Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

McCAIN BARDHEZI

 

 

Një film i rastit me spiunazh që po shihja sonte, xhiruar në vitet 1960, më dha ndoshta përgjigjen që po kërkoja prej muajsh për dilemën e zgjedhjeve në SHBA javën që vjen.

Lufta e ftohtë e atyre viteve, e përcjellë nga regjisori në bardhezi, vinte përballë dy kampe të kundërta, ndoshta dy forca universale të kundërta – të mirën dhe të keqen. Muri i Berlinit ishte edhe sendërgjim i një vendimi moral për t’i mbajtur këto forca të ndara me xham.

Mes personazheve të filmit më dukej, deri në bezdi, sikur shquaja republikanin e tanishëm McCain. Nuk e kam aq fjalën për ndonjë ngjashmëri fizike, sesa për një mënyrë të foluri ose një tiku nervoz pothuajse të padukshëm të fytyrave, që tradhtonte epërsi, individualitet, qytetërim.

Në ekranin e viteve 1960 një Obama do të kish mbetur i padukshëm – i bardhë në dritë dhe i zi në errësirë.

McCain është mbijetojë e viteve kur bota ishte e ndarë më dysh; kur secila palë ishte e bindur se e kishte të ardhmen me vete, madje aq e bindur sa njerëzve t’u kërkohej sakrifica në emër të idealit abstrakt.

Aso kohe Amerika e Kennedy-t adhurohej si vend gjeometrik i lirisë, demokracisë dhe barazisë për të qenë të lumtur. Njerëzit që i aviteshin atij kontinenti metafizik nga deti ose nga ajri ende e këqyrnin Statujën e Lirisë si hyjni për t’iu falur.

Në 1967, McCain-in ushtarak e dërguan të “mbronte” atdheun në Vietnam. Po të gjykosh nga çeliku që i ka mbetur sot në vështrim, ish-piloti i avionit duhet të ketë qenë palëkundshëm i sigurt se po e bënte Hanoin shkrumb e hi në emër të lirisë, demokracisë dhe barazisë. Ajo siguri, edhe pse njëlloj irracionale sa edhe çdo fé, e ndihmoi pastaj të përballonte vitet si rob lufte në duar të armiqve commies, dhe pastaj ta riformatonte vetveten në jetën e përditshme dhe në sferat e larta të politikës amerikane.

Çeliku te McCain ka mbetur ai i atëhershmi, por bota nuk është më e ndarë më dysh. Bardhezisë ia kanë zënë vendin ylberet e ngjyrave; e mira dhe e keqja tani bashkekzistojnë brenda çdo dileme, çdo momenti dhe çdo vizioni, sado privat dhe intim.

Çuditërisht, filmi që shihja, The Spy Who Came in from the Cold, nxjerrë nga romani i shkëlqyer i John Le Carré me të njëjtin emër, guxon të dyshojë se mos edhe ndarja e vjetër në të mirë dhe të ligj ishte njëlloj e paqëndrueshme e njëlloj artificiale; se mos Lufta e Ftohtë na e kishte ngritur nga një Mur Berlini brenda vetes të gjithëve, madje edhe kur ndiheshim të mbyllur si zogu në kafazin totalitar, ose fundja edhe si McCain i burgosur i vietnamezëve.

Është një perlë e vogël relativizmi ideologjik, nga një periudhë tashmë e kapërcyer të vërtetash të amshuara, kremtimesh solemne të vetvetes, krekosjesh madhështore para pasqyrave hegeliane të Historisë (doemos me H të madhe).

McCain është mishërim i nostalgjisë totale të Amerikës për atë periudhë kur, megjithë dramat e nënujshme dhe ambiguitetin, Perëndimi mbetej e vetmja skenë ku këto drama dhe ambiguitete jo vetëm përjetoheshin privatisht, por edhe riprodhoheshin në publik.

Prandaj shanset për të fituar tani i pakësohen ngaqë gjysma e botës prej nga vjen e ka gëlltitur tashmë të gjallë gjysmën tjetër, me të gjitha krimet, ushtritë, dramat, dhimbjet, burgjet, mjerimin, urinë dhe varrezat e saj kolektive.

Në epokën e globalizmit, McCain është piloti i ringjallur, që merr qiellin me një mision luftarak të marrë: të bombardojë vetveten, në hapësirë dhe në kohë.

Obama i përket, përkundrazi, një specieje më të vonë; të shfaqur mbi dhé pas zhdukjes së dinosaurëve e që i ka ambicjet më shumë të programuara në kodin gjenetik, sesa të formuluara në mendim. Kësaj specieje i përket e ardhmja, edhe sikur kjo të mos jetë e ardhme e dëshiruar por vetëm e imponuar; madje edhe sikur Obama kësaj radhe të mos fitojë.

 

22 Komente

  1. Xhaxha,

    Uroj qe entuziazmin qe gezoni mbi mundesine e fitores apo edhe fitoren e “njeriut te ri” te jete jetegjate dhe t’ju plotesoje si nga ana intelektuale ashtu edhe nga ajo shpirterore dhe materiale. Sot cdo gje qe shkelqen duhet te jete flori. Mjafton ti ngjaje.

    “For whatever reason, the media are portraying Barack Obama as a better choice for president than John McCain,” said Robert Lichter, a George Mason University professor and head of the center. “If you watch the evening news, you’d think you should vote for Obama.”

  2. Te thuash qe nje te riu i perket e ardhmja eshte logjike… Por nuk eshte mosha e kandidatit gjeja per te cilen ne votojme. Cuditerisht, kandidati i ri, ne kete rast, eshte per dicka jo gjenetike, qe eshte ne kundershtim me specien njerezore, nje gje qe eshte eksperimentuar per 70 vjete me subjekte njerezore ne gjysmen e botes dhe qe falimentoi ne 1989. Kandidati i vjeter eshte per ate cka eshte e shkruar ne kodin gjenetik te species dhe qe eshte provuar te funksionoje me se miri per shume shekuj.

  3. Xhaxha, drejt e ke kur thua se McCain eshte mbeturine e epokes bardhezi, dhe mua me duket se nje e keqe akoma me e madhe eshte fakti se nje perqindje e larte e elektoratit amerikan e perqafon me te dy duart kete lloj mendesie. Ketu ka meriten e vet te padiskutueshme perzjerja e fese ne politike ne nje mase qe eshte e paperfytyrueshme ne kusurin e botes demokratike. Si ilustrim i kuptimplote i mentalitetit prej dinosauri mund te sherbeje pergjigja qe McCain i dha pastorit evangjelist Rick Warren pyetjes se ketij te fundit mbi egzistencen e se Keqes: “E Keqja egziston, duhet konfrontuar dhe duhet mundur” tha kandidati Republikan, duke zgjuar admirimin e masave te fondamentalisteve kristiane! Mire qe s’premtoi mundjen e se Keqes brenda mandatit te tij te pare, po edhe po ta kishte bere nje gje te tille, masat prape do ta kishin admiruar me po aq entusiazem, pavaresisht nga idiotizmi i ketyre lloj deklaratave.
    Ndersa pergjigja shume me e nuancuar dhe realiste e Obames nuk ngjalli asnje lloj interesi.
    Vete fakti qe kandidatet presidenciale amerikane pranojne te paraqiten para ketyre soj “provimesh” ku merren ne pyetje prej pastoreve tregon shume per nivelin e diskursit politik ne Amerike.

  4. Censura, a mos do te thuash se Obama eshte socialist dhe po fitoi ai Amerika do behet vend republike popullore socialiste? A ke ndonje prove konkrete par kete?
    Kjo eshte nje akuze qe vjen nga e djathta ekstreme dhe qe u shitet, si pune gogoli, njerezve qe s’kane as idene me te vogel se cfare eshte socializmi.
    Obama eshte socialist, po ashtu edhe Elvis Presley eshte ende gjalle!

  5. I dashur, nuk kam asnjë entuziazëm për Obamën, as për demokratët. Do t’ua jap votën vetëm e vetëm sepse alternativa është e frikshme – një president plak dhe i sëmurë, një dinosaur i Luftës së Ftohtë, që kërkon të bëjë diplomaci me bomba; me kufitaren sypatrembur nga Alaska si zëvendëse. Megjithatë, shkrimi im i mësipërm nuk ishte për propagandë elektorale – por vetëm një përsiatje. Ndoshta herën tjetër do të shkruaj për Dr. Strangelove, që ta sqaroj pikëpamjen time më mirë.

  6. Sigurisht ketu s’ka asnje propagande elektorale. As nuk eshte vendi as Xha Xhai nuk i shembellen ndonje fare propagandisti.
    Behet fjale per nje kufi qe njerezimi ka kohe qe perpiqet me mundim ta kaperxeje dhe qe Xha Xhai arrin ta hetoje.
    Sloganet baze jane shume elokuente per secilin kamp.
    “Contry first”-i McCain qe gjeneron ballafaqim e frike , nje patriotizem steril e hipokrit nderkohe qe vendi i tij promovon globalizmin.
    Nga ana tjeter “Change” i Obames nje ze akoma i dobet e i paqarte por ne drejtimin e duhur, perfaqesues i njerezve te lodhur nga dinastite.
    Arsyeja qe Obama mund te mos fitoje eshte ngjyra e lekures se tij ,”dhurate e diellit pervelonjes” sic e cilesonte Othello i Shekspirit. Mjerisht.

  7. Asnje nuk e di dot te ardhmen e tij, dhe njeriu vetem mund te shpresoje ne lidhje me te, shprese kjo qe ngjan me deshirat dhe enderrat e veta e jo me realitetin
    Cfare ndryshimi prisni ose do te deshironit te shihnit?
    Ne planin politik, ekonomik, ideologjik, administrativ, kultural etj etj?
    Cfare ndryshimi prisni praktikisht nga keto zgjedhje?

    Une nuk kam asnje interes direkt apo indirekt me gjithe cka ndodh nen paralelin 49. Por ne te njejten kohe e gjej intelektualisht te pandershme, dhe praktikisht te parealizueshme premtimin se mbas Jan. 20/2009, BHO “will put a stop to the “politics as usual in Washington” dhe qe “will change the world”.
    Historia, i vetmi mesues me eksperience qe ekziston,na meson se politics as usual nuk ndryshohen me premtime por me nje Cesar dhe bota nuk ndryshohet me retorike por me nje Napoleon. Kushdo tjeter qe premton gjera te tilla, qofte ai i bardhe apo i zi, s`eshte tjeter vecse nje demagog ose thjesht genjeshtar.

  8. ””Në epokën e globalizmit, McCain është piloti i ringjallur, që merr qiellin me një mision luftarak të marrë: të bombardojë vetveten, në hapësirë dhe në kohë.””’

    Epoka e globalizmit ekziston vetem ne letra gazetash po nuk ekziston ne faqet e Historise, meqe Amerika, Rusia dhe Kina sillen si shtete me politika te qarta nacionaliste e nuk kane asnje plan te heqin dore.
    Keto jane pikat e referimit te planetit, 3 Fuqite e Medha, motoret ekonomike e politike te planetit.
    Bashke me Islamin formojne edhe 4 pikat kyce ideologjike te Globit.
    Ka nje amalgamim europian, lindja me perendimin, qe pasqyrohet ne Komunitetin Europian por vetem kaq.

    Ky komunitet biles eshte aq i dobet, saqe nuk del dot ne skene, krahasueshem politikisht me Rusine ,Kinen apo Ameriken e po ashtu ideologjikisht ka falimentuar qe kur deshtoi kushtetuta europiane e rolin ideologjik e luan Amerika.

    Ne kete aspekt Mekejni perfaqeson te vetmin realizem ne spektrin politik, as konservator ekstrem e as progresist tyryryry , just ‘Country First’.

    ”””Obama i përket, përkundrazi, një specieje më të vonë; të shfaqur mbi dhé pas zhdukjes së dinosaurëve e që i ka ambicjet më shumë të programuara në kodin gjenetik, sesa të formuluara në mendim. Kësaj specieje i përket e ardhmja, edhe sikur kjo të mos jetë e ardhme e dëshiruar por vetëm e imponuar; madje edhe sikur Obama kësaj radhe të mos fitojë.””’

    Ne fakt kjo specie ambicjen njeh si te vetmin virtyt e mbase i perket i ardhmja, vecse e ardhmja e kesaj specieje do jete shume e shkurter, se ne historine e njerezimit kjo specie e ka marre pushtetin disa here por periudhat e saj perkojne me degradimin e civilizimit perkates deri ne zhdukje.

    ””’“Contry first”-i McCain qe gjeneron ballafaqim e frike , nje patriotizem steril e hipokrit nderkohe qe vendi i tij promovon globalizmin.””’

    Amerika ka 220 vjet qe propogandon globalizmin e globalizmi ne kuptimin amerikan te fjales eshte:

    To make the world safe , for the american buisness.

    Ketu ska asgje per hipokrite, eshte krejtesisht lineare.
    Hipokrizi eshte te thuash te kunderten, pasi per ta bere duhet te jesh i lajthitur. Imagjino te besh ameriken te sigurte per bisnezin e botes, ne kuptimin amerikan te ‘sigurise’.
    Mekejni perfaqeson skeletin e Amerikes, ate shtylle kurrizore,ato kellqe te Amerikes nga te cilat trembet kushdo, perfshire Al Kaeden, qe nuk hezitoi te deklaroje se eshte kunder republikaneve.

  9. I dashur, ja disa pak gjëra që unë uroj të ndodhin, nën drejtimin e presidentit të ri amerikan:
    SHBA të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të shndërrohet në forcë aktive (jo penguese) në organizmat e shumta ndërkombëtare.
    SHBA t’u japë përparësi absolute lidhjeve me Europën perëndimore.
    SHBA të tërhiqet edhe nga Iraku edhe nga Afganistani. Si taksapagues, unë ndihem fajtor që financoj luftërat e atjeshme, tashmë të dështuara.
    SHBA të hyjë në bisedime me Iranin, për ta zgjidhur çështjen e reaktorëve atomikë në mënyrë paqësore.
    SHBA të ndalë menjëherë orvatjet për të futur në NATO vende të tilla si Gjeorgjia ose Ukraina, si dhe të ndërpresë ndërtimin e sistemeve anti-balistike në Europën lindore.
    SHBA të ndërmarrë një program të madh publik për përmirësimin e infrastrukturës së transportit publik, duke i dhënë përparësi transportit hekurudhor.
    SHBA të ndërmarrë një program të madh publik, të ngjashëm me projektin “Manhattan” gjatë Luftës II Botërore, për t’i dhënë fund vartësisë ekonomike nga nafta, dhe për të zhvilluar teknologji alternative për përftimin e energjisë.
    SHBA të deklarojë publikisht se “lufta kundër terrorit” është problem i ruajtjes së rendit, që nuk mund të zgjidhet me mënyra ushtarake.
    SHBA të adoptojë menjëherë një sistem të shëndetit publik të ngjashëm me atë të vendeve të qytetëruara – Gjermanisë, Francës ose vendeve skandinave.
    SHBA të kufizojë në mënyrë drastike spekulimin ekonomik dhe sidomos financiar, dhe të vendosë rregulla të rrepta për kompanitë që duan të kuotohen në bursë. Veçanërisht kompanitë që merren me financë, sigurime dhe shërbime bankare nuk kanë punë të kuotohen në bursë.
    SHBA të ngulë këmbë për reduktim drastik dhe veçanërisht kontroll të rreptë të armëve bërthamore, në bashkëpunim me Rusinë dhe vendet e tjera që i kanë.
    SHBA të ngulë këmbë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez në Lindjen e Mesme, i cili e ka sëmurur krejt rajonin. Ky konflikt do të zgjidhet duke i treguar vendin lëvizjes së djathtë të kolonistëve (settlers) në Izrael, dhe financuesve të asaj lëvizjeje kudo ku gjenden.
    SHBA të marrë masa të jashtëzakonshme për të ndërprerë emigracionin klandestin nga Meksika, i cili po krijon probleme të mëdha politike, veçanërisht nëpërmjet polarizimit.
    SHBA të marrë masa të jashtëzakonshme kundër monopoleve në ekonomi, duke mos lejuar që korporatat të fryhen deri në atë shkallë, sa të përfaqësojnë entitete me vlerë strategjike për shtetin, të tilla që të mos lejohen dot të falimentojnë.
    SHBA të ndalojë me ligj përdorimin e mercenarëve dhe të ushtrive private, brenda dhe jashtë territorit amerikan.
    SHBA të shfuqizojë ligjin PATRIOT ACT.
    SHBA të riformulojë politikën e mbrojtjes ndaj terrorizmit, duke i dhënë përparësi metodave soft.
    SHBA të mbyllë bazën ushtarake në Guantanamo.
    SHBA të liberalizojë urgjentisht ligjshmërinë në fushën e përdorimit të drogave, çka do të çojë edhe në reduktimin drastik, shumë të nevojshëm, të popullsisë së burgjeve. Është turp i paparë që në shek. XXI të futen njerëz në burg sepse tymosin hashash.

  10. E pra Hyllin thuja! Është turp të shitet globalizmi amerikan si karamele madje edhe nëpërmjet opinionistëve shqiptarë me emër të nderuar si psh Fuga.
    (i referohem shkrimit të fundit të tij postuar te peshku)

    Xha xha, unë jam dakort me mendimin tuaj për ato masa që prisni ju të bëjë Amerika, veç se këto masa do dobësonin rolin e saj në botë. Besoj se është e kuptueshme kjo.
    Nuk e di a është gjëja më e mençur e mundshme, kur përsëri sipas politikës globale ka vende në botë me ideologji dhe mënyrë jetese shumë herë më të rrezikshme se ajo amerikane e tanishme.

    Megjithatë, kam përshtypjen se asgjë nuk do jetë si më parë, tani pas tronditjes prej krizës ekonomike.

  11. Julius, nuk besoj të ketë pasur ndonjëherë në botë antipati më të madhe për SHBA sesa sot, çka nuk lidhet me idealin amerikan, as me modelin që përfaqëson SHBA, por me politikën e jashtme shumë të keqe të ndjekur nga presidenti George W. Bush, i këshilluar nga të ashtuquajturit neocons, dhe nën ndikimin e fortë të Dick Cheney-t. Për ta thënë troç, një Amerikë që ka dikë si George W. Bush në krye, nuk e meriton të jetë “fener ndriçues” i idealeve të qytetërimit perëndimor. Tashmë edhe elitat politike amerikane e kanë kuptuar, sado me vonesë, se pa rivendosur frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, SHBA nuk është në gjendje madje as edhe të dalë faqebardhë në një bokërrimë si Afganistani, çka ia rrëzon prestigjin edhe më shumë. Prandaj, bota pret shumë nga SHBA, sidomos për të kundërshtuar forcat e errëta nga Azia, duke përfshirë këtu delirin rusomadh të Putinit, fondamentalizmin islam dhe hegjemonizmin e verdhë kinez; por jo nga SHBA-ja e Bush-it dhe e McCain-it. Përndryshe, unë si qytetar amerikan që jam, asnjë të mirë nuk u kam parë aventurave amerikane poshtë e lart botës, nga Afganistani në Irak, e tani edhe në Pakistan e nesër ndoshta në Iran. Nuk dua që nesër unë ose ndonjë i afërm imi të lëmë kokën në tunelet e metrosë në NYC, si shpagim për mega-bombën që një avion amerikan i pilotuar nga një kastravec fondamentalist kristian ia bëri dhuratë një dasme në Afganistan.

  12. Si qytetar i Botes (dhe jo qytetar amerikan), do te prisja edhe nje diçka tjeter FORT te rendesishme nga SHBA : te adopotoje nje politike rigoroze per te detyruar Kinen t’i nenshtrohet rregullave te komunitettit nderkombetar, sidomos atyre te fushes AMBIENTALISTE.

  13. Xhaxha,

    P’se s`nderroni vend atehere ? 🙂
    Do te ishte me kollaj, me e thjeshte, me pak traumatike dhe per sicuro, me e shpejte.

  14. Xha xha, eshte gje e mire qe presidenti i ri amerikan te ‘mos’ zbatoje shumicen e atyre pikave qe permende.

    Pike se pari e drejta nderkombetare nuk ka pse te varet nga shtete si Rusia e Kina qe kane te drejten e vetos.
    Hiq te drejten e vetos e atehere mund te rishikohet pozita e Amerikes. Persa kohe qe Rusia e Kina kane te drejten e vetos, e drejta nderkombetare eshte e cenuar nga kapricot e njerit shtet apo tjetrit, 2 shtete qe jane ne ekspansion te qarte, Kina ekonomik, ka futur mallrat ne cdo shtet te botes e po ben projekte ti shese mallra edhe alieneve.

    Rusia fale naftes e gazit kryesisht, po ecen ekonomikisht me hapa gjigande e kjo po pasqyrohet edhe politikisht ne perhapjen e influences ne Gjeorgji, Venezuele e ne Libi, ku do ndertoje nje baze ushtarake me qellim anti-amerikan. Irani mbrohet bashkarisht nga Kina e Rusia, meqe Kina ka investime te fuqishme ne sektorin e naftes iraniane, ndersa Rusia po ndjek euroaziatizmin ne dem te pansllavizmit.

    Amerika ka nevoje te jete e forte ne keto momente. Reagimi ruso-kinez nuk eshte pasoje e sjelljes amerikane, por pasoje e zhvillimit ekonomik te ketyre vendeve.

    Amerika nuk do te sulmoje Iranin, por i duhet ta sulmoje, per shkak se qekur hipi Ahmedinezhadi, Irani ka provokuar vazhdimisht.
    Ceshtja e atomikes Iraniane nuk mund te zgjidhet me bisedime,sepse Irani nuk do ta privoje veten nga atomikja perderisa i ka mundesite ta prodhoje, fale ndihmes ruse. Irani e trash zerin sepse ja mbron shpatullat Rusia e Kina.

    Nese Gjergjia e Ukrahina duan te futen ne Nato, perse Amerika duhet te nderprese tentativat ? Kesaj i thone ti dorezosh Rusise 2 vende qe kane shprehur vullnetin e tyre te lire pro-Nato. Ah po dikush duhet sakrifikuar per te miren e atij qe rri ne Perendim.

    Konflikti izraelo-palestinez nuk zgjidhet dhe eshte gje e mire qe nuk zgjidhet, pasi lindja e mesme mund te rrije keshtu gjithmone ne tension e mos ta coje cmimin e naftes ne qiell, duke na demtuar te gjitheve perfshire ata obamistet qe ankohen me palle te madhe se eshte rritur cmimi i naftes.

    Ushtrite mercenare jane baza e Perandorive. Nuk mund ti thuash nje Perandorie, vdis.

    Persa i perket politikave te brendshme, nuk mund te kthesh shtetin lider te laissez-faire, ne nje shtet social, pasi mund te demtohet zhvillimi ekonomik. Vendet qe permende kane pasur vazhdimisht nderhyrjen e shtetit, qekur lindi kapitalizmi.

    Sot lexova se Obama kishte 72% te hispanikeve dhe 93% te zezakeve.
    Besoj se edhe ketu dal une racist, meqe mendoj se eshte vote e ardhur nga racizmi. Pastaj dal une racist, kur them se zezake e hispanike shtojne heterogjenitetin e jane forca qenderikese, te cilat demtojne shoqerine.

    Ke te drejte xha xha, duhet ndaluar hyrja e hispanikeve, perndryshe gjithe presidentet e ardhshem amerikane do i kemi me ngjyre. Po skane faj as zezake e as hispanike. Raca jote ngelet perhere raca jote, eshte natyrore e si dilet dot perjetesisht kunder natyres.

  15. “SHBA të hyjë në bisedime me Iranin, për ta zgjidhur çështjen e reaktorëve atomikë në mënyrë paqësore.”

    Nuk e di se si mund t’i hysh bisedimeve me nje rrugac si Ahmadinejad dhe me teokracine qe e mban ne fuqi. A mund te bisedoje me perfaqesuesit e Shqiperise para viteve 90? A mund te ishe i sigurt se cfare po premtohej nga ata zyrtare po behej vertete ne vend? Shume prej tyre krenoheshin se si ia hodhen e se si mund te genjenin sa here te donin komunitetin nderkombetar. Dhe kjo quhej si nje arritje patriotike per te cilen jepeshin shume dekorata.

    “SHBA të ndalojë me ligj përdorimin e mercenarëve dhe të ushtrive private, brenda dhe jashtë territorit amerikan.”

    Don te cosh femijte e tu ushtare? Une jo. Ushtrine leja ushtarakeve profesionste, mjekesine mjekve, inxhinjerine inxhinjereve, etj.

    “SHBA të ndërmarrë një program të madh publik për përmirësimin e infrastrukturës së transportit publik, duke i dhënë përparësi transportit hekurudhor.”

    I don’t think so! Aq shume me mungon transporti publik europian sa s’ka, po kjo eshte utopi. Amerika eshte zgjeruar neper suburbe te pafundme dhe qe te ndertosh nje sistem hekurudhor qe t’i lidhi duhet te ndertosh po aq hekurudha sa edhe rruge. Ndersa mund te permiresohet lidhja e qyteteve te medha me njeri tjetrin, prapeseprape, shtimi i perdorimit te trenave eshte shume i veshtire. Shumica e njerezve (qe kane nevoje dhe deshire per te udhetuar) nuk jetojne ne qytete, dhe po ashtu, vendet e punes apo te zbavitjes jane larguar nga qytetet. Keshtuqe duhet te shkosh deri tek treni me makine, dhe, kur zbret nga treni, duhet te marresh nje makine tjeter.

    “SHBA të deklarojë publikisht se “lufta kundër terrorit” është problem i ruajtjes së rendit, që nuk mund të zgjidhet me mënyra ushtarake.”

    Terrori i brendshem gjithnje ka qene dhe eshte mbuluar nga organet e ruajtjes se rendit. Por kur terrori pergatitet, financohet dhe vjen nga jashte, polici i New York-ut nuk ka shume ne dore. P.sh. cfare mund t’i bente Guardia di Finanza ne Itali, anijeve dhe depove me cigare kundrabande ne Shqiperi para viteve 90? Asgje. Imagjino sikur ne vend te cigareve dhe te kundrabandisteve te ishin arme dhe terroriste… Kjo ishte situata ne Sudan e me pas ne Afganistan. Sherbimet sekrete te te gjithe botes mendonin (ose te pakten keshtu thane) qe kjo po ndodhte edhe ne Irak. Sh.B.A. perdori diplomacine me te gjithe keta (polici i NYC prape s’perzihej dot). Ne Sudan ia arriten qellimit. Ne Afganistan dhe ne Irak jo.

  16. Censura shkruan:

    Don te cosh femijte e tu ushtare? Une jo. Ushtrine leja ushtarakeve profesionste, mjekesine mjekve, inxhinjerine inxhinjereve, etj.

    Në fakt unë këtu e kisha fjalën për ushtri private si Blackwater, jo për ushtrinë amerikane normale. Nuk më ke lexuar mirë.
    Përsëri Censura:

    Aq shume me mungon transporti publik europian sa s’ka, po kjo eshte utopi. Amerika eshte zgjeruar neper suburbe te pafundme dhe qe te ndertosh nje sistem hekurudhor qe t’i lidhi duhet te ndertosh po aq hekurudha sa edhe rruge. Ndersa mund te permiresohet lidhja e qyteteve te medha me njeri tjetrin, prapeseprape, shtimi i perdorimit te trenave eshte shume i veshtire. Shumica e njerezve (qe kane nevoje dhe deshire per te udhetuar) nuk jetojne ne qytete, dhe po ashtu, vendet e punes apo te zbavitjes jane larguar nga qytetet. Keshtuqe duhet te shkosh deri tek treni me makine, dhe, kur zbret nga treni, duhet te marresh nje makine tjeter.

    Kjo e transportit publik nuk është thjesht dëshirë imja, as mund të merret e shkëputur nga çështjet e tjera. Modeli i sotëm amerikan i “suburban sprawl” dhe i të ashtuquajturave qytete të ndërtuara rreth automobilit kërkon shumë naftë. Nafta jo vetëm që ndot, por edhe ia rrit vartësinë SHBA nga vende të tjera, shpesh duke e shtyrë të futet në aventura ushtarake si ato në Lindjen e Mesme dhe duke ia kushtëzuar politikën e jashtme për keq. Për më tepër, ka edhe një rrezik që rezervat e naftës të vijnë duke shterruar, gjë që do t’i detyrojë amerikanët të ngatërrohen ushtarakisht gjithnjë e më tepër anembanë globit. Prandaj modeli ekzistues nuk ka të ardhme. Transporti publik suburban (treni elektrik) është e vetmja zgjidhje që mund ta zbutë pak kolapsin, përndryshe këto hapësira suburbane me shtëpi tashmë të sekuestruara prej bankave nuk kanë të ardhme, do të përfundojnë të braktisura.

    Terrori i brendshem gjithnje ka qene dhe eshte mbuluar nga organet e ruajtjes se rendit. Por kur terrori pergatitet, financohet dhe vjen nga jashte, polici i New York-ut nuk ka shume ne dore.

    Terrorizmi ndërkombëtar përballohet me metoda të policisë ndërkombëtare. Për këtë ka konventa, ligje dhe marrëveshje. Administrata Bush i shkeli të gjitha, dhe pësoi fiasko pas fiaskoje. Përkundrazi, atje ku u zbatuan marrëveshjet, si në rastin e Libisë dhe deri diku të Koresë së Veriut, problemet u zgjidhën më mirë.

    Nuk e di se si mund t’i hysh bisedimeve me nje rrugac si Ahmadinejad dhe me teokracine qe e mban ne fuqi.

    Unë them se me këdo mund të bisedohet. Nuk shoh ndonjë ndryshim midis Ahmadinejad-it dhe Gheddafi-t; madje i pari nuk ka as shumë në dorë, pavarësisht nga krekosjet në TV.

    I dashuri më sugjeron të “ndërroj vend”. Edhe ai mbetet një opcion, por ende shpresoj se në vend që të ndërroj unë vend, mund të ndryshoj vendin ku jam, nëpërmjet votës.

  17. “Në fakt unë këtu e kisha fjalën për ushtri private si Blackwater, jo për ushtrinë amerikane normale. Nuk më ke lexuar mirë.”
    Xhaxha, une te lexova mire. Ti percaktove si te papranueshme dy entitete qe perputhem me talking points te te majtes amerikane: “SHBA të ndalojë me ligj përdorimin e mercenarëve dhe të ushtrive private.”

    Pergjigjen time po ta ilustroj me kete dialog:

    Milton Friedman and William Westmoreland had an argument about the nature of military service. General Westmoreland said he didn’t want “an army of mercenaries.”

    Mr. Friedman interrupted, “General, would you rather command an army of slaves?”

    Mr. Westmoreland replied, “I don’t like to hear our patriotic draftees referred to as slaves.”

    Mr. Friedman then retorted, “I don’t like to hear our patriotic volunteers referred to as mercenaries. If they are mercenaries, then I, sir, am a mercenary professor, and you, sir, are a mercenary general; we are served by mercenary physicians, we use a mercenary lawyer, and we get our meat from a mercenary butcher.”

    Lista jote ka shume elemente te tjere qe perputhen me talking points te te majtes. Mjafton te them qe nese plotesohen te gjitha deshirat e tua, Amerika nuk do te ishte me ajo qe na terhoqi te vijme ketu dhe qe akoma terheq gjithe boten. Amerika do te behej nje Suedi, nje Argjentine apo nje Spanje e stermadhe. Nuk do te ishte me nje alternative e eksperimenteve socialiste anembane botes…

  18. Censura, po ta përsërit – dhe do të vazhdoj ta përsërit derisa ta marrësh vesh – se kur flisja për “ushtri private dhe mercenare” nuk e kisha fjalën për ushtrinë e rregullt amerikane, por për ushtri private të tipit Blackwater.
    Jam i sigurt se problemin Blackwater nuk e ke dëgjuar për herë të parë prej meje.
    Natyrisht, edhe ushtarët e rregullt amerikanë, edhe mercenarët e Blackwater paguhen; edhe ushtarët e rregullt amerikanë, edhe mercenarët e Blackwater janë “vullnetarë”.
    Por ka një dallim të madh, themelor mes tyre – Blackwater është korporatë, dhe shërbimet e veta i ofron për qëllime fitimi; ndërsa ushtria amerikane jo.
    Për mua është e rrezikshme që një republikë demokratike të tolerojë, në gjirin e vet, kultivimin e ushtrive private për qëllime fitimi; sepse kjo nga njëra anë e largon shumë luftën prej qytetarit, dhe nga ana tjetër rrit rrezikun që mercenarët nesër të përdoren për gjithfarë qëllimesh të mbrapshta.

  19. Problemi i vetëm që shoh unë Xha xha është te lejimi i ekspancionizmit prej Amerikës të Ahmadinejad-ëve. Këtë të keqe të vetme ka politika sociale që do të realizojë Obama.
    Unë psh jam i majtë në bindje, nuk gjej të përbashkëta me politikën e McCain po e shikoj me dyshim vendosmërinë e Obamës për tju përgjigjur drejt sfidave jashtë Amerikës.
    Përballimi i një ideologjie mesjetare, është një punë që duhet bërë, duhet ndaluar, sepse është tejet e rrezikshme dhe rrit standartet nëpër gjithë botën nëse ndalohet.

    Lidhja mes ushtrisë amerikane dhe fanatizmit fetar, nuk është e rastit, madje as ajo e Iranit me teologjinë përkatëse. Do të duhet një dozë metafizike për t’i bërë të aftë pilotë apo këmbësorë të hipin në avionë apo të shkrehin këmbëzën. Më vjen një mendje një skenë tani nga Full Metal Jacket, ku rreshteri dënon ushtarin Joker se nuk i falej “shën Mërisë”. Më parë nuk e kuptoja pse-në e asaj skene…
    Në lidhje me të drejtën ndërkombëtare, nuk ka vullnet të përbashkët për të përballuar të keqen e madhe (nga Rusia dhe Kina) – në rast se ndjekim rrugën e Obamës do jetë rrugë e pasigurtë deri sa të mos eliminohen Ahmadinat.
    Nga ana tjetër, një sistem si ai amerikan refomohet veç me votën e lirë (këtë duam të besojmë, ose të paktën është e mundshme), po ai teokratik si mund të reformohet ndryshe?
    Kështu, le të ngrihet në ajër edhe njëherë piloti veteran e t’i ngelet arritja e fluturimit të fundit gur i varrit për sojin e vet.
    Përndryshe ka për tu riprodhuar përsëri…
    Me një fjalë… dyshimet e mia janë për çështje “timing”.

    Për çështje të imazhit, Amerika ka pasur probleme të tilla në vende të ndryshme të botës edhe kur kishte presidenta shumë më karizmatikë dhe demokratë si psh Kennedy në rastin e Kubës. Globalizmi i iformacionit, sjell gjithashtu dhe efektet negative, por edhe monopoli i të fortit është karburant që djeg më shumë se nafta.

  20. J., unë besoj se rruga më e mirë për të eliminuar ekstremistë si Ahmadinejad-i kalon nëpër Tel-Aviv. Amerika duhet t’i vërë fre përkrahjes që disa qarqe të këtushme i japin të djathtës izraelite dhe lëvizjes së “settlers”. Ekstremistët islamikë si presidenti i Iranit fitojnë vota dhe kapital politik me retorikën kundër Izraelit dhe politikave të Izraelit ndaj palestinezëve; deri edhe në Irakun amerikan partitë islamiste të zgjedhura me votën e lirë të qytetarëve vazhdojnë të bëjnë ligjin. Dihet se marrëveshjet për paqe atje sabotohen njëlloj si nga e djathta izraelite që nxit okupimin e tokave palestineze nga settlers, ashtu edhe nga fondamentalistët islamikë që kërkojnë zhdukjen e Izraelit nga faqja e dheut dhe frymëzojnë terrorin palestinez në Izrael. Edhe Saddam-i kalin anti-Izrael kishte shaluar. Unë i kam ndjekur me shumë simpati përpjekjet e Condi Rice për ta mbajtur disi të gjallë shpresën e paqes atje, sikurse jam revoltuar për sabotimet madje fyerjet e panumërta që i janë bërë sekretares amerikane të shtetit, deri edhe nga eksponentë të partisë së vet. Njëlloj jam revoltuar edhe me akuzat që i janë bërë këto ditë Obamës për kinse gjunjëzim ndaj propagandës “anti-semite”, vetëm e vetëm për shkak të miqësisë së tij me një profesor palestinez në universitetin e Columbia-s, i cili është i respektuar në profesionin e vet dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet anti-semit.

  21. Xha xha,

    Pasi i lexova ato qe pret te bej presidenti i ardheshem, ose me sakte Obames, te them te drejten pervec disa pikave si psh; mbyllja e burgjeve ne Guantanamo, kendveshtrimi ndaj luftes kunder terrorizmit, apo deri dikue dhe ceshtja palestineze, te tjrat me duken sikur do t’i kerkosh dikujt te presi degen e pemes mbi te cilen eshte ulur. Por ajo qe me terhoqi me shume vemendjen ishte kjo:

    SHBA të kufizojë në mënyrë drastike spekulimin ekonomik dhe sidomos financiar, dhe të vendosë rregulla të rrepta për kompanitë që duan të kuotohen në bursë. Veçanërisht kompanitë që merren me financë, sigurime dhe shërbime bankare nuk kanë punë të kuotohen në bursë.

    Kompanite qe listohen ne burse quhen ndryshe ‘kompani publike’ sepse u nenshtrohen rregullave dhe nje auditimi me te rrepte se sa kompanite e pa listuar, perndryshe “private”. Pra nga pikpamja se si funksionon legjislacioni deshira juaj nuk eshte shume mire e formuluar. Por edhe si koncept, institucionet bankare dhe financiare jame me afer konceptit te burses, sepse marrjen dhe venien ne perdorim te parave nga publiku e kane ne natyren e tyre.
    Arsyeja perse ndodhi kriza financiare nuk eshte Wall Street-i, por zbutja apo liberalizimi i rregullave se si funksiononin disa nga keto institucione bankare dhe financiare, pra lejimi i bashkimit te institucioneve bankare dhe atyre financiare duke u dhene mundesi “brokers” te kene akses te pakufizuar ne parate dhe depozitat e njerzve pa i dhene kujt llogari. Keto rregulla u hoqen ne administraten e Klintonit dhe kete edhe Greenspan e pranoi si te gabuar para pak ditesh.
    Nderkohe, megjithese nuk thuhet hapur, lufta kunder terrorizmit ka marre gjithe energjite qe do t’i duheshi FBI per te luftuar krimin ekonomik, duke e reduktuar ndjeshem investigimet ne sektorin financiar. Edhe ne keto momente qe flasim askush nuk e di se c’fare ka ndodhur saktesisht ne transaksionet e Lehman Brodhers, apo te Bear Sterns. Per kete boll te krahasohen menyra se si reagoi FBI ne krizen e 2001-it me Enronin dhe te tjera kompani qe falimentuan me krizen e sotme qe eshte shume here me e madhe ne te gjitha aspektet.
    Por e gjithe kjo nuk do te thote se fajin e ka bursa. Bursa ne fakt eshte i vetmi institucion qe i ka lejuar kapitalizmit (si koncept) te adaptohet me demokracine sepse teorikisht i ben te gjithe ata qe duan apo kane sadopak mundesi te jene pjesmarres ne zhvillimet ekonomike.
    Megjithate nuk e di qe Obama te kete ndonje plan specifik per te kufizuar rregullat ne burse. Sigurisht ne retorike te gjitha palet flasin kunder “greed on Wall Street”, sidomos Sara Palin, por nuk me duket se e ka ndonjeri seriozisht. Wall Street eshte nje mekanizem i bazuar ne “greed” dhe nuk funksionon dote ndryshe, cfare do qe te thote Palin. Puna eshte se si Klinton, si Bush (sidomos ky i fundit) kujtonin se ekonomia ishte top llastiku, dhe pasi e shuken per toke e kuptuan se ish prej qelqi sepse nuk u kthye mbrapsh…
    Megjithate Obama nuk ka ne axhende as gjysmat e atyre qe sygjeroni ju, dhe te vetmit qe ka per te zhgenjyer eshte ajo pjese e te majteve qe besojne ne endrra ne diell…

  22. Ujk, ndoshta nuk jam shprehur mirë, ndoshta vetë ideja është aguridhe, por nuk është imja origjinale, e kam lexuar diku dhe më ka pëlqyer aq sa ta bëj timen.
    Gjithsesi ja çfarë kam pasur në mendje: Merr një kompani si Lehman Brothers, e cila nga njëra anë administronte llogari brokerimi të shumë klientëve, të mëdhenj e të vegjël; dhe nga ana tjetër, ishte vetë e kuotuar në bursë. A nuk ka një kontradiktë këtu, një konflikt interesash, ose të paktën një arsye për të ngritur vetullën?
    Prandaj më duket e arsyeshme që ato institucione financiare të cilat luajnë aktivisht në bursë me aksionet e të tjerëve, të mos lejohen të përfaqësohen në bursë me aksionet e tyre. E kuptoj që ky farë konflikti mund të mbahet nën kontroll me mekanizma rregullues, por a nuk do të ishte humbje e madhe kohe dhe energjish?
    Thuhet që disa lloj kontratash sigurimi, të ashtuquajturat derivatives (në thelb baste shumë të sofistikuara), janë kaq komplekse, sa vetëm një grusht ekspertësh të lartë mund t’i kuptojnë mirë. Kjo nuk përbën ndonjë problem në vetvete, sepse ka edhe gjëra të tjera në këtë univers që s’kuptohen mirë, p.sh. vrimat e zeza, superfijet ose gogësima. Çështja është kur kompani që e kanë kapitalin e tyre krejtësisht të investuar në derivatives kuotohen në bursë, dhe aksionet e tyre shkojnë dhe i blejnë fonde pensionesh (ku unë dhe ndoshta edhe ti kemi investuar kursimet tona të programit 401K).
    Prandaj mua më pëlqen ideja që këto kompani të specializuara në kumar të lihen të lira të luajnë sa të duan, por jo me paratë e investuesve publikë (të miat dhe të tuat, të kanalizuara atje nëpërmjet fondeve të investimeve).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin