Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E DRUNJTE (VI)

 

Pleonazma

Pa u futur në hollësi semantike që nuk i interesojnë kujt përveç gjuhëtarëve, po mjaftohem të them se pleonazma krijohet atëherë kur përdorim disa fjalë për të shprehur diçka që mund ta shprehnim me një fjalë të vetme (ose, teknikisht, kur në një togfjalësh çfarëdo, elementi përcaktues rimerr një tregues kuptimor të elementit të përcaktuar.)

Kështu, pleonazma mund të merret si një formë e teprisë (redondancës) së fjalëve në fjali.

Në togfjalëshin ambasada të huaja, mbiemri vetëm sa rimerr një element kuptimor të emrit, meqë ambasada nuk është veçse zyrë përfaqësuese e një shtetit të huaj; dhe nuk ka ambasadë që të mos jetë e huaj. 

Shqipja e folur është e pasur me pleonazma, të tipit hidhem përpjetë, kthehem prapë, ngjitem lart, nis nga e para, ngre lart, zbres poshtë, etj. Është aventurë e kotë të lëshohesh kundër tyre, por pleonazmat e reja, si prioritet kryesor, bebe e vogël gjithnjë mund të shmangen.

Shumë pleonazma në shqipen e drunjtë përftohen duke u shtuar ndajfolje ose shprehje ndajfoljore në trajtë krahasore foljesh të cilat e përmbajnë krahasimin në kuptim vetvetiu.

P.sh. folja keqësohem ka kuptimin “bëhem keq”, prandaj është pleonazmë të thuash keqësohem më tej/më shumë; folja fuqizoj e ka kuptimin “bëj të fuqishëm”, prandaj është e tepërt të thuash fuqizoj më tej e kështu më radhë. Kjo tepëri trashëgohet edhe në ndërtimet me emërzim, të tipit fuqizimi i mëtejshëm, keqësimi i mëtejshëm, forcimi i mëtejshëm etj.

Megjithatë, jo çdo togfjalësh i tipit përforcimi i mëtejshëm është pleonastik. Në shumë kontekste, një togfjalësh i tillë del si emërzim i togfjalëshit foljor vazhdojmë të përforcojmë, ose për të treguar vijueshmëri të veprimit që shenjon folja. Vijueshmëria e një ndryshimi shtues [+] e përligj mbiemrin. Prandaj çdo rast do gjykuar më vete, dhe duke u krahasuar me çka dëshirojmë të shprehim.

Në shembujt më poshtë, mbiemri me shkronja të zeza është pleonastik dhe mund të hiqet nga thënia pa ia dëmtuar kësaj kuptimin:

(edhe) më tej

Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, Eagle Mobile ka shtuar edhe më tej zonën e saj të mbulimit.

Këtu ndoshta folja më e përshtatshme do të ishte zgjeruar.

Pra, është një lajm i mirë, që e rrit dhe më tej moralin e Forcave të Armatosura.

E rrit moralin e Forcave të Armatosura do të mjaftonte, përveçse kur duam të kumtojmë që morali ishte tashmë i lartë.

Po vazhdojnë edhe më tej paditë gjyqësore kundër administratës komunale drejtuar nga institucionet e ndryshme të komunës së Preshevës.

Mjafton të thuhet po vazhdojnë paditë gjyqësore.

OPEC-u mund të pakësojë edhe më tej prodhimin e naftës, në rast se diçka e tillë do të rezultojë e nevojshme.

Këtu pakësoj edhe më tej përligjet në qoftë se OPEC-u ka qenë duke e pakësuar prodhimin edhe më parë.

Norma efektive e arkëtimeve duhet të rritet më tej.

Duhet të rritet mjafton.

i mëtejshëm

Zhvillimi i mëtejshëm i tregut të brendshëm

Zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s

Forcimi i mëtejshëm i embargos

Fuqizimi i mëtejshëm politik

Degradimi i mëtejshëm i infrastrukturës

Shtrirja e mëtejshme e Pashallëkut të Janinës

Përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës rrugore

Këtu, emërzime të tilla si zhvillimi, zgjerimi, forcimi, degradimi, fuqizimi, shtrirja,  përmirësimi e përmbajnë në kuptim elementin [më tej].

Një mënyrë për të shprehur intensitet të veprimit, do të ishte përdorimi i shumësit: Shqipëria ka bërë përparime në lidhje me…; më mirë akoma: Shqipëria ka përparuar mjaft…

Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm në lidhje me lirinë e shprehjes.

Gjallërimi i mëtejshëm i jetës fetare në fshatin Pined.

Vazhdojnë ritmet e plakjes së mëtejshme të popullsisë së Evropës.

Thellimi i mëtejshëm

Thellimi i mëtejshëm është edhe pleonazmë edhe klishé; shumë folës e përdorin si togfjalësh të gatshëm për të shprehur intensifikim, pa e vrarë shumë mendjen për kuptimin e pjesëve. Si rregull, thellimi i mëtejshëm shoqërohet nga një gjinore e një emri prejfoljor:

Sipas autoritetit qendror bankar arsyet që çuan në këtë rritje kanë qenë thellimi i mëtejshëm i zhvlerësimit të dollarit amerikan në tremujorin e parë të këtij viti.

Vini re gjinoren e trefishtë: thellimi… i zhvlerësimit… të dollarit.

Kjo thënie mund të thjeshtohej kështu:

Sipas autoritetit qendror bankar, kjo rritje u shkaktua ngaqë, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, dollari amerikan erdhi duke u zhvlerësuar.

Të tjerë shembuj me mbiemër pleonastik:

Procesi i tranzicionit ka arritur në një pikë të tillë, ku thellimi i mëtejshëm i tij nuk mund të realizohet veçse si një proces frontal

Thellimi i mëtejshëm i krizës energjitike reflekton kudo dhe në të gjithë. sektorët.

Ambasadori italian theksoi se misioni i tij në Shqipëri do jetë thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit.

Një grup tjetër pleonazmash formohen rreth foljes mbetem, e cila shpesh shoqërohet me modifikues kuptimorë të panevojshëm:

vazhdon të mbetet

Ky tog është pleonastik, sepse folja mbetem e përmban në kuptim elementin [vazhdoj]; prandaj pothuajse gjithnjë vazhdon të mbetet mund të thjeshtohet në mbetet.

Një nga komeditë e pavdekshme të kinematografisë shqiptare që vazhdon të mbetet moderne megjithëse e realizuar në 1972.

Këtu mbetet moderne do të mjaftonte.

Vazhdon të mbetet i pandryshuar çmimi i arit të zi./Mbetet i pandryshuar…

Komuna e Lazaratit vazhdon të mbetet problematike në kultivimin e lëndëve narkotike./Komuna e Lazaratit mbetet problematike…

Tregu i ndërtimit ka qenë dhe vazhdon të mbetet parësor në raport me aktivitetet e tjera./Tregu i ndërtimit ka qenë dhe mbetet… 

Anëtarësimi i Shqiperisë në BE vazhdon të mbetet një ëndërr e dëshiruar për shqiptarët./… mbetet një ëndërr…

Shqipëria vazhdon të mbetet një vend tranzit për krimin e organizuar ndërkombëtar./Shqipëria mbetet një vend tranzit…

Lumi Seman vazhdon të mbetet një ndër rreziqet kryesore për banorët që kanë shtepinë e tokat pranë tij./Lumi Seman mbetet një ndër rreziqet…

Në basenin e liqenit të Fierzës sërish niveli i ujërave vazhdon të mbetet kritik./… niveli i ujërave mbetet kritik…

Gjendja e sektorit shëndetësor vazhdon të mbetet një nga plagët më të rënda të Shqipërisë në tranzicion./Gjendja… mbetet një nga plagët

Tirana vazhdon të mbetet më problematikja përsa i përket fëmijëve që jetojnë në kushte të vështira sociale. /Tirana… mbetet më problematikja

mbetet gjithnjë

I njëjti arsyetim vlen edhe për ndajfoljen gjithnjë (ose shprehjen ndajfoljore gjithnjë e më shumë) si modifikuese të foljes mbetet, e cila rimerr një element kuptimor të brendshëm të asaj foljeje, prandaj mund të mënjanohet nga togfjalëshi; me përjashtim të atyre herëve kur luan rol intensifikues:

Ekrani i vogël, me sa duket, mbetet gjithnjë sfida dhe dashuria juaj.

Ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbetet gjithnjë e më shumë objekt i parapëlqimeve të një klike të vogël të officerëve të ish- KGB-së.

Gjendja aktuale e të rinjve tanë vazhdon që të mbetet gjithnjë një nga problemet më shqetësuese.

Meta theksoi se Kahreman Ylli do të mbetet gjithnjë një shembull i njeriut të thjeshtë, dhe një shembull i bashkimit dhe i urtësisë.

Dje, pushoi zemra e tij, ndërsa jeta e tij do të mbetet gjithnjë në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Faik Konica mbetet gjithnjë aktual me profecitë e tij dhe me vizionin tepër të qartë, që do t’i shërbejë të sotmes dhe të ardhmes si një udhërrëfyes gjenial.

Makthi veberian mbi rrezikun e “kafazit robërues të burokracisë” mbetet gjithnjë aktual.

 

3 Komente

  1. Tatjeta Mixhe,

    “vazhdon te mbetet” percjelle njifare dinamike dhe kallxon qe dicka ka qene e tille edhe ma perpara, perderisa “mbetet” asht statike e i referohet vetem t’tashmes.

    Tana t’mirat,
    Ardiani

  2. Ardian, për mua mbetet ka kuptimin “vazhdon të jetë”, prandaj të thuash vazhdon të mbetet është njëlloj si të thuash vazhdon të vazhdojë të jetë.

  3. A nuk është trajta pleonastike “vazhdon të mbetet” njëfarë huazimi nga italishtja?

    Po ashtu, shembulli bankar tek trajta pleonastike “thellim i mëtejshëm” a nuk mund të vijë si pasojë e përdorimit vend e pa vend të anglicizmave prej teksteve të FMN-së nga ana e punonjësve të Bankës Qendrore?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin