Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Sociologji

PËRZGJEDHJA ME HESHTJE

Shpjegimin më intuitiv të së ashtuquajturës shmangie për shkak të mbijetesës (survivorship bias) e kam gjetur te Nassim Nicholas Taleb, autori i Mjellmës së Zezë.

Bixhozçinjtë e regjur, thotë autori, zakonisht besojnë se fillestarët ose rishtarët në bixhoz kanë shumë fat, i cili pastaj me kohë i braktis. Këtë e konfirmon lehtë, po të intervistosh bixhozçinj çfarëdo në kazino, të cilët të gjithë do të pranojnë nga përvoja e tyre vetjake se, kur filluan të luanin, u ecte loja për bukuri.

Në fakt, shpjegon Taleb, kemi të bëjmë me një shembull pak komik të shmangies për shkak të mbijetesës: meqë edhe besimi në fatin e bixhozçiut rishtar i ka rrënjët në një iluzion statistikor; ndërsa në të vërtetë, fati i bixozçinjve nuk lidhet fare me eksperiencën e tyre në lojë, as ka arsye të lidhet.

Si shpjegohet atëherë bashkëlidhja statistikore? Fare lehtë – duke arsyetuar se, nga bixhozçinjtë buzëqumësht, vetëm ata që u eci fati vazhduan të luajnë, ndërsa të tjerët jo më. Karakteristikat e përbashkëta të popullatës së sotme të bixhozçinjve – mes të cilave edhe sa kanë fituar kur kanë filluar të luajnë sefte – janë produkt i përzgjedhjes (seleksionit) në kohë.

Sa herë që vizitoj forume të lira e të hapëta shqiptarësh në Internet, pyes veten – pse xhanëm jemi kaq kokëtrashë, kapadaij dhe të paditur? Mirëpo forumet e lira të Internetit nuk përbëjnë ndonjë kampion të saktë të shkallës së inteligjencës ose të kulturës të shqiptarëve; përkundrazi. Njerëzit që i vizitojnë e që i lexojnë janë normalë, si ti dhe unë; ndërsa ajo pakicë që shkruan shpesh e u jep diskutimeve kutërbimin prej gjirizi janë një pakicë e përzgjedhur; por jo sipas inteligjencës, as sipas edukatës.

Pyetja ndoshta duhej shtruar kështu: pse janë pikërisht kokëtrashët, kapadijtë dhe të paditurit që u japin tonin forumeve? Ose edhe e kundërta: pse ata të tjerët, ata që kanë diçka për të thënë, tolerantët, të diturit, mendjehollët, ata që kanë sens humori, ata që përpiqen ta lexojnë e ta kuptojnë tjetrin e kështu me radhë, stepen dhe parapëlqejnë të heshtin?

Heshtimi

Heshtimi

Apo edhe ata u ngjajnë bixhozçinjve rishtarë, por të pafat, që largohen nga loja, pasi dalin si rruar qethur?

Shembuj të shmangies për shkak të mbijetesës i gjen kudo që të kërkosh.

U diskutua te Peshku pa ujë, ditët e fundit, rreth romanit Vendi ku nuk vdiske kurrë, të Ornela Vorpsit; një roman që, ndoshta i vetmi në sens absolut, arrin të shpalosë në mënyrë lapidare kënetëzimin shpirtëror dhe moral të rutinës ndër shqiptarët gjatë viteve të totalitarizmit.

Këtu nuk po dua të ndalem në analizën e romanit; por në pyetjen legjitime që u bë disa herë gjatë diskutimit më lart: ç’i shtyn shqiptarët të flasin e të shkruajnë me kaq përbuzje, madje neveri, për vendin e tyre.

Pyetja e sjell përgjigjen me vete: i shtyn shmangia për shkak të mbijetesës. Sikur një autore e re si Vorpsi të shkruante për Mamica Kastriotin, Avni Rustemin, Eqrem Bej Vlorën dhe Ismail Qemalin, flamurin me zhgabën dykrenore, natyrën e mrekullueshme të Alpeve, ose trimërinë dhe besën e shqiptarit, libri i saj do të kishte mbetur në sirtar të redaktorit të shtëpisë botuese.

Suksesi i romanit të Vorpsit i detyrohet kështu sa veprës vetë, aq edhe publikut në Perëndim që kërkon ushqim të tillë letrar, jo epika si të Lahutës. Nëse lexuesit veprojnë kështu ngaqë teksti i Vorpsit ua konfirmon bindjen se imigrantët shqiptarë në Itali janë produkt i gjymtuar i shpellave të Ballkanit totalitar, ky është problem i publikut italian, jo i shkrimtares shqiptare…

Njëlloj mund të përsiatet edhe se lexuesi që do t’i qaset veprës së Vorpsit në Perëndim, do ta bëjë këtë me disa pritje të caktuara, të cilat nuk mund të merren si përfaqësuese të publikut perëndimor në përgjithësi.

Përgjigje e ngjashme mund t’i jepet edhe pyetjes tjetër që dëgjon ndonjëherë, për filmat shqiptarë që duket sikur janë sajuar e stisur në mënyrë të tillë, që t’i pëlqejnë e t’i shiten publikut të huaj, jo atij tonit. Për fat të keq, janë pikërisht ato projekte që arrijnë të realizohen (me fonde të institucioneve të huaja), ndërsa të tjerat, ato që do t’u pëlqenin kombëtaristëve, nuk e kapërcejnë stadin e dëshirave të mira…

Për ta thënë ndryshe, jo çdo kampion i një popullate është ipso facto kampion përfaqësimtar i asaj popullate.

Duke mbajtur parasysh shmangien për shkak të mbijetesës si faktor përcaktues, mund ta marrim më lehtë me mend pse kanë cilësi kaq të mjerë shumë produkteve informative dhe kulturore që vijnë sot nga Shqipëria – duke nisur me mass mediat.

Për shembull, pse janë mediat e Tiranës kaq të politizuara?

Sepse mediat e papolitizuara nuk kanë mbijetuar dot.

Pse shpesh sillen si klounë të ftuarit në debatet televizive? Sepse po të ndiqnin debatet televizive rregullat e logjikës e të mirësjelljes, publiku do të ndërronte kanal.

Pse janë politikanët shqiptarë kaq të pafytyrë?

Sepse ti që po më lexon ndoshta edhe duke më dhënë të drejtë, nuk do ta përballoje dot trysninë e jetës politike sot në Tiranë.

Shmangia për shkak të mbijetesës ndihmon kështu edhe për të të kujtuar se, edhe sikur ti të heqësh dorë nga çdo lloj përpjekjeje për të ndikuar mbi ecurinë e historisë (ngjarjeve), realiteti ndaj të cilit ti tregon këtë farë neverie mbetet, dashur pa dashur, i varur prej zgjedhjeve, vendimeve, parapëlqimeve, madje përzgjedhjeve të tua.

Me fjalë të tjera, mos pyet kot për kë bie këmbana.

35 Komente

  1. Nga Nipi,
    (Ju lutem, qe, meqe po mbeshtes disa nga tezat e Xhaxhait, te mos kujtoni se e bej vetem per lidhjen farefisnore emerore midis Xhaxhait dhe Nipit.)
    1. Shkruan Xhaxhai se koketrashet u japin tonin forumeve: fatkeqesisht eshte shpesh keshtu: psh edhe ne 1997 nuk eshte se 2 milione shqiptare bene grusht shteti, mjaftoi nje pakice “revolucionare”, qe e tundi dhe e perpoq qe ta ndante e perçante vendin; e keqja eshte se kjo pakice ishte tejet e organizuar dhe e ndare ne menyre te barabarte tek ata qe qeverisnin dhe tek ata qe kerkonin rrezimin e qeverise.
    2.shkruan Xhaxhai per romanin e Vorpsit dhe prek disa tema:
    a.perbuzja e shqiptareve per vendin e tyre,
    b.per suksesin e romanit.
    2.a.Nganjehere perbuzja dhe sharja e vendit tend behet mode, per perfitim, nga padija, nga deshira per t’u dukur parimor e objektiv.
    Ndoshta kjo rrjedh edhe tek deshira per t’u dukur snob, elitar, per te nenvizuar se, ai qe ben kete, ka dhene kaq e kaq shume per kombin e shtetin, sa edhe po ta lendoje pak per qellime te mira, kjo gje i tolerohet. Une mendoj, dhe them, dmth shkruaj, se, (duke i mbetur gjithmone besnik parimit, qe te garantoj te drejten e shprehjes se mendimit, edhe me jeten time, edhe sikur mendimi yt, te me vrase, pastaj) kete te drejte, lajthitje, mund t’ia lejonim deri diku Konices, sa per te thene nje emer, per te tjeret….
    2.b.pranoj se nuk e kam lexuar ende romanin ne fjale, dhe e pranoj kete mangesi timen letrare.
    Por me vjen ne mendje se shume autore shqiptare kane bere buje per temat e veçanta shqiptare qe kane trajtuar, per botimet ne Shqiperi dhe per perkthimet jashte.
    Psh temen e gjakmarrjes e kane trajtuar Koliqi, tek novela “Gjaku”, D Agolli tek “Njeriu me top”, Kadare tek “Prilli i thyer”, … si edhe nje roman i realizmit socialist me titullin “Lindita”, nqs kujtoj mire titullin meqe s’e mbaj mend emrin e autorit. Nga keta tituj vetem Prilli i thyer, si pothuajse gjithe veprat e tjera te Kadarese, kane pasur sukses ne tregun nderkombetar.
    Dhe sigurisht tregu i huaj parapelqen autoret, temat, librat dhe gjinite e letersise qe jane “te perkthyeshme”.
    Dhe, persa u perket temave kujtojme vetem ecurine e Gjeneralit te ushtrise se vdekur: i botuar e perkthyer ne France, u kthye edhe ne film ne France, ndoshta nje kundervenie letraro-politiko-kinematografike e “Betejes se Algjerit”.
    Kemi parasysh se eshte nje nga veprat me te mira te shekullit te kaluar ne rang boteror, dhe vetem per te Kadarese duhet t’i jepnin 99% te çmimit Nobel.
    3. per debatet televizive.
    me televizionet komerciale, pra me kanalet private, do te ishte e kuptueshme taktika e se veçantes, e provokimit, e gjithçkaje qe terheq vemendejn e publikut dhe qe e mban te gozhduar para ekranit: pra dy politikane shahen, zihen me grushte ne parlament, ne kafaz konkurrentet kapen prej flokesh, ne nje studio te programeve sportive vijne telefonata qe shajne nga “robt e shpise” sulmuesin qe humbi penalltine: dhe aty une fus reklamen per pijen freskuese,pluhurin lares, pasten e dhembeve, etj,etj; por… por… per ne Shqiperi me del nje pyetje tjeter: a jane vertet keto kanale televizive komerciale?
    pyetjen dhe pergjigjen negative ma nxjerr numri tejet i larte i kanaleve per numrin e popullsise, dhe paqartesia (qe kam une) ne bilancin e tyre. Pra, ndoshta, vete kanalet televizive, jane nje reklame e grupimeve ekonomike, financiare, politike,etj. Aty hidhen para, pa pasur as pretendimin me te vogel se do te kete ndonje fitim te drejtperdrejte, por jane vetem nje kujtese per pranine e forces se dikujt qe i mban gjalle.
    4.politikanet shqiptare te pafytyre?
    ajo qe me beri pershtypje ne zgjedhjet e fundit ishte prishja e aleancave “natyrore” dhe krijimi i aleancave te perçudnuara, para, gjate dhe pas zgjedhjeve;
    si edhe
    komenti i rezultateve (??!!) me votimet ende ne vazhdim:
    besoj se Shqiperia eshte nje nga rastet e pakta ne Evrope (apo i vetmi) ku lejohet komenti 24 ore rrjesht edhe gjate kohes kur vazhdojne votimet, qe, per mendimin tim eshte antiligjore, meqe ne kete menyre ndikohet votimi, ose me qarte vazhdon propaganda zgjedhore.
    pra, ku ta gjejne “fytyresine”, kur nuk jane ne gjendje te caktojne bashkarisht as rregullat e lojes.
    Jeta politike shqiptare eshte shembull i nje ndertimi shume te ngadalte te demokracise parlamentare, ku ende mbizoteron dhuna, improvizimi, diletantizmi, paaftesia, papjekuria: prej ketu edhe pafytyresia,mungesa e aftesise qe te flitet per loje politike dhe jo per ndeshje politike,per kundershtar dhe jo per armik politik, per programe politike dhe ekonomike, per kontrata transparente me zgjedhesit, per ndertimin e nje burokracie qe t’i sherbeje shtetit dhe bashkesise dhe jo nje force te caktuar politike; per politikane qe te paraqesin çdo fundviti te ardhurat qe marrin nga angazhimi ne jeten politike, dhe qete mos çirren e te mbrojne aferet e familjareve te tyre qe nuk dihet se si, jane sipermarresit me te medhenj ne vend, etj, etj.

    Nipi

    1. Kam përshtypjen se përbuzja për Atdheun ka një farë “tradite” këtu tek ne, p.sh. Konitza me Shqipëri moj të kam dhjerë, s’të kuptova asnjëherë….. ose edhe kadareja, me Vijmë nga xheneti, shkojmë në xhehnem, Shqipëri moj kuçkë, ç’na bëre verem… natyrisht nuk kam cituar shumë nga gjenijtë e kafeneve që rrinë ke Blloku dhe bëjnë gjithfarë bisedash gjeo-politike plot kripë mbi identitetin europian të shqiptarëve dhe prejardhjen shqiptare të europianëve.

      1. Ba, kam frikë se teksti i Kadaresë nuk e ka vendin këtu; janë fjalë të një kënge që e këndojnë disa personazhe…

        1. Xha, rima është aq e bukur sa kam frikë që Kadaresë i ka dalë e ndjerë nga thellësia i shpirtit. Nejse, e di dhe unë që kënga dilte nga goja e haxhiqamilistëve, njerëz që pak si padashur kanë vrarë nja 200 dervishë, në mos gaboj. Kam përshtypjen se shpesh Kadareja e identifikon veten me personazhet e tij “negativë” ose jo (përjashto të deklasuarit, të cilët deri para viteve ’90 i urrente dhe përçmonte, ndërsa tani i përçmon dhe urren), por kjo bisedë nuk e ka vendin këtu.
          Nejse, nuk dua të bëj rolin e detraktorit të Kadaresë. Ndoshta e kam fajin unë që ai nuk ka për ta marrë ndonjëherë Nobelin. Këtë e them pa atë gëzimin e lig me fërkim duarsh nga kënaqësia.

  2. ”””Për shembull, pse janë mediat e Tiranës kaq të politizuara?””’

    Mediaseti eshte i politizuar, Raitre perhere i komunisteve, Raiuno e Raidue varet se kush eshte ne pushtet.
    La7 vazhdon te jete i hebrejve.

    Pergjigje:
    Sepse mediat e papolitizuara nuk kanë mbijetuar dot.

    ””’Pse shpesh sillen si klounë të ftuarit në debatet televizive? ””
    Njefare prof. Zecchi e i famshmi Zgarbi, japin perhere spektakel e thirren shpesh, po ashtu Gasparri e La Russa (te dy ministra) kane qene perhere spektakolare.

    Pergjigje:
    Sepse po të ndiqnin debatet televizive rregullat e logjikës e të mirësjelljes, publiku do të ndërronte kanal.

    I vetmi ndryshim eshte se tek ne mungon , si mund ti thuhet njefare klasi, ngaqe tregojme me shume emotivitet dhe jemi te prirur te censurojme, cka e kane deshmuar rregullisht edhe forumet, perfshire ato te gazetave.

    Nuk eshte se ne tregojme emotivitet vetem ne nje pike qe e kemi perzemer, por ne cfaredo teme, ne cfaredo bindje edhe ne qofte e paperligjur nga realiteti apo vlera e argumenteve mbrojtes.

    Emotivitetin mund ta zbusim vetem neqoftese jemi ne kontakt te vazhdueshem me mendimet e kunderta, biles disa nga politikanet tane jane pararoje ne kete pike, mjaft ta krahasojme me debatin e ashper Kadare-Qose, apo me likujdimin prej Kadarese te disa ‘pseudo-intelektualeve’ dhe anasjelltas.
    Mire Kadareja se mendon se eshte ‘Pontifex Maximus’ i kultures shqiptare dhe kur flet ‘ex cathedra’ e quan veten te pagabueshem, po semundja e pagabueshmerise jo vetem eshte shume e perhapur por edhe ngjitese.

    Njehere lexova te ‘Shekulli’ nje koment vertete te sinqerte : Edi Rama per mua eshte Mesia.

    Persa i perket shmangies per shkak te mbijeteses ne nivelin e ngritur ketu, jane te pakte ata persona qe mund ta perdorin si alibi, nuk me duket fenomen masiv.
    Biles do thoja qe nder intelektuale bie ndesh me te ashtuquajturen ‘ndershmeri intelektuale’, por kjo sdo te thote qe ndershmeria ne rrethana te caktuara nuk eshte e demshme, si gjithmone duhet hecur me idealtipe.

  3. Shpesh degjoj te flitet per :”La fortuna del principiante”,ose fati ifillestarit….Rasti i Vorpsit nuk eshte ky mendoj.Vorpsi thjesht kenaqi pritshmerine e lexuesit..qe .donte primitive ,trafikante ,kurva e ku di une…Vorpsi ua serviri si kamerieria me mire….Fat do ishte sikur libri te kishte nje nivel artistik te papritur,sikur te kishte nje nivel te tille qe nuk pritej prej Vorpsit.Libri eshte tejet medioker.

  4. Jemi ne shekullin ku shumica qe blen detyron pakicen qe shet.Zmadhimi i popullsive me baze te njejte gjuhesore,predomini i shteteve te ketyre popullsive ne rajon e ne bote rrit mundesine e sheshezimit te shijeve.Mediokriteti do te ishte lule.
    Me ka bere pershtypje qe kjo tendence po ndryshon edhe gjuhen.Gjuha po turbullohet dhe eshe duke u bere me shume shitese-blerese.Ata qe shesin mundohen sa me shume te perdorin gjuhen “mashtrim mendimor”,ndersa ata qe blejne ku[tojne vetem pjese te vogla te kesaj si “cmimi ulet 70 %”,”Ble nje dhe merr 2 te tjera”,pa bere llogarine qe keto dy te tjera jane futur ne menyre tjeter brenda cmimit.Nuk kuptojne kaq kalkum te thjeshte aritmetik te klasave te fillores.Ne fakt me llogaritje te arithmetikes fillestare eshte “Ble nji dhe paguan dy te tjera”,kur ato dy te tjera ndoshta nuk ta ka qejfi ti blesh.Por ai i b len,sepse kujton se i ka falas.
    Ndersa forumet e lira jane kthyer si cetat e komiteve ne kohen e Turqise.Mbajne te gjithe nga nje belxhik me syrin te salduar ne shqekez gati per te goditur kalimtarin e pare qe kalon i qete ne forum.Kalimtari,nese shpeton nga plumbi i pare,sa me shpejte te kete mundesi armatoset me nje belxhik komitesh.

  5. Komentet e PPU-se mbeten komente turmash, te cilat, si gjithmone, kane te pakten meriten e dhenit sakte te temperatures se shoqerise ne nje moment te caktuar, rreth nje çeshtjeje te caktuar.

    Nderkaq, opinioni i turmes, ne rastin konkret, me rezulton gati pa lidhje me analizen e holle te autores se artikullit, e cila ndryshe nga ju, e vendos autoren shqiptare Vorpsi ne zemer konfliktit, gjithe duke i dhene asaj rol domethenes ne skalitjen e opinionit italian e me gjere.

    Autorja e artikullit mendon, jo pa te drejte, se Vorpsi i pershtatet dhe e konforton publikun perendimor ne klishete qe ky i fundit ushqen prej kohesh per vende si ky i yni, ne te cilin makabriteti e barbaria bashkejetojne triumfalisht me perversitetin seksual; atmosfera pikante e komunizmit, ne kete rast, vetem perforcon ndjenjen se kesaj turme barbare vetem kjo feste i pershtatej.

    Qe Shqiperia e viteve ’80 nuk ka qene bahçe e bukur me lule, kete vetem nje dore enveristesh romantike kane mbetur pa e kuptuar. Por qe nje situate shume perverse dhe margjinale e Tiranes se po ketyre viteve te behet metafore per nje komb, veshtire se mund te pretendohet.

    Gjithsesi, edhe nese perdorim justifikimin e artificit letrar si efekt komunikimi per te dhene mesazhe pergjithesuese, lutemi te pakten qe autorja te jete koherente ne pretendim; kur zgjedh te ndash me publikun nje loje shpatash me kocat dajes, te cilat nuk i ke nxjere nga dheu, por nga nje amfore, gjithe teksa i rrefen atij padijen tende per kocken humane, te pakten permbahu dhe mos i trego lexuesit pasionin qe ke rrefyer paraprakisht per librat e anatomise.

    Do te kishte qene me mire, nese autorja do ta kish trajtuar ose me koherence historike ose me koherence letrare problemin e imoralitet pergjate komunizmit, i cili nuk ka qene aspak i izoluar. Nuk kane qene edhe aq te rralla rastet kur grate zgjidhin te kallinin burrin ne burgun e shtetit ose te turpit per te shijuar lirite e pakta qe ofronte nje romance, ose nje seri e tille.

    Fatkeqesisht, autorja, edhe ne kete rast, ofron vetem klishene se gruaja e bukur konsiderohej imorale vetem sepse ishte e bukur; larg qofte sepse zgjidhte imoralitetin ne menyre qe te perfitonte nga bukuria e saj.

    Nese biem dakort se qellimi i letersise eshte politik, atehere realisht nuk kemi pse qahemi per Vorpsin qe zgjedh te jete veglel e integrimit evropian te shqiptareve me metodat jezuite te autoflagelacionit; perkundrazi lipset ta rradhisim ne piedestalin e deshmoreve qe flijohen per idealin.

    Por nese letersia shqiptare ka vendosur te heqe dore nga misionet politike, u lutemi autoriteteve perkatese ta komunikojne sa me pare menyren TJETER qe kane gjetur per te terhequr vemendjen ne perendim.

  6. Ndoshta fenomeni i treguar më sipër na thotë se nuk ka vetëm njerëz mazokistë, por edhe kombe mazokiste. Njëherë e njëkohë, Fishta thosh se në Shqipëri, mund të gjeje qytete e qytete të tëra levantine (jo levantinësh). Eh, que les temps sont changés!

    1. Këtë tendencën e suksesit jashtë të romaneve ku “shqiptari i zakonshëm” del si biçim zari, e kam parë edhe me romanet e Fatos Kongolit; I Humburi; Festimi… kur s’ka asgjë për të festuar, etc. Mendoj se një roman ku shqiptari del i lumtur, i fituar apo të paktën me ndonjë lloj dinjiteti, nuk para ecën shumë jashtë. Ajo që ka rëndësi është mënyra sesi na sheh ndonjë Avrupali beyefendi. Nëse ai mendon se shqiptari është i keq, do habitej shumë po t’i thonin për të kundërtën. Nuk po i hyj burrneshomanisë dhe romaneve me prostitucionin e shqiptarkave, se na kanë ardhur në majë të hundës. Mediat e huaja edhe ndonjë recetë gatimi, tip tavë kosi, tipike shqiptare e nisin me: Ajo u josh me premtimin për martesë dhe përfundoi në trotuaret e Milanos. Marrim një kile kos, dhe e përziejmë me një dorë oriz të zier. Shtojmë gjalpin dhe mishin e gatuar që më parë në furrën e ngrohur 220 gradë. E lemë aty për rreth 60 min. dhe pastaj gjella është gati.
      P.S. Xha xha, jam një blogist akoma i ri, që duhet të afirmohet në kurriz të të tjerëve. Ashtu si edhe Meta, që ka vetëm 4 deputetë, dhe ambicia i thotë të bëhet kryeministër. Ashtu edhe unë, që kam vetëm pak muaj tue blogue (lexo: tuj blogu’) duhet të afirmohem në një farë mënyre.

      1. Qe me te thatin mos digjet dhe i njomi duhet vene re (pa shkuar me larg se titujt) se Kongoli, ndryshe nga Vorpsi, ka cilesuar I humburi, personazhin e tij e jo gjithe shqiptaret apo vendin e tij; tradite e vjeter letrare kjo e njehereshi e drejte, (per tu kyrsuer ne shembuj).

  7. Perzgjedhja apo mbijetesa eshte ne fakt princip statistikor i gjithanshem. Aq i gjithanshem eshte ky princip saqe ai vepron dhe tek vete ky blog. Nje shembull interesant jane vleresimet me 5 vlera (5 yjet) psh. qe i japim njeri tjetrit apo dhe shkrimit tek ky blog. Prinicipi i perzgjedhjes shkakton qe vleresimet te jene te konformuara e te grupohen ne vetem dy vlera (shume mire, shume keq). Dmth ato 5 shkallet e vleresimit jane pas njefare kohe statistikisht njelloj si nje menyre vleresimi me vetem dy vlera (gishti i madh poshte, lart). Kjo ka te beje me nje llogjike statistikore qe bazohet ne konformizmin ne grupe dhe perzgjedhjen.

    Problemi aktual ne menyrat e komunikimit ne internet dhe efekti i madh perzgjedhes brenda tij eshte qe ne internet mundesia e ndarjes/segregimit ne grupe te vogla eshte praktikisht pa kosto. Ndersa mjetet per komunikimin midis grupeve te vogla jane akoma ne kolaudim e siper pra nuk jane pjekur akoma. Ky eshte tani per tani problem teknik per mendimin tim qe pret te zgjidhet po teknikisht. Mbase menyrat e reja te bashkeveprimit ne internet si gjestet, realiteti i perzier (augmented reality) etj, do te bejne te mundur alternativa me te pershtatshme komunikimi qe mund ta lehtesojne apo zgjidhin impasin aktual.

  8. Xhaxha, je vërtet një mjeshtër i përdorimit të fjalës… një skile (në kuptimin e mirë të fjalës) që arrin të amalgamosh argumente komplet pa lidhje për të futur ndërmjet tyre diçka që të intereson, por si gjithmonë, gati me justifikimin që: “atë argument e pata futur vetëm për të ilustruar idenë… sepse shkrimi ka një titull, dhe ideja vërtitet rreth titullit dhe jo rreth Vorpsit apo koktrashëve të Peshkut”

    Nëse libri i Vorpsit të është dukur vërtet si “i vetmi në sens absolut, arrin të shpalosë në mënyrë lapidare kënetëzimin shpirtëror dhe moral të rutinës ndër shqiptarët gjatë viteve të totalitarizmit”… një analist si ti nuk do të kishte pritur rastin e botimit të një shkrimi prej DIKUJT tjetër tek peshku për të bërë moralizma, por do kishte marrë laps e letër dhe do kishte shkruajtur për femrën shqiptare që më parë se të fliste për “nuset”.

    pse ata të tjerët, ata që kanë diçka për të thënë, tolerantët, të diturit, mendjehollët, ata që kanë sens humori, ata që përpiqen ta lexojnë e ta kuptojnë tjetrin e kështu me radhë, stepen dhe parapëlqejnë të heshtin? sepse ata mëndjehollët o e dinë rrezikun e tavolinës së gjelbërt, o e marrin parasysh atë dhe ULEN për të thënë ç’kanë për të thënë.

    Nëse do kishte përzgjedhje për heshtje nga ana juaj, atëhere do të bëje mirë që ta respektonit këtë përzgjedhje tuajën… nëse nuk patët guximin që të thonit tuajën atje, të paktën të kishit mirësinë të mos fyjenit koktrashët që marrin mundimin që të thonë se si e mendojnë.

    1. Edrus, me këto ndërhyrjet e fundit më kujtove një histori që tregojnë për një aktor komik, nga ata që dalin para publikut me monologje, ose stand-up comedians, siç i quajnë këtu në SHBA.

      Këtë aktorin e akuzuan një herë se një prej shakave të tij paskësh qenë vërtet e ndyrë, ose e tillë që e tejkalonte edhe masën e tolerancës të më liberalëve mes publikut. Ndoshta shakaja ashtu ishte vërtet, edhe pse e kamufluar me metafora të pafajshme.

      Aktori u përgjigj se fajin nuk e kishte ai, por ata të tjerët, që arritën ta kuptojnë shakanë; meqë për pjesën më të madhe të publikut e njëjta shaka do të kish mbetur e pakuptueshme, po të mos kishin lëshuar alarmin moralistët.

      Tani, sa për forumet që thua, unë vërtet e kam regjur lëkurën në të tilla prej vitesh; madje Alb-Club-in e kam moderuar për gati 5-6 vjet. Çfarë përpiqesha të arrija unë atëherë, si moderator i një forumi të rëndësishëm, ishte t’u ofroja mbrojtje dhe garanci autorëve, atyre që kishin gjëra për të thënë dhe i thoshin mirë; dhe këtë mbrojtje t’ua ofroja pikërisht ndaj kokëtrashëve, provokatorëve dhe qyrravecëve gjithfarësh.

      Për fat të keq, PPU funksionon sipas rregullash të tjera (mesazhet dhe komentet moderohen vetëm a posteriori, ose pas pilafit); ndoshta teknikisht është e pamundur të kontrollosh lukunitë e sotme të llafazanëve, ndoshta edhe mungon dëshira – por çështjet administrative të PPU nuk më interesojnë fare.

      Për fat të mirë (të paktën timin), ka edhe mjedise më të mbrojtura, si PTF, ku lirinë e fjalës ua garantojmë autorëve të shkrimeve, jo komentuesve dhe qitësve në pritë.

      Edrus, ka shumë mllef në forumet; pështyhet shumë. Të vjen keq të shohësh si edhe përpjekjet më të sinqerta për të rrëfyer diçka ose nisur një debat çfarëdo mbyten menjëherë nga bru-ha-ha-të e turmës, e cila kërkon të zbavitet 24 orë në ditë.

      Diskutimi ditët e fundit, për romanin e Vorpsit, ishte diskutim i shtruar keq që në premisë – meqë ai roman u analizua si të ishte ndonjë raport i OBSH-së për seksualitetin në Shqipërinë e viteve 1980. U harrua kryesorja, dhe pikërisht që kemi të bëjmë me një roman, i cili është vepër arti dhe duhet trajtuar si vepër arti; në kuptimin që, kur një pikturë në galeri paraqet një grup njerëzish të grumbulluar rreth një zjarri bubulak, kësaj pikture nuk i vihet medoemos afër një bombolë zjarrfikëse.

      Natyrisht, kushdo ka të drejtë ta marrë një vepër arti dhe ta analizojë nga pikëpamja sociologjike; sikurse një kimist ka të drejtë të analizojë pigmentin e të famshmes të kuqe të Onufrit; ose një gjeolog të japë mendim për mermerin e përdorur nga Michelangelo për të gdhendur Davidin. E kam fjalën që përdorimi i veprave letrare për të kuptuar më mirë shoqërinë që u shërben si kontekst është legjitim; por nuk ka shumë të bëjë me veprat vetë.

      1. Xhaxhai thote:
        …”E kam fjalën që përdorimi i veprave letrare për të kuptuar më mirë shoqërinë që u shërben si kontekst është legjitim; por nuk ka shumë të bëjë me veprat vetë…”

        E keqja apo edhe e mira ketu eshte se autorja merret me nje periudhe (vitet ’80) per te cilen deshmitaret okulare jane ne nje numer shume te madh. Dhe duke qene se ne ate periudhe, si kurre me pare e me pas, pati nje numer te madh njerezish, sidomos neper qendrat kryesore te vendit, me mjaft kohe te lire neper duar, dhe materialisht te cinteresuar, te cilet ia kushtuan ate (kohen e lire te tyre) shume interesave, pasioneve apo edhe ceshtjeve me karakter jo utilitar, me duhet te them se tema e librit duhet pare si nje mjet vete-sherbyes ose si reminishence e pervojave personale, dhe jo si nje prerje transversale e nje periudhe te dhene ne jeten e nje shoqerie.
        Instituti i Arteve i asaj kohe ishte ne avanguarden e “yuppismit” shqiptare.
        E. Rama, N.Hamza, O Vorbsi e plot e plot e plot te tjere.

    2. Ed,
      Sme duken nga ata te ‘heshturit’ as SMR e as Xha Xhai. Qe te dy marrin shkas nga shkrimi i DIKUJT tjeter dhe jane dhe nga ata trima qe dine te hedhin vallen edhe te paret, akoma pa nisur muzika.

      Ki miresine te mos fyesh koktrashet qe marrin mundimin qe te thone se si e mendojne (se nuk eshte e thene ta thuash te PPU per te qene koktrashe).

      1. FFO, u ndjeva si i thirrur në at’mënyrë, koktrashë, sepse unë isha një nga ata që kam folur vazhdimisht keq për atë libër… Për të vetmen arsye sepse E KEMI HEQUR në kurriz këtu në Itali atë shikimin e vëngërrt të italianëve që na shikonin si hajdutë apo si prostituta ne shqiptarëve (të gjithve pa përjashtim).
        Është më kollaj të dëgjohet një degë që thyhet sesa një pyll që rritet, dhe “Il paese dove non si muore mai” ishte “dega” që ju vinte më përsëmbari politikës së Berluskonit (për shkaqe elektorale në atë periudhë).

        Ky ishte sensi i kontestimit tim ndaj librit dhe autores (sepse përsa i përket atij librit tjetër të saj që kam lexuar… vërtet që duhet guxim për të thënë se është i denjë të quhet libër).

        @Vizitor, më duket se ke të drejtë… jam aq i përgjumur, sa, megjithse u sforcova në maksimumin e aftësive të mija, nuk arrita ta merrja vesh se ç’kishe dashur të thoje. Të më falësh për koktrashësinë time.

        1. Edrus, nuk dua të cenoj lirinë tënde për t’u identifikuar me gjithfarë viktimash reale e të imagjinuara; por vetëm të sqaroj se kur flisja për kokëtrashë në shkrimin kryesor më lart nuk kisha parasysh diskutimin rreth romanit të Vorpsit, por disa komentues që futen në diskutime kryesisht për t’i shndërruar autorët në mullinj me erë, që pastaj t’i sulmojnë me entuziazëm.

          1. Faleminderit që ma lejon pa rezerva atë opcion, por pa rezerva po të them, që nuk ishte aspak preoblem nga ana ime (Jo për gjë, por nuk e nxjerr bukën me ç’them e me ç’bëj nëpër forume).

            Kam besim që nuk ke se pse të dyshosh në ç’them!

            Përshëndetje dhe gjithë të mirat!

  9. Ceshtja te jesh a te mos jesh pjese e nje grupi a diskutimi ka te beje me parim e perfshirjes, te berit pjese e grupit, te qenit pjesmarres dhe kuntribues ne nje shoqeri; shmanja rendon nga ata shijehollet qe ne turrline e lyershme te diskutimeve parapelqejne te mbajne djete. Kjo eshte nje dileme qe me kujton romanin e Tabucchi-t “Sostiene Pereira” qe ngjalli diskutime ne Itali kur u botua dhe nje perplasje idesh mes autorit dhe Umberto Eco-s: pyetja shtrohej a duhet te mbetesh indiferent para fakteve tronditese qe kalon nje shoqeri, apo duhet detyrimisht te pozicionohesh, nje shoqeri shkon perpara nese secili ben punen e tij apo nese te gjithe merremi me te gjithe; cili eshte ne te vertete roli i intelektualit: ai i strukjes ne profesionin e tij ku mund te jape me te miren apo rendjes sa ne nje ekran ne tjetrin per te dhene mend si per zgjedhjet e sotme ashtu dhe per mbjelljet e vjetshme? A duhen te hidhesh ne zjarr kur digjet shtepia, apo duhen thirrur zjarrefikesit- shtrohet pyetja nga Eco. Jam ende me idene se duhen thirrur zjarrefikesit edhe pse Pereira eshte i vendosur detyrimisht ne pozicionin e hedhjes ne zjarr. Po kam bindjen se ne kete dileme ekzistenciale perfitojne ata qe turren pa e shtruar pyetjen dhe qe gjenden gafil ne rradhet e para duke vjelle injorancen dhe duke i detyruar te mencurit te degjojne.
    flm, profesor qe na zgjon nga gjumi…

  10. Megjithatë, pyetja legjitime: “ç’i shtyn shqiptarët të flasin e të shkruajnë me kaq përbuzje, madje neveri, për vendin e tyre”, ngeli pa përgjigje.

    1. Drit, unë e dhashë një shpjegim të mundshëm – dhe pikërisht që ajo pyetje është shtruar keq. Ka shumë shqiptarë që flasin e shkruajnë me dashuri dhe adhurim për vendin e tyre, por këtyre nuk u botohet asgjë në Perëndim; ose edhe kur u botohet, vepra u pritet me indiferencë.

    2. Nga Nipi,
      po pse pa pergjigje: un diç kam cekur tek ajo qe kam shkruar,
      Nipi

  11. Kur shkruajta me lart per gjuhen e shitblerjes,nuk e kisha vetem per prishjen e saj nga ana e turmes por dhe nga ata qe shesin.Por,do te shtoja qe Turma eshte kryesorja.Ajo ben vleresimin,pelqen dhe blen.Nese ajo e blen me vullnet te lire te saj,e bindur plotesisht qe ja vlen barra qerrane me e ble,atehere jemi ok,ose quhet plotesim i niveleve te mireqenies.Cfare ajo blen?Ajo blen nivelin e saj.Ajo ka te drejte te komandoje tregun,edhe pse tendeca mund te duket e papelqyeshme,mediokre..etj,sepse p.sh sjell prishje te letersise,ose Mediave,ose…Ky eshte nje cikel i domosdoshem idiotik i jetes ne kuptimin e gjere te saj.

  12. Drit!
    Sejcili shqiptar ka farefis ne fshat.1990 e gjeti Shqiprine,atdhene tone te dashur,me 66 % te popullsise in fshat.
    Pse shajme ne kaq shume vetveten??
    Injorance,cmire,haset,neuroze kolektive,moskamje,stres jetesor i presionit te gjate psikologjik kolketiv 50 vjecar.
    Ne cdo fshat te Shqiperise ka qene dhe eshte e lulezuar kjo lloj bime e cila pas 90 filloi te cfaqet edhe ne metropolet e vogla Shqiptare.Dikush e ka shfrytezuar per te mire,dikush per te keq.Kjo bime lulezon kudo nese gjen terrren.
    Varet kush e kupton dhe e zhduk me ane te edukimit shkollor dhe shoqeror.
    Une ndonjehere gjuhen Shqipe e quaj gjuhe te kontradiktes,debatit dhe sharjes.Me duket sikur mungojne ne te pjese te qetesise dhe paqes se bute shpirterore qe embelsojne gjithmone jeten.

    1. Prandaj flet edhe Xhaxhai kështu për prejardhjen e tij(si djalë i “lindur” në forume)? 🙂

      1. Duhet me patjeter te pelqeni veten kur e shehni ne pasqyre, Edrus; dembel mendor aktiv ne forume, aq shume sa ne nje lende te ujshme te hedhesh pa pushim krip dhe sheqer, vazhdimisht. Kjo shije e krijuar me mund ne kohen qe pa fud prodhon lend ku as vet ju nuk i afroheni ta gelltisni, dhe jo me tjetr kush.

        Eshte e nevojshme , pyes veten, ne se e shkruaj apo jo nje mendim, si me siper, kur mundesia eshte qe te ricikloheni ne vetshikimin e pasqyres.

        P.S. Te me falni, lexues, dhe Edrus, se kete postim te detyruar, e kam si shpagim te durimit me te gjate te mundshem, nga sa kam kuptuar prej postimeve te Edrus, dhe ne vecanti per kete shkrimtare qe gjeja e vetme qe gjen tek vepra e saj eshte mendim, mendon njeriu, dhe jo… te me faleni per munges totale tolerance per gjumin mendor, aktiv, qe zotroheni.
        Lexoje, edhe, sa here te mundesh, c’te shkruan Xha Xhai, me shpresen se zgjimi ndodh per kedo, pse jo ju Edrus!

      2. “Je dédie ce message au mot “frustration”, qui est absent du lexique albanais. Une telle absence peut donner lieu à des phénomènes très curieux dans la destinée d’un peuple.”

        1. Fjala shqip për “frustration” është: “kotësim”. Burimi: “An English-Albanian Dictionary” by Stuart E. Mann
          Cambridge, 1957.
          …Se sa përdoret pastaj, është punë tjetër. Megjithatë mendoj se shqipja i ka të gjitha fjalët që i duhen.

          1. Kjo më kujton një ekspeditë gjuhësore në vitet ’70, një ndër zbulimet gjeniale të së cilës ishte edhe “rrokaqiell” që e kishte shpikë aty për aty një malësor. I kishin thënë si quhet një kullë e gjatë e gjatë…. – Me sa kate, – kishte pyetur malësori i shkretë, – me dy apo me tre kate? – Jo, me më shumë kate, që rrok qiellin! – Aha, rrokaqielli!
            Kështu edhe kjo puna e Stuart Mannit! Pastaj asnjë gjuhë nuk ka fjalët që i duhen. Si do t’ia shpjegoje fjalën ‘dëborë’ një banori të ishujve tropikalë, në shek. XVIII? Kotësim për mua dhe për shumë vetë, do të thotë procesi i të bërit apo i të qenit diçka e kotë (kotësi) dhe jo ndrydhje apo lëngatë mërzie mendore. Kush do të merret me «gjuhësim» le të lexojë ndonjë Fialuer të vogël shqyp-ltisht (në Shkodër t’Shqypniis, 1895) të Jak Jungut ose ndonjë tjetri. Jungu ishte një shpirt vërtet krijues. P.sh.: zotfolia (teologjia), zotfols (teolog), vetimshkrojë (telegraf), mat-hava (barometër), kenfolia (ontologjia; nga me qenë), gurfolia (mineralogjia), barfolia (botanika) dhe e preferuara ime, alemfolia (kozmologjia).

            1. Ba Ba, do të ma heqin veshin administratorët, se po dal nga tema…
              Skocezi ka qenë ca i lajthitur. Ishte për nja 20 vjet shef i katedrës së Gjuhës Angleze në Brno (Çeki), por e braktiste mësimin për muaj të tërë sepse…vinte në Shqipëri për të mbledhur fjalë për fjalorin.
              Albanian Chauvinism e përkthen Shqiptarì; Egypt = Misir; Jeans = veshje punëtori; Laxative = bar dlirës etj.
              Unë përgjithësisht dyshoj fort ndaj të gjitha atyre fjalëve që janë kalke nga gjuhët e tjera dhe, nga ana tjetër, i shoh me simpati fjalët që dalin nga vetë brumi i shqipes. Kështu që atë fjalën rrokaqiell, të lutem mos ma telendis se është ku e ku më e mirë se qiellgërvishtës dhe, më duket, se rrokaqiell i ka rezistuar kohës dhe përdoret në shqip sot e gjithë ditën. Sa për fjalën kotësim unë, siç thashë, e shoh shumë më të mirë se po ta gjeja të dhënë si: fshikullim, për shembull, që do të më kishte zhgënjyer fare. Pastaj sesi përdoret fjala, varet edhe nga konteksti. Po të jap një shembull, për t’u shpjeguar më mirë, ngaqë s’jam i zanatit.
              Para ca kohësh rashë me motorr dhe mjekët fillimisht dyshuan për një frakturë të klavikulës. (Në parantezë, nëpër ca nga ato fjalorët e malokëve, që thua ti fjala klavikul jepet: heqës). Në shtëpi, ama, unë ngri e ço, fjalën klavikul përdorja. Meqë ndjeta ca ditë i mbërthyer brenda dhe isha goxha i lirë mendërisht fillova të merrem me obsesionet e mia. Njëri nga këto obsesione, ai më i pafajshmi, është përkthimi i poezive (para ca vjetësh, kur theva këmbën në futboll, ia theka krejt veprën një poeti stilnovist, por kësaj rradhe…nuk qëllova kaq me fat). E pra u mora, mes të tjerash (ishte, besoj, dreqi vetë që më shpuri) me një poezi (e mrekullueshme) e W. B. Yeats e titulluar: The collar-bone of a hare. Tani collar bone i thonë klavikulës. Por ajo fjala heqës që e kisha snobuar para ca ditësh m’u faneps si e vetmja e hajrit për poezinë në fjalë.
              U tregova ca lakonik kur thashë që shqipja i ka të gjitha fjalët që i duhen. një fjalë në fjalor mua më duket e thatë. Është e rëndësishme të jetë…por është e thatë. Zakonisht nxehem kur dëgjoj të thonë që aksh fjalor i anglishtes ka 500 000 fjalë, ( ka arritur puna tani tek 1 milion fjalët), teksa ky tjetri ka, të themi, vetëm 200 000 fjalë. Këto fjalë që prodhohen në anglishte janë vetëm fjalë teknike, terma profesionesh të ndryshme.
              Natural killers (NK), quhen disa qeliza të sistemit imunitar të njeriut. Unë nuk e di a e kanë përkthyer kinezët këtë term, italianët nuk e kanë marrë mundimin. Probabiliteti që dy shqiptarë të takohen shpesh e shpesh dhe të flasin vazhdimisht për këto lloj qelizash aq sa të ndërgjegjësohen se s’duhet ta përdorin më termin në anglisht, por duhet të gjejnë një term korrespondues në shqip është shumë afër zeros. Unë nga kjo s’do të shqetësohesha aspak. Do të isha, ama, shumë i shqetësuar sikur të mos kisha në shqip…Këngën e V të Ferrit. Dhe për të nuk më duhen 1 milion fjalë.

        2. Stalker, lutem herë tjetër sillini komentet ose citatet të përkthyera, në pajtim me rregullat e blogut.

          1. Xha Xha,

            Stalker me të drejt është duke sjellë këtu mesazhin e Ornelës i cili e ka të pa mundur të vijë në Shqip edhe në këtë blog, pavarësisht se sa ka të bëjë ky fakt me mesazhin artistik të veprës së saj. Megjithatë personalisht jam i bindur se ka të bëj shumë.

            1. Ujk, aspak nuk paragjykoj qëllimet e Stalker – por nuk do të doja që komenti i tij te lexohet vetëm nga ata vizitorë të blogut që dinë frëngjisht.

  13. Unë jam një rishtar i porsafutur tek pejsazhe të fjalës (ose natyra jo aq të qeta). Qysh në çastin e parë që u ndodha këtu, qetësisht vetveten, e kapa gafil! U ndieva si në një kthinë të dashur, guzhinë 4×2, odë, nga ato karakteristiket e qytetetve të fëmijërisë, ku aroma e drurit të mirë, e drurit të fort, e drurit të vjetër, ta pjek frymëmarrjen dhe të shoqëron mandej ngado që të shkosh. Ka një nostalgji zjari prej Shqipërie (tek këto natyra jo aq të qeta të formuluara në shqip) nga sobat e dikurshme që digjeshin me dru, sipër të cilave një ibrik i metaltë lëshon avull në pritje të bukës së thekur mu mbi pllakën e sobës. E ndieva (teksa më çaponte flegrat e hundës) Fjala e diskutantëve dhe artikujve, e ndieva si me qenë ambienti im, rrethi i një bote të munguar, për një rrethanë ose një tjetër, diku gjetkë, sidomos mediumeve (elektronike dhe fizike). Po, është e vërtetë që korri i brohorimave është i tejzgjatur ndër forume të tjera, i bezdisur shpesh herë, por, kjo nuk është për fajin e tyre, fajin e ka me vete (përngjan si shprehje e Kafkës kjo;) gjithkush që ka zgjedhur të shkojë largë. Dhe shpesh kam dyshuar nëse është çështje karakteri, vetformimi, apo edukate, – e jona – ky fenomen me brohorima (me të ububujshme). Njeriu kërkon atë që do të gjejë. Shpesh herë gjer sa ta gjejë atë që do të gjejë nuk gjen atë që dëshiron. Por është vetëm çështje kohe. Sido që të jetë, gjithkush, kam bindjen, se e zgjedh vetë ambientin ku dëshiron, ndihet mirë, dhe gjen vetveten, në atë që përjeton si lëçitje, informacion, pse jo edhe si zbavitje, sh/krim, dije, dritësi, formulim (ide dhe strukturë),etj. Pejsazhe të fjalës me natyrat e veta jo aq të qeta jep qetësi thellë thellë, qetësi që ta jep fjala kur është e ngulur mirë në vendin që i takon.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin