Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E DRUNJTE (II)

Si përftesë themelore në shndërrimet sintaksore, emërzimi shfaqet në trajta të ndryshme, që meritojnë të trajtohen secila veçmas.

Të shohim, bie fjala, ato raste kur folja zbërthehet në një togfjalësh të përbërë nga një folje me kuptim të zbehtë leksikor, por që shpreh të gjitha kategoritë gramatikore të foljes, dhe një emër i cili merr përsipër barrën e kuptimit leksikor.

Për shembull:

Komisioni shqyrtoi projektligjin për pronat.

Komisioni mori në shqyrtim projektligjin për pronat.

Këtu folja shqyrtoj zbërthehet në togfjalëshin marr në shqyrtim, të përbërë nga folja marr, leksikisht e zbehtë, dhe emri prejfoljor shqyrtim, i cili në thelb emërzon foljen origjinale (shqyrtoj). Folja dhe emri lidhen mes tyre nëpërmjet një parafjale.

Pse ndodh një dukuri e tillë? Çfarë i mungon foljes shqyrtoj, që e përmbush togu marr në shqyrtim? Për këtë mund të diskutohet gjatë.

Ndonjëherë, zbërthimi i shton foljes origjinale një nuancë kuptimore ose të aspektit (aspekti është mënyra e paraqitjes së veprimit nga folja – si në vazhdim, pikësore, duke filluar, duke përfunduar, duke u përsëritur etj.). Për shembull, marr në pyetje (angl. interrogate) ndryshon kuptimisht nga pyes (angl. ask); vihem në kërkim ndryshon në aspekt nga kërkoj, sepse vihem në kërkim do të thotë filloj të kërkoj, ndërsa kërkoj e paraqet veprimin si të vazhduar; jap mësim (teach) është më e saktë kuptimisht se mësoj (edhe teach edhe learn); vë në veprim ndryshon kuptimisht nga veproj; marr në vështrim ka kuptim tjetër nga vështroj; sikurse thërres ka kuptim të ndryshëm nga bëj thirrje; në dukje është ndërtim kauzativ (“shkaktoj që të duket”); lë në heshtje ndryshon kuptimisht nga hesht; jap gjykim është akti përmbyllës i procesit të të gjykuarit; vë në dyshim, ndryshe nga dyshoj, funksionon si folje kalimtare; gjej vdekjen do të thotë vdes papritur; vë/hedh në qarkullim ndryshon nga qarkulloj; vë në lëvizje është kauzative në raport me lëviz; po ashtu vë në funksionim në raport me funksionoj, vë në shfrytëzim në raport me shfrytëzoj e kështu me radhë. Prandaj zbërthimi i këtyre foljeve nuk mund të konsiderohet si simptomë e drunjëzimit.

Gjithashtu, është për t’u mbajtur parasysh se ndërtime të tipit folje + emër prejfoljor në shumës shprehin aspekt përsëritës (iterativ); të krahasohen:

bëj gërmime dhe gërmoj

bëj ndërtime dhe ndërtoj

kryej punime dhe punoj

bëj kërkime dhe kërkoj

nxjerr mësime dhe mësoj

bie në mendime dhe mendohem

Meqë te bëj gërmime të gërmuarit shihet më shumë si veprimtari e përsëritur sesa si veprim i vazhduar; arsyetim ky që vlen edhe për shembuj të tjerë të ngjashëm.

Të shohim tani disa instanca ku togfjalëshi me folje të emërzuar nuk duket t’i shtojë asgjë foljes origjinale:

kundërshtoj → shpreh kundërshtim

përgjigjem → jap përgjigje

mbroj → marr në mbrojtje

ngushëllohem me → gjej ngushëllim në

pyes → bëj pyetje

zgjidh → (i) jap zgjidhje

zgjidhet → gjen zgjidhje

përkrah → (i) jap përkrahje

autorizoj → jap autorizim

frymëzoj → jap frymëzim

përgatitem → bëj përgatitje

ndikoj → ushtroj ndikim

më vjen keq → shpreh keqardhje(n)

kërcënoj → jam/përbëj kërcënim për

duroj → bëj durim

zbatohet → gjen zbatim

përpiqem → bëj përpjekje

Për nga struktura, ndërtime të tilla rimarrin ndërtime të ngjashme të cilave u përligjet përdorimi, por edhe shprehje idiomatike të tipit ngre peshë, nxjerr në pah, mbaj zi, jap fjalën, jap zemër, marr me mend, vë mend, lë nam, bëj zhurmë, vë në gjumë, i hyj punës, (i) zë besë, marr frymë, (i) fut frikën, lë mendjen (pas), dal shëtitje, var shpresën (te), jap urdhër, marr vrapin, vë re, jap shpirt, etj, të cilat i ka shqipja e folur.

Përndryshe, ligjërimi vetëm sa do të bëhej më i qartë, sikur të rehabilitohej folja përkatëse.

Ashtu do të shmangnim thënie të tilla si:

Alfabeti që kemi sot në përdorim (Alfabeti që përdorim sot).

Gjuha shqipe ka një dokumentim shkrimor relativisht të vonë (Gjuha shqipe është dokumentuar me shkrim relativisht vonë).

Edhe pse secila instancë do gjykuar më vete, ndërtimet në fjalë gjithnjë e kërcënojnë foljen shqipe, disa drejtpërdrejt, disa tërthorazi, nëpërmjet ndikimit strukturor.

[vijon]

3 Komente

  1. Xha xha, a ke ndonjë plan për të nxjerrë ndonjë libër me gjëra të tilla? Nuk po të kërkoj ndonjë gjë thjesht do të doja të kisha një libër me të tilla këshilla 🙂

  2. AC, ashtu dëshiroj dhe ashtu u bëftë… Materialin që po nxjerr pjesë-pjesë në blog mund ta riorganizoj si libër – por është ende herët.

  3. Informacionet qe marrim nepermjet ketyre shkrimeve me tema nga gjuha, jane vertet shume mbreselenese. Kam parasysh ketu menyren dhe thjeshtesine e te shkruarit, qe sjell per pasoje kuptimin dhe asimilimin, duke iu shtuar ne kete menyre bagazhit te dijeve tona.
    Uroj, sinqerisht, Xha Xha, qe libri yt (sot per sot nje projekt), te behet realitet sa me shpejt, duke u “lutur” njekohesisht, qe te mendohet pak edhe per tirazhin. Eshte kaq e veshtire te gjenden disa libra te tute, ketu..!
    Pershendes!!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin