Kur u paraqit ditën e parë në detyrë Ministri i ri i Brendshëm, Çelik H., hija e paraardhësit të tij, tashmë armikut të popullit Argjir Z. vërtitej ende korridoreve.
Të gjithë e dinin se një legjendë si Argjir Z. nuk e zhbëje dot lehtë, pavarësisht prej fundit të tij të palavdishëm para togës së pushkatimit; njerëzit ende e identifikonin armën e Sigurimit me fytyrën dhe emrin e ministrit të vjetër, i cili kishte pasur kohë boll për të ndërtuar, në popull, imazhin e një produktori të ankthit total.
Askush nuk e dinte se ç’tmerre e të pathëna fshiheshin ende në barkun e atij Leviathani, në të cilin ishte shndërruar Ministria e Brendshme. I prekur me besimin që kish treguar Partia ndaj tij, Çelik H. i kishte premtuar Plenumit se do të bënte të pamundurën, për t’i pastruar këto haure të Augjiasit e për t’ia nxjerrë rrënjët krimit antiparti të armikut Argjir dhe klikës së tij në kokë të organeve të diktaturës.
Ministrin e shoqëruan kat më kat, kthinë më kthinë, bodrum më bodrum. I treguan dosjet dhe laboratorët e përgjimeve, dhomat e marrjes në pyetje dhe instrumentet e torturave, fotografitë e të ekzekutuarve dhe të ekzekutuesve, regjistrimet e grahmave të fundit, amaneteve të armiqve, denoncimeve, vetëdenoncimeve dhe deponimeve; punishtet ku fabrikoheshin prova të rreme e falsifikoheshin dokumente dhe valutë e huaj; sallat ku kryheshin operacione plastike ose të shëmtimit; kubetë e mbushura me lingota ari për operacione të buxhetit të zi; klinikat e çndërzimit; stacionet ku përgjoheshin ambasadat, hotelet dhe restorantet; stacionet ku përgjoheshin shtëpitë private; stacionet ku përgjohej vetë udhëheqja e lartë e Partisë dhe e Shtetit.
Vetëm të madhin fare e kemi të ndaluar ta përgjojmë, i shpjegoi zëvendësministri Shezai F.; me përjashtim të atyre herëve kur na e kërkon vetë.
Pastaj shpura që e shoqëronte ministrin e ri Çelik H. erdhi duke u holluar e rralluar, teksa ky zbriste shkallët që çonin nga bodrumi B në bodrumin D – dhe njëri prej ndihmësve i shpjegonte se bodrumi C ishte suprimuar, me vendim të Këshillit të Shtetit, tre vjet më parë.
I parafundit që u largua duke kërkuar të falur me shumë politesë, ishte zëvendësministri Shezai; për ta lënë Çelikun vetëm me drejtorin e Sigurimit të Sigurimit, Sheme Sh. Ministri ishte lajmëruar paraprakisht për këtë protokoll largimi; meqë përtej bodrumit B gjendeshin Sekretet e Shtetit – një hapësirë ku askush nuk lejohej të qarkullonte, veç një grushti të besuarish.
Ministri i ri i Brendshëm dhe drejtori i Sigurimit të Sigurimit Sheme Sh. iu qasën pastaj një strukture në trajtë paralelopipedi, si frigorifer i trashë, që gjendej në mes të një dhome të errët me mure betonarmeje.
Mbërthyer me vida në derën e rëndë, metalike, të këtij dollapi kobzi gjendej një pllakë tunxhi me një mbishkrim që lexonte: SEKRETET E SHTETIT.
Sheme Sh. nxori nga xhepi i setrës një çelës të hollë, por tepër të dhëmbëzuar; për të hapur një deriçkë pothuajse të padukshme në trupin masiv të derës, pas së cilës fshihej një rrotull bakeliti e metërzuar, si ato të kasafortave në vendet borgjeze-revizioniste.
Thuhej se kombinimin për ta hapur atë derë fatale e kishin vetëm tre vetë: Drejtori i Sigurimit të Sigurimit, Kryetari i Këshillit të Shtetit dhe një i tretë, emri i të cilit mbahej i fshehtë.
E madhe u shfaq habia në fytyrë të ministrit të ri Çelik H., kur dera e këtij frigoriferi ku u ruajtkësh mishi i Shtetit u hap tejendanë pa pikë zhurme, por vetëm për të treguar se brenda në kasafortë nuk gjendej asgjë – veç hapësirës boshe.
Ku janë sekretet e shtetit, kishte pyetur ministri.
Sekretet e shtetit i kishte marrë me vete në varr armiku i betuar i popullit, i partisë dhe i revolucionit, ish-ministri i Brendshëm Argjir Z.
Po atëherë çfarë ruajmë këtu, kishte pyetur ministri.
Kasaforta e sekreteve të shtetit nuk përmbante më asgjë – ky ishte i vetmi sekret që kish mbetur për t’u ruajtur, e vetmja e dhënë kritike, për t’u mbajtur në fshehtësi absolute.
Kam parë njerëz t’u ikë koka për shumë më pak, kishte thënë Drejtori Sheme Sh.
Ministrit Çelik H. i zuri syri, në rrëzë të njërit prej rafteve, një diçka si kartëvizitë ose letër bixhozi, por të bardhë borë; zgjati dorën për ta verifikuar.
Ah, edhe një sekretth ndoshta i fundit i denjë për t’u quajtur kështu, kishte thënë gati me përbuzje Drejtori Sheme Sh.; emri i personit të tretë që është në dijeni të kombinimit të saktë, të nevojshëm për ta hapur kasafortën e SEKRETEVE TË SHTETIT.
Më vonë, shumë më vonë, ministri Çelik H. do t’i hapte zemrën një grupi miqsh të afërt, për t’u rrëfyer se kurrë nuk e kishte ndier veten më ngushtë, sesa në momentin kur kishte marrë vesh se shtetit të punëtorëve dhe të fshatarëve, diktaturës së proletariatit, vendit të vetëm socialist në botë, fenerit ndriçues në brigjet e Adriatikut mund të mos i kish mbetur më asnjë sekret; dhe se gjithçka ishte tretur e shpërbërë, së bashku me neuronet e nëmura të ish-ministrit të Brendshëm Argjir Z., dikur hero e tani armik i betuar, tradhtar, renegat dhe poliagjent, që njëfarësoj e kishte marrë shtetin me vete në varr.
a ka sekret me te madh se te mos kesh sekrete? Me kujtohet nje ngjarje e femijerise. Duhet te kem qene 10 vjec. Pyes nje mik te familjes, oficer ne Pashaliman: o xhaxhi sa nendetese ka shqiperia? Ai me thote 4 por mos i thuaj njeriu. Miti i sekretit ishte maska e vetme per fshehjen e budallallekut ideor, strukturor dhe njerezor te sistemit.
E megjithate, ideja qe ka sekrete, eshte nje ide per te cilen kane nevoje shume individe, shoqata, qeveri. Duket sikur ne ato sekrete qe ruhen diku plotesohet personaliteti i paplote i gjithsecili, por edhe i mjedisit ku evoluojme perdite, behemi me interesante ne syte e te gjitheve. Nje bote pa sekrete eshte shume prozaike dhe gati e padenje te jetohet. Ideja e sekretit eshte nje çike si ajo ora atomike e Frankfurtit, qe me valet e saj i mban ne pozicion te sakte akrepat e gjithkujt.
Se fundi po te mos egzistonte kjo ide e sekretit, nuk do te kishim nje liber aq popullor se Kodi Da Vinci e se fundi Simboli i humbur. Ne lidhje me kete te fundit po lexoj disa intervista te shefave te larte te Grande Loge de France. Ndihen ne siklet te shkretet dhe, shpjegojne hapur veprimtarine e tyre kryesore, aktet e bamiresise dhe synimin e zhvillimit te nje shoqerie te hapur e progresiste. Thone se e kane te qarte se publiku ka qejf te shohe gjithandej sekrete e konspiracione, por ne nuk kemi asnje lloj kodi te fshhete, thone ata, si duke kerkuar falje, qe vertete nuk kane nje gje te tille.
Po ndryshe nga veshtrimi ironik i idese se sekretit qe kemi ketu, e verteta eshte se së fundi edhe ne Shqiperi po shfaqen viktimat e fundit te Dan Braunit, dishepujt e te shkruajturit me te fshehta e sekrete te ruajtura mire. Po lexoj nje roman shqiptar me dema andaluze dhe … sekretet e te kuqes se Onufrit.Romani quhet E kuqja e demave, por, suspensin, ne trajten e nje te fshehte gati te koduar ju do ta shijoni apo vuani deri ne fund, se une nuk do jua them se ku qendron.
sekretin nuk ua solla une, ate e gjeta mes jush.