Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

PËRVJETOR

Krejt rastësisht m’u kujtua që sot është përvjetori i vdekjes së John Lennon-it, ish-Beatles-it të vrarë në New York, në 8 dhjetor të vitit 1980.

Pallatin ku jetonte Lennon-i ato vite, të famshmin Dakota në Upper West Side, kam shkuar ta shoh nga jashtë disa herë. Para Lennon-it, e pat bërë të famshëm Roman Polanski, me filmin Rosemary’s Baby, ku ndërtesa vetë ishte një nga personazhet kryesore, ndoshta më i tjetërbotshmi.

Kanë thënë, për vrasjen e John F. Kennedy-t, se ishte një nga ato ngjarje, për të cilat të gjithë e mbajnë mend se çfarë po bënin, kur dëgjuan për të. Madje edhe mua, që kam qenë fëmijë 5 vjeç atëherë, më kujtohet që e dëgjuam lajmin nga një radio e vjetër gjermane me sy magjik e shasi prej mobiljeje druri të lëmuar, në shtëpi të gjyshes.

Përkundrazi, kur vranë Lennon-in isha student i vitit të tretë në Fakultet të Historisë dhe të Filologjisë, në një kurs ku pjesa më e madhe e shokëve të mi të kursit, për fat të keq, kishin dëgjuar shumëçka për Tonin Tërshanën dhe Luan Zhegun, por jo për këngëtarin e një grupi që kishte shkruar historinë e muzikës pop gjatë viteve 1960 e ndoshta përgjithnjë.

Mbaj mend që lajmin ma dha Arben R., te shkallët e fakultetit, kur kisha dalë në pushim midis orëve, për të pirë një cigare në diellin çuditërisht të ngrohtë. M’u duk krejt pa kuptim si lajm; sepse aq e adhuroja Lennon-in si artist, sa nuk e kisha përfytyruar kurrë si njeri të gjallë.

Asgjë e veçantë nuk ndodhi më pas. Në dhjetor, mbrëmjet në Tiranë vijnë herët, tepër herët për të mos u ndier vetëm. E kisha zakon që futesha në krevat për t’u ngrohur dhe dëgjoja radion – RAI-n pasdite, të tjera stacione ndonjëherë të pakuptueshme natën.

RAI filloi të jepte muzikë të Beatles-ave dhe të Lennon-it solo; por gjëra të njohura, që i kishim të regjistruara në magnetofon. Shpresoja, fshehurazi vetes, se do të dëgjoja ndonjë këngë tjetër, të panjohur; ato vite albumet e Beatles-ave ishin më të rralla edhe se veprat e Nietzsche-s e të Sartre-it; të gjithë dinim të këndonim Let It Be dhe Ob-La-Di, Ob-La-Da, por me gishta numëroheshin ata që e kishin dëgjuar ndonjëherë A Day in the Life, meqë kjo e fundit, sado kryevepër, nuk kish qarkulluar kurrë si disk 45-xhiro e nuk kishte hyrë dot në hit parade-in italiane.

Lajmet e RAI UNO-s, në orën 8:00 të mbrëmjes, u hapën me njoftimin për vrasjen. Më pas, në fund të edicionit, një muzikant i njohur ose profesor muzike në konservator, që ishte ftuar në studio, luajti me flaut temën e këngës Michelle të Beatles-ave.

Përsëri kujtimet këtu më turbullohen disi, për të m’u kthjelluar vetëm më vonë, rreth mesnatës, kur i futur përsëri nën jorgane dëgjova të transmetuara, anembanë valëve të mesme, këngë të Lennon-it: Come Together, Imagine, Mother, Jealous Guy, Julia, Mind Games, Strawberry Fields Forever, Don’t Let Me Down, Help.

Ngaqë i dija, u ndieva njëfarësoj qytetar i botës; meqë askush nga ata që më kishin penguar ta gëzoja jetën siç doja, nuk më pengonte dot tani të mbaja zi, në mënyrën time.

Ishte i vetmi moment kur u përlota, por mund të ketë qenë edhe nga keqardhja për rininë e humbur.

Shumë vite më pas do të mësoja se, në të vërtetë, Michelle është një nga ato këngë më të njohura të Beatles-ave të cilën dihet se e ka shkruar Paul McCartney; njohësi i mirë i muzikës së atij grupi është në gjendje ta përcaktojë këtë vetvetiu, në bazë të strukturës së frazës dhe notave të lehta cabaret.

Ashtu kam buzëqeshur me gabimin e atij profesorit të madh të RAI-t, që nuk ia bëri dot nderin deri në fund të vdekurit, duke e përcjellë me një këngë jo të tijën; edhe pse më pas kam menduar se ndoshta ai tribut, edhe pse i pavetëdijshëm, ishte më i merituari.

Për magjinë muzikore të Beatles-ave janë bërë studime dhe do të bëhen; ende nuk është kuptuar mirë se si pikërisht ka ndikuar dialogu mes artistëve, e sidomos midis John-it dhe Paul-it, me ndërhyrjet e George Martin-it si kontrapunkt, në përftimin e një atmosfere të tillë që do të bënte të mundur transhendencën në një zhanër aq të kufizuar në mjete shprehëse sa pop-i.

Dihet që Michelle e ka shkruar Paul-i; roli i John-it në këtë rast nuk mund të kapet dot mirë – një këshillë, një shtrembërim buzësh, një notë në kundërkohë, një akord i papritur, ose thjesht prania e tij, e drejtpërdrejtë në studio ose e imagjinuar në mendjen e Paul-it. Kush mund të thotë se këta të dy nuk i shkruanin këngët për të impresionuar njëri-tjetrin?

Si edhe shumë ngjarje të tjera të kapura peng në flluskës mediatike, vrasja e John Lennon-it ka prodhuar, këto 29 vjet, një sasi të hatashme kitsch-i; duke filluar nga akordet monotone të këngës Imagine shndërruar në hymn të rebelëve pa kauzë, deri te përpjekjet për ta shenjtëruar muzikantin dhe artistin John Lennon, e për ta shndërruar deri edhe në një working class hero.

Dita e parë pas vrasjes ishte e vetmja kur kitsch-i nuk ishte mpiksur ende; mund të shquaje tek-tuk ndonjë copë qiell përmes tavanit të plasur, së bashku me ndonjë moment magjie të ruajtur nga kohë të tjera.

Që atëherë, Beatles-ave së bashku, dhe pjesëtarëve të grupit veç e veç ua ka marrë frymën ripërtypja. George-i u shndërrua në ikonë të misticizmit indian që pa vdekur akoma, ndërsa Paul-i ka ngecur përfundimisht në pezhishkat mondane të tabloidëve; më në fund, vetë John-i, edhe pse i vdekur, u përhihet tani njerëzve me fytyrën e Yoko-s.

Edhe ai profesori i atëhershëm italian i flautit do të ketë vdekur pa e marrë vesh se cili Beatles e kishte shkruar vërtet Michelle; po unë, që tashmë e di, nuk po shoh ndonjë arsye për t’u ndier më i plotësuar.

Pa Komente

  1. pershendetje xhaxha. Michelle e ka shkruar John Lennon. Pavaresisht nga imazhi i Lennon si rrebel dhe i Mc Cartney si ” cun i mire”, ky i fundit ishte ai qe i shtynte The Beatles drejt eksperiencave te reja, kurse Lennon qe me i prire drejt nje rock’n’roll me tradicional. Psh Mc Cartney ka qene nje nga fansat e pare te Pink Floyd, ne kohen kur keta nuk i njihte askush. Madje dhe ka tentuar t’e pershtatur stilin e tyre me The Beatles. Ka qene ai iniciatori dhe motori levizes i frymes psikedelike ne albumet e 68-69. Lennon u popullarizua me shume nga shtypi per shkak te angazhimeve te tij ideore dhe politike dhe faktit qe ishte shume karizmatik.

    1. Se kush e ka shkruar atë këngë, nuk di të jetë vënë ndonjëherë në diskutim.

      Ja ç’thotë Paul-i për historinë e kompozimit të Michelle (nxjerrë nga Wikipedia):

      Shkonim nëpër festa, dhe ishte koha e njerëzve si Juliette Greco dhe moda boheme franceze… Ashtu, unë e kisha zakon të hiqesha si francez dhe këndoja një këngë që më pas u bë ‘Michelle’. Ishte në fillim instrumentale vetëm, por vite më pas John-i më tha: ‘Të kujtohet se ç’kishe shkruar për francezët’? I thashë: ‘Po’. Më tha ‘Nuk ishte këngë e keqe. Provoje ta përfundosh.’

  2. Goxha histori Xhaxha!

    Mua më kujtohet si sot ajo ditë. Isha 14 vjeç, dëgjoja “Beatles” me një magnetofon me shirita Grundig… Im atë, herë burrë i ndershëm e herë një komunist gomar dy ditë më vonë më rrahu paq, kur i tregova se John Lennon kish vdekur dhe se e gjithë bota ishte tepër e trishtuar për këtë. Domethënë më rrahu dhe jo me një apo dy shpulla, por me nge e me atë frikën e atij komunistit, që mund t’i nxinin faqen fëmijët. Nuk ja kam harruar edhe sot megjithëse nuk e gjej kurajën ta pyes, se çfarë ju shkonte në mëndje atyre njerëzve të sëmurë.

    Prandaj më vjen ndonjë herë për të vjellë kur e dëgjoj Sali Berishën dhe racën e gjithë atyre maskarenjve të asaj kohe mizerje. Prandaj edhe më ngjethet mishi kur e dëgjoj edhe sot kur vendos të gjejë kufijtë e moralit me konceptin e tij barbar e primitiv të etikës së gjërave.

  3. “aq e adhuroja Lennon-in si artist, sa nuk e kisha përfytyruar kurrë si njeri të gjallë.”

    Kjo thenie eshte shume e vertete. Nuk e keni vene re se sa me shume te adhuroni nje mendim,nje note muzikore, nje njeri, nje ndjenje, nje shpikje, aq me shume do ta donit te vije nga bota tjeter. Te vdekurit jetojne ne imagjinate dhe zbukurohen, adhurohen, admirohen, dhe akoma me shume kur krijojne art te pashlyeshem. Sa pak jane ato qe meritojne te jetojne ne kujtese te admiruar. I gjalli eshte imperfekt fatkeq, sepse eshte gjithmone mekatar, i vdekuri i perket te paprekshmes dhe drites. Nese e do dike mire duhet ta “ vdesesh” ne subkoshience ne menyre qe sa here qe ta kujtosh te te ngazelleje shpirtin ashtu si edhe nje kuti e vogel qe mban brenda te kycur nje balerine e cila, sa here qe hap kutine do te vallzoje gjithmone njesoj.

  4. Une bej pjese ne ata pak njerez qe s’e adhuronin muziken e Lenonit. E kam jetuar gjithnje si muzike te shkruar pak a shume mire, te luajtur me instrumenta mediokre, timbri i kitarave elektrike te atij grupi me duket se ka thjesht vlera njohese te historise se muzikes bashkekohore. E bera kete nderhyrje per te shtuar se edhe ata qe s’e kane pasur Lenonin idhull muzike, personaliteti i tij i terhiqte e ndoshta ketej vjen e dhe suksesi i madh i grupit. Mua me pelqente vec te tjerave, humori i tij, te cilin e zbulova ne nje liber surrealist botuar pas vdekjes se tij nga Yoko.

  5. Edhe unë e kam një histori nga ajo kohë.
    Meqenëse ‘Bitellsat’, siç thoshim ne, ishin popullarizuar që në kohën kur isha fëmij 6-7 vjeç, kur ndëgjova për vrasjen e Xhon Lenon-it, seç më erdhi një mendim ”ende paska qenë gjallë”, sepse që nga ajo kohë kur ishin në kulmin e popullaritetit mua më dukej se kishin kaluar 100 vjet.
    Pas disa ditësh, një kushëririt tim, i cili ishte duke bërë shërbimin ushtarak diku në Slloveni, i dërgova një urim për Vitin e Ri 1981.Nuk vonoi as një javë, dhe më erdhi një letër nga ai.Për befasinë time, në gati një faqe të letrës, nuk thoshte asgjë tjetër pos që e lavdëronte urimin që i kisha dërguar, duke e quajtur ”një urim gjenial”, kurse mua më shpalli gjeni! Më tutje filloi të sqaroi ai, se si kur kishte ndëgjuar për vrasjen e Xhon Lenon-it, e kishte shprehur pikëllimin e tij në prani të ushtarëve tjerë, dhe ku ishte edhe një shqiptar tjetër nga Kosova.Mandej fjala fjalën, dhe ishte ndezë debati mes kushëririt tim dhe shqiptarit tjetër,duke kaluar temën në patriotizëm, dhe ky shoku i ushtrisë, e quan kushëririn tim sikurse edhe qytetin nga vinte ai, Pejën, as më pak e as më shumë – si jopatriotik. Kështu, disa ditë me radhë ishte pas zhvilluar një debat i rëndë, ku pikëllimit të tij për Xhon Lenon-in i ishte shtuar edhe mosbesimi i shokut të tij , që e bënte gjendjen e tij shpirtërore të rëndë.Pastaj i kishte mbërri urimi im. Sapo e kishte lexuar, menjëherë i është drejtuar shokut të tij me kartolinën që i kisha dërguar.Kështu debati kishte pas përfunduar, dhe kushëriri im kishte pas dalë fitimtar.
    Unë i kisha uruar Vitin e Ri 1981, me një kartolinë, ku ishte pikturuar me nuansa të kaltërta, portreti i Skënderbeut.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin