Mungesa e lajmit në verë zakonisht i faturohet stinës. Por tashmë, siç dihet, stinët nuk janë si një herë e një kohë. Pastaj, ka raste që mungesa e lajmit mund të përbëjë lajm në vetvete. Përndryshe lajmi shpeshherë fshihet, si djalli, tek detajet. Pra punët nuk janë aq të thjeshta. Gjithsesi, djallëzitë e gazetarisë mjeshtërore duhen shoshitur dhe hetuar deri në fund.
Shkrimit të Panoramës (21.8.2009) me titull “Berisha i lë vilën, Topi merr pushimet në Dhërmi” iu afrova për rilexim me qetësinë dinake të Sherlok Holmsit, i bindur se lajmi thoshte më shumë se titulli intrigues. Ndeza llullën dhe fillova të pyes. Përse vallë Berisha u dorëzua përballë Topit? Ç’kuptim ka kjo përplasje midis dy institucioneve më të rëndësishme të Shqipërisë? Përse vallë President Bamiri priti në zagushinë e Tironës derisa Berisha t’i lironte vilën në Dhërmi? Ky durim nuk mund të shpjegohet vetëm me justifikimin e bartjes së plaçkave.
Filloj me kureshtje ta lexoj artikullin. “Negociatat për Qeverinë e re i hapin rrugën kreut të shtetit të zhvillojë pushimet e tij verore në vilën qeveritare të Dhërmiut të Vlorës. Kthimi në Tiranë i Kryeministrit Sali Berisha i ka krijuar mundësinë Presidentit Bamir Topi, që të shkojë dhe të pushojë me familjen e tij përpara se të hedhë firmën për dekretimin e Qeverisë së re”. Tashti çdo gjë është e qartë. Koalicioni PD-LSI është sajuar vetëm për t’i dhënë mundësi Presidentit Topi të kalojë pushimet në Dhërmi. Por kjo merrej me mend edhe më parë. Dyshimet kanë qenë gjithnjë pas dere. Ç’e lidhte Petrit Vasilin me Sokol Olldashin? Syzet? Gjithsesi, lajmi është gjetiu, mendoj.
Vazhdoj me padurim shkrimin e gazetës. “Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi mbërriti dje në qytetin e Vlorës për të filluar pushimet së bashku me bashkëshorten dhe një prej vajzave të tij”. E ndjej që po i afrohem së vërtetës. Mungesa e familjes presidenciale që në titull ma kishte dhënë alarmin që në fillim. Si ka mundësi të shkruhet për Presidentin Topi pa përmendur gruan, vajzat apo shijet e tij sportive? Gazetat shqiptare nuk do ta kishin bërë kurrë. Por edhe kjo fjali nuk po më duket shteruese. Flet por edhe hesht, tregon por edhe aludon, njëkohësisht.
Diçka më shumë thotë tjetra: “Në orën 11:00, Presidenti ka pirë një kafe në lokalin “Marinë” në zonën e Kalasë. Për më shumë se një orë Presidenti Topi ka pirë kafe në këtë lokal së bashku me familjen e tij, si dhe një mikun e tij nga Vlora”. Përse dekonspirohen oraret dhe lëvizjet e Presidentit? Çfarë kërkon të thotë gazetari me faktin se “për më shumë se një orë” Presidenti ka pirë kafe? I duket shumë një orë apo pak? Ndonëse, lajmi përgënjeshtrohet fare lehtë edhe nga vetë fotografia, ku duket qartë se përveç filxhanëve të kafesë ka edhe pije freskuese dhe lëngje frutash.
Më tutje ka një përsëritje të pakuptimtë. “Sipas burimeve presidenti së bashku me bashkëshorten dhe një prej vajzave do të kryejë pushimet verore në bregdetin e Vlorës.”. Kjo redondancë nuk është në stilin e mediave shqiptare. Përse thuhet sërish diçka që sapo është nënvizuar? Mos hidhen vallë dyshime për punën e institucioneve shqiptare? Pastaj cilat janë këto burime kaq të sigurta?
Paragrafi i fundit është ndriçues. I shpjegon të gjitha. Ja ç’thotë: “Gjithsesi, presidenti ka pushuar për më shumë se një orë në lokalin “Marina” në zonën më të bukur të Vlorës, duke shijuar bukuritë bregdetare të qytetit të Vlorës nga ballkoni i lokal “Marina”-s. Gjatë kësaj kohe qytetarë të pranishëm në këtë ambient nuk kanë ngurruar t’i kërkojnë kreut të shtetit, që të kenë një kujtim të veçantë me presidentin e shqiptarëve nëpërmjet aparatit fotografik. Të pranishëm kanë qenë edhe disa qytetarë nga Kosova, të cilët kanë mbërritur në Vlorë për të bërë pushimet verore.”
Po të kisha pasur afër ndonjë mik me emrin Watson do t’i thosha: “Është diçka elementare, tepër e thjeshtë!”. Paragrafi i fundit zbulon atë çka fotografia thoshte që në fillim. Me të drejtë thotë një filozof i madh shqiptar se imazhi është superior ndaj shkrimit dhe fjalës. Në fakt, po ta kisha parë që në fillim fotografinë, nuk do të isha zgjatur kaq shumë. Shkrimi është një reklamë okulte. E kujt? E një sërë artikujsh tregu. Shikoni fotografinë po nuk besuat. Gazetari me siguri është financuar nga prodhuesit e lëngjeve të frutave, nga fabrikat e optikës, nga pronari i lokalit, nga punishtet e pijeve freskuese, nga agjensitë turistike të Vlorës…
Megjithatë as ky interpretim nuk më bind krejtësisht. Gazetarët shqiptarë nuk janë aq naivë sa të flasin kot dhe të shfrytëzojnë përfaqësuesit e institucioneve për operacione të rëndomta marketingu. Dakord. Shkrimi nuk ka të bëjë as me politikën, as me lajmin, as me thashethemet, as me reklamat. Mos vallë është lajthitje nga vapa? Nëse e tillë, do të ishte e para në historinë e gazetave shqiptare gjatë pluralizmit. Kam aq besim në cilësinë e tyre saqë do të flisja më shumë për lajthitje të lexuesit se sa të gazetës. Tek e fundit, vapa i çorodit edhe lexuesit… si puna ime.
Ashtu ka qene, besoj, nje shkrim kot, ndertuar nga zyra e redaksise mbi nje fotografi dhe fjalet e pronarit te lokalit (ne cel).
Mungese profesionalizmi dhe bosh informativ, sepse per profesionistet e vertete, te pakten kjo gushtovjeshtë, ka shume levizje politike, ne prag te formimit te qeverise se re. Pertej lokalit ne fjale, te arsyet e verteta, lajmi, nese ka, gazetari ka “pertuar” te shkoje. Ne kete stine pushimesh lexuesit i mjaftojne lajmet-limonade.
Pishak, nuk dua të ndalem fare tek përbërja e lajmit, por tek trajtesa, ke një aromë humori kaq të harmonishme në shkrimet e tua sa ma hoqe krejt vapën e këtyre ditëve të fund gushtit. Të lëçis me shumë ëndje.
Pishak, m’i shkule veshkat, për dreq nuk e di përse?, më solle ndër mend filmat, mimikën, humorin tejet të hollë, tejet tragjikomik, të Nuti-t, komedianit italian… i cili lëvrin nën lëkurë e ta gudulis shpirtin.