Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi / Komunikim / Kulturë

PRONAT LEKSIKORE

Të kujt janë fjalët?

Pyetja nuk është aq naive sa ç’mund të duket.

Me intuitë, do të përgjigjeshim se fjalët i përkasin gjuhës; p.sh. një fjalë shqipe i përket gjuhës shqipe.

Mirëpo kjo është po aq metaforë sa edhe koncepti i huazimit, ose i shtegtimit të fjalës nga njëra gjuhë në tjetrën.

Aq më tepër që vetë huazimi është në të vërtetë një lloj kopjimi, meqë gjuhës që merr hua i shtohet një fjalë, por gjuhës që jep hua nuk i pakësohet.

Atëherë të kujt janë fjalët?

Ja një përgjigje më solemne: të popullit që e flet gjuhën. Një fjalë shqipe i përket popullit shqiptar.

Po çfarë do të thotë kjo pikërisht?

Çfarë të drejtash ka pronari – populli shqiptar – mbi një fjalë shqipe?

A mund ta heqë nga qarkullimi, ose t’ia japë një populli tjetër, ose t’ia ndryshojë kuptimin, ose ta bashkojë me një fjalë tjetër, për të krijuar një fjalë më të madhe?

Natyrisht jo.

Sipas një metafore saussuriane, fjalët janë si kartëmonedhat; kanë vlerë, por kjo vlerë përftohet në procesin e qarkullimit (komunikimit).

Të jesh pronar i një kartëmonedhe nuk është njëlloj si të jesh pronar i një toke, një dyqani, një biçiklete, një formule për prodhimin e një pijeje freskuese, ose një unaze me gur të çmuar.

Vlera e kartëmonedhës përcaktohet, ndër të tjera, nga besimi që kemi në institucionet financiare, ose garancia që këto u ofrojnë përdoruesve në transaksionet.

Po ashtu, të jesh pronar i një fjale do të thotë të kesh besim se ajo do ta përcjellë besnikërisht kuptimin, gjatë komunikimit.

Diskutimi për pronësinë e fjalës prek dy çështje të natyrës juridike: emrat e markave (markat tregtare, markat e regjistruara) dhe pronësia intelektuale.

Sa për markat tregtare, këto dihet se janë pronë e atyre që i regjistrojnë.

Kur dikush e përdor markën me shkrim, pronari mund të kërkojë që çdo okurrencë e markës të shoqërohet nga një simbol përkatës (TM), ose (R).

Për shembull: Shqipologji®.

Mund të pyetet, në këtë kontekst, nëse pronari zotëron vetë fjalën, apo vetëm çdo përdorim të saj.

Përsëri me Saussure-in: marrëdhënia e pronësisë shtrihet në gjuhë apo në ligjërim?

Dihet se markat janë ndonjëherë aq të suksesshme, sa shndërrohen në fjalë të zakonshme të gjuhës – p.sh. aspirinë, e cila për shumëkënd, anembanë botës, shënon thjesht acidin acetilsalicilik; edhe pse në më shumë se 80 vende të botës mbetet markë tregtare e regjistruar e kompanisë farmaceutike Bayer (p.sh. në Gjermani dhe në Kanada, por jo në SHBA).

Të njëjtin fat kanë pësuar emra tregtarë të tjerë si Xerox (i cili në anglishte është shndërruar në folje), Polaroid, Vazelinë, Jakuzzi, Jeep, Scotch (shiriti ngjitës), Velkro dhe Walkman.

Në shqipe ka ndodhur gjithashtu që një markë e hershme sapuni, Venus, të përfundojë në fjalë që shenjonte çdo lloj sapuni tualeti (në togfjalëshin “sapun venus”, i cili përdorej për të shenjuar sapun për larje të fytyrës dhe të trupit; ndryshe nga “sapun rrobash”, i cili përdorej për të larë rrobat). Sipas të njëjtit mekanizëm shpronësues, locioni i pasrrojes thirrej figaro (sipas markës së një produkti specifik); qumështi i kondensuar i importuar nga Kina, në kanoçe cilindrike me një panda në etiketë ishte  “qumësht milk”; ndërsa djathi i shkrirë quhet edhe sot e kësaj dite, së paku nga brezi i vjetër, “djathë bebe” (për shkak të markës me të cilën tregtohej në vitet 1960-1980).

Përndryshe, shumë produkte gjuhësore mbrohen nga e drejta e pronësisë intelektuale.

Çuditërisht, por ndoshta jo dhe aq çuditërisht, fjalët e krijuara rishtas (neologjizmat) përjashtohen nga kjo e drejtë; edhe pse janë krijime të mirëfillta.

Ndonjëherë është më e vështirë të krijosh një fjalë, sesa të shkruash një vjershë.

Mjaft të kujtoj këtu ndjeshmërinë e madhe gjuhësore të kujt ka krijuar, gjatë Rilindjes, fjalë si çështje, sasi, cilësi, ndërgjegje, marrëveshje, vetëdije, përjashtoj etj.

Mirëpo neologjizmi me sa duket nuk bëhet dot fjalë, sa kohë që i ruan fijet që e lidhin me aktin krijues.

Edhe një herë, fjala dhe pronësia duket sikur e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Emrat e përveçëm, p.sh. Nikotin Lukashi, u përkasin vërtet pronarëve të tyre – në kuptimin që përdorimi i këtyre emrave mund të kufizohet me ligj; por emrat e përveçëm, njëlloj sikurse markat tregtare, nuk janë si fjalët e tjera të gjuhës.

Edhe më absurde është të kërkosh pronësi në nivele elementare të gjuhës, si fonetika ose morfologji – pa çka se, në fushën e imazhit, ekzistojnë deri edhe ngjyra që mbrohen me të drejta të autorit (magenta).

Po si qëndron puna me nivele më të larta, p.sh., me sintaksën?

Askujt nuk i përkasin shprehje të tipit: “dil përjashta”, “si jeni nga shtëpia”, “kush ishte në telefon”, “do vesh në punë sot?” etj.

Ndërkohë, shumëkush do ta njohë pronësinë e thënies së mëposhtme:

Ca pika shiu ranë mbi qelq

E cila haptazi është marrë nga një vjershë e I. Kadaresë.

Nëse dikush e përdor këtë në një thënie ose tekst të vetin, ose citon ose po bën plagjiaturë.

Po ta krahasojmë thënien më lart me variante të saj të ndryshme, si:

Disa pika shiu ranë mbi qelq
Ca pika shiu u rrokullisën mbi qelq
Pika shiu ranë mbi qelq
Mbi qelq ranë ca pika shiu
Ca pika boje vaji ranë mbi qelq
Ca pika shiu ranë mbi xham
Ca pika shiu mbi qelq ranë
Ca kokrra breshri ranë mbi qelq
Ca pika shiu ranë në xham të dritares

Do ta kuptojmë edhe se vargu kadarejan i përket autorit vetëm ngaqë është pjesë e një teksti letrar, ose njëfarësoj “të shenjtë”.

Nuk mjafton vetëm kombinimi i fjalëve ca, pika, shiu, mbi, qelq, as ritmi jambik i vargut nëntërrokësh, për ta bërë thënien unike. Duhet edhe përkatësia e këtij teksti në një vjershë pak a shumë të famshme.

Përndryshe, vargun tjetër:

Këndo, o muzë, zdrukthin e Jorgo marangozit

Askush nuk do ta njohë dhe respektojë si timin, edhe pse unë sapo e krijova dhe mund të ndihem krenar me të (përkundrazi, shumë lexues do të njohin, besoj, referencën e detyruar ndaj vargut të parë të Iliadës së Homerit; në fakt, poema ime do të quhet Mobiliada).

Por e gjithë kjo nuk ka të bëjë shumë me gjuhën, e aq më pak me fjalët; madje mund të shkojmë edhe më tutje e të pranojmë se pronësia fillon aty ku mbaron fjala.

Po atëherë të kujt janë fjalët?

Këtë pyetje ia bëj vetes edhe kur dëgjoj të flitet për “fjalë të gegërishtes”, të cilat janë lënë jashtë fjalorit të shqipes – histori e vjetër, ankime të vjetra.

Vëreni këtu hipostazën e gegërishtes si pronare fjalësh të nëpërkëmbura.

Vëreni edhe kontradiktën e kujt mund të ndihet i pakënaqur se nuk ia kanë “shpronësuar” pronën sa duhet.

Mbaj mend një fjalë që përdornin pleqtë (dhe sidomos plakat) e fisit tim: çaçút, e cila shenjon një fëmijë të vogël, të shkathët dhe kurioz (ose një këlysh qeni ose kotele). Kujt i përkiste ajo fjalë? Kujt i përket? E ka nëpërkëmbur njeri? E kanë lënë jashtë apo e kanë mbyllur brenda?

(Ma chi se ne frega?)

Megjithatë, çështja e pronësisë, në këtë kontekst, nuk është aq e pafajshme; meqë lidhet drejtpërdrejt me mistikën gege, krahinizmin, mendësinë folklorike-konservatore, etnografizmin romantik dhe partikularizmin gjuhësor.

Fjalë të gegërishtes?

Vetë togfjalëshi, i ndërtuar kështu, sugjeron një marrëdhënie pronësie të një dialekti ose varianti letrar ndaj fjalës, e cila marrëdhënie përdoret më pas si bazë emocionale dhe racionale për t’u ankuar për padrejtësitë dhe diskriminimin.

Arshi Pipa dikur ankohej se gegërishtes standardi ia kishte “përvetësuar” fjalët – njëlloj siç kishte bërë regjimi me pronat ose pasuritë private, të tundshme dhe të patundshme.

Arshi Pipa, me sa mbaj mend, ankohej edhe për fjalë të tilla si shtatzënë, të cilat, sipas tij, ishin rezultat i një orvatjeje për ta lyer me bojë makinën e vjedhur; meqë fjala gegërishte origjinale është shtatzanë.

Po a mund të shmanget kjo?

Për plagjiaturën kanë thënë se është forma më e sinqertë e miklimit. A nuk është përvetësimi i fjalës së “tjetrit” forma më e sinqertë e adhurimit leksikor?

Në hullinë e Pipës, ndesh sot një numër autorësh që, herë haptazi e herë fshehurazi, kërkojnë të imponojnë një lloj copyright-i kulturor mbi tekstet dhe manifestimet gjuhësore të gegërishtes.

Qëllimet e tyre mund të jenë të mira; gegërishtja letrare ka nevojë të popullarizohet, sidomos ndër elitat, të cilat shpesh e mjaftojnë edukimin e tyre gjuhësor me Kadarenë; por nuk di sa është e mundshme t’i realizosh këto qëllime të mira, duke u mbështetur në mistifikime.

Kush ka bredhur nëpër Shqipëri, si unë, me ekspedita leksikore, e di se çdo fshat e katund ka emrat e vet për dhitë, delet, pulat, cjepët, deshët, qingjat, gjelat, kecat, viçat, lopët, demat, qetë, gomerët, mushkat, kuajt, qentë, macet e kështu me radhë, sipas ngjyrës së qimes ose të puplës, modelit të larave në trup dhe në fytyrë etj. Kartoteka e leksikut të shqipes dokumenton me mijëra fjalë të tilla.

Të kujt janë këto fjalë?

Të fshatit, sa kohë nuk i duhen kujt; të askujt, sa kohë përdoren në gjuhë.

Edhe pse jetojmë në ditë të ethshme ripronësimesh, kur njerëzit ngrysen në darkë me ëndrra për gjithfarë tokash, pallatesh dhe dyqanesh në kryqëzime, për t’u gdhirë me letra tapish në duar, duhet saktësuar se, kur vjen puna për leksikun e gjuhës, një qëndrim prej “komunisti” të staxhionuar është i vetmi që u bën dot ballë kritikave: fjala është e atij që e përdor.

Pa Komente

  1. Dakord Xha Xha, por i madhi Nikotin Lukashi, i cili është tejet xheloz për emrin e vet, përveç falënderimeve në adresën tënde për trajtimin e emrave të përveçëm, do të shtonte se komunistësia e tezës mbrojtëse “fjala është e atij që e përdor” duhet shtrirë edhe më tej, duke i futur në shumës, pra në kooperativë, pronarët e saj. Kësisoj teza e korrigjuar do të ishte: “Fjala është e atyre që e përdorin”. Me këtë rast, për efekt të përdorimit shoqëror, edhe Ferdinand de Saussure me shokë do të mbeteshin të kënaqur.

    Na kënaqe. 🙂

    1. …“Fjala është e atyre që e përdorin”…?

      Dakort. Lere te lire fushen e perdorimit/edukimit/ botimit, dhe e shohim se si e ku shkon kjo pune, cfare do zgjidhet e cfare do hidhet nga perdoruesi

      Por meqe jemi ne te tashmen, s`ke si e mohon dot gojezen e vene ne fytyren e miljon e kusure veteve, ku si pasoje fjalet dalin te percudnuara ne nje forme qe ne mos per tu ndjere keq, te pakten te bejne te qeshesh
      me kujtohet im ate kur perpiqesh te fliste ne politically correct way – “Qfare duhet me be”.

      Une kam pershtypjen se gjuha standarte e unifikuar e nje popullsie eshte imponim: ekonomik, elitar, politik, administrativ etj, etj, para se te jete kulturor.

      Predominimi i toskerishtes ne gjuhen shqipe per mendimin tim eshte shprehje e predominim ekonomik te kesaj zone te shqiperise, kjo e shprehur me mjete te tjera.
      Ne e dime se persa i perket te shkuares, nuk eshte mistifikim po te thuhet se Shkodra ishte qendra ekonomike, politike, kulturore dhe sociale per nje pjese shume te madhe te Shqiperise. Cka dhe perkon me nje mbizoterim te dialektit te saj (si dhe atyre qe ishin nen zonen e saj te influences) ne thuajse te gjithe krijimtarine kulturore te epokes.

      Zakonisht flet ai qe e ka barkun plot… tha.

      1. I dashur, kjo që thua ti nuk ka lidhje me temën. Më kujton barcaletën e atij të dehurit që i kërkonte çelësat poshtë llambës në rrugë dhe kur e pyetën nëse i kishte humbur aty, tha se, në të vërtetë, i kishte humbur diku tjetër, por po kërkonte aty sepse aty kishte dritë.

        1. I nderuar Xhaxha.

          Une e shoh shkrimin e mesiperm si nje vazhdim i nje perpjeket te panderprere ( e te shendetshme) tuajen per te percaktuar raportet e ndertuara midis gjuhes shqipe dhe kultures se popullsise qe flet kete gjuhe.
          Kete radhe behesh fjale (sic e kuptova une) mbi parimet ne te cilat mbeshtet marrja ne evidence, shqyrtimi, mbajtja ose hedhja poshte e nje fjale, ne funksion te ndertimit te leksikut te gjuhes standarte, si “emeruesi i perbashket” i se folures se nje populli.
          Me sa kuptoj , me duket se ju e mbeshtesni gjithe strukturen tuaj ne bindjen se standarti i nje gjuhe percaktohet, zhvillohet dhe drejtohet nga aktiviteti, nevojat apo levrimi ne fushen e kultures (letersise) se saj.

          Nga c`kam lexuar, (nje nga te mirat e ketij blogu eshte se te rrit interesat) pranohet se historikisht “language is standardized by government and business rather than literary usage”.
          Dhe shqipja me kongresin e saj te 1972, nuk ben perjashtim nga rregulli.

          Qe ne akoma rrime e diskutojme dhe veme ne pikepyetje vleren e gjuhes standarte, rolin e saj, legjitimitetin e saj, duke u perpjekur per t`i bere asaj prita ku te jete e mundur, kjo eshte thjesht nje tregues tjeter qe flet me volume per nivelin e zhvillimit te shoqerise se sotme tonene, dhe cdo prurje te nje natyre me kete tuajen, ne kete fushe, eshte nje kontribut qe meriton te respektohet.

          Pergjigja juaj e mesiperme, simbas se ciles injoranca s`ka vende ne kete blog, me ben te mendoj se lepuri s`fle ketu, por diku tjeter.

          1. I dashur, ka disa tema në të cilat debati publik ka ngecur prej kohësh; në fakt nuk janë tema, por tabela qitjeje.

            Një prej tyre është raporti i standardit me gegërishten, letrare dhe të folur.

            Shkrimi im i mësipërm nuk merret me këtë raport; prandaj jam pothuajse i detyruar të kundërshtoj çdo orvatje që bëhet, në komentet, për ta reduktuar diskutimin që kam nisur unë më lart, të cilin e gjykoj si relativisht të pakonsumuar, në një diskutim të vjetër, bajat dhe emocionalisht të ngarkuar, si ky i gegëve të shtypur dhe të nëpërkëmbur.

            Nuk më pëlqen kjo gjë, nuk dua ta lë të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë, nuk e pranoj po fare fare që diskutimi publik mund të reduktohet në një numër temash “rrënjë” ku, sipas teje, flika lepuri.

            Jo.

            Nëse ti mendon vërtet kështu, më vjen keq edhe mua.

            Tema që kërkoja të hap unë, por që nuk më lejove ti (sepse jam i sigurt që tani do të vijnë edhe të tjerë të parkohen gëzueshëm në sheshin e diskutimit siç e bulldozerove ti) është nëse unë, që identifikohem me një formë të shqipes publike të ngritur mbi dialektet dhe variantet letrare, kam të drejtë të plaçkit sa e si të mundem të folmet gege për t’u marrë fjalë që deri më sot nuk janë përdorur, ose të paktën nuk janë përdorur gjerësisht në shqipen e shkruar.

            Vallë nuk mund të diskutohet për këtë veçmas shqetësimit për fatet e Shkodrës dhe të kulturës gegocentrike? Vallë nuk është më produktive të diskutohet për këtë, tani dhe këtu, sesa t’u kthehemi gjërave të cilat i kemi trajtuar gjerë e gjatë gjetiu?

            Diskutimet për gjuhën unë i marr seriozisht, dhe nuk i konsideroj aspak si ndonjë lloj gjimnastike diskursive, të cilës mund t’ia përsëritësh lëvizjet çdo mëngjes, për të kalitur profilin etnik, krahinor ose ideologjik.

            Për këtë arsye, u qëndroj larg temave ku fle lepuri, sipas teje; që shpesh në të vërtetë, të paktën për mua, nuk janë tema fare, por vetëm vende gjeometrike të frustrimit, kompleksit të inferioritetit dhe krahinizmit.

            1. I nderuar Xhaxha,

              Lepuri im s`ka te beje fare me temen e zgjedhur e as me ndonje sistem kompleksesh te cfaredolloj natyre. Nga c`lexova prej jush , thjesht mendova se ju po i drejtoheshit me shume specialisteve te fushes se sa lexuesit te pergjithshem.

              Persa me perket mua, shkrimet tuaja pa dyshim jane autoritative ne me shume se nje plan. Do te me vinte keq nese fjalet e mia do te shiheshin si nje lloj “dueli kultural”, sepse as sesi nuk eshte kjo shtysa apo baza e tyre.
              Nese ato kane krijuar nje pershtypje te tille, ju kerkoj ndjese.

  2. Dihet që jo të gjithë në një demokraci, sado e kulluar që të jetë ajo, do të ndiheshin mirë siç do ndiheshin në habitatin e tyre (imagjinoni Tarzanin në cilëndo shembull demokracie që njihni).
    Prandaj, për mendimin tim, e folura është si demokracia: për të qënë funksionale në të gjitha aspektet e saj duhet t’iu nënshtrohet rregullave… të demokracisë.
    Pas shumë pikpyetjeve që ju lindën në kokë njerëzve (sidomos pas ’90), një nga ato ishte: Aështë shqipja letrare “demokracia e kulluar” apo edhe ajo, ashtu si përndjekja e “ëndrrës komuniste” ishte një tentativë e gabuar?
    Fakti që im atë, ashtu si dhe ai i babait të të dashurit, nëse dikur e kishte të vështirë të shkëputej nga dialekti i tij por që tani flet, si me dropullitin dhe me kosovarin, pa patur nevojë për “përkthyes”, tregon që demokracia e letrares ka fituar… nuk mund të them se sa në aspektin ngushtësisht gjuhësor (është punë e gjuhëtarëve kjo), por të paktën për një nga qëllimet/funksionet që gjuha e një populli ka: të mbajë popullin të bashkuar.

  3. Po. Fjalet jane te atyre qe i perdorin, Kosova e atyre qe ia jetojne diten e naten, dhe hallet te atyre qe i mbajne (por jo qe i krijojne ato).

    Problemi me fjalet e me gjithe kategorite e tjera me siper, eshte se nuk ka asnje barazi mes “perdoruesve”. Fjalet u takojne te fuqishemve me shume sesa te pafuqishemve. Ka krijues fjalesh e, nga ana tjeter, ka thjesht perdorues te atyre fjaleve e kuptimeve krijuar nga personi (dhe ky eshte rasti me fatlum) apo nga grupi diktues. Njerez qe i “zoterojne” fjalet e te tjere qe as i kuptojne e as i perdorin dot…sido qe fjalet jane aty, perpara te gjitheve.

    Duket vetem ne siperfaqe se jemi te lire e te barabarte ne perdorim, por ne fakt “pronesia” ndaj fjales eshte shume e ngaterruar. A e ka dikush potencialin kontrollues ndaj cfaredolloj fjale? Padyshim qe po. Ceshtja eshte se, ne realitet, potenciali nuk behet realitet shume kollaj. E nuk e kam fjalen ketu per ndarjet standard e dialekt apo toskerist e gegerisht. Flas per kontrollin e fjales ne pergjitesi te asaj shqipe apo te huaj qofte. Perdorimi i fjales eshte politik, dalja e fjales “ne shteg”, “hyrja” e saj ne fasha te ndryshme frekuencash, lidhjet e personave me fjalet dhe lidhja mes fjales dhe pasojave qe ndjekin perdorimin e saj, jane te gjithe aspekte te “zoterimit” apo “pronesise” ndaj fjales qe jane te ngaterruara. Fjala…po: u takon atyre qe e perdorin, por cilet mund e cilet nuk mund ta perdorin fjalen? kur mund e kur nuk mund ta perdorin? Kur u duhet e nuk u duhet ta perdorin? Kur i mbron e kur u kthehet kunder atyre qe e zoterojne (apo perdorin)?

  4. Ketu jane ngritur dy pyetje dhe eshte dhene nje pergjigje.
    Pyetjet jane :
    1- E kujt eshte fjala?
    2- Kujt i perket fjala?

    Kuptohet qe dicka eshte dhe dicka i perket, na jep 2 mundesi njohjeje te dickase.
    Eshte nenkupton ne radhe te pare nje pronesi te brendshme te gjese, te natyres se saj intime, ndersa perket nenkupton ne radhe te pare nje pronesi te jashtme, te natyres se fituar.

    Ky dallim eshte i rendesishem edhe ne njohjen e fjales, pasi cka fjala eshte, nuk nenkupton vetem cka ne njohim, por edhe cka ne nuk e njohim.

    Marrja e fjales si dicka qe egziston apriori, na lehteson njohjen pershkruese te saj, por na mundeson vetem nje pamje te pjesshme te asaj qe fjala eshte.

    Eshte njesoj si te marresh ekzistencen e femijes apriori, pavaresisht prinderve, apo te thuash se e njeh nje njeri tjeter pa ditur asgje qe ka lidhje me te, para takimit me te.

    Tani, fjalet nuk egzistojne pavaresisht njeriut dhe njeriu eshte ne radhe te pare ‘krijuesi’ i fjales.

    Pra duhet dalluar midis fjales si krijim dhe fjales si adoptim.
    Perseri per ta kuptuar, mund ta krahasojme me femijen e gjakut, qe eshte krijim i prinderve dhe femijen e adoptuar qe eshte adoptim, marrje ne kujdes.

    Fjala si krijim, nenkupton qe cdo fjale ne zanafillen e saj ka qene nje neologjizem. Kjo do te thote qe neologjizmi eshte limfa e gjuhes.

    Fjala si adoptim, nenkupton qe cdo fjale ne zanafillen e saj, nuk i perket kodit gjenetik te asaj gjuhe. Kjo do te thote qe huazimi eshte i prirur te ndikoje ne vazhdimesine e gjuhes. Me kalimin e kohes huazimi pershtatet por perben nje pjese te fituar.

    Keshtu mund te thuhet se kur themi fjala si krijim kemi thene neologjizem, ndersa kur themi fjala si adoptim kemi thene huazim.

    Mirepo si neologjizmi (fjala ne domethenien biologjike) ashtu edhe huazimi(fjala ne domethenien adoptuese), i perkasin nje gjuhe.

    Atehere mund te themi qe fjala eshte e atij qe e krijon dhe i perket atij qe e perdor.
    Nje fjale shqip eshte e gjuhes shqipe, nese eshte shqipja qe e ka krijuar dhe i perket shqipes nese eshte shqipja qe e perdor.

    Kuptohet qe fjala nuk mund te jete si kartmonedha, sepse kartmonedha ka lidhje dhe kuptim vetem me perdorimin .
    Aq me pak mund te lidhet me token e cila ekziston pavaresisht njeriut.

    Mund te themi qe fakti qe fjala eshte e atij qe e krijon, nuk implikon te drejta juridike pronesie, meqe cdo fjale eshte ne vetvete edhe nje neologjizem dhe nese do kishim te drejta pronesie ne domethenien juridike atehere cdo njeri do duhej ti paguante bashkesise ku ben pjese dhe asaj te ciles i ka huazuar fjalet, leke per perdorimin e cdo fjale.

    Kjo eshte e pamundshme ne praktike, rrjedhimisht nuk mund te kemi implikime te natyres juridike te pronesise.
    Po e njejta gje mund te thuhet per pronesine intelektuale dhe per cdo lloj pronesie.

    Keshtu qe ‘fjala eshte e atij qe e krijon’, nuk e lidh krijimin me pronesine.

  5. ED, duke “grabitur” krahasimin qe beri Xhaxhai midis fjaleve dhe kartmonedhave, mua nuk me ben kuptim fare kjo qe ke shkruar. Cfare demokracie/barazie kerkon ne perdorimin e fjaleve?

    Patjeter qe ai qe zoteron me shume fjale eshte me i fuqishem se ai qe zoteron me pak. Patjeter qe fjalet e Xhaxhait kane me shume peshe se fjalet e mia.

    Fjalet jane aty, ne shesh te perdorimit, te lira per te gjithe. Dikush zoteron me shume, dikush me pak, por kjo nuk cenon parimin “fjalet jane te atij qe i perdor”. Sistemi funksionon, pra.

  6. ”””nëse unë, që identifikohem me një formë të shqipes publike të ngritur mbi dialektet dhe variantet letrare, kam të drejtë të plaçkit sa e si të mundem të folmet gege për t’u marrë fjalë që deri më sot nuk janë përdorur, ose të paktën nuk janë përdorur gjerësisht në shqipen e shkruar.”””

    Plackit besoj se eshte metaforike.
    Nuk mendoj se kemi nje te drejte plackitjeje, por nje detyrim moral.

  7. Fjalët janë të tjetrit
    (përgjigjje pyetjes: Të kujt janë fjalët?)

    – Pa tjetrin, jashtë vetes apo dhe tjetrin zbuluar brenda vetes vështirë se do na duhej fjala. Fjala lind për tjetrin, kështu i përket atij.
    – E para ishte fjala. Le të bëhet. Fjala jo vetëm tjetërsohet, por i jepet pronësi hyjnore, dhe gjithë kjo, fjala dhe ky tjetërsim, shenjtërohen.
    – Por dhe shprehja që qëndron në themel të reformave më të thella në pronësinë e tokës, si kur përdoret për tokën, ashtu dhe kur kalon sinorin e hidhet “nga leksiku”, thelbin e saj e ka tjetërsimin. Është reformatori, leksikologu, që bën tjetërsimin, shpronësimin e të zot, moskërkimin e pronësisë për vete, e dhënien e tapisë një subjekti aq të përcaktuar sa fjala “atij” lejon. Ndonëse si tokat dhe fjalët mund të mbeten djerrë, derisa ti takojnë “askujt”, tjetërsimi është përpjekje antikaos.
    – Dy shembuj të skajshëm:
    1. Plot autorë, ndër ta dhe Xha Xhai, i drejtohen lexuesit me shprehje si: “Këto rreshta i kam për ty lexues i vëmendshëm.” Lexuesi, po të jetë vërtet i vëmendshëm, do të vërë re se autori ndonëse i ka fjalët për tjetrin, është vetë Tjetri i Parë, është ai më parë se cilido tjetër që lexon. Tjetërsimi ndodh në dy drejtime. Si kur autori kërkon tjetërsimin tek lexuesi kur lexues është ende vetëm ai, ashtu edhe kur tjetri, të tjerët, në zotërim të një fjalie të tillë, buzagaz kanë të drejtë të thonë se fjalia nuk u përket atyre por atij.
    2. Që ta kam fjalën (llafin)… Nëse unë nuk kam fjalën tënde përse shprehem kështu? Dhe përse ka ndodhur që kjo formë është shndërruar në “e kam fjalën për…”.

  8. ””- Pa tjetrin, jashtë vetes apo dhe tjetrin zbuluar brenda vetes vështirë se do na duhej fjala. Fjala lind për tjetrin, kështu i përket.””

    Fjala i percjell tjetrit nje mendim, keshtu me arsyetimin tend edhe mendimi eshte i tjetrit, sepse mendimi lind per tjetrin; si i thone atij muhabetit, ne per ju mendohena (e mundohena), o popull.

    S’mund te thuash se nuk eshte, por i perket, meqe te perket ty para castit kur i perket tjetrit. Tjetri eshte perhere subjekti pasiv, qe pret e qe i nenshtrohet formes dhe domethenies qe ti i ke dhene fjales.
    Tjetrit sigurisht qe fjala i perket, por vetem ne castin kur ka pranuar formen dhe domethenien qe fjala mbart fale teje.

    Ti kerkon te ndash perkatesine me tjetrin, por kurrsesi nuk heq dore nga fakti qe fjala eshte e jotja (nese e ke krijuar).

    Nderkaq ne letersi dhe literature nuk kemi me te bejme me fjalen por me idene. Idete thone se jane shume me te rralla se fjalet dhe ne praktike eshte e mundur te kerkosh leke per ndarjen e perkatesise se idese me tjetrin, dhe kjo justifikohet me faktin qe ideja eshte jotja. Pra ideja eshte imja por i perket edhe atij qe hedh leke per ta perdorur.

    Gje tjeter eshte krahasimi i pamundur me token qe ben, dmth ben nje krahasim qe ka vlere vetem ne domethenien e zakonshme, por jo ne domethenien reale.
    Toka nuk eshte kurre e njeriut, por vetem i perket. shiko:
    1-Syri eshte imi.
    2-Toka eshte imja.

    Duket sikur 1 dhe 2 na japin te njejten njohje per syrin dhe token, mirepo ne e dime qe syri eshte dicka thelbesore e natyres se qenies ndersa toka ndodhet jashte qenies.

    Pse ‘eshte’ ja mbivendosim te logjikshmes ‘perket’?
    Sepse perket lejon mundesine e pyetjes: pse ? ; ndersa eshte, e heq ose e zvogelon mundesine e venies ne dyshim te perkatesise se gjese. Gjithsesi materia jashte trupit nuk eshte jona, vetem mund te na perkase.

    1. Hyllin, disi jashtë teme, të kujtoj se disa zhvillime të fundit në mjekësinë e transplanteve e vënë disi në pikëpyetje dallim që bën – meqë sot ke njerëz, anembanë botës, që i shesin veshkat dhe sytë si dikur tokën; sikurse ke laboratorë biologjikë që patentojnë gjene. Michael Crichton ka shkruar për këtë – lexim i rekomanduar.

  9. Opingën!
    Falmë për këtë ndërhyrje të vrazhdë, me të cilën jam 100% i bindur se po të përcjell fjalën por aspak se po të përcjell mendimin; timin jo e jo – sepse nuk kam krijuar as opingën opingë, as fjalën opingën, e as përdorimin “Opingën!”- por as të atyre që përkatësisht krijuan opingën si pajim, si fjalë apo si mbrapshtim (mendim) të sa ke shkruar, përsa unë nuk e di në ti e di këtë lloj përdorimi. Në mos e diç, ndonëse mendoj se duhet ta dish, unë nuk kam përcjellë asnjëlloj mendimi tek ty ndërsa të kam përcjellë fjalën.
    Nëse biem dakort deri këtu, kujto gjërat që si ne si kafshët i bëjnë duke i menduar por pa i tingullzuar qoftë dhe me të ashtëquajturin zë të brendshëm. Mendimi rritet brenda meje e lind për mua, por edhe për ty nëse mua ashtu më duhet.
    Për fjalën unë jam mashkulli. Femra është tjetri. Fjala lind si bijë elefantësh, një dhe e vetme, për t’ju shtuar karvanit. Nuk më duket se në krjimin e fjalës ka shumë vend për pasiv.
    Për mendimin unë jam femra por mund të jem njëkohësisht dhe mashkulli. Mendimi lind me këmishë-fjalën. Mendimi lind binjakëshëm, trinjakshëm… Është tjetri ai që duhet ti dallojë, mos ngatërrohet, mos shprehet se po sheh dopio, është tjetri ai që duhet të shohë atë që shoh unë. Jo gjithë mendimet që lindin prej mendimit i përkasin tjetrit.
    Ngatërrimi me fjalën ndodh rrallë, ngatërrimi me mendimin dendur.

    Mendoj se pa u bërë e tjetrit, fjala nuk bëhet. Kemi autorësinë, pronësinë, dhe njohjen e autorësisë dhe pronësisë. Po shmang shembuj jo dhe aq hipotetikë me toka e po marr një real, që ilustron dhe atë që shkruan Xha Xhai: “Ndonjëherë është më e vështirë të krijosh një fjalë, sesa të shkruash një vjershë.”
    I gjendur mes përpjekjes të shumëve për tu gjetur fjalëve anglisht të internetit fjalë shqip, (psh. përditësoj për update – me aq sa di falë R. Elsiesë) i lodhur me ngurimin për ta bërë këtë e i bezdisur me etiketime të llojit “purist” u shpreha se njeriu më kollaj e ka të futë një neologjizëm në anglisht se në shqip. Ky ishte mendimi që u dhashë aktivistëve. Fshehur tyre mbajta binjakun e këtij mendimi. Që unë do ta provoja. Kështu krijova pretendenten për fjalë të re “kwice” bashkim i “kiss” e “twice” me kuptimin puth dyherë, e këtë e bëra në vjershën po me titullin “kwice”.
    Sot e kësaj dite Kwice është vjershë, gjendet në disa faqe interneti ku me lejë ku pa lejë, ka parë botim në një antologji (nga ato që paguan pak gjë- që unë nuk e bëra për vjershën por për fjalën), por nuk është fjalë e anglishtes; e plonishtes ka qënë – diçka si lulëzim. Mbase duhet të kisha shtënë lart, në Poetry a New Yorker por… nejse.
    Jetojmë në një sistem që pronëson gjithçka e që ngrihet mbi kultin e parasë. Është ndryshe të flasësh brenda sistemit e ndryshe jashtë tij. Brenda tij si për fjalën, mendimin, idenë duhet të shprehesh “deri ku”, “ku gjendet kufiri”, “sa është imja sa është jotja” si në një kadastër e të ndjekësh rrugët ligjore.
    Zbrit deri tek thërrmijat apo grimcat elementare e shiko sa e vështirë në mos e pamundur është të ndash cila materie është jashtë trupit tonë e cila brenda.

    p.s. populli s’thote kot: shendet i thua plac i duket

  10. Që të vejë haka te i zoti:

    “përditësim”, “përditësoj” dhe “përditësohem” gjenden te faqja 890 e Fjalorit të Shqipes së Sotme, Tiranë 1984.

    Më ndjeni, në qofsha jashtë teme.

    1. Nuk e kam shkruar qarte, jshm.
      Nuk them se Elsieja ka krijuar fjalen por se e ka gjetur (nga fjalori-shton ti) dhe e ka perdorur ne faqen e tij kur te tjeret perdornin updetu(a)r.
      Behet fjale per tu gjetur fjaleve fjale, te cilat mund te jene ne fjalor apo te gjenden brenda rregullave te fjaleformimit shqip si elementet e munguar ne Tabelen e Mendelejevit.

  11. Xha xha eshte e vertete qe ka njerez qe shesin ‘veten’, ne kuptimin material te fjales dhe kjo tregon nje krize te thelle te teresise dhe vecanshmerise se qenies.

    Ne domethenien e zakonshme, te pergjithshme, dallohet materia (kembet,duart,syte …) nga nje entitet abstrakt ‘une’ (une kam 2 sy, nje zemer, nje tru …), por ky dallim qe vjen nga nevojat praktike ska asnje vlere ne domethenien reale, se syri, zemra, kembet, truri jane pjese te pandashme te ‘une’, biles jane pjese te pavarura te krijuara para se njeriu te beje ndarjen praktike ‘une dhe organet e mia’; ne fillim jane organet pastaj mbi to e fale tyre, lind edhe entiteti abstrakt ‘une’.

    Entiteti ‘une’ krijohet posacerisht nepermjet pervojave shqisore (zanafille shqisore), te ndergjegjshme ose jo dhe eshte ne ndryshim te vazhdueshem qe varet po nga pervojat shqisore.

    Ne castet e krizes, entiteti abstrakt une arrin te kuptoje se eshte pjese e nje teresie dhe jo teresi me vete, qe ne domethenien e zakonshme gjendet si : Une jam i semure.
    Po te trajtohej si entitet me vete do thuhej se njesia ‘une’ ska asgje pse zemra apo mushkerite kane probleme.

    Vetem ne castet e krizes, kuptohet vetiu teresia e qenies.

    Zevendesimi, sot i mundshem, i pjeses materiale te qenies, realisht kushtezon edhe entitetin une apo me sakte vecanshmerine e qenies.

    Le te imagjinojme nje te ardhme ku organet e shqisat prodhohen ne seri, atehere dhe pervojat shqisore qe krijojne entitetin ‘une’ do kene nje nivel te larte ngjashmerie, pasi cfare mundeson vecanshmerine e qenies nuk eshte vetem realiteti ku jeton, por edhe ndikimi i cilesise organike dhe menyra sesi e pershqison kete realitet.

    Sigurisht dikush mund te thote se nuk me intereson as teresia ime e as vecanshmeria ime, dua leke.
    Ketu kemi nje ceshtje morale qe lidhet me filozofine e lirise.

  12. ””Në mos e diç, ndonëse mendoj se duhet ta dish, unë nuk kam përcjellë asnjëlloj mendimi tek ty ndërsa të kam përcjellë fjalën.””

    Nuk e mohoj qe lajthitja ben te mundur percjelljen e formes se fjales por jo te mendimit , por ti sje i lajthitur. Fjala pa domethenien eshte thjesht tingull dhe eshte domethenia ajo qe e ben tingullin fjale.
    Nese i heq cdo kontekst qe i lejon domethenien fjales opinge, atehere duke thene opinge ti per mua po tingullon, nuk po fjalos.

    1. Hyllin, s’di nga ta ze me pare kete pergjigje,
      nga fallacia e formes se fjales por jo mendimit,
      nga privimi qe i ben te lajthiturve te kene mendime,
      nga kembegulja me te cilen mbron sugjerimin se fjale do quajme ate qe ka domethenie,
      nga konteksti, ku ti shquan te hequrin, por mua me dalin, kontekste te harruar, te shtresezuar, te padobishem, panevojshem etj.,
      nga fjalet qe i konsideron vetem ne tingellim.
      Por edhe une vete kerkoj pergjigje, e kur e kur, i hyj internetit te lexoj c’ka thene bota.

      “…opozita fjalen ka” – tha zonja J. Topalli ne interviste.

  13. CD, fjala pa domethenie eshte fryme qe ndervepron me kordat zanore . Tingulli qe s’mbart nje qellim racional nuk mund te perkufizohet si fjale. Lajthitja deshmon mungesen e nje qellimi racional te tingullit. Blegerima e deles, mund te shqiptohet dhe shkruhet ‘beee’, mund te kete qellim, por jo racional prandaj smund te pranohet dot si fjale.

    Kur ti me thua ‘opingen’ ne fakt ke thene shume.
    Hegeli bente nje krahasim, qe nuk e di ne i shpeton dot ferrit sausserian te koncepteve; logjika per njohjen, thoshte, eshte si gramatika per gjuhen. Kjo mund te lexohet edhe si; gramatika eshte logjika e gjuhes.

    Pse ti e the fjalen opinge ne kallzore? Forma fillestare, parore e emrit eshte emerorja, biles do thoja edhe forma e zgerlaqur, meqe eshte me e rendomta, perdorim minimal i logjikes.

    Edhe tek foljet , ato te parregulltat qe jane edhe me te vjetrat, na japin nivelin e larte logjik ne ndryshim nga te rregulltat qe jane produkt mekanik, dmth sheshim i logjikes.

    Tani per tu kthyer tek opinga, nese fjala do ishte vertet indiferente do duhet te ishte ne emerore. Nderkaq ne kallzore shqipja na jep; opingen( e sheros), mustaqet (e Celos), leshin (e Marikes, Currit/Curres), lesh (me tresh) etj.

    Prandaj kallzoren ‘opingen’ nuk e marr dot si indiferente, sikunder don ta pershkruash, po ashtu nuk besoj se je i lajthitur, keshtu qe zgjedhja e asaj fjale dhe pikerisht ne kallzore per te ilustruar arsyetimin tend nuk ishte aspak rastesore, rrjedhimisht zgjedhje e gabuar, sepse ti me percolle me fjalen edhe mendimin tend mbi nje kontekst.

    Pastaj nga vajte e gjete pikerisht kallzoren, ate forme te emrit qe kallzon.

    1. Që mos quhesh shkatërrimtar, kalave u duhet marrë kulla e flamurit.
      Gjithë sa ti vazhdon të shkruash, mbi domethënien e fjalës, lajthitjen, opingën në kallzore, provojnë atë që shkrova se fjalët janë të tjetrit. Unë mund të gjej sa herë që të të kthej përgjigje një shembull për këtë; Nobelistja më e fundit, shprehet se ishin librat e mi. Ishin ata që fituan. – e librat janë fjalësh.
      Unë të përcolla fjalën, duke të lejuar ty të mendosh mendimin tënd mbi mendimin tim. Por nuk është vetëm mendimi yt, është dhe mendimi i dhjetra të tjerëve, teorikisht të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo rrëzon përcaktueshmërinë, apo që unë të përcolla dhe fjalën dhe mendimin.
      Kur një papagall thotë “Jam i ditur” nuk do t’ja quajmë fjalë, por frymë që ndërvepron me kordat zanore, ndërsa kur po ky papagall thotë “Dua fara” (dhe ne shohim se s’paska vërtet) këto do t’ja quajmë fjalë? Po fjalët që një program i ofron rastësisht për fjalëkalime? Po fjalët që i gjejmë mbi gurë? Po fjalët që i shqipton një vocërrak?

  14. ””Unë të përcolla fjalën, duke të lejuar ty të mendosh mendimin tënd mbi mendimin tim.””

    Ti ketu pohon ekzistencen e mendimit tend ndersa me lart ke thene:

    – …. jam 100% i bindur se po të përcjell fjalën por aspak se po të përcjell mendimin….

    Mos valle kur thua opingen, nuk me percjell asnjelloj mendimi meqe e nxorre ate fjale ndersa po merreshe me kometen Halley?
    Jo nuk e besoj.
    Mos valle po merreshe me sendin ‘opinge’ e perdorimin e saj ne rrethana te ndryshme dhe te shpetoi kallzorja ‘opingen’ nga ndonje rrethane e perfytyruar ku kallzorja qendron?
    Ka mundesi.
    Ne kete pike, nese e pohon, atehere patjeter me percolle fjalen por jo mendimin.
    I vetmi problem imi ne kete ngrehine hamendesore, ka te beje me nje pohim ku perjashtova paraprakisht mundesine e nje qendrimi joracional ndaj asaj cka shkrova.

    Kjo do te thote qe gabova ne krahasimin e lindjes te fjales dhe mendimit, sepse ekzistojne realisht caste e hapesira ku percillet fjala por jo mendimi.

  15. Fjalia me e cuditeshme qe lexova sot neper faqet e shtypit:

    “Qytetarët që kanë oborre në përdorim mund të paraqesin kërkesat për tjetërsim të tyre, duke nisur nga muaji shkurt.”

    -Lexoni sa eshte shkruar ketu duke zevendesuar fjalet me oborret e bere ndonje modifikim te lehte neper te.

    -Ose beni te kunderten, lexoni: “Qytetarët që kanë fjale në përdorim mund të paraqesin kërkesat për tjetërsim të tyre, duke nisur nga muaji shkurt.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin