Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Media / Teknologji

NJË GALERI PËR TARKOVSKIN

Thonë, për shën Agustinin, se ka qenë i pari që filloi t’i lexonte tekstet pa zë, ose me mendje; meqë deri atëherë leximi bëhej me zë të lartë, zakonisht në prani të një publiku, qoftë edhe aksidental.

Që nga ajo kohë shumë ujë ka rrjedhur, por gjithsesi shën Agustini duhet falënderuar që sot e kësaj dite na lejohet ta ndërpresim leximin e një romani, madje edhe t’ia përthyejmë cepin e faqes me kujdes për ta shenjuar se ku e kemi lënë, pa i dhënë llogari kujt e pa ia fyer kujt tjetri ndjeshmëritë.

Përkundrazi, deri pak vjet më parë, ishte ende skandal të lije përgjysmë një balet ose një shfaqje teatrale; madje edhe një shfaqje të rëndomtë filmi në një kinema mëhalle. Por herën e fundit që isha në koncert, një çift italo-brooklynez i ulur në lozhë me mua u larguan gjatë pushimit (koncerti ishte falas); dhe gjestin e tyre nuk e vuri kush re.

Për evenimente skenike, të largoheshe nga salla ishte si të refuzoje për ta ndjekur shfaqjen deri në fund, çka mund të merrej edhe si një lloj arratisjeje. Në fakt, çdo kontakt që kemi me veprën e artit, madje edhe në rehatinë e dhomës së gjumit, është edhe heqje lirie; siç e theksojnë me të madhe edhe muret e sallave, portat e mbyllura, qilimat, kontrollet në hyrje, rojet me uniformë, dritat e fikura, vendet e numëruara sipas radhësh të rregullta dhe simetrike, vetullat që vrenjten gjatë të kollurit, ftesat e mirësjellshme për të fikur celularët ose për ta ulur zërin, fantazimet për t’ua shtupuar gojën me peshqir bebeve të zhurmshme.

Disa e shijojnë rolin e publikut, si të ishte kundër-spektakël i denjë për respekt, në mos për admirim estetik; të tjerëve u zihet fryma, u shpeshtohen rrahjet e zemrës, u shtrëngon grykën jaka e këmishës, teksa fiksojnë me sy daljen më të afërt, shenjën EXIT me shkronja të kuqe të ndritshme. Kush e ka vënë re kujdesin e studiuar me të cilin kalojnë nga një pikturë te tjetra, ose nga një skelet peshku te tjetri vizitorët profesionistë të muzeve dhe të galerive, do ta kuptojë se kjo farë performance e publikut nuk është sëmundje e arteve skenike vetëm.

Ndërkohë, teknologjia ka vite që komploton ndaj këtyre rregullave në thelb borgjeze; qëkur kam nisur t’i shoh DVD-të në kompjuter, jam mësuar t’i ndërpres filmat në momentet kur çdo televizion do t’i ndërpriste, për të transmetuar reklamat e radhës; aplikativi e mban mend se ku e kam lënë filmin përgjysmë.

Edhe më lehtë akoma, filmat dhe gjithçka tjetër që përcillet tranzit (streaming) mund t’i pezullosh me një klik të vetëm dhe t’i lësh ashtu, madje për vite të tëra, ose derisa të të mbarojë ty vetë durimi. Në teori, mund të marrësh një film, bie fjala një klasik si Casablanca ose Citizen Kane, ose diçka pafajësisht trashy, si Ursus – që korri sukses të pashembullt në Shqipërinë e viteve 1960 – dhe ta shohësh ngadalë, pesë minuta tani, pesë minuta pastaj, duke ia sabotuar linearitetin ose efektin kumulativ; dhe duke e shndërruar në një lloj galerie arti.

Madje mund të shkosh edhe më tej e të marrësh një kryevepër të kinemasë meditative, si Solaris të Tarkovskit, për ta zbërthyer kuadër pas kuadri; pas një llogarie të thjeshtë, i bie që filmi, prej 165 minutash, të ketë rreth 240,000 kuadro (frames); duke e çuar edhe më tej këtë eksperiment mendor, t’i printosh këto kuadro dhe t’i ekspozosh në një galeri të posaçme; duke llogaritur, ta zëmë, 1440 kuadro për sallë ose 360 për faqe muri, mund ta ekspozosh krejt filmin në 165 salla (një sallë për minutë), të numëruara në mënyrë progresive, për t’ua lehtësuar aventurën vizitorëve; pa llogaritur që një galeri e tillë do të punësonte rreth 330 roje – ose nga dy për sallë.

Një numër kaq i madh sallash të tremb pak në vështrim të parë, pastaj të kujtohen muzeumet e Vatikanit, të cilat nuk i mbeten pas për nga kubatura; në një kohë që katedralja jonë e Solaris-it statik do t’ua kalonte për nga koherenca, ndjenja e qetësisë metafizike dhe mundësia që i jepet publikut për ta ndjekur kryeveprën e Tarkovskit në mënyrë krejtësisht jolineare.

Meqë romani mbi të cilin mbështetet filmi, Solaris i polakut Stanislaw Lem, më është tepër i shtrenjtë në vetvete dhe për rrethanat kur e kam lexuar, besoj se Lem-i dhe vetë Tarkovski do ta meritonin këtë farë homazhi; qoftë edhe vetëm në një hapësirë virtuale, ose në një galeri Interneti të vizitueshme, dhomë pas dhome, ose kuturu, ose edhe duke futur arbitrarisht numrin rendor të një kuadri ose të një dhome.

Ashtu edhe vizitorët do të mund të largoheshin nga galeritë pa thyer ndonjë konvencion dhe pa pështjelluar ndonjë grup rastësor koreanësh me kamera; pa folur pastaj për të gjithë ata që, në vend që të vizitonin galerinë tonë aq galaktike do të mjaftoheshin të shihnin filmin prej 165 minutash, qoftë edhe me ndonjë ndërprerje për t’iu përgjigjur celularit ose për të nxjerrë qenin shëtitje; çka do të përbënte, gjithsesi, një hap përpara në krahasim me çfarë bëjmë sot, kur i shohim ekuivalentët narrativë të kokainës, ose serialët televizivë, në Hulu, me një burrito në njërën dorë dhe një shishe uji të vitaminizuar në prehërin me thërrime.

Të tjerëve, ose atyre që e jetojnë jetën në “korsinë e shpejtë”, do t’u mbetej veç të ngushëlloheshin me forma të tilla kondensimi, si disa versione pak-sekondëshe të filmave të njohur, të kalibrit të Shining ose Matrix, që qarkullojnë në YouTube, pa përmendur pastaj prezantimet promocionale të filmave, ose të ashtuquajturit trailers, të cilët në 90% të rasteve janë superiorë ndaj filmave vetë.

A nuk lexonim dikur, në librat fantastiko-shkencorë, se në të ardhmen shkenca do t’i zëvendësonte vaktet e të ngrënit me pak tableta të kapërdishme me ujë? Por mos më lini të flas për Amerikën… ku deri edhe Foucault-in e shpjegojnë me një libër vizatimor, gjithnjë për ata të korsisë së shpejtë.

Meqë ra fjala për kuadro, korniza dhe kornizime, ndoshta ia vlen të kujtoj një anekdeotë të vjetër. Dy rishtarëve jezuitë u pihej duhan gjatë kohës së lutjeve. Vendosën t’i kërkonin eprorit leje për të tymosur. Kërkoi leje i pari, por i thanë jo. Pas një copë here, ky pa shokun e vet që lutej, me cigare të ndezur në dorë. “Si është kjo punë kështu, që ty të dhanë leje ndërsa mua jo?” Iu përgjigj tjetri: “Ti kërkove leje për të pirë duhan gjatë kohës së lutjeve, ndërsa unë kërkova leje nëse mund të lutesha gjatë kohës që pija duhan.”

Kështu edhe unë, në vend që të pyes nëse ka mbetur ndopak shpresë për soditje në botën e sotme të ritmeve marramendëse, ndoshta duhet më mirë të pyes nëse mund t’u japësh vërtet hapësirë ritmeve të sotme marramendëse gjatë soditjes, pa e humbur fillin e vetes.

Pa Komente

  1. Kështu edhe unë, në vend që të pyes nëse ka mbetur ndopak shpresë për soditje në botën e sotme të ritmeve marramendëse, ndoshta duhet më mirë të pyes nëse mund t’u japësh vërtet hapësirë ritmeve të sotme marramendëse gjatë soditjes, pa e humbur fillin e vetes.

    🙂

    Nese ke kohe dhe mundesh ta gjesh online (dhe nese te intereson, kuptohet) BBC ka pasur nje emision mjaft interesant me kater seri / kater video, te titulluar “Time”: http://www.bbc.co.uk/bbcfour/documentaries/features/time.shtml

    Flet midis te tjerash dhe per shume aspekte ‘te brendshme’ te kohes, per ‘oren e brendshme’ qe ka secili e cila eshte pothuajse e pavarur nga koha e sahatit (por jane aktivitetet dhe perceptimet ato qe na sinkronizojne).

    Mbaj mend qe diku ne nje pjese ky narrator, Michio Kaku, eksploron kete fenomen qe pak a shum permend ti, pse disa njerezve, p.sh. te moshuarve (po jo vetem, besoj dhe atyre qe jane rritur ne ‘epoken e ngadalte’) i duket sikur gjerat ecin me shpejt se me pare, dhe thote se nuk eshte e thene se patjeter gjerat ecin me shpejt, apo me shpejt sesa ata mund ti ndjeken, porse eshte stadi i ngadalesuar i tyre i brendshem, pasi ata nuk jane me gjithmone duke ‘vrapuar’ por kane tjeter rritem te brendshem, soditin e meditojne me shume, jetojne me shume ne te tashmen, dhe per pasoje kjo eshte pjeserisht iluzion ose tregues i tyre, mosperputhje ritmesh te brendshme te kohes midis pakices dhe shumices, ose pakices dominuese, qe behet shumice.

    Kuptohet ne kohet qe jetojme dhe efektet e jashtme/objektive jane dukshem ne ndryshim e siper. Tashme eshte koha e “generation now”, e ‘instant gratification’ (pardon anglishten) ku cdo gje qe duam e presim ne moment, e konsumojme shpejt, e hedhim tutje dhe shikojme per gjene tjeter (interneti padyshim eshte ‘fajtori’ kryesor ne kete mendoj), por keshtu dhe vemendja (attention span) sa vjen behet me e shkurter, per pasoje.

    Kurse filmin origjinal Solaris s’e kam pare, flm per referencen. Kam pare ate te vitit 2002 me Clooney (http://en.wikipedia.org/wiki/Solaris_%282002_film%29) , me pelqeu mjaft. Tani e pashe tek link me siper qe autori i noveles paska pasur verejtje per kete version filmi:

    As Solaris’ author I shall allow myself to repeat that I only wanted to create a vision of a human encounter with something that certainly exists, in a mighty manner perhaps, but cannot be reduced to human concepts, ideas or images. This is why the book was entitled Solaris and not Love in Outer Space.

    Keshtu qe flm per referencen e origjinalit, do ta shikoj. Dhe po qe se me lejon graviteti i ‘instant gratification’ (pjese e kesaj eshte dhe fakti qe shikojme me shume filma sesa lexojme libra) do mundohem te lexoj dhe novelen.

  2. Xhaxha, ne Gugenheim kishte nje ekspozite te titulluar “Filling the void,” te perbere nga propozime prej artistesh te ndryshem per te mbushur hapesiren e Gugenheim me projekte te ndryshme. Nje nder keto propozime ishte shume i ngjashem me kete idene e shperberjes te Solaris ne kuadro dhe rreshtimit te ketyre kudrove pergjate spirales se Gugenheim. Gje qe edhe ngre nje pyetje arkitekturale mbi “galerine” si hapesire shfaqjeje, per mendimin tim, me teper se sa nje pyetje administrative mbi numrin e rojeve. Aq me teper qe spiralja e Gugenheim eshte e tille qe nuk lejon dalje arbitrare, pasi po iu fute nuk mund te ndalosh dot pa i shkuar deri ne fund ose pa bere nje rewind te detyrueshem per te dale (pa marre parasysh ashensoret). Nuk po me kujtohet se cfare filmi ishte propozuar dhe nga kush. Sidoqofte krejt ekspozita ja vlente te shikohej, pasi pervec kesaj, kishte dhe shume propozime te tjera po kaq te mira. Duhet te jete ekspozite akoma e hapur.

  3. Nje njeri i formuar, qe nuk i perket turmes, (qe fatkeqsisht shume e rralle e gjen), qe di se cfare do e se cfare pelqen ka kurajon te ndaloje, te marre fryme, te shohe kohen qe iken, te ndjeje simplicitetin e natyres dhe te jete i lumtur.
    Une, sinqerisht, kam mbetur teresisht “mbrapa” dhe nuk po dua te “shijoj” fast life, jo pse ajo me tremb, jo se ndjehem plak, perkundrazi, por me krijohet ndjesia e renies se plote ne humnere. Me intrigon tmerrsisht koha. Ku shkon? Me lodh mendimi i kohes, me lodh perseritja e arsyes kur perkon ne menyere perfekte me ate qe ndodh ne nje moment, a e dirigjon kush kohen, momentin, ngjarjen, sensin e ndjenjes, miqesise, familjes, jemi kaq te rendesishem, apo duhet ti nxjerrim gjuhen fatit ashtu si dhe Ainshtaijni?
    Ne jeten e shpejte mund te gjesh “fillin e dollareve” e vetveten mund ta humbesh ne proces, ndersa kur i lejon vetes lluksin e kohes,- nga e cila, edhe pse e dime qe jemi te varur, e shperfillim, a thua se do te jetojme pafundesisht,- cdo detal qe te duket i parendesishem ne jete do te marre tjeter pamje.
    Francezet kane nje shprehje qe thote nese do te jesh i lumtur per nje vit martohu, por nese don te jesh i lumtur perhere rrit lule. Kuptimi i kesaj shprehje eshte shume i me i gjere sesa e permbledhin fjalet. Si psh jepi kohe edhe asaj qe nuk te jep ndonje fitim sic eshte lulja.

  4. L_, nqs di anglisht, ai emisioni qe rekomandova me lart eshte mjaft interesant per keto ceshtje.

    Me intrigon tmerrsisht koha. Ku shkon?

    Se pari duhet vene ne pikpyetje vete ky nocion, qe ‘koha shkon (diku)’, qe eshte dimesion me vete dhe nuk eshte p.sh. thjesht tregues i levizjeve ne hapesire, pra tregues i dimensioneve te tjera.

    Ose duke u nisur nga vete pyetja ‘ceshte koha?’

    Veshtire se ka nje pyetje kaq te thjeshte (ne aparence) me kaq shume pergjigje dhe pasiguri ne keto pergjigje nga njerez te ndryshem, qe nga dijetaret e lashtesise e deri ne shkencetaret e diteve tona.

    Ky shkencetari me poshte p.sh. hipotezon qe big bangu s’ishte fillimi i gjithshkaje, qe universi sic e dime ne eshte vec nje pjese e nje morie pafundesisht universesh dhe qe big banget (shumes) fillojne diku ne nje pike ku koha (sic e mendojme ne te pakten) nuk egziston, dhe qe aty koha shperndahet/ecen/rrjedh ne drejtime te ndryshme ne korelacion me entropine e secilit univers te sapoformuar:

    http://www.wired.com/wiredscience/2010/02/what-is-time/

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin