Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

ARKEOLOGJI PRIVATE

Lajmet për gjetje të reja arkeologjike, veçanërisht në brendësi të trojeve shqiptare, gjithnjë janë të mirëpritura.

Para pak ditësh, BalkanWeb njoftonte për disa gërmime në rrënojat e një kishe mesjetare, të shekujve XII-XIII, në fshatin Kumardhë afër Bovillës, Tiranë; që mund të ketë qenë edhe peshkopatë e krahinës së Bendës.

Sipas Arkeologut Skënder Muçaj, pranë kishës gjendet edhe një varrezë e madhe mesjetare, e ngjashme me varrezat e Komanit.

Mirëpo vazhdimi i lajmit ta pret gazin përgjysmë:

Rrënojat e kishës janë të ruajtura në gjendje të mirë, por syri vëzhgues i thesarkërkuesve, me sa duket ka qenë më largpamës se ai i arkeologëve. Në fakt, kisha është vizituar nga kërkuesit e paligjshëm të thesareve, që prej kohësh dëmtojnë e dhunojnë pasuritë e monumenteve, varreve dhe sajteve arkeologjike në mbarë [vendin]. Si shqetësim është ngritur prej kohësh, por deri tani asgjë konkrete nuk duket të jetë bërë për të ndaluar trafikimin e objekteve arkeologjike dhe dhunimin e dëmtimin e tyre. Në këtë kuadër, Skënder Muçaj tregon se ku kanë ndërhyrë kësaj here thesarkërkuesit dhe trafikantët e pasurive arkeologjike. “Për fat të keq, siç e kemi thënë edhe herë tjetër, gërmuesit klandestinë nuk kanë lënë vend pa gërmuar. Në këtë kishë ata kanë gërmuar një gropë me një thellësi prej 2.80 metrash.[…]”

Ndryshe nga arkeologët, kërkuesve të thesareve nuk u mungojnë as mjetet financiare, as pajisjet teknike, as zelli për ta çuar punën deri në fund. Pikërisht ato zona të trojeve shqiptare, ku arkeologët profesionistë mund të zbulonin shumëçka në lidhje me pikat e errëta të historisë shqiptare në antikitetin e vonë dhe në mesjetë, janë tashmë në mëshirë të këtyre “arkeologëve privatë”.

Jo larg rrënojave të kësaj kishe, në fshatin Skuterrë afër Kërrabës, është zbuluar përsëri këto ditë një kështjellë që mund t’i takojë shekullit VI, e cila përfshihet në grupin e fortifikimeve që kontrollonin rrugën anë vargut malor Krujë-Dajt.

Arkeologu Skënder Muçaj rrëfen për Gazetën Shqiptare:

Edhe në këtë kështjellë ka pasur ndërhyrje, por kësaj radhe nuk kanë qenë thesarkërkuesit ata që kanë lënë shenjat e tyre. Sipas Skënder Muçajt, ndërhyrjet e vëna re në kështjellën e Skuterrës në afërsi të Krrabës janë ndërhyrje të vjetra. “Para Luftës së Dytë Botërore, fshatarët e kësaj zone punonin në emigracion në Greqi me periudha kohore. Disa prej tyre iu kishin rrëfyer pronarëve grekë se në vendin nga vinin, kishte një qytezë të lashtë. Grekët kanë ardhur në ato vite në Skuterrë duke menduar se aty mund të kishte flori, përderisa ka qenë një kështjellë e lashtë e kohës së ilirëve”, tregon Muçaj. Arkeologu shton se sipas banorëve, grekët nuk kishin gjetur flori, por kërkimet mbahen mend nga njerëzit e zonës.

Historia e thesarit avar të Vrapit në Muzeun Metropolitan të NYC dhe e një thesari të ngjashëm, këtë herë të gjetur në Ersekë, të ofruar për shitje nga Sotheby në 1981 dhe sot të ruajtur në një koleksion privat, tregon se objekte të tilla të vyera në nëntokën shqiptare nuk mungojnë.

Varfëria e madhe e institucioneve që duhej të merreshin me ruajtjen dhe kërkimin e pasurive të tilla në Shqipëri vetëm sa u jep zemër prospektorëve të arit historik të Arbërit.

Zakonisht, kërkuesit e thesareve njihen botërisht për dështimet e tyre; edhe pse është vetëm e logjikshme të supozohet se kush ka pasur sukses dhe i ka shndërruar gjetjet e veta në dollarë, ka parapëlqyer ta mbajë të fshehtë këtë sukses.

Plaçkitja e varreve është veçanërisht e trishtueshme; sepse në varret mund të fshihen provat, aq të nevojshme, për vijueshmërinë iliro-shqiptare në mesjetën e hershme.

Megjithatë, pas gati dy shekujsh plaçkitjesh nga amatorët, të huaj dhe vendës, tani vështirë të ketë mbetur gjë për t’u zbuluar, përtej themeleve të ndërtesave dhe tjegullave.

Në një prej reportazheve të veta para dy-tre vjetësh, Edison Ypi tregon se, kur u ngjit me jeep diku midis Gramshit dhe Skraparit, në një vend të humbur në mes të maleve, fëmijët e fshatit që ia rrethuan makinën e pyetën se ku e kishte “atë”, detektorin e metaleve. Me atë farë vegle infernale e identifikokëshin kapitalizmin dhe qytetërimin të mbijetuarit e brendatokës iliro-arbërore.

Do të shkruhet vallë ndonjëherë historia e etheve të thesarit në Shqipërinë e pazot? Të paktën akademikët e Tiranës të lejohen të na rrëfejnë për aventurat dhe teknikat e këtyre metal detector heroes të mbramë, duke ua studiuar gropat e freskëta drejtpërdrejt në terren; sa kohë që për historinë e mesjetës të hershme shqiptare ne shpresat tashmë i kemi varur te Sotheby.

Pa Komente

  1. Pak si percartje me duket lajmi i origjines nga buron dhe komenti juaj Xha Xha! Ka mundesi me shume te jete ndonje thellim per themel se sa zell per germime klandestine.
    Pastaj edhe kjo puna e Skuterres si pak e stisur e ushqim per profane me duket nga ana e arkeologut.
    Thesaret o Xha Xha, jane nje pjese thuajse e parendesishme e nje siti arkeologjik qe germohet. Ajo qe ne te vertetete arkeologet kerkojne, ne ndryshim nga antikuaristet, jane kontekstet arkeologjike ne pergjithesi.
    Ka shume per te zbuluar ende e mos ki merak Xha Xha te rrish i qete do te thonjam une.

    Papaver Somniferum

    1. Lajmet për kërkues thesaresh i ndesh kudo në shtyp, o Papaver. Duam s’duam ne, këta nuk do ta ndalin kazmën, që të ftillojnë logjikën e gërmimeve të tyre.

      Para ca kohësh, A. Lame tërhiqte vëmendjen për guximtarë të pashembullt, që hidhnin në erë me dinamit këmbët e urave mesjetare, për të gjetur eshtrat e Rozafave përkatëse…

      Pa shaka. Unë kam ca probleme me komentin tënd. Në krye, unë nuk e kuptoj se ç’interes ka arkeologu në fjalë të gatuajë ushqim për profanët.

      Më pas, ti thua “thesaret janë një pjesë thuajse e parëndësishme e një siti arkeologjik që gërmohet”. Drejt dhe e thënë në momentin e duhur. Po e di ti, Papaver, atë historinë e të marrit që kujtonte se ishte kokërr misri? Kur rrihnin doktorët t’i shpjegonin të vërtetën, ky u thoshte: ja më bindët mua, po hajde e mbushja mendjen gjelit, se.

      Edhe unë të them: mirë ti dhe unë e dimë se ç’pjesë e parëndësishme e sitit arkeologjik janë thesaret; sikurse e di edhe ai arkeologu në terren; po hajde e mbushjau mendjen kërkuesve; që duke gërmuar për thesaret, i japin dërrmën edhe sitit, edhe kontekstit përkatës.

      Megjithatë, nuk e fsheh se ndërhyrja jote më gëzon; meqë më lë të kuptoj, ashtu tërthorazi, se arkeologët tanë qenkan në kontroll të situatës.

  2. Ah mo Xha Xha! Kur veteraneve te lufrave ne Perandorine Romake, perandori (njeri nga perandoret po s’me kujtohet se cili) u dha ne shkembim te sherbimeve ngastra toke ne Korinth filluan te germonin per te gjetur “thesare”. Kryesisht tek hapnin themelet per shtepite e tyre. Gjetem shume syresh

    Nekrokorinthja ja thonin, pasi objektet me te plota e te ruajtura mire dilnin nga zona e varrezave. Ishin trafikantet e pare e Roma u mbush me ‘nekrokorinthia”. Por me kalimin e kohes romaket u bajalldisen me objektet e ardhura nga Greqia, ndaj thesaret u zhvleresuan e madje nuk shiteshin me. Ne pergjithesi, rrenojat e monumenteve shqiptare, ato arkitekturore te dukshme kane shekuj qe gjenden mbi dhe ndaj mund te kene qene pre e grabitesve vetem teksa kane qene ne funksion. Te abandonuara nuk perbejme me interes, per ata qe dine pak. Ky lajmi me “looters” ne Shqiperi eshte i vlefshem vetem per dy periudha 1991 e 1997 nuk duket qe Shqiperia te beje pjese ne harten e zeze te trafikut sic psh eshte zona e Puglias. (Vazot e famshme apulase)

    Si Papaver Somniferum spara lexoj gazeta por me rezulton se tre lajmet e permendura ne fushen e kultures te clat ju i referoheni ne artikujt tuaj bejne pjese ne morine e lajmeve te shkruar per te mbushur paksa faqen ose per ti dhene pak material gazetarit.

  3. Papaverum, mbase konteksti arkeologjik ka rendesi per arkeologjine, po nje unaze a varese floriri me ca germa qe flasin shqip jemi duke pritur ne profanet nga arkeologjia shqiptare, se qe thua ti me kontekste arkeologjike e germadha jemi ngopur.
    Si i thone atij muhabetit, arkeologjia si arkeologji u intereson vetem arkeologeve, ne te tjeret presim, duke shpresuar se spo presim si dhelpra herdhet e dashit.

  4. Thesari Avar i gjetur në fshatin Vrap të Durrësit më 1901 dhe blerja e tij nga një prej personazheve më të rëndësishëm të financës botërore J.P.Morgan

    Koleksioni i Vrapit në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut

    Auron Tare

    Muzeu i famshëm amerikan në Nju Jork, Metropolitan Museum, ekspozon në një prej sallave të saj qendrore një koleksion shumë të rrallë i përbërë prej objektesh të punuara në ar dhe argjent i cili ka marrë emrin e një fshati gati të panjohur në Shqipëri, por që gjithsesi është i njohur për të gjithë ata vizitorë që kërkojnë të shohin këtë koleksion.

    Thesari Avar i fshatit Vrap në Durrës ndoshta një prej më të rrallëve në botë, është një prej koleksioneve shumë të rëndësishëm që ky Muzeum i njohur ekspozon, duke hedhur dritë mbi kulturën e një prej popullsive Barbare të shfaqura në Ballkan gjatë rënies së Perandorisë Romake dhe formimit të asaj Bizantine. Avarët një popullsi shumë luftarake e cila hyri në territoret Lindore të Perandorisë Bizantine në fillim si hordhi plaçkitësish dhe më vonë si kolonë, ishin një element i rëndësishëm në formimin e popullsive bullgaro-sllave.

    Koleksioni që ekspozon Metropolitan Museum është i gjetur në fshatin Vrap më 1901 në rrethana jo shumë të njohura. Sipas atyre pak gjërave që njihen mbi këtë gjetje, ky Thesar ka qenë i futur në një enë të madhe dhe ka qenë groposur në një fushë, me siguri me mendimin se pronari i tyre do të kthehej përsëri për t’i marrë. Fakti që këto objekte nuk kanë qenë pranë një varri tregojnë se ato janë groposur në nxitim e sipër për shkaqe të cilat kanë humbur në mjegullën e shekujve.

    Nuk dihet me siguri se kush e ka gjetur i pari këtë thesar, por me sa duket ai ka udhëtuar në disa vende për të mbërritur në duart e një prej koleksionistëve më të mëdhenj në botë, bankieri i famshëm amerikan J.P.Morgan. Ai njihej si adhurues i madh i artit dhe koleksiononte jo vetëm vepra arti por edhe libra të rrallë duke ndërtuar një galeri personale shumë të rëndësishme. Ky koleksion ishte nën pronësinë e J.P.Morgan-it deri sa vdiq dhe ndër dhuratat e shumta që shkuan në Muzeun Metropolitan pas vdekjes së tij ishte edhe thesari unikal i Vrapit i ekspozuar sot në një prej sallave qendrore të këtij muzeu.

    Thesari i Vrapit ka tërhequr vëmendjen e disa studiuesve seriozë, pasi është ndër më të rrallët dhe përfaqëson kulturën e një populli luftëtar, por endacak i cili erdhi papritmas nga stepat e pafundme lindore duke sjellë ndryshime serioze në historinë e Ballkanit.

    Studiuesi i njohur gjerman Joachim Werner për disa vite studioi objektet e thesarit të Vrapit si dhe u mundua që t’i jepte një përgjigje misterit të thesarit. Ai vizitoi Shqipërinë në fillimin e viteve 80 dhe paraqiti studimin të botuar për herë të parë në Vjenë. Në përfundimin e këtij studimi Werner e quajti thesarin e Vrapit “një thesar arkeologjik të përmasave europiane“, por pa nxjerrë një përfundim të saktë mbi pronësinë apo rrethanat e gjetjes në Vrap të Durrësit. Por sipas Werner-it këto objekte janë padyshim “të një rangu mbretëror të cilat vetëm një udhëheqës mund t’i përdorte si objekte kulti“.

    Është interesant fakti që këto janë objekte arti unikale të punuar në ar solid. Togëza e gjetur ka të gdhendur një simbol, i ngjashëm me një objekt tjetër të gjetur në varrin e një princi në varrezën Avare në Osora, zonë pranë liqenit Balaton në Hungarinë e sotme. Megjithatë ekspertë që janë marre me studimin e thesarit kanë hedhur pyetjen nëse ky thesar ka qenë i grabitur nga ndonjë lider i panjohur Avar i cili në rrethana të pazakonta ka qenë i detyruar ta groposte në Vrap. Nga burimet e kohës dihet se trupat avare kanë shërbyer si mercenare në ushtrinë Bizantine dhe sigurisht janë gjendur shpesh në territoret e Shqipërisë se sotme.

    Një tjetër hipotezë është hedhur nga studiuesi Siderov i cili mendon se ndoshta ky thesar i përket ndonjë lideri avar i cili ka sunduar në këto territore për pak kohë gjatë shtrirjes së pushtimeve sllavo-bullgare.

    Stili i punimit të këtyre objekteve, sipas Werner-it mendohet se është shumë pranë tribusë së avarëve të Khaganatit të Obrait ose të njohur si bullgaro-sllavët të cilët për një farë kohe sulmuan dhe pushtuan provincat romake të Dalmacisë, Prevalitanisë Dardanisë dhe Ilirisë.

    Nga burime të shkruara si në “Kronikën e Monevasisë” apo “Jeta e Shën Pankratit” flitet për dyndje të trupave “pseudoavare” sllavo-bullgare, të cilët sulmonin territoret romane sidomos ato përgjatë Via Egnatias duke plaçkitur apo edhe duke u vendosur në zona të shkreta. Sipas këtyre burimeve këto trupa, gjatë fushatës së dytë në Greqi 586-588 e.s u dukën deri në muret e Durrësit dhe të Ohrit.

    Një figurë interesante me prejardhje avare që ka qenë aktiv në territoret e Shqipërisë së sotme që njihet në këtë kohë nga burimet e shkruara, është Vitelianusi, komandant ushtarak (i cili përmendet shpesh si trak, skith apo getian) i cili deri më atëherë kishte qenë në shërbim të ushtrisë bizantine, iu kundërvu Bizantit nën nxitjen e Theodorikut të Madh dhe Papës Hormidas në vitin 506.

    Kronisti Bizantin Malala shkruan se Vitelianusi pati një fushatë të suksesshme kundër trupave bizantine në zonën e Ohrit. “Në kohën e Perandorit Anastas, Trakasi Vitelianus iu kundërvu Perandorit në krye të trupave hune dhe avaro-bullgare. Pastaj ai pushtoi Trakën, Moesinë, Skithinë dhe Odeososin. Ky fakt përmendet edhe nga kozmografi anonim i Ravenës në fund të shek. të 6: “Inter vero Thracian vel Macedoniam et Mysiam interiorem modo Bulgari habitant qui ex supra scripta majore Scythia egresi sunt”.

    Sipas një tjetër kronisti bizantin, Theophanes i cili përshkruan periudhën e Perandorit Heraclius që mbretëroi nga viti 610 – 641 p.k kur Heracliu erdhi në pushtet, Perandoria Bizantine ishte nën sulme të ashpra, në Perëndim nga Avarët dhe Sllavët të cilët po zgjeroheshin në Ballkan: Avaro-Sllavët tashmë kontrollonin Danubin, Trakën dhe Maqedoninë dhe ndërkohë po sulmonin qendrën e Greqisë dhe Peloponezin. Në Lindje, Persët nën drejtimin e Krosroes po sulmonin perandorinë e cila humbi Damaskun në 613, Jeruzalemin në 614 si dhe Egjyptin në 614. Duke parë vështirësitë e luftës në dy fronte, bëri paqe me avarët në 619 dhe iu kushtua luftës me persët. Ndërsa Perandori Heraclius po pushtonte territoret perse, avarët i krijuan atij probleme dhe për këtë arsye ai u detyrua të paguante një çmim më të lartë për paqen me ta. Megjithatë në gusht 626, ndërsa Perandori po sulmonte ushtrinë perse, një ushtri avaro-sllave sulmoi forcat perandorake në bashkëpunim me persët. Ishte vetëm ndërhyrja e Perandorit ajo që bëri të mundur thyerjen e ushtrisë avaro-sllave që erdhi nga Perëndimi”.

    Thesari i Vrapit i cili qëndron prej gati 80 vjetësh në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, u vu përsëri në qendër të vëmendjes së studiuesve botërorë në 14 shtator 1981 kur në Galerinë e famshme në Sotheby, Londër u paraqit koleksioni i quajtur “Parke Bernet & Co” ndryshe edhe Thesari i Ersekës i ardhur përsëri nga një krahinë jugore e Shqipërisë. Ky koleksion prej ari dhe argjenti i prezantuar si Thesar Avar mendohej se kishte shumë përngjasje me Koleksionin e Vrapit i gjetur më 1901. Deri më sot ka mbetur enigmë mënyra se si ky thesar ka dalë nga Shqipëria dhe është prezantuar në “Sotheby”. Të dhënat për këtë thesar janë shumë të pakta. Askush nga arkeologët shqiptarë nuk di me saktësi ndonjë të dhënë për ekzistencën apo gjetjen e Thesarit Avar të Ersekës. Një e dhënë shume e zbehtë mbi gjetjen e thesarit është rregjistruar në 1987 nga një banor i fshatit Lëngës në Ersekë i cili thotë se ky thesar ishte zbuluar nga një familje e fshatit me mbiemrin Qiriazi, në fund të vitit 1890 buzë një përroi. Ky person u largua nga fshati me gjithë familjen dhe u vendos në Slovë të Maqedonisë ku fati i tij dhe i thesarit që mori me vete nuk u mësua kurrë.

    Sipas katalogut të botuar nga Sotheby në 1981, janë gati 123 objekte ari dhe argjenti shumë të ngjashme me Thesarin e Vrapit. Studiuesi gjerman Werner ka qenë personi i parë që ka folur për ekzistencën e këtij thesari sipas fotografive të vëna në dispozicion nga familja që e posedonte. Sipas Werner-it ai ndodhej në duart e një familje e cila në vitet 30 kishte qenë në elitën e udhëheqjes naziste. Thesari i Ersekës për një kohë të gjatë mendohej të kishte prejardhje gote nga personi i cili e kishte në zotërim dhe si i tillë ai kishte një vlerë shumë të madhe për një familje e cila besonte në rilindjen e racës gjermanike. Me sa duket pas rënies së regjimit nazist edhe rëndësia e këtij thesari ishte lënë në harresë për të dalë në skenë vetëm në vitin 1981 në Sotheby të Londrës, në kushtet e një anonimati të plote mbi pronarin e tij të vërtetë.

    Studiues austriakë të Universtetit të Vjenës që kanë parë fotot e thesarit të Ersekës, mendojne se ai duhet të jetë pjesë e thesarit të Vrapit, por si dhe përse ai është gjetur buzë një përroi në një fshat të Ersekës askush nuk mund t’i japë përgjigje të saktë.

    Thesari i Vrapit dhe ai i Ersekës janë zbulime shumë të rëndësishme për arkeologjinë dhe historinë jo vetëm të popullsive barbare të cilat pushtuan Ballkanin në shek. V-VI por edhe për historinë e trojeve shqiptare gjate pushtimeve në fundin e periudhës romane. Megjithëse kjo njihet si periudhë e errët, përsëri zbulime të nivelit të Thesarit të Vrapit dhe atij të Ersekës hedhin dritë përmes mjegullës së shekujve që kanë mbuluar këtë kohë historike.

    1. Auron, falemnderit për këtë prurje shumë të vlefshme!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin