Po u kthehem batutave të filmave në ligjërimin e përditshëm ose bisedor, meqë pas vërejtjeve të Pishakut dhe ED, mendoj që ka mbetur një aspekt ende i pandriçuar.
Të përdorura në bisedë, me efekt humori, batutat janë citime implicite, meqë i referohen burimit, ose filmit përkatës, por vetëm me kusht që bashkëbiseduesi ta njohë këtë referencë.
E kam fjalën këtu për ato batuta që hidhen në bisedë duke nënkuptuar që të tjerët do ta kapin referencën jashtë kontekstit, sepse vetëm ashtu batuta do të funksionojë dot.
Citimi eksplicitohet vetëm kur një pjesëmarrës në bisedë nuk e kap referencën, sepse nuk e ka parë filmin ose e ka harruar, etj. Ashtu, një bisedë me efektin citat të dështuar mund t’i ngjajë kësaj më poshtë:
(Dy vetë duke pritur në radhë te berberi, njëri matet të ndezë cigaren.)
A: “Nuk lejohet duhani këtu.”
B: “Po durohet këtu pa duhan?”
A: “Çfarë thua? Shko pije përjashta.”
B: “Nuk e mban mend te Kapedani”?
Në këtë shembull, batuta “durohet këtu pa duhan” i referohet një skene të filmit Kapedani; mirëpo folësi A nuk e kap menjëherë referencën, prandaj nuk e kupton mirë se për çfarë e ka fjalën B, prandaj ky i fundit detyrohet ta eksplicitojë referencën, çka e rrënon përfundimisht efektin humoristik fillestar.
Përndryshe, një batutë që i referohet një burimi të njohur për pjesëmarrësit në bisedë ka jo vetëm efekt humori, për arsyet që i përmendi ED në komentin e vet, por edhe ndihmon për të vendosur solidaritet ose bashkëfajësi midis pjesëmarrësve në bisedë.
Si ndodh kjo pikërisht? Një batutë implicite nga filmi “Kapedani” e ndan vetvetiu botën në dy grupe: në njerëzit që e kanë parë dhe shijuar filmin, dhe në të tjerët, ata që mbeten jashtë rrethit ose që kanë kullotur në grazhde të tjera.
Përftesa të këtilla ndihmojnë për t’i krijuar grupet informale dhe për t’i mirëmbajtur.
Dukuria, në vetvete, nuk ka të bëjë vetëm me filmat; përkundrazi, filmat vijnë këtu në vështrim si objekte ndër më të referuarit, për shkak të kudondodhjes (ubikuitetit) të tyre në kulturën pop. Rol të ngjashëm luajnë programet televizive, estrada, teatri, tekstet e këngëve të njohura, batutat e reklamave televizive dhe të tjera produkte shumë popullore, duke përfshirë edhe thënie të udhëheqësve politikë.
Mbaj mend që, edhe para 1990-s na qëllonte që, në mjedise private, ta përdornim batutën “ç’deshe ti në makinën e legatës jugosllave?”, nga një fjalim i Enver Hoxhës, për të bërë humor mes nesh. Në këtë rast, batuta i shërbente edhe forcimit të vetëdijes sonë të përbashkët, se ishim një grup shokësh të çmagjepsur, ose kritikë ndaj regjimit.
Nën diktaturë, ishte tepër e lehtë të përftoje grupe nëpërmjet citimit implicit ose batutave në dukje ‘jetime’, meqë produktet kulturore ishin të pakta dhe veçanërisht filmat përsëriteshin shpesh në TV, duke iu imponuar publikut jo thjesht si mesazhe, por edhe si modele të kodit kulturor bashkëkohor.
Sot kjo është më vështirë të arrihet, për shkak të atomizimit të eksperiencave kulturore: kur ka vetëm një kanal televiziv, të gjithë do të shohin të njëjtin program në mbrëmje; po kur kanalet televizive janë disa dhjetëra, publiku segmentohet. Në SHBA deri edhe serialët televizivë që ndiqen nga dhjetëra milionë njerëz e kanë copëtuar publikun: një i apasionuar pas “Lost” vështirë se mund t’i përkasë edhe grupeve të “The Sopranos” ose të “The X Files”; po ashtu, është gabim të supozosh se dikush do ta kuptojë batutën tënde nga “Seinfeld” vetëm e vetëm ngaqë ty “Seinfeld” të ka pëlqyer shumë dhe ia ka regjistruar në kaseta të gjitha episodet.
Në raste ofertash të shumëfishta, grupet e përftuara nëpërmjet këtij mekanizmi priren drejt elitizimit. Ashtu, nëse unë përmend një thënie nga një roman i Kadaresë, gjasat janë se shumëkush do ta kapë referencën; përkundrazi, një batutë nga romani “Moby Dick”, bie fjala, nuk do të më shërbejë shumë përtej mjediseve ku studiohet, me pasion të madh, letërsia amerikane e traditës… Ashtu do të kuptohet edhe dukuria, e mirënjohur në SHBA, e grupeve të ‘Trekkies’, ose të apasionuarve pas serialit televiziv Star Trek.
Meqë flasim për serialet televizive, po kujtoj këtu edhe një personazh nga kryesorët në “Lost”, Sawyer-in, i cili e ka të pamundur të komunikojë me të tjerët, pa përdorur referenca të shumta, por gjithnjë implicite, nga filmat amerikanë dhe televizioni, të cilat humbasin krejt për publikun joamerikan.
Natyrisht, referencat ndaj kulturës pop janë vetëm një nga format e citimit në ligjërim; një formë tjetër e kudondodhur do të ishte, për shembull, përdorimi i proverbit ose fjalës së urtë.
Si rregull, kur folësi sjell një proverb në ligjërim, e sjell si thënie të një subjekti anonim dhe depozitar të urtësisë shekullore; pa pretenduar aspak të jetë pjesë e kësaj urtësie. Folësi, si të thuash, është thjesht duke pirë ujë në kroin publik.
Por vëreni edhe dallimin themelor midis proverbit dhe batutës cituese; i pari lyp nga biseduesit një zhvendosje drejt rrafshit abstrakt, ndërsa e dyta e konkretizon edhe më situatën, duke iu referuar një skenari të dytë, paralel me atë për të cilin po flitet.
Prandaj batutat cituese (nga filmat, estrada, librat, personazhet publike, etj.) funksionojnë si anti-proverba, sepse në vend që ta sublimojnë temën për të cilën po flitet, siç bën proverba, e lirojnë tensionin e bisedës, nëpërmjet diversionit.
Nga kjo pikëpamje, një batutë filmike ose që ka të bëjë, gjithsesi, me trivia, e zhvendos bisedën drejt funksionit fatik, ose riprodhimit të lidhjeve mes bashkëbiseduesve, i cili shpesh ka më rëndësi sesa tema e trajtuar. Tek e fundit, shumë prej nesh bisedojmë shpesh për të mbajtur të hapur kanalin e komunikimit me tjetrin; dhe humori i sugjeruar nga batuta filmike është lubrifikant i mirë për çdo bisedë.
Sa për përftimin dhe mirëmbajtjen e kohezionit të grupit, duhet shtuar se batutat që i referohen kulturës pop luajnë rol të ngjashëm me zhargonin (slang); meqë edhe zhargoni funksionon në atë masë që ngre një mur ndarës midis nesh që dimë t’i përdorim këto fjalë dhe atyre të tjerëve që fjalë të tilla nuk i kuptojnë. Megjithatë, batutat janë në vetvete inkluzive, meqë ia shtrijnë dorën kujtdo që e kap referencën; ndërsa zhargoni mëton të kundërtën, ose ekskluzivitetin.
“Batuta filmash” na shkeput pjeserisht nga tema e meparshme duke e marre diskutimin nga fusha e rolit te batutes ne lidhje me filmin dhe prodhuesin e mbikeqyresin e prodhimit filmik, ne rolin e vleren e batutes ne vetvete. Ne kete pike pa dyshim qe diskutimi mbi rolin pozitiv apo negativ te filmave te realizmit socialist si dhe per cilesine e tyre si propagande apo kunderpropagande e regjimit eshte i tejkaluar. ( ka vec nje pike ku xhaxhai i rikthehet kesaj kur flet per referenca “subversive”).
Perdorimi i batutes ploteson kushte dhe kryen funksione. Kushtet qe Xhaxhai permend jane:
1. duhet te ruaje lidhjen me kontekstin origjinal.
2. bashkebiseduesit duhet ta njohin lidhjen referuese te batutes.
Dhe batuta kryen keto funksione:
1.krijon kohezion ne grup. (por mund te krijoje edhe lidhje perjashtuese e mos-perkatesi; kete te fundit e has, ndersa kohezionin e synon)
2.jep liri per aluzion me mire e me “politically safe” sesa krijimi i nje fraze aty per aty.
3. nuk thuhet per te informuar por per te krijuar nje marredhenie sociale te vecante
4. ngjan me proverbat, pro ndryshe nga to e con biseden drejt nje niveli me konkret e jo me abstrakt.
5. ngjan me slang, por ndryshe nga to synon bashkim e jo ndarje.
Shpresoj nuk kam keqinterpretuar mesazhin. Nuk me bind funksioni 4. Sipas meje abstragimi eshte i te njetit nivel. Vec mendoj se nese proverbi eshte bosh ne “vazhdimin” e linjes lidhese mes folesve e nuk i con ata te dy gjekundi pertej, batuta filmike eshte plot leng e te con ne nje nivel tjeter lidhjeje shoqerore…dhe kjo nuk eshte e sigurte, por batuta e ka potencialin brenda. Proverbi thjesht perforcon vertetesine e nje ngjarjeje apo historie konkrete, thote se kjo mesele eshte e vjeter ose ka ndodhur aq here sa qe pritet nje ngjarje apo pasoje e caktuar por nuk krijon dialog te brendshem, ne fakt. Metafora e batutes nga filmi eshte “e gjalle” dhe jep hapesire per shume me teper veshtrim personal nga palet ne bisede sesa proverbi. Metafora e proverbit eshte e vdekur, thjesht e ri-recituar.
por, teksa shkruaj, mendoj, a nuk kane te njejten vlere si batuta e analizuar nga Xhaxhai, fjele te caktuara si psh “favorite” per modelin e flokeve, “llustrafin” per llojin e kepuceve”, “xhez” – qe Xhaxhai e diskutoi ca dite me pare… ose te themi nje parfum i caktuar i perdorur nga nje person, ose nje menyre e te mbajturit te shallit, ose nje marke e caktuar kepucesh… do mendohem me tej neser per dallimet apo afersite. Per sot e di se kur je larg Shqiperise, nje batute e caktuar filmi apo nje shprehje e caktuar qe lidhet me nje grup, moment apo histori te vecante, behet edhe me e forte ne efekt sesa kur e gjen “me shumice” ne vendin tend. Por kur shkoj ne Shqiperi e perdor ndonje fjale te ketij tipi, ndihem nganjehere si nje dinosaur qe kujton se po bredh ne habitatin e vet te zakonshem, vecse kur sheh se ishte totalisht gabim.
Xhaxha, dua të të sjell një shembull, ku batuta ka hyrë aq në përdorim saqë tashmë të përdoret vetëm gjysma e saj… bile ka hyrë aq në përdorim saqë ndodh që e përdorin edhe njerëz që nuk ja njohin pjesën tjetër.
Një sekretare tek puna ime, e kishte zakon që për të na “kërcënuar” të përdorte shpesh:Eheee, chi non lavora… duke e lënë pauzën e nevojshme ashtu siç duhej.
Një herë, megjithse nuk ishte gjë, sapo ma thotë këtë frazë, ja plotësova me “kusurin”:…non fa’ l’amore.
Meqë e mbante vehten përveç se të mençme edhe për gocë serioze, më thotë: “Si guxon?!”…. dhe m’u desh gjysëm ore që t’i shpjegoja se ato ishin vargjet e një kënge të Çelentanos…
====
Batuta nuk vjen vetëm për të ironizuar apo për t’u thënë në ndonjë ambient ku domosdoshmërisht duhet të jepet për të treguar “njohuri” kushediseçfarë… sa herë që shkojmë tek lojërat, kur vjen puna që çupa e vogël të hypë tek “Varka e piratëve”, me çupën e madhe bëjmë garë se kush do e vërë bastin që, sapo varka të ngjitet lart, çupa e vogël do fillojë të bërtasë: “Volare” (nga kënga e Modunjos).
====
Nuk e di se ç’diktaturë i shtyn njerëzit nëpër botë të përdorin batutat e filmave, por janë disa që, edhe pse po i vë në shqip (dmth jo në gjuhën origjinale) dhe nuk them se ku janë përdorur, shumëkush prej jush do ta kuptojë se ku janë thënë dhe se si janë thënë:
-Kush të ka mësuar që të ecësh kështu me makinë?
– Stevie Wonder
sono uomo di mondo, ho fatto tre anni di militare a Cuneo (Unë jam një që ka parë botë, kam bërë tre vjet ushtrinë në Kuneo)
– thuana ku je e të vijmë e të të marrim.
– Jo, kësaj here vij vetë që t’iu gjej”
Zoti është i mëshirshëm… unë jo!
Janë batuta që kanë ngelur në “përdorim të përditshëm” edhe pse rrallëherë njerëzve ju kujtohet titulli i filmit se ku janë thënë, por që kanë efektin e tyre në një kontekst të caktuar… përbile, edhe pse shumë njerëz nuk e kanë parë filmin, nuk ngurrojnë të përdorin një tjetër shprehje famoze: Nesër do jetë një tjetër ditë