Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHKRIM & DISIPLINIM (I)

Të gjithë besoj jemi të një mendjeje se shqipja publike po shkruhet gjithnjë e më tepër me gabime gjithfarësh, të cilat zakonisht shkaktohen ngaqë përdoruesit ose nuk e njohin normën, ose e shkelin me vetëdije. Dëmet e një dukurie të tillë i kapërcejnë caqet e kulturës së gjuhës, meqë ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si i percepton marrëdhëniet e veta me shtetin dhe institucionet shoqëria e sotme shqiptare.

Çfarë është pikërisht norma gjuhësore? Mund ta përfytyrojmë si një lloj disipline që kërkon t’u imponohet përdoruesve të shqipes në publik, ose si nevojën për t’iu përmbajtur disa rregullave pak a shumë arbitrare në drejtshkrim, në gramatikë, në leksik dhe në stilet ose nivelet e ligjërimit.

Nocioni i disiplinës sjell me vete kërcënimin për dhunë, në rast shkeljeje të normës. Për shembull, në disa kultura, një gazetë që boton shkrime të cilat nuk i përmbahen normës, mund të gjobitet; në kultura të tjera, shtëpitë botuese ose redaksitë e mediave mund të refuzojnë botimin e materialeve jonormative; më në fund, në ato kultura ku aftësia për ta përdorur gjuhën në pajtim me normën shërben si kriter diferencues klasor, ose për të bërë karrierë, rreziku i deklasimit është edhe ai një formë e tërthortë dhune.

Kuptohet se, në këto rrethana, vetëm një autoritet çfarëdo mund të sigurojë se përdoruesit e gjuhës po i nënshtrohen disiplinës së normës; dhe ky autoritet, edhe pse shprehet, sipas rastit, nëpërmjet masave ndëshkuese ose formave të ndryshme të censurës, në të vërtetë ka të bëjë drejtpërdrejt me prestigjin e institucioneve që kanë të bëjnë me normën: standardit gjuhësor dhe vetë shtetit.

Prandaj çdo shkelje e normës shenjon njëkohësisht edhe rebelim ndaj sistemit, ose refuzim për të njohur autoritetin e institucioneve; meqë norma është edhe projektim i autoritetit institucional në gjuhë.

Si disiplinë, norma gjuhësore konsiston në imponimin e një sistemi rregullash, herë të logjikshme e herë arbitrare, mbi përdoruesit; por edhe rregullat arbitrare legjitimohen duke u zbatuar.

Shkeljet e normës sot zakonisht kushtëzohen nga mangësitë në formimin gjuhësor ose në përvetësimin e normës nga përdoruesit (padija), por edhe nga zgjerimi i hapësirës së komunikimit, vënia në krizë e institucionit të autoritetit në përgjithësi dhe, më në fund, shtimi eksponencial i përdoruesve që e shkruajnë shqipen me anë të kompjuterit, sidomos kur tekstet e prodhuara prej tyre publikohen pa kaluar në kurrfarë filtrash të cilësisë.

Këto kontekste kanë të përbashkët krizën e autoritetit – që sipas rastit mund të jetë mësuesi, redaktori, ose vetë mënyra e pjesëmarrjes në jetën publike. Edhe disa kufizime teknike, si mungesa e disa shkronjave të alfabetit shqip në tastierat e kompjuterit, kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes.

Të marrim, p.sh., përdorimin e shqipes në Internet. Të shumta janë ato forume dhe blogje ku shqipja shkruhet me alfabet të thjeshtuar, pa ç dhe ë; jo vetëm në komentet, por edhe në materialet kryesore. Megjithatë, dukuria vjen e bëhet më shqetësuese, kur shkrime me mangësi të tilla i sheh të botuara edhe në gazetat madhore; çka tregon shkujdesje si nga autorët, ashtu edhe nga redaktorët.

Shembull stenografie

Shembull stenografie

Siç kam pasur rast ta them edhe herë të tjera, alfabeti i thjeshtuar i shqipes na duket se funksionon vetëm e vetëm ngaqë ne e interpretojmë tekstin duke i shtuar shkronjat munguese me mendje. Megjithatë, të shkruarit e një gjuhe nuk duhet ngatërruar kurrë me stenografinë, ose me teknikat e regjistrimit të shpejtë të tekstit të folur. Stenografia kombinon në vetvete lehtësinë e të shkruarit me vështirësinë e të lexuarit; dhe është gjithnjë sistem dytësor në krahasim me shkrimin. Përndryshe, të gjithë do të shkruanim në mënyrë stenografike.

Edhe historia e shkrimit, në përgjithësi, e vërteton prirjen për t’i thjeshtuar sistemet shkrimore në mënyrë të tillë, që të lehtësohet leximi; të krahasohen, bie fjala, hieroglifet maja, kineze ose egjiptiane, me shkrimin alfabetik. Një kinezi i duhen vite për të përvetësuar sistemin shkrimor të kinezçes, ndërsa një shqiptari vetëm dy-tre muaj atë të shqipes. Nuk duhet harruar edhe se ky demokratizim i sistemeve shkrimore eliminon nevojën për një kastë shkruesish (skribësh), e cila të ketë edhe monopolin e dijes; dhe nuk është rastësi që zhvillimi teknologjik ka ndodhur në kulturat alfabetike.

Alfabeti i thjeshtuar i shqipes, që përdoret gjerësisht në Internet dhe tani po depërton edhe në mediat, në dukje e thjeshton të shkruarit duke ia përshtatur tastierës kompjuterike të një gjuhe tjetër (më shpesh anglishtes); por ia ul rendimentin leximit, sidomos për ata lexues që nuk janë mësuar dot me alfabetin e zakonshëm; prandaj si zgjidhje e improvizuar bie ndesh me prirjen thjeshtuese, që përmenda më lart.

Po sjell dy-tre shembuj për ta provuar këtë. Dallimi me shkrim midis e-së dhe ë-së nuk ka natyrë kozmetike, as i detyrohet respektit të ndonjë tradite të kapërcyer, meqë mbi këtë dallim mbështeten një numër dallimesh gramatikore themelore të shqipes, si p.sh. shumësi me –e, përkatësisht –ë (elemente/elementë); dallimi midis e-së si prapashtesë femërorizuese (ushtare, punëtore) dhe ë-së si prapashtesë e shumësit të emrave mashkullorë përkatës (ushtarë, punëtorë); dallimi midis formës emërore/kallëzore femërore të pashquar vajzë, dhe formës gjinore/dhanore/rrjedhore vajze; dallimi midis disa formave foljore (hape/hapë, hapesh/hapësh, lexoje/lexojë); dallimi midis parafjalës te dhe nyjës ; midis përemrit/ndajfoljes dhe parafjalës me; foljes dhe pjesëzës lejore (iussive) le; po ashtu, midis disa fjalësh themelore të gjuhës, si së/se, që/qe, kë/ke etj.

Të gjitha këto kanë të bëjnë, natyrisht, me aspektin funksional të normës; e cila mundëson që shqipja e shkruar publike t’i shërbejë sa më mirë komunikimit në nivel kombëtar. Por ky aspekt funksional realizohet vetëm në një kontekst kulturor dhe institucional, i cili fillon që me socializimin e fëmijës në shkollë.

Në shkollë fëmija e studion normën gjuhësore jo thjesht në vetvete, por si mënyrë për t’u përfshirë në shoqëri. Njëlloj si e folmja e përbashkut dikur e realizonte, bie fjala, komunitetin e një katundi ose zone; ose dialekti komunitetin e një zone gjeografike të caktuar, edhe standardi gjuhësor, i manifestuar nëpërmjet normës, realizon komunitetin e qytetarëve të një shteti (ose, sipas rastit, të pjesëtarëve të një kombi). Fëmijëve u mësohet norma në mënyrë që nesër të gjithë këta të mund të komunikojnë mes tyre nëpërmjet një kodi gjuhësor të përbashkët; në të njëjtën kohë, gramatika e mësuar në shkollë shërben edhe si matematikë e dijeve humane; meqë kategoritë dhe marrëdhëniet gramatikore (kryefjala, kallëzuesi, kundrinat, rrethanorët) shprehin në mënyrë të koncentruar dinamikën e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Norma gjuhësore disiplinon jo këto marrëdhënie vetë, por modelet e tyre, duke ofruar edhe një bazë për homogjenizime të mëtejshme, të cilat kanë të bëjnë me qytetarinë si institucion më të lartë se mëhalla, katundi, lagjja, nahija, krahina, e kështu me radhë – më të lartë cilësisht, jo vetëm më të shtrirë.

[vijon]

14 Komente

  1. Sapo lexova një artikull në Gazeta Shqip mbi të ndjerin Xhindi, i vrarë disa ditë më parë. ‘Aspirina “zbulon” vrasësin e deputetit’ është e shkraua shqip sepse jemi në një gazeta Shqip, por fjala medikamenti nuk më tingëlloi shqip. Italisht apo frëngjisht po (medicamenti, médicament). E çuditshme, ndodh në një gazetë që quhet ‘Shqip’.
    Ky trajtim i gjuhës është bërë i zakonshme me fjalët: rimbursim, rriskim (për të kuptuar rrezikshmërinë), skonto.
    Shqiptarët që ndodhen jashtë atdheut dhe nuk kanë takim tjetër me gjuhën e tyre përveç TV-së apo gazetave nëpërmjet rrjetit, si duhet të ndihen kur ata që jetojnë dhe studiojnë në Shqipëri, që me punën e tyre mbushin faqet e shtypit, nuk respektojnë disa norma? Nuk di si ta kuptoj gazetarin apo gazetaren që përcjellin të tilla mesazhe. A mos e bën për t’u dukur më inteligjent, apo për t’u dukur se di një gjuhë të huaj, apo thjesht se vetëm kështu ai/ajo di të shkruajë.

  2. Kam pare se fundi shume shkresa nga ministrite pa ë dhe ç. Edhe nga zyrat e avokateve dalin te tilla shkresa. Ne fakt une kam dyshimin tim mbi vertetesine ligjore te ketyre shkresave. Psh. dikush del neser dhe nuk e njeh nje dokument si te vlefshem per deri sa permban gabime gramatikore (sic jane me qindra kontrata sot).

    Por per shume shkresa zyrtare gabimet ortografike jane nje problem i vogel ne krahasim me gabimet trashanike qe behen ne ndertimin e fjalive dhe te konceptimit te letres zyrtare.

    Keshtu qe, nese duhet te kete nje institucion, i cili do t’i duhet te imponoj korektesi dhe qartesi gjuhesore ne nje dokument zyrtar, ky duhet te jete vete pushteti gjyqesor ose parlamenti, pasi jane keto institucione qe do te kene probleme te nesermen.

    1. Xhaxhai,
      tema eshte shume e goditur,

      Mendoj se lidhur me vershimin e shkrimeve ne internet, shqipja duhet te beje disa leshime.

      Historikisht, interneti eshte teknologji relativisht e re, qe mund te krahasohet me periudhen e kalimit nga shkrimi me dore ne ate me makine a shtypshkronje, qe solli ndryshime jo te pakta ne perdorimin e shkronjave duke i bere ato me te thjeshta. Edhe vershimi i teksteve ne internet sot, ndoshta kerkon menyra te reja trajtimi e disiplinimi.

      Ne fillim te shek. XX kur ndertesat shumekateshe filluan te mbizoteronin natyren urbane, arkitektet filluan t’i projektonin korridoret e ndertesave duke vendosur shtylla mermeri a metali, qe ne dukje nuk kishin ndonje funksion. Por roli i tyre ishte dhe eshte qe kur turma ne panik nga zjarri a termeti te vershojne per te dale, keto shtylla te presin hovin e turmes duke e percare dhe ulur intensitetin e saj, qe njerezit te mos shkelin njeri tjetrin.

      Mendoj se shkrimi nuk duhet te nenvleresohet a mos botohet se[se ka nje “e” pa pika a nje “c” pa bisht, sepse do te ishte njesoj si te shkulesh nje shtylle ne korridor sepse prish estetiken, megjithese ndihmon njerezit te levizin pa penguar njeri tjetrin kur vershojne, si shkrimet ne internet.

  3. Edhe une jam dakort me guest.
    Nje leshim apo pse jo dhe nje ripropozim per te pershtatur ë dhe ç me alfabetin latin te internetit nuk do te ishte gabim fare.

    Menjehere me vjen nder mend qe shume i perafert nga shqiptimi me shkronjen ç eshte ‘ts’ p.sh kurse per ë mendoj duhet menduar e diskutuar me shume.

    E them kete, se jane vetem dhe vetem keto dy shkronja,qe dalin si drunj te shtrember ne alfabetin tone komplet perendimor. E megjithate deri me sot te shkruarit ne internet dhe kompjuter qofte dhe pa perdorur pikerisht ato, por te perafertat e tyre ne paraqitje si “c” dhe “e” , nuk duket te jete bere fare pengese ne te lexuarit dhe kuptuarit e cfaredo fjalie te artikuluar me to.

    Por nuk duhet bere ne asnje menyre leshim ndaj gafave gramatikore qe kane te bejne me formulime fjalish apo perdorime foshnjore te fjaleve te huaja kur ekzistojne ato shqip.

    Nuk duhen bere leshime bile as ne shkrime qe mekanikisht nga ana gramatikore mund te duken te “sakta” por qe kane nje nivel shume te ulet te shkruari dhe nuk arrijne te percjellin asnje ide ose informacion te sakte.
    Kjo vlen sidomos per perkthimet dhe perkthyesit e sotem te Shqiperise per te cilet mendoj se duhet hapur nje teme me vete.

    1. Apokalypsis, nëse do donim ta zëvendësonim gërmën ç me diçka më të përshtatshme për të shkruar në internet, mendoj se ch do bënte goxha punë. Ja, për shembull si do dukeshin nja dy fjalë me ç: chështja chame; dichka; chudi. Vetëm pastaj ngelet problemi i motorëve kërkimorë të tipit Google, që nuk nxjerrin të njëjtat rezultate për «chështja chame» dhe «çështja çame». Po kësaj si do t’ia bëjmë?

      1. google i konsideron pak a shume njesoj Muenster dhe Münster. nuk eshte “big deal.” sic thone inxhinjeret informatike: “a few lines of code.”

      2. Po e drejte mund te zevendesohet shume mire dhe me ‘ch’ dhe nuk do te ishte ndonje perjashtim i madh perderisa kemi dhe shkronjat ‘sh’, ‘zh’,dh’, ‘xh’.
        Sorry nese harrova ndonje tjeter 🙂

        Ndersa per google dhe integrimin e alfabetit te ri ne internet apo ne cdo gje te shkruar, pergjigja eshte ajo e chensures 😉

  4. Nuk ka nevojë të hiqen e të shtohen gërmat e alfabetit shqip. Mjafton të shtosh gjuhën shqip te lista e gjuhëve në Windows, nqse përdoret Windows. Ka disa ndryshime të vogla në renditjen e gërmave, p.sh. ne krahasim me tastieren amerikane shkronja ‘z’ është te vendi i shkronjës ‘y’ dhe anasjelltas, por që duke përdorur tastierën mund të mësohen shumë shpejt. çÇ, ja ku qenka edhe ç-ja.

    Poshtë janë udhëzimet se si bëhet kjo gjë në Windows Vista:

    http://windowshelp.microsoft.com/Windows/en-US/Help/52e368fa-bd32-4749-955e-331f9130889f1033.mspx

  5. Mua ma do puna të shkruaj shumë në anglisht, prandaj nuk e modifikoj dot tastierën, sepse më janë mësuar gishtat me tastierën standard të anglishtes. Megjithatë, nuk kam kurrfarë problemi për të shkruar me shenjat e plota të alfabetit të shqipes – ç-në e përftoj me një kombinim tastesh në MS Word (CTRL + , c), ndërsa -ë-në fillimisht e shkruaj si ë, pastaj bëj një Kërko & Zëvendëso totale (Search & Replace), duke e zëvendësuar me ë-në (e cila në MS Word përftohet si CTRL + :, e). Jam mësuar me këto praktika dhe pothuajse nuk i vë re më; aq sa shkrimi i thjeshtuar më vret sytë. Kolegëve që dërgojnë shkrime në blog gjithnjë u kërkoj t’i përdorin shkronjat korrektësisht; por këtë nuk mund t’ua imponoj komentuesve; edhe pse nuk e fsheh që më pëlqen kur shoh komentues që e shkruajnë shqipen në mënyrë korrekte. Edhe kur komentoj, unë përsëri e shkruaj komentin në MS Word, pastaj e kopjoj në faqen e blogut. Kujt mendon se nuk mund të veprojë kështu, meqë nuk ka kohë, mund t’i them vetëm se edhe unë nuk kam shumë kohë të lirë, por nevojën për ta shkruar shqipen mirë e ndiej njëlloj si nevojën për ta pasur këmishën të pastër dhe për t’i larë dhëmbët para gjumit. Ka njerëz që nuk kanë kohë as për këto rutina të fundit, punë e tyre. Por argumenti i kohës nuk qëndron. E kuptoj që shumë shqipshkrues përtojnë të shkruajnë korrektësisht, por nuk kuptoj guximin e këtyre njerëzve që të propozojnë të thjeshtojnë alfabetin e shqipes, vetëm e vetëm ngaqë përtojnë. Këtu kanë përgjegjësi edhe institucionet në Shqipëri, të cilat duhej të këmbëngulnin që të gjithë kompjuterat që shiten brenda territorit shtetëror të vijnë me tastiera shqipe (si hardware), sikurse edhe kompjuterat që u jepen shkollave, bibliotekave dhe universiteteve ose që blihen me shumicë për institucionet vetë; kjo kërkesë më duket së paku po aq e logjikshme sa edhe kërkesa për t’i etiketuar mallrat e ndryshme në shqip.
    Si edhe në kontekste të tjera, çështja besoj se ka lidhje me gatishmërinë tonë për të përvetësuar rregulla të reja dhe për t’iu përshtatur situatave të reja. Një njeri i mençur, kur ndeshet me murin, kërkon për derën; ndërsa një i pamençur, kërkon për kazmën, që të hapë një vrimë në mur. Propozime si ato të qarkullojnë, për ta ndryshuar alfabetin e shqipes për shkak të teknologjisë kompjuterike, nuk janë veçse udhëzime për t’i hyrë murit me kazmë. Njerëz të marrë, dembelë, kokëfortë dhe të trashë gjithnjë do të ketë, sikurse do të ketë edhe entuziastë të ndryshimeve për hir të ndryshimeve, mendjelehtë dhe tra-la-la-llarë; ose subversivë gjithfarësh, që duan t’i përdorin ndryshimet për të përmbysur hierarkitë e për të realizuar qëllimet e tyre private; është puna e tyre, dhe unë këtu i kundërshtoj jo sepse dua t’i kthej në rrugë të mbarë, por sepse nuk dua të më prekin gjuhën të cilën unë përdor e së cilës i shërbej. Bota njeh gjuhë si anglishtja dhe frëngjishtja, të cilat praktikisht janë dyzuar midis një forme të folur dhe një forme të shkruar; dhe megjithatë, kulturat përkatëse nuk duan t’i ndryshojnë traditat shkrimore, sepse e dinë që pa këto tradita gjuhëve u humbet dimensioni i tretë, ose thellësia. Shqetësues është edhe fakti që disa nga propozimet për ndryshime alfabetesh vijnë nga amatorë të kulluar, njerëz që kujtojnë se kanë kompetencë për t’u shqiptuar rreth çështjesh teknike të gjuhës vetëm e vetëm ngaqë e përdorin gjuhën. Pazotësia për t’u përshtatur mund të ketë pasoja të rënda për një kulturë; dhe në rastin më të mirë shkakton konflikte të kota, shpërdorime energjish mendore dhe në përgjithësi shpirtërore, e shndërron prapambetjen në tipar identiteti (siç ndodh, bie fjala, me romët).

    1. Është më e lehtë të mbash në taskbar EN dhe SQ e ti ndërrosh sipas nevojës, anglisht apo shqip edhe në këtë kutinë e komenteve.
      Problem kam kur nuk shkruaj nga PC, por nga Apple Mac, të cilin edhe s’di por dhe s’dua ta personalizoj sepse nuk është vetëm imi. Por nga kompjuteri im i xhepit, ë dhe ç nuk ka asnjë mundësi të bëhen, e atëhere ose nuk duhet shkruar (duhet ndënjur vërtet me pushime) ose duhet shkruar pa ë dhe ç.
      Gjithë këtë koment për të thënë diçka që e kam stërthënë të paktën 8 vjet përpara: Mjafton të ndërohen kapaçkat e tastave në tastierë dhe jo krejt tastierat. Rreth 10 të tilla sa do kërkonin ndryshimet do të kushtonin nga 1 cent copa 10 cent. Kjo punë duhet bërë me aksion, si atëhere kur detyronim gjyshet mos përdornin penxhere për dritare; por kjo është punë nipash. Shteti po të kishte dashur e kishte mbaruar këtë punë me një kod doganor që lejonte vetëm importimin e tastierave shqip për qëllim shitjeje; sot nuk ka justifikim shtrenjtësie, tastierat janë fare lirë.

      Përkrahjen time modeste, Xha Xhai.

      1. Une jam dakord me Xhaxhain, por disa here ai lejon poste te shkruara ne dialekte shkodrane apo te sajuar gege qe mua me duken me ofensive se sa mungesa e ë apo e ç. Ajo eshte tamam shperberje e gjuhes, sidomos kur vjen nga njerez qe e bejne pikerisht me ate qellim. Ketu kam parasysh nje Adrian (qe nuk shkruan me ne kete blog) si edhe nje Ledi Shamku qe duket shume e pergatitur nga ana teorike gjuhesore por qe nga ana empirike ben dicka qe vete ndesh me qellimin e te zhvilluarit te nje kulture kombetare.

    2. “…Propozime si ato të qarkullojnë, për ta ndryshuar alfabetin e shqipes për shkak të teknologjisë kompjuterike, nuk janë veçse udhëzime për t’i hyrë murit me kazmë. Njerëz të marrë, dembelë, kokëfortë dhe të trashë gjithnjë do të ketë, sikurse do të ketë edhe entuziastë të ndryshimeve për hir të ndryshimeve, mendjelehtë dhe tra-la-la-llarë; ose subversivë gjithfarësh, që duan t’i përdorin ndryshimet për të përmbysur hierarkitë e për të realizuar qëllimet e tyre private;…”

      I nderuar Xhaxha,kam pershtypjen se jeni irrituar pak ne kete pike. Duhet te kemi parasysh ligjin e te kundertave pa te cilat nuk ka zhvillim. Gjithmone ka nje force qe kerkon ndryshim, por ka dhe nje force tjeter qe tregon inerci ndaj ketij ndryshimi. Kjo sa per hyrje.
      Une personalisht lidhur me alfabetin dhe se sa ndihmon kjo ne zhvillimin dhe integrimin e nje vendi ( gjithmone flas per integrim ne civilizim ) kam lexuar shume shume heret dhe atehere vertete me ka bere pershtypje se si qenka kjo pune kshu qe dhe alfabeti luaka rol.Bile po aty kam lexuar qe Turqia p.sh beri nje hap shume te zgjuar duke e kthyer alfabetin nga arab ne latin.
      Por me vone kur u hapa pak me shume dhe pashe pak me shume bote e kuptova mire kete. Me ka bere pershtypje bile sesi gjermanet jane ne nje proces disa vjecar tani, me shume se 10 vjecar per te zevendesuar shkronjen ‘ss’ sepse ne fakt shqiptimi i saj eshte ‘ss’. Kjo sepse ‘β’ eshte shume e vecante nga shkronjat e tjera latine.
      Dhe me lejoni t’iu kujtoj ketu qe te drejten e autorit te patentes per Computers e ka Gjermania dhe si e tille ka te drejte te kerkoje ndryshime gjenerale ne tastiere.

      Kembengul qe ne kete pike ne jemi me fat qe kemi nje alfabet 98% latin me perjashtim te dy dhe vetem dy shkronjave. Nuk cenohet aspak gjuha jone as vlerat e saj as e folura as aksenti nese dy shkronja te paraqiten jo kshu po ashtu. Mendoj se eshte thjesht ceshtje paraqitjeje dhe asgje me teper, nuk shoh gjekundi se ku mund te cenohet gjuha ketu??

      Si dhe te mos harrojme se kjo ide pak me siper eshte hedhur e diskutuar nga shume e shume studiues tane gjuhetare, dhe une keto i kam pare pothuajse te gjitha. Kshu qe s’e besoj te jene kaq te marre dhe keta.

      Konservatorizmat jane te mira deri diku se jane inercia e ruajtes se traditave dhe te te vjetres, por ne disa raste ja qe ato duhet t’i lene vendin te rese. Po ashtu pershtatja me kohen dhe “being agile” nuk duket kaq e tmerrshme per njerezimin as per popujt ne pergjithesi, kur ne fakt ligjet e jetes mbi toke jane pikerisht te tilla, jeta ecen me pershtatje, me permiresime, dhe me pranimin e asaj qe pa e kuptuar na e ka zgjedhur instikti.
      As une asnje nuk eshte dembel te perdore CTRL per te vene ‘ç’ dhe ‘ë’, por kur punon ne nje kompani internacionale, shqipen nuk e ka fare te instaluar, por nga ana tjeter ti ndjen nevojen te japesh mendimin tend ne kete mori kaq te madhe virtuale, gjen kete zgjidhje qe kemi gjetur te gjithe ne qe shkruajme pa ‘ë’ dhe pa ‘ç’. E megjithate e shoh qe na kuptoni shume shume mire, dhe kur i lexoni i shqiptoni ashtu sic duhet apo jo?

      Ne fakultet kishim nje profesor shume te mire, bile sot nga arkitektet me te mire. Dhe ai na dha kete shembull:
      Eshte nje lulishte, e cila eshte pak e madhe dhe rrethohet nga rruge rrethore etc. Por shikon qe pas 3-4 muajsh nje rrip i ngushte ne mes te barit, eshte shkelur e bere “short path” sepse ne fakt te gjithe njerezve iu bie me kollaj t’i bien ashtu shkurt sesa te vijne rreth e rreth. Mbase duhen vene gjoba per te gjithe ata qe shkelin barin. Ndoshta te gjithe keta njerez duhet te quhen “dembele” “shkeles te rregullit” “te pacipe qe shkelin barin” etj.etj.etj. Po ja qe ajo “short path” e bere ashtu instiktivisht nga te gjithe njerezit, bile dhe profesora shihen te kalojne aty, eshte ne fakt nje lehtesi e gjetur nga ligji jetesor dhe vetem kaq.
      Kshu qe zgjidhja me e mire eshte qe inxhinieret ta pranojne ate si rrugice dhe ta shtrojne me pllake. As lulishtja nuk do te duket e shemtuar ashtu me barin e shkelur, por dhe do te kete nje funksionalitet te dale nga jeta e perditshme.

  6. ai teksti qe u cek pak me lart i cili eshte edhe tem e bisedimit ishte i perpunuar fantastik komplimente per ata qe e kan perpunuar,ndersa sa i perket perdorimit neper institucionet tona behen per dy arsye njera se ne punen te cilen e zotojn eshte sepse jane futur jo me cilesi me “ngjofesi” qe thot populli dhe arsyeja e dyte eshte sepse ato zoterohen nga strukturat nderkombetare te cilat kane ardhur ne emer te ndihmes e qe ne fakt udheheqen nga BE ne bashkpunim me beogradin direkt keshtu qe ato struktura mundohen qe gjuhen shqipe ta bejne “lamsh” ne emer te gjuhes standarde apo te paster shqipe; keshtu qe apel per te gjithe folni dhe shkruani shqip folne dhe shkruajeni gjuhen e nenes sepse vetem ajo eshte standarde.tung nga avdyli

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin