Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Media

DEMOKRACI MITESH

Ylli Michael JacksonGlobalizimi shtjellohet edhe nëpërmjet miteve. Sidomos të miteve që bazohen në ikonat e muzikës pop. Madje, mund të thuhet se globalizimi modern ka marrë forcë pikërisht nga energjia e star system-it dhe e grupeve muzikore me matricë anglosaksone. Kushedi sa borxh i ka globalizimi i sotëm ekonomiko-financiar modelit të yjeve hollivudiane e të muzikës pop…

Ka shumë prej nesh që u rrinë larg miteve, të paktën që kur u shemb komunizmi “i pavdekshëm”. Ka të tjerë që i vëzhgojnë nga larg, në mos me çinteresim me simpati të kontrolluar. Por ka edhe nga ata që nuk u besojnë asfare, për të mos thënë se kanë reagime alergjike ndaj tyre. Diametralisht i kundërt është qëndrimi i atyre që marrin pjesë në turma bërtitëse, në britma kolektive, në flokëshkulje histerike e në histeri flokëshkulëse. Nën këtë qiell ka vend për të gjithë.

Vdekja e ikonës globale të muzikës pop, Michael Jackson, u dha mundësi mediave botërore ta bombardonin publikun me muzikën e këngëtarit amerikan 24 orë pa ndërprerje. Edhe ato pak ndërprerje që u lejuan, kishin të bënin me misteret e vdekjes dhe jetën e tij. Intervista në rrugë, dëshmi të njohurish, deklarata personalitetesh, pjesë nga repertori…, fansa me lot në sy, lot në sy fansash, njerëz me qirinj në duar dhe qirinj në duar njerëzish… I parë nga larg, në tërësi, përngjan me një videoklip muzikor përmbledhës e përmbyllës njëkohësisht; një makrovideoklip i përbërë nga pjesë videoklipesh të mëparshme dhe pamje mallëngjyese nga aktualiteti; një megavideoklip muzikor, përkujtimor, global, i shoqëruar detyrimisht nga tingujt e Triller-it apo të Bad-it.

Me gjithë respektin për njeriun dhe vlerësimin për muzikën e tij, me gjithë mirëkuptimin për deklasimin e lajmit të protestave në Iran, lind natyrshëm pyetja: ç’taksirat kanë ata që në këtë mit nuk kanë besuar asnjëherë, apo më keq, që nuk e kanë shijuar kurrë muzikën e Michael-it të adhuruar, që ta durojnë monopolizimin disaditor të mediave? Ata që adhurojnë mite të ngjashme, ndoshta kanë xhelozi për vëmendjen e mediave botërore, duke uruar (qoftë dita e largët!) që edhe miti i tyre t’i uzurpojë në të ardhmen me të njëjtën forcë ekranet e gjithë globit. Pasuesit e Moxartit ose Bethovenit me siguri e shikojnë orgjinë pamore të mediave si histeri të përkohshme kolektive. Ndërsa midis fansave të “Mbretit të Pop-it”, shpresoj të ketë nga ata që dinë ta ndajnë muzikën nga jeta private e artistit. Besoj se këta janë dakord me idenë se nën qiellin mediatik duhet të ketë vend për të gjithë yjet e muzikës.

Veprimi i miteve është tendencialisht totalizues. Gradualisht, sidomos në një fushë gravitacionale totalitare, mitet i eliminojnë konkurrentët duke i shtënë fillimisht në hije e më pas duke i hedhur në bodrumin e harresës. Natyrisht, kur nuk i shërbejnë mitit të madh. Nuk e përfytyroj dot Shqipërinë e asokohe me artistë aq të famshëm sa t’i bënin hije të Madhit. Sikur Shqipëria në kohën e diktaturës të kishte pasur pluralizëm mitesh ndoshta vetë regjimi do ta kishte pasur jetën më të shkurtër. Apo janë dy gjëra që në thelb e përjashtojnë njëra tjetrën?

2 Komente

  1. pishak, globalizimi eshte per mua shume me teper pasoje e shpejtesise se shkembimit te informacionit sesa ka te beje me yjet e pop-it.

    Ne vitet 60 kishim beatles, rolling stones etj qe kishin ndjekes globale. Por bota e atehershme nuk ishte kurrsesi globale.

    Jane kompjuterat dhe softwaret ato qe mundesojne transaksione financiare globale, zhvendosje globale kapitali, informacione per investime globale, outsourcing si dhe shume shtylla te tjera te globalizimit.

  2. Ne kohen e mesjetes se inkuizicioneve, nje reformator i madh si Kalvini, intelektual i sprovuar, te cilit i festohet humanizmi ne shekullin XXI-te, dergon zbuluesin e qarkullimit te vogel te gjakut, Michel Servet, ne turren e druve. Nje thenie shume e thjeshte, por shume domethenese, e Sebastien Castellion, rektor i Kolegjit te Gjeneves se asaj kohe: « Tuer un homme, ce n’est pas défendre une doctrine, mais c’est tuer un homme» me ben t’i therres mendjes se c’ka i ka ndryshuar shoqerise njerezore eshte thjesht pamja e jashtme.
    Nuk ka rendesi ne se eshte turra e druve ne sheshin e qytetit mesjetar qe eksiton turmen, apo ekrani i TV-se. Dimensioni i turmes dhe shpejtesia e hapjes se nje lajmi jane parametra teknike qe nuk luajne rol vertet ne fenomenin e idolatrimit apo denimit kolektiv. Konstant per shoqerine njerezore mbetet fakti qe shume pak e kane kapacitetin te shohin qarte me syte e tyre dhe jo te personaliteteve. Te mbash “koken e ftohte” kur digjet rreth e rrotul qenkerka nje ushtrim i veshtire, po aq sa ai i murgjve tibetane qe lakuriq ne mes te bores mbajne temperaturen e trupit 37°C.
    Duke vjedhur fjalet e dikujt tjeter besoj gjithnje e me shume se sa me shume ndryshon bota aq me shume mbetet e njejta.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading