Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim / Media / Totalitarizëm

ME SHKRONJA TË MËDHA (II)

A janë ruajtur gjëkundi fletë-rrufe nga vitet 1960-1970 në Shqipëri?

Vështirë të jenë ruajtur. Për vetë natyrën e tyre, fletë-rrufetë ishin sende unike, të shkruara me dorë dhe të prodhuara me mënyra artizanale – duhet të gjeje tabakun e kartonit, lapsat me bojëra, mundësisht edhe ndonjë “teknik” që i zinte dora për të vizatuar ose që shkruante bukur.

Pasi i ekspozohej publikut, fletë-rrufeja zakonisht nuk hiqej më; meqë shumica e “stendave” ishin në vende të hapura, fletë-rrufetë e vjetra ishin në mëshirë të elementeve: shiut, erës, kalamajve që luanin me to. Por askujt nuk do t’i shkonte mendja të koleksiononte një fletë-rrufe si të ishte pullë poste ose fotografi e rrallë, përveçse kur arkivimin e kërkonte hetuesia.

Kjo jetëshkurtësi pothuajse sublime i dallon dramatikisht fletë-rrufetë nga letrat anonime, ose në përgjithësi kritikat dhe denoncimet me shkrim, të nënshkruara dhe të panënshkruara, të cilat ruheshin në dosje të rregullta, sipas protokollesh të përcaktuara mirë.

Mjet i komunikimit masiv, fletë-rrufeja afrohej, për nga spontaneiteti dhe karakteristikat unike low-tech, me ligjërimin e folur publik; mund të fiksohej në media duke u fotografuar, sikurse mund të ruhet një fjalim duke u regjistruar në magnetofon. Gjithsesi, për nga natyra e tyre, mjete të tilla e përjashtonin riprodhueshmërinë mekanike.

Nuk ka dyshim se në Shqipëri fletë-rrufetë, si mjet propagandistik dhe i dialogut “revolucionar”, u ndikuan nga dazibao-t kineze dhe Revolucioni Kulturor në Kinë; edhe pse ndryshe nga dazibao-t, të cilat u imponuan si media alternative poli-funksionale, fletë-rrufetë në Shqipëri u mjaftuan me funksionin e denoncimit dhe të kritikës. Nga ana tjetër, sikurse edhe dazibao-t, fletë-rrufetë trashëguan elemente të rëndësishme të gazetës së murit, një mjet komunikimi i përpunuar dhe i përsosur në Rusinë Sovjetike (stengazeta), që pas Revolucionit të Tetorit (1917) dhe rithemelimit rrënjësor të komunikimit masiv, gjatë viteve eksperimentale 1920.

Nën shembullin sovjetik, gazeta muri gjeje kudo në Shqipëri, por mjeti zakonisht përdorej për qëllime informuese minore, ose për të afishuar krijime të ndryshme amatore letrare ose grafike (poezi, vizatime, etj.), ose njoftime të organizatave të masave – Bashkimeve Profesionale, Organizatës së Gruas, Organizatës së Pionierit. Kur nisën të afishohen në Shqipëri fletë-rrufetë e para, këto u mbajtën veç nga gazetat e murit; meqë ideja ishte që të specializoheshin vetëm në një funksion: të kritikës nga poshtë ndaj dukurive sociale, politike dhe kulturore me interes të përgjithshëm.

Sidoqë ndonjë orientim specifik nga lart për formën që duhej të kishte teksti i fletë-rrufeve nuk ishte dhënë, me kalimin e kohës vetvetiu u kristalizua një shabllon (template), të cilit të gjithë do të preferonin t’i rrinin besnik, qoftë edhe thjesht për t’u konformuar me vijën e Partisë, në rrethanat kur vetë teksti do të përmbante kritikë, ndonjëherë të rreptë, ndaj dukurive ekzistuese. Me fjalë të tjera, vijueshmëria politike do të pasqyrohej haptazi edhe në formën tekstuale.

Kështu, çdo fletë-rrufe do të kërkonte një pjesë hyrëse ose kontekstualizuese, ku autori i referohej një citati të rëndësishëm, ose situatës aktuale, p.sh.:

Në fjalën e vet me kuadrot e rrethit të Durrësit, shoku Enver Hoxha tha: […]

ose

Në një kohë kur mbarë vendi ynë është mobilizuar për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të 5-të…

Pas kësaj do të vijonte një përshkrim i shkurtër i problemit që e kishte motivuar fletë-rrufenë, e që mund të ishte një shfaqje e huaj tek një i ri “i paformuar” (flokë të gjata, veshje ekstravagante), ose një sjellje politikisht e dënueshme (antenë televizori për të kapur kanale të huaja, etj.), e kështu me radhë.

Në vijim, personit të kritikuar i bëhej thirrje për të reflektuar ndaj këtij problemi, ose për t’u “thelluar”; ndonjëherë, ftohej edhe organizata e rinisë ku bënte pjesë ky person, ose kolektivi i qendrës së punës, etj. për të mbajtur qëndrim.

Më në fund, personit në fjalë i kërkohej që t’i përgjigjej fletë-rrufesë.

Përgjigjja ndaj fletë-rrufesë përfaqësonte një fazë kyçe të procesit të dialogut; sepse vetëm nëpërmjet përgjigjes do të bëhej e qartë se fletë-rrufeja e kishte luajtur rolin e vet dhe mesazhi kishte mbërritur në destinacion.

Natyrisht, përgjigjet ndaj fletë-rrufeve kishin zakonisht natyrë autokritike: fajtorët e pranonin se kishin gabuar, falënderonin autorët e fletë-rrufesë për ndihmën dhe për kritikën, zotoheshin se çfarë do të bënin për të ndrequr gabimet ose përmirësuar situatën, premtonin çfarë duhej premtuar.

Vizualisht, përgjigjja dallonte qartë prej fletë-rrufesë; ishte zakonisht më e reduktuar në format dhe me shkrim dore të vogël, edhe pse ndonjë i moshuar merrte mundimin ta shtypte përgjigjen e vet me makinë shkrimi, për t’i dhënë një farë pamjeje zyrtare ose për të provuar se e kishte seriozisht. Ndonjëherë përgjigjja vazhdonte në disa fletë të numëruara, të cilat afishoheshin pranë njëra-tjetrës. Kur fletë-rrufeja kishte provokuar mbledhje kolektivi ose të organizatës ku bënte pjesë “fajtori”, përgjigjja adresonte edhe kritikat që ishin bërë në mbledhje, duke u paraqitur shpesh e hollësishme dhe e pështjelluar.

Nëse fletë-rrufesë i lejohej të trupëzonte në tekst edhe elemente krijuese heterogjene, si karikaturat ose bejtet, përgjigjet ishin zakonisht formale në ton; të krijohej përshtypja sikur fajtorët kërkonin të fshiheshin pas formatit të vogël, shkrimit të keq ose anonimitetit që sillte me vete formaliteti i tekstit të përgjigjes vetë.

Meqenëse edhe fletë-rrufetë edhe përgjigjet afishoheshin në të njëjtën tabelë, publiku i ngeshëm mund ta ndiqte dialogun sikur t’i zhvillohej para syve dhe të diskutonte për çështjet e trajtuara. Megjithatë, publikun më shumë e tërhiqte konflikti mes palëve, si një lloj spektakli gjysmë real (në akuzat), gjysmë i imagjinuar (në pasojat).

Dinamika e konsumimit të këtyre teksteve publike i bën edhe më unike në llojin e vet, duke i shndërruar njëkohësisht në dëshmi të vyera të komunikimit politik të kohës. Kështu, nga pikëpamja pragmatike (komunikative), teksti i fletë-rrufesë i drejtohej një personi (shumë rrallë një grupi ose një kolektivi, p.sh. organizatës së rinisë së një klase me probleme të mëdha disiplinore); autor i këtij teksti ishte zakonisht një grup (Kolektivi i Magazinës së Fruta-Perimeve) ose një organizatë çfarëdo (një grup të rinjsh nga Uzina “Enver”), më rrallë një person i vetëm i nënshkruar; përgjigjen e jepte zakonisht një person i vetëm, qoftë edhe kur e bënte këtë në emër të kolektivit të kritikuar, duke iu drejtuar autorëve të fletë-rrufesë; por i gjithë ky shkëmbim tekstual kryhej për llogari të publikut që do ta lexonte; çka i jepte vetvetiu karakter skenik, jo vetëm për nga forma e shkëmbimeve, por edhe për rolet që i jepnin vetes pjesëmarrësit – gjykatësit dhe gjykuarit, ndëshkuesit dhe fajtorët, masa dhe individët, e kështu me radhë. Tabela e fletë-rrufeve ishte edhe hapësira ku realizoheshin këto role, edhe pse të njëjtat mund të mbijetonin dhe të zhvilloheshin pastaj më tej, në hapësira të tjera; në kuptimin që një person i identifikuar si “fajtor” nga një fletë-rrufe çfarëdo do të mbetej i tillë edhe në mbledhjen e kolektivit ose të bllokut (në lagje). Krijimi, riprodhimi dhe mirëmbajtja e roleve të tilla ishte një funksion themelor i fletë-rrufesë.

Nga ana tjetër, fletë-rrufeja si mjet komunikimi masiv në duart e propagandës totalitare u gjallërua në një periudhë kur udhëheqja e PPSh-së dhe vetë Enver Hoxha po i jepnin rëndësi të madhe kritikës dhe autokritikës, si forma thelbësore të komunikimit jo vetëm brenda organizatës-bazë por edhe kudo gjetiu në shoqërinë shqiptare. Nëse kritika si formë ligjërimore nuk përfaqësonte gjë të re në komunikimin publik, autokritika ishte më e vështirë për t’u adoptuar, meqë kërkonte një lloj dyzimi të personalitetit të cilin jo të gjithë mund ta kryenin me lehtësi. Si rregull, autokritika nuk duhej vetëm t’i përgjigjej kritikës, por edhe ta përdorte këtë si platformë ose trampolin për të shkuar më tej; meqë askush më mirë se personi vetë nuk mund t’ia rrëfente masës fajet, dyshimet dhe gabimet e kryera ose edhe thjesht të menduara.

Vëzhguesve nuk do t’u shpëtojë, në këtë kontekst, ngjashmëria e autokritikës sa me rrëfimin e praktikuar nga të krishterët (katolikët dhe ortodoksët, si pjesë e sakramentit të pendesës), ashtu edhe me pranimin e fajit nga një i pandehur në hetuesi ose në sallën e gjyqit.

Njëlloj si për doktrinën e krishterë, edhe për komunistët rrëfimi autokritik ishte më tepër pjesë themelore e edukimit politik, sesa ritual i pastrimit të mendjes nga “lakrat”. Sikurse te të krishterët rrëfimi nuk i bëhet priftit, por Krishtit, me priftin si “dëshmitar” të aktit, edhe autokritika komuniste i drejtohej, në thelb, një autoriteti të epërm – me të pranishmëve në sallë në rolin e dëshmitarit ose të ndërmjetësit. Jo rastësisht Enver Hoxha, në Plenume ose mbledhje të Byrosë Politike, i ftonte gjithnjë të akuzuarit për gabime të ndryshme politike që “të thelloheshin” dhe “t’ia hapnin zemrën Partisë”, për t’i rrëfyer mëkatet e tyre në hollësi. Rëndësi kishte, veç të tjerash, që ta ulje individin si kategori sociale në gjunjë para pushtetit, në sy të masës.

Brenda hapësirës simbolike të tabelës së fletë-rrufeve, kjo dinamikë materializohej vetvetiu në fletë-rrufenë si instrument të kritikës, dhe përgjigjen si instrument të autokritikës; në një kohë që masa e publikut duhej ta konsumonte dialogun dhe gradualisht të mësohej me idenë që komunikimi publik nyjëtohej normalisht sipas kësaj dialektike të kritikës dhe të autokritikës, e cila lëvizte lirisht nga modeli në thelb beninj i sakramentit të krishterë, në modelin tjetër, të linçimit publik. Rrëfimi i fajit, si akt kyç i autokritikës, i përmbante të dyja alternativat.

I gjithë ky teatër u krijonte njerëzve edhe iluzionin se komunikimi publik mund të nistohej (iniciohej) edhe spontanisht e nga poshtë, nga masa; kundër autoritetit dhe burokracisë lart – çka i vlente veçanërisht klikës në krye, në rrethanat kur duhej përfunduar lëvizja e madhe revolucionarizuese e jetës së vendit, që drejtohej para së gjithash kundër strukturave sociale të trashëguara, traditës jokomuniste dhe inercisë kulturore. Kësisoj, një tjetër rol themelor i fletë-rrufesë, së paku në Shqipëri, kishte të bënte me ndërmjetësimin e vijës politike të vendosur në kokë të Partisë dhe të Pushtetit, duke e paraqitur si vijë të masave, ose të mbështetur në vullnetin e popullit në bazë.

Pa Komente

  1. Analize sh e mire formale e aktit te fleterrufese dhe dinamikave njerezore qe pasqyrohen ne te. Gjithashtu me duket i mprehte paralelizmi me aktin e rrefimit dhe ate te procesit gjyqesor. Personalisht e kam te veshtire te bej pergjithesime teorike per fleterrufete, sepse nuk jam e bindur qe kam njohuri te mjaftueshme per te gjitha llojet apo sub-zhanret e saj. Dhe as per evoluimin e saj ne vite e ne varesi situatash politike te brendshme e te jashtme. Gjithashtu, sic thuhet ne shkrim, grumbullimi faktik i shembujve per te inventarizuar format dhe natyren e fleterrufeve eshte i veshtire e mbase i pamundur sot. Kujtoj vec qe kam pare e lexuar te tilla qe kur isha ne shkollen tete-vjecare e deri ne universitet. Pas tij (pas 1985) nuk me kujtohet te kem hasur me fleterrufe. Duke qene qe eksperienca ime me fleterrufene ka qene ne nje fushe/domain te kufizuar shkollore, mbi ate baze ngre edhe idete e mia mbi te. Fleterrufete e qytetit i mbaj mend, dhe mbaj mend edhe qe i lexoja nganjehere mes tufes, por me dukeshin pak a shume te ngjashme ne natyre me ato te shkolles, ndoshta, mendoja atehere, me te rafinuara “artistikisht”. Kuptohet qe eshet afermendsh qe pasojat e llojit “shkollor” apo “jashteshkollor” te fleterrufese te ishin krejt te ndryshme ne lidhej me fatet e fakirit ne shenjester te fleterrufese.

    Pavaresisht nga lloji i fleterrufese une besoj keto linja te tjera mund te evidentohen:

    Shenjestra/target e fleterrufese ndahej me dysh: pesuesi (si element logjik i aktit) dhe publiku. Ne fakt fleterrufeja i drejtohej ketij te fundit, gje qe synonte te eliminonte edhe formalisht, cdo vlere apo dinjitete njerezor te pesuesit. Ai rishfaqej vec ne PERGJIGJEN e fleterrufese,por edhe ajo ishte aq e pritshme sa edhe aty i mungonte agjencia krejt, te ziut njeri.

    Lidhur me kete une shoh si qellim kryesor te frr-se percudnimin apo dehumanizimin karakterial te individit(apo grupit te vogel te degraduar) ne emer te mases se pagabueshme. Ideja “Turp te kesh!” ishte zemra e cdo frr-je. ketu maoizmi puqej, fuqizohej dhe i shkonte shume per shtat kultures sone tradicionale. Berja publike e ketij dehumanizimi shtinte frike po aq sa pasojat praktike te fleterrufese. “Nxirja e faqes”, nje tjeter mit tradicional i shoqerive primitive, per shqiptaret ishte po aq e rende sa lenia pa pune.

    Te vijme tek “ROLET” e aktoreve ne kete akt. KORI, besoj, ka rol themelor, aktiv e pasiv. Fleterrufeja normalisht shkruhej ne kor (pa dyshim qe kish fleterrufe me shkrues individuale), por normalisht ajo vinte nga grupi “rigoroz dhe besnik” ose nga nje person qe perfaqesonte pagabueshmerisht GRUPIN. Gjithashtu shpesh leximi behej po ne kor, pra edhe konsumimi i frr-se behej po keshtu. “Publiku i ngeshem” me duket gjetje e mire per te karakterizuar kete grup, por nganjehere edhe shkohej ne tufe per te lexuar frr-ne, sidomos kur kish karikatura. E gjithe kjo e izolon dhe ul edhe me fort individin te cilit i drejtohet frr-ja. Frr-ja bart ashpersine dhe pameshiren a mizorine e shume akteve te “demokracise direkte” qe ne fakt ai do te imitoje.

    Por, tamam kjo me sjell ndermend natyren e vertete te aktit te frr-se. Sa i vertete eshte ky akt? Ne fakt, ne shumicen e rasteve qe une sjell ne mend, ishte nje akt fals dhe i shtirur, sido qe shpesh me pasoja reale mbi jetet e njerezve. Mendoj qe kjo eshte arsyeja e pare dhe permbajtesore qe e afron aktin e fleterrufese me ate te teatrit, ose se paku me aktin performativ ne pergjithesi. Falsiteti ne permbajtje i ketij akti, e bente edhe me te fuqishem “formalitetin e tekstit” apo “shabllonet” formale qe duheshin ndjekur nga frr-ja. Eshte fals, sepse behet si poze per te marre levdimin e Partsise ose per te siguruar poziten tende ne krahun e duhur te fuqise. Eshte fals sepse konflikti dramatik ne te nuk ekziston, por stiset sipas normave ideologjike po aq te jashtme dhe te forcuara nga siper dhe nga jashte ndaj individit apo grupit shkrues. Eshte fals per menyren sesi lexohej apo konsumohej nga kori nr. 2, ai i sehirxhinnjve apo te interesuarve. Eshte fals sepse edhe “pesuesi” apo “fajtori” e dinte shume mire te gjithe kete skenar, dhe pergjigjen e jepte duku iu bindur po ketij skenari qesharak (kjo nuk do te thote qe nuk kishte force demtuese). Kish plot nga ata qe admironin ate qe ish ne qender te frr-se e te tjere te cileve u vinte keq per te, te tjere qe nuk duronin dot shkruesit e frr-ve, apo qe e shihnin te gjithe “dialogun” si nje lloj estrade. Jo fort shpesh, por nga kujtesa ime, kish edhe raste kur pesuesi “guxonte” te mbrohej publikisht. Nje nder ta, me sa di, ishte edhe i ndjeri e i bekuari Cabej. Por kish edhe nxenes shkollash qe i pergjigjeshin fleterrufese me nje fleterrufe.

    Besoj do ish nje studim interesant te krahasoheshin format e frr-ve ne Kine dhe Shqiperi dhe te shihej si influencoheshin nga kulturat tradicionale te ndryshme si dhe nga sisteme politike te ndryshme. Gjithashtu si e me sa force u rezistohej frr-ve ne kushte te ndryshme.

  2. Sa kam parë unë, mbas 1970-s, është në mjaft raste e ndryshme nga sa sillni këtu. Kjo mbase se ashtu ka qënë në Tiranë, apo se mbase të tillë u a sjellin kujtimet.
    Shkarazi dhe me radhë, sipas asaj që kujtoj unë:
    Në kujtesën time ruhet një fletë-rrufe që i bënin dikujt, një ndër fajet e të cilit ishte shprehja: Ku je moj guguçe tu bëftë Dashi. Fletë-rrufeja shoqërohej me një akuarel të Dashit, me kaubojse në këmbët me këpucë me maja që kryqëzonin njëra tjetrën, tokëz të stërmadhe tek rripi i mezit, flokë e baseta të gjata. Fletë-rruefja nuk ishte varur në ndonjë stendë, por brenda vitrinës së dyqanit ushqimor në mes të qytetit. Fletë-rrufeja nuk e pati jetën e gjatë sepse, si edhe për një të mëparshmen ishte interesi i të kritikuarit ta zhdukte prej atje – e ashtu bëri, ndonëse jo vetë, por me ndihmën e ca çamarrokëve (do kem qënë me sa duket) që ja morrën mendjen Vaskë dyqanxhiut duke i ngacmuar maçokun, e blerësve duke kërkuar sa majtas djathtas e sa lart e poshtë ku për çaj kinez, ku për pako kafeje, e kushedi ç’tjetër. Atje ndenjën varur përsëri dy përgjigje, njëra kopje e asaj që u shkul tok me fletërrufenë ku qe ngjitur me anë të gjilpërkave me kokë, dhe tjetra që siguronte se i kritikuari jo vetëm që nuk kishte dijeni për aktin e shëmtuar por kritikonte ata që e kishin bërë këtë. Interesante ishte se nga përgjigjet nuk merrej vesh përse ishte fletë-rrufeja, e njerëzit pyesnin njëri-tjetrin “mo po ç’ka bërë?” pa marrë përgjigje.
    Duhet të ishe vërtet guximtar të ruaje fletë-rrufenë e shkulur, do ishte më keq se një libër i ndaluar po të ta gjenin.
    Por fletë-rrufetë normalisht hiqeshin nga organizatat: e rinisë, e bashkimeve profesionale, e gruas; nga të lagjes, nga mirëmbajtësit e qëndrës së emulacionit, gazetës së murit, këta dy të fundit kanë qënë të punësuar ose të Vatrave të Kulturës ose të Pallateve të Kulturës, për qytetet dhe dizenjatorët apo piktorët për ndërmarrjet.
    Teknikisht, ishin këta të fundit, që vetëm nëse doje nuk i përdorje, që mund të të qëndisnin fletë-rrufenë më të bukur pa ju lutur, sepse ishte pjesë e punës së tyre; mjafton tu a kërkoje: shoku X, shkruajeni pak këtë- e tu zgjatje tekstin. Vendodhja e këtyre ishte një ndër dhomat para, anash a mbas të ashtuquajturit “Këndi i kuq”, ku nën hijen e klasikëve të m-l-së e parullave në stirofom, bukëpeshku, bëheshin mbledhje gjithfarësh e përgatiteshin grupet teatrale a muzikore.
    Mbaj mend të kem parë dikë të kishte shkruar një dyzinë të së njëjtës fletë-rrufe e ti ngjiste-varte ku të mundej; ndonëse shokët e rrethit – sa shpejt që e kishin marrë vesh- i shpjegonin se mjaft ishin dy a tre. Njeriu ishte këmbëngulës, një prej fletërrufeve donte ta vendoste tek një monument, dhe ashtu bëri.
    Nuk kujtoj një rast të vetëm që stenda (gazeta e murit që gjendej njëherë 100 e pastaj 50 hapa larg shtëpisë sime) të ekspozonte shkrime apo vizatime, (kujtoj se shtypi i kohës, qëndror e lokal botonte gjithçka) por mbaj mend që në çastin kur si të thuash u hoq dorë nga fletë-rrufetë, stenda lëvizi e u bë më e paraqitëshme, u ndriçua me neona, dhe materialet u siguruan mbas xhamash e kyçesh. Nuk ishte më si më parë që mjaftonin katër pineska dhe e ngulje në dërrasën e bombarduar të stendës. Por ndryshimi më kryesor më ngjan të ishte në përmbajtje, stenda apo tabela tashmë mbante kryesisht, në mos vetëm, emulacionin socialist; kjo jo aq për shkak të fiaskos qesharake të fletë-rrufeve, kthimit të fletë-rrufevë në armë që ktheheshin dhe kundër vetë hierakëve komunsitë, por sepse, sipas meje, mbas aq vite lufte e përpjekjesh, së pari, komunistët nuk kishin më interes të shfaqnin faqe popullit e botës (qindra m-l-ëve turistë) dështimin e përpjekjes komuniste, së dyti, pozitivizmit, arritjeve, nxitjes nëpërmjet shëmbullit të më të mirëve, ju dha prioritet.
    Për ngjashmërinë e autokritikës me pendesën, mund të them se vërtet komunistët e kërkonin këtë zëvendësim, pendesa për ta ishte e pamjaftueshme. As që kish kuptim që dikujt që nuk shkonte të bëhej minator, ti kërkoje pendesë, atij i kërkohej të bëhej minator, reagimi i drejtë ishte e vetmja “pendesë”, krijimi i njeriut të ri nëpërmjet kritikë-autokritikës ishte transformues, shndërrues. Ndryshe nga pendesa që i ka rrënjët në të shkuarën, autokritika i kërkon rrënjët në të ardhmen. Një shembull në dy kohë:
    1. Më fal o Zot se theva një gotë! Zoti, qoftë lavduar- të thotë prifti- të ka falur, biri im.
    2. Shokë e shoqe, më falni se theva një gotë. Është e pavlevshme, nuk vepron. Por, shokë e shoqe, më falni për gotën që theva. Mbas kritikës suaj të drejtë e i ndriçuar nga mësimet e m-l, veprat e shokut Enver dhe të Udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit, Leninit, mbi të shtunat komuniste, unë shkova dhe punova vullnetarisht në fabrikën e qelqit, e bla-bla-bla, – kjo po! Por sërish, ndryshe nga prifti që s’ka për të ta kujtuar më çke bërë, ngaqë edhe se mban mend, komunisti do të ta kujtojë për gjithë jetën, në qoftë e thënë të të mbajë fjalën e fundit, ka për të ta kënduar edhe në varr se si partia e pushteti të desh e të dha dorën edhe kur gabove.
    Nuk mendoj se ka qënë rastësi vendosja e stendës që unë kam parë në atë vend që pengonte pamjen e katedrales, po ashtu si nuk ka qënë rastësi zhvendosja e saj për të zënë një tjetër pamje të padëshiruar kur katedralja ishte shkulur nga themelet.

    ***
    Nuk janë kujtimet e mia, por kujtimet e tua që mbajnë nën kontroll shkrimin. Thënë këtë, janë kujtimet e mia që unë të kem parë vetëm Fletë-rrufe me shkronja të vogla që nga titulli e deri në fundin e tyre mbas një teksti tepër të gjatë. Ah, po, mbase emrat e përveçëm ishin me shkronja më të mëdha, apo më të nxirra.

  3. Kritika ne fakt synon korigjimin permes raportimit te gabimeve, te cilat pse nuk jane te qellimshme jane lende e saj. Dua te them se per aq sa di une – kritika beheshin edhe ne mbledhjet e organizates, ne kolektiv, ne ndermarrje, ne shkolle apo edhe ne forume me te gjera partiake. Kritika pra si forme e komunikimit politik duhet te jete njohur edhe me pare, por edhe autokritika. Autokritike dhe madje goxha e shendoshe ishte edhe ajo e Enver Hoxhes ne Pleniumin e Beratit dhe ato qe iu adresuan atij me logjiken e komunistit ishin kritika. Ne ndryshim nga kritika dhe autokritika, si forma te kufizuara qe lidhen me shume me “edukimin politik”, Flete -rrufeja me aq sa mund te kuptoj shkon shume me larg. Ajo nuk kerkon korrigjimin, por nderton platene e Gjyqit te popullit, e improvizon mjaft mire psikologjine e gjykimit dhe me atune e nisjes nga poshte mbetet ne fund te fundit si nje alternative e gjykimit suprem, atij te Partise, nje nocion me perfytyrim sferik qe nuk kuptohet ku fillon e ku mbaron. Ketu ne pamje te pare Partia sikur kalon ne plan te dyte, per t’i lene qytetaret qe me normat e saj te gjykojne njeri-tjetrin.
    Mjafton te themi se Flete rrufeja eshte denoncim, per te reflektuar mbi karakterin tejkritik te saj, qofte duke u nisur nga synimi, afishimi, por edhe nga pasoja. Ky tipar mund te merret me mire me mend – them une- nese mbajme parasysh se perkundrejt nje terheqje vemendjeje ne kolektiv, Flete-Rrufeja si te thuash i krijon nje dosje publike individit qe eshte subjekt i saj, nje precedent i cili sot mund te shihet e kufizuar me Deshmine e Penalitetit apo me dosjen e bardhe te medias roze per figurat e njohura. Aq me shume qe sikurse thuhet ne shkrimin e pare, por edhe ketu, Flete – Rrufete ishin nen kontrollin e Partise, e cila perndryshe shume mire mund te udhehiqej ne kete pune nga praktikat e OB.

  4. Me germa te vogla…

    Xhaxha, ne flicker gjeta kete foto te nje fleterrufeje bere ndoshta nga ndonje turist i huaj i Shqiperise socialiste.

    http://www.flickr.com/photos/alban14/851645403/

    (nese mundesh ta bashkangjitesh krah tekstit ketu poshte….)

    Per vete natyren e perkohshme te fleterrufese shpjeguar ne artikull fotoja perben nje relike , te vecante mes atyre te tjerave qe mund edhe te gjehen mes kinoditareve, dokumentareve, apo edhe filmave te kohes.

    E zbardha fleterrufene dhe nga teksti qe po percjell ketu poshte, pervecse dallohen lehte strukturat shabllone te shqipes se drunjte renditur nga xhaxhai ne artikull, dallohet edhe nje element i vecante stilistik: i tere teksti eshte i shkruar me germa te medha pervec dy fjaleve kur fleterrufeja i drejtohet dy te kritikuarve “…KANE NDIKUAR tek ju SHOKE”…. Percmim kapital?

    Nuk munda, gjithashtu, te mos vija re qe teksti, me perjashtim te nje lajthitjeje sintaksore ne sequentia tempore, dhe ne nenshkrim, nuk ka gabime ortografike.

    Flete-rrufe
    Kico Avushka Lagja n.5
    Skender Furxhi lagja nr. 6

    Vazhdimisht Partia e shoku Enver kane theksuar qe loja e bixhozit eshte nje fenomen negativ dhe i huaj per shoqerine socialiste.
    Ky fenomen nuk ka asnje baze sociale e politike ne vendin tone.
    Po mbeturiant e se kaluares te mpleksura me presion borgjezo-revizionist kane ndikuar tek ju shoke qe punoni ne NB Maliq (Sektori Bregas) dhe si rezultat ju late punen duke filluar te luani bixhoz.
    Veprimet tuaja terhoqen edhe te rinj te tjere te cilet ju shihnin (……)
    Si i vleresoni ju keto veprime? A e dini se ku ju con kjo rruge e gabuar? Pse organizat e partise nuk i shikon keto fenomene por ju le te hyni ne kete rruge te keqe? Po Birgada dhe Brigadieri cafer pune ben? Valle vetem anen teknike shikon ai apo duhet te merret edhe me punen politike edukative?
    Ju bejme thirrje qe te ndryshoni rruge, t’i vini shkelmin edhe disa sjelljeve te tjera (negative?) qe verehen te disa te rinj qe (….) ne Maliq.

    Grupi i kontrollit shoqeror i Rinise

    Flete-Rrufe

  5. Nuk e di se sa pare mënd duhet për të parë nëse duhet të skandalizohemi me fletërrufetë e së kaluarës (që gjithsesi niseshin nga diçka që shqetësonte dikënd) apo nga INDIFERENCA (me gërma të mëdha) e sotme.

  6. Fleterrufeja mendoj duhet pare jo ne funksion te dyshes kritike-autokritike por treshes; dukuri-kritike-autokritike.

    Kemi te bejme me dialektiken marksiste, me ane te se ciles do prodhohej e ardhmja dhe sigurisht njeriu i ri.

    Dialektika hegeliane, thote dukuri-kritike-sinteze.
    Fjala sinteze tek dialektika marksiste zevendesohet me autokritike.

    Dukuria eshte teza, kritika eshte antiteza. Ne dialektiken marksiste kritika perfaqesohet nga fleterrufeja e cila e nenkupton autokritiken, dmth autokritika patjeter ndjek kritiken, perndryshe dialektika marksiste nuk zbatohej.

    Po te guxohej mospranimi i plote i fajit, ajo s’quhej autokritike, por vazhdim i mbrojtjes se dukurise (dmth fajit).

    Pra qellimi i zhdukjes se dukurise kerkon patjeter autokritiken, autokritika perfaqeson fazen finale.

    Edhe sikur kritika te ishte e gabuar, mjaft qe doli se nje koke duhet te ikte me se s’ben, autokritika eshte e vetvetishme, e ke bere, se ke bere po te doli emri do e pranosh.
    Kjo ishte parimore, po doli kritika qofte edhe qartesisht e gabuar, kishte vend vetem per autokritiken e menjehershme.

    Vetem ne nje cast te dyte, autokritika e kthyer ne dukuri, mund te kritikohej dhe ai qe e beri kritiken e pare, me patjeter duhet te bente autokritiken e kritikes.

    Pra vetem keshtu mund te behej rehabilitimi, nepermjet 2 proceseve te dialektikes marksiste. Pra edhe dialektika marksiste dilte ne rregull edhe gjerat rregulloheshin.

    Keto qe duken si lojra fjalesh per tu tallur, ne fakt ishin ceshtje te rendesishme parimore qe lidhen me dialektiken marksiste, si e vetmja forme e sakte e prodhimit te se ardhmes.

    Pra autokritika nuk ishte vetem ‘pendim’ por domosdoshmeri e dialektikes marksiste, hapi jetik i dialektikes marksiste.

    Nese nuk e beje, nuk ishe njeri kokeforte, qe s’pranoje fajin, por armik i klases punetore e cila vepron vetem me ane te dialektikes marksiste, sepse vetem zbatimi i dialektikes marksiste do mund ta sillte komunizmin.

  7. …. besoj per kete arsye, fleterrufete filluan te kontrolloheshin nga lart, se sikur t’ja jepte truri ndonje poshte e ti bente kritike ndonjerit nga nomenklatura , ai duhet te bente patjeter autokritike, edhe vete Enver Hoxha sikur te ishte.
    Pastaj pas autokritikes, sigurimi do e nxirrte ate poshte si armik te klases punetore dhe ai poshte do rrefente se ishte shtyre nga ndonje agjenture te shpifte ne kritiken e vet, keshtu do bente autokritiken e kritikes dhe ai lart do rehabilitohej, qe ne fakt ai s’kishte bere ndonje gabim, po kishte rene pre e shpifjeve e sidoqofte kishte pranuar te bente autokritike duke u sakrifikuar per Partine, mesimet e saj dhe mesimet marksiste-leniniste.

    Rrjedhimisht do dilte hero si e vetmja mundesi rehabilitimi.
    Por kjo loder ishte e rrezikshme se e ben dialektiken marksiste thike me dy presa.

  8. Fleterrufeja si fenomen kompleks, pra e drejta per te shkruar, si vendi ku secili mund te thote “lirisht” se cfare mendon ai per punet, njerezit, shoqerine (se keshtu pretendohej qellimi i saj), ishte nje fenomen unikal dhe nje majmuneri (imitim) qe polli sistemi diktatorial duke kopjuar kinezet.
    Fillimi i saj ishte BODECI, nje karikature ku tregohej nje akt i ulet shoqeror nga dikush, vjedhje apo dicka tjeter. Ne fakt sherbente edhe per te poshteruar dike(nqs jepej edhe udhezim per kete nga “lart”). Pastaj, si kaluan disa vite te mira, njerezit ja pine lengun, per me teper pas viteve 73-74 njerezve filluan tu bien halle te tjera mbi koke, e i rane ne te se nuk mund ti vije flete rrufe kujtdo!
    Me vone degjeneruan deri aty sa kritikoheshin klubet e futbollit per rezultatet e dobeta, te hiqej trajneri etj.
    Mendoj se fleterrufeja ishte nje mjet qe nxiste edhe artificialisht “luften e klasave” se, E. Hoxhes i duhej te vertetonte teorine e tij mbi bazen e se ciles preu e vrau.
    Sidoqofte ne vitet e fundit te 70-ve fleterrufeve populli u ktheu shpinen perfundimisht, edhe kur vihej ndonje e tille, behej objekt gazi.
    Sidoqofte filimisht pati sukses te madh, aq sa njerezit vonoheshin per ne shtepi se ngecnin para tabeles se saj.
    Do te ishte interesante sot te kishim nje foto te miletit te dyndur para tabeles.
    Ne fakt ne mungese te internetit, nuk do te sherbente keq se vend blogu psh.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin