Virion Graçi shkruante para pak ditësh në “Shekulli” për vlerësimin që po i jepet shkrimtares dhe intelektuales Musine Kokalari, të persekutuar gjatë nga regjimi i Enver Hoxhës dhe të rehabilituar pas vitit 1990.
Shkrimi i Graçit nuk ka të bëjë veçse tërthorazi me lumin e lëvdatave të pakursyera dhe teprimeve retorike që vërshon në tekstet publicistike, sa herë bie fjala për autorë të dënuar, të përndjekur, të nëpërkëmbur ose të pabotuar.
Përkundrazi, aty ngrihet një shqetësim tjetër.
Shkruan Graçi [theksimi im, 2Xh]:
Duke parë Musinenë dhe veprën e saj si subjekt, vërehet se krijimtaria e saj letrare nuk kulmohet në skenën letrare të kohës; krijimtaria e saj shënohet nga modestia, shkrimet e saj nuk priren nga novatorizmi përtëritës as në rrafshin e përmbajtjes as si formacione stilistikore; skicat dhe rrëfimet e Musinesë, dukshëm janë në nivele modeste krahasuar me shkrimtarë të afirmuar, bashkëkohës me të si Koliqi, Migjeni, Nonda Bulka, Kuteli, etj; poezitë e saj janë përgjithësisht variacione të cekëta vetjake pa konotacione të spikatura të vlerës artistike dhe të pathosit shoqëror, krahasuar po ashtu me poetë të njohur shqiptarë të asaj periudhe si Migjeni, Petro Marko, Lasgush Poradeci, etj.
Për të verifikuar vendin e Musinesë në skenën letrare të kohës mjafton të shikohen disa nga skicat e saj me titujt: Burri, shoku Qenit; Paç Fatin e të Ligavet; Mos qofshin vjerrat e zeza; S’ja gjen çiftin; Daltë nga goja jote e vaftë në vesh të perëndisë, etj; për të parë vendin modest të Musinesë mes kolegëve shkrimtarë të brezit të saj mjafton leximi rutinë, mjafton një analizë elementare për të provuar racionalisht se autorja, kur shkruante ecte me hapin e zakonshëm të shoqërisë, madje, në disa raste renditej e barazitej me mentalitetin e më të prapambeturve, ç’ka s’përbën vlerë dhe arritje për një shkrimtar, përkundrazi.
Me fjalë të tjera, Musinesë duhet t’ia nderojmë kujtimin dhe t’ia përjetojmë ç’ka hequr padrejtësisht, për shkak të profilit të saj politik, social dhe kulturor; por kjo nuk duhet të na bëjë ta ngremë në qiell veprën e saj letrare, e cila mbetet mediokre, madje edhe në krahasim me veprën e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë të kohës.
Çfarë e shtyn pikërisht Graçin të ndërmarrë një analizë të tillë, nuk e kam të lehtë ta ftilloj; edhe pse mjafton një shëtitje çfarëdo në Google, për të parë se Musineja quhet rëndom “personalitet i shquar i letrave shqipe”, “shkrimtare e shquar”, “intelektuale e shquar”, etj. Në Gjirokastër sapo është mbajtur një konferencë shkencore për veprën e saj, e organizuar nga universiteti “Eqrem Çabej” (aktet e kësaj konference me siguri do t’ia kalojnë, për nga vëllimi dhe numri i fjalëve, opera omnia-s të Musinesë së shkretë); ndërsa një bareliev në bronz është vendosur në qendër të qytetit. Çuditërisht, në konferencën në Gjirokastër ka folur përsëri Virion Graçi, këtë herë në cilësinë e pedagogut në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, për të thënë ndër të tjera se:
26 vjet pas vdekjes institucionet të rëndësishme shtetërore, më në fund kanë arritur të zbulojnë fuqishëm kontributin e saj të çmuar, artistik dhe politik […] Në krijimtarinë e Musine Kokalarit gjejmë të pasqyruar jo vetëm normat zakonore, traditat apo kontrastet e shumta që karakterizojnë jetën familjare e sociale të rajonin jugor, por edhe psikologjike të njeriut dhe nevojën e ndryshimeve të tij.
Si duhen gjykuar këto kontradikta? Studiuesi Novruz Shehu, autor i teorisë së komplotit, sipas së cilës Musine Kokalari ende nuk u pranokësh nga elitat e Gjirokastrës për shkak të konfliktit të saj me Enver Hoxhën (por që tani pas konferencës me siguri do të jetë qetësuar), me të drejtë e klasifikon veprën e Kokalarit si letërsi etnografike, e cila përcjell besnikërisht një pasuri të habitshme fjalësh, shprehjesh, konceptesh, bestytnish dhe mënyrash të menduari karakteristike për jetën provinciale qytetare të Gjirokastrës në vitet 1930.
Kam pasur në shtëpi, në Tiranë, edicionin origjinal të vepërzës Siç më thotë nënua plakë, të cilën në familje e kishim lexuar aq shumë, sa ishte bërë fije-fije. Me aq sa mbaj mend, ajo vepër ishte unike në llojin e vet, por vështirë se do të mjaftonte për ta quajtur autoren “të shquar”; ajo vetë, me siguri, do të qeshte e para nëse diçka e tillë do t’i sugjerohej.
T’i japim atëherë të drejtë Graçit të “Shekullit”? Jo menjëherë. Sepse po t’i hedhim një sy kritik letërsisë shqipe, që nga Gjon Buzuku deri te Kasem Trebeshina, do të gjejmë atje një mori veprash dhe autorësh që lënë shumë për të dëshiruar nga pikëpamja thjesht artistike ose letrare, edhe pse kanë rëndësi për arsye të tjera, jashtëletrare.
Me përjashtime të rralla, si De Rada i Milosaos, Naimi i Luleve të Verës, Fishta i Anzave të Parnasit, Lasgushi i viteve 1930, Koliqi tregimtar dhe Migjeni i Vargjeve të Lira, letërsia shqipe e traditës nuk shquhet për maja artistike, as po ia kërkon kush ato maja.
Atëherë ku është problemi me Musinenë? Me të drejtë, Graçi përmend retorikën e dalë jashtë kontrolli, manipulimin politik dhe papërgjegjësinë e publicistëve; për të vënë në dukje se prirja për të mbuluar çdo autor me lëvdata të tepruara rrezikon të japë efekt të kundërt – dhe pikërisht nivelimin e vlerave letrare, homologimin e autorëve dhe sanksionimin e kriterit ideologjik si kriter sundues në historinë e letërsisë.
Shkruan Graçi në “Shekulli”:
Pas rizbulimit honorifik të figurës së M. Kokalarit nga institucione të rëndësishme të shtetit, në kontekste të fuqishme politike e propagandistike të tranzicionit: po zbulohen sheshit krimet e diktaturës, po bëhet me sistem rehabilitimi i viktimave dhe martirëve të demokracisë, po shkruhet drejt, pa retushe historia e Shqipërisë dhe ajo e individëve të anatemuar prej historiografisë zyrtare-komuniste, e të tjera slogane të ricikluara si këto, krijohen, mendoj, vështirësi të reja artificiale për gjykimin dhe interpretimin e saktë profesional të trashëgimisë së saj letrare dhe publicistike.
Natyrisht, duhet të gjejmë kurajon dhe të pohojmë haptazi se jo çdo shkrimtar i vrarë, i shtypur, i persekutuar, i burgosur, i internuar, i censuruar dhe i ndaluar nga regjimi komunist i Hoxhës ka qenë shkrimtar i madh ose “i shquar”. Kjo nuk e bën më pak kriminal regjimin që, në shumë raste, ua preu këtyre autorëve jetën dhe veprën në mes, ua ndau përgjysmë, ua këputi kordat vokale dhe ua theu gishtat me të cilët mbanin penën.
Musine Kokalari do të kujtohet për kalvarin e saj njerëzor; por edhe si e para shkrimtare shqiptare, si veprimtare politike dhe për të drejtat e gruas, si intelektuale e kohës së vet. Do të kujtohet edhe për vlerat e veprës së vet modeste, por stilistikisht të kulluar; sikurse ka muzikantë që kujtohen për nokturne jo për simfoni; për etyde e impromptu për piano, jo për opera dhe oratorio.
Por çfarë ka më shumë rëndësi, është që vepra e saj letrare të vlerësohet prej kritikëve seriozë dhe historianëve të letërsisë, jo prej publicistëve, amatorëve dhe letrarëve të rinj; aq më pak atyre të tjerëve, që duan ta përdorin atë vepër për të larë hesape ose kryer revanshe personale gjithfarësh.
Përndryshe, homologimi i shkaktuar nga fjalët e mëdha, nga epitetet e tipit “i shquar”, “i fuqishëm”, “i pashoq”, “unik”, madje edhe për autorë që, për fatin e tyre të keq, nuk i ka lexuar dot kush, vetëm sa e dëmton letërsinë dhe kulturën shqipe; meqë kur të gjithë janë të mëdhenj, atëherë asnjëri nuk është.
Përsëri Graçi i “Shekullit”:
Në dijeni të plotë të interpretimeve të kryera deri më sot për veprën letrare të M. Kokalarit, në pritje të kontributeve të çmuara që sjellin veprimtaritë shkencore në rang rajonal e kombëtar, mbetet të shihet sot e në të ardhmen se cilët parametra mbizotërojnë në gjykimet përmbyllëse: do t’i jepet përparësi autorit-njeri, apo veprës së tij të pakryer, të papërsosur; do t’i jepet theks vlerës morale dhe asaj etike ndaj vlerave të mirëfillta letrare-estetike, apo do të ndodhë e kundërta; do t’i jepet përparësi emotive keqardhjes njerëzore, nderimit për një jetë të sakrifikuar për ideale të drejta, duke nënrenditur rrjedhimisht peshën reale të autores, apo do të ndiqet rruga e anasjellët.
Megjithatë, zgjidhja që propozon autori më duket e pamjaftueshme, madje sipërfaqësore:
Përvoja e deritashme ka treguar se manitë absolute të mohimit a të pohimit ekstrem, për shkaqe të forta jashtë letrare, kanë karakterizuar opinionet zyrtare dhe institucionet përkatëse të vlerësimit të kulturës e të arteve.
Duke shpresuar t’u ikim sa më parë qasjeve tradicionale, mund të thuhet me siguri se, pavarësisht zgjedhjeve dhe përfundimeve që mbrihen nga studiuesit, nga pjesëmarrësit në diskutimet e interpretimet për M. Kokalarin, e jo vetëm në rastin e saj, pashmangshëm mund të pajtohemi ndonjëherë rreth një konkluzioni më të qëndrueshëm: sërish dhe përherë është shoqëria institucioni më i lartë vendimmarrës; me shijet e saj, me cilësitë qytetare, intelektuale dhe botëkuptimore është pikërisht ajo që vendos edhe për fatin e mbramë të bijave e të bijve të saj shkrimtarë e artistë.
Po si do ta vendosë dot këtë shoqëria, në qoftë se mediat dhe tutorët e tyre politikë vijojnë të patrazuara me dizinformime, ideologjizime dhe panegjirikë shkruar prej amatorësh të papërgjegjshëm?
Si do ta vendosë dot këtë shoqëria, në një kohë kur roli i kritikut, si zbulues dhe promovues vlerash letrare dhe artistike është komprometuar krejt, për shkak të katastrofës së standardeve intelektuale në faqet kulturore të mediave?
Si do ta vendosë këtë shoqëria, kur kritikë përndryshe të njohur e të respektuar, historianë të letërsisë dhe intelektualë e kanë vënë në pikëpyetje prestigjin e fjalës dhe të personalitetit të tyre, duke u angazhuar në ndërmarrje kulturorisht të dyshimta, si shkrimi i parathënieve ose recensioneve himnizuese për vepra mediokre, të dështuara ose qesharake?
Musine Kokalarit fatkeqsisht nuk i kam lexuar ndonje rresht, edhe pse me cpo shoh qenkan gjera qe me interesojne, por doja te thoja dicka mbi historine e letersise shqiptare.
Letersia shqiptare apo letrat shqip qe ne rreshtin e pare te 1462-shit shprehin natyren ideologjike. Po ashtu edhe me Rilindjen.
Letersia shqiptare nuk ka lindur si nevoje e kulluar e talentit, por si nevoje e nje ideologjie te caktuar.
Edhe ajo e Rilindjes nuk ishte nje qellim ne vetvete, por nje mjet per zgjimin e vetedijes kombetare e forcimin deri ne ndergjegjesim. Majat artistike letersia jone i ka pikerisht ne kete drejtim.
Edhe ne komunizem letersia nuk i shpetoi natyres ideologjike, biles e perthithi shpejt meqe ideologjia eshte ne natyren e saj. Nuk dua te them se ka lindur si femije me cene, meqe zanafilles ideologjike zor se i ka shpetuar ndonje letersi ne bote, dmth ky eshte normaliteti, por se letersia shqiptare ka shume pak kohe as 20 vjet qe po shkon drejt letersise ‘profane’.
Per te qene me i kuptueshem po marr edhe une krahasimin me muziken.
Muzika profane moderne (klasike) u shkeput nga muzika e shenjte per tu zhvilluar me shpejtesi ne epoken baroke.
Tek Bach-u vihet re qarte ndikimi i muzikes se shenjte,spirituale, por njekohesisht meqe eshte me ‘i madhi’ mund te mbahet edhe si simboli i shkeputjes nga muzika spirituale.
Pra letersia shqiptare nga pikepamja historike veshtire se mund te kategorizohet sipas kritereve te kulluar artistike, meqe i madhi i djeshem ishte ai qe ishte me i afte ne letersine ‘e shenjte, spirituale’.
Kategorizimi historik nuk mund te behet dot ndryshe, niveli artistik ishte i kushtezuar nga vlerat politike te vepres.
Ndryshe eshte ne letersine e 20 vjeteve te fundit, tani vlerat artistike ne letersine ‘profane’ jane vendimtare.
Letersia duket ‘e sekolarizuar’.
Prandaj une nuk e shoh me vend kritikat qe i behen(kam hasur edhe gjekundi tjeter) historise se letersise, se kjo nuk hecen sipas parimit te kulluar artistik.
Eshte vete letersia ajo qe duhet te shkeputet e te gjeje majat artistike nuk eshte historia e letersise ajo qe duhet te beje shkeputjen; historia nuk ben shkeputje, ajo veren vleren e nje shkrimtari ne nje kohe te caktuar sipas kritereve te kohes, rrymes artistike.
Letersia ishte e ideologjizuar, atehere historia e letersise do nxjerre me te afte per ate periudhe ata qe kishin edhe nivel artistik edhe nivel ideologjik, pa paragjykuar nivelin ideologjik, pasi keshtu paragjykon vete letersine, qe nuk eshte detyra e historianit te letersise.
Xha xha, lexoj pesimizem ne pyetjet e tua. Praktikisht thone se jemi te pashprese.
Jam dakord me ty, DI; letërsinë shqipe të traditës nuk e gjykojmë dot me kritere formale të vlerës (edhe sikur t’i kishim këto kritere). Ka qenë letërsi utilitare, e përfshirë në lëvizje ideologjike dhe/ose fetare të caktuara; dhe nuk mund të gjykohet jashtë suksesit të atyre veprave për t’ia arritur qëllimit të autorëve.
Unë kam bërë përpjekje për të parashtruar një model teorik të studimit formal të letërsisë shqipe – por, e theksoj, të studimit jo të vlerësimit. Këtë e kam botuar te “Fraktalet e shqipes”, është një ese e gjatë, gati 20 mijë fjalëshe, shkruar kohë më parë, kur punoja në Institutin Oriental të Napolit.
Përndryshe, nuk e kuptoj pse duhej zgjedhur pikërisht Musine Kokalari, për të filluar me kontrollin e cilësisë. Kjo ishte një nga shkrimtaret e para femra, në fillimet e veta. Sikur të mos e kishte përndjekur regjimi i Hoxhës, ndoshta do të ishte bërë shkrimtare e njohur… Por unë njëlloj nuk kuptoj as zhurmën që u bë rreth Musinesë, thuase u zbulua Troja. Për fat të keq, të gjithë këta që “zbulojnë” kinse vlera të humbura të traditës, vetëm dëm po i bëjnë kulturës – janë amatorë kabá, të papërgjegjshëm, atavizma të autarkisë dhe voluntarizmit enverist.
Me Gracin, smerresh dot xha xha, nuk eshte ndonje cudi qe ne nderhyrjen tjeter mbi M. Kokalarin, te thote qe regjimi kreu nje veper te perbindshme politike, por letersisht-artistikisht pozitive meqe i preu rrugen mediokritetit i cili eshte i demshem sidomos kur arrin te sherbeje si model edukativ, njefare korruptimi i rinise, ne rastin e Musines femrave shkrimtare meqe ishte nga te parat e i pari mund te sherbeje si model.
Duket qarte qe Graci mbush rreshtat , pune eshte edhe ajo nese paguhet.
Si dukuri, mbushja e rreshtave me pagese eshte mjaft e perhapur, ndoshta nga fakti qe ‘gazetaria’ u ka hyre ne gjak te shumteve ndoshta edhe vete shkrimtareve ne librat e tyre.
XH-XH:
Ky eshte vertet nje nga paradokset qe po mbillet me kaq perkujdesje ne token tashme te spastruar prej socrealizmit dhe partishmerise komuniste.
Eshte fakt i njohur se ne 45 vitet e “komunizmit” nje aradhe e shkrimtareve dhe letrareve te para viteve 40, por edhe me pas, u ndaluan, u cbene dhe u fshine nga memoria dhe antologjite zyrtare te letersise ,pergjithesisht ne emer te fakteve biografike dhe gjykimeve jashteletrare.
Tashme ne realitetet e reja, eshte normale dhe detyrim, jo vetem moral, te rehabilitohen, te botohen dhe …ketu fillon problemi-te vendosen ne shkallet e hierarkise se vlerave letrare te cilat nuk perkojne gjithnje me shkallet e ferrit te persekutimeve apo denigrimeve ideologjizuese.
Me cfare kam lexuar, ne jo pak raste(shkrime, analiza, studime) behen perpjekje -tashme ne kahje te kundert, pra veshja me vlera te padiskuteshme letrare, nisur apriori nga kritere biografike.
Ndoshta ne kete klime rehabilitimi, gjykimi politik derdhet kreshendo ne nje hapsire ku mungojne “barrierat” dhe “filtrat” e kritikes serioze,profesionale dhe te pa politizuar.
Panteoni i rralluar i asaj cka mbeti nga socrealizmi duhet dhe domosdoshmerisht do te mbushet, por druaj se ngutja per te vendosur aty te gjithe, en bloc, vetem duke i stolisur me cilesorin “i shquar” eshte mbase po aq e demshme sa dhe mohimi i nga censoret me shenimin: i papapershtashem.
Për të mos i rënë deriçkës që të dëgjojë dera. A mund të shprehemi njëlloj siç shprehet Virioni për letërsinë e Musinesë për letërsinë e Mid’hat Frashërin? Pra të themi që letërsia e këtij të fundit shënohet nga modestia, shkrimet e tij nuk priren nga novatorizmi përtëritës …; skicat dhe rrëfimet e Mid’hatit dukshëm janë në nivele modeste krahasuar me shkrimtarë të afirmuar, për të vazhduar deri me atë fjalinë e trashur me të zezë – Xha Xhai.
Me ato dy prezantimet e që sillen prej Mid’hatit në tekstin e letërsisë, krahasuar me këto që i përmenden Musinesë, kjo është krejtësisht e mundur. Musineja pasuese (jo novatore), mund Musinenë prijëse (Është ajo shkrimtarja e parë shqiptare?).
Kur në librin e letërsisë i mëshohet fakteve jashtëletrare se Mid’hati ishte i biri i këtij, nipi i atyre, etj, është hipokrizi akademike të fundosësh me gjithë topat Musinenë kur ajo si letërsinë, si pretendimin e ka modest: letërsi e shkruar nga njëra prej të parave shqiptare që shkruan. Sikur ajo të jetë vërtet shkrimtarja e parë, ajo ka vend në letërsinë që u përcillet brezave, e Virioni është i detyruar ta bëjë këtë me shtesën se letërisa e saj …këtu ka dorë të lirë.
Por flasim për të ndarë letraren nga jashtëletrarja dhe s’rrimë dot pa bërë krahasime me bashkëkohorët (V.G.: …skicat dhe rrëfimet e Musinesë, dukshëm janë në nivele modeste krahasuar me shkrimtarë të afirmuar …[sic]). Krahasimi midis krijimeve të shkrimtarëve është jashtëletrar përsa del jashtë tekstit.
Shtruar ndryshe, do tu përcjellim brezave letërsinë më të mirë të shkruar shqip apo letërsinë më të mirë të shkruar në periudha që priten aq subjektivisht nga njëra tjetra sa thelat e tortës.
“Muzika profane moderne (klasike) u shkeput nga muzika e shenjte per tu zhvilluar me shpejtesi ne epoken baroke.
Tek Bach-u vihet re qarte ndikimi i muzikes se shenjte,spirituale, por njekohesisht meqe eshte me ‘i madhi’ mund te mbahet edhe si simboli i shkeputjes nga muzika spirituale.”
Ky krahasim çalon fort nè dy aspekte: tè karakterit terminologjik dhe nè vlerèsime tè Guximèshme ndaj njè figure si Bahu.