nga Eni
Në diskurset aktuale politiko-ideologjike për zgjidhjet e problemeve të mëdha të së tashmes dhe së ardhmes modelet ekonomike që përdoren për referencë e me të cilat zhonglohet në diskutime nga më të ndryshmet janë shumë të thjeshtëzuara.
Kjo, në kushtet kur një pjesë e mirë e shoqërive të zhvilluara po lëviz me shpejtësi prej të paktën dy dekadash në drejtim të një epoke informacioni. Dhe njëkohësisht kur njerëzimi ka krijuar tashmë një sistem global si Interneti ku për herë të parë jemi në gjendje të vërejmë (dhe eksperimentojmë me) shkallën e madhe të kompleksitetit të një sistemi jashtëzakonisht dinamik në nivel mikro e makroskopik. Megjithatë, ideologjitë e modelet aktuale socio-ekonomike janë akoma të huazuara e bazohen në debatet dhe balancat e epokës industriale ku marksizmi dhe neoliberalizmi përbëjnë dy ekstremet dhe njëkohësisht pikat e referimit.
Së paku që prej krizës globale financiare e vështirësive të dukshme që kanë tregjet për t’iu përgjigjur ad hoc ngrohjes globale ka ardhur koha që ideologjisë neoliberaliste t’i vihet një pikëpyetje e madhe ashtu si edhe vetë modeleve ekonomike dhe perceptimit të përgjithshëm të ekonomisë që predikohet nëpër programe të panumërta masterash ku proçese komplekse e adaptive ekonomike shpjegohen me derivate matematike të shkallës së parë. Një mjet matematik shumë primitiv e i thjeshtë për të modeluar qoftë dhe aspekte shumë të kufizuara të ekonomisë globale të sotme dhe sfidave të saj. Kur tashmë edhe për modelimin e një krahu avioni përdoret një gamë mjetesh të sofistikuara teknologjike që nga simulimet deri tek algoritmet gjenetike, modelet shumë thjeshtëzuese që na ofrohen për perceptimin e ekonomisë duhet të shihen gjithnjë e më tepër si placebo të cilat funksionojnë në vija shumë të trasha sepse ne (publiku) besojmë në to por jo sepse ato janë modele objektivisht të mira.
Shoqëritë dhe ekonomitë si rrjete komplekse
Nga një sërë disiplinash e nëndisiplinash shkencore shoqëritë dhe ekonomitë kanë filluar të shihen gjithnjë e më shumë si sisteme agjentësh të ndërlidhur me njëri tjetrin që bashkëveprojnë e riprodhohen në mënyra të caktuara të varura nga shumë parametra. Këtu një rol kyc luajnë mekanizmat komplekse të marrie-dhënieve (feedback) që përforcojnë apo dobësojnë njërin apo tjetrin efekt deri sa arrihet një balancë dinamike e qëndrueshme ose jo. Nën këtë këndvështrim mund të themi se kemi të bëjmë me një rrjet kompleks, me një ekosistem dinamik. Rrjetet komplekse janë një model i ri i përftuar nga kombinimi i njohurive shkencore të ardhura nga një rang disiplinash si nga shkenca neuronale, inteligjenca artificiale, fizika e mbi të gjitha nga biologjia. Në qendër të këtij modeli qëndrojnë tema si bashkëveprimi dhe mekanizmat e marriedhenieve (feedback-u), adaptiviteti dhe mekanizmat evolucionare.
Rrjetet komplekse shihen si sisteme inteligjente të afta për të zgjidhur probleme komplekse. Nuk është rastësi që truri, organi i mendimit, është i organizuar në formën e një rrjeti shumë dinamik. Edhe „Tregjet“ siç i përjetojmë në forma të ndryshme në ekonomitë e shteteve ku jetojmë janë poashtu rrjete komplekse. Por ndryshe nga cfarë predikohet Tregjet e lira rregullohen nga një sistem ligjesh natyrore apo artificiale. Vetë „Tregu“ si koncept përcaktohet nga një mënyrë e rregulluar e bashkëveprimit (shkëmbimit të resurseve/produkteve) midis agjentëve brenda tij, pra ngrihet mbi një sërë rregullash që i japin veti të caktuara. Në rrjetet komplekse sistemet e brendshme rregullative shihen jo vetëm si mekanizma kontrolli mbi cilësitë e rrjetit por edhe si kodifikim i eksperiencës dhe inteligjencës së rrjetit, si produkt evolucionar i përshtatur ndaj mjedisit.
Organizatat apo korporatat, nëse ato i shohim si rrjete komplekse, e kodifikojnë eksperiencën dhe inteligjencën e tyre në formë proçesesh të brendshme apo rregullash të cilat ndryshojnë/evoluojnë me ndryshimin e mjedisit. Në mënyrë analoge edhe sistemet rregullative të tregjeve (institucionet) janë mekanizma kontrolli të cilat janë zhvilluar në mënyrë që tregjet të kenë cilësi të caktuara në një mjedis dhe në një kompleks kushtesh të brendshme të caktuara.
Dhënia e një kahu statik evolucionit rregullativ brenda rrjeteve komplekse psh. drejt derregullimit dhe shpërndarjes totale të kontrollit apo drejt rregullimit të proçeseve prodhuese dhe centralizimit total të kontrollit është dogmë që nuk merr parasysh diversitetin e kushteve të brendshme të rrjeteve dhe dinamikën e madhe të mjedisit. Ndërsa „mjedisi“ për njerëzit e shoqëritë e tyre ka qenë historikisht natyra, tashmë pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e mjedisit po bëhen dhe vetë sistemet artificiale e teknologjia njerëzore. Në vetvete kjo është për tu shqetësuar për sa kohë mënyrën e funksionimit kolektiv bashkë me evolucionin e tyre ne e kuptojmë akoma më pak sesa dinamikën e sistemeve natyrore.
Interneti, rrjetet e sensorëve dhe „Truri global“
Nën këtë vazhdë nuk mund të le pa prekur Internetin, sistemin artificial më kompleks që njerëzimi ka ngritur ndonjëherë. Si shembulli „par excellence“ dhe një nga frymëzuesit kryesorë të rrjeteve komplekse Interneti është zhvilluar tashmë në një rrjet të aftë jo vetëm për të tërhequr e ruajtur informacione por edhe për të marrë vendime inteligjente. Vetë tregu global ka vështirësi për ta gëlltitur Internetin, një sistem që në fjalët e Frank Schirrmacher (editor i Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe filozof në temat e teknologjisë numerike) kombinon e mishëron tre teoritë më të rëndësishme të dy shekujve të shkuar, Teilorizmin, Marksizmin dhe Darvinizmin.
Ndërkohë, rrjetet e miliarda sensorëve që do të vendosen gradualisht në vitet e ardhshme për monitorimin fillimisht të ambientit, trafikut etj. mund të na japin informacione në kohë reale mbi dinamikën e shumë proçeseve komplekse ekonomike e ambientale. I shtyrë në ekstrem kombinimi i Internetit me këtë rrjet kapilar sensorësh, pra kombinimi i aftësisë për monitorim të proceseve të marrie-dhenieve (feedback) dhe aftësisë për vendimmarrje në kohë reale ofron mundësi dhe rreziqe deri më tani të panjohura. Sipas një prej pionierëve të rrjeteve komplekse (Russell, The Global Brain: speculations on the evolutionary leap to planetary consciousness) rrjetëzimi i rreth 10 miliardë elementëve nëpërmjet lidhjeve komunikuese dinamike shkakton evoluimin e krejt sistemit në një nivel tjetër kualitativ organizimi (psh. numri i atomeve në një bio-molekulë, numri i molekulave në një qelizë, numri i qelizave në korteksin e trurit).
Kjo shifër është arritur tashmë brenda Internetit nëse numërojmë njerëzit bashkë me robotët virtualë dhe impakti shoqëror i këtij ekosistemi miks sapo ka filluar të bëhet i dukshëm (i ashtuquajturi „Truri global“ si një përzierje e njerëzve dhe robotëve virtualë). Megjithatë, ngritja e një sistemi global sensorësh do të mundësonte një sistem tërësisht artificial të aftë të përshtatet e evoluojë vetvetiu, me pak ose aspak ndërhyrje njerëzore. Rrjeti kapilar i sensorëve i integruar në Internet mund të shërbejë si platforma bazë mbi të cilën mund të ngrihen organizime shqërore që më parë nuk kanë qenë të mundura. Nga utopitë e shekullit të shkuar psh. shoqëritë ku kontrolli dhe proceset e prodhimit janë tërësisht të centralizuara (dicka e ngjashme me vizionet e George Orwell), shoqëritë tërësisht të decentralizuara e deri tek shoqëritë që ngrihen mbi kryqëzime paradigmash kontrolli nga më të ndryshmet. Teorikisht, shoqëritë njerëzore do të mund deri edhe të delegojnë tek sistemet artificiale të informacionit një pjesë të madhe të evolucionit organizativ. Së fundmi pra, mbase do të jetë Interneti ai që do të kontrollojë e gëlltisë tregun global.
Rrjetet komplekse dhe biologjia si baza të një përqasjeje të re
Në kushtet e këtij lloj kompleksiteti, risqesh dhe mundësish të mëdha që ofron teknologjia moderne kuptimi i dinamikave komplekse të një ekonomie gjithnjë e më të mpleksur dhe modelet që duhet të marrim për bazë duhet t’i kenë rrënjët tek shkenca e re e rrjeteve si dhe biologjia, shkenca më me eksperiencë dhe informacion mbi sistemet dinamike, dhe jo tek rregulla dore si më sot. është me rëndësi psh. që një pjesë e caktuar e ekonomistëve të njohin e frymëzohen nga sistemet biologjike në vend të ruletës ruse apo bingove. Të shohin e analizojnë se si sistemet biologjike shmangin rreziqe sistemike në nivel qelizor dhe në atë makroskopik, njohuri të cilat mund të simulohen e më pas të aplikohen dhe në rrjetet gjithnjë e më komplekse të shkëmbimeve financiare apo ato të tregtisë globale. Gjithsesi, zhvillimet e viteve të fundit që nga ngritja e Internetit deri tek kriza globale duhet të na shtyjnë t’i vëmë në pikëpyetje modelet mbizotëruese shoqërore e ekonomike aktuale. Në vend të mendojmë se si mund t’ua përshtasim teknologjitë komplekse që kemi krijuar modeleve tona akoma primitive duhet të mendojmë se si mund t’i shfrytëzojmë ato për të arritur stade të tjera organizimi, më njerëzore e më të imunizuara ndaj risqeve sistemike.
Eni me thene te drejten, kur e lexova shkrimin per here te pare e ndjeva veten si zezaku me tanga e me heshte ne dore, te cilit po i shpjegohen koncepte te fizikes berthamore.
Por, u dhashe kushtrimin e pergjithshem neuroneve, jo sipas parimit burre per shtepi, por cdo mashkull i afte per lufte 15-60 vjec, dhe shpresoj te kem rrokur ndonje gje.
Tani thua se teorite ekonomike kane ngelur prapa realitetit ekonomik dhe aq me pak mund te jene udherrefyese per te ardhmen e meqe njohurite e mia ekonomike i perkasin ekonomise politike dhe historise se ekonomise, dua te besoj, edhe meqe keshtu me nje te rene te shpates heqim qafe njehere e mire Lulianin dhe te tjere, perfshire edhe Zizekun a Zhizhekun.
Aty ku e kam te veshtire te t’besoj eshte realiteti social apo me mire socio-politik.
Aty eshte veshtire me perdor integralet e trefishte per shpjegimet e dukurive apo teorine e evolucionit dhe biologjine. Sikur te ishte ndryshe darvinizmi social do ish bere me kohe teoria udherrefyese.
Ndersa ekonomia e sotme s’has shume probleme te natyres etike, meqe kerkojme prej saj eficencen e plote, ne mjedise socio-politike ka shume probleme te tille.
Biles pas ngjarjes se fundit me Berluskonin qe perfshiu Facebook-un ketej ka plasur ceshtja etike ne internet.
Modeli shoqeror virtualo-robotik qe shoh te propozuar, nuk me duket se i pershtatet realitetit, aq me pak shkrirja e njerezimit ne nje shoqeri-organizem.
E them kete pasi e ndiej veten te mbeshtetur nga pervoja njerezore ne zmadhimet e saja te vazhdueshme nga organizimi primitiv ne grupe me 30-40 veta ne organizimet e sotme kombetare, federative apo perandorake.
Dhe rregullisht organizmat e mbeshtetur vetem ne ekonomi kane deshtuar.
Nderkaq permbledhja dhe sinteza e njerezimit ne nje trup te vetem, jo vetem eshte utopike por edhe kunder dialektikes se evolucionit shoqeror, meqe ne ate cast persosmerie ndalet edhe evolucioni.
Une jam shume skeptik ndaj teorive perfeksioniste, e do isha i interesuar te shihja nje argumentim me te nyjetuar nga ana jote.
DI, ne aspektet ekonomike rrjetet komplekse si model une i parashtrova per te argumentuar dy pika te rendesishme.
E para, modelet e sotme ekonomike qe perdoren jane shume primitive. Ekonomia eshte shume shume me e komplikuar se modelet qe ne perdorim qofte per te bere parashikime afatgjata qofte ne diskurset politike.
Pika e dyte e rendesishme eshte c’mitizimi i “Tregut” dhe sidomos c’dogmatizimi i derregullimit te tij. Tregjet si sisteme komlekse kane nevoje per rregulla pasi rregullat nuk jane te imponuara ndaj tyre por jane produkte evolucionare te tyre te pershtatura ndaj mjedisit. Pra te thuash qe tregjet duhet te derregullohen si pergjigje ndaj cdo problemi dmth. ta dogmatizosh derregullimin eshte nonsens. E njejta gje vlen dhe per rregullimin si zgjidhje ndaj cdo problemi. Qofte rregullimi qofte “derregullimi” jane procese evolucionare shumedimensionale e shume komplekse qe krijohen si rezultat i procesit te feedback-ut midis tregjeve, institucioneve/sistemeve rregullative te tyre dhe dinamikes se mjedisit.
Rrjedhimisht mendoj se ekonomistet duhet te jene me shume inxhiniere/biologe e me pak ideologe apo trushpelares me modelet e tyre primitive per nje gjallese aq komplekse sa ekonomia.
Ceshtja e shoqerise si sistem kompleks eshte pak me e sofistikuar. Fakt eshte qe marredhinet midis shoqerise dhe ekonomise apo shtetit dhe ekonomise jane marredhenie tipike feedback-u poashtu komplekse e shumedimensionale te cilat bejne qe ekonomia e institucionet shoqerore te evoluojne ne tandem e varesi te ndersjellte deri sa arrijne balanca dinamike te perkoheshme te cilat varen nga shume parametra.
Ku hyn Interneti dhe teknologjia numerike ne kete mesele? Interneti ka potencialin te ndryshoje rrenjesisht evolucionin ekonomik dhe krejt superstrukturat ekonomike. Psh. disa nga bazat e tregut si prona dhe cmimet Interneti i kthen permbys. Prona ne teknologjine numerike nuk ekziston pasi cdo gje eshte e kopjueshme dhe e shperndashme pa kosto. Poashtu “cmimet” si mjet ekonomik per kodifikimin e raportit midis kerkeses e ofertes me nje sistem global informacioni si Interneti ngelen pa pune pasi per kete raport ne boten numerike kemi informacione reale.
Edhe vete nje prej avantazheve kryesore te “Tregut te lire” ndaj sistemeve me planifikim qendror si informacione me te shpejta ne shkalle lokale mbi gjendjen e kerkeses dhe rrjedhimisht adaptim me i shpejte i prodhimit, me Internetin bie ose relativizohet. Kjo pasi informacioni mbi gjendjen e kerkeses ne shkalle lokale e globale me nje sistem global informacioni si Interneti + rrjete sensoresh jane te analizueshme ne kohe reale edhe nga nje sistem planifikimi qendror i cili ne baze te ketyre informacioneve mund te adaptoje prodhimin.
Teknologjia cliron potenciale dizruptive per stukturat shoqerore e ekonomike qe mund te cojne deri ne riorganizime rrenjesore te krejt sistemeve. Prandaj ka rendesi qe modelet e sotme ekonomike psh. “Tregu i lire” te mos merren apriori si te verteta absolute apo te dogmatizohen. Une si tekno-optimist 🙂 mendoj se teknologjia na ofron shanse te medha (me shume sesa rreziqe). Por mund te mos jete ashtu si mendoj une prandaj ka rendesi qe keto tema te diskutohen gjere pasi evolucionin teknologjik dhe funksionimin kolektiv te teknologjise sone ne e kuptojme akoma me pak se sistemet natyrore. Vete ngrohja globale shkaktuar nga teknologjia e dy shekujve te fundit eshte shembull i kesaj qe po them.