Si formë e propagandës totalitare, fletë-rrufeja në Shqipëri u popullarizua në vitet 1960, gjatë fushatës për revolucionarizimin e jetës së vendit.
Në parim, fletë-rrufe mund të shkruante kushdo dhe ta afishonte në vende të caktuara për këtë qëllim; më pas të quajtura “tabela të fletë-rrufeve”, të cilat i gjeje shpesh edhe në vende publike anembanë.
Ideja e madhe pas këtij operacioni mediatik ishte se fletë-rrufeja do t’u jepte zë të gjithë atyre që deri atëherë nuk kishin guxuar të thonin fjalën e tyre; në mënyrë që këta ish të heshtur të kritikonin, të stigmatizonin dhe të akuzonin zakonisht kuadrot dhe administratën, intelektualët dhe gjithkënd tjetër që i vinte shkopinj në rrota revolucionit.
Si rregull, fletë-rrufetë shkruheshin me dorë, pa pretendime kaligrafike; ndonjëherë shoqëroheshin me karikatura rudimentare. Natyra crudo e fletë-rrufesë ishte pjesë e mesazhit, meqë ia përforconte autenticitetin; një fletë-rrufe e shkruar nga një disenjator, ose e printuar në shtypshkronjë, do ta humbte vetvetiu efektin, për t’u shndërruar në pllakat ose diçka tjetër të krijuar profesionalisht.
Fletë-rrufetë jo vetëm kërkonin të inkurajonin kritikën nga poshtë-lart duke shërbyer si megafon për zërin e masës, por edhe ofronin një mundësi, sado të studiuar, për ta nxjerrë debatin politik nga skenarët e zyrave politike të PPSh-së ose për t’i dhënë këtij debati spontaneitet.
Kjo sillte me vete rrezikun që kritika të dilte nga kontrolli i PPSh-së vetë dhe i organeve të propagandës; meqë shpesh në fletë-rrufe njerëzit ngrinin probleme serioze ose që lidheshin drejtpërdrejt me vijën politike të momentit, të cilat probleme regjimi përndryshe parapëlqente t’i linte në heshtje. Për këtë arsye, me kalimin e viteve, fletë-rrufetë erdhën duke kaluar nën kontrollin gjithnjë e më absolut të Komiteteve të Partisë dhe Komiteteve të Rinisë – të rretheve, të rajoneve dhe të qendrave të punës dhe të arsimit.
Fletë-rrufeja u sanksionua si vegël propagandistike masive menjëherë pasi Enver Hoxha, në fjalën e tij të 6 shkurtit 1967, “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe i pushtetit” (më pas të njohur zakonisht si “fjalimi i 6 shkurtit”) dha porosinë që “Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruajë çfarë mendon ai për punën dhe për njerëzit”.
Kjo kërkesë ose ftesë ose leje u drejtohej të gjithëve (“cilido”), pa dallim klase, rangu dhe qëndrimi politik, çka edhe e hapte debatin publik ndaj masës së gjerë, duke ua hequr privilegjin përkatës profesionistëve të fjalës; teksa ofronte garanci ose mbrojtje ndaj ndonjë reagimi të mundshëm hakmarrës prej autoriteteve kundër të cilave do të lëshoheshin kritikat (“pa frikë”), çka në thelb i çlironte kritikuesit nga përgjegjësia individuale për akuzat që do të rreshtonin në fletë-rrufe, të vërteta dhe të gënjeshtra, me fakte, dëshmi dhe insinuata të qena dhe të paqena; dhe duke u shpjeguar njerëzve se mendimet nuk duhej t’i mbanin për vete, as t’i shprehnin vetëm në biseda ose gojarisht, por t’i shkruanin dhe t’i afishonin në publik; dhe pikërisht mendimet “për punën” dhe “për njerëzit”, meqë ndërtimi i socializmit dhe ndërtimi i njeriut të ri nuk ishin veçse dy aspekte të të njëjtit proces revolucionar themelor.
E vetmja pjesë disi enigmatike e thënies së njohur të Hoxhës mbetej ajo që përshkruan drejtpërdrejt karakteristikat grafike të fletë-rrufesë (“me shkronja të mëdha”); shkronjat e mëdha në këtë rast do të simbolizonin zërin e lartë të masës; duke shërbyer madhësia e shkronjës si metaforë për vullnetin e çeliktë të atyre poshtë.
Megjithatë, analiza e krahasuar e fushatës për revolucionarizimin të jetës së vendit në Shqipërinë e viteve 1960 dhe Revolucionit Kulturor në Kinën e Maos (e cila i siguronte regjimit të Tiranës mbështetjen ndërkombëtare ekonomike dhe ideologjike aq të nevojshme për të mbijetuar) ndihmon për ta kuptuar më mirë, ndër të tjera, edhe dukurinë e fletë-rrufesë si formë të propagandës revolucionare, të drejtuar veçanërisht kundër autoritetit tradicional.
E kam fjalën pikërisht për dazibao-n (大字报) që përkthehet, tekstualisht “raport me shkronja të mëdha”, një vegël propagandistike e përdorur tradicionalisht në politikën kineze, si mjet i komunikimit publik. Në Kinën komuniste, përdorimi i dazibao-ve mori hov pas afishimit të një të tille në 25 maj 1966 në Universitetin e Pekinit (Beida), ku shpallej ndër të tjera se universiteti kontrollohej nga kundërrevolucionarët. Më pas dazibao-t do t’i gjeje kudo dhe me përmbajtje të shumëllojshme; një sulm me dazibao mjaftonte për të ta shkatërruar karrierën. Në kushtetutën e re kineze të vitit 1975, e drejta për të shkruar dazibao u sanksionua si një nga “katër të drejtat e mëdha” së bashku me da ming (të flasësh në publik me zë të lartë), da fang (të shprehësh pikëpamjet e tua haptazi) dhe da bianlun (të hapësh debate të gjëra).
Kaq shumë u entuziazmua Maoja nga dazibao-ja e 25 majit, sa u ul dhe shkroi edhe vetë një të tillë, me titullin “Të hedhim në erë shtabet e kapitalizmit”, e cila u afishua pastaj në një lagje të Pekinit (Zhong Nanhai, të ngjashme me “bllokun” në Tiranë). Dazibao-ja e Maos e nxiti më tej zellin revolucionar dhe ofroi shembullin model për përdorimin e dazibao-s si armë të fuqishme kundër armiqve të klasës. Tri ditë pas afishimit të saj, plenumi i 11-të i Komitetit Qendror të PKK miratoi një proklamatë të njohur si “Gjashtëmbëdhjetë direktivat”, nga të cilat e katërta thoshte:
“Përdorni me gjithë potencialin e tyre posterët me shkronja të mëdha dhe debatet e hapëta për të diskutuar rreth çështjeve, në mënyrë që masat të kthjellojnë këndvështrimet kritike, të qortojnë pikëpamjet e gabuara dhe t’i ekspozojnë të gjitha fantazmat dhe përbindëshit. Ashtu masat do të jenë në gjendje të ngrenë ndërgjegjen e tyre politike në luftë e sipër, të përmirësojnë aftësitë dhe dhuntitë e tyre, të shquajnë çka është e drejtë nga çka është e gabuar dhe të dallojnë prerazi midis nesh dhe armikut.”
Ky dokument u botua në organin zyrtar të PKK-së më 9 gusht 1966 dhe shërbeu si sinjali për të filluar Revolucionin e Madh Kulturor Proletar, duke e sanksionuar dazibao-n si mjetin më efektiv për të arritur qëllimet e kësaj lëvizjeje.
(për sa më lart, jam mbështetur në Xing Lu, Rhetoric of the Chinese Cultural Revolution, University of South Carolina Press, 2004, f. 73-80).
Studiuesit e revolucionit kulturor në Kinë janë zakonisht të mendimit se Maoja i dha përparësi dazibao-s si armë në luftën politike, ngaqë ai kishte krijuar bindjen se mediat zyrtare, veçanërisht gazetat e përditshme dhe radioja, ishin nën kontrollin e rivalëve të tij politikë. (shih David Jim-Tat Poon, “Tatzepao: Its History and Significance as a Communication Medium”, në Popular Media in China, Honolulu, University of Hawaii Press, 1978, f. 193).
Në Shqipërinë totalitare ndonjë krizë e tillë nëmediat zyrtare (konvencionale) nuk ekzistonte, meqë këto mbeteshin tërësisht nën kontrollin e Hoxhës; në një kohë që këtij të fundit i interesonte të luftonte rezistencën ideologjike dhe inercinë rusofilike në administratën publike dhe veçanërisht në institucionet arsimore dhe kulturore, ku ndikimi rus i mbishtresohej traditës kulturore jokomuniste; që këtej edhe fakti i njohur se, ndryshe nga ç’ndodhi në Kinë, fletë-rrufetë, në Shqipëri, nuk shkrepën pothuajse kurrë mbi borsalinat e funksionarëve të lartë të Partisë dhe të Shtetit. Përkundrazi, kur Hoxha e ndjeu nevojën që të përdorte, në vitet 1970, për të luftuar rivalët dhe armiqtë e vet realë ose të përfytyruar, ndikimin e tij mbi masat duke e anashkaluar aparatin administrativ partiak, ai iu fal një forme tjetër të ngjashme me fletë-rrufenë: letrave nga populli, të cilat e lidhnin udhëheqjen drejtpërdrejt me bazën, por ndryshe nga fletë-rrufeja, nuk ishin publike nga vetë natyra e tyre, meqë letra udhëtonte drejtpërdrejt nga autori te udhëheqësi (me ndonjë ndalim të detyruar në stacionet e censurimit), duke e qark-shkurtuar publikun; dhe gjithsesi nuk kishte shumë të bënte me komunikimin masiv dhe propagandën, përveçse kur mendohej, projektohej dhe ekzekutohej si operacion mediatik, duke u botuar në Zërin e Popullit; por gjithnjë nën kontrollin e zyrës së shtypit dhe me miratim të udhëheqjes partiake. Në të vërtetë, letra nga populli (nga baza, nga poshtë) funksiononte më tepër si raportet e informantëve të rëndomtë, ose e korrespondentëve vullnetarë të Sigurimit të Shtetit.
Për t’u kthyer tani te dazibao-ja në Kinën e Mao-s, duhet pasur parasysh edhe se funksionimi i saj si mjet i agjitacionit dhe i propagandës masive varej krejtësisht nga fakti se sa dinin të shkruanin dhe të lexonin masat. Çështja e analfabetizmit në Kinë (ndoshta ‘analfabetizëm’ këtu nuk është termi më i saktë, meqë kinezçja nuk shkruhet me shenja alfabetike) gjithnjë mbetet e ndërvarur nga vështirësitë e mëdha për ta shkruar mirë gjuhën, me një sistem në thelb ideografik (në vija të trasha, çdo shenjë i përgjigjet një koncepti). Edhe forma e thjeshtuar e kinezçes, e adoptuar nga qeveria komuniste, përmban 2,235 shenja grafike të ndryshme (të krahasohet kjo shifër me 36 shkronjat e alfabetit shqip). Si rrjedhojë, kinezit i duhet shumë më tepër kohë se një europiani për të mësuar të shkruajë dhe të lexojë gjuhën e vet.
Në këtë kontekst, “shkronjat e mëdha” të dazibao-s ishin të tilla jo vetëm për të metaforizuar forcën e zërit të masës, por edhe në praktikë, për të lehtësuar leximin e tekstit nga masa gjysmë-analfabete dhe për të lejuar që kjo masë të përfshihej në debatin publik. Përndryshe, shpesh dazibao-t do të lexoheshin në publik nga një person “i kënduar”, dhe masa do të përpiqej t’i mësonte përmendësh. Ndoshta kjo ndikoi edhe në standardizimin e teksteve të dazibao-ve me kalimin e kohës; sikurse ndikoi edhe që vetë dazibao-t të ndihmonin masat për të mësuar shkrim e këndim.
Përkundrazi, në Shqipëri masat ishin alfabetizuar me kohë; dhe në vitet 1960 numri i atyre që nuk dinin të lexonin ishte ulur në mënyrë dramatike, veçanërisht ndër brezat e rinj. Për këtë arsye, “shkronjat e mëdha” të fletë-rrufesë u interpretuan drejtpërdrejt si ftesë për ta ngritur zërin dhe për t’i shungulluar akuzat ndaj elementeve borgjezo-revizioniste, patriarkale dhe konservatore në shoqërinë shqiptare; edhe pse vetë shprehja “shkronja të mëdha” mund t’i jetë detyruar, tek e fundit, një kalkimi semantik të termit kinez dazibao.
Përndryshe, prejardhjen e termit shqip fletë-rrufe nuk e dimë. Nëse është krijuar vërtet në oficinat e propagandës totalitare, duhet konsideruar si një krijim i arritur madje gjenial, meqë e shpreh me një metaforë pothuajse mitike forcën e fjalës nga poshtë, e cila do ta godiste armikun si rrufeja. Nga mijëra e mijëra fletë-rrufetë e atyre viteve sot kujtohen vetëm ato që u drejtoheshin intelektualëve të shquar të kohës, si Eqrem Çabejt; por shumë e shumë jetë njerëzish janë shkatërruar për shkak denoncimesh publike të tilla të papërgjegjshme; në një kohë që të tjerëve njerëz “të padëshiruar” u është dhënë e shtyra në humnerë pikërisht nëpërmjet dokumenteve të tilla, gjithnjë të komanduara nga lart.
Megjithatë, pas një faze fillestare kaotike, në Shqipëri fletë-rrufetë mbetën nën kontrollin e padiskutueshëm të PPSh-së dhe të organeve të saj të propagandës, dhe përgjithësisht nuk e patën atë spontaneitet që pretendohej dhe që në Kinë, përkundrazi, nuk mungonte. Nëse Maoja i përdori me sukses dazibao-t për të larë hesapet me armiqtë e vet brenda PKK-së, në Shqipëri fletë-rrufetë i vlejtën, para së gjithash PPSh-së, për të luftuar vatrat e mbijetuara të rezistencës ndaj vijës së saj politike, ideologjike dhe kulturore, brenda shoqërisë dhe kulturës shqiptare ekzistuese.
Xha xha, do te doja te shihja nje shtjellim me te zgjeruar te rolit qe kane luajtur fleterrufete ne jeten shqiptare. Une nuk di ndonje rast qe ndonjerit i eshte shkaterruar jeta nga fleterrufete. Ne fakt ne mendjen time fleterrufete, si shume kinezerira te tjera, kane mbetur ne mendjen time me shume si dicka komike. Si p.sh. kur nje shok i klases sime u beri fleterrufe ca vajzave se nuk mesonin! Ose kur nje burre nga Laçi i beri fleterrufe kryeministrit Mehmet Shehu se nuk i jepnin leje te bente shtepi jashte vijes se verdhe. Ky e kishte vene fleterrufene ne mes te qytetit dhe rrinte e e ruante. Vinin instruktoret e komitetit te partise t’ja mbushnin mendjen ta hiqte por ai ulerinte “Ma ka dhene Enver Hoxha te drejten te kritikoj ke te dua”.
Kushurinjte mij qe jetonin jashte me dergonin here pas here “pako” me rroba, dhe dihet sesa te vlefshme ishin ato ne ate kohe.
Ne kohen qe jetoja ne Tirane me kane bere fleterrufe ne gjimnaz sepse kisha veshur pantallona xhinse. Kjo mund te duket absurde tani duke menduar sesi vishet rinia e sotme, por ne ate kohe kishte efekt te rende psikologjik. Te them te drejten jeta nuk m’u shkaterrua, vec qe pata shume kerkesa per ti shitur xhinset me cmime marramendse, domethene fleterrufeja pati efekt te kundert.
Xhinset nuk i shita, ne fakt i kam ruajtur sot e kesaj dite, per te mos harruar absurditetin e asaj kohe sepse thone fal por mos harro.
Kur u largova nga Shqiperia kuptova qe “mentaliteti” i xhinseve ne fakt eshte i rendesishem vetem per ata qe punojne ne pergjithsi ne ndertim apo bujqesi etj.., apo dite te relaksuara.
Une akoma kam debulese per xhinset ne pergjithsi.
Ne fakt personalisht mendoj se shkrimi te ngjan si i paperfunduar; d.m.th ai krijon pershtypjen se dicka do te thote pertej karaktarit informues, por qe e le pezull. Megjithate mund te shihet nje ngjashmeri mes praktikes se Flete-rrufeve dhe praktikave politike te sotme qe huazohen nga vende demokratike. Aplikimi i flete-rrufeve synonte ti jepte nje ze edhe Bazes, nje mundesi per te komunikuar vullnetin e saj (edhe te nje individi te vetem) te ngjizur nga ngjarje te perditshme, dukuri politike dhe shoqerore, shfaqje antikonformiste, nje karte extrainstitucionale per te folur lirisht. E pare ne kete optike mund te pranohet se nje levizje e ketille, ne kuptim te parimeve si funksionon politika ka gjase qe te kete si synim edhe nje mase Antiburokratike, edhe nese kjo e fundit shihet ne kuader te luftes se klaneve te ndryshme qe kane pushtetin. Kjo eshte cekur ne shkrim, vetem se ideja e anashkalimit te administrates partiake per te goditur kundershtaret natyrshem te con ne idene e nje karakteri okult dhe enigmatik te pushtetit te Hoxhes. Me ke e ushtronte pushtetin ky njeri ? Ate efektiv, te vertetin ? Ate qe edhe kur nuk ka asnje ekzistence institucionale, vetem pse ia ndjejme pranine si puna e fushes gravitacionale, pra permes veprimeve, nis e roberon imagjinaten dhe arsyen tone per ta detyruar qe t’i thure asaj nje histori apo nje legjende ?
Nga ana tjeter eshte me shume interes -qofte edhe psikologjik – pse Flete – rrufeja nuk pati ate peshe ne jeten shqiptare dhe ne vendosjen e kontrollit, sa Letra Anonime? E kam fjalen, jo per gjemime politike, te cilat shume mire jane arritur edhe me Letrat e Hapura te shkruajtura nga kolektivi, por per ate ankth dhe frike qe te rrethon nga ideja se kushdo mund te te haje koken vetem pse eshte ne gjendje te shkruaje nje pacavure qe neper te ia del te konformohet me koniunkturen e momentit ? Edhe dokumentet per Mehmet Shehun, te dorezuara ne ambasaden tone ne Vjene, me erresiren qe i mbulon dhe perdorimin cinik, ne te vertete vijne ne kuadrin e shqyrtimit historik te ngjarjes se 1981 vetem ne formatin e nje Letre Anonime. Flete Rrufeja e saj ne te vertet eshte Titistet.
Dy mjete pra per te ndertuar nje kulture te vetme; Denoncimin, jo vetem ate te njohur ne formen e spiunimit, por edhe diskretitimin publik, tanime te mbeshtetur edhe nga Pushteti.
Nese i besojme statistikave te publikuara nga media, mes viteve 1970 – 1980 jane adresuar drejt MB rreth 360 000 letra anonime, klasifikimi i te cilave solli nje vleresim ku 36 000 kishin vlere informative te mirefillte. Ne fakt kjo praktike ne forma te tjera vijon edhe sot. Ngjashmeria e praktikes se flete – rrufeve – ne kuptim te qellimit sipas te cilit : “Ideja e madhe pas këtij operacioni mediatik ishte se fletë-rrufeja do t’u jepte zë të gjithë atyre që deri atëherë nuk kishin guxuar të thonin fjalën e tyre” – vjen sot me formen e demokracise se Drejtperdrejte e njohu ne parimin “nje anetar -nje vote”. Paradoksalisht, te kerkosh te zgjerosh bazen sociale te pushtetit, apo te marredhenies se pushtetit me individin, con ne perfundmin e njohur sipas te cilit Demokracia formalizohet ne nje ritual shprehjesh dhe rregullash, protagoniste te te cilave behen ose ata qe perdoren per kozmetike, ose ata qe besojne, por qe ne ate moment qe hyjne ne mekanizem njollosen me marken e pushtetit.
Theollogos, fletë-rrufetë më një anë dhe letrat anonime më anën tjetër, janë dy skajet e një komunikimi të bazës me udhëheqjen, ose të “atyre poshtë” me “ata lart”, duke i qark-shkurtuar hallkat e zakonshme të kontaktit.
Fletë-rrufeja i drejtohej formalisht personit të akuzuar, tërthorazi edhe rrethit social të këtij personi, organizatës së tij të rinisë etj.; por njëkohësisht ofronte informacion që mund të përdoret nga organet e Partisë dhe të pushtetit.
Dhe jo vetëm. Jo rrallë fletë-rrufeja bashkërendohej me veprime të tjera të dhunshme kundër personit: fillohej me një denoncim publik, pastaj çështjen e merrnin në dorë organet e Sigurimit. Prandaj njerëzit i druheshin aq shumë fletë-rrufesë.
Megjithatë, për shkak të natyrës së vet publike, fletë-rrufeja është vështirë të kontrollohet; ndonjëherë njerëzit i merrnin literalisht ftesat e Hoxhës dhe shkruanin vërtet “pa frikë dhe me shkronja të mëdha”, duke u krijuar probleme organizatave të Partisë, ose duke goditur aty ku nuk duhej.
Që këtej, nevoja për t’i mbajtur fletë-rrufetë në kontroll. Me kalimin e kohës, kontrolli ndaj këtij aktiviteti, donte të thoshte se fletë-rrufetë shkruheshin në Komitetin e Partisë ose në Komitetin e Rinisë; në mënyrë të standardizuar dhe duke goditur objektiva të miratuar paraprakisht.
Përkundrazi, letrat nga poshtë, veçanërisht letrat anonime, nuk mund të kontrolloheshin dot kështu. Njerëzit shkruanin gjithfarë gjërash në letra, prej të cilave “ata lart” përzgjidhnin çka u duhej, kur u duhej, ndërsa të tjerat materiale i arkivonin ose i asgjësonin, dhe e gjithë kjo veprimtari bëhej larg syve të publikut.
Siç e vëren edhe ti, Theollogos, këtu kemi të bëjmë me dy forma psikologjikisht të kundërta të denoncimit: njëra bëhet haptazi, me rrugë revolucionare; tjetra pas shpine, fshehurazi. Regjimi i Hoxhës parapëlqeu këtë tjetrën. Me sa mbaj mend, kur kishte ndonjë kërkesë sporadike, brenda Partisë, për të përndjekur penalisht autorët e letrave anonime që përmbanin shpifje të mëdha, vetë Hoxha do t’i kundërvihej, duke shpjeguar se letrat anonime, në parim, siguronin informacione që nuk mund të mblidheshin dot ndryshe.
Por është e vajtueshme të mendosh që fqinji yt, ose shoku yt i zyrës mund të ishte duke qëndisur një letër anonime kundër teje, teksa të buzëqeshte, të komplimentonte të qethurit dhe të ofronte bileta për tribunën A.
Një incident që ka ndodhur vërtet: dy vëllezër, t’i quajmë Nusreti dhe Kudreti. Nusreti ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Kudreti ishte një llogaritar çfarëdo. Kudreti kishte një mëri të vjetër me komshiun e vet Nexhdetin; një ditë prej ditësh ulet dhe i shkruan letër të vëllait, anonime, kundër komshiut; për ta akuzuar këtë të fundit me termat më të rënda. Letra i shkon Nusretit, ky e hap dhe e lexon, i kujtohen ca nga historitë që rrëfehen atje siç ia ka treguar i vëllai, por ç’është më e rëndësishme, ia njeh të vëllait shkrimin. Në darkë i shkon në shtëpi, e pyet: ç’ishte kjo letër, o Kudret? Pse më shkruan mua letër anonime kundër Nexhdetit? Dhe Kudreti: ja ashtu, e bëra tani.
Për fat të keq, kjo kulturë komunikimi kultivohej nga lart, dhe me qëllim; mundësia e një letre anonime gjithnjë e pengonte krijimin e klikave lokale ose të grupeve të themeluara mbi bashkëfajësinë. Për çdo grup të tillë, të çdo lloji, do të ekzistonte diku një letër anonime që e denonconte. Siç e përmend edhe ti, një e tillë vajti e u gjet deri edhe për Mehmet Shehun, që ishte shefi i ekzekutivit.
Për njeriun e thjeshtë, të pakënaqur nga jeta; për ziliqarin e zakonshëm, letra anonime ishte arma e përsosur, madje edhe kur nuk përdorej, por mbahej e mbyllur me kyç në sepet. Ishte një armë që mund të shkrepej pa bërë zhurmë, në heshtje të plotë; dhe ta godiste viktimën pa e vënë re askush tjetër si dhe prej nga. Zakonisht letrat që gjykoheshin me vlerë analizoheshin me dyer të mbyllura, të pranishmit porositeshin që të mos bisedonin për këto çështje “përjashta”. Njerëzit, veçanërisht komunistët, thirreshin për të dhënë llogari; ndonjëherë u lexoheshin akuzat dhe vetëm sa u thuhej: “kemi marrë një letër”. Kaq.
Por viktimat u druheshin letrave të tilla edhe ngaqë e dinin se shpesh këto përbënin veç majën e ajsbergut; dhe se pas letrës do të vinin akuza të tjera, mbledhje të tjera, plenume dhe dënime gjithnjë e më të rënda. Letra natyrisht shkruheshin shumë; rëndësi kishte se cilat prej tyre pikërisht do të përzgjidheshin për t’u ndjekur më tutje; dhe kjo përzgjedhje bëhej gjithnjë e studiuar me kujdes, në pajtim me vijën politike të momentit. Njerëzit njëlloj e dinin edhe se ndëshkimet dhe dënimet, politike ose penale, bëheshin zakonisht me fushata; dhe brenda fushatave fati i një individi nuk ngrinte peshë, përballë kuotave, përpjesëtimeve dhe listave. Prandaj të ngatërroheshe me një letër anonime deri në atë pikë sa të të thërrisnin, bie fjala, në Komitet të Partisë mund të ishte ogur kobzi.
A dini nëse janë ruajtur nëpër arkiva Fletë Rrufetë e kohës së revolucionarizimit, apo nëse ka ndonjë syresh të ekspozuar në Muzeumin Kombëtar? Do të ishte me interes ndofta për brezin që nuk e ka dëshmuar atë kohë që të shikonte dhe “prekte me dorë” bëmat e regjimit komunist shqiptar.
Nuk shikoj qe nga nderhyrjet deri tani te shkruhet per depersonalizimin e individit qe i drejtohej flete-rrufeja te ciles ai ishte i detyruar pas asnje hezitim ta pasonte me autokritiken e thelle dhe pendesen qe ndjente per ato c’ka kishte bere ne jete. Ajo quhej Pergjigje e Flete-Rrufese. Te gjithe prisnin me ankth diten qe do te vendosej ne tabele pergjigja.
Porsa merej vesh lajmi qe pergjigja ishte vendosur, te gjithe do te rendnin per te vleresuar nese ishin te mjaftueshme ato qe thoshte viktima per ta shpetuar ate nga vazhdimi i kalvarit qe porsa i kishte filluar?
Mbaj mend shume mire se ne ditet e para te levizjes te Flete-Rrufese nje tabele e madhe u vendos diku te xhamia e Et’hem Beut ne qender te Tiranes dhe niveli i zyrtareve filloj me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv te Rrethit te cilin nuk e kujtoj se kush ishte ne ate kohe. Jashar Mezelxhiu ne mos u gabovsha.
Me kalimin e muajve levizja u zbeh dhe bashke me te edhe efektiviteti i tyre po binte duke i dhene perparesi letrave anonime si mjet me efikas dhe nga vete vlerat arkivale qe anonimja kishte. Pra, si te thuash shfrytezonte befasine ndaj individit. Ne fakt u krijua pershtypja se levizja u sfumua nga vete udheheqja e larte.
Puna e flete-rrufeve degjeneroj deri aty sa ne shkolle po viheshin nga ato me permbajte qe do te perfundonin keshtu: …..Deri kur do te vazhdoni ju shoku Filan ….. te vini me vonese ne shkolle edhepse dera e shtepise tuaj ndodhet ngjitur me ate te shkolles?!
Ose ngjashmerisht, per nje nxenes qe nuk kishte qene asnjehere mire me mesime, i behej thirrje se deri kur do vazhdonte te merte nota pakaluese.
Dhe e bukura ishte se pasi flete-rrufeja po dilte krejtesisht nga moda i erdhi rradha nje tjeter flete. Fleta Luftarake.
Une nuk mbaj mend detaje te kesaj flete por me sa kujtohet Luftarakja kishte te bente me gara, nxitje, pergezime; per rezultate garash sportive, notash, aksionesh te ndryshme pastrimi e bujqesie etj,…
Per vite me radhe Tabela e Flete-Rrufese mbeti bosh deri sa sekretari i Partise vendosi ta hiqte me sebep per te lyer murin ose vendosur listat emerore te Zgjedhjeve per deputet e Kuvendit Popullor qe zhvilloheshin rregullisht ne shkollen tone.