Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

LAJTHITJE VERORE (II)

pikëpyetjeShtypin e përditshëm mund ta përfytyrojmë edhe me dy përmasa, por shtypi periodik kërkon domosdoshmërisht tri përmasa. Gazetat mund t’ia lejojnë vetes të rrëmbehen nga rrjedha e përditshmërisë, ndërsa revistave të përjavshme, të përmuajshme ose disamujore, nuk u lejohet aspak, sepse lexuesi u kërkon shkrimeve thellësinë e mendimit, atë çka nuk e gjejnë pikërisht në faqet e gazetave.

Me këtë synim iu afrova shkrimit “Njeriu i lirë dhe shteti”, botuar në revistën MAPO, me autore Arnida Capin, edhe pse zhegu i gushtit më këshillonte të kundërtën. Revistat i shfletoj dimër e verë edhe në Internet, pikërisht për t’i shpëtuar kurthit të sipërfaqshmërisë së gazetave. Pothuajse nuk zhgënjehem asnjëherë, madje gjej artikuj aq të thellë sa nuk i kuptoj dot deri në fund. Meqë lexuesit e këtij blogu nuk janë dorëzuar kurrë përballë vështirësive kuptimore, po kërkoj ndihmën e tyre për të kuptuar disa pjesë të shkrimit të lartpërmendur; pjesë që i shmangen për fat të keq hartave të mia konceptuale. Shkrimi fillon kështu:

“Lidhur qënësisht me çdo karakteristike të tij, ligji natyral nuk e ndryshon dot natyrën e tij. Çdo gjë që lind ka formën e vet ekzistenciale, dhe çdo devijim çon në një ndryshim ekzistence, pasi ka gjëra që ekzistojnë për kuptimin që lindin dhe natyra njerëzore është kuptimi i njeriut. Të drejtat dhe lirite që ai ka, janë kuptimi i tij, i një qënieje me integritet moral dhe të caktuar juridik.”

Ky pasazh më rrëshqet nga “duart”. Në çastin që kujtoj se ia thitha kuptimin, ky vjen e më fashitet. Fjalia e dytë më përngjan me arsyetimin e një personazhi në filmin Matrix Reloaded, por nuk po më vjen ndër mend mirë. Por ndoshta më ndriçon paragrafi vijues:

“Edhe vet përshkrueshmëria në kohë e luftrave përpjekjesh tregon natyrshmërinë e ruajtjes së kësaj forme dhe paevitueshmërinë e kërkesës në mbrojtje të saj. Për këtë flasin revolucionet, në gjuhën me radikale të tyre, e mjaft momente të dualizmit historik midis interesit të pushtetshëm me cënimin e të pacënueshmeve, të drejtave natyrore të njeriut.”

Procesi kuptimor po më shndërrohet në garë vrapi me pengesa, ndërkohë që nuk jam shquar kurrë për atletikë në logjikë. Nuk e kuptoj se ç’është “përshkrueshmëria në kohë e luftrave përpjekjesh” dhe as “dualizmi historik midis interesit të pushtetshëm me cënimin e të pacënueshmeve”. Kam ndjesinë veçse, se po flasim për gjëra të vështira për trurin tim. Çohem dhe i ngre shpejtësinë ventilatorit. Megjithatë, të jem i sinqertë, djersët e mia nuk shpjegohen me temperaturën 34°, por me inatin e moskuptimit që më ngjall kjo pjesë. Por paragrafi tjetër më duket më familjar. Flet për shtetin dhe njeriun. Dy nocione që i kam studiuar. Dikur.

“Shteti është një përmbushje e qënies tonë, është nocioni përmbledhës i një mënyre të tërë veprimi. Qënia jonë nënkupton paqen, pasi kështu sigurohet ekzistenca dhe kjo për të përmbushur karakteristikat humane. Mënyra e shtetit janë ligjet e tij. Natyra e ligjeve tregon natyrën e shtetit. Sigurimi sa më i lartë i kuptimeve të njeriut, të të drejtave dhe lirive të tij bëjnë një shtet me natyrë demokratike.”

Vlerësimit për veten sikur po i vjen pak oksigjen. Po e marr pak veten, sepse diçka po kuptoj. Tek e fundit fjalia “Natyra e ligjeve tregon natyrën e shtetit” është e thjeshtë por thelbësore. Një e vërtetë e padiskutueshme. Gjithsesi, fjalia pararendëse më huton disi. Ç’do të thotë “Mënyra e shtetit janë ligjet e tij”? Pastaj, përse shteti të jetë vallë përmbushja e qenies sonë? Duhet të lexoj më tutje. Përgjigjja duhet të jetë në rreshtat e ardhshme. Ventilatori nuk po freskon hiç fare.

“Demokracia duhet të jetë qëllimi i çdo organizimi (organizimit më të lartë i kemi thënë shtet): arritje sa më e lartë e përshtatshmerise: ligjet për nevojat. Që gjërat të funksionojnë duhet të thjeshtohen. Organizimi i thjeshtësisë kërkon për përgjithësimin, zgjerimi i përfshirjes të së cilit përkon me zgjerimin e shkallës së vështirësisë së këtij zgjerimi. Megjithë rëndësinë e detajit, ndalimi në diversitete do i shërbente një të kundërte të thjeshtimit.”

Paragrafin e mësipërm edhe do ta kisha kuptuar, sikur të mos më ngatërronin dy pikat dopio në fjalinë e parë. Sipas gjasës bujari shenjash pikëzimi. Pështjellim të njëmendtë më krijojnë gjithashtu nocionet e vështira të thjeshtësisë, të zgjerimit dhe të diversiteteve. Koncepte të ndërlikuara, e pranoj. Vapa po më mundon. Shamia për djersët duket e lagur në ujë… Vazhdoj më tej…

“Përfshirja përmban kulturat, të cilat mund të jenë vendosur në kufijë territori shtetëror. Kapërcimi i tyre takon ligjet e një shteti tjetër. Ky takim sovranitetesh ngarkohet negativisht kur ka konflikt dominimi, dhe ndryshe pozitivisht nëpërmjet përshtatjes, esence e paqes. Në menyre bashkëkohore përfshirja është afrimi, globalizmi. Vetë shteti është, fragment i kësaj lëvizjeje drejt plotësimit të së plotës, prej së plotës buruar.”

Në lëmin e kulturave diçka di, por njohuritë e mia nuk e deshifrojnë idenë e kulturave brenda kufijve shtetërorë, apo të shtetit si fragment i lëvizjes “drejt plotësimit të së plotës, prej së plotës buruar”. Mos vallë është vapa që po mahitet me mua? Ky rreng nuk po më pëlqen. Shkrimi vijon të lundrojë në thellësinë e mendimit, pa u kujdesur për mua që nuk di të pluskoj as në sipërfaqe.

“Ky fragment izolohet aty ku dallimet krijojnë hapësira për rregull, pasi e përbashkëta (kultura, që në vetvete është një ndërveprim social) ka përmbledhur kryesoret nga të veçantat. Në kushtet e një disinjesimi të tillë, kjo e përbashkët duhet drejtuar. Çdo plan veprimi ka si kërkesë organizimin. Kjo për funksionimin. Mbështetja në të drejtën, mbështetja në kontratë, është marrëeshja e domosdoshme paraprake ku shkëmbimi i interesave i plotëson interesat.”

Këtu dorëzohem. Por me instinkt e kuptoj që po kërkohet veprim dhe organizim. Edhe “shkëmbimi i interesave që i plotëson interesat” më pëlqen si ide edhe pse më kujton në mënyrë të vagët Adam Smith-in dhe idenë e tij të tregut. Por ndoshta këtu për treg nuk flitet fare, jam unë që ndoshta duhet t’i shes këto tru që kam. Duhet të mësoj nga paragrafi tjetër. Është i fundit.

“Shrehur si kontratë, shteti përfaqesohet nga përzgjedhja elitare, interesi i fituar i së cilës në shkëmbim është pushteti: detyrë për të drejtë: pushteti publik për interesin publik (ose i përbashkët individual). Mbrojtja qëndron në pasojat e mospërmbushjes: ndërrim pushteti apo sanksionet për popullin. Zhvillimi i njeriut dhe i mjeteve të tij ka shprehur në progresion një tendencë drejt përmirësimit, perfeksionit. Në trajtë të pastër njeriu është një qënie e drejtë dhe në këtë respekt i formon komunikimet dhe çdo ndërveprim. Ndodh egoizmi të ndikojë në forma të ndryshme karakteri. Shteti na tregon pjesën e konfliktit të shoqërisë, por përfaqëson edhe paqen e saj. E bukura e çdo krijese është mbrojtja që ka. E tille është e drejta e një shteti.”

Përsëri teprim me dy pika. Apo jam duke e tepruar unë? Ndoshta përdorimi i dy pikave: e zbukuron: tekstin: dhe: e: bën: më: të: kuptueshëm: Ndoshta. Pothuajse nuk kuptoj asgjë. Porse më pak hermetik më duket pohimi se “Zhvillimi i njeriut dhe i mjeteve të tij ka shprehur në progresion një tendencë drejt përmirësimit, perfeksionit”, çka më kujton batutën e famshme: “A mund ta quajmë progres në qoftë se kanibali ha me thikë e pirun?”.
Fjalitë e fundit po ma errësojnë arsyen. Në qoftë se “në trajtë të pastër njeriu është një qënie e drejtë”, po në trajtë të pistë mos është qenie e zhdrejtë? Po shteti është i bukur apo jo? Tani po flas përçart. Estetika nuk hyn këtu. Vapa po bëhet e padurueshme. Nuk është faji i shkrimit. As i revistave shqiptare. Kam nevojë për kondicioner. Po shkoj ta porosis.

9 Komente

  1. I shqetesuar se ndoshta dhe mua me ka kap sikleti i madh i vapes u hodha ta lexoj te plote artikullin e Capit po nuk lexova asgje qe do mund te me freskonte. Prandaj, u hodha tek nje shkrim i Ben Andonit per rrezikun e shqipes nga globalizimi …shqetesim me vend (ngritur disa here dhe ketu) po Andoni sikur po rreciton tabelen periodike ne nje fryme (kap te gjitha piket e mundshme pa thene vete asgje.) Me beri pershtypje ky fragment me posht:

    “Studiues të Globalizimit kanë vënë në dukje sesi, ndërsa teknologjia dhe zhvillimet ekonomike, politike e sociale e bëjnë gjithnjë e më të lehtë komunikimin mes njerëzve e kulturave në shkallë planetare, edhe shkëmbimi i informacionit rritet në mënyrë të pashembullt, krahas me njëtrajtësimin e këtij informacioni; ashtu siç vijnë e shtohen elementet thjesht pamorë në mesazhet kulturore; e më në fund, ashtu siç vjen e tkurret libri e në përgjithësi fjala e shkruar”, do të shkruante kohë më parë Ardian Vehbiu te një artikull i titulluar ‘Shqipja e Rikushtëzuar’. Por, kjo s’prish shumë punë. Ajo që është shqetësuese sot mbetet përdorimi i fjalëve të tërë të huaja, që i kanë kuptimet dhe ekuivalentet dhe konceptimet e tyre të qarta në shqip…”

    Nuk e mbaj mend mire kete artikull te AV por ne mos gabohem bazohet ne disa diskutime qe jane ngritur fillimisht ne kete blog, edhe prej teje Pishak. Ndaj shqetesimin me Andonin, Edlira Gjonin te Tirana Observer dhe kontributoret ne kete blog por jo ne kete menyre siperfaqesore ku halli me i madh eshte njollosja e shqipes dhe jo mirembajtja e shqipes. Perderisa Andoni e gjykon pa rrezik tkurrjen e fjales te shkruar si dhe ndryshimet rrenjesore ne komunikim qe sjell teknologjia ky shqetesimi i tij me duket nje perpjekje per te freskuar revisten keto dite te nxehta me fjale qe i merr era.

    P.S. ekuivalente = te barabarta

  2. Cuditem me ty Pishak, pasi zonja/zonjushja pavaresisht se humbet ndonjehere zoterimin e fjales, ka thene gjera me te cilat pergjithesisht je dakort.

    Tek paragrafi i pare qe ke pahnxjerre, eshte parashtruar ideja e gjithe shkrimit, se liria,te drejtat e njeriut, ligji, shteti, globalizmi i kane rrenjet tek e drejta natyrore dhe i gjithe shkrimi eshte huazuar nga mendesia amerikane.

    ”””’Nuk e kuptoj se ç’është “përshkrueshmëria në kohë e luftrave përpjekjesh” dhe as “dualizmi historik midis interesit të pushtetshëm me cënimin e të pacënueshmeve”””

    E para duhet te kete gabim, luftrave e perpjekjeve, dhe pershkrueshmeria ne kohe e tyre, jepet si argument paraprires (e plotesues) ndaj atij qe do i permendte keto per te kundershtuar nje ide te shkrimit, se njeriu kerkon paqen, ne te cilen gjejme lirine, te drejtat e njeriut etj.

    Kurse tek e dyta, do te thote dualizimi midis interesit te pushtetshem ( i te pushtetshmeve) dhe cenimi i te te pacenueshmeve te drejta njerezore.
    Ketu e ka pare cenimin e te drejtave si aktor historik, ne kuptimin qe kur interesat e te fuqishmeve kane cenuar te drejtat e njeriut, atehere ng ky cenim ka lindur kunderveprimi.

    Gjithsesi te mos merrem me gjithe paragrafet, une per vete shoh si gabim kyc llogjik te shkrimit, vendosjen nga njera ane te shtetit si permbushje e njeriut dhe nga ana tjeter globalizmi si fati i shkruar i njeriut qe ecen nga e keqja tek e mira.

    Nese do nxirrja emeruesin e perbashket qe ajo s’eshte munduar ta nxjerre, (po sma ha mendja se ajo di cthote), do ishte perputhja midis globalizmit dhe shtetit ne nje Perandori Universale, keshtu do kishim edhe shtetin si permbushje e njeriut edhe globalizmin si i parashkruar , meqe merret e mireqene qe njeriu hecen nga e keqja tek e mira.

    Demokracia moderne si teori teleologjike, si fati i shkruar i njerezimit e casti i persosur i historise qe disa e kane kapur e te tjeret duhet ta kapin, me ne fund erdhi ne formatin filozofik edhe ne Shqiperine mediatike, edhe pse ngelem i bindur qe ajo sdi c’thote.

  3. Une them se e ka fajin (qe ajo s’di c’thote, Fshikulluesi) shqipja… Eshte gjuhe e veshtire, dihet. Mund te dije mire anglisht, po nuk di ta perktheje mire ne shqip…

    1. Te gjithe kur shkruajne publikisht per se pari ecin mbi nje derrase te holle e te tundeshme.
      Dora e redaktorit eshte ajo qe te ndihmon per te dale matane njecopesh.
      Keto lloj shkrimesh u duhen hedhur mbrapsh atyre qe pranojne ti botojne keshtu, si nje kafshe e eger e porsavrare.

  4. Shkrimin tek MAPO e kisha lexuar sapo u shfaq ne internet. Mu duk nje konglomerat idesh e citatesh shkeputur keq, e perkthyer edhe me keq nga autorja. Ka ca gazetare te ketij lloji poshte e lart ne shtypin shqiptar, qe ca miq te mi i kane perfshire ne grupin “Anilat e shtypit” (meqe nja dy-tre nga me te spikaturat, per dreq, e kishin emri Anila.)

    Kur e pashe shkrimin, pyeta veten, “mire kjo qe ka bere artikull me te veten, po redaktor ka kjo reviste?” Pastaj u kujtova qe kushedi mbase edhe redaktorja ishte Anila, ose shok i Aniles, a kusheri, komshi…kush dreqin e di?

    Je lodhur kot te kuptosh, Pishak, ne mes te vapes.

  5. Pishak, qofsh i nderuar per idene, po kam ca dhimbje gjuri qe sme lejojne te bej kerkesa.

  6. Lajthitjen nga vapa nuk e ke ti Pishak, por autori i artikulit te MAPO-s.
    Rreshtat e cituara do te sherbenin mire per te defryer shikuesit ne nje estrade, ku ne fund te ligjeratave te ketilla te pyetej: hë, a e moret vesh?
    Kesaj i thone:
    – Ku ishe?
    – Asgjekundi.
    – cfare bere?
    – Asgje.
    Hajde gallate ….
    (na sill prape ca nga keto)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin