo cfare me ka bere me shume pershtypje eshte panegirizmi i pakufi i autorit ndaj familjes princerore dhe princit vete. Eshte nje panegjirizem i ngritur ne sublimitet nga nje artist i dore se pare. E megjithe bukurine e saj, mendja s`ta rrok dot se si mund te kalohet brenda 50-60 vjetesh nga rrjeshtat e Katos apo Ciceronit republikan, ne zvarritjen servile, te neshtruar, lypese, ovidiane perballe figures se August Oktavianit.
    Por ketu s`kam ndermend te bej analize te Ovidit si poet, artist, apo deshmitar te epokes kur jetoi. Ajo qe eshte me e rendesishme per mua jane pershkrimet e tij qe ai i ben qytetit te tij te ri, Tomis-it, ku Princi e deboi te kalonte jeten e vet , deri sa te mbyllte syte po aty. Ne keto pershkrime Ovidi merret edhe me thraket, zakonet, veshjet, sjelljet e tyre. Madje edhe me gjuhen e tyre ( ai arriti te mesonte te fliste dhe shkruante poezi edhe ne trakishte, te cilat fatkeqesisht , nuk kane mbijetuar) Kur e kam lexuar se pari, por edhe me vone, vazhdimisht kam vrare mendjen e kerkuar te imagjinoj se keto pershkrime mund te ishin te njejtat edhe per kusherinjte e thrakeve, iliret. Qe ta shihni se per cfare e kam fjalen, me poshte eshte perkthimi e pjeseve ne fjale:

    …”Megjithese ne kete breg ka nje perzierje te grekeve dhe getaeve, pjesa me e madhe rrjedh prej getaeve te mezi zbutur.
    Grupe te medha sarmatesh dhe getaesh shkojne e vijne neper rruge maje kuajve te tyre. Nder ta nuk gjen asnje qe nuk mban me vete nje mbajtese shigjetash, nje hark dhe shigjeta me maje te zverdhur prej helmit te neperkes. Zera te ashper, fytyra te zymta, treguesi me i qarte i gjendjes se tyre mendore, as floket e as mjekra te prera nga nje dore e praktikuar, dore te djathta te gatshme per te therur dhe plagosur me thike, te cilen cdo barbar e mban te gateshme ne ane te vet. Ne mes te ketyre lloj njerezve, jeton, per dreq, rapsodi juaj, me shpresen qe ai te jetoje por te mos vdese mes tyre, ne menyre qe hija e tij te jete e lire prej ketij vendi te mallkuar. Po te shohesh kete vend, ai eshte bosh nga cdo lloj bukurie, dhe asgje ne te gjithe boten nuk ka me pak gezim; po te shohesh njerezit, ata kane me teper egersi te ashper se sa edhe ujqit. Ata s`kane frike nga ligjet; e drejta i hap rrugen forces, dhe drejtesia rri e shtrire nen shpaten agresive. Me lekurera dhe tirqe te gjera, ata i mbajne larg te keqijat e te ftohtit; fytyrat e pambajtura jane te mbrojtura nga tufa te gjata flokesh. Disa prej tyre ruajne gjurmet e gjuhes greke, po edhe kjo eshte barbarizuar prej tingullit hundor getik. As dhe nje njeri i vetem midis ketyre njerezve nuk flet qofte dhe fjalet me te thjeshta latine.Une jam i detyruar ti them pjesen me te madhe te gjerave ne gjuhen Sarmatine. Dhe e pranoj, megjithese me vjen turp: tashme edhe mua, prej mosperdorimit te gjate te latinishtes, fjalet ne te me vijne me veshtiresi…”
    …”Mos pyet pse, nese vargu im tingellon gabim, sepse tashme une jam nje poet getik.
    Ah, cfare turpi me jep! Une kam shkruar madje edhe nje poeme ne gjuhen getike, duke i vene fjalet simbas sistemit tone.Une madje edhe u pelqeva – me uro per kete – dhe fillova te fitoj emrin e poetit midis geteave te pacivilizuar. Me pyet per temen? Ti do ta lavderoje: une I kendova Cesarit.
    Kur e lexova te gjithen, te shkruajtur jo ne gjuhen e Muzave te mia te lindjes, dhe faqja e fundit ndjeu te prekuren e gishtave te mij, te gjithe levizen kokat dhe mbajteset e shigjetave te mbushura perplot, dhe pati aty nje murmurime te gjate ne buzet e getaeve…”
    …” Fise te panumerta perreth kercenojne me lufte, dhe mendojne se eshte turp te ekzistuarit pa grabitur.
    Askund nuk ka siguri jashte qytetit: kodra vete eshte e mbrojtur me mure te brishta, dhe nga pozicioni i vendit.
    Armiku zbret atehere kur nuk e pret,si zogjte, te padukshem deri ne momentin kur rrembejne prene e tyre. Shpesh kur dyert jane te mbyllura, brenda, ne mbledhim shigjetat e rena ne mes te rrugeve. Keshtuqe jane te rralle ata qe guxojne te punojne tokat, me njeren dore ne plug dhe me tjeren tek arma.
    Bariu i bie cyrles se tij te kuqe me tinguj te holle, nen nje helmete, dhe delet e frikesuara, tremben prej luftes e jo prej ujqerve.
    Ne mezi mbrohemi nen strehimin e keshtjelles; edhe turma e barbareve brenda, e perzier me greket, te fut friken, sepse barbaret jetojne mes nesh, pa diskriminim, dhe zene gjithashtu gjysmat e shtepive. Edhe po s`i pate frike, pamja e tyre me lekurat e tyre te deles dhe me gjokset e mbuluara me floket e tyre te gjata, eshte per tu urryer. Edhe ata qe mendohet se rrjedhin prej kolonise greke, veshin tirqe persiane ne vend te rrobave te paraardhsve te tyre.
    Ata komunikojne ne gjuhen e tyre te perbashket, dhe une duhet te spjegohem me ane te gjesteve. Ketu une jam barbari qe askush nuk e kupton, dhe getaet qeshin si budallenj me fjalet e mija latine. Shpesh ata flasin keq per mua ne sy tim, lirshem fare, ndofta duke u tallur me eksilin tim. Sic ndodh zakonisht, ata mendojne se ka dicka qe nuk shkon me mua kur une vetem tund koken per ”po“ ose “jo“ per cka ata thone. Shtoji gjithe kesaj faktin se shpata e mprehte eshte ajo qe e percakton drejtesine ne menyre te padrejte, dhe plaget jipen shpesh ne mes te forumit.
    Eshte turp per ta thene, por, nese e verteta do pranuar, turma ketu e vlereson miqesine ne base te perfitimit. Ata kujdesen se pari ndaj miqesise, e jo nderit, dhe besnikeria e tyre qendron ose bie me Fatin. Nuk eshte e lehte te gjesh qofte nje ne njemije i cili e konsideron virtytin si nje shperblim ne vetvehte. Nese nje verpim i drejte nuk sjell perfitim, ai nuk i ben pershtypje askujt, dhe te berit mire falas shihet si dicka per te ardhur keq. Vetem ajo qe jep fitim eshte e shtrenjte/ e dashur: hiqi shpresen per te fitura dicka , nga nje mendje makute, dhe askush nuk i shkon mbrapa. Perendesha e miqesise, dikur aq respektuar, e shet vehten, ne emer te fitimit, si nje prostitute. Ketu ka dashuri vetem per ata qe i ndih fati, por kur ky merr formen e furtunes, te gjithe ia mbathin kembeve…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin