Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

KUR ULEN QEPENAT (I)

Dyqanet e muzikës Virgin Megastore janë duke u mbyllur në NYC, madje së shpejti kudo në SHBA. Për shkaqe të mirëditura të konsumit dhe të shpërndarjes së muzikës nëpërmjet Internetit, shitja e CD-ve ka ardhur duke rënë; në një kohë që lokalet e këtyre dyqaneve, në zemër të metropolit, do t’u sillnin pronarëve shumë më tepër fitime po të përdoreshin për të shitur rroba ose tenxhere. Kriza ekonomike vetëm sa ndihmoi për ta përshpejtuar fundin, të deklaruar prej kohësh.

virgin_megastoreKam punuar rreth 8 vjet në një rrugë afër Times Square, dhe pikërisht kryqëzimit të bujshëm të Broadway dhe 45th, ku gjendet (gjendej?) një prej këtyre dyqaneve Virgin. Dita e mërkurë ishte ditë rrogash; sa herë që kisha punuar overtime javën e shkuar, shkoja tek ai dyqan në pushimin e drekës, për t’i dhuruar vetes një CD të zgjedhur rastësishëm mes rafteve, pa paramendim.

Këmbët më çonin në repartin e World Music, nga më të pasurit në dyqanet muzikore anembanë NYC; çmimet e larta shpesh më prishnin gjakun, por gjithnjë tundimi ma mposhtte shpirtin e kursimit, dhe kthehesha në zyrë me ndonjë album jazz-i brazilian ose me këngë të kënduara në sëahili.

Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar, dhe unë më të shumtën e muzikës që dua e blej tani në Internet, edhe pse jo në formatin MP3. Këtë e bëj jo aq sepse dyqanet e CD-ve nuk gjenden më, por më tepër për shkak të çmimeve shumë të larta të albumeve në këto dyqane.

Në të vërtetë, blerjet muzikore kurrë nuk i kam bërë në Virgin, madje edhe kur punoja overtime; e ngritur në zemër të Times Square dhe i rrethuar nga kitsch-i turistik i metropolit, kjo katedrale e muzikës më dukej gjithnjë e zhurmshme, komerciale, e rrëmujshme dhe tepër cool për shijet e mia. Prandaj, që herët, rrugëtimet në kërkim të muzikës më shpinin gjithnjë në Tower Records, në Upper West Side (Broadway dhe 66th), përballë librarisë Barnes & Noble.

tower-records1Tower Records ishte një megastore trekatëshe; në katin e parë shitej muzikë pop, rock dhe të tjera zhanre komerciale; në bodrum kaseta filmash VHS e më pas edhe DVD; ndërsa në katin e dytë mund të shijoje rafte të pasura me muzikë jazz, kolona zanore filmash, varietesh muzikore dhe, veçanërisht, një shpellë të Ali Babait mbushur dingas me muzikë klasike.

Seksioni i muzikës klasike ndahej prej seksioneve të tjera me mure të mëdha prej qelqi, në mënyrë të tillë që t’i mbronte veshët e vizitorëve nga gërvimat kakofonike të kitarave rock prej katit të poshtëm; mund të hyje atje dhe të kaloje kohë edhe vetëm për t’u relaksuar, duke shfletuar titujt e panumërt, ose duke admiruar pasurinë e muzikës të krijuar nga Perëndimi gjatë 4-5 shekujve të fundit.

Në fillim shkoja atje për të qëmtuar në kanistrat e CD-ve me çmim të lirë ose të skontuara; vetëm ashtu mund të shpresoja se do të mund të ndërtoja një ditë një bibliotekë timen me muzikë klasike. Disa prej disqeve të blera atëbotë i dëgjoj edhe sot e kësaj dite – Chopin, Mendelssohn dhe Brahms, të luajtur nga solistë dhe orkestra sllovake, bullgare dhe ndoshta kroate, të panjohur dhe anonimë, por jo më pak të talentuar se kolegët e tyre në Perëndim.

Sot të gjitha këto produkte mund t’i gjesh në Amazon.com, edhe më lirë akoma; sikurse mund të gjesh edicione shtëpish diskografike të mëdha, me emra nga më prestigjiozët në kopertina. Për më tepër, formati MP3 të lejon që, bie fjala, nga Simfonia e 9-të e Beethoven-it, të blesh vetëm scherzo-n…

Megjithatë, seksionin e muzikës klasike të Tower Records nuk e kujtoj vetëm për CD-të që kam blerë atje; por edhe për çfarë kam mësuar.

Shëtitja përmes rafteve, ose durimi për të lexuar informacionin në kopertinat e pasme të CD-ve; ose edhe eksperienca e zbulimit të diçkaje deri dje të panjohur, por aq të fortë artistikisht sa të të ndërrojë krejt përjetimin e bukurisë ose të vetë botës ishin pjesë e një rituali të domosdoshëm për t’iu afruar sublimes.

Të renditura e të ekspozuara bukur në raftet dhe në stendat, disqet me muzikë klasike vijnë e u ngjajnë pikturave në një galeri; jo vetëm për nga arti grafik, as vetëm për nga mënyra si i flasin njëri-tjetrit në kontekst; por edhe nga mesazhi polifonik që të japin ty, vizitorit.

Natyrisht, më merr malli për ato mjedise, të cilat nuk i kam zëvendësuar dot me asgjë; edhe pse tani e kam më të lehtë se më parë që ta gjej të gjithë muzikën që dëshiroj nëpërmjet Internetit; sikurse e kuptoj se është e pamundur që një dyqan të mbijetojë në Manhattan duke i mbushur raftet, bie fjala, me CD të sonatave për llautë të Silvius Leopold Weiss (të cilat mund t’i porosisësh të gjitha online, për $4.99 secila).

Çfarë më shqetëson, përkundrazi, është që unë tashmë e di pak a shumë se çfarë të kërkoj; sikurse e di se çfarë të pres nga një CD me muzikë dhome baroke të Telemann, krahasuar me një CD me kuartete harqesh të Shostakoviçit; dhe unë këtë e kam mësuar, ndër të tjera, edhe duke shëtitur në korridoret e Tower Records.

Muzika klasike, sikurse jazz-i, kërkojnë sakrificë dhe përkushtim nga publiku; sepse nuk mund të pretendosh që dikush nga rruga të përlotet që me dëgjimin e parë të Artit të Fugës, të Bach-ut, ose me një impromptu të Schubert-it, ose me një pjesë të Pat Metheny-t a një improvizim të Keith Jarrett; por përkushtimi pothuajse gjithnjë shpërblehet shumëfish.

Po si mund t’i mbijetojë kjo muzikë epokës së MP3-ve, dhe të paketave të gatshme të dëfrimit muzikor? Si mund t’i ndërtojë tani muzika marrëdhëniet me publikun, në një kohë që ky publik po e ka të vështirë të dëgjojë pjesë muzikore çfarëdo, më të gjata se 4-5 minuta?

Formati dixhital nuk rrezikon vetëm format më elitare të muzikës, si atë klasike ose jazz; por krejt eksperiencën muzikore masive, e cila luajti rol të dorës së parë në transformimin e shoqërive perëndimore, gjatë shekullit XX. Këtu nuk është fjala vetëm për fatet e variacioneve Goldberg të Bach-ut, por edhe e sidomos për fatet e një shoqërie post-moderne, e cila po i qaset muzikës si të ishte versioni tingullor i hamburgerëve dhe patateve të skuqura, ose, e shumta, e të frikshmeve TV Dinners, për t’u konsumuar prej homo mediaticus në vetminë e vet perfekte. 

15 Komente

  1. Ky fenomen po ndodh me librat, me muzikën dhe me shumë e shumë fusha të tjera të jetës sonë. Mënyra se si ne e konceptojmë konsumimin e muzikës në ditët e sotme, shpesh të detyrar dhe jo për qejf, ka marë trajtat e diçkaje ndoshta më dinamike nga ç’duhet.
    Po sjell këtu një shembull që më la të mendoja disi këto ditët e fundit. Para pak javësh festivali i San Remo – s në Itali, një tempull i muzikës prej nga kanë dalë këngë madhështore të këngëtarëve si Nilla Pizzi, Domenico Modugno, Adriano Celentano, dhe shumë të tjerëve, pësoi një ndryshim ireversibël; fituesin e vendosi publiku nga shtëpia me anë të sms.
    Pra çdo gjë orientohet nga masa konsumatore. Telespektatori është klient, konsumator dhe duhet të kemi përbazë shijet e tij. Kaq mjafton për të triumfuar me një këngë, një libër apo çfarëdolloj gjëje. Ndoshta do mund të shijonim sot këngë shumë të bukura, nëse në kohën e tyre vlerësimi do ishte bërë vetëm nga profanët që nuk e njohin mirë muzikën?
    Unë besoj se jo, dhe në të njëjtën kohë më shqetëson fakti që drejtimi i shumicës së shoqërisë sonë po shkon kështu. Me këto hapa pas pak do te humbi vlerë, bie fjala, dhe referndumi përshembull, ose zgjedhjet. Njerëzit do të mund të shprehin me një sms, një smiley, një tag o ku di unë preferencën dhe pëlqimin e tyre për një projekt ligj…

  2. Citim : “Formati dixhital nuk rrezikon vetëm format më elitare të muzikës, si atë klasike ose jazz; por krejt eksperiencën muzikore masive, e cila luajti rol të dorës së parë në transformimin e shoqërive perëndimore, gjatë shekullit XX”

    Jazzi muzike elitare ???
    Kur permend formatin digital, harron ( ose ndoshta nuk je i informuar ) qe prej ketij formati vijne sot edhe rryma si ” Psychedelic, Trip-Hop, Spaziale, te cilat nuk kane asgje te perbashket me komercin dhe gjullurdine e tregut.

    1. Ton, ngutesh. Unë flas për formatin dixhital të riprodhimit të muzikës, jo të prodhimit.

  3. “Jazzi muzike elitare ???”

    PO!
    Sepse ashtu si edhe ajo klasike, muzika e xhazit fillon-zhvillohet ne sferen dhe boten muzikore te interpretimit instrumental, vokal te perjetimeve ne nje nivel elitar profesional. Natyra e kalasikes dhe xhazit, natyrshem ndryshon, por, vetem eliten e tyre, duke mos perjashtuar llojin e elites.

    Ndersa muzika vete si natyre eshte tinguj-ritem, melodi, harmoni; formalja abstrakte e realitetit, klasikja e persos interpretimin e ketij realiteti te krijuar tingujsh me harmoni, xhazi nga ana tjeter ushqehet me formen e mirefillt burimore te botes se tingujve si pervoj/perjetim i dekonstruktuar muzikor, referuar gjithnji si muziken elitare.

    Kan shume te perbashketa, klasikja dhe xhazi, ne “lojen” qe bejne me boten e tingullit.

    p.s.
    Xhazi eshte klasiku pa gravat.

    p.p.s.
    Muzika ne vezhgimin Xha (kujtedo, me jete) merr kuptim kur ka jete, dhe lejon zhvillimin e jetes se saj, ku rritemi dhe vet ne. Nuk ndodh ndryshe ne skenen e shperndarjes se muzikes

  4. Dakort Xha Xha por te dyja shkojne bashke perhere e me shume.
    Psh risia e fundit vjen nga Radiohead ( grup Art Rock londinez ) te cilet albumin e fundit ( te vleresuar me Grammy ) e hodhen online falas ose kundrejt nje pagese ne deshiren e gjithsecilit. Kete forme po e ndjekin tashme edhe grupe te tjere si R.E.M apo Portishead.
    Personalisht mendoj qe perkundrazi, nje forme e tille i ben mire muzikes, sepse zhvlefteson komercialitetin dhe kompromiset ( qe shpesh-here demtojne cilesine ose me sakte autonomine e artistit ) me shtepite diskografike.

  5. Vemendje, nuk dua ti futemi thelle ketij diskutimit mbi jazzin por pa ironi ju them se vetem ketu e kam hasur kategorizimin e jazzit si muzike elitare. Mos ngaterroni perceptimin e sotem mbi te. Fakti qe nuk eshte ne mode dhe percaktohet si “vintage” nuk do te thote qe perben muzike elitare.
    Nese keshtu qofte, “Ujkun e Stepes” se Hesse po e hedh ne kosh.

    1. Ton, e quaj jazz-in muzikë elitare nga pikëpamja e sotme (në Perëndim jazz-i zë vetëm rreth 3% të shitjeve të muzikës, madje duke përfshirë aty edhe smooth jazz, që shumë muzikantë e përçmojnë). Natyrisht, mund të diskutojmë shumë për historinë e kësaj forme, ose përkufizimin e saj; po të dëgjosh sot çfarë quhej jazz në Bashkimin Sovjetik të kohës së Shostakoviçit, habitesh me naivitetin dhe thjeshtësinë e asaj muzike. Nga ana tjetër, kur isha unë fëmijë, në Shqipëri xhez quhej bateria (instrumentet e perkusionit); që këtej edhe shprehja i bie xhezit. Por unë e kam fjalën kryesisht për jazz-in që zhvillohet sipas kritereve estetike dhe strukturore të përpunuara nga Louis Armstrong, Charlie Parker, Miles Davis, John Coltrane, Bill Evans, Antonio Carlos Jobim, Joao Gilberto, Stan Getz, Keith Jarrett, Pat Metheny, Charlie Haden, Dave Holland, Jan Garbarek (po hedh disa emra pa pretenduar të bëj lista)… Kjo nuk është kurrsesi muzikë për masat; tepër e ndërlikuar dhe intertekstuale.

  6. Ton Skendaj!
    ………….Jazzi muzike elitare ???………………….
    Perse nuk e dije kete Ton?
    Per mua eshte me elitare se muzika klasike,perjashtuar BAH-un.Eshte me elitare,sepse une e komvetoj si vazhdim te muzikes klasike ne kohet moderne,eshte rifresku i saj.

  7. jazz-i per mua jeton e ne shume rryma moderne e relativisht te sukseshme muzikore si psh. trip-hop (massive atack, portishead, zero 7) apo ne grupe qe eshte e veshtire ti kategorizosh si propellerheads. Jazz-i qe degjoj une eshte gjithnje i perzier ne njefare forme ne muzike elektronike, ambience, brazilia-jazz apo etno-jazz etj. Jazz-i qe pershkruan xhaxhai dhe besoj dhe vemendje eshte tashme nje lloj brenda shume llojeve te ndryshme jazz-i dhe si i tille automatikisht i rralle. Sidoqofte kjo sdo te thote qe teresia e rrymave te jazz-it eshte poashtu e rralle e elitare.

  8. Lexoj listen Xha, te emrave te muzikanteve xhaz dhe filloj e rrenqethem nga i pari ne vazhdim. Nuk do kisha deshmuar rrenqethjen ne se s’do doja te shtoja edhe nje emer; Oscar Peterson, kjo, jo per ta menduar te plot listen, por thjesht se kjo figure lidhet me emrin e pare te permendur Xha.

    Toni, mire ben qe si futesh thelle, se eshte ceket tani per tani, por jo, ne se sheh/njeh driten e erresires “tende” (cilido/gjithkujt)

  9. Xha Xhai pyet:

    Po si mund t’i mbijetojë kjo muzikë epokës së MP3-ve, dhe të paketave të gatshme të dëfrimit muzikor? Si mund t’i ndërtojë tani muzika marrëdhëniet me publikun, në një kohë që ky publik po e ka të vështirë të dëgjojë pjesë muzikore çfarëdo, më të gjata se 4-5 minuta?

    Muzika sigurisht që do të mbijetojë, sepse natyra prodhon vazhdimisht talente muzikore. Dhe janë këta që e mbajnë muzikën gjallë. Era e disqeve, kasetave, CD-ve dhe mp3-ave (dhe formateve të tjerë të ngjashëm me të) shtoi tregun e muzikës, e kështu edhe fitimet e artistëve (po më shumë të parazitëve që rrojnë në kurriz të tyre). Mund të thuhet se shtimi i tregut, rrit edhe mundësitë e kultivimit të talentit. Por talenti shumë shpesh ka ligjet e veta të çuditshme që e bëjnë të dalë mbi ujë edhe atje ku nuk ta pret mendja, ndërkohë që gjetiu harxhohen miliona për vegla e mësim të tyre për fëmijë pa pikën e talentit, por me prindër të kamur e të yshtur nga paranoja e prindëzimit modern. Talenti ndjek yllin e vet. Dhe më e rëndësishmja, nuk e braktis muzikën, pse nuk shet më disqe apo pse ia rralluan koncertet.

    A i duhet trembur rikthimit të muzikës në një dëfrim dhe punë të vetëm ca njerëzve të ngritur e të ngeshëm si dikur. Jo dhe aq. Sepse mjetet e tanishme të komunikimit lejojnë pjesëmarrjen në të, dhe konsumin e saj shumë më lehtë se dikur, me më tepër përfitim për artistin, dhe me shumë më pak firo për përdoruesin. Radiot e ndryshme online, shërbimet dëgjoje-para-se-ta-blesh, Youtube-i lejojnë si njohjen paraprake (dhe jo blerjen derr në thes si dikur), ashtu edhe blerje të imtë (një pjesë ose disa, por jo tërë diskun). Edhe pse, personalisht, jam për blerjen në formën e CD-së.

  10. Ne shekullin 22.
    Qe kur doli kindle Kapedani nuk teshtinte me te madhe, as edhe u degjua te ankohej mbi alergjine. Ai lexonte i heshtur ne Kindle dhe vetem kthente koken disa here majtas e djathtas, sikur i druhej dickaje, mbase dikujt qe donte t’i rrembente Kindle-in, apo pluhrave te rruges qe ai i fshinte here pas here me nje lecke te ndyre qe e mbante ne xhep. Here pas here Kapedani dukej sikur e afronte lecken nen hunde dhe merrte fryme thelle. Fytyra i skuqej, sikur nga kenaqesia dhe kokerdhoket e syrit i drejtoheshin me etje perseri Kindle. Thonin se ne xhep Kapedani mbante dicka te vjeter, nje antikuitet, nje send shume te vyer. Nje tufe fletash te shkruara, te ngjitura me kujdes, qe dikur i kishin pas thene Liber. Ai e ngjyente lecken e ndyre mbase ne te, sa per t’i marre duhmen, dhe pastaj e afronte nen hunde dhe lexonte ne Kindle. Ishte nje njeri i cuditshem.

  11. Formati dixhital (ne parim) nuk mund ta rrezikoje muziken elitare, aresyeja qendron ne faktin se vepra muzikore si veper artistike pavaresisht nga zhanri, nqs eshte cilesore, ajo do te blihet dhe preferohet njelloj si me pare. Theksoj ketu se muziken elitare mund ta shijosh si duhet kur ekzekutohet ne skene, ndonese teknika (home theatre) e ka futur ne shtepine tone, por kurre nuk do te ndjeje njeriu ato emocione duke degjuar muziken per se gjalli (dalvivo). Rreziku me i madh ne kete drejtim qendron ne polarizimin e shoqerise, cmimet marramendese te biletave te cfaqjeve ne koncerte duke e shnderruar muziken e gjalle ne privilegj te nje shtrese te kufizuar(koncertet e stadiumeve i quaj pavlere se per mua jane sa per yxhym). Keshtu pjesa e mbetur e konsumatoreve te muzikes detyrohet te mjaftohet dike e shijuar (me cilesi mjaft te larte digitale) ne shtepi, por pa emocionet e skenes.
    Mjafton te permend se shume perla te muzikes popullore shqiptare sot luhen me sintetizatore, muzike e lire per konsum, qe per mendimin tim ia ulin vlerat atyre, krahasuar me regjistrimet e dikurshme me saze e qemane. Sidoqofte muzika elitare, qofte edhe ajo jazz, klasike etj, edhe kur nuk eshte kryeveper, kur e ndjek nga skena ka me teper vlera se kur e degjon nga disku, per kete aresye mendoj se nuk do te vdese, duke mbajtur parasysh te vetmin rrezik qe permenda me siper.

  12. ton, jazz eshte muzike elitare bir, po ti mbase je rritur me backstreet boys me te keqe vellai… degjo me shume muzike. hajt shnet

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin