Lexoj në “Shekulli”:
Nënë Tereza “e harruar”, në 11 vjetorin e vdekjes
Njëmbëdhjetë vjet pas ndarjes nga jeta të Shenjtores Shqiptare Nënë Tereza, Shqipëria nuk bën asnjë aktivitet në përkujtim të saj. Për këtë ka reaguar Partia Demokristiane e Shqipërisë, përmes nënkryetares Aida Joanidhi, e cila e quan të pavend heshtjen në përkujtimin e kësaj figure nga ana e shtetit shqiptarë e në veçanti të Ministrisë së Kulturës. Sipas demokristianëve, çdo komb në botë do të ishte krenar për përkatësinë kombëtare të Nënë Terezës, ndërsa vendi ynë, sipas nënkryetares së PDK, vazhdon të mbajë në institucionet më të rëndësishme individë që kanë sulmuar përkatësinë kombëtare të Nënë Terezës duke e quajtur atë vllehe të Maqedonisë.
Lajme të tilla janë aq topitëse, sa ta shndërrojnë trurin në masë tutkalli.
Nënë Tereza – aq shumë është shkruar vitet e fundit për këtë figurë, sa ajo vetë do ta kish denoncuar e para kitsch-in patriotik që tashmë i bashkëlidhet sa herë që i përmendet emri, thuase është versioni post-rilindas i Naim Frashërit, ose shenjtorja e parë në kalendarin kombëtarist të Shqipërisë fetarisht të rilindur.
Njëmbëdhjetëvjetori nuk është ndonjë datë kushedi çfarë për t’u përkujtuar, aq më tepër i vdekjes së një gruaje në moshë të thyer e cila një ditë do të vdiste. Prandaj njerëzit zakonisht kremtojnë ditëlindjet, ose momentin kur vjen në botë një njeri i shquar; meqë vdekja e Nënë Terezës – ta themi mes nesh – nuk është se ishte as e papritur, as e parakohshme, as katastrofale për planetin, ose të paktën për Shqipërinë vetë.
Megjithatë, jam i sigurt që diku ndër shqiptarë ka pasur njerëz, familje, komunitete, institucione private, të cilat mesazhin e Nënë Terezës e kanë bërë të tyrin, e që kanë ruajtur një moment nga dita e përvjetorit, për ta përkujtuar shqiptaren e madhe.
Për këtë arsye, e konsideroj lajm të mirë që shteti shqiptar këtë herë nuk u përzie, për të shkaktuar farsën e radhës, në ngjarje kulturore të cilat duhet të mbeten private, ose gjithsesi jashtë sferave zyrtare-institucionale. Nuk besoj të ketë uruar njeri për ndonjë sesion shkencor, të organizuar kryesisht për mediat, ku të pranishmit të dëgjonin referate të tilla si “Vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri dhe tatëpjeta e regjimit komunist Alia,” ose të ngjashme.
As besoj të ketë uruar njeri që emri i murgeshës Gonxhe t’i vihej tanimë ndonjë vinçi, ose banke, ose më mirë ndonjë lagjeje eksperimentale në Tiranë ose ndonjë super-moteli në Sarandë.
Shteti shqiptar ka bërë aq shumë për përkujtimin e Nënë Terezës, sa të ketë rrezikuat t’ua zvjerdhë kujtimin e saj edhe më të devotshme – pushtetarët desh u rrahën me njëri-tjetrin për bileta në ceremoninë e lumturimit në Romë, teksa në Tiranë i vihej emri i saj një spitali që sot figuron ndër më të frikshmit në krejt Eurazinë, dhe një aeroporti ndërkombëtar – si për të konfirmuar akuzat e vona kundër murgeshës VIP, tashmë të shndërruar në personazh të jet set-it global, së bashku me Lady D., Elton John-in, Bono-n e U2…
Më bëri përshtypje edhe ky pasazh, në lajmin sado të shkurtër [theksimi është imi]:
Sipas demokristianëve, çdo komb në botë do të ishte krenar për përkatësinë kombëtare të Nënë Terezës, ndërsa vendi ynë, sipas nënkryetares së PDK, vazhdon të mbajë në institucionet më të rëndësishme individë që kanë sulmuar përkatësinë kombëtare të Nënë Terezës duke e quajtura atë vllehe të Maqedonisë.
Sepse është pikërisht ky pasazh që konsakron kalimin nga sublimja e përkujtimit të një figure eterike, më pranë qiellit sesa tokës, dhe ziftit të trashë të politikave brenda-shqiptare, ku gjithçka shndërrohet vetvetiu në politika kuadri, ose në orvatje për të kapur poste zyrtare e për t’i infektuar institucionet me pleshta të fisit, të katundit, të klanit, të krahinës e të fesë.
Të thuash se njëmbëdhjetëvjetori i vdekjes së Nënë Terezës do të ishte edhe momenti më i përshtatshëm dhe i shumëpritur për t’i hequr qafe individë si Aurel Plasari, që në mot ka guxuar të vërë në dyshim prejardhjen shqiptare të Gonxhes, e për t’i zëvendësuar me njerëzit “tanë”, të pastër dhe atdhetarë të përkushtuar, që përvjetorë të tillë janë gati t’i kremtojnë katër herë në vit, sidomos po të shoqërohen edhe me lëvizje kuadri përkatëse…
Shkrova më lart se lajme të tilla janë topitëse – jo për gjë tjetër, por ngaqë dëshmojnë, si pa dashur, rrëgjimin e vetëdijes politike në një shtresë zyrtarësh të mesëm në Shqipëri, të cilët përnjimend kujtojnë se ka mbetur ende vend, nën strehën e batakçinjve, që është për shumëkënd kombëtarizmi.
Nënë Tereza ia kushtoi jetën e vet të varfërve, ose atyre që vuanin – dhe vuajtja nuk ka kombësi, as shtetësi. Nënë Tereza ishte murgeshë katolike, dhe kisha katolike si institucion ngrihet mbi dasitë etnike dhe kombëtare. Nënë Tereza e zhvilloi veprimtarinë e vet kryesisht në Indi, dhe shteti shqiptar komunist kurrë nuk deshi të kish të bënte me të, për arsye ideologjike.
Megjithatë, që kjo murgeshë ishte me origjinë shqiptare, duhej t’i nxiste shqiptarët, pas 1990-ës, që t’ia përqafonin mesazhin ekumenik, të ndihmës dhe të solidaritetit – përndryshe çdo orvatje, sidomos institucionale, për t’ia përvetësuar emrin dhe veprën, është kundërprodhuese dhe madje komike, po të kihen parasysh edhe fushatat paralele të Maqedonisë fqinje.
Shqipëria sot prodhon varfëri e dëshpërim ndoshta më shumë edhe se shkëlqim, flluska sapuni dhe maskarallëk; dhe kujtimi i Nënë Terezës me siguri do të ndihmonte për ta përndjeshmuar publikun ndaj plagëve sociale. Qytetërimi i elitave të sotme të Tiranës shkëlqen si një cipë e hollë flluske shumëngjyrëshe, që rreket të mbulojë një pellg të errësirës, të mjerimit dhe të korrupsionit moral. Ky qytetërim ngrihet mbi të kundërtën e çka predikonte Gonxhja – pse frymëzohet nga egoizmi, grykësia, mashtrimi, paligjshmëria dhe dhuna.
Partia demokristiane do të kish bërë mirë ta shfrytëzonte dritaren në “Shekulli” për t’iu kthyer problemeve me të cilat përballej, në botë dhe në shpirt, Nënë Tereza; të cilat kanë qenë të shumta e të shumëllojshme, por që gjithsesi s’kanë pasur të bëjnë kurrë me politikën e kuadrit të qeverisë Berisha.
Sa për paritë e mëdha, këto “harruan” këtë vit ta përkujtojnë nobelisten shqiptare; po a thua ngaqë u vjen turp për përdhosjen që ia kanë bërë trashëgimisë së saj shpirtërore, apo thjesht ngaqë s’kanë pasur ç’t’i mjelin më imazhit “pop” të murgeshës?
Xha xha me kete shkrim me solle ndermend nje dyshim t’imin te hershem se Gonxhe Bojaxhiu nuk ka qene me gen shqiptar. Do te te isha mirenjohes nqs ju mund te me ndihmoni ne gjetjen e ndonje shkrim te kujdoqofte qe mbron idene se Nene Tereza ishte me origjine Vllehe (arumune).
Respekte
Berberi