Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë / Shkencë

SHKENCA E FUTBOLLIT

Instituti Alb-Shkenca i ka dërguar këto ditë një letër Presidentit të Klubit Real Madrid, Florentino Pérez, për t’i kërkuar që një pjesë e pagesës prej 2.5 milion eurosh, që do t’i bëhet këtij klubi nga firma shqiptare Taçi Oil si shpërblim për një ndeshje miqësore me një ekip futbolli shqiptar (“Gramozi” i Ersekës), të përdoret për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve në Shqipërinë e Veriut.

Meqenëse tani po shoh, gjithnjë në mediat, se kjo ndeshje nuk ka për t’u zhvilluar, përpjekja fisnike e institutit Alb-Shkenca do të mbetet në katalogun e dëshirave të mira por të parakohshme; gjithsesi, ajo meriton vëmendje, sidomos për të kuptuar rolin publik të institucioneve në jetën e sotme shqiptare.

Askush nuk mund të gjykohet për çfarë nuk bën; dhe Instituti Alb-Shkenca është në të drejtën e vet kur përzihet në çështje bamirësie dhe ndjeshmërie morale, të cilat me shkencën nuk kanë kurrfarë lidhjeje; aq më tepër kur kërkesa në vetvete nuk ka të sharë, sepse duket afërmendsh që një klub i pasur si Real Madridi, i cili, me fjalët e Alb-Shkencës vetë, është një institucion shumë bujar dhe i ndërgjegjshëm, që gëzon mbështetje dhe vëmendje anembanë botës (“very generous and conscientious institution that enjoys wide support and attention”) nuk ka nevojë për paratë e Taçi Oil-it.

Megjithatë, nuk e fsheh që kjo përpjekje e Institutit Alb-Shkenca më duket qesharake. Dhe ja pse.

Së pari, nuk ka kuptim që një organizatë intelektualësh dhe studiuesish shqiptarë t’i drejtohet presidentit të një klubi futbolli me një letër të hapur; sepse ky president nuk besoj se ka dëgjuar ndonjëherë për Alb-Shkencën. Presidentit të Real Madridit mund t’i shkruajë një koleg nga Shqipëria – si presidenti i një klubi futbolli, ose i një federate sportive; fundja edhe një ministër i Sportit, ose ambasadori i Shqipërisë në Spanjë – por jo një institut studiuesish shqiptarë, të cilët nuk i lidh gjë as me futbollin profesionist të nivelit botëror, as me z. Florentino Pérez si businessman.

Së dyti, dhe çka është më e rëndësishme, të bësh thirrje që paratë e shkëmbyera mes milionerëve të përdoren për të lehtësuar vuajtjet e të dëmtuarve nga përmbytja është kërkesë legjitime, por tepër sentimentale në vetvete; mund ta bëjë, bie fjala, Papa i Romës, ose prifti i një fshati të përmbytur, ose koordinatori i ndihmave ndërkombëtare, fundja edhe vetë kryeministri shqiptar ose kryepeshkopi Janulatos; por jo një shoqatë shkencëtarësh, së cilës nuk i ka hije gjithë ky ngut për të shaluar kalin e konsensusit populist, as ky pozicionim kaq haptazi moral.

Së treti, Instituti Alb-Shkenca mbledh në gjirin e vet studiues dhe intelektualë shqiptarë të cilët janë shquar si ekspertë në fushat e veta dhe si intelektualë publikë në fusha të tjera; mirë do të ishte që këta njerëz, të cilët kombi i ka si ujët e paktë të jepnin kontributin e tyre në këtë moment të vështirë pikërisht duke ndërhyrë, me autoritetin që të jep dija, ekspertiza dhe profili i lartë etik, në debatin që ka marrë zjarr në mediat, për dinamikën e kësaj përmbytjeje.

Ka muaj që një inxhinier, Dhimitër Cico, është shqiptuar në mediat për rrezikun e bllokimit të portave të shkarkimit të liqeneve të hidrocentraleve të Veriut; më pas, të tjerë ekspertë por edhe gazetarë kanë diskutuar për mënyrën si u veprua për ta ruajtur ngarkesën hidrike të liqeneve si dhe për mënyrat e shkarkimit të kësaj ngarkese, për të shmangur përmbytjet. Të tjerë ekspertë kanë përsiatur mundësinë e shkatërrimit të digave dhe kanë sjellë në vëmendje të publikut gjithfarë skenarësh apokaliptikë.

Në mediat vijon të diskutohet edhe përgjegjësia e qeverisë në këtë mes, dhe veçanërisht e ministrit të Energjitikës dhe e KESH-it, të cilët komandojnë nivelet e ujërave në digat dhe i ndryshojnë ato sipas rregulloresh teknike të mirëpërcaktuara. Diskutime të tilla janë shpesh të ndërlikuara dhe të vështira për t’u kuptuar dhe ndjekur nga publiku, i cili ashtu mund të manipulohet lehtë për interesa politike të palëve.

Duke qenë ky konteksti, a nuk do të ishte mirë që Instituti Alb-Shkenca të diskutonte, të analizonte dhe të shqiptohej profesionalisht për këto çështje, duke shfrytëzuar ekspertët që numëron në gjirin e vet? Nëse në këtë institut militojnë ekspertë të hidro-energjitikës, inxhinierë ndërtimi, gjeologë, meteorologë dhe të tjerë dijetarë e studiues që mund të analizojnë me autoritet rreziqet e përmbytjeve, digave dhe tuneleve, a nuk do të ishte mirë që këta njerëz të hartonin dokumente publike për tema të tilla, në vend që t’i shkruanin presidentit të një klubi futbolli, për t’i kërkuar që të ndihmojë të përmbyturit me paratë e paguara nga Taçi Oil?

E përsërit: e mira s’ka fund, dhe unë i pari kam ngulur dhe vazhdoj të ngul këmbë se askush nuk mund të gjykohet për çfarë nuk bën, aq më tepër që Instituti Alb-Shkenca nuk ka lidhje as mua, as me paratë e mia dhe me taksat që unë paguaj. Megjithatë, duke lexuar letrën e kësaj organizate drejtuar të nderuarit z. Florentino Pérez në dy gjuhë (anglisht dhe spanjisht), e pata të vështirë të largoj nga mendja dyshimin se, në atë masë që përzihet në nisma të tilla sentimentale dhe populiste, të cilat luajnë telat e ndjeshmërisë publike për viktimat e një katastrofe natyrore, Instituti Alb-Shkenca konfirmon, para së gjithash, irrelevancën e vet aktuale.

Pa Komente

    1. Guest, nuk e kuptoj se për ç’bamirësi e ke fjalën. Askush nuk ka bërë ndonjë bamirësi deri më tash, por vetëm i është kërkuar presidentit të një klubi futbolli në Spanjë, nga ana e një instituti shkencëtarësh shqiptarë, që të ndihmojë të përmbyturit në Shqipëri. Ku është bamirësia këtu? Po zgjuarsia? Pse e përjashtokan bamirësia dhe zgjuarsia njëra-tjetrën? Gjesti i institutit Alb-Shkenca është bamirësi apo zgjuarsi? Nëse nuk është zgjuarsi, atëherë pse kritika ime të mos jetë edhe ajo bamirësi?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin