Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

PROTOKOLLET E KAOSIT

Çdo lloj komunikimi natyrshëm mbështetet mbi një protokoll ose kod të përbashkët ose të pranuar nga të gjitha palët; por kur këtë përbashkësi e vendosin institucionet, atëherë ideologjizimi nuk mund të shmanget.

Për shembull, një nga protokollet më të rëndësishme për shqipen e shkruar, ka qenë vendimi për të përdorur alfabetin latin – përkundrejt alfabeteve të tjera të mundshme, dhe pikërisht grek dhe arab. Që u preferua alfabeti latin, kjo pati edhe arsyet e veta praktike (shtypshkronjat), por kryesor mbetej orientimi i parive kulturore shqiptare, të asaj kohe, ndaj Perëndimit.

Edhe vendosja e toskërishtes në bazë të gjuhës letrare ishte një akt në thelb ideologjik, i cili mishëronte supremacinë toske në politikë dhe në kulturë, sidomos në Shqipërinë e pas 1945-ës; sikurse ishte ideologjike orvatja për ta paraqitur shqipen standard si një “koiné sui generis” – me fjalët e Kostallarit.

Standardi i një gjuhe, veçanërisht në formën e vet të shkruar, kodifikohet duke zgjedhur, mes varianteve, një formë e cila nis t’i përjashtojë të tjerat, duke ua degraduar statusin. Kështu, nga tri format e pjesores shkruar, shkrue, shkruajtur, u zgjodh e para, çka i shndërroi të dytat në sub-standard.

Pasi vendoset dhe fillon të funksionojë norma gjuhësore, atëherë çdo akt komunikimi njëkohësisht i shërben edhe homogjenizimit kulturor; duke shkëmbyer mesazhe në gjuhën e njësuar, folësit integrohen në një komunitet të njësuar, së paku teorikisht.

Kjo dinamikë e njësimit nuk po funksionon mirë, që prej 1990-ës e këtej, kryesisht ngaqë disiplina në gjuhë ka ardhur duke u shthurur dhe prestigji i standardit duke rënë, por edhe ngaqë shumë përfaqësues e promotorë të kulturës gege po përpiqen t’ia ripërkufizojnë gegërishtes rolin dhe peshën në shqipen e shkruar.

Rebelimi ndaj standardit shfaqet në trajta të ndryshme, mes të cilave edhe orvatja për të “përkthyer” në gegërishte mendime dhe thënie të konceptuara në letrarishte.

Disa nga këta rebelë ndaj standardit kujtojnë se mund ta shkruajnë gegërishten duke “gegëzuar” tekste të shkruara në standard; bie fjala duke ndryshuar disa tipare fonetike ose gramatikore, duke përdorur paskajoren e tipit me shkrue, ose të ardhmen e tipit kam me ardhë, etj.

Vëreni paragrafin e mëposhtëm, nxjerrë nga një artikull i paradokohshëm i shkrimtarit të njohur Rudolf Marku:

Herën e fundit që isha në Shqipëri, pata shkuar në Shkodër. Dhe vërtet qeshë prekë nga përtëritja e Shkodrës, nga ringjallja e saj. Te dugajat e reja, në rrugën përballë Kafesë së Madhe apo Bashkisë, tek kalon pranë gjimnazit 28 Nantori, sheh shenjat e rikthimit të Shkodrës në origjinën e saj të dikurshme. Asnjë qytet i Shqipërisë nuk ma ka dhënë këtë ndjesi të ringjalljes sa Shkodra. Aq sa, duke ecë rrugëve të saj, më dukej se rastësisht do kisha fatin me pa Fishtën, Mjedën, Koliqin, Lazër Shantojën, këtë dashnor të zjarrtë e të pafat të Shkodrës, Migjenin, Gjon Shllakun. Dhe jam larguar nga Shkodra me gjithë mend i ngazëllyem.

Në këtë paragraf kam shënuar, me të zeza, format gegërishte që ka përdorur autori; ndërsa me të pjerrëta format toske të cilave qartazi u përgjigjen forma gegërishte (pata shkue, përtrimja, Shqipnisë, ma ka dhanë, jam largue). Natyrisht, Marku mund të shkruante në gegërishte të kulluar e homogjene, po të dëshironte; por nuk e bën. Qëllimisht nuk zëvendëson një kod me një tjetër, por e saboton kodin ekzistues duke futur aty elemente virale, të cilat i binden një kodi tjetër.

Kësisoj, thyerja e kodit, me vetëdije, shenjon një mesazh të ri që kërkon të përcjellë teksti – dhe pikërisht vullnetin e autorit për të sfiduar standardin.

Artikulli, i cili i kushtohet Shkodrës, i merr disa trajta shkodranishte.

Lexuesi i percepton menjëherë këto trajta si opake, të ndryshme nga ato të tjerat, të zakonshmet e që vetëm sa riprodhojnë normën; prandaj artikulli nis dhe imponohet jo vetëm me mendimet që përcjell, por edhe me formën e këtyre mendimeve, duke marrë disa tipare të një shkrimi letrar të mirëfilltë.

Për mua ky operacion mbetet akt i sipërfaqshëm, i ngjashëm me një graffiti në murin e një institucioni të vjetëruar; Marku i thotë lexuesit se gegërishtja meriton të përdoret, por nuk shkon deri aty sa ta përdorë.

Po cila gegërishte?

Sot ndesh rëndom me një koncept të çuditshëm të shumë shqipfolësve gegë, të cilët kujtojnë se mund ta shkruajnë gegërishten lirshëm e rrjedhshëm, mjaft të dëshirojnë. Në të vërtetë, shumë pak janë ata shqiptarë që mund ta shkruajnë gegërishten bukur; jo sepse kjo është e vështirë, por sepse gegërishten askush nuk e studion në shkollë.

Në këto rrethana, orvatjet për ta përdorur gegërishten publikisht, në shkrime gazetash, nuk janë veçse sulme të maskuara ndaj standardit, pa ndonjë vlerë për gegërishten vetë dhe kulturën gege; mbeten në nivelin e ankimit dhe më shumë se alternativa ndaj normës, janë gjeste mospranimi, thyerje xhamesh ose përdhosje fasadash.

Dukuria nuk duhet ngatërruar me programin politiko-gjuhësor që propagandon “Jáva” e Migjen Kelmendit, i cili thyerjen e normës gjuhësore e ndërmerr në emër të separatizmit kulturor dhe, në analizë të fundit, politik të Kosovës; as me shqipen e shkruar nga shumë shqiptarë prej Kosove, të cilët nuk e zotërojnë normën e 1972-shit; në këtë rast të fundit shmangiet nga norma janë të paqëllimshme, dhe shkruesit kujtojnë se po komunikojnë normalisht, madje edhe kur shkruajnë diqka, qka e kështu me radhë.

Gjithsesi, që ta sulmosh standardin duke ia sfiduar disiplinën drejtshkrimore ose gramatikore, duhet ta njohësh mirë.

Po të shohësh emrat e autorëve që ngulmojnë të përdorin gegërishten publikisht e demonstrativisht në Shqipëri, vëren se shumë prej tyre janë të fesë katolike, së paku për nga prejardhja. Në penën e tyre, gegërishtja shndërrohet në simbol të krenarisë me traditën e shqipes së shkruar në dialektin veri-perëndimor, por edhe të kompleksit të superioritetit të pakicës katolike, e cila e kujton veten urë lidhëse mes shqiptarëve dhe Perëndimit.

Megjithatë, vlen të kujtohet këtu se Vatikani zyrtarisht u kërkon katolikëve që të përdorin, në tekstet e tyre dhe në shërbesat fetare, formën gjuhësore standard të vendit ku jetojnë, jo dialektin ose të folmen që i dallon prej bashkëkombasve të besimeve të ndryshme nga ai katoliku. Kjo kërkesë arsyetohet, besoj unë, me nevojën që ligjërimi fetar të mos i shërbejë diferencimit, por afrimit me komunitetet e tjera me të cilat katolikët janë në kontakt ndonjëherë të dendur.

Unë vetë, po të zgjidhja mes varianteve të gegërishtes letrare, nuk do të ngurroja të përqafoja atë veri-perëndimoren, të cilën tradicionalisht e lidhin me kulturën katolike të qytetit të Shkodrës; sepse është i pasur, i rafinuar dhe i lëvruar më mirë se çdo variant tjetër letrar i shqipes, ndoshta me përjashtim të standardit.

Megjithatë, realisht gegërishtja veri-perëndimore nuk ka asnjë shans të mbijetojë si gjuhë e përbashkët e shqiptarëve. Kjo formë gjuhësore, nëse do të ketë një të ardhme brenda kuadrit të sotëm kushtetues të Shqipërisë, do ta ketë në lëmin letrar-artistik: letërsi, teatër, televizion, kinema.

Një tjetër aspekt i sfidës që ia bën gegërishtja veri-perëndimore standardit lidhet me një farë përvetësimi që ia ka bërë komuniteti katolik, në Shqipëri, antikomunizmit; mendoni p.sh. At Zef Pllumin; çka i jep asaj shqipeje atributet e një ligjërimi me mision jo vetëm kulturor, por edhe politik; të cilat ndoshta as At Zefi vetë nuk do t’i kishte pranuar dot.

Aktivizimi i kodeve të papajtueshme, brenda një hapësire gjuhësore të krijuar artificialisht nëpërmjet arsimit publik të përgjithshëm, nuk mundet veçse të përftojë kaos – me ç’rast duhet pyetur se kujt i shërben ky kaos, çfarë misioni përmbush, e pasuron kulturën apo e varfëron, e kështu me radhë.

Ja një shembull kaosi të mbjellë nga Rudolf Marku, në të njëjtin artikull, e që, pa ngurim, do ta quaja politikisht subversiv:

Çdonjëri nga ne që ka kaluar nga Shkodra drejt Malit të Zi apo nga Pogradeci drejt Maqedonisë asht trishtuar nga kontrasti mes pamjes së anëve të liqenit të Shkodrës a të Prespës këndej kufinit dhe asaj të pjesës malazeze dhe maqedonase.

Vërejeni kombinimin asht trishtuar, ku pjesa e parë i referohet kodit gegërishte, ndërsa e dyta kodit toskërishte (përkundrejt formave të rregullta asht trishtue dhe është trishtuar). Përpiquni edhe të gjeni logjikën sipas së cilës në të njëjtën fjali bashkëjeton një formë e rotacizuar (çdonjëri) me një formë të parotacizuar (kufini). Pyesni veten se çfarë e shtyn autorin Marku t’i shpallë luftë foljes është, duke e zëvendësuar sistematikisht me asht.

Vallë mund të mbështetet kështu një revolucion gjuhësor? A janë këto akte vandalizmi, sado të vogla e të paramenduara, përpjekje për të destabilizuar sistemin, nëpërmjet infektimit me viruse prej sistemesh të tjera? Apo nuk ka dallim mes formës asht trishtue të Markut, dhe formave të tilla hibride por të stabilizuara tashmë, si p.sh. zanore e ranishtë, të standardit?

Pyetje që nuk ua jap dot menjëherë përgjigjen. Besoj se, sot për sot, përdorimi i gegërishtes në publicistikë, bën që lexuesi të mos u kushtojë aq vëmendje teksteve përkatëse, sesa faktit që atje përdoren forma të gegërishtes. Me fjalë të tjera, në Shqipëri, ligjërimi gegërishte në një kontekst ende të mbizotëruar nga norma nuk përcjell veçse promovimin e gegërishtes dhe të partikularizmit geg veri-perëndimor; mundësisht në frymë katoliko-centrike.

9 Komente

  1. Vemendje plot eshte ‘Peizazhe te fjales”. Kjo me ben te trokas ne kete port blogu, ku e gjen jo rrall here edhe bujare, ne gjuhe, dhe jo vetem, si p.sh. vezhgimi i justifikuar i ketij shkrimi.

    Fjala ‘shkruajtur’ nga c’dialekt vjen?
    Gjuha, arsye e madhe, qe jam e lexoj kete blog, ku fjalen ‘shkruaj’ si te standartit, e bej ashtu si ish, timen, nga qe varianti ‘shkruajtur’ eshte perdorur edhe nga dikush qe komenton ne kete blog, nga i cili dalin mendime qe mund ti ndjek, dhe per inerci edhe kete fjale e kujtoj ne nje rast te mendoja ne se ish njera apo tjetra e sakt (standart).

    Edhe nje pyetje; C’eshte ‘zanore e ranishtë”

    1. Vëmendje, forma si zanore dhe ranishtë e thyejnë normën, duke futur në të elemente të gegërishtes.
      Krahaso këto dy trajta:
      Gegërisht: zâ – zani
      Toskërisht: zë – zëri
      Që këtej, duhej të pritej që termi të dilte si zërore (kalk nga italishtja vocale). Përkundrazi, është preferuar forma e gegërishtes zanore.
      Kështu, në standard bashkëjetojnë edhe zëri, edhe zanore. Kjo dukuri nuk ndryshon shumë nga asht trishtuar, e Markut.
      I njëjti arsyetim vlen edhe për rërë dhe ranishtë (duhej të ishte rërishtë).
      Sa për formën shkruajtur (gjithashtu kruajtur, etj.), kjo është e toskërishtes jugore, besoj (Gjirokastra, çamërishtja, arbërishtja); standardi ka preferuar formën tjetër, shkruar, që është përsëri toske, por më e përhapur.

  2. Kjo ka ndodh dhe me gjuhe t’tjera.
    Kemi anglishten,e cila eshte devijuar ne disa forma foljore,emerore,theksive(intonative,bashkimore,tingujt e folur te zanoreve,bashtingellore dhe kombinimeve te tyre per nje njesi te caktuar).Kutpohet qe ne anglishte kane ndikuar perberja etnike e atyre qe qe formuan Ameriken,italiane,gjermane,irlandeze,polake,kroate,angleze…
    Une mendoj,se rendesi te madhe merr shkrimi dhe standartizimi i gegenishtes ne vetvete si nje vlere e madhe per gjuhen shqipe dhe gjuhesine ne pergjithesi.Menyrat paskajore te saj jane me elastike ne shprehjen e mendimit e te tjera vlera te saj te ngelura ne erresiren pashkruese.Nuk eshte e thene qe ate ta perdorin shqiptaret e Shqiperise.Ate mund ta perdorin ata qe e flasin,shqiptaret e Kosoves.

  3. Duke lexuar këtë shkrim të Xha, më vjen menjëherë në mendje dicka, nuk e di, a ta quaj ‘interesante’..??!! Fjalën e kam ketu: në artikuj dhe shkrime të botuara nëpër mediet e shkruara, nga profesionistë dhe specialistë të gjuhës, të tillë si Shamku, Marku, Elezi apo dikush tjetër (lidhur me përdorimin e gegërishtes), vërej se, ato botohen ashtu sic i ka shkruar autori; pra, redaksia është “rekomanduar” ta riprodhojë shkrimin, ashtu sic i është dorëzuar. Nga ana tjetër, shkrime, fjalime, thënie etj. dalë nga “pena” apo goja e politikanëve,drejtuesve të niveleve të ndryshme të administratës, me origjinë nga veriu, të cilët, për fatkeqsinë e veshëve tanë flasin një gjuhë, tejet të sajuar, si ajo pak a shumë e Markut (por, në gojën e personave me komplekse, tingëllon deri e neveritshme), kam përshtypjen se u nënshtrohen redaktimeve, deri në rreshtimin e mendimit të autorit, sipas oreksit të redaktorit. Përse ndodh kështu…!!? Në gjykimin tim, aspak profesionist (por, as me tendencë spekulimi mbi këtë fenomen), unë do mbështesja Xha xha-in, kur aludon për ..””akte vandalizmi, sado të vogla e të paramenduara, përpjekje për të destabilizuar sistemin, nëpërmjet infektimit me viruse prej sistemesh të tjera….””, të cilat ngarkojnë me përgjegjesi, kryesisht, ata gjuhëtarë apo specialistë të gjuhës, të cilët e aplikojnë këtë mekanizëm. Në rast se shikohet apo gjykohet se, ka ardhur koha për të bërë nje “revolucion” tjetër në lëmin e gjuhësisë, apo shprehur më saktë, në atë të përdorimit edhe të një standarti tjetër, të dialektit gegë, i cili, të përmbushë kërkesat e trevave ku ai flitet, apo, qoftë edhe të nevojës së pasurimit te kulturës tonë gjuhësore e letrare, me perlat e autorëve gegë, mendoj se nuk është aspak e nevojshme të përdoren forma të tilla të “imponimit”, të kësaj mënyre të folme.

  4. Nr Prot ____
    Date______

    Longfellou ka një poezi të quajtur Shtetrrethimi, me ritmin e të cilës sinkronizova leximin kur flitej per At Pllumin, e, një e e gjatë kjo, bëra keto binjakëzime: shtetrrethimin me standartin, librin me gegenishten, librin e At Pllumit si përfundim dhe mbyllje të saj prej tij; tranzicionin (rënien e disiplinës në gjuhë) si tymin që rrit trillime si ky i Markut; e me radhë, por që gjumi dhe harrimi përmbi gegënishte të sundojnë këtë nuk e kapërdij dot. Kemi shkruar dhe herë tjetër, e unë po aty mbes, bile, nganjëherë rebeloj dhe vetë, e fus viruse në doza të vogla. Në shqipja standart është e shëndetëshme, le të vetëmbrohet me antitrupat e saj.
    Interesante kërkesa e Vatikanit zyrtar, nuk e kisha ditur ose nuk mbaj mend të përdoret si argument.
    Në diagonalen Tiranë-Londër, që Shekulli ka hequr si një kompani shpërndarjeje e një linjë fluturimesh ajrore, Marku është njëri prej autorëve që atakojnë standartin me forma të gegërishtes. Gjetja e këtyre autorëve në këtë linjë, mund të jetë aq rastësore sa dhe e menduar, edhe në qoftë e menduar mund të jetë mund të mos jetë për çështjen e gjuhës. Por le të qëndrojmë tek At Pllumi, e R. Marku, në faqet e Shekullit. I pari, i dhuroi alibinë më të pranueshme (për mua) Kadaresë, duke u shprehur se muri s’luan e burri luan. I dyti, me çuditi fort kur para do kohe, lavdonte dy romane (një të hershëm e një më të ri) përnjëherësh dhe autorin e tyre në të njëjtin shkrim në gazetë. Romanet Marku i kishte lexuar duke fluturuar Tiranë-Londër. Pse gjithë kjo? Të nesërmen a pasnesërmen Shekulli botoi një artikull të autorit të ngritur në qiell prej Markut për Kadarenë; ky ishte një artikull i stërshkruar, por nejse.
    Të shohësh qiellin së pari të duket kaos, por po shënove ca poziocione e ca trajektore në kohë mund të thuash me përafërsi se çdo të ndodhë. Dhe ajo që mund të thuhet është: Shekulli, me dije ose padije, me marrveshje apo rastësisht, po kërkon drejpërdrejt ose tërthorazi fjalën e mirë të atyre që stimulojnë gegërishten për Ismail Kadarenë, ekskluzivitetin e shkrimeve të të cilit e ka monopolizuar, ashtu si me të njëjtën mënyrë, lejon dhe atë tjetrin që ti përvishet Berishës, duke e lënë të fusë nën rrogoz çkado.
    Mjerë këta autorë që shiten për hiçgjë e që Shekulli i lë zbuluar, si Markun që e lë të shkruajë se po të kalosh nga Pogradeci për në Maqedoni anëve të liqenit të Prespës…
    Si tu kushtosh vëmendje teksteve te tilla Xha xhai, pash Zotin.

  5. Xhaxha, do të doja të isha edhe unë aq i mirë sa ju dhe të medoja orvatjet e ndokujt si sabotime të vetdijshme… do të bindesha nëse ata do të kishin prezantuar MATERIAL të kulluar gegërisht (dmth nëse kanë dhënë prova që e zotërojnë si në të folur, shkruar e në fjalor.

    Pasi është e disata herë që po diskutoj këto ditë rreth gegërishtes dhe “krimit” që komunistët i kanë bërë asaj duke e përjashtuar nga gjuha letrare (!!) më vjen mirë që një njohës i gjuhës shqipe si ju merr penën dhe shkruan rreth argumentit.

    Gegërishtja nuk do të arrijë kurrë të zërë një vënd, ashtu siç e meriton, nëse gegët në vënd që ta studiojnë dhe ta standartizojnë gegërishten do të merren me bastadizimin e gjuhës standarte… do të përfundojnë që të mos jenë në gjëndje të shkruajnë as në gegërisht dhe as në gjuhën standarte.

    P.s: Kur them që gegët duhet të dalin me propozime preçize për të pasuruar gjuhën standart, nuk kam ndërmënd propozimet me ee dhe cc që prezantohen si mrekullia e përsosjes dhe e thjeshtimit të gjuhës 😛

  6. kân’ thân’, kuptimi juaj për Shqipërinë e ardhshme më ngjalli një imazh: po të ishte gjuha qiell dhe fjalët trena, me shina të bigëzuara pafundësisht, në një stacion supermodern (kujtoj një tregim me personazh një dedektiv, ngjarjet vendosen në Japoni), më duket se do kishim gjetur bash qendrën e perandorisë së kaosit, me Shkodrën kryeqytet.
    Personalisht, mendoj se shkodranët janë bukurisht fantasiozë, por jo jashtë realitetit. Ata nuk “kàn me prit me iu mbushё mêndja” disave se Shqipëria “asht bà tashmà” dhe e dinë që zotërojnë mjaft vlera të tjera (përveç ritit të mureve të Rozafës), me të cilat mund të kënaqin hobin e vetidentifikimit në çdo rast. Asgjë të keqe nuk ka në dëshirën për vetidentifikim, sidomos kur ky është i këndshëm për çdo vesh shqiptari dhe, sidomos, kur di se buron nga bardhësia e zemrës.
    Të shpallësh se “e duam Shkodrën kryeqytet” nuk është më një hobi… E pra, ju nuk jeni përmendur ndonjëherë për “gropë në gjoks”. Ç’ju ka gjetur?

  7. kisha disa dite pa hyre ketu dhe sot vura re reagimin e dopodihermes mbi nje citim te Lazer Shantojes qe e kam sjelle ketu me rastin e 1 majit
    .
    Nuk e di sesi ka qene Shqipnija ne kohen kur i ka rradhitur autori Shantoja keto rreshta, ama ribotimi i tyre tek Shekulli sot, eshte irritues.Shekulli eshte thjeshte nje e perditshme informative, me nje sirtar te vogel kulturor, si gjithe simotrat e zhanrit, dhe nuk e di sesi ka vend aty per te aktualizuar pandehma anakronike mbi te qenet apo jo te Shqiperise Shqiperi pa Shkodren kryeqytet. Mbase ky shkrim ribotohet si nje aureole historike per shkrimet e Ardian Ndreces e Rudolf Markut mbi atentatet qe pushteti po i ben Shkodres me centrale berthamore e keqmenaxhime te tjera, duke dhene keshtu nje tablo gjithekohore te konfliktit midis “”kryeqytetit te vertete “”dhe “”kryeqytetit te pushtetit””, nje konflikt ky midis qyteterimit dhe barbarise, me fete dhe dialektet perkatese. Shume interesante mú duken edhe verejtjet e C. Diabolis mbi arsyet e terthorta te Shekullit ne pjesemarrjen aktive ne autoflagelacionin e promovimit te gegenishtes dhe revansheve te tjera klerikaliste qe mbeshtjell ky promovim. Eshte po aq interesante te shohesh si puqen ca axhendashu: nje figure perfaqesuese e Partise trashegimtare te Gjuhes Letrare edhe Ateizmit Shkencor, eshte sot pajtorja e rivendikimeve te gegenishtes dhe klerit franceskan/jezuit. Nuk kân’ thân’ kot: le vie del signore sono infinite!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin