Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E DRUNJTE (VII)

Shqipja e shkruar këto 100 vjetët e fundit është ndikuar shumë nga gjuhët neolatine, veçanërisht italishtja dhe frëngjishtja. Ky ndikim nuk ka qenë gjithnjë negativ, sepse shumë herë ka ndihmuar për të përpunuar struktura gjuhësore të përshtatshme për mendimin e nyjëtuar abstrakt; megjithatë, shumë herë të tjera është bërë shkak që në shqipe të futen elemente të panevojshme, si përdorimet shpesh të tepërta të nyjës joshquese një.

 

P.sh., fjalia e mëposhtme:

Mbretëria shqiptare ishte një mbretëri kushtetuese.

Mund të rishkruhet kështu:

Mbretëria shqiptare ishte mbretëri kushtetuese.

Versioni i dytë është më korrekt dhe më besnik ndaj frymës së gjuhës.

1. Përgjithësisht, nuk ka arsye që nyja një të përdoret pas foljes jam, në ndërtime të tipit:

ishte (një) njeri i mrekullueshëm

mbledhja e nesërme do të jetë (një) gur prove

ujku është (një) kafshë e egër

jam (një) mbështetës i bipolarizmit

Në shembuj të tillë, të gjitha me foljen jam, kryefjala e fjalisë karakterizohet duke përmendur grupin ose klasën ku bën pjesë

2. I njëjti rregull vlen edhe për folje të ngjashme, si bëhem, shndërrohem në, kthehem në, katandisem në, mbetem etj.:

Megjithë disa vepra të dobëta që ka shkruar, Qazimi mbetet (një) shkrimtar i madh.

Nga mik dhe aleat, Vendiku u shndërrua në (një) armik të betuar.

3. Në togfjalësha të paraprirë nga pjesëza krahasuese si, gjithnjë ka vend të shihet nëse përdorimi i një është i tepërt:

Kjo nuk duhet konsideruar si (një) garanci se sëmundja nuk do të kthehet.

Në shumë raste, ligjërimi publik shtjellohet si (një) monolog.

globalizmi shfaqet si (një) trysni për të hequr dorë nga sovraniteti

Raporti ndërmjet mitit dhe letërsisë tek “Darka e gabuar” shfaqet si (një) proces transformimi 

Kadare më në fund shfaqet si (një) bashkëbisedues më bujar se sa ai që na kalli frikën në fillim fare. 

Niveli i taksave shprehet si (një) përqindje ndaj vlerës

Kultura funksionon si (një) substrat mbi të cilën ndërtohet ngrehina politike.

Ajo funksionon si (një) bazë të dhënash që mbulon aktivitetin e të gjithë anëtarëve të parlamentit shqiptar.

Prej 1 nëntorit 1998 ajo funksionon si (një) Gjykatë e përhershme e përbërë nga një numër gjyqtarësh i barabartë me numrin e shteteve palë të Konventës.

Aktualisht, Fondacioni i Shoqërisë së hapur – Soros (OSFA) vepron si (një) ndërmjetës mes aplikuesve dhe Institutit të Shoqërisë së Hapur (OSI)

Wang Ying, 33 vjeçe, punon si (një) menaxhere e shitjeve në një kompani të kozmetikës. 

Nëna Elena ka të kryer shkollën e mesme dhe punon si (një) rrobaqepëse në një dyqan. 

Ajo sot punon si (një) infermiere e specializuar dhe drejton fondacionin për fëmijët të lindur me probleme shëndetësore.

Mustafaj: Rusia do të sillet si (një) vend i përgjegjshëm për fatet e rajonit.

Në rast të kundërt, ai zgjedh të sillet si (një) politikan i zakonshëm i pjesës më të prapambetur të trevës ballkanik.

Ai flet si (një) menaxher muzikantësh, i cili organizon një koncert ku këndojnë këngëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia.

4. Ndërtime me foljet dhe shprehjet foljore bën të mundur, bën të pamundur, lejon, mundëson etj., ku forma e shquar duket se funksionon më mirë:

Ky buxhet bën të mundur një rritje prej 37 për qind të financimit të qeverive vendore, nga qeveria qendrore./Ky buxhet bën të mundur rritjen prej 37 për qind të financimit të qeverive vendore, nga qeveria qendrore.

Linja Herbal Line bën të mundur një normalizim të funksionit të lëkurës./Linja Herbal Line bën të mundur normalizimin e funksionit të lëkurës.

Roli im si Guvernatore bën të mundur një bashkëpunim më ta rreth burimeve dhe projekteve të bëra./Roli im si Guvernatore bën të mundur bashkëpunimin me ta rreth burimeve dhe projekteve të bëra.  

Atmosfera politike sot bën të mundur një bashkim të mirëfilltë të Ballit Kombëtar./Atmosfera politike sot bën të mundur bashkimin e mirëfilltë të Ballit Kombëtar.

Ekzistenca e këtij besimi, bën të pamundur një trajtim të barabartë për të dy grupet./Ekzistenca e këtij besimi, bën të pamundur trajtimin e barabartë për të dy grupet.

Bora që i mbulon ato zakonisht prej tetorit në maj e bën të pamundur një banim të përhershëm./Bora që i mbulon ato zakonisht prej tetorit në maj e bën të pamundur banimin e përhershëm.

Dollari amerikan fitoi pikë kundrejt monedhës evropiane, çka e bëri të pamundur një ulje të çmimeve të karburanteve./Dollari amerikan fitoi pikë kundrejt monedhës evropiane, çka e bëri të pamundur uljen e çmimeve të karburanteve.

5. Ndërtime të tipit mbaj (një) qëndrim të mirë, tregoj (një) gjakftohtësi të madhe:

Unë jam i mendimit se jam nga shkrimtarët e rrallë që mbaj (një) qëndrim shumë kritik ndaj rinisë sime,

Të jeni të bindur se do të mbaj (një) qëndrim të prerë e transparent, në lidhje me këto qartësime.

U mundova të mbaj (një) qëndrim “burrëror”, por, pa dashje rashë në grackën e dhunës psikologjike të pushtetit të tyre.

tregoi (një) pjekuri të jashtëzakonshme

tregoi (një) kulturë të lartë sportive

tregoi (një) interes të veçantë për bimët medicinale

Nga fëmijërija e hershme ka treguar (një) sensibilitet të theksuar për muzikë.

Ka treguar (një) nivel të lartë teknik

Hans Peter Briegel ka treguar (një) profesionalizëm mediokër në pankinën kuqezi.

Populli shqiptar i Kosovës ka treguar (një) tolerancë të shkëlqyer ndërfetare

Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka treguar (një) rritje të ndjeshme të ekonomisë së saj.

6. Ndërtime të tipit reagoj me (një) qetësi të madhe:

Ata e kanë cilësuar si një lapsus të presidentit Moisiu dhe kanë reaguar me (një) ashpërsi të madhe ndaj deklaratës greke.

Ka reaguar me (një) qetësi shumë të madhe ndaj përpjekjeve të Panarelos për të shkëmbyer një dialog pas interpretimit.

Ka reaguar me (një) habi të paparë analisti i mirënjohur Mustafa Nano kur ka parë të publikuar në gazetën tonë sekretin e tij.

Të gjithë flasin në favor të faktit se popujt e regjionit janë duke reaguar me (një) pakënaqësi gjithnjë e më të madhe në lidhje me politikën e tillë. 

7. Ndërtime të tipit: ka (një) rëndësi të veçantë, ka (një) vlerë të madhe, ka (një) domethënie të veçantë, luan (një) rol të rëndësishëm, jep një kontribut të çmuar, etj. 

Zbulohet proteina që luan (një) rol të rëndësishëm në kancerin e pankreasit.

Qeliza luan (një) rol të rëndësishëm në reagimet energjike, sintezën e proteinave, si dhe në ruajtjen e ekuilibrit të acideve në trup.

Kisha luan (një) rol të rëndësishëm edhe në përforcimin e parimit të barazisë së plotë mes të gjithë antarëve të bashkësisë.

Check-up ka (një) rëndësi të veçantë për personat me një histori familjare për një sëmundje të caktuar.

Konferenca ka (një) rëndësi shumë të madhe pasi që për herë të parë donatorët ballafaqohen drejt për së drejti me përfaqësuesit legjitim të Kosovës.

Shqipëria ka (një) rëndësi të veçantë në planin e mbrojtjes së Aleatëve të Perëndimit.

Analistët politikë thonë se tranzicioni politik kësaj here ka (një) rëndësi të veçantë për arsye të krizës ekonomike në vend.

Shqipëria jep (një) kontribut të çmuar nën flamurin e OKB-së, NATO-s, BE-se, SHBA-së dhe të nismës së Europës Juglindore.

Në vitin 1966, ai  emërohet pedagog i Kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep (një) kontribut të çmuar në përgatitjen e brezit të ri.

7. Ndërtime të tipit:

Lida është (një) nga volejbollistet më të shquara të kampionatit

Ganiu është (një) nga njerëzit më bujarë që kam njohur.

8. Më në fund, ndërtime të tipit:

Një njeri që punon, nuk ka kohë për thashetheme.

ku një ka kuptimin “çdo”, do të tingëllonin më mirë sikur emri përkatës të përdorej në trajtën e shquar:

Njeriu që punon, nuk ka kohë për thashetheme.

 

12 Komente

  1. Si mund të shmangen ndërtimet pleonastike? Po përdorimi i nyjes jo shquese “një”, të cilin e hasim, për shembull, edhe tek:

    “Kështu, pleonazma mund të merret si një formë e teprisë (redondancës) së fjalëve në fjali.”

    ku do të mjaftonte:

    “Kështu, pleonazma mund të merret si formë e teprisë (redondancës) së fjalëve në fjali.”

  2. Vlora Vlora, ke shumë të drejtë. Jam vetë i pari që e kuptoj se duhet t’i pastroj mirë shkrimet. E kam thënë që në shkrimin e parë, se këtë seri e quaj më shumë bashkëbisedim se këshilla “mjekësore” për gjuhën.

  3. Ky punim është me shumë vlerë dhe uroj të vazhdojë e të botohet.
    Po pse vallë e quan shqipe”të drunjtë”? Nuk pashë përkufizim të mirëfilltë, as në fillim, përveç:
    “një farë neuroze të ligjërimit, e cila ka nevojë të mjekohet duke ia përshkruar trajtat” ose
    një dukuri gjuhësore që i ngjan “një grope me rërë thithëse” ose
    ajo trajtë e shqipes që paraqitet “e veshur me këmishë dhe kravatë” demode’…

  4. E quaj shqipe të drunjtë, sipas frëngjishtes langue de bois, duke pasur parasysh atë kod të gjuhës publike që flet vetveten dhe e maskon pasigurinë ose paqartësinë e mendimit prapa formulave, klisheve dhe redondancës, ose sigurisë së formave të sprovuara e të konsumuara; emërzimit dhe shmangies së foljeve; ose ligjërimin e ndërtuar me parafabrikate, sipas përkufizimit të njohur të Orwell-it. Megjithatë, i kam qëndruar larg trajtimit teorik deri tani, meqë nuk dua t’i tremb lexuesit. Ndoshta më vonë, kur ta kem pasuruar katalogun e simptomave të kësaj shqipeje të keqe, do të arrij ta përkufizoj objektin më mirë.

  5. Kam pershtypjen se do te na duhet te ushtrohemi shume ne drejtim te pervehtsimit te ketyre “rregullave apo keshillave” (le t’i quajme te tilla) e per me teper, te perdorimit te tyre. Teksa i lexon te shkruara keshtu, nga pena e profesionistit dhe studiuesit te gjuhes, mendon natyrshem se te kerkohet edhe t’i aplikosh (gje qe lipset, ne rast se duhet qe gjuha te mos drunjezohet apo te behet “artificiale”). Perpiqem te imagjinoj se si mund te korrektojme vetveten ne te folur e te shkruar te gjuhes, pa rene pre’ e ketyre “teprive”, por nderkohe, shtroj edhe pyetjet: A do jemi ne gjendje (ne qe nuk jemi te fushes) te flasim e ta shkruajme gjuhen brenda ketyre “normave”, pa drunjezime dhe pleonazma? A do te jemi ne gjendje valle per te bere vleresimin e duhur te gjuhes, nderkohe qe e flasim, pra, te mund te shmangim perdorimin e
    emerzimeve, ndertimeve parafjalore apo nyjes joshquese
    -nje-…?? Do u isha shume mirenjohese te gjithe atyre qe merren me shkrimin, botimin apo editimin, qe keto risi ne gjuhen tone, te mund t’i merrnim prej tyre; dua te them, duke lexuar gjuhen e shkruar korrekt, rrjedhimisht do “mesonim” ta flisnim ate po aq korrekt. Kam pasur gjithmone pretendimin te lexoj gjuhe te thjeshte, te sakte e te kuptueshme (shprehje e mendimit te kthjellet), pa tepri ne fjale a fjali te kota. Apo, kerkoj shume!!??
    (Kerkoj ndjese ne mosperdorimin e -e- me dy pika siper)!!

  6. Meqë jemi në fushën e gjuhësisë, mbeta i habitur me kalibrin e personelit të BE-së nê Tiranë, përkatësisht të Shefit të Misionit:

    Dr. PETIT, Hubert
    Ph.D. in Oriental Studies, Institut National des Langues et Civilisations Orientales, Paris, France
    A holder of a total of 33 university degrees at an undergraduate and post-graduate levels in mathematics, physics, literature, sociology, anthropology, political science, international law, economy, statistics, diplomacy, accounting, medicine, public health, oriental languages, Asia department, French ENA, laureate of the European year of education and life-long learning, Prof. H. Petit is currently chargé d’affaires of the EC Delegation to Albania.

    [http://www.unyt.edu.al/faculty.aspx]

    Duket se një takëm ndërkombëtarësh në Tiranë shumë po ia rrisin “kredinë” një universiteti privat greko-shqiptar me një emër njujorkez nga mbrapa.

    Vërej se aty në listën e pedagogëve figuron edhe i shoqi i shefes së PNUD-it në Tiranë…

    Shikoni edhe Urdhërin e Akreditimit të Ministrit Pollo, që përmban, ndër të tjera edhe Diplomat “Bachelor”…
    http://www.unyt.edu.al/meducation.pdf

    Nëse më parë u paraqit këtu një dokument apo foto sqaruese për “shqipen e betontë”, po “Bachelorin” e Pollos dhe te Gjakumit ku ta fusim?

  7. Naim Frasheri:

    Nje zog te vogel (te bukur) zuri nje djale,
    Ay po dridhej dh’ i thosh ca fjale:
    “Nuke te vjen keq qe jam i mitur,
    Si ti i vogel e s’jam dhe rritur?

    Te diskutueshme shembujt.

    Te parin e kthej ne kohen e tashme:
    1) Mbreteria shqiptare eshte mbreteri kushtetuese.
    dhe
    2) Mbreteria shqiptare eshte nje mbreteri kushtetuese.

    Sipas meje
    1) duhet perdorur ne kushtetute, tekstin e historise; gjetiu kur flasim per te si njesi e vecante, te shkeputur nga perreth; p.sh. ne bisede mes nesh: E shpallem Shqiperine Mbreteri Kushtetuese!
    2) duhet perdorur po ne tekstin e historise, ne kapitullin Mbreterite e Ballkanit ku fjalia e sakte kerkon nje, kjo per ti thene lexuesit pa ja shkruar se ajo eshte nje mbreteri kushtetuese nder mbreterite e tjera kushtetuese; per te njejtat arsye, ne biseda me te huaj, them se duhet te pergjigjemi po me nje.
    Ky rasti i nje-se nuk me duket i prere per tu klasifikuar.
    Rasti tjeter:
    1) Ishte nje njeri i mrekullueshem.
    2) Ishte njeri i mrekullueshem.
    Une do ti dalloja dhe perdorja ne raste te ndryshme keto dy fjali, nisur nga konteksti apo gjendja emcionale.
    1) do ta perdorja ne do kisha ndermend te vazhdoja metej psh: Ishte nje njeri i mrekulleshem. Nje njeri qe s’i gjendej shoku… (optimizem)
    2) do ta perdorja kur nuk do te kisha me c’te thosha:
    Po vertet. Ishte njeri i mrekullueshem. (pesimizem)

    Shembujt, ju lutem, shkeputini nga letersia me e mire. Keshtu beni dy pune te mira.

  8. CD shkruan:

    Shembujt, ju lutem, shkeputini nga letersia me e mire.

    CD, më duket se jemi keqkuptuar. Unë merrem me shqipen publike, atë që përdorim të gjithë kur komunikojmë me shkrim. Për qëllimet e mia, sa më mediokre të jenë tekstet, aq më mirë. Përkundrazi, shqipja letrare, e poetëve dhe e artistëve të fjalës, nuk hyn fare këtu.

  9. Doja te thesha shembujt e fjalive si duhen. Per ti ballafaquar e shtuar autoritet.

  10. Një tjetër dukuri shqetësuese në shqipen e sotme janë ndërtimet me ri+folje.

    Këto hasen sidomos në gjuhën e folur, veçanërisht në televizionet e shumta që gëlojnë në Shqipëri, qysh nga Klani e deri tek Kryekanali (Top Channel).

    Ndërtimi është krej i rregullt në trajtat: ndërtoj – (ri)ndërtoj; shqyrtoj – (ri)shqyrtoj; trajtoj – (ri)trajtoj; shikoj – (ri)shikoj, etj.

    Në të gjitha rastet, trajta ri+folje mbart një kuptim të ri, që e pasuron kumtimin dhe që nuk mund të shprehet nga folja burimore.

    Mirëpo analistët e shumtë të televizioneve private tiranase kapërcejnë çdo kufi duke sjellë ndërtime të tipit:

    “Le t’i rikthehemi edhe njëherë deklaratës së Berishës në Shkup” në vend të “le të kthehemi tek deklarata e Berishës në Shkup”

    Ose

    “Le të rikthehemi (përsëri) tek tema e shumëpërfolur e Kodit Zgjedhor”, në vend të “Le të rrahim prapë temën e shumëpërfolur të Kodit Zgjedhor”

    apo

    “T’ia (ri)japim fjalën (përsëri) korrespondentit tonë në Gjirokastër,” e të tjera të ngjashme.

    Këtu madje kemi përsëritje në fuqi të tretë, çka është krejt e tepërt dhe rënduese për kumtin.

    A nuk mund të quhen edhe këto si simptoma të tjera të shqipes së sëmurë, edhe pse janë të gjuhës së folur (por jo vetëm të saj)?

  11. Vlora Vlora, patjetër është simptomatik kalimi:
    1. t’i kthehemi temës së Kodit Zgjedhor
    2. t’i rikthehemi temës së Kodit Zgjedhor
    3. t’i rikthehemi përsëri/edhe një herë temës së Kodit Zgjedhor

    Për kuptimin, do të mjaftonte thënia e parë; megjithatë, për këta folës duket sikur folja kthehem e ka humbur elementin kuptimor të përsëritjes (kthehem – shkoj diku ku kam qenë më parë), prandaj duan me çdo kusht ta futin këtë element nëpërmjet parashtesës (rikthehem), por pastaj binden që edhe parashtesa vetë nuk mjafton, prandaj shtojnë edhe një ndajfolje prapa (përsëri).
    Pse ndodh kjo? Shqipja e ka një prirje të përgjithshme për redondancë (p.sh. mohimi i dyfishtë: askush nuk e di; ose trajtat përemërore të tipit mua më dhemb barku; ose përsëritja e së pakryerës në forma të tipit doja të lexoja pak; ose ndërtime të tipit ky djali etj.) Megjithatë, në shembullin e mësipërm pleonazma, besoj unë, shkaktohet nga prirja e përgjithshme e foljeve për t’u zbehur kuptimisht në ligjërimin ‘e drunjtë’; i cili zakonisht mbizotërohet nga folje kuptimisht të dobëta si është, ka, mbetet, gjendet, vepron, përbën, shpreh, përfaqëson, etj., të përdorura në bashkëvajtje me forma të emërzuara. Meqë folësit janë mësuar që t’u shtojnë rrethanorë këtyre foljeve tepër të dobëta, atëherë automatikisht u shtojnë rrethanorë edhe foljeve si kthehem, që të dobëta nuk janë.

  12. Kete nyje me duket se e perdor shpesh, por ne rastet kur fjalia vazhdon e emri (cilesia) perforcohet meqe zakonisht eshte subjekti i pjeses tjeter te fjalise.
    O sa keq, o sa mire,
    ujku eshte egersire.

    Ujku eshte nje egersire, qe vecohet nga mishngrenesit e tjere per zakonin e mbytjes se gjithe kopese e jo vetem te prese se nevojshme.

    Nuk e di ne eshte e sakte, po pa nyje sme tingellon mire. Mesa vura re nga shembujt, nyja e mban emrin ne rasen emerore, duke zevendesuar rasen kallzore e cila me duket se eshte bere enkas per vazhdimin e fjalise dmth per tu shoqeruar nga qe, i cili etj,

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin