Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë

DIABETI DHE PUSHTETI

“Panorama” përcjell sot një intervistë të B. Fevziut me Isuf Kalon, një mjek i cili dikur ia ka kuruar Enver Hoxhës diabetin.

Të njëjtin material duhet ta ketë nxjerrë edhe “Gazeta shqiptare”, sipas zakonit tashmë të njohur dhe të përshkruar në këtë blog, të shkëmbimit lirisht të materialeve mes mediave të Tiranës; veçanërisht në rrethanat kur televizioni e ka zëvendësuar realitetin.

Përndryshe, nuk di e sata herë është që mjeku Kalo del në publik për të folur për diabetin e Hoxhës – duke sjellë në thelb të njëjtat fakte triviale: aq më tepër që diabeti, si sëmundje, është njohur dhe është përshkruar prej kohësh.

Në intervistë kthjellohen edhe disa gjëra për vendin e kryeministrit të sotëm Berisha në grupin e mjekëve të udhëheqjes, të cilat gjithashtu nuk ngrenë ndonjë peshë.

Nuk e kam të qartë, as mund ta kem, nëse kjo këmbëngulje e Kalos për të folur pa fund për sëmundjet e Hoxhës në publik vjen nga ai vetë, apo është efekt i dëshirës së mediave për t’i mbushur faqet e tyre me trash.

Tundimin e paskam të fortë për të menduar se ky mjek, i zoti dhe i shquar në profesionin e vet, po identifikohet më kot me sëmundjen e një diktatori të vjetër dhe të vjetëruar; por deri tash tundimin e kam mbajtur nën kontroll, çka është gjithashtu irrelevante në vetvete.

Çështja është këtu nëse ka ende ndonjë kuptim dhe vlerë të flitet për diabetin, infarktin dhe senilitetin e Hoxhës, tani që praktikisht është thënë gjithçka në lidhje me datat, incidentet, mjekët, aparaturat, simptomat, efektet anësore, analizat e urinës dhe të tjera hollësi të mërzitshme që i bashkëlidhen kësaj sëmundjeje.

Unë besoj se ka, dhe se mjeku Kalo, si njeri jo vetëm i zoti profesionalisht por edhe me kulturë të gjerë perëndimore dhe i shëtitur në botë e ka për detyrë morale që t’i qaset, sa kohë nuk lodhet së foluri për sheqerin në gjak dhe obezitetin e një personi që ka vdekur njëzet vjet më parë.

Pyetja që shumë vëzhgues të totalitarizmit shqiptar ia bëjnë vetes është, besoj, nëse ka pasur ndonjë lidhje midis sëmundjeve të Hoxhës dhe ecurisë së zhvillimeve politike në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990. Mjeku i mirinformuar Kalo deri tani i është shmangur kësaj pyetjeje, ose gazetarët nuk kanë qenë në gjendje e nuk kanë guxuar t’ia shtrojnë me forcë; edhe pse ky është i vetmi aspekt relevant i sëmundjeve të Hoxhës, që meriton vëmendje sot e kësaj dite nga mediat dhe historianët e totalitarizmit.

Raportet midis shëndetit të dikujt dhe veprimtarisë së tij ose historisë së tij personale në parim njihen dhe janë përshkruar mirë; por këto ngrenë veçanërisht peshë në kushtet kur veprimtaria personale e dikujt ndikon drejtpërdrejt në jetën publike dhe politike, ose në historinë e një vendi.

E kuptoj se sëmundjet e një lideri në një vend demokratik, bie fjala J.F. Kennedy, De Gaule-i, Thatcher-i, etj. kanë rëndësi relative, sa kohë që këta nuk udhëheqin në mënyrë despotike, por përçojnë vullnetin e zgjedhësve të tyre dhe interpretojnë balancën politike të pushteteve në vendet që qeverisin. Për këtë arsye, vëmendja e tepruar në këto sëmundje, siç ka ndodhur në rastin e J.F. Kennedy-t, i përket një stili tabloidësh dhe me të drejtë shpërfillet nga analistët seriozë të politikës; edhe pse sëmundja e rëndë e një udhëheqësi politik gjithnjë e rrezikon stabilitetin e pushtetit.

Përkundrazi, sëmundjet e udhëheqësve totalitarë, të cilët i marrin vendimet në mënyrë arbitrare, pa u kushtëzuar nga organe legjislative ose pushtete të pavarura, kanë rëndësi të veçantë; sepse trupi i liderit totalitar, njëlloj si dikur i monarkut sovran, është edhe mishërim i pushtetit dhe i ligjshmërisë së tij. Një despot i sëmurë ia rrezaton patologjinë e vet krejt pushtetit që ia mbron dhe ekzekuton rolin prej despoti.

Prandaj e vetmja gjë që mund të thotë Kaloja dhe të tjerë mjekë të oborrit, pa e ulur nivelin e rrëfimit e pa i degraduar intervistat në josha voyeurismi për publikun, është të shpjegojë nëse ai vetë, si mjek dhe si intelektual, ka vrojtuar dot ndryshime të personalitetit të princit, si pasojë e sëmundjeve të tij – veçanërisht infarktit, diabetit dhe problemeve të tjera shëndetësore të Enverit.

Kaloja, në këtë intervistë dhe në intervista të tjera më parë, mjaftohet të përsëritë se “Enveri ishte i kthjellët deri në fund”, çka lë të kuptohet se edhe ai e ndien nevojën për t’i përligjur njëfarësoj historitë që tregon, për ngjarje të kupolës së shtetit totalitar ku ai ka pasur akses si njeri i besuar, politikisht dhe profesionalisht. Si mjek dje, ka qenë detyrë e tij morale t’i shërbejë të sëmurit të vet me aq sa ka pasur mundësi; si ligjërues publik sot, ndoshta është përsëri detyra e tij morale të thotë diçka të mençur dhe relevante, ose që shkon përtej banalitetit.

Pa Komente

  1. Kaq vemendie dhe rendesi qe i kane dhene diabetit te Hoxhes nuk i kane dhene as haimophilise te familjes mbreterore te Britanise.

  2. Do vazhdoje i “ndrituri” Kalo te brockullise per beniaminin e tij dje, per sa kohe do i “ferkohen” shpatullat nga kupola e sotme, vazhduese besnike e asaj te djeshmes..

  3. Pa dashur ti heq asnje presje cfare tha xhaxhai me lart, e kam te pamundur te mos bej nje verejtje timen :

    Citoj : “E përsërit: e mira s’ka fund, dhe unë i pari kam ngulur dhe vazhdoj të ngul këmbë se askush nuk mund të gjykohet për çfarë nuk bën, aq më tepër që Instituti Alb-Shkenca nuk ka lidhje as mua, as me paratë e mia dhe me taksat që unë paguaj. Megjithatë, duke lexuar letrën e kësaj organizate drejtuar të nderuarit z. Florentino Pérez në dy gjuhë (anglisht dhe spanjisht), e pata të vështirë të largoj nga mendja dyshimin se, në atë masë që përzihet në nisma të tilla sentimentale dhe populiste, të cilat luajnë telat e ndjeshmërisë publike për viktimat e një katastrofe natyrore, Instituti Alb-Shkenca konfirmon, para së gjithash, irrelevancën e vet aktuale. ”

    Citoj : “Si mjek dje, ka qenë detyrë e tij morale t’i shërbejë të sëmurit të vet me aq sa ka pasur mundësi; si ligjërues publik sot, ndoshta është përsëri detyra e tij morale të thotë diçka të mençur dhe relevante, ose që shkon përtej banalitetit. ”

    Une nuk jam kundra ketyre mendimit qe percojne keto citime, vecse kam pershtypjen se ato e rrezojne prirjen e xhaxhait per te mos i gjykuar aktoret rreth asaj cfare nuk bejne ; dhe me te drejte mendoj une. Sikurse ligji psh te denon per mosveprim, apo mos hapje portash ne kohen e duhur bie fjala.

    1. Natyrisht ke të drejtë, Pëshpëritës, kur është fjala për njerëz që nuk bëjnë detyrën e tyre. Megjithatë, këtu po flasim për njerëz (dhe institucione) që veprojnë vullnetarisht. Mjeku Kalo nuk e ka për detyrë të merret me raportet midis sëmundjes dhe pushtetit; as Instituti Alb-Shkenca t’i shkruajë presidentit të një klubi futbolli. Prandaj në këtë rast kritika ka të bëjë, besoj, me profilin që kanë krijuar këta në publik, ose me rolin që i kanë vënë vetes. Ndoshta ka të bëjë edhe me kontrastin midis këtij profili ose roli dhe veprimeve konkrete.

      1. Jam dakort Xha xha. Analogjia me ligjin ishte thjesht per te treguar qe te mosvepruarit apo mosberit e dickaje, duhet gjykuar ne fund te fundit ne kontekstin e vet duke se vetem brenda tij e merr vleren reale, sikurse edhe shpjegimi qe ju dhate per rastet ne fjale.

        Kam bindjen qe trajtimi i kesaj ceshtjeje eshte mjaft i rendesishem ne menyren se si i qasesh nje debati, ndaj do isha vertet i interesuar te lexoja nje shkrim prej jush ku ta pervijonit me mire kete linje mendimi. Kjo gjithsesi, mbetet thjesht ne deshire imja dhe, pa dyshim qe nuk mund t’ju gjykoj keq edhe nese nuk e beni 🙂

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin