Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

UNIVERSITETI "PEIZAZHE"

Dua t’i futem biznesit por nuk di në cilën fushë. Në Shqipëri nuk është e lehtë si dikur. Tregtia frymëzohet nga tregu i lirë, por dyert i ka të mbyllura. Politika është demokratike, por qytetari nuk vendos gjë. Ndërtimi ka fitim, por e merr dikush tjetër. Turizmi është e ardhmja, por se e kujt nuk dihet. Pastaj, për disa gjëra duhet të jesh i prerë. Që në vegjëli.

Personalisht e ndjej se nuk bëj për tregti. Kur isha i vogël Hatixheja e bulmetores më jepte më shumë shëllirë se djathë, kurse Tukja, një shok klase, arriti të ma shiste stilolapsin tim kinez dy herë radhazi. Për politikë nuk ia them hiç fare. Kam një të metë të lindur: kur gënjej bëhem i kuq si spec. Ndërtimi do të ishte zgjidhja e përkryer, por thonë se në këtë fushë duhet të dish ta lyesh rrotën. Para disa vitesh, u rreka të bëj diçka me ndërtimet, madje rrotat e vinçit që kisha marrë me qira i leva më së miri me graso të bardhë çeke, por lejet e ndërtimit nuk m’i dhanë që nuk m’i dhanë. Desha të ndërtoj një hotel të vogël në Durrës, gjeta edhe vendin buzë  detit, por kur shkova të nesërmen e kishin zënë. Kishin ndërtuar një dhjetëkatësh. Natën.

Tani kam një ide gjeniale. Do të themeloj një Universitet të ri privat. Mos më thoni se nuk do kem sukses. Më masterin që kam bërë për Menaxhim – por e thotë qartë edhe ekonomisti i njohur shqiptar Timo Dhimo në librin “Biznes jo Pisnes” – mësova se mjaftojnë pak rregulla për të pasur sukses në ekonominë e tregut. Së pari, duhet verifikuar hapësira e tregut. Treg për universitet ka boll në Shqipëri. A nuk e dëshmon këtë numri në rritje i Universiteteve private? A nuk janë shqiptarët të fiksuar pas diplomave? Së dyti, duhen siguruar burimet njerëzore. Sa profesorë të papunë ka sot Shqipëria? Plot. Madje shumë të zotë. Me diploma të jashtme e të brendshme. Problem do të jetë zgjedhja, jo gjetja e tyre. Së treti, objektivat e ndërmarrjes dhe marketingu. Përshkrimi i tyre është fare i thjeshtë. Receta është kjo: fut disa fjalë për traditën e dijes shqiptare, shto sipas qejfit komplimente për të rinjtë si simbol i së ardhmes, shpërnda aty këtu fotografi sallash e laboratorësh modernë, përzieji mirë duke i shoqëruar me fjalët integrim, Evropë, strukturat euro-atlantike… Bëj një website dhe bombardoji të gjithë me spamming, shoqëruar nga reklama joshëse në televizion.

Problemi më i madh që kam, është gjetja e emrit të Universitetit, ose marka ose brand, siç do të thoshim me gjuhën sensuale të imprenditorëve. Fillimisht desha t’i vë emrin e një Rilindasi shqiptar, por e paskan zënë. Edhe emrat e historianëve më të hershëm janë përdorur. Pastaj thashë të përdor emrin e kryeqytetit botëror, por edhe këtë e paskan vënë. Emrat e personazheve fetare nuk mund t’i përdor: janë zënë prej kohësh. Po sikur t’i ngjis një emër të çuditshëm, jashtëtokësor? Jo, edhe këtë e paskan bërë. Edhe ideja për t’i vënë universitetit tim privat një emër që të evokonte transparencën, tejdukshmërinë, ndryshimet epokale, drejtësinë, traditën, mjekësinë dhe barnat, kulturën e qytetit të lashtë grek, m’u fashit gradualisht pas lundrimit në Internet nëpër faqet universitare. Ndoshta duhet t’u drejtohem nocioneve gjeografike. Atyre që evokojnë zhvillim, demokraci, kulturë, traditë, përkatësi. Ku ta di unë: Amerika? Evropa? Mesdheu? Asnjë prej tyre. Të tjerët janë treguar më të shkathët. Si t’ia bëj?

Prisni pak. Llambushka po më ndizet në këtë çast. Pikërisht tani që jam duke shkruar në faqet e blogut tuaj. Po sikur ta quaja Universiteti “Peizazhe të Fjalës” ose më mirë thjesht “Peizazhe”? Në fakt, forma e cunguar po më duket më e lirë nga pikëpamja e tregut, sepse na lejon të krijojmë fakultete që shkojnë përtej fjalës, si p.sh. artet figurative, inxhinieria, mjekësia, etj. Apo të gjitha e përdorin fjalën? Nejse. Emri më duket i goditur. Pastaj blogu juaj nuk qenka fort i keq. Po më pëlqyekan shumë sidomos komentet e fshira nga moderatorët: janë me karakter dhe gjuhë të pasur. Dyshimi i fundit: para se të më firmosni të drejtat e përdorimit të emrit, vallë shkruhet pejsazhe me “j”, peisazhe me “s”, apo peizazhe me “z”? Se për të tjerat, rregullohena…

8 Komente

  1. Po ta lesh Peizazh do te ta marrin vetem per shkolle pikture…….
    Une them me mire Albanian Lendskejps, se tingellon me moderne, pastaj zgjidhe vete ne do ta shkruash Lendskejp apo Landscape……..
    Emer patriotik dhe modern njekohesisht, i pershtatshem bash per komentuesit e komenteve te fshira…

  2. …me mire ta quash “Pepsazh”; kjo do u jape te kuptojne kandidateve per studente se do pine Pepsi dhe do kene lavazh makinash falas. Sukses i garantuar!

  3. Pishak, nuk eshte ide e keqe kjo e universitetit privat. Eshte nje nga bizneset me norme kthimi te investimit me te larte ( ne fakt eshte biznesi i vetem por kam parasysh ca biznese te paligjshme). Se sot ne Shqiperi eshte me lehte te shesesh nje diplome sesa nje kilogram spec te mire vendi. Kane mbire si kerpudhat pas shiut sa qe po na duket diploma e marre para shume vitesh si cope kartoni e kuqe (ose ngjyre vishnje).
    Sa per emrin mos u shqeteso shume vetem ne reklame theksoje qe po pagove 5000 euro ne vit do tju japesh studenteve nga dy diploma jo vetem nje.

  4. Po t’m’ngjosh mu, as universitet mos bëj… do të kishe po aq fat sa edhe me ndërtimin.
    Edhe në kurset e menaxhimit që bëheshin në kohën e socializmit thuhej që reklama është shpirti i tregëtisë.
    Ideja jote do të kishte mbështetjen e të gjithë neve nëse do ishte e shoqëruar me oferta të tipit: “Vetëm për 5000 të parët, që do regjistrohen në universitetin tonë, ju japim mundësinë që të kenë një dipllomë të rregullt universiteti 5vjeçar që në tremujorin e parë dhe një master (sipas dëshirës) në fund të gjashtmujorit” 🙂

  5. mendimi im modest eshte te besh nje ojq me nje emer ekzotik, te nxjerre nga abulafia.

    sukses i garantuar

  6. Universitetet private jane bere si kioskat. Harroji emrat heroike, zgjidh nje emer terheqes, si per shembull: “Tek Pishaku” ose fundja edhe “Tek Peizazhet”. Eshte kollaj te vazhdosh reklamen pastaj me oferta: “Tek Pishaku nuk mbetesh kurre pa diplome!” e keshtu me rradhe.

    Suksese!

  7. Accepted quhet nje film komedi e 2006 i cili ndahet nga shkrimi yt, Pishak, vetem prej mesazhit te kundert a krahut qe mbahet. Filmi eshte pro jokonvencionales, ti je kunder.
    Keshtu, kritikun me te mire per sa ke shkruar dhe persene mund ta gjesh, po te kesh durimin (a te pershpejtosh) ta shohesh filmin – ne fund.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin