Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

KRONIKË PROVINCIALE

 

Pata rastin të shoh filmin e Minarollit dhe Aliçkës “Kronikë Provinciale”, çfarë përbën një thagmë për kohërat e stangacionit kulturor në të cilën gjendet shoqëria jonë. Janë të tilla vepra artistike që na rikujtojnë rolin e rëndësishëm që zë arti në mirëkuptimin midis individëve të një shoqërie pluraliste.

Kësi filmash pra na shërbejnë si përkujtime, në mënyrë që të mos mbyllim sytë kur cenohen këto vlera si kultura, që të mos shohim anash kur prishen kinematë e rrënohen qëndrat e kulturës, e të mos përsëriten më ngjarjet makabre të vitit ‘67 kur të njëjtat kazma që iu kthyen kulteve fetare u drejtuan më pas në vitin ‘73 për të shkatërruar edhe arritjet e kulturës shekullare dhe emancipuese.

Lexova pastaj edhe një kritikë ndaj këtij filmi në “Shekulli”. Unë nuk e di se çfarë filmi ka parë autorja e kritikës Yllka Lezo, por me siguri nuk është filmi që kam parë unë dhe miqtë e mi.

Se pari filmi është një homazh ndaj harmonisë midis komuniteteve fetare, harmoni kjo që mundesohet nga dashuria e përbashkët për artin, muzikën në këtë rast. Pra tematika e filmit nuk eshte aspak banaliteti qe ka perceptuar kritikja, porse kultura si nyje lidhëse midis njerëzve me botëkuptime të ndryshme.

Çfarë kritikja cilëson si “biseda të rëndomta” janë dialogje dialektike që në gjuhën popullore emërtohen muhabete, fjala “muhabet” vjen nga arabishtja e do të thotë “dashuri” ose “pëlqim”. Dhe elementi tjetër që kritikja e karakterizon me “ndonjë këngë”, të cilën ajo e banalizon duke e trajtuar si element dytësor, duket në të vërtetë të jetë elementi bazë në film, ku kënga simbolizon dashurinë për artin dhe funksionon si nyje lidhëse midis njerëzve me botëkuptime antagoniste.

Pra filozofinë e filmit kritikja në rastin më të mirë nuk e ka kuptuar fare, dhe ne rastin më të keq e degradon atë për motive aspak transparente për lexuesin.

Gjithashtu nuk mendoj aspak se qëllimi i autorëve të filmit ishte shfaqja e një filmi limonadë dhe kundërmime historiçkash dashurie të veleritshme hollivudiane, porse të na flladisnin me erën e realitetin shqiptar, sepse ishte ky publik grupi i synimit për filmin dhe jo audienca amerikane.

As nuk besoj se qëllimi i Minarollit dhe Aliçkës ka qënë kritika si qëllim në vetvete, porse përshkrimi i realitetit, një close-up shot e realitetit shqiptar nga këndvështrimi i tyre. Kjo shihet edhe në kostumet e zgjedhura që mbartnin aktorët, shumëkush besoi të kishte hypur në një “makinë të kohës” e gjendej në vitet 1990: rroba të arnuara, rroba të ardhura nga ndihmat e perëndimorëve, dhe sundimi i fanellatës tek veshjet e grave.

Madje drejtuesit himizojnë autenticitetin e mënyrës së zgjidhjes së problemeve. Si një prej autorëve, Aliçka në film i qëndron besnik besimit të tij që e ka shprehur edhe më parë se problemet gjejnë zgjidhje brenda kontekstit tonë shoqëror dhe se udhëzimet në gjuhë të huaj ngelen të huaja për ne.

Ai pra na jep një alternativë të tij në diskutimin që bëhet mbi identitetin shqiptar, se shpirti ynë edhe pse oriental, aspiratat tona janë perëndimore, duke e parë si proces të natyrshëm çfarë disa e shohin si produkt konfliktual.

Sidoqoftë filmi mund të kritikohej për mungesën e elementeve kritikuese ndaj shoqërisë sonë së sotme, meqë synon të romantizojë mënyrën e zgjidhjes së problemeve dhe autorët e parashkruajnë status quo-në si alternativë unike, të cilën rreken ta paraqesin si të vetmin diskurs të mundshëm mbi alternativat shoqërore të tjera, duke i mveshur kësaj alternative edhe elemente të kulturës popullore.

Por kjo perspektivë është e autorëve, dhe si e tillë duhet respektuar, si pjesë thelbësore e pluralizmit që kemi përkrahur, e „Multitudës” të predikuar nga Hardt & Negri („Empire”). 


7 Komente

  1. s’mbaj mend te kem lexuar ndonjehere artikull me negativ per nje film te ri shqiptar se ai i Shekullit… i cili m’u duk se kishte nuancat e nje sulmi me prapavije politike. aq keq jemi katandisur sa edhe artit i ka hyre brenda krimbi i politikes… (do me korigjoje ndonjeri me te drejte: nuk ka hyre, aty ka qene perhere).

  2. Nuk jam aspak dakord me kritikën që i bëhet mënyrës se si një gazetare shkruan mbi një film.
    Po ta lexojmë mirë kritikën e saj (tek gazeta Shekulli), kuptojmë (nëse duam dhe dimë) se përveç filmit asaj i ka interesuar edhe përbërja e skenës kinematografike (sot) në Shqipëri. Dhe ajo me të drejtë thotë që po bëhen të njëjtat gjëra, po të njëjtat skena. Dhe këtu qëndron thelbi i kritikës që pak veta e kapën.
    Shkrimin e lexova tek Shekulli, po aty nuk ia vlen të shkruash komente. Aty sulen me grushta kundër autorëve. Kritikën e ka botuar Shekulli, dhe gazetarët, çfarëdo që të shkruajnë, e kanë të mbrojtur nga një kryeredaktor që i aprovon shkrimet. Kurse tek ne i bëjmë përsonale, i sulemi gazetarit.
    Kritika mbi filmin ka mangësi, sidomos kur gazetarja flet për mënyrën se si bëhen filmat në Perëndim, apo dhe mos shtjellimi më i imtësishëm me ato që ajo do të thotë mbi mungesën e postproduksionit. Pse? Sepse s’ka parà që t’i bësh filmit një zë të mirfilltë, të sinkronizuar.
    Dhe për aktorë profesionistë/jo profesiontë ngatërrohet kot. Shpresoj që ajo të ketë pak dijeni se shume regjizorë nuk marrin profesionin si kusht për të ndërtuar një personazh se sa përsonin që rri përballë tij.

  3. Asnjeanes, gazetarja nuk ishte aspak profesionale ne kritiken e saj.

    Lexo me vemendje sesi ajo citon Minarollin, pastaj lexo me vemendje se cilat jane kritikat e saj. Ajo nuk ka bere asgje tjeter pervetem se te perserise me fjale te ndryshme kritiken qe Minarolli i ka bere filmit te tij. Kjo tregon per jo-profesionializem dhe mungese integriteti profesional, se nese gazetarja do te ishte e dijshme atehere do te gjente te tjera momente per te kritikuar.

    Pastaj duhet te dime se gazetarja nuk ja ka haberin fare filmit. Lexo me vemendje komentin e saj mbi kostumet, sesi ajo e perligj kritiken e saj: duke u nisur nga ideja se kjo kritikohet edhe ne Perendim.

    Une kam bere tek Peshkupauje, tek kronika mbi filmat disa kritika filmash, dhe madje edhe mbi filma kostumesh, ne te cilat kostumet luajne nje rol kryesor per percimin e idese (sic mund te jene ato karnevalesque). Por kjo nuk eshte nje risi sic e permend aktorja, madje ne filmat pa ze ka qene tradite, sikur edhe ne teater (psh. Lubitsch, DuBarry). Dhe si rrjedhoj edhe ne kinematografine shqiptare te hershme i eshte kushtuar nje rendesi e vecante kostumit. Por gazetarja duke lexuar andej-kendej arrin ne konkluzione te nxituara.

    Tjetra: Gazetarja, ose fjaleshumta, nuk ben asnje kritike te mirefillte. Nese asaj nuk i kane pelqyer dialogjet, duhet te jipte nje shembull (ne bote gazetaret e marrin filmin perpara se te dali premiere, dhe neper shtepia, per tu thelluar). Sidoqofte dialogjet ishin e ndertuar ne menyre episodike dhe kishin shume elemente te improvizuara, nuk e di si mund te quhet kjo teknike ne film, kjo teknike eshte perdorur edhe nga Jarmusch (Coffee and Cigarette, Smoke, Blue in the Face), dhe mua mu duken te arrire. Sidomos trupa e aktoreve shqiptare, me te miret ne skenen e teatrit dhe te filmit shqiptar, ishin me te vertete brenda rolit. Birceja psh, ose Ndricim Xhepa, ishin me te vertete shume te mire.

    Dialogjet sic e permenda me siper kishin karakter sokratik, dhe kete cilesi gazetarja si e trashe, nuk e kishte kuptuar aspak. Ata vertete benin sikur grindeshin, por nderkoh edhe mundoheshin te kuptonin. Njerzit e qytetit kishin ndruar rolin (komunizm) me besimtaret (fene), por prape kishin ngelur te njejtit. Dialogjet e tyre reflektonin kete problem, konflikt dhe perpjekjen e tyre per tu marre me kete pune.
    Vertet kishte probleme me zerin, porse kete e tha paraprakisht Minarolli, dhe gazetarja duhet vetem te citonte ate e jo edhe te komentonte.

    Kritika tjeter e saj ishte humori, psh. pjesa tek tubi dhe i grupit te peshkatareve, nuk i kishte pelqyer asaj. Kjo pjese ishte domethenese ne film, se tregonte se konteksti ishte i njejt, ata nuk mund ti shpetonin njeri-tjetrit perderisa jetonin ne te njejtin vend. Vendi impononte mirekuptimin, lumi, peshkimi, etj. faktore imponues te socializimit.

    Por gazetarja ishte me te vertete nje “hired gun” dhe asgje tjeter.

  4. Fakti që zgjodha këtë hapësirë për të folur mbi diçka që më intereson (kinemanë) do të thotë diçka: mbrojtja e mendimit, fjalës së lirë. Mirkuptimi po duket se i mungon njerëzve që diskutojnë mbi artin.
    Së pari, pa u ngatërruar me doza artistike, filmi, edhe pse s’e kam parë) nuk më duket me ndonjë vlerë artistike të lartë. Kinemaja shqiptare e ka të vështirë (të pamundur) të ngrihet në një nivel të rehatshëm që filmat të gëzojnë respekt dhe të ndiqen nga kritika profesionale. Por s’qënka e thënë. Pasardhësit e realizmit socialist, nuk po dinë të gjejnë veten tek sofra e madhe globale e kinemasë.
    Tek kritika e Y. Lezos, sigurisht që mungon sensi kritik. Por nuk më duket se ajo është ndonjë njohëse e kinemasë, apo gazetare e specializuar për kinemanë. Ka njohuri, lexon, mundohet të thuri pak rrjeshta. Por ajo që më tërhoqi, ishte një tjetër pikë vështrimi që shumë veta nuk e panë sepse nuk ishin në gjëndje, për të mos iu kundërvënë asaj pak kinemaje që prodhohet në Shqipëri? Pra kundërshtimi, modest nga ana e gazetares dhe në shumë raste pa argumenta të duhura, mund të gjalli interes nëse dikush që nuk rri i mbyllur në shtëpi, por sheh se ç’bëhet tek të tjerët.
    Nuk mbroj gazetaren, as dhe gazetën, por vetëm atë pak guxim që ajo kishte për të kundërshtuar aty ku më të vërtetë duhej.

    Ajo që ajo thotë për muzikën e filmit: “Qerimi është kompozitor i thuajse gjysmës së filmave shqiptarë që janë prodhuar në këto dhjetë vjet”, nuk duhet të na shqetësojë?

    Ajo që ajo thotë për aktorët: “Ekipi i aktorëve që interpreton duket sikur janë një paketë e gatshme që lëviz gjithandej në prodhimet shqiptare” , nuk duhet të na shqetësojë?

    Ajo që ajo thotë për temën që kap filmi: “E vështirë ta ndash figurën e Ndriçim Xhepës të paktën vizualisht nga ndonjë prodhim tjetër i shkuar dhe i ardhëm. Kapele, mustaqe, xhaketë me kuadrate dhe po ai tonalitet zëri. Po ai Birçe Hasko që shohim tek “Slogans” apo “i dashur armik”. Nuk ndryshon këtu më shumë Fadil Hasa nga ai që kemi parë tek “Mao Ce Dun”, nuk duhet të na shqetësojë? E pra, unë mendoj se gazetarja kap disa pika që kanë nevojë për reflektim. Mbase organizmat që shpërndjnë lekët për prodhimet filmike aspak fitimprurëse përballë konkurrencës së telenovelave, duhet t’i shqyrtojnë më me gjak të ftohtë.

    Po, ka të drejtë gazetarja kur përmend filma si “Slloganet”, “Letra në ere”, “Mao Ce Dun” etj. Po të njëjtat gjëra, imazhe dhe aktorë. Dhe këtu qëndron arsyeja pse duhet ta marrim ndryshe këtë kritikë e shkruar pa sens kritik mbi një gjëndje kritike që po kalon talenti kritik i kritikëve shqiptarë në lidhje me artin.

  5. Asnjeanes, prandaj te thashe se gazetarja nuk ja ka haberin fare, po hic fare kinematografise. Dhe ti nuk e ke pare filmin. Por sidoqofte …

    E para sa per aktoret qe jane te njejtet, keta jane me te miret ne skenen shqiptare. Po ta kishe pare filmin do te shihje se mbase ka qene qellimi i aktoreve jo vetem te percojne nje ngjarje porse edhe te shfaqin disa karaktere, si ato filmat e vjeter shqiptare, qe shfaqnin karikatura borgjezesh, agjentesh apo reaksionaresh ose “zonja nga qyteti” e “bije fshataresh te thjeshte”. Keshtu qe ato aktore ishin stereotipe.

    Pastaj gjithsekush ka pare filma ose ka studjuar ndopak mbi filmin kupton se jo cdo rol mund te luhet nga aktore te afirmuar me karakter te forte, disa skenare dhe role kerkojne medoemos fytyra te reja, porse kjo gje kushtezohet nga roli dhe skenari.

    Une nuk jam ne mendjen e regjizorit dhe te skenaristit porse mendoj se duke dashur te shfaqin stereotipe, pra disa karaktere te theksuara, atehere kane bere kete zgjedhje aktoresh. Ndersa persa i perket cifti Papavrami dhe Dobroshi, mbase ishte gabim qe Dobroshi nuk ishte sinkronizuar, porse si aktore nuk ishte e keqe. Te isha une regjizor do ta lija pa folur fare, ose mund ta hiqte si karakter fare, dhe ta bente te ekzistonte vetem si ide, ose si pikture.

  6. Sa filma shqiptare (me metrazh te gjate dhe te shkurter) financohen ne vit nga Qendra? Deri para nja dy vjetesh ishin rreth 2 filma me metrazh te gjate (ose vetem nje, nese regjizori i zgjedhur eshte Anagnosti psh) dhe nje ose gjysem film me metrazh te shkurter. Nese supozojme se fondet NUK jepen ne baze te nepotizmit ose rryshfetit (e kunderta e perjetuar para disa vitesh ne Tirane) prape nje buxhet kaq shume i kufizuar nuk i le askujt mundesine te eksperimentoje me tema te reja apo regjizore/aktore te rinj. Pra detyra per te “ruajtur, kultivuar dhe perhapur doket dhe zakonet unike shqiptare ne bote” drejtuesve te Qendres u kthehet ne barre e per te menjanuar vrarjen e ndergjegjjes (po me qeshet edhe vete me kete fjaline me lart) ata vazhdojne te mbeshtesin regjizore tashme deri diku te “afirmuar” ne Shqiperi e gjetke. Si puna e asaj ndergjegjjes dhe tolerances qytetare (qe s’po mbin e s’po mbin ne dheun meme) edhe arti e kultura te “shumohen” duan nje kohe te gjate te gjallerohen, duan fondet, talentin, talentin qe te mesoje e te edukoje talentin pasardhes etj. Nderkohe, luhatjet e shpeshta politiko/ekonomike si dhe varesia tejet ndaj tyre e institucioneve kulturore shqiptare e bejne pothuaj te pamundur nje investim afatgjate ne fushen e kinematografise shqiptare. Psh. nje nga filmat e prodhuar ne Shqiperi keto vitet e fundit u prodhua me me pak se gjysmen e fondeve te marra nga Qendra, pasi pjesa tjeter u pervetesua fillimisht nga regjizori, nga drejtori i filmit, e me rradhe. Pergjigjja qe mora kur pyeta regjizorin se si kishte mundesi te sakrifikonte cilesinee filmit te vete (qe kur e pashe te mbaruar me erdhi vertet keq sesi ishte katandisur) ishte se atij nuk do i binte rradha me per nja 5-6 vjet te merrte fonde per film tjeter; deri atehere me se do ushqehej? Kjo llogjike aplikohet edhe ne nivelet me te larta, ke “nepunesit” e Qendres psh, qe nderrohen sa here teshtin presidenca, ndaj zgjidhja me e mire do te ishte sigurimi i fondeve nga burime te pavarura jo-shteterore. Megjithate, duke pasur parasysh madhesine e tregut shqiptar, mungesen e dukshme te kushteve me elementare per xhirime (studio xhirimi, editimi, miksazhi etj) si dhe varferine ekonomike kombetare, kjo zgjidhje duket shume larg, per te mos thene e pamundur. Fusha tjeter kryesore (ose me e rendesishmja) ne te cilen kinematografia shqiptare eshte krejtesisht e virgjer eshte distribucioni (xha, me ndihmo me ndonje fjale shqip per kete, te pakten te fusim konceptin, le te tjerat haha) dmth “rruga e mundimshme drejt njohjes” se filmit shqiptar ne bote. Po edhe kjo i perngjet te njejtit rrjet vicioz: qe te sigurosh nje distribucion te mire per nje film shqiptar duhet te kesh nje subjekt qe i pergjigjet tregut boteror, regjizore te talentuar, ide te reja, aktore te mire, anen teknike te konsoliduar, dmth duhen leke, fonde e investim afatgjate, e keshtu kthehemi serish aty ku ishim. Ndaj dhe Qendres nuk ia mban xhepi (serish po i konsideroj artiste ne shpirt qe vendimet i marrin vetem ne varesi te se mires kolektive) qe te marre persiper projekte te reja pasi jo vetem qe kostoja e eksperimentimit eshte shume e larte, por dhe perfitimi ndaj ketij investimi eshte aq i larget sa rralle se do t’u bjere atyre ne xhep. Persa i perket mentalitetit te regjizoreve shqiptare, ne nje fare menyre edhe keta jane kapur ne po te njejten vorbull si cdokush tjeter ne Shqiperi: ose do lyejne rroten e qendres, ose do bashkepunojne me qendrat e huaja, duke mbetur keshtu shpesh te limituar (apo kushtezuar) ne vizionin artistik si dhe me gisht ne goje kur vjen puna e ndarjes se te ardhurave nga shitjet e filmit. Keshtu psh mbyllja aq bombastike, “surrealiste” dhe e sterrgjatur e “Nata pa hene” shpresoj te mos t’i fajesohen tjeterkujt pervec ndikimit te producenteve franceze; semundja “Kusturica” po ashtu etj etj etj.

    Ne nje treg te madh shikuesish prodhohen me dhjetera qindra filma ne vit, duke kenaqur keshtu pak a shume te gjitha rrymat e preferencat personale; ne nje treg aq te vogel e te izoluar sa tregu i prodhimeve shqiptare eshte pothuaj e pamundur te prodhosh dicka origjinale e aq me teper duke qene i vetmi prodhim i vitit, te jete dhe nje prodhim i denje per te justifikuar fondet, “privilegjin” si kenaqur edhe padurimin e etjen e artdashesve. Arsye tjeter kjo pse filmat e prodhuar keto vitet e fundit jane nje konglomerat i kinemase klasike perzjere me ate moderne; te ngjeshur me dialogje e kunja e thumba, ngarkuar me muzike e mini-drama aq intense sa duhej te ishin lene per nje film tjeter me metrazh te gjate. Ne filmat e fundit shqiptare ka gjashte-shtate subjekte te ngjeshura ne nje, me shpresen se ne mos njeri, tjetri, “Kanen” do ma marre. Me keq se botimet e fundit te Kadarese, ku me nje durim shembullor vazhdon e pritet pjellja e malit -ajo prej verteti, ndersa minjte po bejne kerdine.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin