Për çfarë ndodhi me ish-ministrin Ylli Pango mund të diskutojmë dhe, në të vërtetë, kemi diskutuar nga disa këndvështrime: abuzimi prej zyrtarit të lartë në detyrë, shkelja e privatësisë të një personi publik, roli i televizionit komercial në demaskimin e krimit… Të gjitha këto aspekte janë të lidhura mes tyre, por njëkohësisht u referohen dukurive të ndryshme të jetës publike dhe private, në një vend që kërkon të modernizohet, si Shqipëria.
Në kontekstin e këtyre diskutimeve ka rëndësi që efektet e njërit të mos ndotin shtjellimin e tjetrit; që ish-ministri mund të ketë abuzuar përnjimend me autoritetin dhe kompetencat e tij, nuk ka lidhje me çështjen e ligjshmërisë së regjistrimit të një bisede ose shkëmbimi privat pa pëlqimin e të gjitha palëve të përfshira; që një televizion komercial arrin të zbulojë, me mjetet e veta të kufizuara, një krim çfarëdo nuk i jep fund vetvetiu debatit për rolin e mass mediave në raport me institucionet e drejtësisë.
Debatet për çështjen Pango në mediat shqiptare u politizuan menjëherë; dhe sapo këto debate u politizuan, të gjithë ne humbëm një rast të mirë për të diskutuar dhe reflektuar rreth natyrës së raporteve të ligjit me etikën, brenda një shoqërie ende në tranzicion si e jona, e cila i ka institucionet ende të brishta dhe të kërcënuara nga traditat e ndryshme autoritariste. Kështu, pak vëmendje duket se iu kushtua faktit që, nga ministrat e qeverisë Berisha të përfolur për shkelje të ligjit, Pango ishte i vetmi që u ndëshkua menjëherë nga shefi i vet, sikurse ishte i vetmi që “u kap” në flagrancë jo nga organet e drejtësisë, por nga një televizion komercial. Publiku që i ndjek me kujdes këto zhvillime, nuk mund të mos nxjerrë përfundimin se televizioni u tregua këtë herë më i frytshëm se institucionet shtetërore, për të luftuar krimin dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
Natyrisht, një televizion komercial që merr përsipër të korrigjojë të keqen sociale dhe politike duke e demaskuar, ose duke e shqyer murin prej gome që i rrethon punët e pushtetarëve, do të përshëndetet nga të gjithë ata që ndihen të pafuqishëm për të ndalur korrupsionin, krimin, arrogancën dhe solidaritetin mafioz të pushtetarëve veç e veç ose si klasë; edhe pse ky rol i mediave në jetën publike, i dëshiruar ose i provokuar, nuk flet mirë për institucionet dhe shtetin ligjor në Shqipëri, përkundrazi.
Në diskutimin që patëm për këto çështje në blog, pati kolegë që pyetën nëse televizioni komercial, ose redaksia e programit “Fiks fare”, të ndodhur para provave të shkeljes flagrante të ligjit nga një zyrtar i lartë, vallë nuk do të bënin mirë ta denonconin këtë në organet përkatëse, siç përcaktohet me ligj; në vend që ta merrnin çështjen në duart e tyre dhe të vendosnin drejtësi “popullorçe”, duke e bërë shkeljen e ligjit publike në valët e tyre.
Në këtë pikë, Kundërshtarja vërejti me të drejtë se publiku është lodhur tashmë me denoncimet e shumta që u bëhen zyrtarëve të lartë pranë institucioneve të drejtësisë, por që nuk çojnë asgjëkundi, për shkak të ndotjes së provave, interferencave nga pushtetet e tjera, ose, edhe më keq akoma, nga imuniteti që gëzojnë, me ligj, pushtetarë të kalibrit të ish-ministrit Pango. Unë këtë do ta interpretoja si vijon: kur kushtetutshmëria dhe shteti i së drejtës përdoren nga pushtetarët për t’u mbrojtur ndaj akuzave për shkelje të ligjit dhe në përgjithësi për të bllokuar veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë, kjo vetvetiu legjitimon, së paku në sytë e publikut, operacione në kufi të ligjshmërisë ose “guerrilase”, si ato të gazetarëve të “Fiks fare”.
Kontradiktën mund ta parashtronim edhe kështu: nga njëra anë, kemi dëshirën e vetvetishme të publikut për drejtësi, për ndëshkim të kriminelëve dhe të shkelësve të ligjit, për demaskim të të gjithë atyre që abuzojnë me kodin etik që zakonisht u bashkëlidhet institucioneve të një shteti demokratik, modern dhe të themeluar mbi ligjin; nga ana tjetër, kemi një klasë pushtetarësh që nuk e ka për gjë t’i përdorë ligjin, institucionet, të drejtat e njeriut dhe garancitë demokratike për t’u mbrojtur ndaj akuzave për korrupsion, nepotizëm, abuzim me detyrën dhe të tjera të ngjashme.
Kjo kontradiktë është në vetvete asimetrike; sepse dëshira e qytetarëve për drejtësi, ose e drejta e tyre për t’u qeverisur ligjshëm dhe me paanësi, janë të vetvetishme dhe burojnë nga vetë thelbi i jetës publike; ndërsa kodet ligjore dhe procedurale që përdoren, mes të tjerash, edhe për ta penguar ose vonuar zbatimin e asaj drejtësie të kërkuar prej qytetarëve, janë importuar, përkthyer ose përshtatur nga shoqëri dhe kultura të tjera.
Liria e fjalës, pacenueshmëria e personit dhe e hapësirës private, prezumimi i pafajësisë dhe të tjera garanci që, në vetvete, përfaqësojnë disa nga arritjet më të çmuara të qytetërimit perëndimor, vijnë edhe si produkte procesesh disashekullore, të shtjelluara brenda kulturash e shoqërish që janë përmirësuar dhe emancipuar edhe ato vetë, falë këtyre proceseve të mundimshme e ndonjëherë të përgjakura. Për arsye historike të njohura, shoqëria shqiptare nuk është përfshirë në procese të tilla, përveçse gjatë shekullit XX, kur ka rënë në kontakt kryesisht me rezultatet e tyre dhe, sipas rrethanave, i ka stigmatizuar verbërisht ose kopjuar po aq verbërisht.
Krejt kronika e përpjekjeve të shtetit shqiptar për t’u modernizuar gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit mund të rishkruhet si ditar i konfliktit midis formave ligjore dhe institucionale të importuara dhe të imponuara nga Perëndimi nga njëra anë, dhe instinkteve politike dhe sociale të qytetarëve shqiptarë nga ana tjetër. Që parime dhe kritere të tilla themelore si ndarja e pushteteve, imuniteti i parlamentarëve dhe pavarësia e institucioneve po fajësohen rregullisht për shumë nga vështirësitë dhe mangësitë në jetën publike, kjo tregon edhe që qytetarët nuk po e gjejnë dot veten në institucionet e tyre, meqë këto institucione nuk i kanë krijuar as zhvilluar ata vetë, por i kanë importuar të gatshme ose përkthyer nga kultura politike të tjera.
Në kontekstin e një konflikti të tillë, të lë gojëhapur edhe deklarata e paradokohshme e komisionerit europian për zgjerimin e BE Olli Rehn, se ecuria e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri përbëka kusht “kritik” për të ardhmen europiane të vendit; meqë zgjedhjet, në vetvete, kanë rëndësi më shumë për të zgjedhurit, në një kohë që zgjedhësit ose qytetarët shqiptarë duket se po i mundon, para së gjithash, ngërçi institucional i shtetit, ose paaftësia e institucioneve publike për të funksionuar në pajtim me rolin që u parashkruan kushtetuta. Tek e fundit, zgjedhjet parlamentare nuk janë veçse ritual teatral dhe statistikor, ose kremtim i bujshëm një dëshire publike të nyjëtuar në fytyra dhe programe; por përmbajtja dhe rezultatet e këtij rituali përcaktohen fund e krye nga institucionet që e ekzekutojnë.
Shënim: një version i këtij shkrimi është botuar në “Shekulli”, më dt. 16 mars 2009.
Ta ketë bërë edhe këtë Kundërshtarja?
P.s: Natyrisht që, si komentuese normale, i lejohet që të shprehë si të dojë mendimin e saj, por si juriste, nuk më duket se paska edhe aq besim tek “pjata ku ha” 🙂
Xhaxha,
Cilët do të ishin disa nga veprimet (punët…) që do të duhej te bëheshin e të bëhen, në mënyrë që qytetarët ta gjejnë veten në këto institucione ? (institucione që nuk i kanë krijuar apo zhvilluar vetë, por i kanë importuar të gatshme ose të përkthyera nga kultura politike të tjera).
Faleminderit.
Stalker, nuk besoj se e kam përgjigjen për këtë pyetje, as pretendoj ta kem. Unë nuk jetoj në Shqipëri, por vetëm e ndjek jetën e atjeshme nga një pozicion i tillë që është më i volitshëm për të bërë pyetje e për të ngritur çështje, sesa për të ofruar përgjigje.
Besoj se përgjigjet për këtë duhet të vinë nga të gjithë ata njerëz që ndeshen me këto probleme në jetën e përditshme. Nëse unë, nëpërmjet shkrimeve të mia, ia arrij sado pak t’i ndihmoj këta njerëz t’i identifikojnë më mirë e më qartë problemet, atëherë kaq do të më mjaftonte e do të më tepronte.
Kjo nuk do të thotë që nuk e vras mendjen për zgjidhjet; por vetëm që spekulimeve të mia për këto zgjidhje nuk u kushtoj shumë vëmendje. Megjithatë, nuk është se dua t’i mbaj të fshehta.
Për mua, p.sh., forcimi i shtetit ligjor në Shqipërinë e sotme ka rëndësi shumë më të madhe sesa forcimi i “demokracisë”, prandaj vëmendja dhe energjitë e qytetarëve dhe institucioneve duhet të shkojnë në drejtimin e parë, jo të shpërdorohen në të dytin.
Këto njëzet vjetët e fundit, praktikat “demokratike” në Shqipëri kanë prodhuar kryesisht partitokraci; duke filluar që nga parlamenti. Unë kam përshtypjen që një pjesë e mirë e parlamentarëve janë njerëz inkompetentë, përveçse moralisht jo në lartësinë e detyrës. Parimi i parlamentarizmit, kur është konceptuar, është konceptuar duke pasur parasysh të tjera lloje njerëzish.
Nëse zgjedhjet parlamentare vetëm sa sjellin në parlament figura të tilla, të cilat vetëm sa i qesin pushkë shoku-shokut të ngujuar në kullat e partive përkatëse, atëherë nuk ia vlen të harxhohet kohë dhe energji me zgjedhjet, sa kohë që shteti ligjor mbetet në projekt, ose më mirë në karikaturë.
Si mund t’i largosh këta njerëz nga parlamenti? Si mund t’ia kthesh parlamentit dinjitetin dhe autoritetin? Si mund ta bësh parlamentin një forum ku ligjet jo vetëm përkthehen, nënshkruhen e votohen, por edhe analizohen në mënyrë kritike dhe pastaj përmirësohen, siç e theksonte me shumë të drejtë Kundërshtarja në një koment më lart?
Për fat të keq, iu ktheva përsëri pyetjeve. Në fakt, unë besoj se sistemi i pluralizmit partiak në Shqipëri ka dështuar. Aq shumë ka dështuar, sa krejt fushata elektorale për zgjedhjet e tanishme po themelohet mbi konceptin e çuditshëm të nevojës për t’u ngritur mbi diferencat partiake, për të votuar për “atdheun” ose “të ardhmen” ose nuk di çfarë hataje tjetër retorike. Po të heqësh pak parti të parëndësishme të skajeve, dallimi midis partive të mëdha shpesh nuk është veçse dallim midis personaliteteve të liderëve të tyre.
Çfarë i duhet Shqipërisë sot është më pak parti dhe më pak parlament me deputetë që merren me motrat e njëri-tjetrit; më shumë ekzekutiv dhe sidomos më shumë gjyqësor. Sidomos më shumë gjyqësor. Ndaj një shteti të sunduar nga partitë politike, do të preferoja, si të keqen më të vogël, një shtet të sunduar nga gjykatat dhe të kontrolluar nga juristët, nën një kushtetutë sa garantiste, aq edhe të hekurt. Shto këtu edhe dhënien e kompetencave më të gjëra pushteteve lokale, deri në kantonizim po të ishte nevoja, dhe ndoshta mund të krijoheshin disa premisa për forcim edhe të institucioneve të tjera… Shto më në fund edhe një modifikim të tillë të teknikave të rotacionit të pushteteve dhe të emërimit të kuadrit, që t’i lironte funksionarët e lartë nga nevoja për të punuar 99% të kohës për të ruajtur postin dhe vetëm 1% për të kryer detyrën që pret publiku prej tyre.
Por këto mund të jenë edhe marrëzira të miat. Që i kam këto mendime, nuk do të thotë se ia vlen t’i bëj doemos publike – nëse veproj kështu, e bëj për t’iu konformuar fushatës së fundit anti-privatësi 🙂
Ngërçe sa të duash. Institucione ?!?!?. Ca edhe mund të jenë, ndërsa shumica duken si zgjatime të selive partiake. Mjafton të futesh në të ashtuquajturat institucione për ta kuptuar këtë klimë. Rozë lokalët, blu qëndrorët. Këtu se kam fjalën për drejtimin politik por për atë teknik, ose për ata që kanë çelsat e zyrave dhe jo për ata që kanë çelsat e kashtës. Statusin e nënpunësit civil harroje. Ata individë që kanë ngelur nga administratat e mëparshme rrinë squk dhe në perifenë e tyre ëndërojnë rikthimin e ish-ve. Ndërkohë taborret e të larguarve nga puna nuk rrinë kot. Ata po ndjekin “akademine e militantëve” dhe mezi po presin ndërrimin e pushteteve. Atëhere; ngërçe institucionesh apo luftë pushtetesh ?. Mua më duket se kjo e këtushmja është një luftë pushtetesh, ku palët (forcat politike) shfrytëzojnë pushtetet-llogore që kanë në kontroll për t’ju kunërvënë njëra tjetrës. Nejse…
Përsa thua në paragrafin e fundit Xha xha “Në konteksin e nje konflikti të tillë…” më duket se këtu kemi të bëjmë me pragmatizmin e komunitetit ndërkombëtar. Ky i fundit duket se nuk e ka shumë problem se kush qeveris, pasi të dy palët i ka me vete. Njëkohësisht teknicienët, rozë apo blu, në lojë ose në stol të rezervave, janë të trajnuar tashme prej tyre. Në këtë kuptim, mendoj se ata i mëshojnë shumë zgjedhjeve sepse me këtë protagonizem ka rrezik që palët të dalin nga llogoret për tu ndeshur trup më trup dhe për të nxjerrë ujë të zi. Ne kemi problem të bëjmë demokracinë se për luftën…..shokë veten kemi. Për ideal të partisë po.
Nje plake 90 vjecare edhe mund ta veshesh me fustanin e bardhe te nuserise.Jane rudhat ne fytyren e saj qe tregojne keqperdorimin e fustanit.
Une do te bie pergjithesisht dakort me ato qe shkruan Xha Xhai me siper. Ne jemi nje shoqeri kontradiktash te medha si keto.
Edrus,
do te kisha komentuar me gjate per ate paragrafin, ne te cilin citohem, por jam shume e kenaqur per ta bere kete nga fakti qe Xha Xhai me ka bere pjese te nje postimi.
Problemi nuk eshte sistemi i drejtesise (apo cdo lloj tjeter sistemi), si nje teresi rregullash apo organizmash. Problemi jane njerezit qe bejne pjese ne keto sisteme. Ne sistemin shqiptar te drejtesise ka shume qe jane te afte e te ndershem, sic ka shume te tjere qe jane te paafte, te korruptuar ose thjesht te frikesuar.
Xha Xhai,
eshte pikerisht kjo qe ka ndodhur me imunitetin dhe garanci te tjera qe kategori te caktuara zyrtaresh kane marre per vete dhe po ruajne me te gjitha fuqite. Qe t’ju jap edhe nje shembull tjeter te shtrirjes se ketij problemi, kujtoni rastin e deputetit te Krujes qe rrahu nje arbiter futbolli. Prokuroria kerkoi heqjen e imunitetit dhe Parlamenti nuk e mori mundimin qe te kthente pergjigje (cka ben te quhet e rrezuar kerkesa). Dhe flasim per nje akt qe ndodhi ne publik, te cilin vete Hajrullai e pranoi nje leter publike qe u dergoi te gjitha mediave (njeriu normal do mendonte qe do e kishin hequr qafe te pakten per shkallen e budallallekut).
Imuniteti eshte nje barriere e forte dhe zhgenjimi i qytetareve, ne ndonje rast te caktuar, bashkohet me deshiren e mediave per te krijuar sensacion dhe ngritur profilin e tyre. Media eshte nje mjet i fuqishem, por nuk do te mundet asnjehere te zevendesoje organet e drejtesise, edhe sikur te publikoje cdo nate nga nje skandal ministror.
Ceshtja nuk eshte se ne i kemi marre ligjet tona nga vende te tjera, sepse nuk ka si te ndodhe ndryshe. Nuk ka ngelur gje per t’u zbuluar. Problemi yne eshte se ne nuk i permiresojme ligjet tona pasi i kemi vene ne prove. Ka mjaft ligje qe nuk zbatohen fare, ashtu sic ka plot ligje qe jane provuar te mos jene ne te mire te shoqerise, por nuk permiresohen, sepse te gjithe atyre qe duan te nxjerrin nje perfitim u intereson nje sistem drejtesie jo funksional. Nga ana tjeter, vete punonjesit e ketij sistemi (ata te ndershmit) jane te pafuqishem te dalin jashte kesaj vorbulle, sepse jane vazhdimisht nen presion nga politika, marrin paga qesharake dhe kane karriere te pasigurt.
Megjithate, situata ka nje permiresim me kalimin e kohes. Gjithmone e me shume njerezit po lodhen nga kultura e korrupsionit e nepotizmit, gjithmone e me shume degjojme per hetime te hapura ndaj njerezve me pushtet, etj. Ndryshimi do te vije ngadale dhe, sidomos, kur vete qytetaret te mos pranojne me te nenshtrohen.
Sa per nderkombetaret, edhe ne nuk jemi pa pjesen tone te fajit per menyren se si na trajtojne, per menyren se si shpenzohen parate e ndihmes per Shqiperine dhe per nivelin e ekspertizes qe marrim. Por duhet te pranojme edhe nje gje tjeter: nderkombetaret do te punojne me cdo qeveri qe do te marre pushtetin. Ata duan, se pari, te sigurohen qe qeveria e merr pushtetin ne menyre legjitime. Ne kete situate ku ndodhet Shqiperia, me nje kryeminister qe eshte munduar me cdo menyre te vere nen kontroll institucionet e pavaruara, qe eshte perfolur si (familjarisht) i lidhur me nje sere aktivtetesh kriminale, qe ka disa ministra te pandehur per krime te renda, zgjedhjet nuk jane dhe aq nje ceshtje rutine e teatri i radhes. Ka njerez qe do mundohen te shpetojne lekuren nepermjet zgjedhjeve, qofte edhe vetem duke ruajtur imunitetin qe kane.
Xha xhai :
-Në kontekstin e këtyre diskutimeve ka rëndësi që efektet e njërit të mos ndotin shtjellimin e tjetrit; që ish-ministri mund të ketë abuzuar përnjimend me autoritetin dhe kompetencat e tij, nuk ka lidhje me çështjen e ligjshmërisë së regjistrimit të një bisede ose shkëmbimi privat pa pëlqimin e të gjitha palëve të përfshira; që një televizion komercial arrin të zbulojë, me mjetet e veta të kufizuara, një krim çfarëdo nuk i jep fund vetvetiu debatit për rolin e mass mediave në raport me institucionet e drejtësisë.”””’
Shtjellimi i pikave nuk mund te jete i pavarur.
Nese marrim ceshtjen Pango, shtjellimi thelbesor i ceshtjes eshte pikerisht abuzimi me pushtetin, pasi ky eshte problemi jetik i shoqerise se sotme shqiptare.
Pastaj nga ana teorike mund te flasim edhe per 2 ceshtjet e tjera, por duke qene se nevoja jetike aktualisht nuk perputhet me keto 2 ceshtje anesore, por me ceshtjen thelbesore, atehere ceshtjet anesore duhen trajtuar si diskriminim pozitiv meqe fale ketij diskriminimi pozitiv u be i mundur procesi i ndeshkimit te Pangos.
A eshte per momentin me i nevojshem per popullin, ndeshkimi i Pangos, ceshtja e regjistrimeve apo sjellja e televizioneve ?
Padyshim ndeshkimi i Pangos eshte thelbesor, sepse me ne fund u zu me presh ne dore hajduti qe ka vite qe vjedh e qe nuk zihej dot e ky rast eshte simbol i nje sjelljeje qe te gjithe e shohin apo degjojne here nga miqte e here nga gazetat .
Midis nje te mire konkrete dhe nje te mire hipotetike, individi mund te zgjedhe nje te mire hipotetike, shoqeria nuk e ka ate privilegj.
E mira konkrete eshte ndeshkimi i Pangos dhe menyra me te cilen u arrit, meqe deri me tash eshte e vetmja eficente, duhet pare si shembull eficence e mbi kete themel te ndertohet nje ligj apo nje institucion qe garanton te njejten eficence.
Nevoja jone nuk eshte mbrojtja e individeve qe mund te paraqesin rrezik per shoqerine, por mbrojtja e shoqerise nga individe te tille.
Keshtu, meqe eshte shoqeria ne rrezik nga individe si Pango, atehere individeve te tille u duhet vene kufiri tek thana.
Une heq me gjithe deshire dore nga e drejta per te mos u regjistruar, nese me garantohet se Pangot do zihen e do ndeshkohen.
Kam besim se gjithe njerezit qe kane nevoje dhe njekohesisht e shohin te logjikshme se duhet te clirohen nga Pangot do ishin dakort te hiqnin dore nga kjo e drejte derisa Pangot te shfarosen.
Meqe jemi demokraci, atehere le te behet referendum popullor mbi kete ceshtje. Por kam frike se mbi retoriken e lirise demokracia do menjanohet dhe neser Pangot ne pushtet do bejne nje ligj qe i mbron nga privati/populli, ashtu si kane bere Pangot e gjithe pushtokracise perendimore.