Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

KAPITALI MË I ÇMUAR

Kryetarin e Komitetit të Dokumentimit, Hivzi Z., thanë se e kishte shkarkuar në vend Kryeministri, për shkak të një fjale të pamatur, që i kishte shpëtuar gjatë një bisede pune në telefon.

Se çfarë ishte ajo fjalë dhe pse e si e kishte nxjerrë Kryeministrin nga binarët, kjo ende nuk ishte marrë vesh; sikurse nuk ishte marrë vesh tema e bisedës mes atyre të dyve, secili në zyrën e vet e në distancë jo më shumë se 37 metra në vijë ajrore prej njëri-tjetrit, një pasdite dhjetori me shi të imët që u lante xhamat institucioneve kryesore të shtetit.

I diplomuar për pastërti të figurës në të famshmen Akademi Civile të Sverdlovskut (sot Jekaterinburg), në Bashkimin Sovjetik, Hivziu e kryesonte Komitetin e Dokumentimit që prej 15 vjetësh, kohë gjatë së cilës kishte marrë vetëm lëvdata nga udhëheqësit e shtetit dhe nga njerëzit e thjeshtë; madje ishte dekoruar, për 25 vjetorin e Çlirimit, me titullin e lartë të Mjeshtrit të Partisë, i cili jepej shumë rrallë.

U tha se Kryeministri, që ia mbante inatin që prej një incidenti dypalësh midis truprojeve në rezervatin e fazanit në Bishqem, ia kishte komunikuar shkarkimin me gjakftohtësi të hidhur, së bashku me urdhrin për t’u larguar nga zyra brenda 24 orëve.

Sipas rindërtimit që iu bë ngjarjes më pas nga organet përkatëse, në përfundim të bisedës telefonike me Kryeministrin, Hivziu kishte mbetur viktimë e një hemorragjie cerebrale sa të rrufeshme aq edhe masive, e cila e kishte lënë jo vetëm të paralizuar, por edhe i kishte marrë gojën dhe funksione të tjera thelbësore për detyrën e tij në krye të institucionit që drejtonte.

Sekretarja e tij personale Gjena B. i kishte hyrë në zyrë për t’i sjellë korrespondencën e pasdites, por e kishte parë të ngrirë në kolltuk, me telefonin të ngjeshur pas faqes dhe nuk e kishte shqetësuar; as kishte vënë re mizën e llojit musca domestica, që po shuante etjen në një çurg vezullues jarge që i varej dinjitarit të lartë prej buzës së çapëlyer.

Hivzi Z. njihej për një etikë të përsosur pune; dilte në zyrë shumë herët dhe rrinte aty edhe shumë kohë pasi largoheshin punonjësit e tjerë të Komitetit të Dokumentimit; për të dhënë shembullin personal, por edhe ngaqë ishte pak i ngadalshëm nga natyra.

Alberto Sughi: <p>Uomo che dorme

Alberto Sughi: Uomo che dorme

Pastruesja Lule E., e cila kishte hyrë në zyrë rreth orës 8:00 të mbrëmjes, nuk ishte habitur nga pamja e drejtorit, të zhytur në karriken masive prej lëkure dhe me telefonin ende të puthitur pas faqes së majtë ngjyrë boronice; as nga kokërdhokët e skuqur të syve, që i shihnin tashmë në drejtime të ndryshme – meqë pastruesja Lule E. ishte mësuar të mos e shihte kurrë në sy të fuqishmin Hivzi.

Nga tryeza e rëndë prej druri arre vinte edhe një erë e athët urine, të cilën Lulja e kishte ngatërruar me kutërbimin e djersës së mashkullit aktiv, megjithë moshën e shtyrë dhe konsumimin nga vitet e panumërta në krye të punëve.

Gjatë gjithë kësaj kohe, siç shpjeguan mjekët më pas, Hivziu nuk e kishte humbur vetëdijen; i tmerruar nga paraliza që po e mbante të lidhur pas karrikes me vargonj të padukshëm, i pazoti për të ulëritur, rënkuar, denoncuar, mallkuar ose shqiptuar fjalë të çfarëdoshme ose edhe thjesht për të lëvizur kokën në shenjë mosmiratimi, më kot ishte përpjekur t’ua përcillte tmerrin në fillim sekretares së vet Gjena, pastaj pastrueses Lule.

Në orën 10:00 të mbrëmjes, ish-drejtori kishte mbetur fill i vetëm në ndërtesën trikatëshe të Komitetit të Dokumentimit. E shoqja, Kadrije Z., veterane e luftës dhe e punës, e cila kishte edhe ajo një post kyç në Drejtorinë e Tokave, i kishte telefonuar Hivziut në zyrë disa herë, por vetëm për ta gjetur linjën të zënë, çka ndodhte rëndom, në ato vite kur njeriu nuk kishte orar.

Nuk dihej si do t’i kishte vajtur halli këtij kuadri të shkarkuar nga detyra, por krejtësisht të pazot për t’u larguar nga zyra, sikur vetë Kryeministri të mos ishte kujtuar për bisedën e mëngjesit, dhe të mos i kishte telefonuar në shtëpi, që t’i kërkonte të falur. Ashtu ishte marrë vesh, në instancat më të larta të shtetit, se Hivziu ende nuk ishte kthyer; dhe se duhej të ndodhej ende në Komitet, duke folur në telefon.

Një bisedë e shkurtër dhe profesionale me drejtorin e PTT-së mjaftoi për të sqaruar se telefoni në zyrën e drejtorit të Komitetit të Dokumentimit ishte lënë i hapur. I ndjekur nga rojet e veta besnike, Kryeministri vendosi të shkojë e ta takojë vetë mikun e tij të vjetër Hivzi, me të cilin ndante kujtime gjahu të paharruara.

E dija unë që ti s’e lëshoje kollaj kolltukun, u tha t’i kishte thënë Kryeministri Hivziut syçakërritur, sipas një dëshmie informale të dezhurnit të ndërtesës, njëfarë Alqi V. Prandaj të kam falur, po të më falësh edhe ti.

1 Koment

  1. … 18vjet më pas…

    Po, ai ishte akoma aty…
    Nuk kishte stuhi apo revolucion që ta shkulte nga ai kolltuk në të cilin kishte hedhur rrënjë.

    Ashtu si atëhere edhe sot, me ndryshimin që, ngjyra prej boronice e faqeve që kishte në të shkuarën, tashmë ka marrë nuanca prej të verdhe të shndritshme… prej dhjamit të vënë ndërkohë, ku me gjithë banjot e diellit dhe sesionet e shumta nën llampat abronxante nuk mund të maskonte disa damarë që shpesh i skuqeshin nga përdorimi i alkolit në netët e kaluara mes alegrisë së shokëve ose femrave që nuk i mungonin.

    Ashtu si atëhere, edhe sot ka kaluar pothuajse gjithë natën në zyrë.
    Mesazhi SMS, që një “mik” i kishte dërguar nga zyrat e kryeministrisë e kishte turbulluar jashtë mase.
    Celulari, me mesazhin akoma në monitor, vazhdonte të qëndronte mbi tavolinën e tij, ndërkohë që me sytë të ngulur mbi kompjuter, priste një shenjë përgjigjeje prej dikujt.
    Mesazhet me përgjigjet qetësuese të “miqve”, që ju kishte dhënë porositë e nevojshme për të zgjidhur këtë problem, as që i kishte hapur… ai e dinte që ata do të dinin si të vepronin… Ai priste një përgjigje prej “Atij”.
    “Ai” ishte shumë i fortë, por sidoqoftë, nuk ishte në gjëndje as që të konceptonte fuqinë e miqësisë dhe interesave që në ç’do kohë mund të ishin edhe më të mëdha se “Ai”.

    Zhurma e hapave në korridor, aspak e zakonshme për qetësinë prej varri që të gjithë bashkpuntorët e tij bënin të pamundur për ta respektuar, ndryshe nga herët e tjera që do ta kishte acaruar në kulm, i ngjalli një kërshëri të çuditëshme. Një kërshëri me një hije të hollë frike… Jo, nuk ishte frikë… ishte ajo ndjenjë që provonte përpara provimeve dikur, që edhe pse ishte i përgatitur dhe e dinte që nuk do të kishte probleme për të kaluar, si të gjitha provat që përmbajnë në vetvehte edhe elementë të paparashikuar për të mundur që t’i kesh komplet nën kontrollin tënd, bënin që të ndihej disi i turbulluar.

    Një prej shoqëruesve hapi derën dhe me një përkulje të lehtë ftoi atë që e ndiqte që të hynte, duke mbyllur ngadalë derën deri në një “trak” të lehtë… që megjithatë, kumboi në sallën e heshtur.
    Ishte ai “trak” që e zgjoi nga habija dhe i ndërpreu mendimin:“Po ky dje sikur u nis për në Kinë!!!”.

    Ishte “AI”.

    Pa lënë që heshtja ta bënte akoma më të rëndë situatën, “Ai” ju drejtua me një buzëqeshje nga ato me të cilat tashmë ishte stërvitur me orë të tëra për të përballuar telekamerat, duke shtuar: “A nuk ju jep miqve ndonjë gotë kur të vijnë në shpinë tande?”…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin