Përdorimi i fjalëve të huaja të panevojshme duhet kuptuar më shumë si simptomë e sëmundjes së shqipes, se si sëmundja vetë. Zakonisht diskutojmë për këto fjalë të huaja sepse e kemi të lehtë t’i shquajmë në tekste, edhe pse e kemi më pak të lehtë t’i shmangim nga tekstet ose ligjërata jonë.
Pse pra po e mbytim shqipen publike me fjalë të huaja?
Shkaqet janë të shumta, dhe të ndriçuara prej kohësh: snobizmi, dëshira për t’u dukur, mosnjohja e pasurive leksikore të shqipes, trajtimi i shkujdesur i ligjërimit publik, mungesa e respektit për të tjerët, ata që na lexojnë e na dëgjojnë… lista natyrisht mund të zgjatet edhe më.
Fjala e huaj vendos një lidhje të menjëhershme midis ligjërimit ku përdoret, dhe ligjërimit të gjuhës tjetër, i cili i përket një niveli kulturorisht më prestigjioz. Një gazetar që përdor lloj-lloj italianizmash kur shkruan shqip, nuk do të përdorte lloj-lloj fjalësh shqipe, kur të shkruante në italisht.
Kështu, përdoruesi i fjalës vakancë në titullin e sjellë nga Pishaku jo vetëm që sinjalizon lidhjet e veta shpirtërore me Italinë, por edhe u shkel syrin të gjithë kolegëve të tij, që pushimet i modelojnë sipas kallëpit italian.
Në raste të tilla, shpesh kemi të bëjmë me përdorues të cilët janë kolonizuar tashmë nga një kulturë tjetër: angleze, frënge, italiane, gjermane, spanjolle. Kjo kulturë eprore sjell me vete sisteme të pasura referimi, të cilat nga ana e tyre udhëtojnë së bashku me fjalët dhe konceptet përkatëse.
Bartësit e një kulture të vogël si jona është normale që t’u referohen kulturave të tjera; aq më tepër kur e marrin që andej ushqimin shpirtëror të përditshëm. Çfarë nuk më duket normale, është që këtyre bartësve t’u humbasë ndjeshmëria gjuhësore, ose kujdesi për mënyrën si po i flasin publikut.
Qarkullimi kulturor sot kryhet në mënyrë të tillë, që kalimet nga një kulturë në tjetrën të ndodhin shpesh, madje edhe brenda ditës: unë në mëngjes e kam bërë zakon të lexoj njëkohësisht faqet në Internet të gazetave amerikane, gazetave shqiptare dhe gazetave italiane. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të shkolluar sot e marrin informacionin kryesisht nga burime në gjuhë të ndryshme nga shqipja. Prandaj nuk mund të shmanget që pjesëtarët e kësaj elite të padukshme, e cila ia përpunon ligjërimin publik shqipes bashkëkohore, të mendojnë ndonjëherë “në gjuhë të huaj”, ose duke përdorur koncepte dhe mekanizma kuptimore të gjuhëve të tjera. Këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në vetvete, sepse truri kalime të tilla i bën me po aq lehtësi, sa ç’bën edhe kalimin nga muzika perëndimore në muzikën orientale, edhe pse këto përdorin shkallë të ndryshme.
Prandaj dyndja e fjalëve të huaja në ligjërimin publik nuk mund të shpjegohet vetëm me interferencën nga kultura madhore ose përparësore; kjo interferencë është shkak i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm.
Duhet, kështu, edhe një faktor tjetër – dhe pikërisht shkujdesja për integritetin e gjuhës, ose moskokëçarja ndaj konsistencës leksikore dhe në përgjithësi koherencës të ligjërimit.
Kjo nuk ka të bëjë shumë me atdhetarizmin e përdoruesve, dashurinë e tyre për shqipen dhe kulturën shqiptare, bagazhin e tyre letrar, njohjen e veprës së autorëve më në zë të gjuhës shqipe dhe mjeshtrave të përpunimit të saj; por ndoshta ka të bëjë me mënyrën si e përcjellim, me mendje, përfshirjen tonë në komunikimin publik, ose përdorimin që ia bëjmë shqipes në publik.
Këtu dua të përmend dy faktorë.
Së pari, paqëndrueshmërinë ose fluiditetin e leksikut të shqipes publike, i cili është kultivuar në kulturën shqiptare qëkur Rilindja u shpalli luftë “orientalizmave” ose fjalëve turqishte dhe ndërmori zëvendësimin e tyre me neologjizma, fjalë të krijuara rishtas, ose të marra nga gurra popullore.
Është tipar ndërtimor i vetëdijes gjuhësore të shqiptarit modern (ose i kompetencës kulturore të përdoruesit të shqipes publike) që leksiku i kësaj gjuhe mund të modifikohet sipas dëshirës; dhe se neologjizmi, ose fjala e sajuar ad hoc për shembull nga një shkrimtar, duhet duartrokitur, si përpjekje për ta mbajtur gjuhën “të pastër”. Nëse këto fjalë të reja i vlejnë gjuhës apo jo, këtë nuk mund ta diskutojmë këtu; por vetë mundësia për të ndërhyrë në gjuhë, qoftë edhe për të “shmangur” fjalët e huaja e për t’i “zëvendësuar” me fjalë shqipe, ka efekt destabilizues në leksik dhe çon, dashur pa dashur, në dobësim të normës leksikore dhe të vetë konceptit të fjalës, si atom i lëndës ligjërimore.
Natyrisht, përpjekja për të “zëvendësuar” fjalët e huaja nga redaktorët, ose në përgjithësi nga lexuesit e nga publiku me mendje, nuk ka ndonjë vlerë e dobi të madhe as kulturore as gjuhësore, por vetëm sa fut një nivel të ndërmjetëm përkthimi brendagjuhësor, që nga ana e vet sjell shpenzim energjish mendore në ligjërim, duke ia ulur këtij rendimentin.
Nga ana tjetër, thjesht mundësia që na jepet për ta ndërmarrë këtë operacion kirurgjie plastike në ligjërimin tonë ose të tjetrit ia dobëson integritetin gjuhës, dhe hap shtegun për futjen e fjalëve të huaja nesër; sepse vetë mekanizmi i censurës leksikore (norma) nuk funksionon më.
Paradoksi këtu është se pikërisht licensa që i japim vetes për ndërhyrje në gjuhë, me qëllimin “për ta ruajtur shqipen të pastër”, kthehet kundër nesh dhe përfundon si një nga faktorët kryesorë që lejojnë depërtimin e barbarizmave (fjalëve të huaja të panevojshme) në ligjërim.
Faktori i dytë ka të bëjë me ndjenjën estetike, ose veshin “gjuhësor” të ligjëruesve, i cili në disa aspekte mund të krahasohet me veshin muzikor. Një fjalë e huaj, e kallur me përdhunë në ligjërim, duhet të tingëllojë si notë e stonuar jo vetëm për publikun, por edhe për ligjëruesin vetë.
Tani, po të kemi parasysh këngëtarin në skenë, ky nuk është se i zgjedh notat njërën pas tjetrës, nga një paradigmë mundësish; duke vendosur, bie fjala, në mënyrë të vullnetshme, se duhet të kalojë nga do-ja në sol, jo në fa diezis. Këngëtari në skenë nuk stonon sepse është këngëtar, ka vesh muzikor, të cilin jo vetëm ia ka dhënë natyra, por edhe e ka ushtruar në praktikë, ose në shkollë.
Për ta vazhduar analogjinë, mund të pyesim pse u mungon “veshi” gjuhësor shumë përdoruesve të shqipes publike, të cilët e përdorin gjuhën në mënyrë të tillë që, sikur të ishin këngëtarë, do t’i kishin fishkëllyer e dëbuar prej skenës me kohë, madje edhe sikur të këndonin Himnin tonë të Flamurit.
Ky vesh ose instinkt gjuhësor, ose ndjesi për harmoni dhe drejtpeshim në të shprehur, besoj unë, u mungon shumë autorëve për shkak të edukimit të tyre filologjik të mangët, ose ekspozimit të mangët ndaj thesarit gjuhësor të shqipes, siç ekziston në veprat e mjeshtrave – dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për letërsinë artistike. Për çka më intereson mua këtu, fjalimet e Nolit, ose përkthimet që ky u ka bërë klasikëve të letërsisë botërore, kanë më shumë vlerë se poezitë e “Albumit”; prozat publicistike të Anton Harapit kanë më shumë vlerë se vjershat e Naimit e të Çajupit.
Pakkush e ndien se hijeshia e të shprehurit gjuhësor është shenjë e një mendimi të qartë dhe të kompletuar, ose të gatshëm për t’iu kumtuar tjetrit; pakkush e kupton se harmonia është pjesë e mjeshtërisë për të ndërtuar thënien, dhe nuk mund t’i ngjitet tekstit më vonë, me gjysmë zemre, si suvá.
Ky art i ligjëratës edhe mësohet, edhe nuk mësohet në shkollë drejtpërdrejt. T’u thuash gazetarëve të ardhshëm se nuk duhet të përdorin fjalë të huaja, nuk është veçse pedantizëm i kotë dhe shterp; gazetarët nesër këtë porosi të autoritetshme do ta kenë harruar sakaq. Çfarë i lypet shkollës është, përkundrazi, ekspozimi sistematik ndaj shqipes shembullore – që nga Buzuku deri tek autorët më të mirë sot; së bashku me kultivimin e një kulture të jetuari që të mos jetë e orientuar ndaj qëllimeve (vendi i punës, karriera, pasurimi, apartamenti, doktorata), por ndaj proceseve dhe vetë eksperiencës.
Më në fund, shkolla gjithnjë do ta ketë të vështirë t’u përgjigjet atyre studentëve që pyesin se për çfarë do t’u duhet rafinimi gjuhësor; unë dikujt që do të ma bënte këtë pyetje do t’i isha përgjigjur kështu – përderisa e ndien të nevojshme të pyesësh, nuk të duhet për asgjë, prandaj më mirë merru me diçka tjetër, p.sh. me kambizëm ose sipërmarrje funerale. Përndryshe, këtë rafinim ndoshta bëjmë mirë ta konceptojmë si pjesë të shndërrimit tonë nga majmunë në njerëz dhe qytetarë; meqë shpesh vetëm nëpërmjet ligjërimit dhe komunikimit publik me të tjerët, duke përfshirë edhe autorët e teksteve të shkruara, mund ta realizojmë me dinjitet dhe thellësi integrimin tonë në proceset sociale, kulturore dhe politike të epokës.
“…kanë më vlerë…” – mos mungon një “tepër”, a “shumë” pas “më”-së?
Drejt. Falemnderit! E ndreqa menjëherë.
Lutem mos u lodhni të lini komente për çështje etimologjike dhe të historisë së gjuhës, sepse nuk do të lejohen të kalojnë.
Ekspozimi i ligjeruesve publike (dhe jo vetem) ndaj veprave shqipe te mirefillta eshte ideja me e mire qe kam hasur per frenimin e hyrjes se fjaleve te huaja te panevojshme.
Frenimi i detyruar per te mos perdorur fjale te huaja nuk eshte efektiv qofte tek gazetaret qofte tek grupe te tjera. Ne menyre analoge ne muzike muzikantet nuk bejne muzike te mire sepse u thone/urdherojne te mos bejne muzike te keqe por e arrijne kete nder te tjerash duke degjuar/e u ekspozuar ndaj muzikes se mire aq shpesh sa stonaturat tu vrasin veshin.
Sidoqofte kete ekspozim me te madh duhet ta arrije shkolla duke i dhene vend me te rendesishem ne programe autoreve shqiptare apo perkthimeve te niveleve te larta.
Mbaj mend qe gjate kohes se komunizmit te pakten ne rrethin e familjes time shume autore shqiptare konsideroheshin si inferiore dhe te promovuar nga regjimi. Dmth. shmangia e leximit te tyre dhe perqendrimi tek letersia e huaj ishte nje lloj mosbindje e heshtur ndaj regjimit. Ky lloj paragjykimi me shoqeroi dhe me vone kur nisa te lexoj ne gjuhe te huaj e nuk kisha me shume nevoje per perkthime ne shqip. Rezultati eshte qe sot njoh me mire letersine e huaj se ate ne shqip. Nuk e di nese ky ka qene fenomen masiv ne Tirane apo jo por kam pershtypjen qe ka luajtur nje lloj roli?
Eni, më pëlqeu krahasimi juaj i të folurit/të shkruajturit drejt me botën e muzikës.
Duke patur parasysh që sot një muzikant i dobët bije në sy menjëherë për shkak të Standartit që ka arritur me kohë muzika për të vendosur se si duhet të jetë e mira,më lindën dy pyetje: Nuk kemi patur asnjëherë një standart (pikë referimi) të gjuhës shqipe ashtu siç duhet të jetë, apo edhe niveli i atyre që mund të shprehen sipas Standartit ka rënë, është zbehur apo injorohet nga të tjerët?
Përsa i përket pyetjes së parë, meqë një standart ka patur (dhe fakti që 99% e komentuesve të PTF e respektojnë, e vërteton këtë), i kujt është faji që ky standart po shkon drejt shuarjes? Është institucional apo individual?
Për t’i ndenjur krahasimit me muzikën; niveli i muzikës nuk do të paraqitej nga niveli i ahengxhinjve, sado virtuozë që të jenë, nëse Muzikantët e vërtetë do të mund të luanin ashtu siç duhet… qoftë kur luajnë si solistë, por aq më tepër kur virtuozitetin e tyre dinë ta harmonizojnë me “orkestrantë” të tjerë të të njëjtit nivel.
Kjo më kujton gjyqin e vrasësit të një italiani para pak vitesh, në Tiranë. Kur e pyeti gjykatësi përse e bëri, ky evgjiti — më falni për termin që po përdor, po i tillë ishte — u përgjigj: Unë i thashë ‘fermo’ dhe ai nuk fermoi!
Kjo eshte nji teme (ne mos gaboj ) e diskutuar e trajtuar nga shume shqiptare ne Media – Forume – Bloge (ose Blogje nqs me lejohet ) dhe nuk e di nese ka ndonji rrezultat e para mbi kte problem .
Nuk ka dyshim qe kjo Teme perben nji interes te vecante e te rendesishem per gjuhen tone, aq me shume sot ,duke qen se jetojme ne nji bote Globale e cila rrotullohet me nji shpejtesi marramendese dhe na duhet pak te terheqim dhe Frenot per te pare mire rrugen … pooor :
Te nderuar gjuhetare dhe bashkatdhetare , duke i shkuar pak si me “fanatizem” ksaj Teme … a mos po rrezikojme te krijojme nji “Fobi” kundrejt disa shprehjeve te huaja (psh.latinisht )qe sot kan nji koncep e perdorim konvencional ne Europe ???
E them kete sepse shof psh . qe ne Gjermani kan filluar te hyjne vitet e fundit ne perdorim te tilla fjale joGjermane ,psh nqs vite me pare ne Gjrmanisht Ambulanca quhej vetem “Krankenwagen” > sot ajo quhet lehetesisht Ambulance , e kjo e shkruajtur mbi makinat, e “Krankenhaus” quhet sot edhe Spital etj etj te till shembuj .
Nuk kam njohuri ne kte fushe po thjesht per debat desha te nderhyj .
Frutet e programeve shkollore të edukimit gjuhësor janë të dukshme çdo dite,në çdo fjalim dhe intervistë politikanësh,nënpunësish,gjykatësish..etj,në çdo gazetë të shtypit shqiptar,në dhënien e lajmeve dhe emisioneve të tjera nga folësit e stacioneve televizive shqiptare.
Ju mund ti shikoni ato në nji artikull tënjë gazetari i cili zhurmon huajshëm që në kryefjalën e shkrimit me “vakanca” në vënd të “pushimet’,ose në fjalitë e një politikani të rëndsishëm i cili I flet degjuesve me fjalë si “abrogimi”,ose…Shumë njerëz thonë që janë fajtorë këta emra të vëcantë për keto probleme në bashkëbisedimet shkrimore dhe të folura në gjuhën tonë;por,nëse ata janë fajtorë,ajo është vetëm për arsye se ata janë të keq përgatitur gjuhësisht.Ata janë produkt I programeve shkollore të edukimit gjuhësor që,mund të them me plot gojën,janë jashtë kohe,të padobishme,dhe kanë nevoje për një përmirësim rrënjësor.
Ka nji fenomen parregullsie i cili ecen gjithmon perkrah zhvilimeve shoqerore kapercipe e shtremberime regullash , i cili ka te bej jo pak me persepktiven e te parit te gjerave ,(duke krijuar dhe shpesh iluzione ne tru ,qe kan te bejne me Optiken e gjerave) ate qe ne e quajm me shqip kendveshtrim dhe interpretim ,i cili mund te jete zanor ne te shprehur -gjuha e folur pra, ose thjesht Optik.
Nji shembull te tille tipik na e ka paraqit dhe vet (fotua e violencelistes), pra ktu kemi te bejme me nji zhgenjim optik , me po te njejtin dimension fenomeni zhgenjimit ndodh ne trurin e njeriut me ate zanor , qe do te thot se ne shqiptaret ( por jo vetem ne) vuajme nen ate efekt mjaft te diskutushem sot ne psikologjine bashkohore te te marrit seriozisht te gjerave ( pra i marrim si te qena ,si korrekt) cfar shikojme e degjojme thjesht , ku me von perballemi dhe me pasojat qe kto fenomene sjellin ne shoqeri .
Te gjith i lidhim kepucet kur dalim jashte ,secili ne menyren e tij ne kte Bote , e cila tregon se i referohesh nji rregulli te caktuar ,por moslidhja e kupuceve do sillte nji pasoje .
Hyn ne diskutim gjithmon ana psikologjike e trajtimit te fenomeneve ( padashur te ndryshoj drejtimin temes) mendoj un, thjeshte ashtu . Megjithate nji nga fenomenet mjaft te dukshem ne shembujt e dhene mesiper nga orakull… jane treguesi me i qarte i atij truri siperfaqsor i mentalitetit ne ate shoqeri ,thjesht cdo gje eshte orientuar Optik-isht ,per te krijuar fllucka shumngjyreshe perreth personit ( qe do ti zbukuronin -apo ku ta di un atij portretin)etj etj ,shpresoj te mos kem devijuar nga tema !
Sidoqofte mendoj se percdo rast ky diskutim nuk mund te perjashtoje dhe anen psikologjike te fenomenit .