Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

TRAKTORË DHE BENZA

Një frazë e Kiço Blushit dhe një koment i Cyprinodon Diabolis u bënë shkas që ta përpunoja më tej mendimin tim, meqë më duket se lufta e heshtur midis traktorëve dhe Benzave është duke e shkatërruar fshatin shqiptar, lidhjen e shqiptarit me tokën dhe vetë konceptin e Shqipërisë si hapësirë gjeografike, që duhet mirëmbajtur dhe riprodhuar nëpërmjet punës.

Vizitorë, gazetarë dhe turistë të huaj gjithnjë janë habitur, së paku, me morinë e Benzave që shohin në rrugët tona, në kontrast grotesk me nivelin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare dhe në veçanti të transportit rrugor të atjeshëm. Benzi është shndërruar, gradualisht, në një simbol grotesk të gjithçkaje të shëmtuar që ka prodhuar i ashtuquajturi tranzicion, sëmundje që, për nga efektet plastike, i ngjan së tepërmi leprës.

Por para se të shërbejë si simbol i trashamanisë prej nouveaux riches të këtyre Sturmtruppen të merkantilizmit shqiptar, Benzi vlen si simbol i statusit të tyre të privilegjiuar, brenda komuniteteve të rrëgjuara nga emigrimet dhe zhvendosjet, televizioni dhe kulti i pasurimit të befasishëm. Dy gjëra nuk duhen harruar në lidhje me këtë markë që mbetet prestigjioze në Europë dhe gjetiu në botë: që në Shqipëri edhe për ca kohë do t’u referohet super-elitave komuniste të Byrosë Politike, dhe që sot ka përfunduar në përdorim të këtyre bottom feeders të shoqërisë, teksa elitat e vetëdijshme dhe të rafinuara të “bllokut” kanë adoptuar tashmë marka të tjera, më të kohës.

Kjo e shpjegon edhe pabarazinë midis dy anëve të përqasjes – traktorit, të përmendur në mënyrë të përgjithshme, ose pa ia specifikuar markën, i kundërvihet një markë që, me shkëlqimin e saj të vetvetishëm, pothuajse e mbulon, madje e maskon, funksionin utilitar të mjetit përkatës.

Paradoksalisht, në sytë e vëzhguesit të paanshëm, Benzi në të cilin kapardiset shqiptari post-totalitar nuk është shenjë e statusit, por e gjakimit dëshpërimtar për status.

Një automjet i tillë, për nga specifikat teknike dhe kultura që e ndjek pas, nuk e ka vendin i parkuar përbri një shtëpie fshatare, meqë në një botë normale fshatarit i duhet kamionçina, jo Benzi. Mirëpo, si simbol ky i fundit e kryen funksionin e vet edhe kur është i parkuar; meqë funksioni i këtij mjeti tanimë është t’u bëjë përshtypje të tjerëve, atyre që shohin; e t’u kumtojë atyre që i zoti e fton publikun ta shohë kur është duke konsumuar haptazi.

I parkuar përbri shtëpisë, ose edhe kasolles që përmend Blushi, Benzi nuk është më mjet si traktori, për t’u shndërruar në zotërim. Dhe në kontekstin social të fshatit, nuk mund të flasësh dot për zotërime pa e sjellë bisedën tek toka dhe pronësia mbi të.

Traktori, sikurse plugu, kau, shati, kanali ujitës dhe opinga, nuk janë veçse mjete që e afrojnë fshatarin me tokën, duke e lejuar që, nëpërmjet punës, të kryejë magjinë e të prodhuarit të ushqimit. Kjo marrëdhënie me tokën, në vetëdijen kolektive të përpunuar ideologjikisht, themelon deri edhe përkatësinë kombëtare, ose atdhedashurinë – cili poet nuk i këndoi vallë baltës më të ëmbël se mjalta?

Nga pikëpamja ekonomike, megjithatë, atdhedashuria mund të përshkruhet edhe si raport pronësie me tokën; dhe kur flasim për pronësi në Shqipëri, punët sikur vijnë dhe ngatërrohen pak. Pronësia mund të jetë edhe një dokument i firmosur dhe i noterizuar, mbyllur në një sepet të Turqisë ose në një kasafortë të sigurt; por është para së gjithash një marrëdhënie e drejtpërdrejtë e cila e shndërron tokën në burim të mirash materiale – të tilla si Benzat, traktorët dhe biletat e avionëve.

Këtë lloj raporti intim të fshatarit me tokën “që e punon” e shkatërroi regjimi i mëparshëm, i cili i shndërroi fshatarët pronarë shqiptarë në mëditës të shtetit çifligar, madje duke i detyruar edhe ta quanin shpronësimin “kolektivizim” dhe rezultatet e shpronësimit “kooperativa”. Me kalimin e viteve, fshatari shqiptar i tipit të ri jo vetëm që nuk mund të largohej nga fshati dhe të shpëtonte nga zgjedha e punës së detyruar në arat e beut shtet, por edhe u mësua, gradualisht, që ta shihte tokën si hapësirë që nuk i përkiste më.

Lidhjet e fshatarit me tokën erdhën duke u dobësuar, derisa u këputën. Braktisja e fshatit nga qindra mijëra shqiptarë, në fillim të viteve 1990, për të emigruar kush drejt Italisë e Greqisë, kush drejt periferive të qyteteve ishte edhe pasojë e drejtpërdrejtë e këtij jetërsimi. Mënyra si e trajtoi pushteti i atëhershëm çështjen e pronës në fshat e përkeqësoi gjendjen edhe më tej, në kushtet kur infrastruktura bujqësore ose u plaçkit, ose u la të amortizohej krejtësisht.

Po t’i kemi parasysh këto zhvillime, ndoshta do ta kuptojmë më mirë pse i riu fshatar sot preferon të shkojë të mbledhë domate dhe ullinj si argat në tokën greke, sesa të bëjë të njëjtën punë si zot në tokën e vet shqiptare; meqë vetëdija e fshatarit të sotëm shqiptar është vetëdija e mëditësit, e njeriut të zhveshur nga prona; madje edhe sikur prindët e tij ta kenë marrë tashmë tokën që u takonte, por vetëm e vetëm për t’ia kundruar djerrëzimin nga dritarja e pleqërisë.

Hapja e kufijve, sado e kushtëzuar, i shërbeu kështu më mirë qarkullimit të mbivlerës sesa qarkullimit të njerëzve: Shqipëria për dy dekada ka eksportuar punë dhe ka importuar simbole të statusit…

Por raporti i shqiptarit me pronën, veçanërisht atë të patundshmen, është shkatërruar edhe më thellë se ç’mund të mendohet nga karikatura e mësipërme. Për kokorroçët e Benzave, pronësia e tokës është burim rente, ose pasurie të fituar jo nëpërmjet punës; sikurse pronësia e një apartamenti në Tiranë. Në një artikull dje tek “Shekulli”, Elidor Mëhilli përshkruante një skenë pothuajse gogoliane, që i kishin zënë sytë në Arkivin e Shtetit në Tiranë:

Arkivi ka evoluar në një agjensi verifikimi pronash. Salla është e mbushur me njerëz të djersitur e të egër që kërkojne tapi e troje, bërtasin, kërkojnë emra gjyshërish, nënprefektura të Zogut, kërkojnë shefen, bërtasin, dhe kërkojnë shefen duke bërtitur…

Thua ta bëjnë këtë nipat e sotëm, nga malli për mjaltën e baltës së vjetër? Apo duhet t’i falemi hipotezës tjetër, sipas së cilës rendja pas pronave të vjetra e të harruara motivohet, para së gjithash, nga tundimet e lashta të parazitizmit?

Një gjë vështirë se mund të mohohet – tapia e zhvarrosur sot është baraz me një Benz të ri akull nesër, mundësisht të parkuar anës ugarit, atje ku bleron tërfili dhe ia thotë këngës bilbili. Këtij ekuacioni të thjeshtë dhe të vetvetishëm i mungon vetëm faktori i punës si mjet transporti nga mundimi në mirëqenie; sepse puna është diçka që konsumohet në heshtje dhe fshehtësi, larg syve të publikut, mundësisht përtej detit, në dhe të huaj, atje ku ha njeriu njerinë; ose edhe më keq akoma, në përleshje metafizike me policët e kufirit, teksa ti rrekesh të kalosh përtej me Benzin proverbial, por këtë herë të ngarkuar dingas me trahana… ose kokainë.

Ka edhe më. Tensioni aq primordial midis Benzit dhe traktorit i detyrohet – madje unë do të shtoja para së gjithash – televizionit. Prej dekadash, televizioni u sjell njerëzve në dhoma të ndenjjes realitete të papërballueshme, përsosmëri platonike të tilla që t’ua shterrojnë shikuesve me shpejtësi marramendëse rezervat e dinjitetit, të sedrës dhe të krenarisë së qenies. Kjo nuk ka vlerë vetëm për fshatin, por për të gjitha ato mjedise ku realiteti virtual i televizionit bashkëjeton me të përditshmen. Duke ofruar modele të skajshme të elegancës, bollëkut, bukurisë, forcës, pushtetit dhe teknologjisë, televizioni ushqen instinktet dhe në rastin më të mirë përfton njerëz të cilët e jetojnë jetën e tyre si në skenë, të rrethuar nga sytë dhe kamerat e të Tjerëve.

Ky zhvillim, ose më mirë kjo psikozë e induktuar prej mediave, është për t’u krahasuar me imazhin tradicional, pastoral, të fshatarit që punon i vetëm në arë, i kredhur në natyrë – i parë nga askush, përveçse nga Zoti. Televizioni e riformulon krejt këtë imazh, duke e zëvendësuar Zotin e djeshëm me Tjetrin, i cili jo vetëm është i barabartë me ty, por edhe ruan të shohë tek ti një shenjë sado të vogël inferioriteti ose dobësie, e cila do ta bënte të ndihej mirë. Palumturia e përgjithshme, që i detyrohet ballafaqimit me esencat platonike ofruar nga mediat, mund të kundërshtohet me gëzime të tilla të vogla – si Benzi i parkuar përbri shtëpisë, imazhi i konsumit tim dorëlëshuar (conspicuous consumption), ofruar për konsum të Tjetrit.

18 Komente

  1. Pse kaq problem është, ja zgjidhja 🙂 Çuditërisht sot dje po dëgjoja në NPR për njerëz që blejnë traktorë për koleksion dhe se si ishte rritur vlera e disa traktorëve. Pra s’do ishte çudi të shikoje ndonjë traktor si simbol mirëqënieje 🙂

  2. citim 1: “Këtë lloj raporti intim të fshatarit me tokën “që e punon” e shkatërroi regjimi i mëparshëm,…”

    citim 2:”Tensioni aq primordial midis Benzit dhe traktorit i detyrohet – madje unë do të shtoja para së gjithash – televizionit.”

    “Hall me burrë e hall pa burrë…” i thonë kësaj Xhaxha.
    Është kollaj të gjesh fajtorë në të shkuarën ose tek virtualja (më saktë, mediat) kur shumë kollaj mund tÇju drejtohej gishti atyre që mund të bënin diçka.
    Kush thotë që fshatari nuk do që ta punojë tokën?
    Më siguron dot një kredi për të blerë një traktor, dy lopë dhe një copë tokë?
    Më siguron që prodhimi im nuk do ngelet pa shitur për shkak “mallrave të jashtme” ?
    Më siguron që ti i pari do preferoje qumshtin e fermës time se sa atë të Parmalat-it apo të qumështit Panda të ardhur nga Kina?

    P.s: Dëshira e fshatarit për të punuar tokën, duket dhe në rastin absurd, kur ai gjen tregun vetë për prodhimet ku mund të konkurojë… shiko fshatarët e Lazaratit për shëmbull, por jam po aq i bindur që, me të njëjtin vetmohim, ata do mbillnin dhe domate ose duhan nëse SHTETI do t’ju siguronte tregun e shitjes.
    Sepse shteti, sa harxhon në “misione për asgjësimin e bimëve”, po t’i kishte shpenzuar për të subvencionuar në grumbullimin dhe shpërndarjen e domateve të tyre, do të bënte që edhe orientimi i fshatarëve të drejtohej drejt një tregu legal ku edhe në mos e bëfshin për etikë, do ta bënin sepse këtu të paktën nuk rrezikojnë gjë ligjërisht.

  3. Edrus, rolin rregullues të shtetit sot, edhe në bujqësi, e kam cekur te shkrimi për “Kullotat e kryeqytetit”. Nuk mund t’i kthehem sa herë që e trajtoj këtë temë.
    Megjithatë, gjendja e sotme në fshat ka edhe shkaqe të tjera, që nuk lidhen drejtpërdrejt me politikat ekonomike të pas 1990-ës.
    Fshatarët e Lazaratit nuk më duken shembulli më i përshtatshëm, sepse hashashi nuk është prodhim bujqësor, as tregtohet me çmimet e prodhimeve bujqësore.
    Edhe kredia që përmend ti, për të blerë traktorin dhe lopët, nuk ka shumë vlerë kur yt bir qëllon që e mban benzin të parkuar përpara shtëpisë.
    Dhe, për ta mbyllur, unë besoj se fajin kryesor për shkatërrimin e fshatit shqiptar e ka komunizmi. Edhe televizioni nuk do të shkaktonte aq dëm, po të mos e gjente terrenin gati.

  4. per mendimin tim nuk eshte se jane emigrantet ata qe blejne Bencat dhe i parkojne para kasolleve te prinderve te tyre. Emigrantet, ata te rinj e te vjeter, ja njohin vleren punes e investimeve te llogjikshme.

    Jane ata qe marrin leket qyl muaj per muaj :). Qe nuk kane se me cfare te identifikohen ne mungese te punes dhe e gjejne bencin si mjetin e vetem identifikues. Per mua eshte thjesht ceshtje identiteti e veteperceptimi.

  5. Sa interesante qe kur fshatari blen Benz, kjo behet objekt kurioziteti dhe “indicje” e dickaje qe nuk shkon mire me ne si popull (hajt mo, pergjithesimi i dale binaresh)
    Por kur blen Benzin nje jo-fshatar, bie fjala, nje ish-punetor i Uzines Dinamo, askerrkush nuk mendon se ketu ka dicka te pazakonte!!
    Si tha ai shkrimtari italian qe fitoi Nobelin?
    Pse, tha, kur nje shkrimtar behet me 1 Milion Dollare, njerezit e pyesin se c’do te besh TANI, qe ke kaq para?
    Pse s’e pyet njeri nje Aktor apo Sportist qe fiton po kaq shume, se c’do te beje tani me keto para?
    A eshte shkrimtar i mire vetem ai qe vuan urie?
    A eshte fshatar i “vertete” vetem ai me Traktor (Dhe VETEM me traktor)?
    Ah, sa gjynah qe jemi?

  6. Tabakhone pyet se ç’duhet me thënë kur e blen Benzin një ish-punëtor i Uzinës Dinamo.
    Asgjë. Habia fillon kur ish-punëtori i Uzinës Dinamo të blejë traktorin dhe ta parkojë poshtë pallatit.

  7. Xhaxha, të më falni që nuk njoh se si e mendoni ju dhe se ç’mund të kini thënë më parë rreth këtij problemi, por komenti im ishte thjesht një “shkëndijë” e ndezur nga shkrimi juaj i fundit.
    Pa dashur të hyj në atë se si perceptohej problemi i pronësisë prej komunizmit dhe se sa e drejtë apo e gabuar është ajo teori, duke patur parasysh që jemi të të njëjtës gjeneratë dhe duke menduar se dhe ju ashtu si unë keni qënë larg jetës së përditshme bujqësore, desha të të kujtoj që, megjithse i kemi mallkuar ditët e aksioneve dhe të punëve vullnetare, në një farë mënyre, si unë dhe ju, kemi patur mundësinë që të zhveshim misër, të mbledhim kallinj apo të prashisnim.
    Nëse s’do kishim patur ato kontakte, do të ishte e vështirë për ne që të të thoshim sot që: “gjemë kredi dhe treg”… ose të trajtonim tema të tilla kaq të rëndësishme shoqërore si kjo e trajtuar prej teje (me qënë do trajtohej nga analistë të tjerë… por duket që ata nuk e kanë shkelur ndonjëherë baltën e arave)..

    Thoni që: “hashashi nuk është prodhim bujqësor”. Jeni i sigurtë? ka ndoshta shuumë më tepër nevojë për përkujdesje (që nga plugimi, mbjellja, prashitja e vaditja ashtu si çdo kulturë tjetër bujqësore) se, po ju sjell një tjetër shëmbull po aq banal, sa kamomili…. dhe po të shikosh e krahasosh çmimin në treg të një bustine me kamomil, do të shikoje që jemi pothuajse aty-aty me atë që paguajnë për të njëjtën peshë përdoruesit e “gjetheve”.
    Prandaj vija theksin tek politikat e gabuara të shtetit, sepse nëse shteti do të ofronte treg për mbledhjen e prodhimit, atëhere edhe “lazaratasit” do ishin më të lumtur të mbillnin një herë (Vetëm një herë!!) arën me kamomil dhe do rrinin “të bridhnin me benz” gjithë kohën deri sa t’ju vinte koha e grumbullimit të prodhimit.

  8. Qe fshatin e shkaterroi komunizmi jam dakort,pasi e shkeputi plotesisht fshatarin nga toka, ndryshe nga sistemi i meparshem kur beu apo agai i jepte 30 dynym toke ne perdorim e i merrte gjysmen e prodhimit. Ne kete rast fshatari kishte nje toke per ta punuar vete, pra nuk shkeputej fshatari me prodhimin e tokes.

    Ky proces i shkeputjes se fshatarit nga prodhimi i tokes e demtoi
    jashte mase fshatin tone por faktor tjeter eshte mbipopullimi i fshatit duke qene se ne 1990 kishim gati 2/3 e popullsise ne fshat e praktikisht per 700 mije ha kishim 2 milione fshatare.

    Per krahasim Bullgaria kishte 3 milione fshatare dhe 4 milione ha toke dmth 1,33 ha per fshatar- Shqiperia 0,33 ha per fshatar.

    Po keshtu Greqia kishte 1 ha per fshatar, Rumania 1,5 ha per fshatar apo Jugosllavia mbi 1 ha per fshatar(hiq kosoven qe i afrohej shqiperise) e me tej Hungaria 1,7 ha per fshatar.

    Pra Shqiperia kishte ne fshat nje force punetore te jashtezakonshme , te tepert, shume te tepert e kjo teprice ja mbathi ne emigracion.

    Tani te kerkosh nje traktor per shtepi eshte me shume nje metafore,pasi nje traktor duhet per disa dhjetra hektare e jo per parcela nga 1 ha sic kane familjet fshatare ne shqiperi.

    Pastaj mentaliteti i Benzit u fut nga emigrantet. Nje familje kishte e zeme 3 cuna. Te tre ne emigracion , sillnin leke ne shtepi, atehere i Ati i tyre normal qe skishte nge te merrej me 1,5 ha toke qe i sillnin maksimumi 1,5 milione leke te vjetra ne vit pasi nja 10 milione i sillnin 3 cunat (apo 2).

    Keshtu qe ci duhej traktori? Te punonte nje toke qe i sillte te ardhura qesharake ?

    Nga ana tjeter bejme nje krahasim mes fshatit shqiptar dhe atij kroat:

    Shqiperia ka 21 miliard dollare prodhim (PPP) e nga kjo 23,2 % ose aferisht 5 miliard vijne nga bujqesia.

    Kroacia ka 68 miliard dollare prodhim (PPP) e nga kjo 7,2 % ose afersisht 5 miliard vijne nga bujqesia.

    Shqiperia ka 700 mije ha toke bujqesore – Kroacia 1,7 milione ha toke bujqesore.

    Pra shqiperia ka te njejtin prodhim(ne vlere PPP) me Kroacine edhe pse ka 2,5 here me pak toka te punueshme.(nderkaq blegtoria shfrytezon kullota ne proporcion te ngjashem).

    Me Bullgarine tani:
    Kjo ka nje prodhim PPP prej 86 miliard dollare nga te cilat bujqesia ka 6,2 % ose afersisht 5 miliard dollare.
    Tani Bullgaria ka 4 milione ha toke te punueshme ndersa shqiperia 0,7 milione e prodhimi PPP eshte i njejte, pra edhe pse kemi 6 here me pak toka.

    Morali : Fshati jone eshte me eficent biles shume me eficent por diferencen ekonomike e ben Industria, ku jemi bernut.

    Ne jemi mesuar qe fshati te jep prodhime fantastike ‘alla japonezce’ me te cilat krijohej buxheti per investim industrial e tani qe kemi prodhim te mire por jo fantastik veme i biem fshatit qe punen e vet ne fakt e ben shume me mire se fqinjet e pasur(hiq greqine qe ska pasur komunizem).

    Jo fshatari te akuzohet per benz po ai punetori i ish uzines Dinamo sepse qyteti spo prodhon me falni per shprehjen, ‘nje mut’ e prandaj ne jemi shume prapa.

    Kjo nuk do te thote qe fshati nuk duhet te punoje me shume, perkundrazi ne duhet te kapim serisht rendimentet bujqesore ‘alla japonezce’ qe kemi pasur pasi vetem ashtu debojme nga tregu shqiptar mallrat greke e italiane qe subvencionohen nga shteti apo Komuniteti europian e na heqin mbi 1 miliard dollare ne vit si deficit tregtar.

    Po sic jemi mesuar ne komunizem , ti marrim frymen fshatit te haje qyteti sepse ne kemi nje qytet dallkauk te prapambetur plotesisht nga pikepamja mentale. Kaluam nga mentaliteti feudal ne mentalitet komunist e tani ne nje sinteze mentalitar feudalo-komunist.
    Ne nuk kemi nje qytet kapitalist,akoma jo….

  9. Qe fshatin e shkaterroi komunizmi jam dakort,pasi e shkeputi plotesisht fshatarin nga toka,

    Padyshim qe eshte e vertete. Ne librin e E Hoxhes “Me Stalinin” deshmohet per nje diskutim mes Hoxhes dhe Stalinit per demografine e Shqiperise. Kur mori vesh Stalini qe Shqiperia nuk kish proletare fare por ishte nje shoqeri fshatare propozoi qe Partia Komuniste (qe ne ato kushte do ishte nje misnomer pa vlere) te nderronte emrin ne Parti e Punes qe te dukej sikur perfaqsonte fshatarin, e me vone ta transformonte fshatarin ne proletar. Prandaj u ushtrua shume fokus ne zhvillimin e industrise te rende (qe transformon fshatarin ne proletar) ne dem te bujqesise.

    Per aq kohe qe ky demtim i shoqerise nuk njihet nuk mund te behet asgje per te ringritur ne kembe fshatarin. Nderkohe fokusi eshte perqendruar tek industrite dytesore (ndertim, turizem) duke e lene tere Shqiperine te ekzpozuar ndaj luhatjeve te ekonomise globale pa asnje ‘jastik’ sigurie te brendshme (dmth prodhim qe eshte me falni per shprehjen ‘jo-mut’)

  10. Hyllin shkruan:

    Ky proces i shkeputjes se fshatarit nga prodhimi i tokes e demtoi jashte mase fshatin tone por faktor tjeter eshte mbipopullimi i fshatit duke qene se ne 1990 kishim gati 2/3 e popullsise ne fshat e praktikisht per 700 mije ha kishim 2 milione fshatare. […]
    Pra Shqiperia kishte ne fshat nje force punetore te jashtezakonshme , te tepert, shume te tepert e kjo teprice ja mbathi ne emigracion.

    Pa dyshim, Hyllin, pa dyshim. Fshati në Shqipëri ishte i mbipopulluar dhe, për më tepër, pushteti nuk e lejonte këtë shtesë mbipopullsie të lëvizte lirisht.
    Megjithatë, kjo nuk ndihmon për të sqaruar braktisjen e plotë të disa fshatrave nga brezi i aftë për punë. Ky është problemi, për këtë duhet të flasim. Përndryshe hapemi shumë dhe përfundojmë duke folur prapë për Skënderbeun.
    Me fjalë të tjera: mbipopullimi shpjegon për bukuri pse shumë të rinj i lanë fshatrat, për t’u zhvendosur tjetërkund. Por mbipopullimi vështirë se mund të shpjegojë braktisjen e plotë.

    Hyllin përsëri shkruan:

    Qe fshatin e shkaterroi komunizmi jam dakort, pasi e shkeputi plotesisht fshatarin nga toka, ndryshe nga sistemi i meparshem kur beu apo agai i jepte 30 dynym toke ne perdorim e i merrte gjysmen e prodhimit. Ne kete rast fshatari kishte nje toke per ta punuar vete, pra nuk shkeputej fshatari me prodhimin e tokes.

    Ky përshkrim nuk përmend që (1) në Shqipëri, që me themelimin e shtetit në 1912, kishte një numër relativisht të madh fshatarësh të lirë, që punonin tokat e tyre dhe (2) pjesa tjetër e fshatarëve, që punonin “për beun”, edhe ata i morën tokat me reformat agrare, ca në kohë të Zogut dhe pastaj gjerësisht në vitin 1946.

    Hyllin shkruan:

    Fshati jone eshte me eficent biles shume me eficent [se fshati kroat ose bullgar], por diferencen ekonomike e ben Industria, ku jemi bernut.
    Ne jemi mesuar qe fshati te jep prodhime fantastike ‘alla japonezce’ me te cilat krijohej buxheti per investim industrial e tani qe kemi prodhim te mire por jo fantastik veme i biem fshatit qe punen e vet ne fakt e ben shume me mire se fqinjet e pasur (hiq greqine qe ska pasur komunizem).
    […]
    Kjo nuk do te thote qe fshati nuk duhet te punoje me shume, perkundrazi ne duhet te kapim serisht rendimentet bujqesore ‘alla japonezce’ qe kemi pasur pasi vetem ashtu debojme nga tregu shqiptar mallrat greke e italiane qe subvencionohen nga shteti apo Komuniteti europian e na heqin mbi 1 miliard dollare ne vit si deficit tregtar.
    Po sic jemi mesuar ne komunizem , ti marrim frymen fshatit te haje qyteti sepse ne kemi nje qytet dallkauk te prapambetur plotesisht nga pikepamja mentale. Kaluam nga mentaliteti feudal ne mentalitet komunist e tani ne nje sinteze mentalitar feudalo-komunist.

    Përsëri, Hyllin, çështja e qytetit është çështje tjetër. Nëse themi se fshati është keq, kjo nuk nënkupton që qyteti është mirë; as mund të kundërshtohet, duke argumentuar se qyteti është keq. Unë të falënderoj për shifrat krahasuese që solle këtu, por unë përfundimin që bujqësia shqiptare është rrënuar nuk e kam nxjerrë në mënyrë të pavarur – edhe pse aq sa kam mundur e kam konstatuar edhe vetë. Megjithatë, është fakt që tregu i produkteve ushqimore është mbytur me produkte të fqinjëve – ma merr mendja edhe të kroatëve dhe të bullgarëve, me të cilët na krahason; në një kohë që fqinjët tanë s’ma merr mendja se ushqehen me produkte të tokës shqiptare. E kuptoj që çështja e produktit në treg lidhet edhe me subvencionet që marrin produktet e fqinjëve – por shteti aty mund të luajë rolin që i takon, dhe t’i mbështetë bujqit e vet duke vënë disa barriera doganore.
    Ti thua që “fshati ynë është shumë eficient”; nuk ta kundërshtoj dot aty për aty edhe pse kjo që thua më tingëllon e gabuar; por ju lutem lexuesve të këtij debati, të cilët kanë të dhëna më të sakta, të ndërhyjnë me saktësimet e tyre. Është e vërtetë që fshati ynë është shumë eficient?

  11. Une nuk marre vesh shume nga bujqesia por qe ngaqe jam shume natyre kureshtare kam pyetur ne Shqiperi larte e poshte se si funksionojne disa gjera. Pervec kesaj kam edhe nje fare eksperience (jo direkte, se kam qene ne zyre) me nje NGO te huaj atje ne Shqiperi qe eshte marre me reformat ne bujqesi. Por nuk po flas si ekspert ketu, me shume si muhabet kafeneje.

    Hyllinit i jap te drejte persa i perket argumentit me traktorin. Neper fshatra do te ishte jo-ekonomik qe cdo shtepi te kishte nje traktor (shteti ka subvencionuar traktore te vegjel, ose tip plugjesh me motore, nuk di si quhen). Ka fshatare qe lirojne token me qe si para 100 vjetesh ngase nuk kane para te paguajne naften dhe traktorin me qira (ka per 5-6 nje fshatra nje traktor, qe e leshon veten me qira, ndersa nafta e Ballshit e perzjere me Solar qe subvencionon shteti per fshataret, perfundon ne tregun e zi). Sa per eficiencen (raportin kosto/fitim) nuk di te them. E para se deri tani fshataret tane kane punuar per te mbajtur veten, pra kane bere ajo qe quhet “self-sustaining economy”, 30 kg domate, 30 speca dhe nja 20 kuintale grure, harxhe per nje vit dhe zairet e dimrit, e pjesen tjeter te tokes e kane lene djerre. Dmth. shume pak fshatare kane qene te integruar ne ekonomine e vendit. Prandaj edhe vinte speci dhe domatja nga Maqedonia.

    Nje tjeter faktor eshte furnizimi ne menyre te vazhdueshme i tregut. Tregtaret nuk kane kontrata me fshataret, ose keta nuk i respektojne keto. Produktet qe cojne fshataret psh. neper baxho ose fabrika ne shume raste eshte jo cilesor, dhe furnizimi aspak i rregullt. Prandaj psh. nje baxho e madhe qe ka nje kapacitet shume te madh nuk mund te mbahet vetem me prodhimin vendas. Sepse per nje baxho qe ka mbi psh. 100000 leke kosto ne dite, nuk mund t’ja lejoj vetes te rri dy dite pa pune, sepse fshatari (qe psh. i ka vdekur nena, ose i ka ikur cuni emigrant) nuk i ka sjellur qumeshtin. E njejta gje vlen per nje punishte qe perpunon mish, gogozhare, vaj ulliri ose verera, dhe do qe te kete furnizim te perhershem me lende te pare (di raste per falimentim te ketyre fabrikave, se u jane prishur makinat, por kjo flet me shume per budallekun e disa biznesmeneve qe nuk studjojne tregun perpara se te marrin linja prodhimi gjigande.) Ne duhet te marrim shembull nga italia, ku te subvencionohen punishtet e vogla, (Sala ka nje program te tille tani.)

    Faktor tjeter eshte dispropocioni (e motivuar nga makuteria e disave) midis “kostos” se larte se prodhimit dhe cmimit te ulet me te cilen e kerkon tregu kete produkt (kerkesa/oferta tek ne duhet konceptuar ndryshe), cfare e detyron prodhuesin industrial te shoh per prodhime alternative: verera me kimikate, mjalt me sheqer ose esenca qe vijne nga Kina (ne forme Mjalti nga Brazili ose Argjentina), kos me qumesht pluhur etj. fantazirash per te mashtruar konsumentin.

    Sala ka bere disa levizje per te integruar prodhuesit blegtorial dhe bujqesor ne tregun vendas (nje levizje qe beri buje ca kohe ishte ndalimi i shitjes se qumeshtit direkt nga fshataret neper shtepi, ne tirane, me sebepin per te mbrojtur konsumatorin nga semundjet.) Problemi me te tilla levizje eshte se ajo kompania psh. Ajka qe shet qumesht te pasterizuar ne ambalazhe, nuk merr nga prodhimi vendas (psh. 50 lek/L) porse e merr nga kina (psh. 3 lek/L), dhe ta shet si prodhim vendas. Fshatarit pastaj nuk i intereson te mbaje lope, ose te bej edhe ai hile (ti hedhe uje). Ne fakt keto levizje, flasin me shume per faktin se fshataret tane nuk kane nje grup qe perfaqeson interesat e tyre, dhe te mendosh qe jane gjithe ai elektorat. Ne SHBA dhe ne France fshataret mund te rrezojne nje qeveri nese duan, aq mire i organizojne interesat e tyre (lobby, interests groups, institutions, regulations, etc.) Ndersa ajo qe nuk duhet mohuar ne Shqiperi eshte se ekziston ende ideologjia se prodhimet vendase, mundesisht te fshatarit, jane shume me te mira. Kjo eshte pozitive, porse me kete mashtrohet edhe konsumatori: nga Qaf Krraba deri ne hyrje te Elbasanit mund te kete mbi 30-40 tregtare vaji “ulliri” ne buze te rruges, asnje nga ata nuk e ka vaj origjinal vaj ullir, pasi e kane blere nga tregtare qe shesin vaj industrial me essenca (artificial flavour) “made in China” ulliri. Nje zgjidhje do te ishte kontrolli dhe vulosja e prodhimit vendas, porse ne ekonomine e tregut sisteme te tilla kontrolli jane problematike, se jo cdo fshatar do te mund te blinte “vulen e cilesise” te leshuar psh. nga Ministria e Bujqesise, ose nga nje Institut privat i licencuar per kete pune. Ne Itali psh. keto lloj vulash (edhe ato te produkteve “organike”) jane bere burime korrupsioni pasi i blejne e shesin si te ishin kepuce, dmth. vula nuk garanton cilesi, porse mashtron perseri konsumatorin. Problem!

    Banka Boterore ka programe per zhvillim te zonave rurale, dhe keto programe financiare zakonisht realizohen ose nga NGO -te vendase (ndermjet projekteve) ose nga NGO te huaja, qe zakonisht kontraktojne te tjera firma lokale. Problemet ne kete rast jane se keto firmat e kontraktuara ose NGO-te vendase vjedhin me keto projekte dhe nuk realizojne asgje. Seminaret qe organizon psh. BB ose USAID shihen me shume si “bufe” per te ngrene dhe pire, e me marre ndonje lek nga dietat, dhe nuk mesohen metoda te reja per punimin dhe mbjelljen e tokes. Nje miku im me tregonte se kishin ndertuar Sera per domate me vlere mbi 10000 Dollare, dhe mbas 1 viti, asnje nuk ekzistonte. Ne shqiperi, sado qe kemi gati 300 dite diell ne vit, ka shume pak sera. Pse? Me sa kam degjuar njeher ketu jashte kur kam qene ne nje fshat, nje sere kerkon gati 5-here me shume pune se nje toke e lire. Pra jane shume pune-intensive dhe te lodhshme, si rrjedhoj jo shume eficiente. Mbase nje arsye per deshtimin e tyre. Keto projekte ose behen qe ne fillim te perfundojne ne vrimat e zeza, ose jane shume joefikase dhe aspak konform kerkesave te tregut. Nuk e di!

    Pastaj ka edhe faktore te tjere, qe kane te bejne me zhvillimet globale. Por tani ka dale ky termi: Glocalisation (or glocalization) is a portmanteau of globalization and localization. By definition, the term “glocal” refers to the individual, group, division, unit, organisation, and community which is willing and is able to “think globally and act locally.” The term has been used to show the human capacity to bridge scales (from local to global) and to help overcome meso-scale, bounded, “little-box” thinking. (Nga WIKIPEDIA). Ne duhet me shume te shohim sesi te integrohemi ne ekonomite rajonale, dhe qeverite tona nuk mund te ngrejne tarifat doganore, se Shqiperia eshte anetare e 100 e ca organizmave dhe institucioneve ekonomike si WTO. Dmth. modele te ekonomise se mbylllur jane te kohes se shkuar. Problemi eshte si te perfitojme ne nga hapja e ekonomise rajonale, dhe jo si te mbyllemi e te izolohemi.

  12. Me sa kam degjuar njeher ketu jashte kur kam qene ne nje fshat, nje serre kerkon gati 5-here me shume pune se nje toke e lire.

    Por, kam përshtypjen që një serrë prodhon 5 herë më shumë se një tokë e lirë (ndoshta e kam gabim) dhe fundja mund të punësojë fshatarët që nuk u leverdis të punojnë veças tokën, meqë prodhimet nuk mund ta kapin kurrë tregun.

    Më kanë treguar për një fshatar nga veriu që kishte punuar në serrat e Greqise për disa vite dhe kishte fituar goxha njohuri dhe ekspertizë dhe kthehet të investojë në fshatin e tij. Aq mirë i eci puna, sa furnizonte restorante në Tiranë dhe Maqedoni, deri kur një ditë të bukur zgjohet dhe i gjen xhamat e serrës të thyer. Epo ja që s’të lë i ligu të bësh kasolle!

  13. Te jap te drejte Parrulle. Por ketu hyjne edhe efekte psikologjike si pavaresia e fshatarit qe ka toke. Toka do te thote pavaresi. Dhe nje fshatar nuk deshiron te futet argat tek bashkefshatari i vete: te gjithe bejlera! Ne Golem ka qene nje kooperative pak a shume e sukseshme e lidhur me italian, prodhonin speca. Tani nuk e di si ka ecur, ne fakt nuk me kujtohet, madje kam idene se ate toke e kane bere fare per ndertime hoteli, se ka qene direkt mbas shinave te trenit. Ato tokat bujqesore psh. ne Golem, nga ana e plazhit jane zhdukur neper pallate, eshte ceshtje rentabiliteti. Qirate sjellin me shume se specat dhe patellxhanet.

    Nje problem tjeter eshte edhe pagesa e “xhobave” banditeve (pizzo qe i thone italianet). Sic mund te jete ai rasti qe ke degjuar ti (kur nuk paguan te djegin kullen). Shteti deri tani ka heshtur mbi kete ceshtje, megjithese policia merret me te tilla raste. Nuk e di sa mund te perflitet per nje problem serioz si ne Sicili, porse ne Tirane une kam degjuar raste te tilla, qe vejne “xhoba” neper restorante, dyqane dhe bare. Ekonomia e zeze i stimulon keto forma kriminale te pjesmarrjes ne fitim, ngase jo shume i deklarojne fitimet per tatim. Por me kete nuk merret dot as shteti. Ne Gjermani psh. shume restorante Italiane pretendohet te paguajne ate “pizzo” grupeve mafioze, sepse ceshtja eshte shume e nderlikuar. Se pari kapitali vjen nga keto kanale, se dyti jane lidhjet familjare ose klanore me keto struktura, e se treti shume nga keto restorante nuk deklarojne fitimet dhe xhirot, keshtu qe nuk vene dot ne polici.

  14. Xha Xhai thote:

    çështja e qytetit është çështje tjetër. Nëse themi se fshati është keq, kjo nuk nënkupton që qyteti është mirë; as mund të kundërshtohet, duke argumentuar se qyteti është keq.

    Problemi i fshatit nuk mund te shifet kurresesi i vecuar nga qyteti. Ose me sakte problemi qe trajtohet ketu nuk eshte edhe aq problem i fshatit porse kryesisht (teresisht) problem i qytetit! Perse e them kete? Sepse qyteti modern nuk eshte gje tjeter vecse infrastruktura monetare e industrise dhe bujqesise. Nese qyteti nuk e kryen kete rol, por shnderrohet sic e thote me te drejte Xha Xhai ne nje infrastrukture lehtesuese per importim simbolesh qe i referohen statusit, duke dale krejtesisht nga roli i vet si lehtesues i mardhenieve ekonomike dhe financiare, atehere per rrjedhoje edhe bujqesia edhe industria do calojne duke shkuar drejt braktisjes se plote. Pra fshati me shume sesa per subvencionim ka nevoje per interesimin e shtetit te vere ne shina qytetin, te kontrolloje tregtaret, te lehtesoje hyrjen e prodhimit ne qytet, te nxise institucionet financiare te kreditoje prodhimin ne vend te industrise se ndertimit.
    Lezetin fshatit duhet t’ia ndjeje se pari qytetari (p.sh. duke investuar ne te) dhe pasketaj mund te pritet ndonje gje prej fshatarit. Por kam frike se me semundjen e madhe qe ka kapur qytetin, pas manise per ta trajtuar c’do gje ne funksion te statusit dhe jo ne funksion te kapitalit/zhvillimit, nuk besoj se do kemi ndonje ndryshim cilesor edhe per ndonje fare kohe. Mjafton te shohesh se si i trajtojne qytetatret investimet ne turizem, te cilat ne vend se te jene vizione fitimprurese, jane vecse gare deklarimesh te statusit shoqeror te elites se qytetit qe nuk ndalet ne misionin e vet per t’u (ri)afirmuar as perpara betonimit te bregdetit, qe eventualisht do shkaterroje edhe vete turizmin. Turizmi sot per sot ne Shqiperi eshte thjeshte nje lloj retorike per te justifikuar kete lloj gare per status, kurse mungesa e plote e interesit per bujqesine, e cila sic u tha edhe ne shkrim per nga natyra nuk perputhet dhe aq me nevojat per status, e nxjerre zbuluar mungesen e interesit qe kane elitat qytetare per zhvillim/progres.
    Pra per sa kohe irracionaliteti do dominoje zhvilimin e qytetit, edhe zhvillimi i fshatit nu ka per te pasur ndonje fat me te mire.

  15. Do shtoja si koment timin fare pak gjera, pasi po te duash te diskutosh, ka shume probleme, te cilat ne hapsiren e nje blog-u, veshtire se mund te perballen:

    Sa kohe “baces” dhe kundershtareve te tij iu deshen dhe do iu duhen vota, nuk kam as me te voglin iluzion se shteti yne do aplikoje ndonjehere politika korrekte ne lidhje me zhvendosjen e kontrolluar te popullsise nga fshati e zonat rurale, drejt qyteteve fushore e bregdetit;

    Sa kohe qe shteti eshte konceptuar nga shtetaret dhe politika si nje zyre e stermadhe pune, ku militantet e te gjitha ngjyrave e kategorive punesohen e bejne sikur punojne (sipas rradhes qe riciklohen qeverite), nuk kam asnje iluzion se ligjet ne fuqi do gjejne zbatim korrekt, ca me shume, per te luftuar korrupsionin–“xhobat”, PO!

    Sa kohe qe ligjii 7501 mbi pronat, do mbetet peng i politikes se shemtuar shqiptare, nuk kam asnje iluzion se do kete kush deshire per t’iu ktyer me dashuri e vullnet tokes, per ta punuar e kultivuar (ata qe e perfituan padrejtesisht nga ky ligj, e masakruan ate, duke e shitur per troje ndertimi..!!)

    Sa kohe do te mungojne politikat serioze (pse jam kaq shume skeptike, kur bie fjala per “seriozitet” ne Shqiperi? Vertet nuk e di!) ne lidhje me ekonomine bujqesore ne teresi (dhe jo demagogjira, sic rendom, kemi me shume se gjysem shekulli qe degjojme..), as qe e mendoj se do kemi te bejme me rentabilitet apo eficience ne kete dege te ekonomise (Hyllin, jo kaq entuziast, te lutem! Fshati yne, kurre nuk ka qene ndonjehere eficient; mu duk si ndjesi delirante, teksa e lexova. Te kesh deshire qe te ndodhe, eshte krejt tjeter gje!!).

    Dhe se fundi, sa kohe qe shqiptaret nuk kane asnje lloj disipline pune, nuk do dine vendin se ku e kane dhe per me teper,ta respektojne ate edhe kur e gjejne, kurre nuk do kem shprese se ketu punojme dhe veprojme mbi kritere te nje shteti te se drejtes, per te mos permendur se pikerisht ky shtet, i eshte “dorezuar”spontaneitetit dhe mitit te -Un-it!

    Sa me siper, konkluzione nxjerre nga eksperienca familiare ,aspak shpresedhenese, per te mos dashur t’i komentoj, pasi mendoj se nuk ia vlen tu krijoj te tjereve ndjesi negative.

    Xha xha, te falenderoj qe prek te tilla tema, megjithate. Eshte dikush qe na degjon, te pakten, edhe pse nuk do mundemi te gjejme zgjidhjen.

  16. ”megjithatë, kjo nuk ndihmon për të sqaruar braktisjen e plotë të disa fshatrave nga brezi i aftë për punë. Ky është problemi, për këtë duhet të flasim.”’

    Ne fakt une thashe qe eshte nje faktor shpopullimi dhe jo i vetmi.

    Fshatrat qe kane pesuar braktisje te plote kane si faktor tjeter plotesues, infrastrukturen inekzistente e behet kryesisht fjale per fshatra malore,larg qytetit e qe kane pasur tradite blegtorine per mungese te tokes pjellore.
    Duke qene se bariun sot nuk e pelqen si pune as pasardhesi dok i barinjve, kuptohet lehte pse ne pergjithesi e ben bariun mosha e thyer ndersa i riu ja mbath ose pi konjak e duhan tek klubi i fshatit ne pritje te nje varianti qe do ta largoje prej aty.

    ””’Ky përshkrim nuk përmend që (1) në Shqipëri, që me themelimin e shtetit në 1912, kishte një numër relativisht të madh fshatarësh të lirë, që punonin tokat e tyre dhe (2) pjesa tjetër e fshatarëve, që punonin “për beun”, edhe ata i morën tokat me reformat agrare, ca në kohë të Zogut dhe pastaj gjerësisht në vitin 1946.””’

    Aty po flisja per fshatarin dhe lidhjet me token e mu duk e tepert te flisja per fshatarin qe ka token e vet, dmth fola per shtresen
    ‘proletare'(per te bere krahasimin) te fshatit e cila gjithsesi nuk ishte e shkeputur nga prodhimi ndryshe nga proletarizmi komunist.
    Reforma e Zogut shperndau 7 mije ha toke e kryesisht kosovareve te debuar nga serbi kurse Enveri ua dha ne 1946 per tja marre ne 1956.

    ””Ti thua që “fshati ynë është shumë eficient”; nuk ta kundërshtoj dot aty për aty edhe pse kjo që thua më tingëllon e gabuar; por ju lutem lexuesve të këtij debati, të cilët kanë të dhëna më të sakta, të ndërhyjnë me saktësimet e tyre. Është e vërtetë që fshati ynë është shumë eficient?””’

    Te dhenat gjenden tek Cia World factbook dhe Wikipedia(te shoqeruara pergjithesisht me linke zyrtare) keshtu qe perfundimi i vetem eshte se fshati yne eshte me eficent edhe pse nuk duket.

    Fola per prodhime ‘alla japonezce’ jo me kot. Krahasimin e bej me rendimentet italiane te 1990,pasi kam nje atlas gjeoekonomik te asaj periudhe.
    Psh gruri ne Italine e 1990 kishte rendiment mesatar prej 30 q/ha me diferenca te jashtezakonshme veri-jug e shkohej nga 56 q/ha te rajonit te Bolonjes ne 10-12 q/ha te sicilise,kalabrise e sardenjes.

    Ne Shqiperi rendimentet nga Myzeqeja deri ne Zadrime ishin pa frike tek 50 q/ha .

    Tani rendimenti vertitet tek 30 q/ha me nje renie te dukshme. Universiteti bujqesor i Kamzes me duket eshte i pari e i vetmi qe njihet ne europe(te pakten ne Itali) cka tregon se njihet si i nivelit te larte.

    Ne Shqiperi nuk ka mallra bujqesore as kroate e as bullgare, por tregu eshte i mbytur me mallra italiane, greke e maqedonase, nderkaq forca blegtorale qe buron nga tradita shqiptare ka bere te mundur ngadale zvogelimin e mallrave blegtorale pervec mishit maqedonas qe konkuron fuqishem sepse behet shkembimi 1 vic shqiptar – 2 vica maqedonas, dmth cojme cilesi te larte e marrim cilesi te ulet. Kope me vica mesa di une kane shkuar rregullisht edhe ne Greqi.

    Ne shqiperi vihet re nje prodhim intensiv me sera e vreshta anes rrugeve nacionale dhe nje braktisje e tokave malore ku ne fakt rendimenti ka qene perhere i ulet per shkak te kualitetit te dobet te tokes.

    Mendoj se do humbasin disa dhjetra mijera hektare toke maloro-kodrinore e do kthehen ne kullota sic kane qene.
    Nderkaq fshatrat afer qyteteve do shkojne gjithnje e me teper drejt serave,vreshtave e drureve frutore ku po merren aktualisht rendimente ‘alla japonezce’.

    Kjo po arrihet me shume mund per shkak te konkurimit qe bejne produktet italo-greke,pasi ato subvencionohen deri ne 100% nga Komuniteti Europian ndersa mallrat tona nuk subvencionohen me asnje kacidhe nga shteti.
    Mungesa e infrastruktures e ben te veshtire ndertimin e seres e vreshtit larg rrugeve nacionale e kjo ndikon shume ne potencialin bujqesor.

    Une kam besim se zhvillimi i infrastruktures do beje te mundur edhe debimin gati te plote te mallrave italo-greke,per shkak se ato vertet subvencionohen nga Europa, por kane kosto trasporti te cilen mallrat tona nuk e kane apo nuk do e kene nese infrastruktura ne fshat zhvillohet. Po nuk shkoi dot kamioni ne fshat, domatja e patellxhani te prishet,prandaj do mbjellesh grure e miser ne vend te zarzavateve e frutave.
    Nese shteti do vendoste dogane te larte per mallrat qe mund ti prodhojme vete atehere debimi i mallrave italo-greke do ishte tashme i perfunduar, por shteti jone eshte shtet ‘i privilegjuar’ nga Europa.
    Mund te shese mallrat bujqesore pa dogane ne Europe ndersa mallrat europiane do hyjne me dogane rreth 5%.
    Ky eshte privilegj per te zhvilluar Shqiperine, por ne fakt mallrat tona mezi konkurojne ne Shqiperi , si do mund te hyjne ne Europe kur mallrat Europiane subvencionohen deri ne 100% ?

    Ky eshte nje mashtrim trashanik ne emer ‘te tregtise se lire’.
    Ne duhet ti kepusim mallrat bujqesore italo-greke me dogana 100% apo edhe 200%, keshtu nxisim prodhimin vendas, do shtohen serat, vreshtat e frutoret do rikujdeset fshatari per ullirin e agrumet, kullotat do perdoren gjeresisht si njehere e njekohe kur nuk numeroheshin dhente e dhite.
    Japonia per orizin e ka doganen 1 000 % (nje mije perqind)
    pasi po mos ta kishte kaq te larte do rrenohej prodhimi vendas.

    Thone qe shteti qe flet per tregti te lire eshte duke ushtruar teorine e imperializmit ekonomik. Ne fakt Europa i keput mallrat bujqesore amerikane, veriore e jugore, jo vetem me subvencionimet shteterore por edhe me dogana te larta per disa mallra, pra e frenon eksportin e mallrave latino-amerikane mesa mundet, por nga ana tjeter flet per tregti te lire. Shume interesante teoria e perjetshme e ‘priftit pushtetar’:
    -Bej si them une e mos bej si bej une.

  17. ””Hyllin, jo kaq entuziast, te lutem! Fshati yne, kurre nuk ka qene ndonjehere eficient; mu duk si ndjesi delirante, teksa e lexova. Te kesh deshire qe te ndodhe, eshte krejt tjeter gje!!)””’

    E dashur no name, e thone te dhenat qe solla nuk e shpika une.
    Te dhenat i japin te huajt e une me shume sesa ndjesive u bindem shifrave,pastaj nese ti ke ndonje interpretim tjeter te atyre shifrave je e mirepritur ta sjellesh.

    Fshati yne ka qene mjaft eficent para 1980, biles aq eficent saqe ne eksportonim mallra bujqesore (e minerale) e importonim kryesisht teknologji industriale.
    Ne kohe te Zogut eksportet tona blegtorale perbenin shumicen e eksportit shqiptar.
    Ne 1980 sipas ‘Il Millione’ nga 200 milione dollare te asaj kohe qe eksportonte Shqiperia rreth 14 % ishin vere e duhan, ose gati 30 milione dollare te 1980-es.
    Sot importohet si vera ashtu edhe duhani, megjithese prodhimi i veres eshte shtuar kohet e fundit.

    Teorikisht shqiperia ka potencial bujqesor te njejte me Italine, ne mos me shume per shkak te kullotave qe ne kemi e ata jo si dhe faktit qe 1 milione jane emigrante, keshtu qe fshati yne(bashke me pyje e kullota te cilat i kemi me bollek) i trajtuar si ekonomi primare ne nje plan 5 vjecar do i jape hov te madh industrise se lehte e ushqimore e cila normalisht do shtoje kerkesat per industrine kimike e mekanike e te cilat pastaj do shtojne kerkesat per industrine e rende, ku ne kemi lende te pare, ndryshe nga italia e greqia qe s’kane.

    Nese ne 1990 ne vend te bridhnim pas budalleqeve me turizem e firma piramidale e prishjen e te gjitha industrive dhe fermave bujqesore, do kishim ndjekur nje proces prej bujqesise ne industri te lehte ate mekanike e ate te rende, sot do ishim me siguri shume me lart se cjemi.

    Por nderkaq kemi humbur agronomet dhe inxhinjeret, keshtu qe as bujqesi e as industri nuk bejme dot.

  18. Hyllin, ka qënë komunizmi që i ka larguar njerëzit edhe që andej… dmth e ka lënë vëndin të shkretë, pa agronomë veterinarë dhe inxhinjerë 😉

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin