Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

E DIEL

Përfytyroni artistin që ia pikturon portretin dikujt: ky i rri përballë, si model, teksa piktori e transferon imazhin nga retina e vet (ose bota përballë, në 3D), në kanavacë, duke vendosur atje bojëra me penel.

Si gjest material, të pikturuarit konsiston në përzierjen dhe shtresimin e bojërave mbi një sipërfaqe zakonisht 2D; gjithçka tjetër është lexim shenjash dhe interpretim, prej publikut dhe artistit vetë, në bazë konvencionesh gjithfarësh.

Deri sa nuk ishte shpikur fotografia, piktura shërbente edhe si riprodhim i imazhit; për ta ruajtur atë në kohë, për t’i dhënë qëndrueshmëri kundrejt kaleidoskopit të realitetit, për të ankoruar kujtime të rëndësishme.

Fotografia ia hoqi pikturës një pjesë të dobishmërisë praktike, për ta lënë të lirë si art, duke e çliruar nga vargonjtë e ikonicitetit. Më pas fotografia vetë u shndërrua në art, duke përsëritur njëfarësoj estetikën e pikturës, por edhe duke luajtur me dritën siç luan piktura me ngjyrën. Penelit dhe pigmentit dhe gjurmës së penelatës mbi kanavacë ia zunë vendin filtrat, teknikat e përpunimit të imazhit dhe, tani së voni, Photoshop-imi.

Fotografia ia hoqi pikturës, deri diku, edhe papërsëritshmërinë; në epokën e riprodhimit mekanik të shenjave, kushdo mund të mbajë të varur në mur një riprodhim fotografik të Mona Lisa-s, krah për krah me posterin e një albumi të Led Zeppelin, i cili ka shitur miliona kopje.

Megjithatë, korridoret e Louvre-it nuk kanë mbetur ndonjëherë të zbrazëta.

Një foto e Mona Lisa-s është edhe citim budalla i atij portreti; unë që e mbaj të varur në mur shpreh anëtarësimin tim në klubin e dashamirësve dhe të riprodhuesve të kulturës “së lartë”, por nuk pretendoj të përftoj, që andej, ndjesi estetike të sofistikuara.

Asgjë artistike nuk ka në shkrepjen e kameras, në vetvete; sikurse nuk ka në penelatat e shimpanzeve në Zoo, ose të elefantëve.

Mirëpo shihni tani portretin përbri: poza, tema, referenca kulturore (arti skenik), ngjyrat, ndriçimi, sfondi i përkasin pikturës ndoshta franceze të fundshekullit XIX; por portreti vetë është fotografi e Peter Kun Frary-t, e shkrepur në një dyqan kozmetike në Hawaii.

Çfarë tërheq vëmendjen, këtu, është se modeles ia kanë pikturuar trupin, si të ishte kanavacë e njëqind vjetëve më parë. Autori i fotos ka shkrepur kameran, por përballë një trupi të përdorur si sipërfaqe pikturimi, për një imazh që i referohet një kanoni artistik klasik.

Ku fillon fotografia e ku mbaron piktura? Nëse pikturimi i lëkurës së subjektit të fotos është diçka unike, e papërsëritshme, që ka humbur së bashku me momentin kur është inskenuar pamja dhe është marrë fotoja, atëherë çfarë ka mbetur mekanikisht e riprodhueshme, përtej fotos, për më tepër të soditur në Internet?

Operacioni është post-modern tipik; intertekstualiteti, ose citimi i mesazhit të djeshëm në mesazhin e sotëm, e mbyt pandërmjetësinë e veprës; korniza e shndërron një shembull të rëndomtë (dhe komercial) të artit performativ në një refleksion për historinë e pikturës dhe konvencionalitetin e teknikës realiste; në një kohë që akti i fotografimit e riformulon imazhin si pastiche të një portreti klasik.

Ironia e fundit, në këtë rast, është se portreti rezulton i pikturuar, drejtpërdrejt, në lëkurën e subjektit të vet. Qarku mbyllet, arti fundoset në vorbullën e vetë-referencës, publiku kapet gafil në rolin e padëshiruar të voyeur-it.

Pa Komente

  1. Attilio Bertolucci

    Portet burri të sëmurë

    Ky që shihni pikturuar këtu me hematit dhe të zezë
    dhe që zë tërë hapësirën e tablosë
    jam unë në vërsën dyzetenëntëvjeçare, mbështjellë
    në një rrobë të gjerë dhome që i këput duart

    si të qenë lule, nuk lë të shohësh nëse trupi
    është shtrirë apo ulur: kështu e kanë të pamundurit
    nxjerrë para dritaresh që nxënë në kornizë ditën,
    ditën tjetër që iu lejua syve aq herët lodhur.

    Por kur pyes piktorin, tim bir katërmbëdhjetëvjeçar
    kë ka dashur të vizatojë, ma kthen ai sakaq
    «një prej atyre poetëve kinezë që më ke vënë
    t’i lexoj, teksa sheh jashtë, n’orën e vet të fundit.»

    Çiltër po flet, më kujtohet t’ia kem dhuruar librin
    që zemrën ngazëllen me rrëke kaltëroshe
    dhe gjethe të murrme vjeshte; aty t’urtë, a kinse t’urtë [ poetë]
    hirplotë braktisin jetën kupa duke çuar.

    Unë pra jam i përkitur i këtij shekulli që kujton
    se s’gënjen, që përvijohem n’atë burrë të sëmurë
    vetveten duke gënjyer: dhe po e shkruaj
    për t’yshtur një të keqe ku besoj e nuk besoj.

  2. Por kjo eshte krejt nje vjedhje! Fotografia nuk mund ti marre dot asgje piktures, sepse sado e avancuar teknologjikisht te jete fotografia, piktura e mbyt me mendimin dhe kohen qe i eshte dashur piktorit ta sjelle ne jete, prandaj dhe eshte gjithmone aq e dashur dhe e pazevendesueshme.
    Per mua personalisht fotografia vlen me shume ne bardh e zi, jo vetem qe me pelqen aq shume por, edhe me duket sikur nuk i bej dot dhe aq padrejtesi piktures, sepse i qendroj pak me afer ne kohe; duke luajtur me hije driten, arrij te shpreh pak art ne lashtesi, ashtu sic mund te quhet piktura sot nga ata adoleshente qe luajne me pikturen dhe fotografine.
    Kur shoh fotografine e mesiperme nuk mund vec se te ndjehem konfuz dhe peshtjellohem. Me kujton nje bisede qe me pat thene dikush per “genetic breeding”, dhe me pat propozuar nje lloj fotografie te tille duke imoralizuar krejt konceptin qe une kam per fotografine, por sigurisht meqe edukata nuk me lejon te fyej askend, nuk jam shpesh ne gjendje te gjej fjale te pershtatshme per te sqaruar. Por kete e ben shume mire fotogafia ne bardh e zi. Arrin qellimin ne menyre perfekte, nuk perlyhet me makeup qe jane ngjyrat ne kete rast, ngrin momentin, dhe i qendron te lashtes dhe artit me afer se kurre.
    Por megjithate keto jane preferenca dhe nuk gjykohen dot. Por perfytyroni te fotografosh Elgar’s “Enigma Variation” Nimrod ne natyre (metafore), dhe si arrihet kjo pervecse ne bardh e zi dhe duke marre avantazh nga natyra. Sa me fat duhet te jemi qe kemi mundesi te shohim, fotografojme dhe ndjejme natyren?

  3. E Hena pas te Dieles.

    Pyet Xha: “Ku fillon fotografia e ku mbaron piktura?”

    Pergjigjet “Vemendje”, pa lidhje direkt:

    Ku ka fotografim dhe ku ka pikture.

    Vezhgimi i te Dieles duket te jet i trazuar nga reaksioni i te kuptuarit te piktures dhe fotografise me teper se aksioni, se sa fokusimi i cfar ben pozitiv kombinimin, bashkpunimin, nderthurjen, e piktures dhe fotografise ne shprehje te aktit te mendimit.
    Nuk ka as nji gje te keqe te menduarit, edhe identik te jete, ne kohe te ndryshme e njelloj, dhe as fotografia qe mund te perdoret nga piktori, ose anasielltas, vlere ka, perjetimi per veper arti, fotografi ose pikture. Pra, eshte njelloj si me togfjalshin; ‘Te dua’ Ky togfjalsh eshte i njejte ne te gjitha kondicionet e te gjitha kohrat i njejte, e vetmja gje qe nuk eshte njelloj eshte perjetimi, ky i fundit varet nga subjekti (artisti).
    Te shohesh nje riprodhim arti ne fotogreafi, per cfar eshte-nje riprodhim arti ne fotografi, eshte si te shohesh se kush eshte pikture dhe kush eshte fotografi, jo vetem se jane bere njera me ngjyra dhe tjetra me kamera, por edhe se as si dallon e as i bashkon ato gje tjeter vecse mendimi – pozicionimi i tij, perjetimi.

    Simpatizohem me shqetsimin e perjetimit te se ‘Dieles’ Xha, por sic eshte ne cdo fushe arti, kulture, etj, mbi tetdhjete perqind eshte imitim, kopjim, pastico, ne njeqind perqindshin e mundshem, po ashtu eshte ky raport edhe ne vet njezetperqindshin e mbetur.

  4. Ideja e dickaje kalon nga objekti tek subjekti, i nenshtrohet subjektit i cili kerkon ta ktheje ne objekt (veper arti).

    Pika kyce eshte subjekti, vetem se subjekti nuk eshte vetem artisti, njeriu por edhe mjetet. Po te mund te dergohej Pikasoja ose Bethoveni ne epoken e gurit, as Pikasoja sdo nxirrte ndonje gje pikasoje dhe as Bethoveni sdo nxirrte dot gje.

    Tek fotografia njeriu luan rol dytesor, fotografi si artist eshte ‘cliruar’ nga ‘barra’ e mjeteve, mjeti i ben te gjitha vete.

    Po te pakten fotografia ka nje te mire, nuk e zoteron hipokrizine e te nxjerrit te gjese/objektit ne vetvete, kap vetem dukjen, ate qe duket ne drite.

    Nderkaq artistet perpiqen vazhdimisht te nxjerrin sikur kane nxjerre gjene ne vetvete, kane perpiluar edhe kritere te panumerta qe i bien ndesh sho-shoqit ne kohe (pervec ca veprave qe quhen ‘klasike’, te tjerat hidhen ne koshin e plehrave).
    Koha e sotme eshte edhe koha e me kembengulesve tek nxjerrja e gjese ne vetvete, si i thone artistikisht shpirtit.

    Me kap shpirtin ne nje objekt/veper arti, eshte pohim shume ‘bizzarro’, me kap ‘gjene ne vetvete’ pa futur konceptin e shkencores apo te pakten logjikes, eshte metafizike pa logjike, prandaj zakonisht artistet ose artdashesit duket sikur flasin per hesap te vet.

    Ky fotografi pavaresisht qellimit dhe mesazhit ka nxjerre dicka te bukur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin