Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Diaspora / Sociologji

KURORAT JASHTË

unazaVetëm pak ditë më parë, Instituti italian i statistikës bëri të njohura të dhënat e fundit për imigracionin shqiptar. Prita që faqet e para të gazetave shqiptare të hapeshin me tituj si: “Shqiptarët: komuniteti më i madh në Itali”, “Shqiptarët jashtë shtetit? Nuk martohen më”, ose “Shqiptarët në Itali: martohen vetëm për të bërë fëmijë“, por u zhgënjeva. Për nga pasaktësia do të ishin njëlloj si titujt e tjerë, për nga ngjallja e interesit diçka më shumë.

Siç edhe pritej, numri i përgjithshëm i shqiptarëve me banim në Itali është rritur. Me shifrën 441 mijë ata kapin tashmë vendin e parë midis bashkësive të ekstrakomunitarëve (ia kaluan paq edhe marokenëve) dhe vendin e dytë midis të huajve (renditen pas rumunëve). Me këta të fundit as që mund të dyluftohet statistikisht. Kanë armë, d.m.th. pasaporta, që ne as që i ëndërrojmë dot. Nuk e kam fjalën për nga cilësia, se biometriket tona janë të paarritshme, por për faktin se janë anëtarë të BE-së, ndaj hyjnë e dalin sipas qejfit në Evropën-kështjellë e lirë. Betejë e barabartë mund të quhet me marokenët, meqë konsiderohemi bashkërisht nga postet kufitare si lebrozë të regjur. Këta (402 mijë) i lamë në bisht, dhe s’kanë pse të ankohen: nuk është faji ynë që brigjet italiane i kanë më larg se ne. Gjeografia është si matematika, nuk diskutohet.

Dyluftimi statistikor mes nesh dhe marokenëve është zhvendosur edhe në fushën e martesave, ku edhe dalin në pah disa tipare shqiptare që duhen hulumtuar më tej. Të dhënat e martesave midis burrave italianë dhe grave të huaja, tregojnë se shqiptaret janë në vend të shtatë, kurse marokenet renditen menjëherë më pas. Dikush mund të thotë se shqiptaret janë më të afta e më të bukura se gratë marokene, sepse dinë t’ua prishin mendjen burrave të huaj. Por unë do ta refuzoja si maskilist këtë interpretim reduktiv. Përndryshe duhet të citoj edhe qëndrimin e femrave italiane, të cilat përdorin terma të rënda për gratë e huaja që u rrëmbejnë rregullisht burrat, fjalë të censurueshme për çdo mjet botimi, përfshirë blogjet. Xhelozinë do ta lija jashtë interpretimit: jam i bindur se baballarëve dhe vëllezërve shqiptarë nuk u vjen mirë. Por ndoshta gabohem, se kohët kanë ndryshuar.

Statistikat për vitin 2007 tregojnë se ka pasur 737 femra shqiptare që janë martuar me italianë (4,2%), kurse marokenet vetëm 677 ose 3,8%. Siç dihet, shifrat herë janë memece, herë llafazane. Por duhet t’ua njohësh gjuhën. Personalisht, nuk di si ta shpjegoj faktin që rumunet që martohen me italianë zënë vend të parë (13%), më pas vijojnë ukrainaset (10,4%), brazilianet (9,8%), polaket (6,6%), ruset (6%), moldavianet (4,8%). Kinse në ndihmë të interpretimit, më vijnë kujtime të përziera me klishé nga e kaluara e Shqipërisë (si p.sh. ruset janë të bukura), ose klishé moderne pjellë kartolinash me plazhe të bardha borë (si p.sh. brazilianet kanë trup të bukur). Mirëpo, klishetë e mia më lënë në baltë kur shoh vendin e 15-të: kolumbianet. Po këto pse? Atëherë, në çastin më të vështirë, më vjen në ndihmë proverbi: “Dashuria është e verbër”.

Dyluftimet kërkojnë luajalitet. E pranoj që të dhënat statistikore për burrat e huaj të martuar me gra italiane dekretojnë humbjen e shqiptarëve. Në fakt, meshkujt marokene zënë vend të parë 19,4%, kurse burrat shqiptarë që janë martuar me femra italiane janë 10,1%, ose me vlera absolute 598. Ne zëmë vend të dytë, anipse jemi sa gjysma e marokenëve: shpresoj vetëm në kuptimin statistikor. Ajo që më ngushëllon është se rumunët janë andej nga fundi, çka mund të interpretohet nga të zellshmit si paaftësi në dashuri, por kjo bie poshtë nga fakti se spanjollët, me sharmin e tyre të padiskutueshëm, janë edhe më poshtë. Po ta shikonim me terma import/eksport do të thoshim se kemi dhënë rreth 734 femra dhe kemi marrë 598 të tilla. Kemi deficite, por nuk kemi të dhëna lidhur me cilësinë.

Po midis tyre a martohen shqiptarët jashtë shtetit? Pak, shumë pak. Me sa duket, midis individëve me të njëjtën pasaportë, qenka e vështirë të biesh në dashuri në sheshet romantike italiane. Gjatë vitit 2007 kanë vënë unazë 178 shqiptarë e shqiptare, në përqindje janë rreth 3,3%, shumë pak në krahasim me rumunët 16% dhe marokenët 8,2%. Mirëpo, statistikat janë si gota e mbushur përgjysmë: mund të shihet bosh e plot njëkohësisht. Mjafton të hedhësh sytë nëpër tabela e grafikë. Në fakt, po të shqyrtohen të dhënat e fëmijëve të lindur nga çifte me ose pa të huaj del se fëmijët me nëna shqiptare e baballarë italianë zënë vend të pestë (875 – 4,8% e gjithsesi para marokenëve), fëmijët me baballarë shqiptarë e nëna italiane zënë vend të parë (549 – 11,6%), kurse fëmijët e lindur nga prindër shqiptarë zënë vend të tretë (8198 – 13,2% edhe pse pas marokenëve). Me fjalë të tjera, po të shohim vlerat absolute, në riprodhim nuk na e merr kush. Sidomos ndër vedi.

2 Komente

  1. Ajo statistika per martesat e shqiptareve mes vedi patjeter qe duhet te jete e gabuar. Nuk ka sesi te martohen 734 femra shqiptare me italianë dhe vetem 178 femra shqiptare me shqiptarë. Arsyeja per kete gabim mund te jete qe statistika merr parasysh vetem ciftet qe jane celebruar ne Itali, kur dihet se shumica e shqiptareve celebrohen ne Shqiperi.

  2. Them se nuk ka asnjë gabim: bëhet fjalë për imigrantët shqiptarë rezidentë në Itali (viti 2007). Për hollësi mund të shihet http://www.istat.it. Nga raporti vjetor i Istat-it italian citoj (f. 260) duke e përkthyer: “Burrat italianë që martohen me qytetare të huaja zgjedhin kryesisht gra evropiane (rumune, ukrainase, polake, ruse, moldaviane dhe shqiptare), ose gra nga vendet e Amerikës qendër-jugore (veçanërisht braziliane, ekuadoriane, peruviane dhe kubane). Kurse, gratë italiane që martohen me qytetarë të huaj, parapëlqejnë burrat nga Afrika e Veriut“.
    Arsyet duhen hulumtuar…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin