Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë

APOLOGJIA E BEJTEVE

 

 

Një koment i kolegut Cyprinodon Diabolis më bëri të mendoj se temës së vendit të bejtexhinjve në letërsinë shqipe duhet t’i rikthehemi. Në atë koment, CD i referohet, ndër të tjera, studiuesit Robert Elsie-t, i cili e trajton çështjen e bejtexhinjve me objektivitet, edhe pse e pranon se një pjesë e madhe e burimeve të asaj rryme letrare mbetet për t’u hulumtuar.

Veçanërisht, Elsie vëren se albanologjisë i mungojnë sot specialistët që mund të transkriptojnë shqipen e shkruar me alfabet arab dhe specialistët e letërsisë orientale, sikurse i mungon edhe vullneti ose motivimi për t’u marrë me letërsinë shqipe të shkruar me alfabet arab. Për pasojë, mijëra faqe letërsi shqipe, ose dhjetëra-mijëra vargje poezi lirike, epike, me temë fetare dhe laike, nga një periudhë relativisht e panjohur e kulturës shqipe, mbeten të panjohura ose në hije.

Të gjithë ata që i qasen kësaj çështjeje e kuptojnë, herët e vonë, se kjo rrymë relativisht e rëndësishme për historinë e letërsisë shqipe po lihet mënjanë dhe e pastudiuar për arsye kryesisht ideologjike. Në fakt, ka një prirje të fortë në kulturën e sotme shqiptare për ta shpërfillur letërsinë e bejtexhinjve, për ta trajtuar si trup të huaj në kulturën shqiptare të periudhës osmane ose si aksident historik, që nuk ka luajtur ndonjë rol në artikulimin dhe në zhvillimin e asaj kulture në shekuj. Kjo prirje lidhet drejtpërdrejt me prirjen paralele, në historiografi, e cila pesë shekujt sundimit osman mbi shqiptarët kërkon t’i trajtojë përsëri si aksident historik, ose si fatkeqësi të madhe për shqiptarët. Vitet e fundit rolin e zëdhënësit kryesor dhe autoritar të këtyre pikëpamjeve përballë publikut shqiptar e ka marrë përsipër vetë I. Kadareja , i cili e ka shprehur hapur përçmimin për traditën e letërsisë së bejtexhinjve dhe vendin e saj në historinë e letërsisë shqipe.

Qëndrimi i Kadaresë, dhe i krejt kulturës zyrtare në Shqipëri ndaj bejtexhinjve është i rrënjosur në ideologjinë e Rilindjes Kombëtare; por nëse Rilindësit kishin të drejtë të kërkonin ta shkëputnin shqiptarinë nga bota osmane, kultura shqiptare e sotme nuk ka pse t’u trembet më bejtexhinjve dhe etosit të tyre, dhe aq më pak ka të drejtë historia e letërsisë shqipe t’i shpërfillë këta autorë dhe veprat e tyre, ose t’i trajtojë si dukuri të rastit dhe të shkëputura nga trungu kulturor kombëtar. Në thelb, shpërfillja e prodhimit letrar të bejtexhinjve jo vetëm e varfëron kulturën shqiptare, duke e privuar nga një komponente që unë do ta quaja po aq themelore sa edhe letërsia katolike e Veriut, ose letërsia e arbëreshëve të Italisë; por edhe ua vështirëson punën të gjithë atyre që rreken të qëmtojnë rrënjët e një shkrimtari si Naim Frashëri, praktikisht shpirti poetik i vetë Rilindjes kombëtare.

Letërsia shqipe me alfabet arab lindi dhe u lëvrua si pjesë e kulturës së Perandorisë Osmane, ku bënin pjesë edhe shqiptarët si popull. Perandoria Osmane përfshinte nën ombrellën e vet një mori kombesh dhe etnish, që flisnin gjuhë të ndryshme dhe u faleshin Perëndive të ndryshme; vetë osmanishtja, si gjuhë zyrtare e Perandorisë, ishte një turqishte e pasuruar me mijëra e mijëra fjalë të arabishtes, e cila i kishte ofruar kulturës osmane origjinale jo vetëm alfabetin, por edhe një model kulturor sipëror, të mbështetur në Kuranin dhe në kulturën arabe. Një tjetër prurje me rëndësi për kulturën perandorake osmane vinte nga Persia, dhe veçanërisht nga letërsia perse, e pasur në modele të një arti elitar dhe të rafinuar, të përpunuar prej kohësh dhe të denjë për t’u imituar anembanë perandorisë.

Bejtexhinjtë shqiptarë ishin të varur pezull midis dy botëve – gjuhës shqipe, që e kishin gjuhë amtare, dhe kulturës osmane, me fillesat e saj arabe dhe persiane. Krijimtaria e bejtexhinjve e shpreh qartë këtë pezulli, ose dyzim; sepse vjershat e tyre ndjekin besnikërisht modelet orientale të organizimit të vargut, të strofës dhe të rimës; edhe pse gjuha e përdorur është në thelb shqipe, e pasuruar me një numër të madh orientalizmash – ose fjalësh kryesisht arabe dhe persiane. Për shkak të kësaj morie orientalizmash, lexuesi shqiptar i sotëm nuk i kupton dot vjershat e bejtexhinjve. Ja një shembull nga Divani i Nezimit:

Ky lisan qe bërë harab

Në gussa me shumë hixhab

Shahid mjaft është ky kitab

Handan e bëri Nezimi.

Siç duket edhe nga shembulli, gjuha poetike e bejtexhinjve përftohej si një hibrid i formave gramatikore shqipe me leksikun oriental; ku orientalizmat bartnin peshën kryesore kuptimore, ndërsa shqipja ofronte një farë orkestrimi të lehtë, nëpërmjet parafjalëve, këpujave dhe ndajfoljeve të thjeshta. Mund të pyetet nëse këto fjalë orientale përdoreshin vërtet nga shqipja e kohës, apo ishin sjellë aty për qëllime stilistike ose artistike nga poetët. Askush nuk mund t’i përgjigjet prerë kësaj pyetjeje; ka mundësi që shtresa sociale relativisht e lartë, së cilës i përkisnin bejtexhinjtë, të përdorte shumë fjalë orientale, në hapësirën e një bilinguizmi pak a shumë të detyruar; por ka edhe të dhëna gjuhësore që mbështetin hipotezën e huazimit stilistik.

Gjithsesi, një nga më të njohurit poetë bejtexhinj, Nezimi, ishte krejt i vetëdijshëm për natyrën e të shkruarit bejte në shqipe:

Divan kush pat folturë shqip?

Ajan e bëri Nezimi,

Bejan kush pat folturë shqip?

Insan e bëri Nezimi.

[Kush e bëri divanin të flasë shqip? Nezimi e bëri të njohur. Kush e bëri elegancën të flasë shqip? Nezimi ia dha fisnikërinë. Shembujt dhe “përkthimin” i kam marrë nga Albanian Literature, e Robert Elsie-t.]

Mjafton kjo strofë për ta vënë në dyshim akuzën që u është drejtuar shpesh bejtexhinjve, sipas së cilës këta autorë në thelb i shërbenin shkombëtarizimit të shqiptarëve. Përkundrazi, Nezimin e gjejmë po aq krenar se po e shkruan shqipen për herë të parë sa edhe Buzuku dy shekuj më parë; edhe pse Nezimi e sheh shqipen dhe kulturën shqiptare si pjesë të kulturës osmane, e cila ishte kulturë shumëkombëshe, dhe të vizionit osman, i cili ishte vizioni i Islamit.

Nuk duhet harruar edhe se, në shekujt XVI-XIX, së paku deri në fillimet e Rilindjes, virtyti i pastërtisë gjuhësore, etnike, kulturore dhe racore nuk ekzistonte fare në kulturën shqiptare; ishte Rilindja ajo që do ta vinte në qendër të programit të vet ideologjik dhe të fushatës, jashtëzakonisht të suksesshme, për ta pastruar shqipen nga fjalët orientale. Përkundrazi, duket se poetët bejtexhinj, të cilët ndiqnin modele të poezisë arabe dhe persiane, i trajtonin orientalizmat si elementin kryesor, në mos të vetëm, të leksikut poetik.

Pse duhen studiuar bejtexhinjtë? Pyetja mund të tingëllojë artificiale, por nuk është e tillë, sidomos në atmosferën kulturore të këtyre viteve, kur është e modës të mohohet ose të minimizohet komponenti oriental-osman në ngjizjen e identitetit shqiptar. Gjithsesi, arsyet për t’i studiuar këta poetë janë të shumta – ata jo vetëm shkruan shqip, por edhe ishin praktikisht të parët që vepruan ashtu jashtë e përtej caqeve të komunikimit thjesht fetar, duke cekur madje tema laike, erotike dhe satirike; jo vetëm shkruan letërsi shqipe, por edhe shërbyen si pararendës të Naim Frashërit, që është një nga poetët kryesorë të Rilindjes e që, nga pikëpamja e formës së vargut dhe ndjeshmërisë gjuhësore, mund të përkufizohet si bejtexhi në negativ; më në fund, bejtexhinjtë shkruan letërsi shqipe në një kohë kur të tjerat rryma kulturore ndër shqiptarët, si katolikët dhe të krishterët ortodoksë, kishin rënë në heshtje dhe nuk po prodhonin vlera kulturore – po të përjashtojmë arbëreshët e Italisë, që nuk e kishin ndërprerë veprimtarinë letrare, por që mbeteshin të panjohur për shqiptarët e Ballkanit dhe nuk komunikonin kulturorisht me ta.

Kjo pikë e fundit meriton vëmendje të posaçme. Ka ideologë, sot e kësaj dite, që pesë shekujt e sundimit osman mbi shqiptarët duan t’i përfytyrojnë si pesë shekuj luftrash, kryengritjesh, shkretimesh, konvertimesh, shfarosjesh, përdhunimesh, shkatërrimesh dhe plaçkitjesh. “Shqipëri e sertë,/Bar e borë e dert,/Treqind kryengritje/Në katërqind vjet” shkruante Kadareja, në 1974. Këtë vizion njëkohësisht të skajshëm dhe depresiv, e ka bërë tani të vetin një rrymë ideologjike e cila, praktikisht, kërkon t’i jetërsojë shqiptarët nëpërmjet gjymtimit kulturor, ose duke ua mohuar një periudhë të gjatë të historisë.

Në të vërtetë, ka shumë arsye të besohet se, gjatë shekujve të sundimit osman, pati periudha krize dhe shkatërrimesh, sikurse pati edhe periudha lulëzimi material dhe kulturor. Çka është me rëndësi, pikërisht gjatë asaj periudhe erdhi e u përftua një shtresë shqiptarësh të pasur e të ngeshëm, të cilët kishin kohë dhe mjete në dispozicion për t’iu përkushtuar kohës së lirë, dëfrimit, filozofisë, kultivimit të shijes dhe të arteve, udhëtimeve anembanë Perandorisë dhe formave të tjera të rafinuara të eksperiencës. Brenda asaj shtrese shqiptarësh etnikë, të shkolluar në arabishte e në persishte dhe të shëtitur, herët a vonë do të lindte edhe nevoja për poezinë shqipe si nevojë shpirtërore; meqë kultura orientale tashmë i kishte dhe i promovonte gjerësisht modelet poetike arabe dhe sidomos persiane.

Poezia e bejtexhinjve duhet kuptuar kështu si produkti kryesor kulturor i Shqipërisë osmane; produkt që sot na duket i huaj dhe i papranueshëm vetëm ngaqë kultura e sotme shqiptare ende ushqehet nga prurjet ideologjike të Rilindjes Kombëtare.

Ndër historianët shqiptarë, ka shumë nga ata që, sado pavetëdijshëm, besojnë se e shkuara ka rëndësi dhe domethënie vetëm në atë masë që mund të përdoret për të shpjeguar të sotmen; p.sh. në qoftë se Shqipëria e 1912-ës u përftua si rezultat i shkëputjes nga Perandoria Osmane, atëherë historia e shqiptarëve para asaj date duhet rindërtuar si histori e përpjekjeve për t’iu kundërvënë asaj Perandorie. Në të njëjtën mënyrë, historianët marksistë e rishkruan historinë e Shqipërisë në mënyrë të tillë, që të dukej sikur regjimi komunist ishte kurorëzimi objektiv i gjithçkaje që kishte ndodhur në të shkuarën, duke filluar që nga pellazgët. Nga një pozicionim i tillë mitik, kuptohet se dukuri si letërsia e bejtexhinjve shqiptarë nuk shpjegohet as integrohet dot në “spiralen e zhvillimit”, prandaj nëse nuk mund të mohohet krejt ose të fshihet nga faqja e historisë, atëherë mbetet që të ketë qenë një gabim ose një rastësi, një aksident i parëndësishëm në rrugën e mundimshme drejt së sotmes.

Unë besoj se ky pozicionim është radikal dhe nuk e përligj vetveten. Ka ardhur koha që veprave të bejtexhinjve t’u kushtohet kujdes nga institucionet, duke përgatitur botime kritike të atyre dorëshkrimeve që kanë mbijetuar, për t’ua vënë në dispozicion të gjithë atyre që duan të njihen me këtë aspekt të kulturës shqiptare në shekuj. Askush nuk pretendon që njerëzit t’i lexojnë Nezimin, Sulejman Naibin dhe Sheh Maliqin siç lexojnë Fishtën, Naimin ose De Radën; sepse tradita e bejtexhinjve vetëm tërthorazi iu përcoll kulturës së mëpasme dhe kultura moderne shqiptare vërtet u përftua në kundërvënie me kulturën osmane të perandorisë turke; por historia e letërsisë dhe e kulturës sonë nuk ia lejon dot vetes që të varfërohet qëllimisht, as të shtrembërohet e të përçudnohet sipas orekseve dhe vizioneve të ideologëve.

 

7 Komente

  1. Dicka me ndalon entuziazmin e mbeshtetjes se bejtes ashtu si e ben Xha Xhai presantimin dhe, mendoj se eshte skepticizmi; kur ne te njejten koh thurej bejtja Servantesi edhe sot duket variant letrar i konsoliduar, pra nuk eshte as ne nivelin e te krahasuarit si te piktures kishtare- 280-te vjet pas renjes se bizantit me renesancen ne 1500-en

    Sigurisht perspektiva e te vleresuarit ne kontekstin historik eshte bindes, por kur behet fjale per vlere letrare duhet te shihet ne raport ne rrafshin e saj, pra ti rezistoj edhe vlerave-potencialit te shkruar te te gjitha llojeve se kohes se vet, sepse edhe sot ka artizan gjithandej te fjales e te gjithe arteve apo shkencave, pamvaresisht se eshte koha e lulezimit te cdo gjeje, ka nje shkallezim vlerash mes llojeve.
    Thjesh, pyetja ime eshte; Kush ka qene ekuivalenti i llojeve te tjera te te shkruarit ne periudhen e bejteve per te cilat zgjedh te flitet ketu?

    p.s. Vlersoj ndjeshmerin e subjektit dhe njohjen, prandaj shpresoj ne pa anshmeri per gjykim te vlerave letrare, se per ate historik jam me sa thua Xha.

  2. Nga libri “Letërsia shqiptare e vjetër” (SHKODRA, 1999) për shkollat e mesme hartuar prej Dr. Sabri Hamiti po shkëpus pak nga sa shkruhet për bejtexhinjtë dhe çfarë ju ofrohet nxënësve:

    … vjershëtarët janë nismëtarët e letërsisë shqiptare si shkrim për veten.

    Nezimi (Berati) ishte bërë aq popullor, saqë pashallarët u shqetësuan dhe ia paraqitën sulltanit si njeri me ide të dyshimta politike. U internua në Stamboll, më vonë u fut në burg, ku dhe vdiq…
    Vjershat e tij i botoi i pari Hani që duke e krahasuar poetin me grekët e vjetër, thoshte se Nezimi është një “Anakreont i Shqipërisë”.

    Hasan Zyko Kamberi, jo vetëm në grupin e vjershëtorëve, por edhe në letërsinë shqiptare, është shkrimtari i parë i modelit të krijuesit kritik.
    Vjersha Gjerdeku i vashës, të cilën Faik Konica e quante një vepër të dalluar të letërsisë së vjetër shqiptare, tregon bashkimin e Djalit me Çupën,…
    Hasan Zyko Kamberi është satiriku i parë i letërsisë shqiptare.

    Muhamet Kyçyku është shkrimtari i parë çam që njihet deri më sot.
    Nga krijimet e tij kanë mbetur dy poema: Erveheja, që u shkrua në vitet 1818-1820 dhe u botua në Bukuresht më 1888 nga Jani Vreto,…, dhe Jusufi e Zelihaja…

    Nga një pjesë prej të sipërpëmendurve:

    Gjithë jeta dëgjuan

    Gjithë jeta dëgjuan,
    nat e ditë po hek ezjet;
    hallet më mbuluan,
    mjeri unë rashë në det.

    Oji sytë e mi dogjoni!
    qani, kurrë mos pushoni!
    luletë mos i shikoni,
    ta dini se ju bëra jasak.

    Gjithë hallku janë në shen,
    thonë “Behari na shkëlqen.”
    Mua hiçgjë nukë më vjen,
    posi në kish (dimër) edhe në behar.

    Njëmend erdh edhe behari:
    mjeri unë halleshumi,
    s’u dashë kësi së qari,
    dertet e mia si kumi.

    Ah, zemra ime, dëgjo,
    Këto punë as e mendo,
    Po kurrë mos qaj, po këndo,
    Zotynë desh të gëzojë.

    Një zog ne sabah më thirri
    Na vjen behari o Nezim.
    Kështu qënkërka takdiri (fati)
    Qaje, të qajmë me ngashërim.

    Ti qysh të mos gëzojsh?
    Ti qysh të mos këndojsh?
    Kail je të fluturosh…

    A nuk është “Fillo me gëzue.” e Ndre Mjedës vargu i fundit i kësaj bejteje, dhe a nuk është “Vaji i bylbylit” sa vazhdim aq dhe përgjigjia më e mirë që mund të imagjinohet?

    Bahti im

    Zu Hasani e zihetë,
    Me baht të ti po prihetë;
    Vallë ku rri e fshihetë,
    Që s’punon more bahti im?

    Un’ i mjeri kam bërë aht
    Të të pyes ty, more baht;
    Sos u bëre vezir me taht
    Që s’punon, more bahti im?

    Ndë je turk e ndë je me mënt,
    As më rrëfe yzrinë (pengesën) tënt,
    As mos je haps në ndonjë vënt,
    Që s’punon, more bahti im?

    Vallë, unë ka taksirat,
    Apo vallë ti bëke inat?
    As më rrëfe, mos je sakat,
    Që s’punon, more bahti im?

    Kur zënë bota, punojnë,
    Tyrli punëra ndërtojnë,
    Ty vallë ku të dërgojnë,
    Që s’punon, more bahti im?

    Ti je një bahti im murdar,
    Ti s’di t’apç e të bënjç Pazar,
    Ty të kanë posi zagar,
    Që s’punon, more bahti im?

    Ti je gjemb e ti je hithë!
    Shokëtë punojnë të gjithë.
    Po bënjënë kasht’ e drithë,
    Që s’punon, more bahti im?

    Shokët punojnë me pluk,
    Gjetnë mëndafsh e pamuk,
    Të pështille, krruse si shuk,
    Që s’punon, more bahti im?

    Shokëtë blenë iltizamë (pronësi),
    Marinë arsa e ilamë,
    Ti po thua qysh të hamë,
    Që s’punon, more bahti im?

    Shokëtë marrinë pronja,
    E të rrinje e vështronje,
    S’të ngriheshe, po përtonje,
    Që s’punon, more bahti im?

    More bahti im i ndyrë,
    I fëlliqur e i pështyrë,
    Të dije se ku ke hyrë,
    Që s’punon, more bahti im?

    Vështo baht, të mos përtojmë,
    Sa të mujmë të punojmë,
    Se djemtë do t’i martojmë!
    Që s’punon, more bahti im!

    A nuk ju kujton kjo Kandidin e Volterit?

    Gurbetlitë

    Ç’ke o zemër që bën figan (vajton)
    Që s’bën karar natë e ditë;
    Po kullon gjak e katran,
    Qan, që t’u këputnë sitë.

    Allah, bën merhamet (mëshirë)
    Për gurbethtë ngahado janë,
    Janë në të madh siklet,
    Qe s’shohënë akrabanë.

    Bëjnë shumë merak
    I djeg zjarr i dashurisë,
    S’u gjendet zemëra në barkm,
    U bëhet e zezë pisë.

    Të mëdha halle që kanë,
    Që nuk’ i thotë kandari,
    Dhe të vdesnë në dhe s’janë,
    Kurmet s’jau tret as varri…

    Pyetjen e tretë? …bëjeni vetë.

  3. Të gjithë ata që i qasen kësaj çështjeje e kuptojnë, herët e vonë, se kjo rrymë relativisht e rëndësishme për historinë e letërsisë shqipe po lihet mënjanë dhe e pastudiuar për arsye kryesisht ideologjike.

    Eshte vertet turp i madh. Ashtu sic duam te shuajm 50 vjet te PPSH, ashtu duam te shuajm 500 vjet te Padishahut a thua se ne shek e 21 ne qenkeshim bash si ne shek 14.

  4. Ndalimi ideologjik, me gjase nuk e perligj pranine e mekur gati te paverejtshme te letersise se bejtexhinjve, ne teresine e letersise shqiptare. Ka dicka qe ngec ne kete letersi, qe nuk funksionon, qe vdiret vetvetishem ne konstantat e pranise letrare. Ka nje mosprani dhe mosreceptim paraideologjik, qe fshihet diku ne “partiturat” orienatle te kesaj poezie. Mbase mund te jete nje kontekst i thelle i transformimeve kombetare, i nje ligjerimi poetik qe imponohej me parashenjen kombetare, sidomos ne rrafshin gjuhesor, qe kjo rryme letrare nuk arriti ta imponoj ne substancen e “kerleshur” kombetare, pavaresisht nga vakumet letrare kur u prodhua kjo letersi.

  5. CD, flm per prurjen. Mund te them se njohja dhe deshira juaj bejne kombinim per postime dialoguese e informuese.
    Bejtet qe lexoj pasurojne kureshtjen time per temen dhe, jam ne pritje per edhe me, pa shuar dot skepticizmin e mendimit qe me shoqeron se s’mund te ish vetem bejtja si zhaner letrar ne kohen e tyre, perkundrazi vetem bejtja u propagandua shume (sot padrejtesisht len ne harrese), them, por te tjerat zhanre te levruara kush ishin, ose mund te jene?

    p.s. Magjia e nje dimensioni kohor (historik) ne ngjarje treguar nga Kuteli e shoh te sjellin edhe bejtet qe lexoj ne prurjet e me siperme, si rrjedhoj, pa dyshim duhet te ndihet prania e Bejtes ne teorine e letersise se sotme.

  6. Aty tek Peshkupauje.com ishte para ca ditesh nje artikull i A. Klosit, perkthyesit qe perkthen me te vertet nga Gjermanishtja, dhe jo si disa qe edhe ne librat e Emanuel Kant si psh. tek “Kritika e arsyes se mirefillte/paster” shkruajne : Perkthyer nga origjinali: “The Critique of Pure Reason”, (ne gjermanisht “Kritik der reinen Vernunft”, por perkthyesi e ka perkthyer ose nga italishtja ose nga anglishtja). Artikulli i Klosit bente fjale per censuren, porse permbante ne trajtimin e tij te temes edhe nje kritike per traditen islame, kritike qe mesa duket eshte bere nje element i rendesishem, pothuajse pathologjik, i kritikes ndaj historise sone. Ne cdo shkrim qe trajton tematike historike i fusin nga nje fjali ose paragrafe ne te cilen kritikohet ajo kohe, e kane kthyer pothuajse ne nje “ritual te peshtymes se vrerit”.

    Ne teorite e civilizimit, dmth. ne Narracionin e madh te progresionit te qyteterimit tone njerzor, psh. tek ato “progresiste” te N. Elias ose “pesimiste” te M. Foucault mund te lexohen trajtime te tilla mbi “distancen” qe krijon shoqeria ndaj akteve te dhunes (Elias), dhimbjes (utilitaristet si Bentham dhe J.S. Mill), ose ndaj “denimit me vdekje” dhe kontrollit te jetes se gjalle(biopolitik, Panopticon, Foucault). Psh. deri dje ekzekutimet kryeshin ne shesh; dhuna ishte e pranishme ne cdo qoshe te shoqerise perderisa shteti fitoi monopolin e dhunes; mizoria ishte rend i dites (Hobbes, “homo homini lupus”) etj. Sot kemi krijuar nje distance nga aktet e dhunes, dhe flet per nje zhvillim progresist (linear) te qyteterimit, pra nuk shohim me ekzekutime ne publik, dhuna nuk eshte ne rend te dites dhe shoqeria ka zhvilluar sisteme te tjera kontrolli qe kalojne pertej ushtrimit mizor te dhunes (vete-monitorimi, shteti si monopol i dhunes, ideologjite etj.) Une flas per distance, se behet fjale per nje zhvillim linear (A ne B), prandaj edhe progresist. Me tej shprehet kjo perspektive progresiste ne distancen qe ne kemi krijuar me format “vulgare” ose banale te aktiviteteve njerzore (sic eshte kryerja e nevojave personale ne banjo te zbukuruara, breket e dekoruar me lule dhe qe mbartin emra modelistesh, ushqimi neper restorante me guzhunier me emer etj.). U kemi dhene ketyre aktiviteteve krejtesisht banale njerzore nje “aure” estetike, sic benin dikur Romantiket ne kohen e Iluminizmit europian (Aufklaerung), te cilet fshihnin aspektet me te shemtuara te jetes se njerzimit, i ktheheshin me nostalgji te kaluares, dhe nxirrnin ne pah bukurite estetike te njeriut, te natyres; ne pamundesi te perballonin zhurmen e industrise dhe trenave, zhdukeshin ne realitete te krijuara nga fantazite e tyre, ne idile pyjesh e lendinash dhe dashurite e tyre platonike. Pra me ane te kesaj estetike ne distancohemi nga banalja, nga aktiviteti banal/ i shemtuar. Kjo persa i perket trajtimit teorik te asaj qe dua te them.

    Duke u nisur nga ky Tregimi i Madh i Qyteterimit mund te kuptojme pse disa nxjerrin vrere ndaj asaj periudhe ku tradita islame nderthuret me ate shqiptare. Sepse sa me shume ti largohem kesaj periudhe, aq me afer, mendon dikush afromendsh, i qasemi qyteterimit europian. Por sa e drejte eshte kjo strategji, dhe a mund te jete e sukseshme?

    I. Kadare e cileson veten si nje ndjekes te Dantes. Jo me kot. Se sic shprehet edhe Kadare ne nje trajtim te tij, Dante ishte nga te paret qe shkruajti ne gjuhen e vulgus, dhe nga nismetaret e levizjes se reformatoreve. Meshari, nje produkt i kesaj levizjeje, ka vleren e tij historike, por ka edhe vlere politike: ate te integrimit te gjuhes shqipe ne qyteterimin krishtar europian, pra te integrimit te nje mentaliteti deri dje te huaj per kishen, ne doktrinen e kishes. Pra Meshari provon se kemi nje DIALOG midis dy kulturave, asaj te ulet, popullore (vulgus) dhe kultures se larte, asaj Kishtare, pra nje komunikim. Kjo duhet pare pozitive, si per kishen, pasi transmenton keshtu doktrinen e saj (indoktrinon), por edhe per kulturen popullore, pasi bie ne kontakt me kulturen e larte (te shkruar), ate shkencore dhe te qyteteruar te kishes katolike; shkurt, kemi te bejme me nje progresion. A mund ta trajtojme edhe kulturen e bejtexhinjve nga e njejta perspektive?

    Bejtet e shqiptareve per mendimin tim e kane fillesen ne mevluded qe organizoheshin (akoma) neper shtepite e besimtareve muslimane. Mevludi, kendimi i vjershave dhe adhurimit te Pejgamberit islam, Muhamedit, eshte ne vetvete nje organizim qe luan rrolin e transmetuesit te tradites fetare dhe te indoktrinimit, por edhe te dialogut te fese (kultures se larte) me ate popullore, vendase. Pra Mevludi, ose kendimi i bejteve, ishte fillimisht me natyre fetare, sepse ky eshte edhe qellimi i tyre esencial: adhurimi i All’llahut dhe lavderimi i profetit, nderkohe eshte edhe ajo ura komunikuese midis dy kulturave, asaj popullore muslimane (qe tashme eshte shkeputur nga kristianizmi) me ate islame te shkruar dhe institucionalizuar.

    Pse? Sepse mevludi/poezia fetare nuk eshte pjese organike e doktrines islame, ky rit eshte nje risi ne doktrinen islame, e cila gjate gjithe tradites se saj kerkoi te “distancohej” nga POEZIA. Vete Kur’ani na kujton disa here se profeti Muhamed nuk eshte POET, porse PROFET, dhe kjo kumtese i lidhet asaj tradite te filozofise greke (Aristoteli) dhe latine (G. Vico) qe i trajtonte Poetet si Profete, pasi perdornin metaforen dhe alegorine ne trajtimet e tyre filozofike. Jo me kot disa here poetet quheshin edhe te magjepsur, te demonizuar. Madje ka pasur periudha ne historine e Kalifatit islam kur poetet jane perndjekur, vrare e internuar. Kaq duhet te mbajme mend: doktrina fetare islame gjate gjithe historise se saj ka kerkuar te emancipohet nga njesimi i PROFETIT me POETIN, nga kritikat qe disa i benin profetit se ai ishte vetem se nje Poet dhe jo Profet. Madje ky plot i DIFERENCIMIT midis POETIT dhe PROFETIT eshte nga me te rendesishmit ne Kur’an.

    Nga ato odat, ne te cilat realizohet ky komunikim midis dy kulturave, del nje produkt krejt tjeter, nje ritual krejt i ndryshem nga ai fetar islam, sic edhe shihet ne bejtet e Zylo Kamberit. Ne kete moment kemi te bejme me nje progresion, dhe me nje ritualizim te ketij dialogu midis dy kulturave. Kjo periudhe vertet vulos perfundimisht gjurmen qe tradita islame do te linte ne traditen kulturore shqiptare, por gjithsesi eshte nje produkt i trupezuar ne kete kulture, nje element organik, dhe jo artificial. Te kerkosh te distancohesh nga ky element organik, eshte njesoj sikur te kerkosh ti distancohesh historise tende, trupit, pasi ky tashme eshte rritur bashke historine.

    Shkurt, tradita e bejtexhinjve ilustron nje periudhe te rendesishme te zhvillimit dhe kultivimit te kultures shqiptare.

  7. Elsie si historian ka bere pune te mire edhe pse shumica ketu se pranojne versionin e tij te historise antike, por ceshtjet qe lidhin shqiperine me islamin nuk jane edhe aq ceshtje historike
    sesa identiteti.

    Qe feja islame sjell arabizim te kultures ku imponohet/pranohet kjo nuk eshte ndonje gje e re.
    Ortodoksia sjell bizantinizim e katolicizmi latinizim kulturor.

    Ceshtja e bejteve nuk eshte edhe aq nje ceshtje letersie shqiptare e historiku letersie sesa nje deshmi e arabizimit kulturor te shqiptareve myslymane,kryesisht elites islamike.

    Artistikisht bejtet jane mall i dobet e kjo vjen nder te tjera edhe nga turqizmat te cilat ngaqe te pakuptueshme kepusin rrjedhen e ndjenjes apo mendimit.
    Kjo ndodh edhe me tosket qe lexojne Lahuten e Malcis,pasi ngaqe nuk kuptojne , nuk arrijne ta shijojne kryevepren.

    Te kuptosh bejten duhet te dish turqisht, perndryshe do frysh syte mbi strofat.
    Nese e pastron bejten nga turqizmat i shperfytyron formen e i demton thelbin.

    Praktikisht bejtet jane te padobishme per formimin kombetar te individit,pra per ta mbrujtur njeriun me kulture kombetare.

    Pastrimi i Rilindasve nuk ishte nje proces i gabuar apo thjesht i domosdoshem per castet historike por nje ndergjegjesim qe identiteti i shqiptareve myslymane ishte/eshte i ndryshem nga ai turko-islamik dhe i njejte me identitetin e shqiptareve kristiane(ortodokse e katolike).

    Ne kete kendveshtrim bejtet jane trashegimi e bezdishme pasi sherbejne per tu kujtuar shqiptareve myslymane se ishin ne rrugen per tu bere turq, ne rrugen e Haxhi Qamilit me shoke.

    Nga ana tjeter nje shqiptar kristian as qe do tja dije ne bote per bejtet e as ka per te pranuar se pa to kultura shqiptare qe ai mbart do ishte e cenuar ne ndonjefare menyre.

    Naimi mund te jete formuar nga bejtexhijte vecse Naimi i ka refuzuar bejtet, stilin dhe problematikat, per ti dhene jete dickaje te ndryshme/te kundert nga bejtet.

    Te quash kultivim te kultures shqiptare periudhen e bejtexhijve do te thote te mos kuptosh negativitetin thelbesor te bejteve, qe eshte periudha e transformimit te shqiptarit myslyman ne turk. Nga shqiptar kristian(pergjithesisht me thelb pagan) ne shqiptar myslyman e prej ketij ne turk.

    Shume mite e kujtesa historike te mocme jane zhdukur gjate transformimit te arberit kristian ne shqiptar myslyman
    e bejtet bejne pjese ne procesin tjeter , zhdukjen e plote kulturore pagano-kristiane e transformimin e shqiptarit ne turk.

    Kjo ka funksionuar e biles vete Saimi ishte me shume turk sesa shqiptar,sepse fetarisht e kulturalisht ishte turk.

    Refuzimi i ketij procesi i nxitur prej Rilindasve kristiane dhe atyre patriote bektashij beri te mundur qe pergjithesisht suniteve tu vihej kufiri tek thana e keshtu te ndalohej procesi i turqizimit e kthimi i Saim Frasherve te ardhshem ne origjinen e tyre shqiptare.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin