Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim

NJË PARADOKS PREJ POP-IT

Këto ditë tabloidët kanë bërë zhurmë për identitetin e personit të cilit i kushtohet kënga “You’re so vain” e Carly Simon-it; një çështje e diskutuar nga të ngeshmit qëkur kënga doli në treg dhe pati sukses të madh, në vitin e largët 1972.

Nuk dua ta sjell këtu të plotë tekstin e këngës; po mjaftohem të them se është një nga ato këngë të cilat i drejtohen pas gjase një ish të dashuri, për t’i thënë “ti ishe kështu dhe ashtu,” siç i kemi dëgjuar dhe do t’i dëgjojmë me qindra, në mos mijëra herë nga skenat dhe altoparlantet anembanë botës.

Deri këtu asgjë për t’u shënuar; as ka ndonjë arsye për t’u intriguar se kë ka pasur vërtet në mend Carly Simon, kur e ka shkruar këngën.

Përkundrazi, një varg i këngës krijon kokëçarje gjuhësore që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën si e shpreh identitetin gjuha – anglishtja, por edhe shqipja, meqë në këtë rast dallimet mes këtyre dy gjuhëve nuk ngrenë peshë.

Thotë autorja:

You’re so vain, you probably think this song is about you.
[Ti je kaq vanitoz, sa ndoshta kujton se kjo këngë është për ty.]

Dhe gjithashtu:

You’re so vain, I’ll bet you think this song is about you.
[Ti je kaq vanitoz, sa unë jam e sigurt ti kujton se kjo këngë është për ty.]

Natyrisht, kënga i drejtohet një personi të caktuar, të quajtur gjithnjë you, por që mbetet i njëjti nga fillimi në fund të këngës, pavarësisht se nuk quhet kurrë me emër.

Siç dihet, përemri you (ti) shenjon thjesht partnerin në komunikim, ose personin të cilit i drejtohet thënia. Se kush mund të jetë pikërisht “ti” nuk ka të bëjë me kuptimin e fjalës ti, por me kontekstin e komunikimit.

Për këtë arsye, kur një tekst kënge ose një poezi ka formën “ti ishe kështu, ti bëre ashtu, ti më the kështu, etj.”, lexuesi (dëgjuesi) përfytyron se është fjala për dikë me të cilin poeti futet në një dialog ose më mirë monolog të përfytyruar.

Supozimi pothuajse i detyruar, në këtë rast, është se brenda të njëjtit tekst, në të njëjtin kontekst, dhe kur fjalët vijnë nga i njëjti subjekt i ligjërimit (që e shenjon veten si unë ose I në anglishte), fjala ti (ose you) i referohet të njëjtit person.

Por vëreni tani vargun e mëposhtëm:

You’re so vain, you probably think this song is about you.
[Ti je kaq vanitoz, sa ndoshta kujton se kjo këngë është për ty.]

Vargu implikon se referenti i togfjalëshit you’re so vain (ti je kaq vanitoz) nuk është i njëjtë me referentin e pjesës tjetër të thënies: you probably think… (sa ndoshta kujton se kjo këngë është për ty.)

Pse ndodh kjo zhvendosje e referentit?

Sepse teksti i këngës i drejtohet sistematikisht një personi të referuar si ti (you), i cili është kështu dhe ashtu, ka bërë kështu dhe ashtu, ka thënë kështu dhe ashtu, dhe është ndër të tjera edhe vanitoz; madje aq vanitoz, sa kujton se kjo këngë i kushtohet atij (të vërehet këtu edhe implikimi tjetër, dhe pikërisht se përemri dëftor this (kjo) në togfjalëshin this song (kjo këngë) i referohet pikërisht këngës që e përmban).

Mirëpo në fakt kënga i kushtohet atij personi; sepse kënga i kushtohet pikërisht personit të referuar si ti, dhe që kujton, ndër të tjera, se kënga i kushtohet atij.

Me tekstin e këngës, Carly Simon ndërton një personazh të paemër, por që përftohet si tërësi e gjërave që thuhen për të; pastaj krejt papritur e rrëzon këtë kështjellë që ka ngritur me fjalë, për t’i thënë personazhit të vet se kjo këngë “nuk është për ty”.

Një karakteristikë e personit vanitoz është iluzioni se gjithçka që ndodh rrotull tij, ka lidhje me të; dhe se njerëzit përreth e kanë në qendër të vëmendjes.

Në këtë rast, është “normale” për një të afërm vanitoz të Carly Simon-it, që të kujtojë se ajo e ka shkruar këngën “për të”; është normale sepse pikërisht iluzione të tilla e bëjnë personin në fjalë vanitoz.

Megjithatë, nëse dikush shkruan një këngë për mua, dhe unë kujtoj se kjo këngë më kushtohet mua, atëherë unë nuk jam vanitoz, por vetëm i aftë për t’i dhënë një lexim të vërtetë realitetit.

Prandaj, në qoftë se kënga “You’re so vain” është për mua, atëherë unë nuk jam vain (së paku për këtë arsye); dhe në qoftë se kënga “You’re so vain” nuk është për mua, atëherë nuk jam unë personi që mendon se “kënga është për mua”; dhe unë përsëri nuk jam vanitoz (së paku për këtë arsye).

Ky është edhe paradoksi, të cilin e përfton ligjërimi poetik vetë, sa kohë që thëniet mbeten të paankoruara në kontekstin e ligjërimit. Për këtë arsye, edhe kënga “You’re so vain”, logjikisht, nuk mund të ketë referent në botën reale, sa kohë që konvencionet ligjërimore na detyrojmë të mendojmë se përemri vetor you (ti) brenda një monologu që nuk përmban citime ose ligjëratë gjysmë të zhdrejtë i referohet sistematikisht të njëjtit person.

Ky paradoks nxjerr krye, në një mënyrë ose në një tjetër, sa herë duam të vendosim lidhje të sigurta, ose referenciale, midis teksteve letrare (poetike) dhe botës reale, ose kontekstit biografik të autorit. Për mua, ai ofron provën se orvatjet për të ndërtuar ura të tilla identifikimi mes personazheve (aktantëve) të tekstit letrar dhe individëve jashtëletrarë, që i përkasin “tekstit” të jetës së autorit ose të lexuesit janë naive dhe nuk shkojnë dot përtej nivelit anekdotik, ose faqes së një tabloidi.

Pa Komente

  1. “””Mirëpo në fakt kënga i kushtohet atij personi; sepse kënga i kushtohet pikërisht personit të referuar si ti, dhe që kujton, ndër të tjera, se kënga i kushtohet atij.””””

    Në fakt… nuk keni llogaritur egoizmën e Carly-t Xhaxha, për të dalë në atë përfundim. Dhe e them këtë, sepse dyshoj shumë në altruizëm, apo argumente në dukje altruiste.

    Nuk di si ta shpjegoj tamam këtë, por po përpiqem…

    Në momentin që një histori ka mbaruar, të gjitha lidhjet me personin në fjalë, shkëputen nga të ecurit bashkë. Kujtimet më pas, janë pronë vetëm e personit që i ri-përjeton dhe nuk ka nevojë për prezencën e “tjetrit” për këtë gjë. Kështu, identiteti i atëhershëm i dikujt, nuk është më ai që ishte. Është kthyer në kujtim. Personi i lidhur me kujtimin, nuk është më aq i afërt sa ishte. Madje është aq larg, sa mund t’i privosh gjeniunitetin që kishte. Nuk është më gjenuin.

    Ai tashmë kthehet në thjesht rastësor, në parametër.

    Kështu që Carly mbase do të thotë se kënga të përshkruan ty o vanitoz, po nuk është për ty.
    Me një fjalë, mbase thotë, kënga është për mua. (për Carly-n demek). Këtu nënkuptoj se nuk ka përshkëmbim përemri you = you = 1.

    Pastaj, në përfundimin ku dolët ju, më vjen në mendje diçka nga gjuhët e programimit kompjuterik. Këto gjuhë programimi, ndërtojnë matrica me anë komandash, tek të cilat depozitojnë më pas të dhëna. Disa lloje problemesh, zgjidhen duke ndërtuar një matricë bosh, për shkak të nevojës për t’i lëvizur të dhënat nga një vend në tjetrin për të bërë veprime.

    Nëse ju kuptova drejt, ju e konsideroni këtë përemrin “you”, si një matricë të tillë, boshe, tek e cila nuk na intereson përmbajtja, sepse utiliteti për të cilën është formuar, nuk e konsideron përmbajtjen.

    Apo e kam gabim?

  2. Shumë i hollë interpretimi yt, J.; lejon të dallohet midis një you-1, një you-2 dhe një you-3 e kështu me radhë deri në një you-n, vërtet të bashkuara nën identitetin e të njëjtit referent jashtë tekstit, por të diferencuara në rrjedhën e kohës.

    Është një interpretim që do ta klasifikoja si i shkollës së semantikës së përgjithshme; më duket se ofron një zgjidhje legjitime të paradoksit, në kuptimin që “kënga është për ty siç ishe atëherë, por jo për ty siç je tani.”

    Përndryshe, përemrat vetorë në gjuhësi i konsiderojnë si shprehje të deixis-it; meqë si fjalë kanë kuptim semantik fiks, por edhe një kuptim denotativ që ndryshon vazhdimisht, në vartësi të kontekstit (kështu ‘you’ ka kuptimin: “personi të cilit i drejtohet thënia gjatë komunikimit”, çka mund të merret edhe si përkufizim i funksionit që luan fjala; por ky person në të vërtetë mund të jetë kushdo).

  3. Është tepër interesante ama, sesi unë nisem nga matematika dhe ju nga gjuhësia, për tu marrë vesh. 🙂

    Po ka një dallim këtu mes dy koncepteve, sepse mua intuita fillimisht ma tha se kemi të bëjmë me një person të vetëm, le ta quajmë person fizik, apo të identifikuar, ta quajmë (YOU) këtë.

    Mirëpo ky (YOU) siç e vutë re, nuk është i njëjti, nën variablin kohë. Mua në arsyetim më ndihmoi “Fuzzy logic”, për këdo që ka kohë, po vendos linkun: http://www.mathworks.com/access/helpdesk/help/pdf_doc/fuzzy/fuzzy.pdf

    (nuk janë për tu lexuar 300 faqe sa ka aty, mjafton vetëm kapitulli i dytë pak nga faqja 20 deri 40, për të kuptuar sesi funksionon llogjika fuzzy.)

    Shkurtimisht… (YOU)-në e cilësoj = 1, në boshtin e y-ve. Të gjithë vlerat e kohës në të cilat shtrihet (YOU). Që nga lindja e personit YOU deri në kohën e tashme ku ndodhemi. Llogjika fuzzy, e interpreton këtë si parametër vërtetësie. Dmth, unë e kufizoj gjithë jetën e YOU në një formë gjeometrike me ordinatë = 1.

    Zakonisht, formohen një nga dy figurat gjeometrike, ose trekëndësh, ose trapez, sipas dëshirës. Nëse te boshti i x-eve vendosen parametrat e kohës, të shprehura në vite 0 deri në 60 e zëmë, nëse ky personi është 60 vjeç, atëherë, pjesa e personit (YOU) që ka patur Carly, i takon ajo pjesë e sipërfaqes së trekëndëshit që përputhet me kohën që kanë qenë bashkë. Gjithë personi (YOU) do ishte i barabartë me: (60×1)/2 (sipërfaqja e gjithë trekëndëshit, bazë x lartësi, pjestim për 2) = 30 cm^2.

    Pjesa e (YOU) që ka njohur Carly, e zëmë se kanë qënë bashkë 3 vjet, është sipërfaqja që i korespondon kësaj kohe. (normalisht, del sipërfaqe trapezi aty, e zëmë se kjo sipërfaqe = 6 cm^2.).

    Për të gjetur sesa % të (YOU) njeh Carly, bëjmë pjesëtimin
    6/30 = 0.2.

    20%.

    Shkojmë te lyrics, për të bërë zëvendësimin.

    You’re so vain, you probably think this song is about you.

    Për mua kjo kthehet:

    0.2(X)YOU’re so vain, YOU probably think this song is about YOU.

    Se ky i fundit tanimë, shndërrohet në problem të thjeshtë llogjik.

    Nuk e di nëse më ka kuptuar ndokush, edhe nga lexuesit.

    ***
    Po siç e shikoni Xhaxha, kështu si e shtrova unë del ndryshe nga ajo që nxjerr semantika linguistike.

    Megjithëse ajo formë linguistike, aplikohet shpesh për shaka. Kur themi pa u drejtuar në emër: – Hej ti aty, rri urtë! (këtë e aplikojnë profesorët, kur studentët bëjnë zhurmë po nuk e dinë cili tamam po bën zhurmë). Nga ana tjetër, është tashmë epike ajo barcaleta me mësuesen që shprehet: ky fundi më pengon shumë! (ajo e kishte fjalën për bankat e fundit të klasës), ndërsa nxënësit përgjigjen: Hiqeni fare mësuese!

    Disa herë më ka ndodhur kur shkoja në stadium për ndonjë ndeshje, shumë njerëz para ngriheshin në këmbë, dhe kur hidhnim ndonjë llaf – hej ti, ulu poshtë! Ishte me të vërtetë për të qeshur, kur të paktën katër-pesë veta kthenin kokën e pyesnin: kush, unë?

  4. Kam pershtypjen se shprehja e nje sentimenti vetiak dhe faktit qe shume te tjere gjejne veten te ai, (gje qe shpjegon edhe suksesin e nje vepre te caktuar) eshte shpjegur jo keq qe ne kohen e Aristotelit.

    Kam vetem fjalet me te mira qe te mos mjaftohesh me kaq e te kerkosh ndihme te Fuzzy logic, gje do te thote, midis te tjerash, qe ju te tregoni mirkuptim edhe ne arsyetimin time te meposhtem, gje qe tregova edhe une me ju.

    Kur Naim Frasheri thote: O malet e Shqiperise dhe ju o lisat e gjate… ne kete rast, gjithnje sipas Fuzzy logic ju (you) nuk ka asgje skandaloze qe te shihet edhe si you=1, ne nje bosht virtual kordinatash. Po te kthemi te arsyetimi vulgar i popullit kjo tregon se behet fjale vetem per nje lis.

    Me tej malet, mund te perfytyrohen edhe si shume male, pra vargmale, por edhe si vetem e vetem dy male. Kjo varet pak edhe nga koha qe kemi kaluar ne shoqeri te tyre (origjina malesore, koha e largimlit nga fshati etj)

    Tani besoj se eshte mjaft i lexueshem imazh erotik qe fshihet ne poezine e Naim Frasherit: Dy male dhe nje lis (diku aty nga mesi i tyre).

    Atehere, kur ndodhemi para ketij interpretimi qe vjen nga subkoshienca e jo nga koshienca (leximi i drejte i vargjve nuk le te levizesh shume nga bota materiale e gureve dh edrureve) a mund te dyshohet te nje lloj homoseksualizmi i refuzuar i poetit tone kombetar?

    Se po te qe ndryshe ai do te kishte folur per male dhe lugina, por mua nuk me del ne asnjs rast qe ai te kete permendur qofte edhe ndonje lugine te vetme…

    Me tej vetem se flet per bregore bukuroshe, gje qe ma perforcon disi dyshimin qe shpreha pak me lart.

    1. Po mirë o Qerime, mirë, veç se shumë trashë i ke prerë drutë, apo lisin e vetëm të Naimit.

      Po them se “fuzzy”, është mënyrë alternative të menduari. Unë vetëm sa e përdora këtë, për të zgjidhur paradoksin në fjalë me këtë mënyrë.

  5. Mendoj se fjala kyc nuk eshte you-ti por folja is-eshte (e interpretuar kushtoj).

    Aty ku logjika formale formon paradoks, jo domosdoshmerisht duhet te hidhemi tek fuzzy, duhet pare mire ana gjuhesore.

    Folja ‘eshte’ ne kuptimin ‘e kam krijuar per ty’, per te t’thene dicka, pra ‘ta kushtoj’ krijon paradoks. Pra nese shkaku eshte ti, atehere kemi paradoks.
    Mirepo nese ‘ti’ nuk eshte shkaku i krijimit te kenges, por vetem condicio sine qua non, atehere paradoksi zgjidhet.

    Per mendimin tim me ‘eshte’ autorja nuk nenkupton ‘krijuar per ty’, kushtuar ty, por sic e thote 2 here rresht poshte:

    I had some dreams, they were clouds in my coffee
    Clouds in my coffee, and…

    I had some dreams, they were clouds in my coffee
    Clouds in my coffee, and…

    Pra kenga i kushtohet endrrave te humbura, dmth vetes.

    Ai duke kujtuar se kenga ‘eshte’ per te behet vanitoz, sepse ajo nuk po ‘qan’ ‘ate’, humbjen e tij, por humbjen e endrrave qe ajo krijoi mbi ‘ate’.
    Nderkaq kenga ‘eshte’ per veten, pra ‘ti’ nuk mund te jete kallzori i subjektit kenge, por nje rrethanor (me saktesi nuk di te them c’fare rrethanori).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin