Që tregu ndikon në një farë mënyre mbi gjuhën shqipe dihet nga të gjithë. Ndoshta më pak njihen mënyrat e këtij ndikimi, të cilat nuk mëtoj t’i shteroj në këto pak radhë. Desha vetëm t’ju përcjell ndodhinë e disa ditëve më parë, duke jua lënë të hapur hapësirën e diskutimit.
Ekonomia e tregut nuk duhet parë negativisht që në përkufizim, sikurse duhet pranuar se ai (tregu) ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo mbi një sërë fushash të jetës shoqërore. Pa hyrë në debate për liberizmin, liberalizmin, teorinë laissez-faire dhe ekonominë e centralizuar, duhet pranuar se dora “e dukshme” e tregut dallohet qartë p.sh. nëpër gazeta shqiptare, të cilat për arsye ekonomike nuk marrin në punë gazetarë që shkruajnë mirë, ose nuk punësojnë redaktorë të përgatitur nga pikëpamja gjuhësore. Me motive kostoje mund të shpjegohet gjithashtu mungesa e “ë”-së për vite të tëra në shtypin e Tiranës. “Nuk kishim kohë, as para e as tastiera për t’u marrë me çikërrima si puna e ”ë”-së pa pika mbi kokë”, mund të justifikohet drejtori i sotëm me fuoristrada.
Ekonomia mund të ndikojë gjithashtu në gjuhë nëpërmjet cilësisë së përkthimeve që hidhen në treg. Shqipëria është plot e për plot me tipografë të improvizuar befas në botues, pa kurrfarë përvoje të fushën e botimit të librave, e pa asnjë lloj ndjeshmërie në lëmin e gjuhës. Tregtarë që e shohin librin me të njëjtën ftohtësi me të cilën trajtojnë stekat e cigareve apo çorapet e najlonit. Si rrjedhim, qytetarët mëkohen me literaturë të përkthyer me shqipe të çalë, përçues të së cilës bëhen më pas të gjithë përdoruesit. Ndërkohë të gjithë përsërisim në kor se gjuha shqipe ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë.
Pa dyshim, tregu mund të ndikojë edhe në mënyrë indirekte duke promovuar në sferën publike, nëpërmjet pushtetit ekonomik, personazhe që nuk kanë përgatitjen e duhur gjuhësore, porse kanë mundësinë ta uzurpojnë podiumin e duhur publik, nga i cili modeli i tyre gjuhësor merr krahë e fluturon mbi kokat e turmave që dëgjojnë në shesh ose përpara televizorit. Jo e drejtpërdrejtë është edhe trysnia ndaj prestigjit të gjuhës. Ky i fundit, i tronditur rëndë pas kolapsit të regjimit totalitar, mund të zhytet edhe më keq nga ata që parapëlqejnë më shumë të nxjerrin në pah Rolex-in me ngjyra se sa një fjalim të shkruar mirë. Duke ushtruar madje edhe një funksion didaktik ndaj qytetarëve që i shohin në mënyrë akritike protagonistët e jetës publike.
Para disa ditësh, mjerisht, u bëra dëshmitar i ndikimit më shtazarak të tregut mbi gjuhën. Përkthimi që i kisha bërë etiketës së një malli për tregun shqiptar, u kthye i korrigjuar nga tregtari që kishte monopolin e shpërndarjes. Korrigjimet i pranoj gjithnjë, por jo kur shkallmojnë rregullat bazë të gjuhës; e nuk e kam fjalën për terminologji të vështirë teknike, as për mëdyshje të llojit shtatzënë apo shtatzanë, por për ndryshime termash, gjinish, rasash, etj., çështje drejtshkrimore ordinere, të papranueshme as nga revizionistët më ekstremistë të standardit të sotëm. Shpjegimet që dhashë, të kuptueshme edhe për klasën e tretë fillore, u pranuan nga prodhuesi i huaj (mesa duket më i shkolluar), por jo nga tregtari shqiptar, i cili as denjoi të hynte në debatin gjuhësor që kisha filluar, me argumentin: “Kështu duhet bërë. Pikë”. Meqë furnizuesit të huaj nuk i interesonte aspak fati i gjuhës shqipe (çka ma shprehu me sinqeritet), por vetëm shitja me shumicë e mallit, fitoi pashmangshmërisht tregu. U pranuan të gjitha korrigjimet analfabetike të tregtarit shqiptar.
Emri im nuk del si përkthyes, aq më tepër që nuk e pranova deri në fund versionin e shqipëruar nga matrapazi i gjuhës. Për të paguar më paguan… Pra nuk e kam shqetësimin për mëri personale. Problemi është më i gjerë. Ndoshta luan rol edhe tregu i monopolizuar, ku pushteti i konsumatorit “përzgjedhës” nuk mund të funksionojë; sepse konsumatori i kulturuar nuk do ta kishte blerë kurrë artikullin me etiketë ku nusëron shqipja e çalë. Nga ana tjetër, po të vazhdojmë kështu nuk duhet të habitemi kur nesër tipografi t’i kërkojë përkthyesit një version më sintetik të “Luftës dhe Paqes”, me arsyen se letra kushton shumë. Madje edhe fjalorët e shqipes, po të ndiqnim këtë formulë, do të hynin në ujë për arsye ekonomike. Si për inat të “kombëtaristëve të thekur”, që çjerrin fytyrën në përbetim të pasurinë së gjuhës shqipe, por njëkohësisht nuk bëjnë asgjë për t’ia rritur prestigjin e humbur, të paktën përballë tregut të vrazhdë. Të tjerët, me përjashtimet e duhura, flenë mes indiferencës së përgjithshme. Sa për kozmopolitët snobë, ata kanë fjalët e huaja, që nuk i lënë kurrë në baltë.
Mire Mengjez.
Per Ju Kafe Pascalin.
Shkruan nje billboard me permasa gjigande diku ne autostraden Tirane Durres.
Perballe saj, nje tjeter, kesaj rradhe me e vogel:
Shesim BARBYQY
Ne nje lokal, qe nuk gjendet as ne Manhattan per nga lluksi, shkruhet me germa po gjigande:
CAFFE MEDITERANO
Pronari i saj perballe nesh, me polo T-shirt te Hugo Boss, eshte bosss i vertete.
Dhe si keto me qindra e mijra ne cdo cep te Tiranes.
Nuk ka etikete te atyre pak prodhime shqiptare ku nuk gjen tonelata me gabime te tmerrshme.
Shesim gafa dhe gabime me shumice dhe pakice. Si ti doni.
Numri NIPT: AT1234567890 (Ndjehem I Pataksur Teresisht)
Mire u Pafshim
Më duhet me urgjenë të shkruaj edhe unë diçka këtu. Nuk është gabim gjuhësor, por po e them, sepse nuk di çfarë të mendoj.
Te Pazari i Ri: “Sallameri… Kenedi”
Pse s’na e vë ta shohim se ç’pëmbante ajo etiketa, se ndoshta është më kollaj të diskutojmë.
Etika e profesionit ma do që etiketën e mallit të mos e dëftoj në publik. Duhet ta merrni me mirëbesim. Megjithatë, shembujt nuk besoj se ju mungojnë. Mbijnë çdo ditë në tregun shqiptar.
Do ishte mirë për gjithë ata që e duan shqipen e bukur e të hijshme, të jepje të paktën ca fraza të vëna jashtë kontekstit.
Një shembull pa lidhje: Në librin «Konçilli provincialli o Kunvendi i Arbënit; mbëljedhunë ndë vjet njaj mije shtatqint e tre. Ndënë Klementit i Njimidhjetmi Papë pretemadhit. Romae, Typis Sac. Congregationis de Propaganda Fide. Anno 1706. Superiorum Permissu.» gjendet edhe kjo fjalë: «merqërí—latinisht merces» që me kohë është zëvendësuar nga tq. osmane mâl (mall). Ndërsa në Dhiatën e Re (1827) kemi fjalën kumerqar, d.m.th. tregtar.
Faqja e parë
A.Edhe pse 40 gradët e vapës ma ulin aftësinë e qëndresës ndaj dhunimeve mbi kulturën, Pishaku më ngjalli edhe kësaj radhe.
Dhe po mundohem të lexoj vetëm faqen e parë të një gazete:
(jo per të mbrojtur Edi Ramën, që është peshë tjetër, dhe më thonë ata që e njohin nga afër, se është më i fortë se unë)
1.Edi Rama s’pranon kartë identiteti, ka frikë të japë gjurmët e gishtave (titull)
2…. Të frikës që ka ndaj procedurës së lënies së shenjave të gishtërinjve (fillim artikulli)
3. mësues me eksperiencë (reklama e një shkolle private)
4.nën drejtimin e personalitetit në arsim Prof. XY… (prapë reklama)
B. 1.-Nuk e di nga e kanë nxjerrë termin “kartë identiteti”, por me sa duket është një shpikje e ardhur nga h… hëna (të më falin romantikët);
në fjalor lexoj letërnjoftim, -i, -e, -et. Dokument zyrtar ku janë shënuar emri e mbiemri, atësia etj., si edhe kombësia e shtetësia e dikujt.
-gjurmët e gishtave?
(ndoshta po e teproj?!) Shenjat e gishtërinjve, sepse, me pak durim lexoj se “Gjurmë, gjurma/shumës: gjurmë, gjurmët” është “shenjë që lë diku shputa e këmbës së njeriut a putra e kafshëve”; ndoshta nganjëherë gabimi kuptohet, ose bëhet pa vetëdije, prandaj hasa edhe pikën 2.
3. “eksperiencë”: shkruaje, ta hajë dreqi (e hëngërt dreqi)! “përvojë”;
4.nqs personaliteti XY, është personalitet në arsim, s’kemi pse e kujtojmë në “2 gishta” reklamë, që është personalitet; ndryshe na vjen dyshimi se mos ndoshta kemi frikë se nuk njihet.
Po ndalem tek një faqe e parë.
Kurse emisionet e lajmeve në radio e tv të fusin në dyshim: mos dikush i paguan folësit (ose gazetarët) që të shkatërrojnë gjuhën shqipe?
Nipi
Prisni, akoma nuk ka fol(apo folur?!) Zeusi! A nuk e keni vëne re? Tash, gati 20 vite, cdo gjë ne Shqipëri, bëhet (ose ribëhet), vetëm pasi flet Zeusi. Të folurit, shprehurit apo shkruarit saktësisht të gjuhës shqipe,pasi u degradua ku merret vesh arsyes PSE?, ende nuk i ardhur rradha,edhe pse ajo (gjuha) ështe si ajri për mushkëritë. Do pyesni ju: po kur? Nuk i dihet. Ndoshta kur Zeusi vetë të “mësojë” e ta flasë atë, ashu sic duhet…!!!? Elitat e fjetura, të fushës, janë akoma në pritje te lëshimit të bubullimës: “Sot, në mbledhjen e rradhës të qeverisë, do diskutojmë për…” Veshët ngrehur, mimika nga më të ndryshme fytyrash përreth tavolinës ovale të zyrës kryeministrore, ndonjë ngërdheshje surratesh apo lëshimi i ndonjë batute lart e poshtë, e më ne fund, rrufeja ra: “Gjuha shqipe!…” Ishalla, nuk do jetë shumë vonë!! Por,një gjë mua nuk po më pelqen, që rradhën e gjuhës e parakaloi idea e projekt-ligjit për martesat brenda gjinise..! Do të thotë se, pritja do të jetë pafundësisht e gjatë… Dalçim me hajër, tha!
Mbase me mire te ishe perqendruar tek perkthimet per llogari te tregut. Po te kishe bere keshtu, do te te pyesja se kush jane “te tjeret”, e nese keta nuk do ishin ata qe perkthimin e kane pune, jane perkthyesa me profesion, atehere nuk do te ta pranoja kete pergjithesim edhe me perjashtimet.
Sikur te mos e kishe futur gjuhen ne treg, do te kishte qene krejt ndryshe…
Shtojunin këtyre edhe mësueset e fillores, të sapoardhura nga zonat veriore ose jugore (ia kanë gjetur anën të emrohen në shkollat e qendrës, menjëherë pas fitores së partisë së burrave), që u flasin fëmijëve me gjuhën e fshatit të tyre.
Një ditë më tregonte një vajzë e vogël mënyrën se si i drejtohej mësuesja në klasë, për të qeshur e për të qarë. Kur e pyeta të ëmën, pse nuk e hiqte nga ajo mësuese, më tha: “Kështu është e mirë. Vetëm se shpesh fëmijët nuk ia kuptojnë pyetjen”.
Ky eshte nje shkrim shume i qelluar ne lidhje me ‘problemin’ e gjuhes qe ballafaqohemi sot. Mua me ndodh shpesh kjo sidomos me kompani te informatikes (Microsoft) edhe ato te teknologjise (pajisje tenologjike per fushen e mjekesise etj.) Mi korrigjojne perkthimet me fjale qe nuk ekzistojne ne fjalorin shqip. Njehere e pyeta redaktorin indirekt nepermjet klientit pse nuk kishte redaktuar perkthimet e formulave kimike por per ato nuk ishte i afte as t’i lexonte e jo me t’i redaktonte 🙂
Ata qe i marrin perkthyes ne Shqiperi bejne sikur punojne per te plotesuar 8-oreshin duke ndryshuar ndonje fjale tek tuk, e nderkohe merren me FB gjate orarit te punes. Justifikohen tek nenpunesi qe e kam kryer punen duke bere redaktime te papranueshme nga aspekti gjuhesor.
Asnjehere nuk e kam humbur ‘betejen’ apo argumentat kunder ketyre individeve. Nuk eshte puna te mos pranosh kritika, se asnje nuk eshte i perkryer, por kurre nuk do te pranoja nje shkrim te perkthyer pasaktesisht per hir te fitimit te te hollave. Nuk e lejon etika e punes…
Edhe Pishaku atë gjë shkruan,
sigurisht përkthimet janë një gjë delikate, sidomos të shkruarat.
Për vete që prej disa vjetësh i kam lënë, ose më mirë, para se t’i marr, i seleksionoj: meqë është prishur tregu, nuk ma leverdis më;
Shumica e atyre që merren me përkthime janë “zanaçinj” të improvizuar, nuk kanë pregatitje teorike e përvojë, nuk njohin shqipen dhe gjuhën nga e cila përkthejnë ose në të cilën përkthejnë nga shqipja; përveç mangësive gjuhësore, kanë edhe mangësi në fushën “teknike” të përkthimit: në bëhet fjalë për mjeksinë, sportin (futbollin a garat me makina), …
Do të shtoja edhe rëndësinë e punës së “revizorëve”, pra të atyre që korrigjojnë variantin përfundimtar të përkthimeve të shkruara, që duhet, mundësisht, ta kenë gjuhën mbi të cilën punojnë “gjuhën e nënës”, gjuhën e vet, dhe jo thjesht një gjuhë të studiuar.
Dhe problemi i përkthimit u shtohet problemeve të tjera: gjuhës letrare, gjuhës standard, rolit të dialektit, gegerishtes së persekutuar… me pasoja shpesh qesharake, siç është përdorimi i diçkaje që pretendon të jetë dialekt a kushedi çfarë, në organet e shtypit kombëtar.
Nipi
ps
Dy shembuj: një i vjetër:
“e shkeli një makinë që doli nga rruga”- në filmin në italishte thuhej “era una fuoristrada”, pra bëhej fjalë për llojin e makinës; (dhe filmi ishte Piovra-Oktapodhi i famshëm, shpresoj ta kujtoj mirë shembullin, se kanë kaluar vite)
dhe tjetri pas 1992: koment i një ndeshjeje futbolli, të vjedhur me gjithë komentin nga një kanal italian: “dhjetë burra në barrikadë”; të gjithë shikonin në ekranin e televizorit që LOJTARËT mbuloheshin poshtë me duar, për t’u mbrojtur nga topi…
Pishaku flet për një dukuri që e vuajnë të gjithë përkthyesit e shqipes, sidomos përkthyesit profesionistë të materialeve komerciale – manuale përdorimi, programe kompjuterike, etiketa dhe fletë shoqërimi, kontrata, projekte teknike.
Zakonisht, klientët e fuqishëm përdorin sisteme vleftësimi (validation) të përkthimeve, duke iu drejtuar zyrave përfaqësuese lokale të korporatave në Tiranë (ose në Prishtinë).
E keqja me këtë praktikë është se personat që bëjnë vleftësimin kanë përgatitje gjuhësore-terminologjike të pamjaftueshme, dhe sidomos as që mund të krahasohen, për nga kompetenca gjuhësore, me përkthyesit vetë.
Shto këtu edhe arrogancën e dikujt që punon për “General Motors” ose “Hitachi” në Tiranë, të cilit i kërkohet të japë gjykimin e vet për një material të përkthyer nga një kompani përkthimesh, por në thelb nga një profesionist i gjuhës, që përkthimin e ka mjet kryesor të jetesës.
Këta vleftësues (validators) ose redaktorë (reviewers) shpesh nuk kanë as idenë si duhet t’i qasen një materiali të përkthyer; meqë bëjnë rëndom gabimin elementar, duke e krahasuar përkthimin që kanë përpara me përkthimin që do të kishin bërë ata vetë, jo me tekstin origjinal.
Përkthimi teknik është modest për nga prestigji, por për shumë linguistë, shkrimtarë dhe publicistë është e vetmja mënyrë për të mbijetuar në rrethanat kur përkthimi letrar as paguhet mirë, as kërkohet nga tregu.
Përkundrazi, vleftësimi u besohet njerëzve që përkthimin nuk e kanë për profesion, por që idealisht duhet të jenë në gjendje të verifikojnë pajtueshmërinë e tekstit me tregun dhe konsumatorin e mallit që shoqëron teksti.
Këta përfaqësues të firmave të mëdha dhe të korporatave kanë formim gjuhësor të mangët, dhe kompetenca e tyre gjuhësore lë shumë për të dëshiruar. Është e vështirë, në mos e pamundur, që deri edhe t’u shpjegosh se ka disa mënyra për të thënë të njëjtën gjë – dhe se zgjedhja mes sinonimeve, ose varianteve gramatikore, është shpesh çështje shijeje ose konteksti.
Kështu, shqipja thotë njëlloj ngjitem në mal dhe i ngjitem malit, por jo i ngjitem çatisë – edhe pse ngjitem mbi çati tingëllon pak a shumë normale. Po ashtu, zbres shkallët dhe u zbres shkallëve janë njëlloj të pranueshme.
Edhe në terminologji ka luhatje të mëdha. Termi anglisht call (emër), me rëndësi kyçe në telefoninë celulare, mund të përkthehet njëlloj telefonatë dhe thirrje; e dyta ka përparësi ndaj të parës sepse është më e shkurtër, por e para është më precize për nga kuptimi, dhe zë vend mirë në familjen e termave që i referohen pajisjes bazë, ose telefonit (thirrës ende nuk ekziston).
Një nga problemet më të mëdha që i dalin përkthyesit, është se deri sa mund të abuzojë me poliseminë e fjalës shqipe. Kështu, gjithnjë në fushën e telekomit, folja marr mund të mbingarkohet deri sa të mos mbajë më: marr në telefon dikë, marr një mesazh, marr një foto (këtu më e saktë do të ishte nxjerr një foto); shtyp përdoret edhe për press, edhe për type; ruaj edhe për store edhe për save.
Ndërkohë, disa fjalë të anglishtes janë tepër të vështira për t’u përkthyer – po sjell si shembuj share (si folje), access (si folje dhe emër), available (si mbiemër). Në raste të tilla përkthyesi mund të parafrazojë, ose të improvizojë. Rëndësi ka gjithnjë që kuptimi i tekstit t’i arrijë përdoruesit sa më i plotë; dhe që terminologjia të përdoret në mënyrë konsistente. Përndryshe, është absurde të flitet për term të saktë dhe term të gabuar.
Vleftësuesi ose redaktori, nga ana e vet, e ka ndërgjegjen të qetë – për të përkthimi është i pasaktë ose i gabuar, në atë masë që i tingëllon jofamiliar. Meqë shpesh ky “specialist” nuk ka lexuar një libër në jetën e vet, kompetenca e tij gjuhësore do të jetë tepër e kufizuar dhe vetvetiu do ta refuzojë një tekst që i referohet një niveli gjuhësor më të lartë.
Kjo bën kështu që, si në incidentin e rrëfyer nga Pishaku, nivelin e komunikimit gjuhësor midis tekstit dhe përdoruesit final ta përcaktojë pjesëtuesi më i vogël i përbashkët, ose personi më inkompetent në krejt procesin e shndërrimit të tekstit nga një gjuhë në tjetrën.
Një nga rregullat bazë të përkthimit, që shpesh përkthyesit as qëpërpiqen që ta verifikojnë, do të ishte ripërkthimi i pjesës së përkthyer prej një të treti… dhe që aty të verifikohej kjo me origjinalin. Kuptohet që, nëse ndrshimet do të ishin të dukshme si në kuptim, por edhe në formë, atëhere ky s’do të ishte një përkthim.
Është një problem që, kush e ka provuar të përkthejë seriozisht diçka, e ka ndeshur herët apo vonë: Mungesa e një riferimenti, e diçkaje të uniformizuar për ta patur parasysh në krijimin e neologjizmave (fjalëve të reja), ku do të ishte i nevojshëm një bashkpunim i ngushtë i përkthyesit, specialistit ose njohësit të fushës përkatëse dhe gjuhëtarit… sepse ndodh që, për një fenomen të caktuar, ku përkthyesi mund ta ketë mjaft të qartë se përse bëhet fjalë si në shqip ashtu dhe në gjuhën e huaj, të ketë nevojë për fjalën e duhur në shqip (dhe këtu përfitoj nga rasti për të falenderuar Xhaxhain për kontributin dhe ndihmën e dhënë në një rast të veçantë).
Për përdorimin e fjalëve të huaja; është vërtetë acaruese të dogjohen fjalë të huaja me edhe pa vënd që karakterizojnë snobizmin që përmënd autori në fund të shkrimit. Jo vetëm që përdoren fjalë që ndoshta nuk ja u dinë as kuptimin, por edhe fjalë si ciao, trendy, week end etj. etj. që mund t’i ndeshim në ç’do cep të globit është i drejtë shqetësimi për përdorimin (moslënien në harresë) të fjalëve shqipe që fare mirë mund t’i zëvëndësonin.
Personalisht, si diletant në përkthime, nëse një fjalë nuk ma mbush mëndjen se plotëson të gjitha kushtet për të dhënë kuptimin e duhur, por edhe të zërë vënd ashtu siç duhet në një frazë kuptimplotë, “dorëzohem” dhe preferoj të mos tallem… me vehten dhe me të tjerët.
Është e neveritshme të shikosh “aventurierë” që i bijen për shkurt dhe fusin fjalën e parë që ju vjen ndërmënd në një përkthim… ashtu siç është shpesh qesharake të shikosh përkthime (në të vërtetë të bëjnë për të qarë) ku përkthyesi tregon që është një njohës i mrekullueshëm (vetëm) i fjalorit. Më vjen ndërmënd “i fori romani” e përkthyer si “vrimat e romës”, vërtet vaj medet (ose e përkthyer në italisht: olio con mare).
Nga një shkrim i fundit i botuar tek blogu Kolektiviza:
“E gjitha kjo e strukturuar sipas një volumetrie në formë L-je, ku notë e rëndësishme për kohën ishte orientimi i kënaqshëm lindje-perëndim, si dhe pajisja e interiereve me të gjitha kërkesat e luksit të kohës, dhomave me tualet të inkorporuar, sistem ngrohjeje të përgjithshëm, llozha të bollshme të pajisura me skerm mbrojtës të drunjtë, detaj dekori ky që ndihmonte edhe në konceptimin e fasadës”
http://kolektiviza.wordpress.com/2009/08/03/darka-e-fundit-e-hotel-dajtit/
Duket qe personi qe ka shkruar artikullin qe ti citon, Albana Tollkuçi, ka studiuar jashte Shqiperise pasi terminologjine e te pershkruarit te nje ambienti e ka te mesuar ne gjuhe huaj qe mundohet ta pershtas ne shqip.
Dhe une qe terminologjine apo thjeshte gjuhen e historise/teorise se artit e kam mesuar dhe perdor ne anglisht e kam tmerrsisht te veshtire ta pershtas ne shqip, dhe eshte nje nga pengesat e medha qe has ne te shkruarit ne shqip per ceshtje te cilat i kam mesuar ne anglisht. Por verej qe dhe ato qe jetojne e mesojne ne shqiperi duke mos pasur material te gatshem ne shqip po lexojne dhe mesojne per historine e zhvillimet e artit bashkohor ne anglisht apo italisht dhe kur shkruajne kane po te njejta mangesi.
Nqs personi qe ka studiuar jashte merr persiper te shkruaj per lexuesin shqiptar, atehere autorit i duhet kerkuar dhe duhet kushtezuar qe t`i pershtatet dhe respektoje lexuesit dhe jo anasjelltas. Une e lexova artikullin e Znj. Tollkuci mbi fatin e Hotel Dajtit, dhe per mendimin tim eshte nje artikull tejet i renduar si nga ana stilistike ashtu edhe nga ana sintaksore. Eshte aq e veshtire ta ndjekesh mendimin e gazetares, sa nga fundi ke pershtypjen se nuk mundesh me, mbasi ke vrapuar nja 10 km, e je pothuajse ne finish. Ne dreq, i thua vehtes, te veje tema, objekti, subjekti, apo dhe autoria vete, aq i lodhur ndjehesh.
Po kurioziteti gje e madhe, tha…
Fillova te kerkoj ne Google se mos gjeja se cfare formimi ka dhe ku kish studiuar Znj. Tollkuci. Thjesht per te kuptuar se pse shkruan aq rende, dhe se cila eshte gjuha ne te cilen eshte formuar, qe ka pasur nje efekt kaq te forte sa te transformoje deri ne percudnim gjuhen e nenes. Nuk gjeta gje.
Cfare gjeta, ishte nje artikull i vjeter nga e njejta autore, ne te cilen ajo perdorte nje reference te terhequr nga jeta publike e nje personaliteti amerikan.
Pakujdesia ne perkthim ndofta eshte nje pjese e pergjigjes qe kerkoja:
Varianti anglisht:
…”At the raising, William Maxwell Evarts, then U.S. Secretary of State, declared, “Who indeed can tell what our nation will do if any perversity is possible of realization; and yet this obelisk may ask us, ‘Can you expect to flourish forever? Can you expect wealth to accumulate and man not decay? Can you think that the soft folds of luxury are to wrap themselves closer and closer around this nation and the pith and vigor of its manhood know no decay? Can it creep over you and yet the nation know no decrepitude?’ These are questions that may be answered in the time of the obelisk but not in ours…”
Perkthimi nga znj. Tollkuci:
…”Në ceremoninë e ngritjes, Sekretari Shtetit William Maxuell Evarts i deklaroi turmës:
“Vërtet…, kush mund të thotë se ç’mund të bëjë një shtet n.q.s çdo lloj perversiteti ka gjasë të ndodhë? Dhe gjithsesi ky obelisk mund të na pyesë: Mendoni se do të lulëzoni përgjithmonë, pa kurrfarë rrënimi njerëzor?
A mund të pretendoni vërtet se mirëqënia vetëm do na paraprijë, dhe njerëzimi nuk do njohë humbje? A mund të plakeni ju, por kurrsesi kombi vetë? Këto janë pyetje që do të gjenin përgjigje veçse në kohëra faraonësh por kurrsesi këto kohëra nuk janë më tonat…”
Nuk e di a do te ishte e beshme qe diku ne PTF, ne menyre te perhershme, te ishin adresat e emaileve te redaktoreve dhe editoreve te gazetave te ndryshme shqiptare qe jane ne internet? Ndofta do te ishte me e lehte e me e mundur qe tu lihesh e ditur per rastet kur mendohet se shkrimet dhe shqipja e perdorur ne artikujt e botuara ne faqet e ndertuara, mirembajtura dhe botuara prej tyre, jane te nje niveli te papranueshem?
Thjeshte nje ide, por me duket e pajustifikueshme qe cilesia e nje blogu ne internet te jete me e larte se sa niveli i gazetarise i vendit perkates.
Sot, duke hapur Shekullin, lexova: Negociatat PD-LSI, riskojnë Ruli e Godo. Nuk ke çfarë t’i thuash kësaj gazetarje apo gazetari, besoj se edhe ajo/ai e kujptojnë se “riskojnë” nuk ngjet me artikullin e shkruar për shqiptarët, sado të pashkollë apo me mastera qofshin ato.
A thua ta kenë marrë nga ‘rischiano’? Mund të jetë e vërtetë, por këtu është një folje në gjuhën italiane.
Ata (G. Ruli dhe A. Godo) mund të rrezikojnë vendin e punës. Por as kjo nuk është se na jepet lajmi se Berisha do i gjejë një tjetër ministri ministrit të tij të suksesshëm. Në fakt, shkrimi do të thotë diçka më interesante, që tërheq vëmendjen e një udhëtari që po pi një kafé nën hije të Piazza-s (pranë Muzeut Kombëtar), apo neve që i shtojmë numërine lexuesve në internet (meqë Shekullin online na qënka më i vizituari nga gazetat shqiptare).
Ide nga një lexues.
1. Kujdes Ruli dhe Godo (ata që e flasin italishten kujdes me keqkuptimet).
2. Ruli dhe Godo rrezikojnë detyrat në qeverinë e ardhshme.
3. Ruli dhe Godo, rrezik!
… e shumë e shumë të tjera që ato që e kanë zanat dinë t’i përgatisin.
Une, nuk jam specialiste e gjuhes shqipe, as pretendoj se jam ne gjendje tu jap njohuri apo tu them te tjereve, me aq sa une vete di, se si e qysh duhet folur apo shkruajtur. Ajo, qe gjithmone kam kerkuar nga vetja, qe ne shkolle fillore, ka qene deshira per ta folur e shkruar gjuhen sa me drejte, sakte e bukur. Ndoshta, bukurshkrimet, leximet jashte klase ne menyre intensive apo edhe ora e hartimeve, kane qene shtysa te forta, te cilat kane ndikuar fuqishem ne kete drejtim. Jemi brezi, i cili ka qene ballafaquar me kerkesa, deri diku te forta, kundrejt programeve shkollore, ku edhe deshira per lenien e ndonje ore mesimi, do ndeshkohej paq, duke tu bere mesim per heren tjeter, e pra, doje apo s’doje ishe i detyruar, ne mos per tjeter gje, te pakten te lexoje apo te beje detyrat e shpise.. 🙂
Cfare dua te them eshte fakti qe gjendja e gjuhes shqipe, per fat te keq, sot, eshte kjo qe eshte e qe me te drejte, perben nje shqetesim shume te madh per sapecialistet e fushes. Problemi dhe pyetja ime eshte: Cili do jete “Guri i Ktheses”, qe do t’i detyroje, fillimisht specialistet, per tu marre seriozisht me gjuhen, e pastaj, per tu shtrire ne menyre harmonike e hap pas hapi ne te gjithe sistemin e gjuhes se folur e te shkruar?? Ketu, nuk eshte fjala vetem per ata qe e kane per detyre ta flasin e shkruajne bukur, qe nga gazetaret apo folesit e Radio/TV-ve, mesuesve te shkollave fillore apo edhe te mesme (shpesh te befasojne me injorancen e pashembullt), e deri tek perkthyesit apo botuesit (amatoret apo edhe ata qe e kane kthyer ne biznes); ketu fjala eshte per gjuhen si organ jetesor i kombit, e cila na identifikon, na jep hapsiren per tu shprehur e marre vesh me njeri tjetrin, pra, komunikuar por, ne menyre te drejte e korrekte. Nuk na lejohet ta shkelim e perdhosim kete vlere, duke e perçudnuar deri aty sa, tentojme te lexojme nje shkrim ne gazete dhe kuptojme nje hiç, blejme me deshire nje roman te perkthyer apo çfaredo lloj zhanri, lexojme, kerkojme te kuptojme, por do na duhet harxhim kohe dhe energjie, per t’i nxjerre kuptimin fjalise, derisa, te merzitur e leme menjane, pasi kuptojme qe na lodh perkthimi, aspak profesionist,apo ca me keq akoma (fenomen i dhjetevjecareve te fundit, ky), bashkebisedojme me new entry-t, i degjojme por…aha, nuk i marrim vesh, per asnje llaf… E keto, jane çeshtje te shtruara per zgjidhje, por qe zgjidhje nuk po gjejne. Prandaj, edhe pyetjen e shtroj, pasi duke jetuar cdo sekonde te jetes ketu, ne Shqiperi, kuptojme apo ndergjegjesohemi qe limfa e komunikimit, sikur po tjetersohet; vandalizmat e gjuhes, behen dominante mbi te (per te mos kaluar ne perdorimin e fjaleve te huaja, pa vend). Nderhyrja e autoriteteve dhe strukturave mirefilli te specializuara per kete qellim, po vonon dhe sa me shume kjo vonese merr kohen e çmuar, aq me fatkeqe do te jete gjuha! Interesante, megjithate, eshte fakti qe nje pjese e specialisteve te fushes (atyre qe mund tu degjohet fjala), duket sikur jane kthyer tashme ne manekine te politikes dhe nuk ngurrojne kurrsesi te replikojne ne distance me njeri tjetrin per cfaredo lloj prekje te interesave te tyre te ngushta. Ndoshta, do te fitonin shume me teper besueshmeri dhe simpati, sikur ndokush prej tyre, te imponohej e te kerkonte me çdo kusht, qe te pakten, nje emision i Opinion apo Shqip, etj, t’i kushtohej mirefilli, pikerisht diskutimit mbi gjendjen dhe gjetjen e rrugeve te zgjidhje per problemet e gjuhes shqipe, p.sh.
Ky eshte vetem nje shqetesim, pare ne kendveshtrimin tim dhe per me teper, koment i shkruar me pak nxitim.
Lamtumirë Fjalë!
(Polemikë apo elegji?)
1.
Në librin Brihadaranyaka – Upshanishad , gjendet fabula e Hinduve ku përshkruhet fragmenti i zbërthimit të fjalëve “Datta, dayadhvam, damyata”, fjalë që lëshohen shpateve të malit Himavant, njërit prej përbërësve të maleve Himalaje, fjalë që zbresin mbi qeniet njerëzore nga maja më e lartë e planetit, përpos zërit të bubullimës. Fabula flet për zotat e njerëzve dhe demonëve, që me radhë iu lutën at Prajapatit me fjalët “Folna , o Zot!”. Çdo grupi të veçantë Ai ia kthehu përgjigjen me një të vetme rrokje: “Da”. Secili syresh e shkoqiti atë rrokje të vetme të bubullimës sipas mënyrës së vet. Disa prej njerëzorëve e interpretuan si fjalën “Datta” (që do të thotë: jap lëmoshë). “Da” tha bubullima, dhe të tjerë e interpretuan si fjalën “Dayadhvam” (që do të thotë: ushqej dhembshuri). Të tjerë nuk nguruan ta interpretojnë madje si fjalën “Damyata” (që do të thotë: ushtro vetëpërmbajtje). Pra me një rrokjezim të vetëm të Fjalës së Qiellit, u gjithpërfshinë dhënia e ndihmës, dhembshuria dhe vetëpërmbajtja.
2.
Fjala në të folmen zakonore shqiptare, në këngët epike dhe legjendat, ka një karakter të gjithëpushtetshëm mbi ndërgjegjen e çdo individi, si të jetë e diktuar prej së larti, ku çdo funksion i saj ndërlidh fate jetësh njerëzore. Shprehjet “I kam dhënë fjalën”, “Ia kam marrë fjalën”, “Fjala vret më tepër se pushka”, “Fjala shëron”, “Jam në besë të fjalës”,etj, i japin fenomenit Fjalë, një karakter mitologjik ndër shqiptarët. Fjala, për Grekët e lashtë do të thotë Logos, dhe “logos” përfshinë çdo lloj komunikimi. Mund të shqipërohet edhe si Mesazh. Te Ungjilli sipas Gjonit thuhet: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë. Në fillim, (kur Perëndia krijoi gjithçka), tashmë ishte Ai që quhet ”Fjala”. Ky kishte qenë gjithmonë me Perëndinë dhe ishte vet Perëndi. Në Atë është jeta; dhe jeta ishte drita e njerëzve… Dhe Fjala u bë mish, dhe jetoi mes nesh, dhe ne pamë lavdinë e Tij, Lavdia e të vetëlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” Për Shën Gjonin Fjala ka një domethënie të tillë saqë ai e përdor për ta njëjtësuar me Krishtin, por njëherazi, ajo shërben për të siguruar identitetin e qenieve njerëzore, shkruan Dr. Hart Wegner.
3.
Me tingujt e parë të zilkave diabolike të celularëve që njoftuan mbërritjen e kohëve moderne dhe ndërprerjen e fjalës burrërore të bisedave në mes miqsh; me betonimin e pa shpirt të bregdetit të Durrësit ku gjysma e tabelave mbartin emra të huaj dhe gabime drejtshkrimi; me ndotjen e ujërave dhe dhunimin e shtratit të lumenjve; pothuajse qiellgërvishtjen e plotë të Tiranës; me shkatërrimin natyral dhe arkitektonik në mbarë vendin; me kufizimin e pamjes ku të merr malli të përqafosh një degë të vetmuar pishe, apo të puthësh një lule të vetme, që përbën shpirtin e ekzistencës; me konservimet e mërzitshme televizive dhe me mishin e tymosur të fjalëve mediatike; me kompjuterizimin dhe dixhitalizimin e të menduarit të lirë; me asfiksimin e gjuhës shqipe në bunker; Fjala, gjithmonë e më pak ngelet e gjallë ndër libra të bukur-shkruar; edhe këta dyshues disa herë në krahasim me epideminë që rritet duke zbehur imunitetin shpirtëror të një brezi rinor që pothuajse nuk shfleton asnjë faqe letrare, që ushqehet nxitimthi me hormonet e sandviçit të shpejtë, Made in McDonnald’s, të globalizmit të atij brezi që haptazi e konsideron poezinë si ushqim që u bie shtëng në stomak, dhe që u djerrit kohën e ekspozimit të llapës që shpërvilet ditë-kafeneve.
4.
“Mendoj se poezia e vërtetë, shkruan Xhim Morrison, nuk përpiqet të thotë, ose deklamoj, diçka. Ajo thjesht të jep çelësin e mundësive, ose përzgjedhjeve. Të hap të gjitha portat. Ti mund të hysh në cilëndo prej tyre që e ke të hapur përpara vetes, dhe që e shikon të arsyeshme. Dhe është kjo besoj arsyeja e vetme, që arti poetik ka kaq shumë vlera sepse të drejton drejt përjetësisë. Ai është i përjetshëm. Për aq kohë sa njerëzimi do të ekzistoj do të ketë fjalë, dhe kombinime artistike fjalësh. Asgjë tjetër, nuk mundet të mbijetojë kundrejt shkatërrimit total përveç poezisë, vargjeve dhe këngëve.”
5.
A ka ardhur koha të themi: Lamtumirë Fjalë!? A duhet konsideruar kjo, si një polemikë, nga ana jonë, që e mbajmë ende veten të shtrënguar fort, me besë e me shpresë, brenda besimit të urdhrit të Fjalës? Brenda familjes së nderuar të bibliofilëve. Apo mos thjesht diskutimi ynë ka trajtat e një elegjie pak çaste përpara se terri të bjerë ngadalë? Unë kam besimin se do të jemi gjithmonë mirë brenda kufijve ku idetë tona mbeten tërësisht njerëzore. E meqenëse Fjala, e ka gjithmonë me vete këtë bekim, për të qenë ashtu si ne, e pagëzuar me frymë përjetësie në të ardhme, e përbërë prej mishi e prej gjaku në të tashme, gjithmonë: Për aq kohë sa njerëzimi do të ekzistojë, atëherë, do të kemi vazhdimisht këngë dhe poezi në sofrën e shoqërisë. Në qoftëse fjala e bukur e poezisë, ka shtënë tek ju urtësisht diçka, pa fuqimisht asgjë, ose energjikisht gjithçka, ka ndodhur pikërisht sepse ajo ka përcjellë tek njërës të ndryshëm reflektimin e kufijve të karakterit planimetrik të arkitekturës së shpirtit të gjithsecilit, të atyre rrugëve që pikërisht ata kanë parë, thellësisht kanë ndier, totalisht kanë dëshiruar, ende vazhdojnë të ëndërrojnë, të pasqyruara në to.
*Kumtesë me rastin e promovimit të librit “Lamtumirë fjalë” të Dr. Hart Wegner.
“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë. Në fillim, (kur Perëndia krijoi gjithçka), tashmë ishte Ai që quhet ”Fjala”
Ne fillim ishte folja,e folja ishte afer Zotit dhe folja ishte zoti.
Duhen me mijera faqe filozofike te zbertheht kjo fjale e Van gje lo,sipa Gjiovanit 1,1-18.
Zberthim i thjeshte mekanik do te vinte ne llojin tim te te menduarit;
di*di-dio*dio.
Ja një shembull tipik i konfuzionit terminologjik.
Në sajtin zyrtar të Microsoft gjendet, mes të tjerash, krejt arkivi i teksteve të Microsoft Windows të përkthyera në shqip.
Meqë këto përkthime janë miratuar nga Microsoft, përkthyesit e materialeve informatike janë praktikisht të detyruar t’i ndjekin, së paku për sa i përket terminologjisë.
Një ditë m’u desh të kërkoja një përkthim për termin tray, i cili përdoret për të shenjuar një pjesë të printerit (paper tray), por edhe një pjesë të ekranit bazë të Windows (system tray).
Gjeta këto përkthime:
Tray – Shtrati
Tray – Tabakaja
Upper Tray – Tabakaja e lartë
Upper Tray – Shtrat i sipërm për letra
Default Paper Tray – Mbajtësja e parazgjedhur e letrës
Casette Tray – Tabakaja e kasetës
E kështu me radhë. Të gjitha këto përkthime, pas gjase, i referohen terminologjisë së printerit.
E keqja këtu është se i njëjti objekt në printer emërtohet në tri mënyra të ndryshme – dhe kjo inkonsistencë ka mbijetuar deri në faqen zyrtare të Microsoft-it, çka nuk duhej të kishte ndodhur.
Po ashtu, përkthimi i Casette Tray është i gabuar (por këtë nuk po e diskutojmë këtu).
Për mua, nuk ka asnjë arsye të përdoret si term fjala e vjetëruar tabaka; do të mjaftonte shtrat, term i cili i përshtatet edhe përdorimit tjetër (system tray).
Natyrisht, tabaka, mbajtëse (e letrës) dhe shtrat, si përkthime të tray, vijnë nga përkthyes të ndryshëm – prandaj këtu fajin e kanë redaktorët e faqes, të cilët nuk kanë treguar profesionalizmin e duhur, pse nuk e kanë njësuar terminologjinë.
Pavarësisht nga fajtorët, është e papranueshme që nesër përdoruesit e Windows në shqip ta gjejnë tray të përkthyer si tabaka në tekstet e sistemit operativ, mbajtëse (e letrës) në tekstet e Outlook, dhe shtrat në tekstet e Microsoft Office.
Si t’u vësh pastaj faj, kur preferojnë gjuhën e huaj?
Xha xha,
Ky postim i fundit i yti të lë përshtypjen se je i mendimit që Microsoft-i është “standardi” që duhet ndjekur këtu. Ndoshta kjo “bindje” duhet riparë nën dritën e vëzhgimit të Pishakut:
“… furnizuesit të huaj nuk i intereson aspak fati i gjuhës shqipe…”
Ndoshta nuk duhet të flas unë, ngaqë jam tashmë i zbuluar ndaj qesëndisjes se “kam konflikt interesi”, por nuk ia dal dot ta mbaj gjuhën lidhur për këtë çështje.
Bujk, në fakt u nisa nga disa konsiderata praktike; një numër kompanish të mëdha përkthimi në lëmin e informatikës u kërkojnë shprehimisht përkthyesve që të ndjekin terminologjinë e Microsoft.
tray / emer.
Nje cope e llojit flètë, prej plastike,metali,xhami ose druri me buze te ngritura,e perdorur per te mabajtur gjera si pjata ,ushqim,letra,dokumente etj.
Kur themi “paper tray” si duhet kthyer?.”Shtrati I letres” apo “tabakaja e letres”?Do te ishte me mire te perdorej “Shtrati i letres”.
Mendoj qe keshtu,sepse “tray” dhe “shtrat,shtrij,shtrese” kane nje origjine te perbashket ndertimore.Kemi nje shtese ne Shqipe te “s” te kthyer ne kalim fonetik “sh”.Lumi ka shtratin e tij ku udhezohet,njeiru ka shtratin e tij te fjetjes,I cili e mban gjate kohes se gjumit.
Kuptimi i “tabaka”-se eshte me i ngushte ne gjuhen shqipe.Sherben vetem per te mbajtur gota uji, rakie,pijesh te ndryshme,filxhane kafeje,pjata te vogla reçeli.
Nese duhet te vendosim ate fjale qe ka kuptimin me te drejte per nje rast teknik duhet patjeter te njohim me thelle menyre sesi shqipja e ka ndertua ate.
indirekte
promovuar
uzurpojnë
podiumin
prestigjit
kolapsit
didaktik
akritike
protagonistët
Shume bukur. Flitet dhe llomotitet me faqe te tera per ruajtjen e gjuhes shqipe, dhe nga ana tjeter nuk merret vesh per ke llomotitet. Im ate nuk e merr vesh gjuhen e ketij shkrimi. E megjithate, me ka bere be e rrufe se edhe ai eshte shqiptar.
Atehere, cili nga te dy e ka lene udhen e shqipes : im ate apo Pishak Zhgaba ?
Në rast se e kam kuptuar mirë, ironia e … mund të thuhet ndryshe në këtë mënyrë: “Pishaku flet për ruajtjen e gjuhës shqipe, por nga ana tjetër përdor fjalë të huaja”. Me fjalë të tjera, ka mungesë koherence midis asaj që predikon dhe asaj që bën.
Përdorimi i fjalëve të mësipërme dëshmon se nuk jam purist fanatik, çka do të thotë se përpiqem të shkruaj një shqipe të pastër pa i kërkuar pasaportën indoeuropiane fjalëve të ndryshme. Kur më lipsen, përdor edhe fjalë të huaja.
Megjithatë, për t’iu përmbajtur objektit të kundërshtimit, konsultova “Fjalorin e shqipes së sotme” (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1984), i cili nuk mund të akuzohet nga askush për largim nga udha e shqipes.
Shumicën e fjalëve të cituara më sipër e gjeta në Fjalor.
Po jap vetëm numrin e faqes, po ju kursej shpjegimin sepse kam respekt për lexuesit e këtij blogu: Prestigj (f. 956), podium (f. 940), uzurpoj (f. 1305), didaktik (f. 201), protagonist (f. 964). Fjalët e tjera, edhe pse nuk jepen nga Fjalori i 1984-s, i përkasin tashmë përdorimit të përditshëm të shqipes. E kam fjalën për promovoj, akritik, kolaps, indirekt.
Tjetër nuk di ç’të shtoj, veçse t’ju rekomandoj të përditësoni njohuritë tuaja për gjuhët në përgjithësi dhe për shqipen në veçanti. Ky blog mund të ishte tejet i vyeshëm në këtë drejtim.
Fjalori i 1984 ?!
Dhe pastaj me thua mua te perditesoj njohurite ? Mire.
Nejse. Shume mire. Para partizane.
Nderkohe une po vij prapa me gjuhen e gjyshes sime, te babait tim, te nenes sime. Te me ndjeni, por do te rri koketrashe.