Në gazeta, fotografia përdoret për të ilustruar artikujt apo artikujt shkruhen për të ilustruar fotografinë? Varet. Nga kryeredaktori, nga autori i shkrimit, nga autori i fotografisë, nga faqosësi, etj. Por ka raste që varet nga fotografia vetë.
Nuk kam ndërmend të hulumtoj këtu raportet semiotike të fotografisë me tekstin në faqet e mediave të shkruara, por disa mendime të vijnë natyrshëm kur në shtypin shqiptar vëren raste, që nuk i nënshtrohen asnjë kategorie studimore të konsoliduar. E di që fotografia mund të shoqërojë shkrime, mund të shoqërohet nga shkrime, por mund të qëndrojë edhe e vetme; madje të flasë më shumë se një artikull i gjatë editorial. Ka gazeta që i përdorin fotografitë si editoriale, duke e shndërruar titullin në diciturë të thjeshtë. Por rasti që desha të komentoj shkurtimisht nuk respekton asnjë nga parametrat e mësipërme.
Në faqen 9 të gazetës Panorama (3 qershor 2009) ka dy fotografi që ilustrojnë kronikën gjyqësore të shpjeguar në shkrimin “Remziu s‘është në arkivin e SHIK”. Fotografia e parë ka diciturën “Ahmet Koka dje në Gjykatë”, kurse e dyta “Aleks Hasani dje në Gjykatë”. Në pamje të parë duket se redaktori ka vendosur ta ilustrojë artikullin me dy foto nga seanca gjyqësore. Mirëpo, siç mund të vihet re lehtë, fotografia e dytë është e kthyer mbrapsht. Kjo dallohet jo vetëm nga pozicioni i aktorëve të gjyqit, por edhe nga e shkruara në sfond: behet fjalë për maksimën e madhe të drejtësisë: “Ligji është i barabartë për të gjithë”.
Ne mund të hulumtojmë arsyet e këtij gabimi. Mund të përpiqemi të gjejmë autorin e gabimit: psh. faqosësi i gazetës (për të ruajtur një farë harmonie midis dy fotografive e ka kthyer njërën mbrapsht, përndryshe do i dilnin si në radhë), redaktori i rubrikës (për t’i dalluar dëshmitarët nga njëri tjetri, meqë janë marrë nga mbrapa), ose fotografi (e ka dorëzuar fotografinë në redaksi të printuar mbrapsht).
Mua do të më pëlqente ta interpretoja “gabimin”, i cili nuk lidhet me ekzigjencat grafike, por me kumtin që fotografia dëshiron t’i komunikojë lexuesit. Në rastin tonë kumti duhet rrëmuar në elementet sfondore të fotografisë dhe jo në plan të parë. Artific që i jep kënaqësi lexuesit të vëmendshëm. Nuk mendoj se është rastësi që maksima e drejtësisë të botohet e cunguar në trajtën ““…është i barabartë …të gjithë”. Si të thuash, ky ligj universal më shumë duhet përfytyruar se sa pranuar. Aq më pak i rastësishëm më duket kthimi mbrapsht i fotografisë së dytë. Me fjalë të tjera, edhe cungimi i bazës së drejtësisë – perceptuar nga fjalia e gjymtuar – nuk e jep dot tërësisht përmasën e krizës që ka pllakosur sistemin gjyqësor shqiptar. Ka gjasa që të gjitha këto arsyetime të ndërthuren natyrshëm në (nën)vetëdijen e lexuesit, për t’u depozituar më pas në zonën ku vendoset shënimi i fletëvotimit.
A thua fushata elektorale në Shqipëri po luhet tashmë me mesazhe subliminale?
Ka shumë për të folur mbi imazhet që na përcjellin gazetat (shqiptare) online, të paktën për ne që i shohim nëpërmjet ekrani të ftohtë ku imazhet na cënojnë dijen dhe dëshirën për t’u shprehur.
Dje po lexoja tek La Repubblica një artikull i bazuar tek imazhet që gazetarët e El Pais kanë vjedhur në afërsi të vilës luksoze të B-onit italian. Pra imazhet flasin shumë, biles ato mund të vërtetojnë dyshimin, mund të evitojnë hamendjet e shpirtit. Por, kujdes, imazhi mund të cungohet (me dashje apo pa dashje), ai mund të na japi tjetër mesazh se ai që jemi përgatitur të pranojmë. Për kreun e qeverisë italiane, imazhet nuk sosin së botuari, dhe shkrimet shpërndahen pa kufi mbi shtypin e shkruar që gjen një mjet për të ekzistuar.
Imazhi nuk sjell asgjë të re, ai nuk parashikon por vetëm vërteton.
Tek rasti i gazetës, ato dy imazhe duken të vëndosura me dashje në atë mënyrë, si për t’i vënë ballë për ballë dy të akuzuarit (champ contre champ) me një kolazh të thjeshtë. Teknika është e thjeshtë, një vëndosje e dallueshme ku fotografit mund t’i jetë copëtuar puna nga përmasat e hapësirës së gazetës.
Por kjo tregon dhe varfërinë e kulturës së imazhit që po përdoret shumë në shtypin e shkruar (ku rrallë herë lexohet autori i fotos, gjë që ndodh në gazetat e huaja të cilat ose i blejnë imazhet ose i kanë nga gazetarët e tyre) shqiptar. Kjo teknikë që është e zgjedhur keq nga redaksia, por qëllimisht, mbështetet tek një praktikë ku gjithçka duhet të paraqitet edhe pse pa ndonjë vlerë estetike.