Rizai, mësues këndimi dhe nëndrejtor i shkollës Fitorja e Kongreseve si dhe vëllai i vetëm i mikut tonë Shinasi M., filloi të luante mendsh kur i thanë që kishte dalë djathë. Jo se ishte ndonjë merakli i madh i atij bulmeti; përkundrazi, e hante rrallë dhe vetëm kur nuk e refuzonte dot, për shembull kur i qëllonte të ulej në tryeza me eprorët ose me krushqinë, ose kur i luteshin mikpritësit që të mos ua kthente dorën ose kur nuk kishte asgjë tjetër në dollap.
Siç u sqarua më pas, arsyeja pse i mori mendja tatëpjetën paskësh pasur të bënte me vetë kuptimin e shprehjes ka dalë djathë, ose me semantikën e foljes elementare dal, e cila në përfytyrimin e Rizait gjithnjë i bashkëlidhej diçkaje që vinte papritur ose ia behte nga dheu ose nga errësira, ose që nga një kthinë e mbyllur kalonte vrrikthi përjashta, për t’iu shfaqur të tjerëve në lakuriqësinë e vet.
Nga kishte dalë ky djathë? Kjo ishte pyetja që nisi ta mundojë Rizain, teksa të tjerët i flisnin për punë e halle të përditshme, lata drush e antena televizori, këpucë për fëmijët dhe autorizime për makina larëse, pllaka majolike dhe aspirina. Si mund të dilte djathi? Nga dheu, si lugati, i mveshur me napë të bardhë, duke i bërë kallaballëkut shenja e isharete nga larg, për ta parë që kishte dalë atje, në sy të të gjithëve, haptazi e pa frikë.
Pse kishte dalë ky djathë? Të tjerët filluan ta vënë re që diçka nuk po shkonte me mikun e tyre, të cilit i ish tretur vështrimi tutje, si të kërkonte për ndonjë përgjigje për pyetje që nuk ishin shtruar ende – përveçse në kokën e tij.
Djathi, kishte menduar Rizai, është ushqim bazë, ose diçka që duhet të dalë në tryezë, për t’u çuar pastaj në gojë me duar ose pirun; djathi prodhohet (ose del) nga qumështi, nëpërmjet fermentimit; ka disa lloje djathi – të bardhë, kaçkavall; djathë bebe dhe djathë të njomë. Si rregull, dalja e djathit nuk duhet të përbëjë lajm, sepse nuk ka arsye as logjikë që djathi të mbahet gjëkundi i mbyllur, ose i fshehur nga të gjithë ata që e kërkojnë; edhe pse djathi vetë si zor të dalë, në qoftë se nuk e nxjerrin.
Më pas mjekët dhe psikoterapeutët thanë se obsesioni i pacientit me shprehjen “ka dalë djathë” ndoshta mund të shpjegohej edhe me aliteracionin, ose përsëritjen e bashkëtingëllores mbylltore d në krye të fjalëve dal dhe djathë; madje cituan një paragraf nga esteti i mirënjohur Prokop Ç., ku argumentohej se dukuritë aliterative në diskursin vetë-referencial ftonin për lexim jo-linear të tekstit, ose depërtim dhe shtrirje të paradigmave në sintagmë.
Rizai ndërkohë i kalonte ditët duke kërkuar të orientohej në labirintet e foljes dal; duke nënvizuar në gazetën Bashkimi, të cilën e lexonte përditë, shprehje të tilla si doli faqebardhë, i dolëm zot, si doli ndeshja, i ka dalë boja, ia dolëm mbanë, doli malit, më doli fjala, njolla e domates nuk del, i doli borxhit, më doli nga zemra, i ka dalë nami, si dolët me planin, i doli fati dhe të tjera si këto, të cilat pastaj mbrëmjeve i kopjonte me kujdes në një fletore 16-she, për t’i krahasuar.
Gjithsesi, shqipja e vjetër dhe e re nuk ndihmonin për të kuptuar specifikën e dukurisë së daljes së djathit, brenda dhe jashtë gjuhës. Në këtë pikë, për monologjet maniakale të Rizait në kafenetë dhe lulishtet e kryeqytetit, filluan të interesohen agjentët e rangut të ulët të Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin porosi të ndiqnin nga afër dinamikën e reagimeve popullore ndaj vështirësive – të përkohshme – të tregtisë me pakicë.
Ashtu Rizai nuk reshti së habituri kur i thanë që kishin dalë qirinj, fitila furnellash me vajguri, makina mishi, sapunë rroje, muliné, kanatiere me vrima, turjela, xhama zmadhues dhe më pas që kishin dalë këpucë grash me takë ortopedike, pupla badmintoni, rripa igeliti, papuçe, lesh merinos, kopertona biçiklete, kilota, susta krevatesh dopjo; dhe më pas akoma, që kishin dalë kapele noti, kuti qumështi, triko akriliku, komplete çaji të prodhuara në Çekosllovaki, arrë për bakllava, shtiza, kukulla për pajë nusesh, pena stilografike, vepra 49 e Diktatorit e ribotuar si dhe, last not least, atllas i zi për përparëse shkollarësh të vegjël.
Vetëm tha se nuk po e kuptonte dot më se ku paskëshin qenë strukur këta artikuj, kush i mbante të fshehur a të hequr mënjanë dhe për ç’qëllim; sikurse nuk po kuptonte dot më se pse kishin dalë pikërisht tani dhe jo më parë, ose nuk kishin pritur të dilnin më vonë, ose të paktën jo të gjithë përnjëherësh; dhe më në fund, pse pikërisht kishin dalë, dhe nuk i kishin nxjerrë; ose, me fjalë të tjera, ç’ishte kjo përpjekje për t’i mbajtur jashtë ligjërimit autorët e një vepre, gjithsesi, të gëzueshme për publikun.
Kur e shoqëruan në furgonin që do ta shpinte në spitalin neuropsikiatrik të Vlorës, Rizai shtrëngonte nën sqetull një paketë të vogël që ia kishin përgatitur për rrugës dhe për ditët që do të kalonte larg familjes (dy-tre qirinj, një kapele noti, një filxhan çaji me bisht të thyer, një shall leshi të punuar me dorë, pak bakllava dhe një penë stilografike të mbushur paraprakisht me bojë kine); si dhe e kishte përfunduar tashmë, njëfarësoj, analizën semantike të foljes dal, në kontekste kur kjo ndiqej nga fjalë që shenjonin mallra të konsumit të gjerë; për t’u përpjekur tash e tutje të orientohej duke i rikombinuar togfjalëshat me ngé, në mënyrë të tillë që folja dal të zëvendësohej nga antonimi i saj hyj, së bashku me versionin e vet enigmatik futem – pa çka se me rezultatet i duhej ende kohë për t’u mësuar: ka hyrë gjizë, kanë hyrë pantofla plazhi, ka hyrë numri i fundit i revistës “Zetori”.
Mjekët e siguruan mikun tonë Shinasi M. se kjo lloj sëmundjeje reagonte shumë shpejt dhe mirë ndaj trajtimit me barna psikotrope; dhe se kohët e fundit kishin pasur, medet, shumë raste turbullirash psiko-linguistike, në të sëmurë që e trajtonin leksikun e gjuhës si të ishte një bashkësi mallrash të ekspozuara në raftet e një MAPO-je të furnizuar mirë; ose viktima çrregullimesh mendore të tilla që psikiatria marksiste i interpretonte si mbijetoja, ose më mirë atavizma të një stadi primitiv të zhvillimit të homo sapiens, kur tregu i imponohej mendimit si metaforë primordiale, shtuan mjekët e spitalit të Vlorës, duke e qetësuar përfundimisht Shinasiun.
-Eh! Më mirë të të dalë syri se të të dalë nami, po thoshte Shen Si Huan-i tek po dilte
-Të dalçin xhungat të dalçin u dëgjua si më të pëshpëritur zëri i plakës që vazhdonte: “Po ku do dalësh pa të të dalë pija mo’ të dalçin trutë e kokës të dalçin
Nje varg i mbledhur me durim nga Mitko ne Misir thote keshtu:
“Shokeni u prish dynjaja/dualle(n) cicat’ me maja”
Duke ditur se per kohen ku leshohej kushtrimi apo psheretima mileniariste (varet nga intonacioni) as dekolteja, po as Sharm el Sheiku a Currilat nuk qene hapur ende si opcione qe ta justifikojne vargun, keshtu qe edhe une pata nje lloj pauze te shkurter ne forme black out-i mes te leximit. Kjo “dolen” keshtu pa pritur/pa pandyer, pa ndonje shkak apo autor, implikonte (sic thote edhe Rizai me lart) nje lloj proftasjeje te befte si dicka qe hop varet nga tavani (e ke parasysh Rozafen?) apo buit rreze gemushash fill pas shiut apo shfaqet me eklipsin, me pucrrat e moshes a me ardhjen e trupave armike si frengyza ne vakt. Pafajnisht: “dualle” thote poeti-popull duke ngritur supet e ulur kryet sypicerruar. Dhe “dualle” e ka ne fakt gjithe peshen dhe plastiken e daljes se posacme si te nje buleze zhive nga termometri i sapothyer. “Dualle”, po “me maja”- vjen direkt nenvizimi, si bishti prapa dardhes, momenti kercenues jo vetem per kujtesen, (ajo qe i themi “gozhde ne tru”) por edhe per rendin shoqeror patriarkal, ku gjerat me maje jane monopol i klasave shfrytezuese. “Dualle cicat me maja “behet keshtu Liria topless e Delacroix-se mbi barrikada, ama shume Lirira njeheresh, nje shesh i tere, se nuk e ka prishur gojen kot poeti thjeshte per nje pale syresh.
Gozhde do me rrije ne koke kjo pune edhe mua,gjersa te dale ndonje haber i sakte nga librat e historise per ate se cfare ka ndodhur ekzaktesisht dhe si ne ate dite te veshtire per rapsodin. (Por muhabeti sabotohet sakaq nese vendprodhimi i vargut ka qene Misiri: po t’i besojme Konices, Andon Zako Cajupi e shtynte vapen e mergimit aty nen shoqerine e opiumit dhe ky indikacion thelbesor mbi jeten poetike te shqiptareve ne Misir mbase na sherben qe te kuptojme se zbardhellimi i kesaj “duallen” mbase eshte thjesht nje ngjarje jashte-historike me symbyllur)
Shprehja “ka dale” eshte shprehje mistike dhe e vecante vetem ne gjuhen shqipe dhe mori ne kuptim mjaft serioz dhe u emancipua ne perdorimin e perditshem te “gjuhes se popullit” vetem ne saje te deformimit te menyres se jeteses qe iu imponua shqiptarit ne kohen enveriste. Sepse ka dale apo del vetvetiu ka kuptim kur themi per dicka qe eshte jashte vullnetit te personit, ai nuk eshte ne gjendje te influencoje ate keshtu psh. del llava nga vullkani por jo “doli djathe”. Se i bie qe djathi te ngrihet e te marre rrugen nga vullneti e qejfi i vet, drejt e ne dyqan.
Kjo eshte e lidhur me ngjarje te jashtezakonshme (ne ato kohe) e kjo e justifikon terminologjine qe eshte kapur me mprehtesi nga autori.
Le ta perkthejme ne anglisht: the cheese came out; ose si do ta kuptonte nje i huaj qe di paksa shqip. Me siguri qe do te hutohej se te tille shprehje idiomatike edhe anglishtja nuk e disponon.
Sidoqofte shprehja: ka dale Sala e po na shet dëngla- sikur tingellon çike me shqip, apo jo?