Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë / Sociologji

GJERMANËT SHQETËSOHEN

Oil SpillPakkush e vë në dyshim që lajmet për zgjedhjet, gjatë kohës që zgjedhjet ende janë duke u kryer, ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Për shembull, në qoftë se në një zonë garojnë dy kandidatë, Trashi dhe Holli; dhe exit polls, të marra në mesditë, njoftojnë se Trashi po merr gati 60% të votave, ndërsa Holli 40%, atëherë Partia e Hollit mund t’u bëjë thirrje militantëve të lëkundur që të shkojnë e të votojnë për njeriun e tyre që përndryshe rrezikon humbjen e menjëhershme; por mund të ndodhë edhe që Partia e Trashit të shpallë fitoren që pa u mbyllur kutitë e votimit, dhe simpatizantët e Hollit që ende nuk kanë votuar të binden se vota e tyre nuk vlen më dhe ta kalojnë mbrëmjen me ndonjë veprimtari, si me thënë, më produktive.

Kam përshtypjen se në shumë vende ligji e ndalon që rezultatet e exit polls të shpallen para se të përfundojë procesi i votimit; kjo është tashmë pjesë e kulturës kushtetuese demokratike standard.

Hyn tani në skenë Twitter, ose e ardhmja e demokracisë.

Informacioni i përhapur me Twitter, ose me mjete të ngjashme, jo vetëm që nuk mund të kontrollohet nga lart, por as mund të verifikohet.

Në kontekstin e zgjedhjeve aq të kontestuara në Iran, Twitter u përfol si fjala e fundit e vullnetit të popullit ose, alternativisht, arma sekrete e zionizmit për të përmbysur rendin kushtetues të atjeshëm.

Megjithatë, nuk janë vetëm ajatollahët që shqetësohen për marrëdhëniet midis autoritetit politik dhe natyrës së komunikimit në Rrjet; dhe pavarësisht nga interpretimi politik që i bëhet një teknologjie të riprodhimit të informacionit, mbetet fakt i padiskutueshëm që faktori Twitter e çrregulloi ecurinë e procesit elektoral në atë vend, qoftë edhe vetëm ngaqë shpërndarja e informacionit nëpërmjet rrjetesh të tilla kapilare nuk ishte e rregulluar me ndonjë farë ligji.

Një artikull i fundit i Spiegel Online lë të kuptohet se edhe demokraci të konsoliduara prej kohësh, si ajo në Gjermani, i druhen kaosit që sjell me vete pamundësia për të kontrolluar informacionin në momente kritike, si për shembull e pikërisht gjatë zgjedhjeve.

Sipas artikullit, autoritetet tani janë seriozisht të shqetësuara, se zgjedhjet e ardhshme të shtatorit 2009 mund të ndikohen nga rezultate të “cicëruara” të exit polls, të cilat është e vështirë të mbahen sekret, siç e lyp ligji.

Mbikqyrësi i zgjedhjeve federale në Gjermani, Roderich Egeler, vëren se “do të ishte me pasoja shkatërrimtare, sikur rezultatet e exit polls të bëheshin publike para se të mbylleshin kutitë e votimit.”

Zëdhënësi i SPD-së për politikën e brendshme, Dieter Wiefelspütz, shton se mund edhe të formohen rrjete (në Twitter), të cilat t’i përdorin rezultatet e cicëruara të exit polls “për të ndikuar mbi votuesit në minutën e fundit.”

Nëse një gjë e tillë ndodh dhe rezultatet e anketave bëhen të njohura para afatit të përcaktuar me ligj, thuhet në artikull, zgjedhjet mund të shpallen të pavlefshme nga pikëpamja e kushtetutshmërisë; meqë qytetarët ose partitë mund t’i kontestojnë rezultatet e tyre dhe të kërkojnë përsëritje të votimit.

Ligji zgjedhor federal në Gjermani e përcakton qartë se rezultatet e exit polls nuk mund të botohen para “përfundimit të periudhës së votimit”. Megjithatë, thotë Spiegel, vështirë se informatorët në Twitter do të shkurajohen nga kjo pengesë…

Sa vlejnë këto përsiatje për zgjedhjet e djeshme në Shqipëri?

A ka pasur gjatë ditës së djeshme, para se të mbylleshin qendrat e votimit, kontaminim të publikut me informacion nga exit polls? A e përcakton ligji shqiptar, po aq qartë sa edhe ligji federal gjerman, se kur lejohet që të bëhen publike rezultatet e anketave me votuesit ditën e zgjedhjeve?

Më në fund, a ka pasur cicërima, ose leaks të rezultateve të exit polls ose edhe të votimeve vetë, në Twitter ose në rrjete të ngjashme?

Këtyre pyetjeve nuk u përgjigjem dot. E kam të qartë që fushata elektorale në një vend me kulturë demokratike ende primitive, si Shqipëria, nuk mund të mos modelohet sipas reklamës që kërkon t’u shesë zgjedhësve një kandidat çfarëdo; më bën përshtypje edhe shkalla e politizimit të mediave, që nga televizioni në gazetat e deri në faqet dhe forumet në Internet, të cilat kohët e fundit iu përkushtuan krejt zgjedhjeve, thuase u varkan fatet e Shqipërisë prej tyre – pjesëmarrja e elektoratit në votime flet për të kundërtën.

Por ende them se mund të diskutojmë nëse mënyra si e trajtuan mediat fushatën elektorale dhe vetë votimin ishte aq perverse, sa ta ketë vënë në pikëpyetje vetë kushtetueshmërinë e këtyre zgjedhjeve.

Kjo do të thotë edhe që të diskutojmë nëse mund të kryhen vërtet zgjedhje demokratike në Shqipëri, në gjendjen e sotme të përpunimit dhe të manipulimit të informacionit publik.

U lutem më të informuarve se unë të më ndihmojnë.

9 Komente

  1. Sa per pjesemarrjen mund te them se je i pasakte. Ajo qendron diku tek mbi 45 %. Po te mendosh qe nje pjese e mire e votuesve nuk jan aktive ( per shkak te emigracionit ) pjesemarrja del goxha mire.
    E duke qene se nuk flet te kunderten, as kjo dhe as kafenete e mbushura me njerez qe gjithe diten tymosin duhan dhe shohin perqindjet, ndoshta media nuk ben dhe kaq keq qe eshte e politizuar me tepri.

  2. Kushtetueshmeria e ketyre zgjedhjeve eshte jashte cdo dyshimi.
    Ligji elektoral u desh fort nga Rama, qe te hiqte qafe Meten, vetem se me kete menyre i nxorri Berishes geshtenjat nga zjarri.
    Me 5% Meta do ishte vendimtar ne balotazhe, nderkaq proporcionali ne rang shteteror do i jepte 7 deputete, serisht vendimtar.

    Berisha mesa duket kishte vizion me te qarte mbi shperndarjen e votuesve te tij, keshtu deri tani ka fituar si koalicion 6 deputete me shume, edhe pse ne perqindje koalicionet jane njesoj. Biles Berisha e pranoi kete sistem ,vetem sepse ishte i sigurte qe Rama e Meta sdo bashkoheshin, pasi te bashkuar do kepusnin 75- 80 deputete me kete sistem elektoral.

    Keto zgjedhje po tregojne edhe njehere se e majta shqiptare, nuk eshte e afte te perfaqesoje denjesisht as votuesit e saj ( koalicionet e majta se bashku bejne 51%), lere me te perfaqesoje denjesisht shqiptaret.
    Edhe sikur te arrijne PS-LSI 71 mandate, do kete patjeter zgjedhje te parakohshme, te cilat nuk i duhen absolutisht nje vendi ne gjendjen e Shqiperise.

    Persa i perket rolit te mediave, ne Shqiperi edhe pse te politizuara ishin politikisht shume me te ekuilibruara sesa mediat amerikane qe u pushtuan prej Obames, biles qe vazhdojne te jene te pushtuara prej Obames, ku per te prodhuar nje lajm mjaft te jete kaps qeni presidencial apo Obama te vrase nje mize.

    Persa i perket nivelit te demokracise, keto zgjedhje ishin arritja me e madhe e mundshme, hera e pare qe ne Shqiperi zgjedhjet ishin vertet te lira.
    Te presim rezultatin perfundimtar, numerimi te mbaroje pa probleme, qe te pergezojme njeri-tjetrin per kete surprize te kendshme me ere demokracie.

    Pas kesaj, te nxirren e shqyrtohen problemet te cilat gjithsesi nuk jane ne gjendje te erresojne suksesin e ketyre zgjedhjeve.

  3. “Persa i perket rolit te mediave, ne Shqiperi edhe pse te politizuara ishin politikisht shume me te ekuilibruara sesa mediat amerikane qe u pushtuan prej Obames, biles qe vazhdojne te jene te pushtuara prej Obames”

    Konkretisht, mund te me japesh nje shembull qe te ilustroje se ne cilen menyre mediat amerikane ishin te c’ekuilibruara ne favor te Obames?
    Shpesh propozohet ideja qe Obama ka pak substance dhe eshte nje produkt i medias kur ne fakt kemi te bejme me nje politikan teper inteligjent qe kurrsesi nuk eshte aty (ne Shtepine e Bardh) aksidentalisht.
    Pastaj, te krahasosh nivelin e mediave ne SHBA me Shqiperine tone te dashur eshte pak e guximshme. Mediat e respektuara ne SHBA nuk do hezitojne ta kritikojne/masakrojne presidentin sapo te bej nje hap fals. Nga anet tona ka individe qe kane djegur shtetin ose torturuar njerez dhe akoma kane mandatin e sigurt ne parlament.

  4. Profundis-it: San Francisco Chronicle eshte nje gazete qe njihet si liberale/progresive/pro Obama. Ja titulli i artikullit prej njerit nga “columnists” te saj: “Love or lust, Obama and the fawning press need to get a room” (Dashuri apo epsh, Obama dhe shtypi sahanlepires duhet te shkojne ne nje motel [dhe jo ta bejne kete gje ne sy te te gjitheve]). http://www.sfgate.com/cgi-bin/blogs/bronstein/detail?entry_id=41380

    Para nja dy ditesh (me duket se qe nje dite para zgjedhjeve) lexova ne Shekulli nje artikull (me duket se nga Zaloshnja) per demokracine dhe hyrjen ne EU. Logjika e artikullit ishte dicka e tille: Shqiptaret duan shume qe te futen ne EU. EU kerkon qe Shqiperia te jete nje demokraci e vertete. Percaktimi i “demokracise se vertete” nga EU qenka ndryshimi paqesor i qeverive dy here me radhe. E para here kur eshte bere nje ndryshim i tille ishte ne 2005. Shansi per te bere nje ndryshim te dyte qeverish qenkesh ne 2009. Ne qofte se fiton PS, dhe kalimi behet ne menyre paqesore, EU do te na konsideroje vend me demokraci te vertete, duke nenkuptuar ketu qe mund te na pranojne ne EU. Nqs fiton PD, duhet te presim edhe kater vjet te tjere per t’u konsideruar demokraci e vertete dhe per te patur nje shans per t’u pranuar ne EU.

    Pra, po deshet te hyni ne EU, votoni PS!

    Me beri shume pershtypje se si nje gazetar/analist mund te beje nje propagande kaq te sofistikuar nje dite para zgjedhjeve.

  5. Profundis, Obama jo vetem tani por edhe gjate fushates ishte ne konkurrence mediatike jo me Mekejnin por me Hiltonin;mediatikisht Mekejnin e hante per mengjes.

    Nderkaq tek ne, jo vetem kish balancim midis Sales dhe Rames, po kane marre nje pjese te shijshme edhe te rinjte e Mjaft-G99, biles kakerdhimbledhesi i Rames, Veliaj, ka qene me i pranishem sesa gjithe kryetaret e partive te vogla te mbledhura bashke.

    Sa per kritike mediatike ndaj kreut te ekzekutivit, Sales ne mediat tona,sidomos ajo e shkruar, i eshte thene rregullisht, i cmendur, psikopat, i rrjedhur, kriminel, hajdut e lloj lloj gjerash te ngjashme keshtu qe nuk e kuptoj ku qendron shqetesimi yt.

    Se fundmi, nuk po krahasoj nivelin e mediave, se skane te krahasuar, po krahasoj ndikimin politik te mediave ne favor te njerit apo te tjetrit e ne Shqiperi nuk pati ne kompleks favorizim te Rames apo Sales, i vetmi i favorizuar ishte kakerdhimbledhesi i Rames, por kjo ska pse te shqetesoje kend.

  6. Ekzistojne edhe disa faktore qe kane te bejne me te perbrendshmet.
    Njeri nga njerezit e mi,i cili banon ne Korce,me mori ne telefon reth dy jave para zgjedhjeve.Ai me tregoi sesi Rama i kishte mbledhur nje dite gjithe anetaret dhe kryetaret e Komsioneve te PS te qarkut te Korces.Ne nje moment gjate mbledhjes,Rama ishte ngritur ne kembe dhe kishte drejtuar doren e tij te mbledhur grusht me t’liredrejtuar vetem gishtin tregues dhe kishte thene;
    “Ti,ti,ti….nuk do merrni pjese ne Komisione.Jeni xhaketa te vjetra..jeni xhaketa te vjetra..”Pasi e kishte perseritur disa here kete shprehje e kishte mbyllur me;”Beni mire te shkoni nga partia Komuniste”.
    Si mund te flasim per demokraci dhe demokraci zgjedhjesh e zbatim ligjesh elektorale,kur perpara kemi dy diktatore te mirefillte.Dy kryetare partish qe dine vetem te perjashtojne dhe mohojne.Dy parti te modeluara me antidemokraci e nepotizem te vajtueshem.Dy parti kopje te Partise Punes.
    A kemi nevoje me shume per anen formale,apo per ndryshimin thelbesor te konceptit demokraci?
    Ana e jashteme eshte vetem per te hedhur hi syve.
    Nuk e mbaj mend sakte,por mesambaj mend njehere Athinasit,ne kohen e keqe te republikes se tyre, pyeten nje filozof se cfare duhet te benin.Pergjigjja ishte:-“Ju nuk duhet beni ate qe jeni duke bere tani”.

  7. Censura-ne fillim pershendetje.
    Obama eshte nje president popullor qe zevendesoi nje president shume te kontestuar. Ai ka rreth 6 muaj ne krye te ekzekutivit dhe akoma po shijon muajin e mjaltit. Sigurisht kjo mbulese pozitive mediatike nuk do zgjasi ne pafundesi dhe ka shume shenja qe ka mbaruar qe tani. Obama nuk ka c’fuqizuar praktiken “Don’t ask, don’t tell” ne ushtri qe perjashton homoseksualet nga sherbimi. Obama nuk e ka mbyllur akoma Guatanamon. Obama nuk ka bere dot progres ne reformen shendetesore. Keto lajme jane ne faqet e gazetave dhe lehtesisht te shikueshme bile dhe ne vete San francisco Chronicle. Psh shiko ketu http://www.sfgate.com/cgi-bin/article.cgi?f=/c/a/2009/06/18/MNN618910H.DTL Autori i OpEd nuk duhet te beje asgje vecse te lexoje publikimin ku punon.
    Brenda Nentorit te 2010 nqs ekonomia nuk shenon rritje te jesh e sigurte qe popullariteti dhe euforia per zoterine do te bien. Nuk do e fali shtypi nqs nuk ka performancen qe pritet. Sa per Zaloshnjen nuk kam c’te shtoj sepse i ke thene te gjitha.

    Hylli-pershendetje.
    Replika ime ishte drejtuar pohimit tend se mediat ne Shqiperi ishin me te ekuilibruara se ne SHBA. Obama garen me Hillarin e mbylli zyrtarisht ne 7 Qershor po e kishte fituar ate praktikisht shume jave perpara. Mbas kesaj date emri i Hillarit nuk u degjua sepse doli nga gara. Nuk besoj se mund te pretendosh qe ne 4 muajt qe u vendosen votuesit Hillary akoma bente gare me Obamen. Ashtu sic nuk mund te pretendosh se kur Berisha quhet ne media kriminel e hajdut kjo sherben si nje tregues i ekuilibrimit te mediave ne Shqiperi. Kete mund ta cuash c’do gje pervec ekuiliber.

  8. Obama i dhuroi paketen bankave te falimentuara.Me kete veprim u dha para,jo vetem shumen e humbur,por shumen me fitimin e pritshem te interesave brenda,majes se pushtetit financiar.me pak fjale,aspak fare popullit.
    Obama nuk mund te ndryshoje sistemin i vetem.Demokracia ka semundjet e saja.Keto semundja vijne pikerisht kur pakica qe fshihet nen emrin e shumecies qe quhet parlament,kongres,senat ben cfaredo i do qejfi.
    Keto jane kurbat e renies se saj dhe nese nuk nderhyhet cojne ne diktature.

  9. Profundis, thashe dhe e perseris se politikisht mediat shqiptare jane treguar shume me te balancuara se ato ne Amerike ku kishte nje Obame qe u be si i shtepise dhe nje Mekejn qe snobohej. Nuk fola per Hillarine, se zgjedhja e kandidatit eshte ceshtje e brendshme e partise, apo me sakte parti-zgjedhes.

    Po kjo vjen nga fakti se ne ndjekim modelin europian, ku balancimi mediatik eshte pike kyce e anarendjes politike, biles Berluskoni ne Itali akuzohet rregullisht per konflikt interesash, nderkaq ne Amerike nuk i plas kujt per balancimin mediatik mes kandidateve, biles pergezohet ai qe llap me shume ne televizor se eshte me i zoti se tjetri.

    Nje politikan spanjoll para ca vjetesh tha, se zgjidhte me mire 5 minuta ne televizor sesa shtimin e 10 mije anetareve ne parti.
    Rendesia eshte e atille, saqe mediat po shkaterrojne ngadale rolin ndermjetes te partive, midis popullit dhe institucione te shtetit, si dhe role te tjera si edukimi politik, kohezioni social etj.

    Keshtu kuptohet sa rendesi ka balancimi politik i mediave, per te cilen edhe gjermanet shqetesohen, sic thote xha xhai.

    Ne Shqiperi , permenda jo pa qellim kakerdhimbledhesin e Rames, pasi ai me bashkepunetoret e tij e dhunuan kete ‘gje te shenjte europiane’, te ndihmuar nder te tjera edhe nga kersheria mediatike qe i shoqeroi (psh ti e njeh Tahirin e partise se cameve qe fitoi vendin ne parlament ?).
    Nderkaq provuan se popullit shqiptar nuk i pelqen modeli ‘parti zgjedhore’ qe ata huazuan nga Amerika e me siguri do e kthejne ne parti klientelare si pothuaj te gjitha partite e vogla ne Shqiperi.

    Persa i perket Berishes, mund te pretendohet cdo gje tjeter pervec mungeses se kritikes ndaj tij neper media.
    Kritiken e gjen ngado te kthesh syte, biles kritiken destruktive e gjen me shumice edhe ne kete blog. Kjo ishte replika ndaj thenies tende:
    ””Mediat e respektuara ne SHBA nuk do hezitojne ta kritikojne/masakrojne presidentin sapo te bej nje hap fals.””

    Ne Shqiperi te masakrojne jo vetem kur ben hap fals por edhe kur futesh ne Nato edhe kur nderton rrugen me te rendesishme per shqiptaret edhe kur rrit rrogat ( Lexo tek shekulli i para ca diteve ish presidentin Mejdani si bente per dy leke faktin se rroga me e ulet ne Shqiperi , nominalisht eshte me e larte se ajo ne Rumani).

    Jo nuk me duket se mediat tona e trajtojne me doreza pambuku Salen.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin